Prof. Dr. Ajet Mezini
Memorie.al / Prof. Dr. Stanislav Zuber, një nga shkencëtarët e famshëm të rangut evropian në industrinë e naftës, punoi për 20 vjet me radhë në Shqipëri, në kërkimin dhe zbulimin e fushave naftëmbajtëse të vendit tonë. Vrasja sa mizore aq tragjike e profesorit të famshëm polak, e cila në atë kohë u mbajt e fshehtë, nuk do të mësohej kurrë, po të mos ishte bërë publike nga shkrimtari i famshëm shqiptar, Petro Marko. Ai, që në ditët e para të shtypit pluralist, në prillin e vitit 1991, denoncoi publikisht atë krim të shëmtuar të diktaturës komuniste, duke përshkruar me hollësi çastet e fundit të vdekjes së shkencëtarit të famshëm polak që dha shpirt në duart e tij. Autori i famshëm i “Hasta la vista”-s, në atë kohë ndodhej i arrestuar në burgun e Tiranës, i akuzuar si agjent i UNRRA-s.
Stanislav Zuber lindi më 14.10.1893 në Lvov, në familjen e gjeologut të shquar, profesorit të Universitetit të Lvovit, Rudolf Zuber. Stanislavi u rrit me dashurinë për shkencën e gjeologjisë e në veçanti asaj të naftës, që ishte drejtimi kryesor i studimeve të tij. Pas përfundimit të shkollës së mesme, Stanislav Zuber vazhdoi studimet në Universitetin e Lvovit. Në vitin 1924, mori titullin e doktorit në Universitetin e Lvovit, kurse në vitin 1927, mori titullin e profesorit në Universitetin e Jagelonit në Krakov.
Punimi i tij u vlerësua lart nga profesorët recensues Shajnoh dhe Noëak. I ftuar nga kompania italiane AIPA (Azienda Italina di Petrolio) ai punoi 20 vjet në Shqipëri, deri në vrasjen makabre të tij në burgun e Tiranës në vitin 1947. Krahas studimeve, kërkimeve dhe zbulimeve të vendburimeve naftëmbajtëse në Shqipëri, ai zhvilloi aktivitet shkencor edhe në Malin e Zi dhe Itali. Prof. Zuber ishte një profesionist i shkëlqyer, vazhdues i denjë i traditave të familjes së tij. Si pasardhës nga një familje intelektuale, Zuber ishte specialist i kompletuar, me njohuri të thella në fushën e gjeologjisë.
Stanislav Zuber, udhëhoqi të gjithë punimet që kryente kompania italiane në Kuçovë, dhe është autor i zbulimit të vend-burimit të Kuçovës dhe Patosit. Ai punoi në shumë zona të tjera kërkimi të naftës në vendin tonë, nga Jugu në Veri, kreu vrojtime dhe studime shkencore për gjeologjinë sipërfaqësore, dhe është autor i Hartës Gjeologjike të Shqipërisë me shkallë 1: 200 000, si edhe i hartës tektonike të Shqipërisë. Është autor i mbi 200 ekspertizave shkencore. Gjatë punës në Shqipëri, Prof. Zuberi mori pjesë gjallërisht në aktivitete shkencore, në shumë kongrese ndërkombëtare me paraqitjen e punimeve dhe kumtesave nga fusha e gjeologjisë së Shqipërisë.
Krahas vendit të tij të lindjes, ai kurdoherë vlerësoi Shqipërinë njëlloj si vend-lindjen e tij. Profesor Stanislav Zuber, ishte një nga korifenjtë e gjeologjisë së Shqipërisë, interpretimet e të cilit, janë vërtetuar plotësisht nga punimet e shumta të kërkimit për naftë që u kryen më vonë nga gjeologët shqiptarë. Interpretimi i gjeologjisë së vendit tonë nga Stanislav Zuber, bazohej në teorinë Moderne të Pllakave, ose të ekzistencës së napave (mbulesave) siç thuhej në literaturën e asaj kohe.
Për një specialist të sotëm, është e vështirë të perceptohet se si një gjeolog i vetëm, në kushtet e mungesës së plotë të bazës laboratorike, të mungesës së plotë të metodave ndihmëse studiuese të gjeologjisë, si paleontologjia, petrografia, sizmika, gjeokimia, gjeofizika, të udhëheq me kompetencë të plotë shkencore, të gjitha punimet e kërkimit për naftë e gaz, të gjitha punimet shfrytëzimit të vend-burimeve të naftës Kuçovë dhe Patos, dhe të bëj hartën gjeologjike të Shqipërisë në të njëjtën kohë.
Përveç aktivitetit në nivel të lartë shkencor, Zuber koleksionoi mostra kampionesh nga shumë lloje shkëmbinjsh që takohen në vendin tonë dhe ngriti një muze gjeologjik në Kuçovë, i cili ishte një model shumë i rrallë edhe në botë. Sa më shumë shpime bëheshin, për kërkimin e naftës dhe gazit në vendin tonë, aq më shumë vërtetoheshin parashikimet e Zuberit, për ndërtimin gjeologjik të vendit tonë.
Gjatë jetës time jam ndeshur shpesh herë me madhështinë e figurës së Stanislav Zuberit, jo vetëm si shkencëtari më i madh i gjeologjisë shqiptare, por edhe si njeri i thjesht që gëzonte respektin e kujtdo që kish patur rastin ta njihte. Në shtator të vitit 1958, u regjistrova në Degën e Gjeologjisë, të fakultetit të Inxhinierisë të Universitetit të Tiranës. Im at më tha: “Nuk dua asgjë më shumë nga ty, vetëm të bëhesh sa gjysma e Profesor Zuberit”. Ai e kishte njohur nga afër Zuberin, kur punonte në Kuçovë, gjatë viteve 1933-1939, dhe kishte një vlerësim maksimal, si specialist i gjeologjisë.
Më vonë, pasi mbarova studimet dhe fillova punën, u ndesha shpesh herë me studimet që kishte bërë Zuberi, raportet që kishte bërë gjatë karrierës së tij, dhe me gjithë aktivitetin e tij shkencor. Unë gërmoja me shumë dëshirë dhe kuriozitet në arshivën e vjetër të naftës, për të ditur më shumë për aktivitetin shkencor të këtij baroni të gjeologjisë së naftës. Në vitin 1973, më kishin ngarkuar të kryeja një studim për pjesën perëndimore të vend-burimit të Gorishtit, me qëllim zgjerimin e tij në drejtim të perëndimit.
Në afërsi të rajonit, ishte shpuar nga italianët pusi i kërkimit për naftë; Val-Vllahina-2 , deri në thellësinë 1516 ml. Në fund të shpimit kishte shkuar për inspektim Zuber dhe konkluzioni më i rëndësishëm dhe shumë interesant për mua ishte: Fundi i pusit është 200 ml. larg nga takimi i gëlqerorëve! Unë këtë kërkoja, sepse objekti naftë-mbajtës, ishte gëlqerori.
Por, isha në dilemë: si mund t’i besoja një përfundimi të tillë, të bërë 40 vjet më parë?! Mbi çfarë bazash shkencore mbështetej ky përfundim, kur nuk ekzistonte karrotazhi i puseve, analiza paleontologjike për moshën e kampioneve të fundit të pusit, dhe nuk kishte asnjë pus tjetër, që të bëhej krahasimi? Mbi bazën e këtij konkluzioni, në qoftë se do ti besoja, do të vendosej shpimi i një pusi, që kishte kosto të lartë. Dokumentacioni i pusit të shpuar nga italianët, ishte shumë i saktë. Duke patur parasysh, se për mua Stanislav Zuber, ishte një idhull i gjeologjisë, i besova plotësisht dhe projektova pusin.
Pusi i takoj gëlqerorët në thellësinë e parashikuar nga Zuberi dhe dha naftë. Ky ishte një sukses që i takonte Zuberit, sepse ishte bërë realitet parashikimi i tij. Si specialist gjeolog, e kam të vështirë të perceptoj, se si është e mundur të arrinte deri në atë shkallë gjenialiteti i tij. Ai njihte me hollësi të gjitha prerjet sipërfaqësore dhe me një intuitë të pakrahasueshme shkencore, duke parë kampionaturën e posit, gjente se në cilën pjesë të prerjes, kishte mbetur fundi i pusit dhe sa larg ishte nga tavani i gëlqerorëve.
Zuberi i bënte vetë analizat paleontologjike dhe përcaktonte moshën e kampioneve. Ai inspektonte vetë të gjithë puset që shpoheshin dhe jepte konkluzionet përfundimtare. Në vitin 1973, isha me një grup gjeologësh në Palavli, një fshat midis Sarandës dhe Delvinës, në perëndim të malit të gjerë. Po bënim disa vrojtime sipërfaqësore. Atje ishte një bari, i cili na u afrua dhe na pyeti: “Çfarë jeni ju”? Gjeolog të naftës i thamë. Ai tha me shaka: “Nuk besoj, po të jeni gjeolog, gjeni se çfarë minerali është ky”? dhe nxori nga xhepi një gur me ngjyrë jeshile.
Ai ishte një mineral bakri dhe unë i thash se ishte Kalkopirit. Bariu tha se tani u binda që jeni gjeolog. “Unë – tha ai, – kam qenë shoqërues i Zuberit, për një kohë të gjatë. Dhe që nga ajo kohë ruaj këtë gur si kujtim. Gjeolog si Zuberi, nuk vjen më në Shqipëri. Ai ishte i mrekullueshëm. Atë e thërrisnin shpesh herë edhe jashtë shtetit për konsultime. Ruaj kujtime shumë të mira nga ai njeri. Ishte shumë i thjesht dhe i komunikueshëm”. Zuberi kishte lënë mbresa të pashlyeshme edhe tek bariu nga Palavlia.
Veprat e Zuberit, përshkohen nga karakteristika kryesore e gjeologjisë së vendit tonë, nga mbulesat dhe mbi-hipjet. Mijra puse të shpuar më vonë, për kërkimin e naftës dhe gazit, si edhe mijra km. profile sizmik të kryer, vërtetuan plotësisht teorinë e tij të mbulesave. Gjenialiteti i tij, qëndron në faktin se ai hodhi bazat e gjeologjisë moderne shqiptare, dhe se pikëpamjet e tij mbi ndërtimin gjeologjik të vendit tonë, ishin më të avancuara se niveli i kohës.
Mendimet e tij për gjeologjinë Shqiptare, janë aktuale edhe sot, ato janë udhëheqje për veprim, janë mishërim i mençurisë, pjekurisë profesionale dhe i gjenialitetit të tij. Stanislav Zuber, është “Ajnshtajni” i gjeologjisë Shqiptare. Në konferencën shkencore të mbajtur në tetorin e vitit 1992, të organizuar nga Albpetroli në Kuçovë, me rastin e 45-vjetorit të vdekjes së shkencëtarit të famshëm polak, Prof. Dr. Stanislav Zuber, m’u dha rasti të shprehja konsideratën time për këtë shkencëtar.
Unë i thashë ambasadorit polak që mori pjesë në këtë konferencë, se kisha 30 vjet eksperiencë në fushën e gjeologjisë, isha drejtor i gjeologjisë në Albpetrol dhe kisha të gjitha gradat dhe titujt shkencor që ekzistojnë, por nuk isha i bindur në se e kisha plotësuar porosinë e babait, isha bërë sa “gjysma” e Zuberit apo jo? Diktatura komuniste, kontributin e tij më se 20-vjeçar, në të mirë të Shqipërisë, ia shpërbleu këtij gjeologu të famshëm, me vrasjen e shëmtuar pa gjyq dhe në mënyrë makabre.
Çfarë vepre mizore. Edhe kriminelët më të mëdhenj. nuk ekzekutohen pa gjyq. Çfarë krimi i shëmtuar?! Sa turp! Por çfarë kishte bërë Zuberi?! Ai nuk ishte politikan, por një specialist i gjeologjisë, që kish dhënë shumë për zbulimin e rezervave të naftës. Ai u akuzua si sabotator. Po kë kishte sabotuar, italianët?! Zuberi kërkoi që ta linin të lire, me kusht që të punonte gjithë jetën për Shqipërinë!
Por, Ai u trajtua barbarisht në burg dhe u vra nga një gardian, duke e goditur me shkelm në kokë. Ky ishte një krim i rëndë, për të cilin çdo njeri i ndershëm, ndjen një përgjegjësi morale për këtë shtetas polak, me vlera kulturore universale që u trajtua barbarisht. Por profesor Zuberin, nuk e vrau Shqipëria, as populli shqiptar, por diktatura komuniste, ajo diktaturë që edhe popullit polak, i kish shkaktuar më parë dhimbje të tjera shumë më të mëdha, si vrasja e 14 mijë oficerëve polakë, në pyjet e Katnicës së Ukrainës.
Në të kundërt, Shqipëria dhe populli shqiptar, e ruajti kujtimin dhe veprën e ndritur të Prof. Zuberit dhe mbas 47 viteve të sundimit të diktaturës komuniste, ajo po i jep vendin e merituar kësaj figure të shquar. Ky krim i shëmtuar i përmasave ndërkombëtare, vrasja pa gjyq e një shkencëtari të huaj nga diktatura komuniste, krijoi një imazh të keq për gjithë popullin Shqiptar.
Ish profesori i fakultetit Gjeologji-Miniera në Tiranë, Luan Peza, kishte kryer studimet në Poloni. Ai tregonte se kur ishte student, një ditë e kish pyetur profesori i tij: nga je? Kur ai i kish thënë, se jam shqiptar, profesori i tij nuk e kish përmbajtur dot zemërimin dhe i kishte thënë: “Ju Shqiptarët jeni popull barbar. Ju keni vrarë pa gjyq njërin nga bijtë më të denjë të popullit Polak, shkencëtarin Stanislav Zuber?
E kam ndier veten shumë ngushtë, tregonte profesor Luani. Nuk dija çfarë t’i thosha. Jo, jo! nuk kanë qenë dhe nuk janë kurrë barbar shqiptarët. Këto lloj krimesh i bënte vetëm një pjesë shumë e vogël e komunistëve, ishte ideologjia dhe diktatura komuniste, që ka kryer kaq shumë krime, kudo ku ka sunduar. Populli Shqiptar, e ka nderuar dhe respektuar gjithmonë njeriun e thjesht dhe të ditur, e ka respektuar të huajin, që nuk kishte qëllime të këqija.
Nuk ka shembull më të kjartë dhe kuptimplotë, se sa respekti që kishte bariu i thjesht nga Palavlija, që mbante prej 40 vjetësh një gur në xhep, si kujtim ndaj Zuberit, nuk ka shembull më të kjartë, se thënia e tim ati: të bëhesh sa gjysma e Zuberit?, nuk ka shembull më të kjartë të nderimit dhe respektit që gëzonte ai nga të gjithë bashkëpunëtorët e tij. Zuberi ishte shumë i respektuar para ardhjes së komunistëve në pushtet, dhe askush nuk e preku atë. Populli ynë bujar dhe mikpritës, gjatë gjithë historisë së tij nuk i ka rënë askujt në “qaf”, dhe ka reaguar vetëm kur i kanë rënë në “qafë”.
Por, komunistët ishin një përqindje shumë e vogël e popullit shqiptar, dhe vetëm një pjesë shumë e vogël e komunistëve, e zbatoi atë ideologji çnjerëzore. Ata nuk përfaqësojnë popullin shqiptar, i cili brez pas brezi, ka dëshmuar fisnikërinë tij, i ka dashur dhe respektuar miqtë, dhe ka ditur të dalloj miqtë nga armiqtë. Por, profesori polak ishte ndeshur me këtë rast makabër dhe sigurisht që nuk e njihte historinë e popullit tonë. Shembull akoma më i kjartë dhe kuptimplotë, është mbrojtja që u bë nga ana e popullit tonë gjithë hebrenjve që ishin në vendin tonë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Memorie.al