Nga Ahmet Bushati
Pjesa e njëzetekatër
Memorie.al / Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.
Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindët që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.
Në Gjurmët e një ditari
Shkodra në vitet e para nën komunizëm
Lëvizja antikomuniste e gjimnazit të Shkodrës
Megjithëse grisja e nji gazete muri, sikur s’i shkonte ma moshës që kishim, prapëseprapë, na vendosëm që atë gazetë muri ta grisshim brenda ditës. Për ma shumë kujdes, u nisa unë me biçikletë që ta kryejsha atë gja, tue shmangë me atë rast nji shok tjetër tonin, që nuk u ruente sa duhej. Me të mbërrijtun në vend, mbështeta për mur biçikletën dhe mbasi nuk vërejta asgja të dyshimtë përreth, u solla kah ajo gazetë muri që ta grissha me të shpejtë, mirëpo për çudi, shumë shpejt stepa në vend, pa muejtë me veprue: fotografia e Qemal Stafës në qendër të saj, bani që unë të hiqsha dorë menjëherë prej qëllimit për të cilin kisha shkue aty.
Tue marrë me vete shikimin qortues të dy bebëzave të buta të syve të Qemal Stafës, që në atë rast me qenë duke se po më thoshin “Jo, këtë s’duhet ta bani kurrë”, unë u ktheva i kënaqun se s’pakut kisha shmangë nji gabim të sigurt nga ana e nji shoku tjetër e, gjithashtu se kisha shmangë edhe nji mundim të panevojshëm për ndërgjegjen time. Kishte qenë 5 maj, dita e dëshmorëve.
Në nji ndër ato ditë Burhan Hoti do të më thonte se në klasën e tij, kishin formue bërthamën e parë me Gjylter Pipën, Sadush Ulqinakun e Cuf Mehmetin. Më tha gjithashtu se edhe Faik Luli, ishte optimist për ngritjen e nji bërthame të tillë në klasën e tij dhe me sa kujtoj emnat e vëllazënve Thabit e Bahri Rusi, e të fortit Hamdi Omari, të nji Ferdinad Leka dhe të nja dy tjerëve, ishin synim i parë i projektit të tij.
Krijimi i nji bërthame në klasën e VII-të dhe shpresa që Faik Luli ta krijonte nji të tillë në klasën e tij të VI-të, ishte inkurajim, që për arsye konspirative, e gëzojsha vetëm unë ndër shokë. Lidhja me shokë të nji e dy klasave ma nalt, ishte nji premisë serioze për shtrimjen që duhet të merrte veprimtaria e jonë në lice, nji plus në drejtim të organizimit e të prestigjit të saj. Siç u tha edhe ma sipër, lidhjet tona vazhdojshin e do të vazhdojshin të mbetshin sekret para të tjerëve, aq sa kur unë, mbas nji vjeti e gjysë të hyjsha në burg, as edhe Xhevati, nga njena anë, e Burhani, ose edhe Faiku, në anën tjetër, nuk do të dijshin asgja konkrete për shoqishojn dhe as për ndonji lidhje tjetër që unë do të realizojsha në të ardhmen.
I kësaj shkalle ka qenë konspiracioni në këtë drejtim, me të cilin besojshim se u lidhte fati i lëvizjes tonë, por natyrisht, pa pasë qenë i tillë në të gjitha rastet, si shumë entuziatë e të ekspozuem që ishim tregue disa herë në qëndrimin tonë kundërshtar.
Kështu p.sh. Faik Luli, tue i besue emnit të mirë që gëzonte ndër të tjerë, si dhe i entuziazmuem për sa kishte marrë përsipër, do të fliste për demokracinë perëndimore e Kosovën, brenda nji rrethi shokësh jo shumë të kontrolluem prej tij, dhe unë nuk e pata ditë atëherë dhe as sot, se cili pat qenë ai rast dhe ai njeri që atë e pat çue në prag të burgut, por dij se prej burgosjes se sigurt, atë e pat shpëtue ndërhymja e shpejtë e nji njeriu me post në parti e qeveri, si edhe unë që nuk e nxora në hetuesi. Si mbas porosisë së personit në fjalë, Faiku për dy vjet rresht, duhet të qëndronte i burgosun brenda shtëpisë së tij, pa e pasë takue as pa me sy njeri.
Manifestimi fizkulturor i liceut, që do të simbolizonte mbylljen e nji viti shkollor në kushte “lirie”, ishte vendosë të festohej me sa ma shumë madhështi, dhe që të përkonte me ditën e trevjetorit të themelimit të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Për këtë gja, qysh nji muaj para, liceu çdo mbas dreke e si mbas klasave, bashkë me profesorët e tyne kujdestarë, do t’u stërviste rregullisht në fushën e vjetër të sportit e në kthim, dy klasat tona të V-ta, bashkë me të IV-ën, do të përshkojshim rrugën e gjatë prej spitalit e në lice, tue këndue kangë patriotike. Bashkë me ne, edhe vajzat, shoqe tona.
Sidomos kur t’u futshim në pjacë, buzë mbramjet e në koincidencë me shëtitjen tradicionale të qytetarëve tonë, kangët tona do të ushtojshin edhe ma shumë. U ndiejshim shumë krenarë për guximin që tregojshim, tue qenë koshientë se ato kangë të ndalueme, jo vetëm se po shërbejshin si konkretizim i urrejtjes tonë për regjimin, por që ne besojshim edhe se ato do të veprojshin në popull, si thirrje për ndryshim.
Në nji ndër ato ditë do të takojsha rastësisht Haki Llazanin, veteran i Luftës, që në këtë kohë shërbente pranë Degës së Punëve të Brendshme, Mirditë. Kishim ruejtë raporte të mira qysh gjatë Luftës, kohë kur unë i kisha shërbye disa herë, dhe në rastin e kësaj dite, ai si me çudi e tue shtri krahët anash, do të më pyeste: “Mor, Metush – (Metush më kishte thirr me dashamirësi gjithmonë ai) – dje kam ardhë prej Mirditet e mbramë më kanë ba shumë përshtypje studentët që këndojshin kundër pushtetit, ashtu si na dikur kundër fashizmit. Ça dojnë me thanë me atë punë? Edhe nji shok më tha se ka disa ditë që kështu po kalojnë studentët nëpër pjacë. Mirë, mirë, le të bajnë si të duen, por ti Metush, mos u përziej me ta”!
Ndërsa na kalojshim tue këndue, qytetarë në të dy anët e rrugës ndalojshin tue na ndjekë me shikime simpatie e, buzëqeshje të ndrojtura. Rreth e rrotull nesh, afër ose në distancë, do të shikojshim spiunë. Kishim përshtypjen se përditë e ma tepër popull po vërejshim në kohën e kthimit tonë prej fushës së sportit. Kishim pasë rast të merrshim përgëzime qytetarësh për atë që po bajshim netë me radhë. Shokë të mi dhe unë vetë, kishim raste që burra të njohun të na kishin folë pak a shumë kështu: “E kemi pasë braktisë pjacën, kurse tash jemi tue dalë çdo mbas dite, që t’ju shohim ju tue këndue”! Lidhun me sa ma sipër, në nji kumtesë timen të mbajtun para pak vitesh, në kujtim të profesorit tonë martir, Qemal Draçinit, do ta përshkruejsha kështu njenin prej atyne kthimeve tona të famshme nga fusha e sportit:
…..”Kur na mbërrijtëm në qendër të pjacës, aty ku zakonisht kanga e jonë ushtonte edhe ma e fuqishme, po vërejsha se në të majtën time, bashkë me ne, këndonte edhe prof. Draçini. U përmallova në çast. Na s’dojshim që prof. Draçini t’iu ekspozonte aq hapët rrezikut. S’e pretendojshim kurrsesi këtë sakrificë të tij, dhe na ishim aq komprensivë, sa të justifikojshim çdo prudencë prej anës së tij. Na u survejojshim se afërmi prej nji numri spiunësh që ecshin trotuareve paralel e, në nji hap me ne, tue na regjistrue fytyrë për fytyrë e emën për emën.
Profesor Draçini kishte eksperiencë e dinte shumë gjana, e për ato ai ndoshta u donte t’u rezervonte, mirëpo ai deri atëherë u kishte pasë folë shumë nxanësve të tij, e u dukte qartë se mbi gjithçka, ai kërkonte me mbetë në koherencë me aq sa kishte ushqye ndër ta gjatë atij vjeti shkollor: i ndershëm e leal edhe nën kërcënimin e burgut, a edhe të vetë vdekjes, e cila, nga ana e saj, pa kalue veç nji vit, do ta gëlltiste në mënyrën ma mizore.
Për ditën e manifestimit, si rast i fundit që ishte për t’u shfrytezue prej nesh për atë vit shkollor, patëm vendosë që para popullit të pranishëm, të shprehshim hapët kundërshtimin tonë ndaj atij regjimi, që tashmë u urrente prej të gjithëve. Dy-tri ditë para manifestimit, drejtoria e liceut kishte dhanë porosi që studentët për atë ditë të vishshin këmisha të bardha, sepse mbi to do t’u vendosshin yje te kuq. Të vume ne dijeni për sa ma sipër, vendosëm që ditën e manifestimit, njiherë për njiherë, t’i pranojshim ata yje, tue i mbajt për pak kohë ndër duer, e mandej, nën sinjalin e njenit prej shokëve, t’i hidhshim për tokë në mënyrën ma demonstrative e së fundi t’i shkelshim edhe me kambë.
Nji plan të tillë na patëm mendue me e mbajt sekret deri pak para fillimit të ceremonisë, me qëllim që ai t’mos binte në vesh të drejtorisë e komunistëve të liceut. Përfundimisht, plani i jonë do të dredhonte rrugë, por pa pasë humbë qëllimin: shpërndamja e yjeve nisi t’u bante qyshkur na u ndodhshim në oborrin e shkollës, ende pa u nisë për në fushë të sportit, gja që na nuk e kishim parashikue. Para nji fakti të tillë, disa prej shokëve tonë, me iniciativë të tyne, u shpërndanë me të shpejtë ndër klasa tjera, tue u thanë që të refuzojshin marrjen e yjeve.
Para nji reagimi të tillë të shumë studentëve, aktivistët e rinisë që po tentojshin të shpërndajshin yje, e ndërprenë përkohësisht punën e tyne, me shpresë që nji veprim të tillë ta realizojshin në fushë të sportit, ku do të kishte autoritete, Sigurim etj., por që na megjithatë, kur të ndodheshim në fushë të sportit, do ta përsëritshim veprimin edhe ma me vendosmëni, tue mos i pranue ato yje dhe jo tue i marrë e shkelë me kambë siç kishim vendosë, sepse shumë nga studentët, tue mos ditë planin tonë të shkeljes së tyne me kambë, ma para nesh, kishin pasë refuzue marrjen e tyne.
Gjithsesi, ky akt do të bante që na përfundimisht t’u ndjejshim të lumtun për aq sa mundem me ba. Atë mbas dite u kthyem ma herët se zakonisht dhe, ashtu si gjatë tanë nji mueji, tue këndue kangët tona kombëtare. Po, a mund t’u mendonte se ato kangë na po i këndojshim për herë të fundit, si në të vërtetë do të ndodhte? Po, me kangët e asaj dite, do t’u mbyllte përgjithmonë ai cikël i mrekullueshëm i manifestimit tonë antikomunist, gja që ne natyrisht, s’e merrshim me mend.
Megjithatë, atë ditë të fundit, shumë të gëzuem siç ishim e pra pa ditë se; mund të ndodhte në të ardhmen, nuk u shpërndamë si zakonisht as në oborrin e shkollës, po si për të shfrye për herë të fundit edhe ma shumë revoltën tonë të papërmbajtur, u futëm brenda në shkollë si rebelë, kush tue këndue e kush tue bërtitë me sa za që kishte e gjithashtu tue përplasë me forcë dyer e dritare, por pa i damtue, për të zbrit po me rrëmujë mbas pak minutash, e si çdo herë tjetër, tue u shpërnda përzemërsisht, e për fat të keq, pa qenë kujtue askush se Remzi Quku kishte mbet i vetëm diku brenda në lice.
Ai, tue pasë vazhdue me na kërkue nga njena klasë në tjetrën e si gjithmonë me kangë në gojë, rastësisht kishte takue në korridor profesor Draçinin, që nga respekti për të, kishte ndalue kangën, ndërkohe që prof. Draçini i kishte folë: “Këndo, Quku, kendo”! Kur mbrapa Remzia kishte nisë të zbriste i vetëm shkallët, katër – pesë komunistë, mes të cilëve edhe profesori i pa diplomë, Filip Pema e, studenti me revole në dorë, Ferit Mandia, i kishin pasë dalë para si kusarë e tue e tërhekë me forcë, e kishin mbyllë në sallën e madhe poshtë, në atë sallë ku vite ma parë kishim zhillue orët e vizatimit me prof. Simon Rrotën.
Në çastin kur nji student i rastësishëm me informoi për sa ma sipër, asnji prej shokëve nuk u ndodhte ma brenda oborrit të shkollës. Mbas shumë grushtesh e shqelmash që i pata ra derës së asaj salle, ata ma në fund ma hapën atë, dhe unë jo pa tronditje, do të shifsha se si katër-pesë vetë e kishin futë në mes Remzinë, tue e tërhekë sa në nji anë aq në tjetrën e, tue i kërkue me britma emnat e personave ma të rritun që atë e shokët e tij i kishin shtye gjatë atij viti shkollor, në veprime të atilla “reaksionare”.
Mbas ma shumë se katërdhjetë vjetësh, Filip Pemën do ta takojsha rastësisht në shtëpinë e nji shokut tim në Tiranë. Do t’u çuditsha jo vetëm për kthesën e tij politike prej 180 gradësh që kishte ba, po edhe për kurajon që po tregonte tue ironizue hapët regjimin që ende nuk ishte futë në agoninë e vdekjes së tij, të vitit 1990. Deri atëherë, kishte pasë raste që Sigurimi e po ashtu edhe ndonji grup studentësh komunistë, nuk kishin pasë qëndrue pasivë. Tre-katër prej tyne, nji ditë, kishin gjetë të vetëm në nji lulishte shokun tonë, Njazi Barbullushin dhe ishin përlesh me të.
Nji ditë tjetër, disa femna komuniste, – por jo studente – ishin përlesh gjithashtu në rrugë të madhe me studenten e guximshme, Ana Dajën, tue tentue që t’ia hiqshin me forcë nji distinktiv me simbolikë fetare, që ajo e mbante varë mbi grykësen e saj të zezë. Studentin e klasës sẽ IV-t, Angjelin Nenshatin, nji grup të rinjsh komunistë, do ta ndiqshin me vrap përgjatë pjacës që t’ia hiqshin edhe atij nji distinktiv të “Veprimit Katolik”. Për nji motiv të këtillë edhe Angjelin Nenshati, sikurse Ana Daja, do t’u përjashtonte nga organizata e rinisë, gja që do të thonte t’u mënjanojshe nga nxanësit e tjerë, i deklaruem si kundërshtar politik e i rrezikshëm.
Rreth kësaj kohe do t’u përjashtojshin nga të gjitha shkollat e Shqipnisë, studentët Terezina Pali, Fiqret Pipa, Gac Logoreci, Safet Sokoli e vëllau i saj, Hodo-ja, i cili, tue u pasë largue në atë kohë për në Elbasan, te nji motër e tij e martueme, ndoshta i pat shpëtue nji burgu të mundshëm, por që siç e dimë, jo përgjithmonë. Këto do të ndodhshin mbas ngjarjeve të Postrribës dhe alibisë; “se gjetjes së armëve në kishë” dhe, pa kalue veç pak ditë, do t’u arrestojshin edhe studentët Terezina Pali e Ana Daja.
Sikurse kemi pa, të gjitha lëvizjet kundër pushtetit komunist, të zhvillueme qysh nga fillimi në zonën e Shkodrës, do të kishin për epilog të tyne kryengritjen e Postrribës, me ç’rast vampiri komunist do t’u vërsulet me gjithë tërbimin e tij të njohun mbi njerëzit ma të mirë, ma të dijtun e ma patriotë që kishte Shkodra bashkë me rrethina e male, njatëherë kur edhe kurba e lëvizjes antikomuniste të studentëve shkodranë, të kishte qenë në zenitin e saj të papërsëritshëm, për të ra disi mbrapa, por jo krejtësisht e përgjithmonë.
Lëvizja antikomuniste e studentëve të Shkodrës, si askund në Shqipni, kishte lindë e marrë jetë për t’mos u dhanë edhe për disa vite të tjerë me radhë. Shpirti i saj i luftës do të vazhdonte me frymëzue studentë të tjerë që do të sfidojshin me guxim e dinjitet diktaturën. Tue mos u largue nga periudha që sapo mbyllëm, besoj se sidomos ish-nxanësit e dy klasave të V-ta e, ato të së IV-ës, gjatë jetës së tyne duhet të kenë kujtue me nostalgji atë vit të mrekullueshëm shkollor të 1946-ës, kur ata patën rastin e nderin të manifestojshin shpirtin e tyne patriotik e, të jepshin atë kontribut modest në drejtim të lirisë së mohueme, për ta pasë krenari e kujtim të bukur për të gjithë jetën e tyne, kurse ne, shokët e tyne që u burgosëm, do të merrshim me vete edhe ato kangë që i patëm këndue së bashku rrugëve të Shkodrës, për të vazhdue me i këndue ndër burgje e kampe pune me po aq dëshirë e zjarr, sa kur kishim kenë studentë të klasave të V-ta.
Hapja e vitit të ri shkollor 1946-‘47 do të përkonte me klimën ma të randë politike në Shkodër. Në nji ndër ato ditë të para të shkollës, në nji mëngjes të mjegullt e me shi të imtë, mbasi na patën grumbullue të gjithëve para hymjes qendrore të shkollës, na u prezantue drejtori i ri nga Korça, Nesti Haviari, që me atë rast po zavendsonte ish-drejtorin Dhori Samsuri, që kishe kenë edhe ai nga Korça.
Fytyra e drejtorit të ri, e thatë, e zgjatun e si jeshile, në të cilën sikur s’lëvizte asnji muskul jetet, do të na u dukte ogur i keq për të ardhmen e gjimnazit. Njëkohësisht me të, në gjimnazin tonë vinte edhe nji ushtri e tanë konviktorësh agresivë e të mbushun me urrejtje për ne, që ishin mbledhë “si me kambë të kalit”, përgjithësisht nëpër jug, me misionin e turpshëm që të shtrojshin më shumë atë gjimnaz antikomunist të Shkodrës. Ata, që edhe për nga sjellja e tyne disa herë do të shfaqshin mungesë edukate e qytetarie, tue pasë marrë përsipër rolin e mjerë e të shëmtuem të mercenarëve, e tue u pasë vue nën drejtimin e mëshehët të nji grupi të vogël e të papërgjegjshëm të rinjsh komunistë nga Shkodra, do t’u lëshojshin si ujq mbi bashkënxanësit e tyne shkodranë, të quejtun prej tyne “reaksionarë”.
Dhe nëse ai gjimnaz prej dekadës në dekadë, kishte pasë shërbye si nji tempull mësimi e solidariteti vëllaznor mes studentëve vendas dhe atyne të ardhun nga viset e tjera të Shqipnisë e, që si i tillë, kishte qenë edhe si nji bastion i përhershëm i luftës për liri e zhvillim shoqnor, qyshë me ardhjen në Shkodër të atyne konviktorëve “historikë”, e për disa vite me radhë, ai gjimnaz do të shndërrohej në arenë të përhershme provokimi e lufte.
Edhe ma keq se ata konviktorë, do të ishin disa prej të rinjve komunistë e tinëzarë shkodranë, që për shumë ligësi, do të viheshin në shërbim të diktaturës e të vetë njatij Sigurimi famëkeq e mizor, kur të nxitshin e orientojshin mësheftas ata konviktorë për kundër studentëve ma të mirë shkodranë, me të cilët ata, si bij të nji qyteti, duhet të ishin vëllazënë të ishin ata që tue na pasë ndjekë e paditë, të baheshin shkaktarë të drejtpërdrejtë të përjashtimit të disa studentëve prej rinie e shkolle, e po ata, edhe shkaktarë të burgosjes së disa prej tyne e, të arratisjes së detyrueshme të disa të tjerëve, e për pasojë, edhe shkaktarë të përndjekjes e vuajtjeve të mëdha të familjeve të tyne, me në shpinë “kryqin e fajtorit” për të gjithë jetën!
Por ndërkaq, për hirrë të së vërtetës, më duhet të pohoj se jo të gjithë ata konviktorë a të rij komunistë, kanë kenë agresivë e spiun. Kështu p.sh., s’ka kenë i atillë konviktori Enver Babameto, shoku im i bankës, e s’ka kenë e s’ka kenë kurrsesi Valdet Kumbaro, e cila, edhe pse e ardhun prej luftet e që vazhdonte me kenë e organizume si e re komuniste, nuk do t’i ngatërronte asnjiherë idetë e saj humane, me ato diktaturës, e aq ma pak që të ngatërronte me të edukatën e saj me karakter të theksuem emacipues e paqësor, që kishte marrë nga familja e saj e mirënjohun në Shkodër.
Ajo fillimisht qe afrue me mue përmes Simes, për të vazhdue me mbetë përgjithnjë nji shoqe e mirë e imja, kurse Simes, ajo nuk do t’i ndahej asnjëherë, sido që të ndryshojshin situatat edhe ma për të keq. Valdet Kumbaro do t’i ishte Simes ajo shoqe luajale, sa që edhe në kohët ma të frikshme, t’i shkonte msheftas në shtëpi nëpër terr të natës, e si mbas rastit, edhe tue kenë e detyrueme me u futë për nën gardh të kopshtit, që binte mbas shtëpie. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016