• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Saturday, June 7, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Kujtime

“Profesor të gjuhëve të huaja, kisha amerikanin Richard Richy, ish-mësuesi i fëmijëve të ‘Bllokut’, i uritur e gjashtë muaj pa u larë, mblidhte bishtat e cigareve…”/ Historia e trishtë e shqiptaro-amerikanit

“Me Xhavit Murrizin, mezi e nxorëm Barba Jorgjin nga gropa e ujërave të zeza, por më pas ai vdiq dhe e varrosën aty afër nevojtores…”/ Historia e dhimbshme e minoritarit grek në kampin e Repsit, në ’69-ën
“Nga Spaçi, dola me silikozë, por kur u lirova e fillova minator në Gërdec, mjeku i Sh. N., që këto kohë ka marr një dekoratë të lartë, shkroi; i aftë për 8 orë punë nëntokë…”/ Kujtimet e ish-oficerit të Marinës
“Kryehetuesi sadist Llambi Gegeni, xhahili Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, në Degën e Shkodrës, më çanë kokën, më qorruan njërin sy dhe…”/ Dëshmitë e rralla të ish-të dënuarit politik
“Dom Mark Hasi, si një orakull i vërtetë, që në vitin 1969, kur ishim në një qeli kampin e Repsit, më tha se; këta komunistët, edhe 20 vite do rrinë në pushtet, por…”/ Kujtimet e ish-të dënuarit politik, Shkëlqim Abazi   
“Nurien nga Vlora, një spiune e rekrutuar nga Sigurimi, ish-pjesëtare e ‘Ballit Kombëtar’, e mori me vete drejtori burgut, Metani…”/ Rrëfimi tronditës i ish-shoqes së qelisë, së Musine Kokalarit
“Kur ishim me Mynyrin në Itali, në dhomë e hotelit, na hynë dy femra sovjetike, të veshura me këmishë nate dhe…”/ Si u inskenua akt-akuza, për dy inxhinierët e naftës?!

Nga Shkëlqim Abazi

Pjesa e dyzetekatër

Memorie.al / Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetëvjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.

Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!

Gjithashtu mund të lexoni

“Sheh Mersinit prej Bicajve të Lumës, çuditi gjithë burgun, pasi i kishte tregu mjekut Elez Troshani, që ai do vdiste mbas një jave dhe në të vërtetë, ai…”/ Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

“Dy të burgosun prej Kavajës, si hangrën ca rrush, bistakët, nuk i hodhën aty afër, – siç do të dëshronte ndonji i uritun, por në gropën e W.C. – së, ku nji i dënuar nga Berati…”! / Dëshmia e Ahmet Bushatit, për tmerret e Bedenit

             Autori

      SHKËLQIM ABAZI

                                                            Vijon nga numri kaluar

                                                                       R E P S I

                                                       (Kampi i punës së detyruar)

                                                                  Memuaristikë

       Takimi i parë

   (Varka e mbytur në stere)

  1. Mësuesi i Gjeografisë, Vangjel Kule

Vangjeli, me një fshikull në vend të stekës, na shpjegonte mësimin e radhës. Në netët e kthjellëta verore, me një copë xham të nxirë me tym katrani në vend të dylbive të teleskopit, na rrëfente konstelacionet yjore; udhën e qumështit, arushën e vogël e të madhe, yllin polar, etj, aq saktësisht dhe seriozisht sa ta thosh mendja se po përgatiste astronautët e ardhshëm për në hënë. Për mësimin e astronomisë s’kishim tekste, po leksione të konspektuara nga vet profesori që e grumbullonte lëndën, duke qëmtuar pa u ankuar nëpër revista shkencore në gjuhë të huaja. Me këtë rast, dua të theksoj, se ai ishte poliglot.

Kurse për gjeografinë ndryshonte puna, kishte tekste dhe harta. Kapitulli i gjeografisë fizike, ish problem i zgjidhur; tekstet e hartuara nga gjeografët ishin të sakta; se fundja malet, detet, fushat, kodrat, lumenjtë, liqenet, s’luanin nga vendi, pavarësisht kujt shteti i përkisnin. Çështja komplikohej në kapitujt e gjeografisë politike dhe demografike, sepse koncepti i leksioneve, ndryshonte kryekëput nga ajo ç’shkruhej në tekst. Fatkeqësisht në shkollë, i kishim mësuar keq, dhe më zi akoma, i kishim mësuar anapolla. Ai na shjegonte për hapësirat shqiptare, kudo në gadishullin ballkanik.

Profesori fliste me pasion, temat i kthente në debate, aq sa edhe ata që s’kishin nijet të mësonin, për t’u vlerësuar; thjeshtë për kuriozitet e ndiqnin me shumë vëmendje. Ai tregonte për qytete, fshatra, krahina, për popujt që ishin zhvendosur, për kombe që ishin asimiluar, për gjuhë që kishin vdekur dhe të tjera që kishin lindur, për raca dhe etni që ishin eliminuar, ose kishin mbijetuar, etj. Kur e dëgjoja atë, seç ndjeja një krenari për qenien krahinor; aq interesante e bënte ai orën e tij.

U zgjata pak për Vangjon, po i tillë ish ai, i dashur, enigmatik, i lidhur ngushtë me vendin, po edhe qytetar i kozmosit. Këtë mëndje kaq të ndritur, mbas burgut e detyruan të nxirrte gurë me qysqi, në kavat e Urës Vajgurore. Më pas, u martua në Shkodër, ku edhe u shpërngul. Për herë të fundit me profesorin e nderuar, do takohesha në vitet e para të demokracisë, në spitalin civil në Tiranë, ku trupin e ronitur s’mundën ta rikuperonin më as mjekët më të dëgjuar, megjithatë moralisht dhe intelektualish, kish mbetur i pacënuar, po ai Vangjo! U shua dal-ngadalë, për t’iu drejtuar kozmosit të paskajshëm, për të cilin na kishte folur me detaje. Kur mësova lajmin e vdekjes, përsiata vetëm një: “LAMTUMIRË I DASHUR PROFESOR!”

5 – Mësuesi i filozofisë, Hilmi Leka

Më lartë kam folur për disa tipare fizike të tij, po ku si mësues e njoha më afër, arrita të zbuloj veçantitë e padukshme të karakterit të këtij filozofi, krejt të panjohur për opinionin. Fatkeqësisht s’pata mundësi të shpëtoja leksionet e shumta, sepse lëvizjet nga njeri kamp në tjetrin, kontrollet e pareshtura gjatë viteve, na privuan nga këto perla të mendimit filozofik dhe ndërkohë, varfëruan edhe kulturën shqiptare. Kam kërkuar ndër miq e shokë, për disa traktate filozofike të Hilmiut, të sekuestruara nga xhahilët, po askush s’më dha ndonjë drejtim, për fatin e mëtejshëm të tyre…! Humbja e veprës së tij apo edhe e veprave të shumta të mendjeve të tjera të ndritura, i kanë shkaktuar dëm të pariparueshëm, mendimit filozofik shqiptar.

Hilmiu shtatvogël, ishte mësuesi më ekzigjent, më seriozi që më ka rastisur të kem hasur gjatë gjithë formimit akademik, duke futur këtu edhe pedagogët në dy fakultetet e tjerë, që kam kryer mbas viteve nëntëdhjetë. Gjatë seminareve, ai vulash-xhuxh, shndërrohej në gjigant; si magjistar i fjalës, fliste si mbi sipër reve, shpjegonte pikëpamjet dhe këndvështrimet e filozofëve të lashtë e të rinj, me pathosin që vetë filozofët do t’i kishin referuar mendimet e tyre dhe ne të tjerët, të ishim në rolin e spektatorëve, të agorasë ku përplaseshin idetë e kundërta. Edhe kur teoritë e të kundërtave s’të bindnin, “rr-ja” grykore, sikur të hipnotizonte, mbeteshe pa gojë e, të mungonin argumentet t’a kundërshtoje.

Ai nuk ish diplomuar dot, ia kishin hequr këtë mundësi në vitin e fundit në fakultet, kur e kishin flakur jashtë audiencës, si element armik, pasardhës i një familjeje balliste të Libohovës. Por me këmbënguljen titanike, e kokëfortësi tipike filozofi, me aftësitë e veta, arriti t’i kapërcente barrierat e të sfidonte tërë filozofët e shkollave të Partisë, të marrë së bashku. Si një dishepull i denjë i Shën Tomas D’Aquinit, predikonte paqen botërore e mirëqenien mbarëpopullore, bazuar mbi “forcën e arsyes dhe jo arsyen e forcës”. Ish absolutisht kundër primitivizmave negative si; “e mira më e madhe, për pjesën më të madhe”, pasi ai mendonte se e mira e madhe, duhet të jetë për të gjithë pa dallim.

“Nëse do pranojmë teorinë pseudo pozitiviste populiste: ‘e mira më e madhe për pjesën më të madhe’, me dashje pa dashje, kemi pranuar format e skllavërimit modern” – argumentonte ai. Dhe sillte shembuj konkretë: “Të pranojmë për një moment, se do ta zbatojmë në praktikë këtë teori! Atëhere, na rezulton se në Amerikë, ku numri i të bardhëve është shumëfish më i madh se indigjenët lëkurëkuq, këta të fundit, duhet te gëzojnë më pak të drejta se të bardhët e panumërt, pra u dashka t’i diskriminojnë!

Ose në pikëpamje fetare; sot kemi dhjetëra e qindra sekte që i falen Zotit me mënyrat e tyre, ashtu si e mendojnë ata se ai i dëgjon mirë. Bukur fortë! Meqë pjesa dërrmuese e popullsisë në botë, janë të grupuara në sekte të përbashkët, si kristianë katolikë apo ortodoksë, myslimanë sunitë apo bektashinj, budist, etj., ngelet që pjesëtarët e sekteve më të vogla në numër, t’u përndjekërkan dhe të digjen si heretikët e dikurshëm në turrat e druve? Jo, ndaj predikohet e nevojitet toleranca dhe e mira e madhe, për të gjithë”! përfundonte ai.

Po aq rreptë gjykonte edhe për filozofinë që duhej të udhëhiqte qeveritarët në ushtrimin e përgjegjësisë qytetare, që të justifikonin besimin e atyre që u jepnin votën. Ai besonte te njeriu, te aftësitë individuale, te përgjegjësitë shoqërore, te magjia e evolucionit kulturor dhe edukativ për ndryshim, natyrisht duke respektuar e stimuluar elitën e çdo kombi. I urrente çdo formë dhune, neveriste revolucionet e armatosura, që i kishin shkaktuar aq dëme njerëzimit. Me forcën e argumentit, kundërshtonte gjithë filozofët materialist, që predikonin luftën si zgjidhje; madje arrinte deri në atë pikë, sa i quante ata:

“Sharlatanë e demagogë të paturpshëm, që shfrytëzonin rrethanat dhe zemëratën populiste; nxitës të instinktit shkatërrimtar te masat e ekzaltuara”, që i drejtonin të shkarkojnë energjitë e tepërta në revolta e kryengritje të përgjakshme, që mande, të përfitonin diktatorët demagogë, e të arrinin të merrnin në duar frenat e drejtimit të shtetit, e të ktheheshin në despotë mbi popujt e tyre.

Për ilustrim iu referohej revolucioneve të ndryshëm, që nga Kromuelli, te ai Francës i 1789-ës, ku drejtuesit e turrmave instaluan gijotinën dhe mbasi nën tehun e saj iu prenë kokat mbretit, mbretëreshës dhe disa qindra ruajalistëve e klerikëve, iu kthyen njeri tjetrit dhe përskuqën sheshet e Parisit, me vetë gjakun e revolucionarëve; revolucionit Rus të vitit 1917, ku turma muzhikësh zaptuan pallatin perandorak, ekzekutuan pa gjyq Carin, Careshën dhe gjithë familjen mbretërore, u zdërhallën në trashëgiminë më të vyer të kombit rus dhe mbasi zhdukën pa nam e nishan, disa mijra fisnikë të tjerë, mandej në luftën për pushtet personal, iu kthyen njeri tjetrit dhe përfundimi dihet: miliona të vrarë, miliona të zhdukur, miliona të tjerë në gulagët Siberian.

Mandej analizonte në detaje triumfin e fashizmit në Itali, të nazizmit në Gjermani; ku turmat pa identitet kuturisën e prunë në pushtet, regjimet-junta. Më pas kjo sindromë paranojake, e shndërroi botën në kasaphanë. Analizonte me të njëjtat metoda, deri edhe klikat komuniste në Europën Lindore, në Kinë, në Kore, në Kubë, në Vietnam, etj., që ende sot e kësaj dite, vazhdojnë të gjakojnë e të përçajnë popujt ku sundojnë. Shembujt i ilustronte me fakte e përfundimisht, paraqiste një tablo te zymtë të katastrofave të ardhshme botërore e rajonale, efektet që do të prodhonin këto përmbysje të dhunshme.

Rrjedhimisht, ai predikonte një sistem politik në shërbim të publikut, në interes të mbarë njerëzimit, nje farë shartimi mes kapitalizmit dhe doktrinës humane kristiane. “Deri sa të gjendet një sistem më i drejtë”! siç shpresonte ai. Tashmë, nga largësia e viteve, kthej sytë pas dhe hedh vështrimin mbi të kaluarën, përfundimi që më lumturon është: “Ç’drejtim radikal mund të kishim marrë ne të burgosurit politikë, pa këto indikacione? Sidomos vitet e para të triumfit të demokracisë, kur persekutorët tanë dhe pjellat e tyre gjenetike e shpirtërore, jo vetëm s’patën kurajën të kërkonin falje, për krimin dyzetepesëvjeçar, por nisën e na sfiduan haptas, me mburrje për bëmat e paraardhësve”?!

Falë këtij filozofi të padiplomuar dhe shumë të tjerëve si ai, ne u bëmë më humane. Me këtë shpjegohet edhe vija e sjelljes së një armate të tërë ish-të burgosurish e të persekutuarësh politikë, që pas viteve nëntëdhjetë, imponuan ndërgjegjen e tyre, të mos hakmerreshin primitivisht mbi persekutorët, por t’i besonin “Nurembergut të harruar”, të drejtësisë shqiptare, me në krye Presidentin e Republikës. Po për fat të keq, pushtetet u ndërruan, hipën e zbritën president, që edhe sot dremisin mbi eshtra martirësh, flenë mbi dosje makabre. Më keq ende, dekorojnë me medalje dhe urdhra nderi, ish – prokurorët, ata që shkrehën plumbin e fundit, mbi ballin e martirëve pa varr!

Shembulli më ekzemplar, mbetet dekorimi i prokurorit sadist Skënder Breca. Medaljet që u varën mbi eshtrat e thyera të Sokol Sokolit dhe Tom Ndojës, po edhe mbi varret e humbur të Hajri Pashait, Skënder Dajës, Dervish Bejkos, Pal Zefit, Xhelal Koprëncës, Fadil Kokomanit, Vangjel Lezhos dhe qindra e mijra varr-humburve të tjerë, por mbi të gjitha, mbi rruazat e këputura të qafës së Avzi Nelajt, peshojnë shumë rëndë dhe kërkojnë me klithma drejtësinë e munguar. Një nderim të veçantë për filozofin e harruar Hilmi Leka, ky homazh për të vlen edhe veprën e tij të zhdukur.

6- Profesori i gjuhëve të huaja, amerikani Richard Richy

Profesori i gjuhëve të huaja, amerikani Richard Richy, në fakt gjuha që më zgjodhën qe frëngjishtja dhe profesor Ilia Iljadhi. Porse në frontin e punës, pata një poliglot që i alternova të dy, e përfitova më tepër. Ky qe amerikani Richard Richy, shkurt e kishim shqiptarizuar, i thirrnim; Riçi. Pra, me Riçin punoja në një brigadë dhe pas një muaj, do flinim edhe në një kapanon, me jatakët pak larg, po gjithsesi shiheshim dhjetëra herë në ditë. Më parë do flas për Riçin njeri, ngaqë mendoj se është ana më e veçantë e ekzistencës së tij mjerane.

Riçi kish lindur në Amerikë nga martesa e një vajze shqiptare me prejardhje nga fshatrat e Korçës, me një hebre francez. Përveç tij, çifti kishte edhe dy vajza dhe një djalë tjetër më të rritur, që një jetë të tërë s’reshtën së kërkuari nënën dhe vëllanë e dashur. Në 1945-ën, Riçi tetëmbëdhjetë vjeçar, shoqëroi nënën në udhëtimin e saj për në Shqipëri. Vinte këtu, të shihte për të fundit here, të ëmën e sëmure. Pas disa muajsh plaka vdiq dhe nënë e bir, mbas ceremonisë mortore, kërkuan të riktheheshin në vendin e tyre. Mirëpo tashmë politika titiste kishte infektuar krejt udhëheqjen komuniste shqiptare, me marrinë ksenofobe. Marrëdhëniet me U.S.A. dhe Britaninë e Madhe, ishin në zgrip, qytetarët e mbetur këtu u penguan të dilnin jashtë kufijve. Ngelën si me thënë, një lloj pengu njerëzor, që i përdori regjimi komunist shqiptar, si kontra-peshë, në lojërat politike. Kështu, në pritje të një momenti oportun, që s’po dukej të vinte, prisnin në ankth.

Vitet e para s’hoqën fort keq. U hallosën si mundën me të ngrëna dhe strehim, ngaqë pjesa tjetër e familjes në Amerikë, u kujdesën mos t’iu mungonte gjë, iu dërgonin dollarë. Më kalimin e viteve dollarët, po mbrinin rrallë e më rrallë, ndërkaq edhe kursi i këmbimit, sa vinte e binte. Nevoja për të përmbushur kushtet minimale për jetesë dhe për trajtim mjekësor, për nënën tashmë në moshë, e detyruan Riçin, të kërkonte mjete financiare shtesë dhe rrugë për t’i siguruar ato. Në mungesë të ndonjë profesioni të mirëfilltë, për më tepër ai ishte edhe i dobët fizikisht, s’i mbeti tjetër, veç të gjente shtigje alternative.

Ajo që dinte më mirë, ishte gjuha e nënës, e babait dhe gjuhët e disa komuniteteve që kish bashkëjetuar dhe ish shkolluar, në qytetin e lindjes. Atëbotë mendjet më të ndritura të kombit, o ishin çuar para togave të ekzekutimit, o “dhisnin” në teneqe, burgjeve shfarosëse të Burrelit e Gjirokastrës, zhyteshin e mbyteshin në llurbishtet moçalore të kënetës Maliqit, në Berat e Vlashuk, në Beden e Thumanë, etj. Ndërkohë, gjysmë analfabetët komunistë të zbritur nga malet, kërkonin të përgatisnin brezin e dytë të trashëgimtarëve të dinastisë. Natyrisht ata e kuptuan qartë, se që të përjetësonin pushtetin, duhej të kishin pasardhës të kompletuar. Për të arritur synimin, përdorën çdo mjet.

Riçit, që kish mbetur ndër të rrallët poliglotë, në këtë ishull shkretie, i trokiti fati në derë! Meqë njihte disa gjuhë të huaja edhe pse s’ish i diplomuar në asnjë fakultet, e kërkonin nëpër shtëpitë e parisë komuniste, të jepte mësime private. Kjo si fillim i vleu të garantonte mjetet e jetesës por, edhe si një mundësi për të penetruar në nivelet e larta të nomenklaturës, që mandej nëpërmjet këtyre lidhjeve, në një moment të volitshëm, të arrinte të realizonte ëndrrën e rikthimit, në vendin e vet.

Por qyqari Riç, s’i njihte djallëzitë komuniste, i kish bërë hesapet pa hanxhinë. Ata, sikurse kishin ardhur me luftë bërrylash në pushtet, i vunë sërishmi në zbatim këto metoda. Sa herë ua deshi puna, apo kur hasnin rezistencë, eliminonin njëri tjetrin. Ndaj Riçit iu desh të ndërronte shumë syresh. Me të rënë nga karrigia zotëria i vjetër, në vend tij vinte një i ri edhe atij i lipsej t’ia niste prapë nga hiçi. Tentoi mos lidhej me ndonjë pinjollen e tyre, po sapo kjo binte në sy, gjithë ingranazhet e makinerisë qeveritare, viheshin në lëvizje, deri sa skandali mbyllej. Ndërkohë, shëndeti i nënës mori për teposhtë, deri sa një ditë në gjendje të rënduar, shpirti fluturoi. Vdekja e saj qe fundi i Riçit!

Paskëtaj i mbeti vetëm një synim: të arrinte me çdo mjet, bashkimin me pjesën tjetër të familjes. S’la mënyrë legale pa provuar, sensibilizoi trupin e pakët diplomatik perëndimor, të akredituar në Tiranë, që për hir të së vërtetës, ndërhynë pranë qeverisë, po kot…! O, ironi e hidhur! Përpara i nxorën një fletore zyrtare, ku me firmën e kryetarit të Kuvendit Popullor, iu kishin dhënë nënshtetësi shqiptare! Ky akt i paprecedent, e derdhi kupën e dëshpërimit!

Asnjëherë s’i qenë drejtuar kërkujt me ndonjë kërkesë për marrje nështetësie, as ai dhe as e ndjera, mëma e tij! Kërkoi të drejtën, sipas tij të dhunuar. S’la zyrë pa trokitur! Por dyert, o s’i hapeshin fare, por edhe kur e prisnin, s’i jepnin zgjidhje, e përcillnin diku gjetkë. Edhe atje, po e njëjta histori dhe përfundimisht, shpresat u shuan. Ec-e-jaket në zyrat e shtetit dhe në dyertë e ambasadave, ranë në sy të ustallarëve të Sigurimit, një pjesë e të cilëve e njihnin nga afër sepse, si mësuesin e fëmijëve, e prisnin dhe e përcillnin në familjet e tyre. Këto trokitje e shndërruan Riçin në rrezik publik.

U hartua plani “A”, por menduan të mos e zbatonin aty, jo pse ishte kushedi çfarë i vështirë, por meqë ish bërë figurë e njohur edhe ndër ambasada, i druheshin ndonjë skandali diplomatik. Nisën endjen e rrjetës. Se nga gjetën ca kushërinj të largët nga fshati i nënës, që deri atëkohë s’ishin bërë të gjallë. I instruktuan dhe nisën zbatimi i planit “B”. Riçi, edhe pse jetonte nëpër sallonet e të mëdhenjve të Tiranës, ishte krejt naiv, përsa i përket lojës së kulisave. S’u desh shumë mund, që gjoja kushërinjtë e ri-gjetur, ta futnin në qorrsokak. Ata i premtuan ta ndihmonin të largohej nga kufijtë e Greqisë. Sigurisht, të arratisej së bashku me ndonjë prej tyre.

I zhvatën një dorë të mirë parash, e çuan deri në Korçë dhe nga hotel “Morava”, e akomoduan në “hotelin pa qera”. Atje, ustallarët nëpërmjet kërbaçit dhe kulaçit, (i premtuan sërish Amerikën, veç se tashmë kur të mbyllej procesi)! I stisën një dosje voluminoze, me ca monstruozitete të papara e të padëgjuar, që as mendja diabolike e Allen Dallesit, s’do mund t’i shpikte! Kështu, Riçin paqësor, e shndërruan në krye-agjentin botëror, në të dërguar special të CIA-s amerikane, për të organizuar me-demek, përmbysjen e rendit komunist në tërë Europën Lindore, porqë, falë vigjilencës revolucionare dhe punës së shkëlqyer të sigurimit të Shtetit dhe gjithë zinxhirit politiko-shtetëror, komunizmi ndërkombëtar, kish shpëtuar edhe këtë herë!

Natyrisht gjithë këto ishin ëndrra në beze, të improvizuara nga ministri kriminel, Kadri Hazbiu dhe “gjenerali i zi”, Nevzat Haznedari. Po ç’rëndësi kishte? Riçi, nën terror fizik e psikik, kish hedhur një firmë kuturu dhe përfundimi: “Dënohet me vdekje, me pushkatim”! Më pas, lojës me spiunë të mëdhenj botëror, i duhej dalë në fund: “Dënimi me vdekje, i kthehet në njëzetepesë vjet”! Po realisht u dënua përjetësisht, deri sa mbylli sytë në burgun e Shën Vasisë në Sarandë, pak para rënies përfundimtare të regjimit komunist. Pas kësaj farse, për “spiunin” e famshëm, gjasme “Sorgen” e Shqipërisë, nisi kalvari i vuajtjeve në burgje dhe kampe pune. Filloi me kënetën e Thumanës, Laçi i parë dhe Laçi i dytë, Rubiku, Fushë-Kruja, Elbasani dhe në fund Repsi, ku do ta gjeja unë. Në këtë kohë kish bërë dhjetë vjet, po që të mbyllte ciklin e plotë prej “spiuni klasi”, do duhej të bënte dhe afër njëzet të tjera, deri sa të përfundonte i thyer më dysh, me një numër në shishe, në varrezat e të dënuarve të Shën Vasisë.

Ai s’kish ndihma. Në të rrallë i vinin ndoca pak dollarë nga motrat dhe i vëllai nga Amerika, po kursi qesharak i këmbimit prej shtatëdhjetë e pesë lekë të vjetër, i kthente në thuajse pa vlerë, kështu Riçi qe katandisur skelet, nga uria e përhershme. Vuajtjet pafund dhe humbja e shpresës, për t’u rikthyer në vendin e vet, kishin ndikuar mbi personalitetin e tij, kishin ndërkallur në mentalitetin pesimizmin ekstrem. Interesi për jetën, ish reduktuar vetëm te mbijetesa, sensi i rregullsisë së përditshme, ish hallakatur përfundimisht, sa mund te lahej një herë në gjashtë muaj. Praktikisht ishte gjithmonë i pistë.

Po mbi të tjera, te ai kish triumfuar geni çifut, ishte kthyer në “Harpagon” saqë edhe bishtat e cigares mbasi i shuante, i ruante: “s’i dihet, do mi duhen”! shprehej mjerani. Pinte shumë duhan, po meqë s’kish të holla, të siguronte cilësor, blinte kaushë pesë lekësh; faktikisht fundurinat i fabrikës “Taraboshi” që bashkë me defterin e letrave, kushtonin njëzet lekë. Për të kursyer edhe më, defterin e ndante më gjysëm dhe me gjysmën e fletës, dridhte cigaret. Kur dridhte Riçi cigaren, i shëmbëllente një prifti, të nuk di kujt sekt, në një ritual unikal, që ndoshta e kish burimin te kushtrimi i të parëv të tij çifutë.

Nga nevoja, kish sajuar dy çerek lapsash të holluar me thik, sa t’i nxinte fleta e mbledhur, me të cilët ngjeshte cigaret. Me këtë gjest, shkaktonte të qeshurat pa të keq, po vet ai gjakftohtë, vazhdonte në të tijën, pa e prishur fare terezinë. Siç përmenda më sipër, ai ishte përherë i uritur. Ashtu i dobët e skeletik, me pamje anemiku, kalonte nga një skut në tjetrën; mblidhte ç’të gjente, copa buke apo mbeturina zarzavates dhe i ndehte ato mbi krevatin e tij, që e kish kthyer në një sergjen plot thërrime. Në dimër, mblidheshin në limerin e tij, gjithë minjtë e kampit, në verë zhurrmonin të gjitha mizat e zonës, sa ta thosh mendja, se pran shtratit të tijn roiste një zgjua. Por Riçin s’para e shqetësonin këta vizitor të pistë, ndërsa ne të tjerëve, na bezdisnin tepër.

Për këtë ves, askush s’donte ta kishte në krahë, ndaj të gjithë largoheshin, kujt i binte radha pranë, vinte i detyruar nga policia brendshme. Me gjithë këto të meta të dukshme, Riçi mund të klasifikohej pa mëdyshje, në kategorinë e personazheve pozitivë; ai nuk ishte hajdut, nuk ishte spiun, nuk ishte imoral, nuk ishte sherrxhi, nuk ishte thashethemexhi; përkundrazi me spiritualizmit të tij menefregist e moskokëçarës, i neveriste bartësit e këtyre veseve. Edhe pse jo sistematik, gjatë rrjedhës së viteve, ish formuar si intelektual, njihte deri në perfeksion disa gjuhë të huaja dhe, edhe pse rrinte përherë i vetmuar, shquhej si bashkëbisedues i këndshëm. Memorie.al

                                                                Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Nga ‘STAMLESS’ në Durrës, ‘Mërkur’ në Korçë, ‘SITA’ në Tiranë, e ‘Portland Cemento Shkodra’, te ‘SAIDE’ në Elbasan e, ‘DRINOS’ në Sarandë, të cilat...”/ Kush ishin aksionerët e kompanive të famshme, në Shqipërinë e viteve ’20-’30-të

Next Post

Kalendari Historik 02 Gusht 2024

Artikuj të ngjashëm

“Gjon Ljarja, më tregonte për Pjerin Kçirën; ditën e fundit, erdhen te qelia e tij, shefi i Sigurimit, Rasim Dedja dhe Ali Xhunga, të cilët i komunikuen, se lutja për falje jete…”! / Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit
Kujtime

“Sheh Mersinit prej Bicajve të Lumës, çuditi gjithë burgun, pasi i kishte tregu mjekut Elez Troshani, që ai do vdiste mbas një jave dhe në të vërtetë, ai…”/ Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

May 30, 2025
“Edhe pse Ollga Schweizer, në ‘44-ën shpëtoi nga pushkatimi gjermanëve 100 burra, komunistët e internuan dhe ia burgosën…”/ Historia tragjike e danezes, që u dashurua me firmëtarin e pavarsisë
Kujtime

“Dy të burgosun prej Kavajës, si hangrën ca rrush, bistakët, nuk i hodhën aty afër, – siç do të dëshronte ndonji i uritun, por në gropën e W.C. – së, ku nji i dënuar nga Berati…”! / Dëshmia e Ahmet Bushatit, për tmerret e Bedenit

May 30, 2025
“Në kampin e Bonos, lufta për nji pikë ujë, si për ekzistencë, do t’u shfaqte në tanë shëmtinë e vet ma ekstrem mes të burgosunve, që u shtyjshin mes tyne për jetë a vdekje…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit
Kujtime

“Në kampin e Bonos, lufta për nji pikë ujë, si për ekzistencë, do t’u shfaqte në tanë shëmtinë e vet ma ekstrem mes të burgosunve, që u shtyjshin mes tyne për jetë a vdekje…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit

May 30, 2025
“Komandant kampi të Bonos, kishim togerin Tasi Marko, vëlla i Rita Markos, që me ne do të sillej mirë, por emni i tij u lidhte me tmerret e kampit të Vloçishtit, ku ai…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik
Kujtime

“Komandant kampi të Bonos, kishim togerin Tasi Marko, vëlla i Rita Markos, që me ne do të sillej mirë, por emni i tij u lidhte me tmerret e kampit të Vloçishtit, ku ai…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik

May 30, 2025
“Letrën e Simes, të cilin unë do të lidhsha ndër vite andrrat ma të bukura për jetën, e lexova në kambë shpejt e shpejt, vjedhtas të gjithëve, dhe me kënaqësinë se…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik
Kujtime

“Letrën e Simes, të cilin unë do të lidhsha ndër vite andrrat ma të bukura për jetën, e lexova në kambë shpejt e shpejt, vjedhtas të gjithëve, dhe me kënaqësinë se…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik

May 30, 2025
“Tragjedia e trimëria e Kazazëve dhe familjeve shkodrane nën terrorin komunist, hakmarrja e heshtur mbi Dedjakupejt, Bushatllijt dhe Çobajt…”/ Historia e rrallë e fisnikëve të humbur të Shkodrës
Kujtime

“Zefi, i rritun jetim, se i ishte djeg shpia bashk me prindit, del partizan te batalioni ‘Perlat Rexhepi’, por ra në burg, ku rrahu një polic dhe kur i dhanë 25 vjet, kërkoi me vdekje, pasi…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit

May 30, 2025
Next Post
Kalendari Historik 01 Gusht 2024

Kalendari Historik 02 Gusht 2024

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
error: Content is protected !!