Nga Idriz Lamaj
Pjesa e njëzet e katër
Jeta dhe veprimtaria e Xhafer Devës në mërgim
– Kosova në kohën e Shqipnisë etnike –
Porosia e fundit e Xhafer Devës: – Mbani gjallë ‘Lidhjen e Prizrenit’
Memorie.al/Diskutimi bëhet për të përcaktuar besueshmërinë e anëtarit. Me gjithë deklaratat e tij për besnikëri dhe se është qind për qind një komunist i bindur, i takon udhëheqësit të celulës të japë gjykimin përfundimtar lidhur me besnikërinë e tij. Për të konfirmuar këtë besnikëri, udhëheqësi i celulës mund të kërkojë nga anëtari kryerjen e misioneve të jashtëzakonshme. Këto misione mund të shkojnë deri në vrasjen e një armiku të komunizmit, ose në kryerjen e një akti sabotazhi. Rehabilitimi përfundimtar vjen pas kryerjes me sukses të misionit. Kjo është procedura që ndiqet me komunistët e lëkundshëm. Udhëheqësit e celulave qëndrojnë në prapaskenë dhe nuk ekspozohen kurrë. Në këtë mënyrë ata mund të kontrollojnë më mirë veprimtarinë e anëtarëve. Pasi zënë një punë në qeveri apo diku gjetkë, një anëtar i celulës bëhet një anëtar i rregullt i Partisë ilegale të qarkut të tij dhe kjo do të thotë se ai është ngritur një gradë më lartë, gjë që është nderi dhe shërbimi më i lartë që i bëhet një personi që i ka shërbyer me besnikëri kauzës së partisë.
Si anëtar të partisë ata fillojnë të njihen me shokë të tjerë në qarkun e tyre. Ata marrin pjesë në mbledhjet e rregullta ku u jepet rasti të mësojnë më shumë rreth vetë partisë. Këtu ata marrin udhëzimet dhe janë në mënyrë të përhershme në misione në sferën e punës së tyre. Ata vazhdojnë të transmetojnë informacion, nga vlerësimi i të cilit përcaktohet shkalla e inteligjencës së tyre. Është një nga parimet e sistemit komunist t’i mbajë njerëzit e vet të angazhuar në misione. Tani që kemi arritur në këtë pikë nuk duhet të habitemi kur dëgjojmë për revolucione të papritura, përmbysje regjimesh brenda disa orësh nga disa oficerë në vende të tilla të Lindjes së Mesme, si Egjipti e pastaj Siria, e për të përfunduar kushedi se ku dhe kur. Rusët punuan në këto vende për disa dhjetëvjeçarë, siç bënë edhe në vendet e Evropës lindore dhe juglindore. Lufta e Dytë Botërore vuri në duart e tyre Vendet Baltike, Poloninë, Çekosllovakinë, Hungarinë, Bullgarinë, Jugosllavinë, Shqipërinë, etj.
Në këto vende para luftës mbretëronte uria dhe mjerimi. Në mjaft nga këto vende Partia Komuniste ishte themeluar që në vitin 1920, por pa mundur t’i përmbysë regjimet ekzistuese dhe t’i zëvendësojë brenda natës me regjime komuniste. Kjo nuk i shkurajonte rusët dhe ata vazhdonin punën e tyre njëlloj jo vetëm në këto vende, por edhe në të gjithë botën. Ata janë të vetëdijshëm se një Luftë e Tretë, do të thotë të njëjtën gjë për të gjithë: shkatërrimin total. Prandaj ata vazhdojnë veprën e tyre shkatërrimtare në emër të paqes dhe arrijnë rezultate kudo ku munden. Gjatë pushtimit të Egjiptit nga britanikët dhe të disa vendeve të Lindjes së Mesme nga francezët, rusët kishin punuar në këto vende në mënyrën e përshkruar më sipër. Të ashtuquajturit zotërit e Egjiptit të sotëm, që në të vërtetë u shërbejnë interesave të Moskës atje, Naserët, Tawfikët, Salahët, etj., janë produkt i kësaj veprimtarie këmbëngulëse të rusëve atje. Vetëm 5 vjet më parë ne ishim dëshmitarë të një revolucioni pa gjakderdhje në Egjipt, i cili përfundoi me ekstradimin e Mbretit Faruk dhe me vendosjen e Republikës Popullore në këtë vend.
Ky revolucion drejtohej nga një grup oficerësh të rinj, të cilët kishin marrë udhëzime nga padronët e tyre rusë që të përmbysnin regjimin ekzistues, nën udhëheqjen e një gjenerali të quajtur Mohamed Naguid, një personalitet me të vërtetë i nderuar i Egjiptit. Naguid e donte me të vërtetë vendin e tij dhe gëzonte popullaritet të madh ndërmjet egjiptianëve. Ata mundën ta tërheqin atë në planet e tyre për shkak të patriotizmit të tij dhe për shkak të sjelljes së padurueshme të Mbretit Faruk. Ai bashkëpunoi me mirëbesim me klikën e atyre oficerëve të rinj për të mirën e vendit dhe të popullit të tij, por i pavetëdijshëm që ishte bërë një vegël në duart e Moskës, që ishte duke bashkëpunuar me spiunët e Moskës. Pa kaluar shumë kohë dhe vetëm tre vjet pas ardhjes në pushtet, klika e oficerëve të rinj mori urdhra për ta burgosur Naguibin, që i kishte ndihmuar të vinin në pushtet. Ai u hoq nga pushteti dhe u burgos. Pa kaluar shumë kohë pas kësaj ngjarjeje, Naseri, me cilësinë e presidentit të Egjiptit, shpalli shtetëzimin e Kanalit të Suezit. Moska kishte kapur momentin dhe rrethanat e përshtatshme politike në Mesdhe dhe Afrikën e Veriut, Marok e Algjeri.
Tamam kohën kur britanikët po merreshin me problemet e Qipros dhe francezët me Algjerinë. Ndërhyrja e britanikëve dhe e francezëve nxori në dritë që nuk ishin Naseri dhe klika e tij që kishin shpallur shtetëzimin e Kanalit. Ndërhyrja e armatosur britanike dhe franceze në Kanal, u prit me një deklaratë nga ana e Moskës e cila thoshte se do të vinte në veprim raketat e saj kudo që të ishte e nevojshme, në rast se britanikët dhe francezët nuk tërhiqeshin menjëherë nga ajo zonë. E vetmja e mirë që pati bota Perëndimore nga kjo, ishte se zbuloi se kush i drejtonte të gjitha këto. Shtetëzimi i Kanalit u bë kështu një fakt i kryer. Bota kuptoi se në Egjipt nuk ishte Naseri, por Shepilovi, Hrushovi, Zhukovi e të tjerë, që flisnin në emër të të shtypurve egjiptianë. Menjëherë pas së ashtuquajturës krizë e Kanalit, erdhi kriza e Sirisë, ku pushteti kaloi në duart e një klike ushtarakësh. Ashtu sikurse në Egjipt, edhe në këtë vend të vogël, me 4 milionë banorë, ka një president të quajtur Shukri Couvetly, një njeri i pasur dhe rrjedhimisht antikomunist.
Edhe ky njeri, si Naguibi, i siguron të gjithë se Siria nuk është satelite e Rusisë dhe se Naseri është patriot, megjithëse e di fare mirë fatin dhe arsyet e burgosjes së Naguibit. Edhe pse antikomunist, ky njeri flet në emër të një klike oficerësh të ushtrisë, që kanë kaluar nëpër të njëjtat shkolla, si Naseri me shokë. Herët a vonë fati i këtij njeriu do të jetë të paktën i ngjashëm me atë të Naguibit. Unë mendoj se Egjipti është bazë e Rusisë, Siria do të bëhet një bazë e tillë dhe se na takon neve te gjykojmë se sa kohë do të duhet që vendet e e tjera të Lindjes së Mesme të bien në duart e Moskës. Siç thamë, të gjitha këto ngjarje, ndodhin në suazën e përpjekjeve për zotërimin e Mesdheut, rrjedhimisht ato janë një hap drejtë mbizotërimit në Evropë.
Këtë analizë politike Xhafer Deva e lexoi në Akademinë Ushtarake Amerikane në ‘West Point’. Ligjërata e tij botohet këtu për herë të parë në përkthim të lirë nga anglishtja.
RELACION
Kufijtë e shtetit të ri shqiptar, vendosur me 1913, lanë jashtë atdheut më tepër se gjysmën e Shqipërisë. Serbët dhe Malazezët rrëmbyen territoret më pjellore për bujqësinë dhe shumë të pasur me miniera. Shqiptarët e mbetun nën robërinë sllave u keqtrajtuan, u persekutuan e madje u përzunë nga vatrat stërgjyshore. Mbi ta u përdorën metodat më çnjerëzore. Por sllavët e jugut nuk lanë në qetësi as pjesën e pavarur të Shqipërisë, por i shkaktuan asaj ngatërresa brenda përbrenda. Kështu, me 1924-ën për shqiptarët u imponua një regjim i papërshtatshëm. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, në gjirin e lëvizjes kombëtare për çlirim, mjaftë organizatorë të përgatitur e të kualifikuar (nën maskën e komunizmit), arritën të mashtrojnë edhe një pjesë nacionalistësh shqiptarë të cilët i hodhën në luftë kundër njëri-tjetrit.
Pas një propagande të madhe, në nëntor të vitit 1944, klika e komunistëve shqiptarë e frymëzuar dhe ndihmuar nga sllavët si dhe duke përfituar nga humbja e ‘Boshtit’, arriti të imponoj vullnetin e saj me dhunë, për të vendosur në Shqipëri diktaturën komuniste. Synimi final i jugosllavëve për të mbajtur gjithmonë nën kontroll Partinë Komuniste Shqiptare, del qartë në librin më dokumentar që u botua me 1948 nga Vladimir Dedier nën titullin: ‘Marrëdhëniet Jugosllavo – Shqiptare nga viti 1939 deri në vitin 1944’, libër që në përkthimin italisht titullohet “Gjaku i tradhtuar”. Mbas Luftës së Dytë Botërore, jugosllavët pra patën dorë të lirë për të realizuar me lehtësi ëndrrën e tyre në lidhje me Adriatikun, sepse nga viti 1944 deri me 1948, Shqipëria mbeti vetëm formalisht jashtë kuadrit të Republikës Federative të Jugosllavisë. Prishja e përkohshme dhe e shtirur e Titos me Moskën, bëri që jugosllavët të dalin nga Shqipëria, por kjo nuk zhduki objektivin pansllavist.
Shqiptarët dhe Shqipëria, për shkak të politikës anësore të Moskës (përfaqësuar nga Beogradi), u hodhën verbazi në prehrin e Kremlinit. Terrori dhe uria e shkaktuar dhe bazuar gjithmonë në direktivat e paracaktuara nga politika sllave dhe nga propaganda e shfrenuar e komunistëve besnikë ndaj Moskës (të cilët thoshin se Jugosllavia ka kaluar nën influencën kapitaliste perëndimore), bëri që shumë bujq e blegtor nacionalistë shqiptarë, të lënë vendin e tyre e të hidhen në Jugosllavi me shpresë për të marrë atje frymë më lirisht. Besnike e marksizëm-leninizmit dhe fanatike e pansllavizmit, “Jugosllavia e re”, e sigurt se refugjatët shqiptarë ishin pothuajse të gjithë nacionalistë, i arrestoi ata, i futi në kampe përqendrimi dhe madje shumë prej tyre i vrau siç bëri me kapiten Gjon Destanishën nga Shkodra, apo me 1948-ën, me Halit Osmanin nga Arni i Peshkopisë, tok me 18 luftëra nga Dibra e Mirdita. Ky terror zgjati deri në fillim të vitit 1951, kur u ndërrua taktika mbasi u pa se metoda e vjetër nuk shërbente më.
Në maj të vitit 1951, u krijua në Jugosllavi Organizata e ‘Refugjatëve Politik Shqiptarë’, mbasi fshiu më parë nga mendja e tyre çdo ëndërr e çdo krenari kombëtare. Këtu vihet në dukje funksionimi teknik i organizatës si dhe njê pjesë e personelit të saj përkatës.
A.Qendra e organizatës në fillim ishte Prizreni, tani është Prishtina me seli të përhershme në rrugën “Crvena Armija” Nr.2, Kryetar (ishte Prof. Apostol Tanefi) tani është Hajrullah Ishmi, Nënkryetar, Nik Sokoli, Sekretar i Përgjithshëm (ishte Lutfi Spahia), tani është Ramadan Spahia. Këshilli i ngushtë përbëhet nga katër anëtarë që janë: Apostol Tanefi, Arif Starova, Qazim Lusha, Martin Camaj (i cili është nën shikim të rreptë të U.D.B.-ës). Shtatë persona formojnë ekzekutivin e organizatës që quhet nga disa edhe Komiteti. Ky gjithashtu është edhe Komisioni disiplinor, konsultativi apo si e quajnë këta, ‘Këshilli i Zgjeruar’, përbëhet nga 40 veta, ndër të cilët më të rëndësishmit janë: Caf Smajli, Nue Pjeter Gjomarkaj, Can Tahiri, Mark Ujka, Tajar Hatipi, Mark Gjeçaj, Sefedin Koleci, Xhevat Bekteshi, Tahir Repishti, Ugrin Shegani, Prenk Nue Dushi, Galip Sejdia, Shpend Sherifi, Nue Vojvoda, Lutfi Spahia, etj. Nga këta del ‘Këshilli i Kontrollit’ që nuk ka seli të përhershme, por kontrollon të gjithë refugjatët që provizorisht ndodhen aty. Ky ‘Këshill Kontrolli’ përbëhet nga Kryetar: Apostol Tanefi, N/Kryetar dhe Sekretar Tahir Repishti, anëtarë Xhevat Bekteshi, etj. etj.
Duhet patur parasysh që si të lartë përmendurit ashtu edhe anëtarët e tjerë të Këshillit të zgjeruar, janë përfaqësuesit më në zë të krahinave prej nga vijnë. Refugjatët janë sistemuar në tri republikat e federatës, Mal te Zi, Serbi (në rajonin e Kosovës) dhe në Maqedoni, ku kanë klubet dhe filialet e organizatës ose nën komitetet, të cilat funksionojnë me të njëjtën mënyrë si Komiteti i Qendrës. Kështu për republikën e Malit të Zi, Komiteti me seli të përhershme në Titograd, “Novaka Milosava”, “Albanski Politiçki Klub”. Organi i Komitetit është “Flamuri i Lirisë” që del në qarkullim çdo muaj në gjashtë deri tetë faqe në Prishtinë, por redaktohet në Beograd. Personeli i gazetës përbëhet nga: Tajar Hatipi, Gani Sejdia, Mark Gjeçaj, Enver Zhudi, Loro Frano, etj. Mbrapa Komitetit dhe përfaqësisë së tij, qëndron ekzekutivi i vërtetë ushtarak dhe policia e përbërë nga oficerët madhorë dhe këta janë: Gjeneral Dushan Mugosha, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, ish-komisar i plotfuqishëm i Enver Hoxhës.
Kolonel Çedo Mijoviqi, autoritet i rëndësishëm i emëruar personalisht nga Mugosha për çështjen e refugjatëve shqiptari në atë vend, major Vlado Popoviq, i caktuar për refugjatët që banojnë në territorin e Kosovës, major Pero Burzani, i caktuar për refugjatët në Malin e Zi, kolonel Zhivko Sarkiq, major V. Kapllan, inspektor i përgjithshëm, major Vido Tomanoviq me qendër në Titograd, major Vido Jovanoviq për Ulqin e Tivar, kapiten Nikolla Boshkoviq, për Plavë e Guci, kolonel Sfetan Vuçiq në ministrinë e Brendshme të Serbisë, ky pret të gjithë refugjatët dhe interesohet për studentët refugjatë në Beograd, e sa e sa oficerë të tjerë të ushtrisë dhe UDB-ës (‘Uprava Drzhavne Bezbednosti’), gati të gjithë këta oficerë e njohin shumë mirë gjuhën shqipe. Për të përgatitur kuadro oficerësh për një pushtim të mundshëm të Shqipërisë, kanë qenë hapur që me 1951-in, kurse dhe shkolla për oficerë jugosllavë, kryesisht serbë e malazezë.
Kështu në Prishtinë, prof. Idriz Ajeti ishte detyruar të linte tri herë në javë mësimin e gjuhës shqipe në Gjimnazin e Prishtinës, për të shkuar në Pejë ku ishte hapur kursi special për oficerë. Më vonë, u krijua një i tillë edhe në Prishtinë. Sot kurset janë të shumtë. Më i rëndësishmi është ai që funksionon në Ministrinë e Brendshmesh të Serbisë, ku japin mësim ministri i Serbisë, Mehmet Hoxha, që është një shqiptar Titist. Në kursin e Prishtinës, japin mësim prof. Idriz Ajeti dhe Ali Rexha. Mësimi zhvillohet në sallat e UDB-ës qendrore të Kosovës. Ing. Tom Berisha, jep mësim në Titograd. Shkolla të tjera për oficerë janë hapur edhe në Gjakovë, Shkup, Dibër, Lubljanë, etj., ku profesorët paguhen mirë dhe janë të detyruar të ruajnë në mënyrën më rigoroze sekretin e shtetit. Ky kuadër haptazi përgatitet për të ndryshuar klikën e Enver Hoxhës me qëllim që në Shqipëri të kthehet situata e viteve 1944-1948-të.
Me qellim që të plotësojmë përshkrimin e detajuar të organizatës, përmendim se përveç organizatave politike, ekzistojnë edhe sektorë të tjerë të destinuar për operacione në Shqipëri. Të tillë janë: Sektori i propagandës, i asistencës sociale, i shëndetit, ai i gjimnastikës dhe kulturës, etj. Në qendra më të vogla ku janë grumbulluar emigrantët, ekziston i njëjti model i Komitetit të qendrës e që kanë të gjithë sektorët e përmendur më lartë me celulën bazë. Të tilla veprime zhvillohen në Klubet e emigrantëve në Prizren, Gjakovë, Gjyrakovc, Podujevë, Ferizaj, Gilan, Viti, Hogosh (në Kosovë), në Nikshiq, Titograd, Ulqin, Tivar, Guci, Andrevic (Mal të Zi) dhe në Strugë, Tetovë, Gostivar, Shkup (Maqedoni) e të tjerë. Organizata ka një kujdes të veçantë për studentët e rinj që futen nëpër shkolla të caktuara nga UDB-a, ata marrin edhe njëfarë rroge të caktuar. Këtu duhet të vemë në dukje faktin se kur një student arratiset në perëndim, që janë vetëm disa shembuj deri tani, Komiteti i qendrës bënë demaskimin dhe pastaj përpiqet për t’i shtuar kuotën e studentëve.
Të gjithë funksionarët e Klubeve ose të Komiteteve, marrin rroga si mbas detyrave që kryejnë, kush më shumë kush më pak. Ata përgjithësisht nuk ankohen. ‘Këshilli i Kontrollit’, që kryesisht përbëhet nga serbë dhe malazezë i mbajnë të hollat nëpër valixhe. Përsa i përket formës së jashtme është me interes të vihet në dukje se organizimi i Komitetit të Prishtinës, është shumë i ngjashëm me atë të Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, që funksionon në Perëndim. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016