Dashnor Kaloçi
Pjesa e njëzetedy
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet një dosje voluminoze që i përket Tuk Jakovës, i cili që nga periudha e Monarkisë së Zogut, ishte një nga krerët kryesorë të Grupit Komunist të Shkodrës, i dënuar me burg politik në gjyqin e famshëm të vitit 1938, së bashku me Qemal Stafën e Vasil Shanton, pjesëmarrës në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare dhe anëtar i Komitetit Qendror Provizor të saj, që nga mbledhja themeluese e 8 nëntorit të vitit 1941, komisar politik i Brigadës së Parë Sulmuese dhe Korparmatës së Parë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ku nga mbarimi i Luftës, në nëntorin e vitit 1944 e deri në 1955-ën, mbajti disa funksione dhe detyra të larta partiake e shtetërore, si: anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, ambasador fuqiplotë i Republikës Popullore të Shqipërisë në Beograd, President i Sindikatave të Shqipërisë, ministër i Financave dhe zv/Kryeministër i qeverisë shqiptare, të kryesuar nga Enver Hoxha etj. E gjithë dosja voluminoze (formulare dhe hetimore) që publikohet për herë të parë nga Memorie.al., ku ndodhen me qindra dokumente të panjohura, në ngarkim të ish-gjeneral-leitnant Tuk Jakovës, (“Hero i Popullit”), të cilat i përkasin periudhës së viteve 1951-1959, kur ai pas kontradiktave të shumta, që kishte me Enver Hoxhës që nga mbarimi i Luftës, në vitin 1951 u përjashtua si anëtar i Byrosë Politike dhe në 1955-ën, u përjashtua edhe nga Komiteti Qendror i PPSh-së, duke u shkarkuar edhe nga të gjitha funksionet e partiake e shtetërore, që kishte mbajtur deri në atë kohë, u internua familjarisht në rrethin e Beratit, ku pasi punoi disa kohë si përgjegjës i Repartit të Zdrukthëtarisë në atë qytet, në 1957-ën, u dënua me izolim në Kalanë e Kaninës së rrethit të Vlorës, ku dhe u arrestua në vitin 1958, duke u dënuar me 20 vjet burg, i akuzuar si “tradhtar e armik i popullit”, deri sa vdiq në spitalin e Burgut të Tiranës në vitin 1959, në rrethana misterioze! Çfarë thuhet në dokumentet sekrete (relacione, fotografi, kartela, formularë, raport-informacione, shënime, proces-verbale, raporte-survejimi, plane-masash, deklarata, letra denoncuese, etj.) që i përkasin periudhës 1955-1959, kur ai ishte në ndjekje dhe survejim të vazhdueshëm nga organet e Sigurimit të Shtetit, cilët ishin oficerët e organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që ishin ngarkuar për vëzhgimin e tij dhe emrat e pseudonimet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit, që e mbanin atë nën kontroll të rreptë?!
Proces – Verbal
Tiranë, më 7 janar 1958. Unë hetuesi Drejtorisë Sigurimit Shtetit, Irfan Shaqiri, së bashku me Kapiten Ferhat Matohitin, pyetëm të arrestuarin Tuk Jakova.
Pyetja filloi ora 10.00
Pyetja filloi ora 14.15
U zhvillua hetuesia.
Tregimet e të arrestuarit.
Pyetje: Në proçesin e datës 6 janar 1958, thatë se do të jepni shpjegime rreth diskutimit t’uaj në plenumin e Prillit 1955. Atëhere flisni për këtë?
Përgjigje: Diskutimin tim në plenumin e Prillit, e bëra me qëllim që me rastin e pregatitjes të tekstit të ‘Historisë së Partisë’, të kishin parasysh disa shtrembërime që më dukeshin mua, të cilat duheshin ndrequr. Këtu është fjala për periudhën e parë të formimit të Partisë.
Unë kisha dëgjuar nga gruaja ime Mita, e cila vazhdonte Shkollën e Partisë, se disa lektorë kur shpjegonin këtë fazë të Partisë, thonin se; shoku Enver u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm në Konferencën e grupeve, gjithashtu me rastin e 10 vjetorit, kur u bë konferenca, në fjalën e hapjes nga Mehmet Shehu, se; me iniciativën dhe në drejtimin e shokut Enver, u formua Partia.
Kur unë e dëgjova, mendova se; Mehmeti nuk e di mirë këtë çështje, por kur pashë në broshurën e shokut Enver, mbajtur me rastin e 10 vjetorit, kur u bë konferenca, në fjalën e hapjes nga Mehmet Shehu, se me iniciativën dhe nën drejtimin e shokut Enver u formua Partia. Kur unë e dëgjova, mendova se Mehmeti nuk e di mirë këtë çështje, i them gruas që këto janë shtrembërime. Këto mendime unë i kam pasë në kokë edhe kam menduar që këto vërejtje, t’i bëja kur të përpilohej teksti i ‘Historisë së Partisë’.
Në plenumin e Prillit, nuk kisha ndërmend të diskutoja, se do të shtroheshin çështje ideologjike dhe me qenë se unë merresha me çështjet ekonomike, por meqenëse më kish bërë përshtypje çështje e një vajze, unë ja thashë shokut Enver gjatë zhvillimit të plenumit dhe si më tha që ta ngrija në plenum, unë mendova që vetëm për këtë çështje s’ja vlen barra qeranë që ta diskutosh dhe me këtë rast thashë që, t’i ngrija edhe këto çështje që kisha për t’i pasë parasysh komisioni që do të caktohej për përpilimin e tekstit të ‘Historisë se Partisë’ tonë.
Duke marrë fjalën në plenum, i pa përgatitur bëra këto gabime:
- Meqenëse po ngrija një çështje mjaft delikate, duheshe që pavarësisht nga e drejta që kisha unë për të ngritur çështjet në forumin ku unë bëja pjesë, t’i diskutoja këto pikëpamje me udhëheqjen. Këtë gabim e kam ndjerë dhe e ndjej thellë, por nuk kam patur qëllim të keq.
- Shprehja ime jo e qartë në lidhje me ngritjen e rolit të Miladin Popoviçit, la me të drejtë përshtypje të keqe në gjithë shokët që bënin pjesë në plenum. Shokët patën të drejtë të mendojnë se unë po ngrija jashtë masës dhe në një mënyrë jo marksiste rolin e Miladinit, duke mohuar faktorët objektiv dhe të ulja rolin e Sekretarit të Parë, shokut Enver.
Shprehimisht për këtë çështje, unë kam thënë kështu: Rolin kryesor në formimin e Partisë, e ka luajtur Miladin Popoviç dhe jo shoku Enver. Unë e shtrova këtë çështje nga ana e personave nga ana subjektive dhe kjo patjetër është gabim. Unë nuk mund të mendoja se Partinë tonë e formoi Miladin Popoviç dhe njëkohësisht të mohoja faktorët objektiv.
Vet fakti, se gjatë pesëmbëdhjete vjetëve me shokun Enver nuk kemi patur asnjë fërkim dhe kemi kaluar në raporte të mira shoqërore, e shpjegon se unë nuk kam patur qëllim kundër shokut Enver.
Unë e shoh se çështje mbetet përsëri e pa qartë, por kështu ka qenë.
Çështja tjetër që kam diskutuar në plenum. ka qenë në lidhje me Muzeun e Luftës Nacional-Çlirimtare. Këtë çështje e kam shtruar kështu: Në Muzeum kisha konstatuar disa të meta siç më dukeshin mua se atje ku fillon faza e parë në shtëpinë e formimit të Partisë ku zakonisht viheshin shoku Enver, këtë herë të fundit kishin vendosur shokun Gogo, nëpër sektorë të ndryshëm kishin vendosur fotografi të shokëve të Byrosë Politike, dhe në një vend ku ishte vendosur fotografia e shokut Spiro Koleka, thuhesh se; shoku Spiro Koleka, një nga udhëheqësit e Luftës Nacional-Çlirimtare.
Unë mendova që në Muzeum në vendin ku është Shtëpia e Partisë, të vihej fotografia e shokut Enver, Byroja Politike, sipas mendimit tim, të vendosej e bashkuar në hyrjen kryesore të Muzeumit dhe brenda në Muzeum të viheshin edhe fotografitë e delegatëve që kanë marrë pjesë në Konferencën e Parë dhe në Konferencën e Labinotit dhe në forumin e udhëheqjes gjatë Luftës, me përjashtim të atyre që kanë tradhtuar partinë. Në këtë mënyrë, unë i ngrita në Plenum këto çështje.
Në Plenum thashë kështu për shokun Spiro Koleka: Me gjithë respektin që unë kam për të, ai nuk ka qenë udhëheqës i Luftës Nacional-Çlirimtare. Unë e marr çështjen si figurë në atë moment, por po ta marrim shokun Spiro, si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, çështja qëndron edhe ashtu siç është vënë, këtu qëndron gabimi im.
Vërejtjet që bëra në Plenum, ja kam bërë edhe drejtorit të Muzeumit dhe i thashë që t’ja thonte Drejtorisë së Agjit-Propit, për t’i patur parasysh. Në këtë plenum, kam diskutuar edhe në lidhje me grupet e para të formimit të Partisë. Meqenëse grupet janë baza mbi të cilën është formuar partia, pa heq të metat me karakter parimor, të shtohen sa të jetë e mundur faktorë pozitivë të këtyre grupeve, në mënyrë që puna dhe veprimtaria e këtyre grupeve të mos duket aq e zezë, sikurse mendoja unë, sepse për Historinë e Partisë, sipas mendimit tim, këto grupe, me gjithë këto të meta, kur u bashkuan, arritën të ndërtojnë një vijë aq të drejtë, sa ç’është vija e Partisë, e cila me drejtësinë dhe saktësin e saj, mobilizoi popullin dhe na çoi në fitore.
Në Plenum, ngrita edhe çështjen e një vajze, kur unë isha deputet dhe pata një takim me zgjedhësit, kjo m’u ankua se nuk i jepnin punë, ashtu siç mua ankuan edhe njerëz të tjerë. Si deputet, u interesova për të gjithë këta edhe me anën e Komitetit Ekzekutiv dhe ju gjeta punë e i vendosa në punë.
Mbas ca kohe, e përjashtojnë nga puna, megjithëse ishte në kondita ekonomike shumë të vështira, me pretekst, se në biografi nuk kishte treguar që ishte e mbesa e Patër Anton Aarapit. Kjo vajzë nga dëshpërimi ishte sëmurë, kishte vajtur në spital dhe prej andej ishte hedhur nga penxherja, duke i dhënë fund jetës në mënyrë tragjike.
Kjo ngjarje kishte bërë përshtypje të keqe në Shkodër, sidomos në ambientin katolik, siç më njoftoi vëllai im, Franua, i cili ishte ndodhur atje ato ditë. Franua këtë çështje më përpara ja kishte thënë sekretarit të Partisë në Shkodër, ku menjëherë ishin marrë masat, duke vendosur të atin e saj në punë. Këtë ngjarje, ja thashë shokut Enver dhe ai i indinjuar më tha: ngrije në Plenum. Unë e ngrita në Plenum, si një frymë sektare dhe që gjëra të tilla e dëmtojnë politikën e Partisë.
Procesin e lexova dhe e firmosa, thëniet e mija janë shkruar drejt.
I arrestuari Hetuesit
Tuk Jakova Kapiten Ferhat Matohiti, Irfan Shaqiri
Proces-verbal
Tiranë, më 7 janar 1958. Neve hetuesit e Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Irfan Shaqiri dhe Ferhat Matohiti, pyetëm të arrestuarin Tuk Jakova.
Pyetja filloi në ora 17 e 30
Pyetja filloi në ora 21 e 30
U zhvillua hetuesia
Tregimet e të arrestuarit.
Pyetje: Nga jeni frymëzuar për t’i shtruar këto pikëpamje kundërshtare në këtë Plenum?
Përgjigjie: Unë nuk kam patur ndonjë frymëzim, thashë në procesin e mëparshëm, por i ngrita këto çështje sepse, sipas mendimit tim, m’u dukën shtrembërime dhe që duheshin ndrequr.
Pyetje: Me ç’qëllim ju i shfaqët këto pikëpamje?
Përgjigjie: Unë nuk pata ndonjë qëllim që i ngrita këto pikëpamje dhe nuk e mendova për t’i shtruar përpara Byrosë ose në një mbledhje më të ngushtë, sepse nuk e çmova rëndësinë dhe këtu qëndron gabimi im.
Pyetje: Me cilët i diskutuat ju këto pikëpamje para se t’i shtronin në Plenum?
Përgjigjie: Në mënyrë të shkëputura këto pikëpamje i kam biseduar me Bedri Spahinë, ndërsa ndihmën që i ka dhënë Partisë tonë Miladin Popoiviçi, e kam biseduar me gjeneral Hito Çakon, kur kemi qenë në një delegacion bashkë në Hungari, në prill 1955. Nuk di se si qe rasti, por u hap muhabeti rreth formimit të Partisë tonë dhe duke i treguar Hitos për ndihmën që na ka dhënë Miladini, edhe ai shprehu keqardhjen, që një shok të tillë me vlera, e vranë, i them, se do të vij një kohë që Miladinit t’i ngremë një monument, ky ishte mendimi im.
Hitoja nuk tha gjë, por që edhi ai shfaqi keqardhjen për humbjen e Miladinit. Ma tregoi Hitoja se kur kishte qenë me Divizionin në Jugosllavi, e kishte pritur mirë dhe se ai i donte shokët shqiptarë. Kur kam bërë vërejtje në Muzeum, aty ka ndodhur dhe Abdyl Këllezi, por që Abdyli nuk tha ndonjë send, ose të bënte ndonjë vërejtje. Edhe me gruan time, Mitë Jakova, kam biseduar, duke i treguar se Enveri nuk është zgjedhur Sekretar i Përgjithshëm që në fillim të formimit të Partisë, prandaj këto janë shtrembërime.
Pyetje: Konkretisht, si i keni biseduar me Bedrinë atë çështje që ngrite në Plenum?
Përgjigjie: Bedriut i kam thënë se; Mita më tregoi se një profesor në Shkollën e Partisë, duke shpjeguar ‘Historinë e Partisë’ sonë, ju ka thënë se; Enveri qysh në fillim është zgjedhur Sekretar i Përgjithshëm, kjo i thash, Bedriut, nuk është e vërtetë, një gjë të tillë e kam dëgjuar edhe njëherë tjetër, se Enver Hoxha është themeluesi i Partisë tonë. I them Bedriut, se këto çështje do t’ja them dhe Enverit.
Për këto Bedriu nuk tha ndonjë gjë dhe ishte dakord që t’ja thoja Enverit. Njëherë tjetër i kam thënë Bedriut për çështjen e grupeve, se më duket që duhet të bëjmë një farë korrigjimi, çështjes së grupeve, duke shtuar disa anë pozitive më tepër, pasi kështu del shumë e zezë kjo fazë. Për këtë çështje i thashë se do t’ja shtroja shokut Enver. Bedriu e përkrahu mendimin tim dhe ish dakord që këto t’ja shtroja Enverit.
Kam biseduar dhe për çështjen e Muzeumit, i them se bëra një vizitë në Muzeum dhe kishin bërë ndryshime nga e para, këto ndryshime që bëheshin i them, se nuk janë të drejta, por duhet të marrë një formë të prerë dhe të mos bëhen ndryshime të herë pas hershme. I thashë se i bëra disa vërejtje drejtorit, megjithatë edhe për këtë, do të bisedoj me shokun Enver. Bedriu m’u përgjigj se nuk di çka me të thanë, se unë që kur u nderua lokali, nuk kam vajtur ta shoh ndonjëherë.
Pyetje: Të gjitha këto çështje në një kohë i keni biseduar?
Përgjigjie: Jo, këto çështje i kam biseduar në interval të ndryshme.
Pyetje: Ku janë bërë këto bisedime?
Përgjigjie: Të gjitha këto biseda i kam bërë në shtëpinë e Bedriut, sepse unë shkoja më shpesh tek ai.
Pyetje: Që kur ka lindur ky intimitet me Bedrinë?
Përgjigjie: Me Bedrinë, flas qysh mbas festës dhe meqenëse punonim në Komitetin Central dhe atje kemi bashkëpunuar si sekretarë që ishim dhe kemi kaluar në harmoni që e vazhduam deri në fund.
Pyetje: Na thatë më lart, se në bisedë me Bedrinë lidhur me çështjet që shtruat në Plenum, do t’ja shtronit shokut Enver. Pse nuk e bëtë këtë?
Përgjigjie: Unë me shokun Enver kam takuar, por nuk ju erdhi rasti për t’ja thënë, ose kur ka ndodhur ndonjë rast i tillë, nuk më janë kujtuar më këto momente.
Pyetje: Gjatë kohës që ju keni konstatuar sipas jush shtrembërime pse nuk i keni biseduar edhe me ndonjë shok tjetër?
Përgjigjie: Unë nuk kam pasur rast me ndonjë tjetër për të biseduar këto çështje, sepse po të lindte mendimi, unë do ta bisedoja. Memorie.al
I arrestuari Hetuesit
Tuk Jakova Kapiten Ferhat Matohiti, Irfan Shaqiri
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016