Nga Dr. Mirela Sinani
Pjesa e parë
-Çfarë ishte e ashtuquajtura “organizatë sabotatore”, në tharjen e kënetës së Maliqit?
Memorie.al/ Cilët ishin personat që u akuzuan si pjesëtarë të saj? Çfarë formimi kulturor dhe profesional kishin ata? A kishte realisht një organizatë të tillë apo ishte një skenar që i shërbeu regjimit të kohës, për të arritur qëllime të caktuara? Këto janë disa nga pyetjet me të cilat, sot, kushdo që kërkon sado pak të vërtetën e kësaj ngjarjeje, kthen sytë nga e kaluara dhe përpiqet të gjejë përgjigje. Përgjigjet e plota shpesh është e vështirë të gjenden në dokumente, pasi dokumentet janë të mangët, ose edhe të falsifikuar. Ato mund të formulohen vetëm pas një njohjeje të plotë, të të gjitha fakteve të dokumentuara e, të analizuara me kujdes.
E ashtuquajtura “organizatë tekniko-sabotatore”, sipas akuzës që ndërtoi shteti i asaj kohe, kishte në përbërjen e saj këta persona:
Abdyl Sharra, 35 vjeç, lindur në Vlorë 1911, me banim në Durrës, me profesion inxhinier, i martuar, me dy fëmijë.
- Kishte kryer shkollën teknike të “Robert College” në Stamboll dhe Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Romë.
- Pas çlirimit, i ati i tij u arrestua ca kohë, kurse i vëllai u dënua nga “gjyqi i popullit” si “kriminel lufte”.
- Ishte emëruar me detyrën e kryeinxhinierit në ndërmarrjen për tharjen e kënetës së Maliqit.
- Më 1 tetor 1946 u arrestua.
Akuza: “armik i popullit, si nxitësi kryesor i sabotimeve në stil të gjerë për ndërmarrjet e mëdha që bënte pushteti popullor”.
Dënimi: Varje në litar
Kujtim Beqiri, 30 vjeç, nga fshati Velçë i Vlorës.
- Bir i një familjeje patriotike. I ati i tij kishte qenë pjesëmarrës aktiv në ngritjen e flamurit në vitin 1912 në Vlorë, si edhe në Luftën e Vlorës, më 1920.
Abdyl Sharra, me urdhër të Ministrisë së Punëve Botore, u ngarkua me drejtimin e punimeve, në urat e qarkut të Krujës;
- Në shkurt 1945, punoi për ndërtimin e dy urave të mëdha: urës së Mifolit dhe urës së Penkovës;
- Punoi në Durrës, për riparimin e urës së drunjtë në skelë;
- Në prill 1946, u caktua për drejtimin e punimeve në tharjen e kënetës së Maliqit.
- Në korrik 1946, u transferua në Ndërmarrjen Shtetërore të Ndërtimit, Tiranë dhe u ngarkua të drejtonte punimet në kanalin e Urës së Hasan Beut në Berat.
- Punoi deri më 1 tetor 1946, kur u arrestua.
- Në vitin 1932, filloi studimet në Shkollën Teknike, në degën elektrike.
- Në vitin 1940, përfundoi studimet me Medalje të Artë, në inxhinierinë civile, në profilin rruga-ura, në Universitetin e Vjenës.
- Në korrik të vitit 1946, si inxhinier, u ngarkua me detyrën e drejtorit të punimeve, për tharjen e kënetës së Maliqit.
Dënimi: Varje në litar
Vasil Mano, inxhinier në ndërmarrjen për tharjen e kënetës së Maliqit.
Dënimi: me pushkatim
Zyrika Mano, bashkëshorte e inxhinierit Vasil Mano.
- U akuzuan së bashku për lidhje dhe kontakte të herëpashershme me agjentët e UNRRA-s dhe me anëtarin e Misionit Civil Amerikan në Shqipëri, Harry Fultz.
- Megjithëse ishte shtatzënë, Zyrika u pushkatua si armike e popullit.
Dënimi: me pushkatim.
Pandeli Zografi, me detyrë gjeometër në ndërmarrjen për tharjen e kënetës së Maliqit.
Dënimi: me burgim të përjetshëm Mario Guarnieri, shtetas italian.
- Me detyrë gjeometër në kënetën e Maliqit.
Dënimi: me burgim të përjetshëm. Eugjenio Skaturo, shtetas italian.
- Me detyrë llogaritar në ndërmarrjen për tharjen e kënetës së Maliqit.
Dënimi: me pushkatim.
Mihal Stratobërdha, gjeometër në ndërmarrjen për tharjen e kënetës së Maliqit.
Dënimi: 2 vjet burgim dhe punë të detyrueshme.
Jani Vasili, 16 vjeç, punëtor në ndërmarrjen për tharjen e kënetës së Maliqit.
Dënimi: 1 vjet burgim me kusht, që të mbajë sjellje morale e politike të mira.
Për të dënuarit me burgim, u urdhërua:
- Konfiskimi i pasurisë së tyre personale;
- Humbja e të drejtave qytetare e politike.
Ekzekutimi i dënimit me vdekje, u vendos të bëhej në Maliq.
Grupi i dytë i “sabotatorëve” të tharjes së kënetës së Maliqit
Më 29 tetor 1946, organet e Sigurimit të Shtetit, arrestuan inxhinierin Aleks Vasili, gjeometrin Mirush Përmeti, austriakun Hans Vala, shoferin Lambi Napuçe dhe mjekun italian, Golfredo Paskual Rizo. Akuza ishte e ngjashme, si për grupin e parë. Ata po gjykoheshin si “armiq të popullit, sabotatorë të pushtetit” dhe anëtarë të grupit të inxhinierëve dhe teknikëve të Maliqit.
- Aleks Vasili, inxhinier
- Mirush Përmeti, gjeometër
- Hans Vala, gjeometër austriak
- Lambi Napuçe, shofer
- Golfredo Paskual Rizo, mjek italian
Në Shqipërinë e pas Luftës së Dytë Botërore u vendos një qeveri komuniste. Si e tillë ajo, që në momentet e para të marrjes së pushtetit, ndërmori mjaft veprime politike antikombëtare dhe në shërbim të politikave gllabëruese të Jugosllavisë titiste. Ndër këto veprime, ishte edhe organizimi i një varg procesesh gjyqësore, kundër shumë individëve të shkolluar në Perëndim të akuzuar për veprimtari armiqësore.
Çuditërisht, proceset gjyqësore filluan më 8 nëntor 1946, pikërisht në ditën e përvjetorit të pestë të themelimit të Partisë Komuniste të Shqipërisë, e cila tashmë njihet dhe është faktuar me dokumenta, se u krijua me iniciativën dhe në shërbim të Partisë Komuniste Jugosllave.
Lidhja mes ngjarjeve ishte e plotë: PKSH-ja, me grusht të hekurt dërrmonte “armikun e klasës”. Pas dorës së PKSH-së, ishte edhe grushti i zgjatur i Partisë Komuniste Jugosllave, që lëshohej mbi intelektualët, profesionistët e aftë, të shkolluar në perëndim dhe mbi njerëz me virtyte e atdhedashuri.
Gjyqet u kryen për një kohë tepër të shpejtë. Ato përfunduan për 10 ditë (?!). Mjafton edhe ky fakt, për të venë në dyshim gjithçka ka ndodhur në ato procese gjyqësore. Gjatë atyre 10 ditëve, u trumbetua me të madhe “zbulimi” i grupit të “sabotatorëve” të kënetës së Maliqit.
Orë pas ore përcilleshin njoftime nga gjyqi kundër grupit “armiqësor”, duke e mbajtur opinionin publik anembanë vendit, nën trysninë e mediave dhe në ankth. Mpirja e çdo rezistence dhe e çdo kundërshtimi, për atë që po ndodhte, shoqëruar me ndezjen e urrejtjes popullore, i shërbente pushtetit, për ta paraqitur veprimin e vet sikur gëzonte mbështetjen e mbarë popullit.
Që ngjarja të kishte ndikim sa më të madh te populli, qoftë përmes mashtrimit të organizuar, qoftë përmes frikësimit, procesi gjyqësor kundër inxhinierëve dhe punonjësve të tjerë të etiketuar “sabotatorë”, u zhvillua i hapur, në kinemanë “Nacional”, e cila kohë më pas do të merrte emrin “Kinema 17 Nëntori”, me skenar të parapërgatitur gjer në detajet më të vogla.
Procesi transmetohej publikisht me altoparlant dhe turma njerëzish dëgjonin si dënoheshin “armiqtë” e popullit. E gjithë kjo situatë ndodhte, përballë masave të mëdha të njerëzve të cilët, në shumicën dërrmuese, ishin edhe fare analfabetë, të mos flasim pastaj për mungesën totale të njohurive mbi parimet, normat, rregullat e një procesi gjyqësor.
Të gjitha këto aspekte dëshmuan se procesi ishte një farsë e parapërgatitur dhe njëkohësisht, një mjet i dhunshëm propagande komuniste, që në çdo çast mund të kërcënonte cilindo. Gjykata me bujë, shpalli dënimin me vdekje për inxhinierët e akuzuar. Jo vetëm i ashtuquajturi gjykim, u krye në kohë rekord, dhe në shkelje të të gjitha rregullave të një procesi gjyqësor, por edhe vendimi u shpall menjëherë.
Fatkeqësisht, po ashtu, menjëherë, u krye edhe ekzekutimi i vendimit. Që të nesërmen e shpalljes së vendimit, pra, më 19 nëntor 1946, pa dhënë mundësi për asnjë lloj apelimi të çështjes, të gjithë të akuzuarit e dënuar me vdekje u ekzekutuan në Maliq.
Ky proces gjyqësor, qartësisht i montuar, dhe ekzekutimi i grupit me inxhinierë dhe punonjës të ndërmarrjes për tharjen e kënetës së Maliqit, ishte vetëm pikënisja e një vale të re arrestimesh, për spastrimin në masë të të gjithë atyre që kishin studiuar në shkolla të huaja perëndimore.
U arrestuan, menjëherë, 80 ish-nxënës të shkollës Teknike të Harri Fulcit (Harry Fultz). Kjo ngjarje ndikoi edhe në përkeqësimin e mëtejshëm apo shkëputjen e marrëdhënieve me SHBA-ës.
Me këto goditje të ashpra kundër shtresave të lidhura me botën perëndimore dhe me idealin e demokracisë perëndimore, regjimi sllavo-komunist, i instaluar nga Partia Komuniste Jugosllave në Shqipëri, po zbatonte gjithë orientimet për proletarizimin e kombit shqiptar, përmes luftës së klasave, duke goditur klasën dhe shtresat e pasura ekonomikisht, apo të pasura edhe nga pikëpamja e arsimit, kulturës dhe e aftësive administruese të shtetit apo ekonomisë.
U goditën sidomos njerëz të arsimuar në shkollën amerikane, duke minuar çdo mundësi bashkëpunimi intelektual e më gjerë me SHBA, që ishin shteti më i fuqishëm pas Luftës II-të Botërore, me ndikim të jashtëzakonshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Duke goditur gjithë njerëzit profesionistë të arsimuar në universitetet perëndimore, zhdukeshin njerëzit e aftë e të kualifikuar për ta mëkëmbur ekonominë e shkatërruar nga lufta, njerëzit me orientim nga kultura demokratike perëndimore që përbënin atë shtresë, nga e cila mund të formoheshin elitat kombëtare.
Jo vetëm kaq: U goditën sidomos njerëz të arsimuar në shkollën amerikane, duke minuar çdo mundësi bashkëpunimi intelektual e më gjerë me SHBA-ës, që ishin shteti më i fuqishëm pas Luftës II-të Botërore, me ndikim të jashtëzakonshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Me këto veprime qeveria në pushtet shprehte orientimin e saj politik kah forcimi i marrëdhënieve me Jugosllavinë, duke vijuar nënshtrimin tërësor përpara Partia Komuniste Jugosllave. Edhe 71 vjet pas ndodhjes, kjo ngjarje rëndon ende në ndërgjegjen tonë kombëtare.
Dënimi i të ashtuquajturit “grup i sabotatorëve të kënetës së Maliqit”, ishte shembulli sesi pushteti i maskuar pas termit “popullor”, nuk ngurronte që fajet dhe përgjegjësitë e veta për padijen në administrimin e shtetit dhe të ekonomisë, t’i hidhte mbi ata njerëz të cilët, me shpirt patriotik, kishin marrë përsipër kryerjen e veprave të rëndësishme edhe në kushte tejet të vështira materialo-teknike.
Qëllimi i këtij gjyqi ishte, në radhë të parë, vijimi i politikës së asgjësimit të intelektualëve të edukuar në shkolla perëndimore, niveli arsimor dhe intelektual i të cilëve ishte përmbi nivelin arsimor e kulturor të krerëve të qeverisë e të vetë PKSH-së. Për këtë arsye ata konsideroheshin rrezik potencial për regjimin e asaj kohe: Vetëm njerëzit e arsimuar mund të kuptonin çfarë fshihej pas fjalimeve me fjalë patriotike.
Një pjesë e madhe e popullit ishin të rinj pa shkollë, për shkak edhe të Luftës së Dytë Botërore. Shumë prej tyre, me idealin e çlirimit të atdheut nga pushtuesit e huaj, kishin rënë në grackën e Partisë Komuniste dhe të ideologjisë komuniste, në thelb thellësisht antikombëtare, aq më tepër që kjo ideologji vinte në Shqipëri, përmes armikut të kahershëm të kombit shqiptar, fqinjëve jugosllavë.
Por ishin pikërisht këta të rinj të paarsimuar, që pasi dolën me armë malit, për çlirimin e atdheut, u bënë vegla të bindura dhe mbështetës fanatikë të veprimeve antikombëtare të qeverisë pro-jugosllave të Tiranës. Ndërkaq ishte çelur kalvari i përndjekjes dhe shkatërrimit të personalitetit dhe jetës së intelektualëve – truri dhe energjia burimore e përparimit të një kombi.
Së dyti, në vijim të nënshtrimit para PKJ-së, qeveria e Tiranës, propagandonte miqësinë me popujt jugosllavë dhe bashkimin me ta, prandaj ajo kishte urdhër të shkëpuste e prishte përfundimisht marrëdhëniet me botën perëndimore, sidomos me SHBA-ës, – aleati më i madh i shqiptarëve, mbrojtësi i pavarësisë së shtetit shqiptar dhe i demokracisë në Shqipëri dhe ta orientonte me të shpejtë gjithë ekonominë shqiptare, por edhe vëmendjen e popullit, kah Jugosllavia titiste dhe miqësia me popujt e saj.
Së treti, qeveria kishte vendosur si afat për përfundimin e punimeve të tharjes së kënetës, datën 1 Tetor 1946, pa marrë parasysh aspak problematikat që paraqiste një ndërmarrje bonifikuese e përmasave të tilla, pa marrë parasysh mungesën e mjeteve më elementare të punës, as mungesën e njerëzve me njohuri në këtë fushë. Qeverisë i interesonte vetëm propaganda për sukseset e arritura.
Projektimi i tharjes dhe organizimi i punës mbetën në përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të atyre pak inxhinierëve dhe gjeometrave që kishin studiuar në shkollat perëndimore, të cilët, të karakterizuar nga një shpirt i rrallë patriotik, për ta parë atdheun sa më shpejt të mëkëmbur e në rrugën e progresit, bënë gjithçka ishte e mundur për ta realizuar më së miri këtë punë.
Realizimi konkret i projekteve u krye duke shfrytëzuar të burgosurit politikë, që duhej të punonin si skllevër në atdheun e tyre, në mes të kënetës plot shushunja, zhytur në ujë gjer në mes apo shpesh gjer në grykë, në mot të ngrohtë apo të acartë, pa asnjë kusht mbrojtës në punë, me ushqim fare të paktë e pa asnjë ndihmë mjekësore, për të tharë një kënetë mijëra vjeçare, madje, në kohë rekord e me mjetet më primitive!
Mospërfundimi i punimeve për tharjen e kënetës në afatin e caktuar nga qeveria, afat i vendosur pa asnjë analizë të kushteve të objektit dhe të punës, u përdor si pretekst për të sajuar një grup armiqësor dhe për të hapur valën e goditjeve kundër të gjithë shqiptarëve me kulturë perëndimore dhe me aspirata demokracinë e tipit perëndimor.
Për këto arsye u montua akuza e sabotazhit të një vepre të madhe bonifikuese, përmes së cilës do të zhdukej një burim i madh i sëmundjes së malaries dhe do të përfitoheshin mijëra hektarë tokë për fshatarësinë. Duke e ndërtuar në këtë mënyrë akuzën, i thuhej popullit se shkaktarët e malaries, të përmbytjeve apo të mungesës së tokës së bukës ishin njerëzit që kishin studiuar në perëndim, të shitur te të huajt.
Pushteti filloi të përpunonte ndërgjegjen kolektive duke formësuar, pak nga pak, rrezikun nga Perëndimi demokratik dhe rrezikun nga njerëzit e arsimuar atje. Përballë këtij rreziku, populli me bindje të plotë, duhej të shtrëngonte radhët pas partisë komuniste dhe qeverisë që pretendonte se kishte dalë nga populli.
Së katërti, procesi gjyqësor i organizuar kundër të ashtuquajturit grup sabotator të tharjes së kënetës së Maliqit, u përdor edhe si mjet tepër efikas shantazhi politik: nga njëra anë përhapej frikë e terror në popull, nga ana tjetër, shantazhohej kushdo që i përkiste një shtrese të pasur apo të arsimuar në Perëndim me idealet e demokracisë perëndimore. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm