Pjesa e parë
Enveri: “Ambasadori rus ka dhjetë muaj që ka ikur nga Tirana dhe Kremlini na ankohet, se s’po i krijojmë kushte pune, por ambasada e tyre këtu, ka 80 vetë që merren me spiunazh”!
Memorie.al /publikon disa dokumente të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit, (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), ku ndodhet edhe fondi personal i ish-udhëheqësit kryesor të Shqipërisë komuniste, diktatorit Enver Hoxha, në ditarin e tij politik që i përket periudhës qershor 1961, nëntor 1963, ai ka mbajtur shënime dhe ka analizuar disa nga ngjarjet kryesore të asaj periudhe, si: takimi i Nikita Hrushovit me Xhon Kenedin në Vjenë, raportet e acaruara të Tiranës zyrtare me Moskën, pas prishjes së marrëdhënieve diplomatike në mes dy vendeve dhe tërheqjes së ambasadorit rus nga Tirana, në nëntorin e 1961-it, (sipas Enverit, ambasada sovjetik kishte një personel me mbi 80 veta dhe të gjithë merreshin me spiunazh), ardhja në Shqipëri e delegacioneve tregtare të Çekosllovakisë, Republikës Demokratike Gjermane dhe Rumanisë, (të cilën Enveri e shikonte si një ndjesë të tyre, ndaj Shqipërisë), bisedat e Enverit me Ramiz Alinë, për një artikull në “Zëri i Popullit”, në lidhje me mbledhjen e Sofjes mbi “mirëkuptimin ballkanik”, raportet e marrëdhëniet e Partisë së Punës së Shqipërisë, me Partinë Komuniste të Kinës dhe disa nga Partitë Komuniste të Evropës e më gjerë, klima e acaruar politike ndërmjet SHBA-vë dhe Kubës së Fidel Kastros, (që gati u shndërrua në një konflikt ushtarak, në mes tyre me krizën e raketave në “Gjirin e Derrave”) dhe roli i Bashkimit Sovjetik në atë konflikt, që sipas Enverit e la Kubën në baltë. Vizita e Josif Broz Titos në Moskë dhe raportet në mes dy vendeve, fillimi i provave atomike nga ana e SHBA-ës, biseda telefonike midis Hrushovit dhe Kenedit, lirimi nga ana e sovjetikëve të një spiuni amerikan, e deri tek vrasja e presidentit të SHBA-ve, Xhon Kenedi më 22 nëntor 1963, si dhe komentet që bën Hoxha, rreth asaj ngjarje që tronditi të gjithë botën!
Ditari politik i Enver Hoxhës
E PREMTE 2 QERSHOR 1961
KRERËT REVIZIONISTE KANE SHUME SHPRESA NGA TAKIMI I HRUSHOVIT ME KENEDIN
Hrushovi u nis për në Vjenë. Rrugës ai ndaloi në Çekosllovaki ku u prit nga “miku i madh” i Bashkimit Sovjetik, Novotni. Informohemi se, incognito, në Bratislavë ndodheshin edhe Dezhi, Zhivkoja dhe Kadari. Për çorbën që do të gatuajë në Vjenë, Hrushovi as që denjon të na vërë në dijeni. Ca më mirë! Revizionistët le ta mbajnë vetë përgjegjësinë! Krerët revizionistë të kampit, kanë shumë shpresa nga ky takim. Zaten ata rrojnë me mëshirën e ndonjë dëshmi nga Kenedi, kurse ky u kërkon këtyre t’i bëjnë lëshime më shumë. Dhe krerët revizionistë, do të bëjnë të tilla akoma më tepër. Ata do të demaskohen patjetër për tradhtitë e tyre!
E SHTUNË 3 QERSHOR 1961
NJË TAKIM QE NUK DO TE KETË ASNJË REZULTAT
Hrushovi në Vjenë po bisedon me Kenedin. Asgjë s’do të ndalë. Piqet dhe puqet imperialisti me revizionistin.
DURRËS, E MARTE 25 KORRIK 1961
KENEDI KERCENON
Kenedi mbajti një fjalim shumë kërcënues në lidhje me çështjen e Berlinit. Atij i duhet dhënë një përgjigje e fortë. Ne do japim një grusht, por ky është si grushti që i jepet një elefanti. Atij duhet t’i përgjigjet revizionisti Hrushov. Të shohim ç’do të bëjë. Satelitët e tij, sigurisht, do të presin sa të flasë ustai.
E SHTUNE 25 NËNTOR 1961
ATA PËRPIQEN TË NA TREMBIN, NE I TROMAKSIM
Qeveria sovjetike vazhdon aktet armiqësore kundër vendit tonë. Ajo lajmëroi se tërheq ambasadorin e saj nga Shqipëria, për arsye se gjoja ne “nuk i krijojmë kushte pune”. Shpifje të ulëta si ngaherë. Ambasadori, në fakt, ka afro 10 muaj që është larguar nga Tirana. Gjithashtu, ka afër një muaj që gjithë ambasadorët e vendeve të Demokracisë Popullore të Evropës, janë larguar. Të gjitha aktivitetet ata i kanë ndërprerë. Megjithatë ambasada sovjetike në Tiranë, ka mbi 80 veta që s’bëjnë tjetër, veç punë spiunazhi dhe diversioni kundër Partisë dhe vendit tonë. Ata mendojnë të na trembin, por ne i tromaksim. Nikita Hrushovi, duke maskuar veprimet e tij nën autoritetin e madh të Bashkimit Sovjetik, po u bën lëshime të mëdha imperialistëve për të bërë që të fitojë vija e tij revizioniste, kundër-revolucionare dhe pacifiste. Ai dhe miqtë e tij, gati po heshtin dhe e kanë vënë në surdinë luftën kundër imperializmit, me atë amerikan në krye.
Hrushovi po bën shumë përpjekje për t’i dhënë të kuptojë dhe ta bindë Kenedin dhe grupin e tij, që të mos kenë frikë nga Bashkimi Sovjetik dhe se mund të merren vesh, në rast se edhe Kenedi, përpara lëshimeve të tij të mëdha, bën disa lëshime për të krijuar një modus vivendi. Hrushovi dhe miqtë e tij, propagandën e tyre e kanë drejtuar kundër Bonit dhe evitojnë plotësisht të nxjerrin përgjegjësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në armatimin e Vermahtit të ri gjerman. Nga ana tjetër, Hrushovi dhe grupi i tij, na sulmojnë ne, sulmojnë tërthorazi Kinën, mbrojnë dhe nxitin Indinë, afrohen me Titon. Të gjitha këto janë buqeta me lule për Kenedin, i cili nuk ngopet me lugë të zbrazët, por kërkon që Hrushovi t’i bëjë akoma lëshime konkrete. Ky përpiqet me lëshime imperialiste të ndajë aleancat, por amerikanët do t’ia hedhin duart në grykë. Koha do të vërtetojë çdo gjë. Hrushovi është një tradhtar i komunizmit.
E ENJTE 1 SHKURT 1962
FILLIMI I SHKATËRRIMIT TE BLLOKUT HRUSHOVIAN. SITUATA INTERESANTE NË VENDET REVIZIONISTE
Vendimi për të ardhur te ne, me iniciativën e tyre, i delegacioneve tregtare të Çekosllovakisë, të Republikës Demokratike Gjermane dhe të Rumanisë, duhet të konsiderohet një tërheqje nga ata. Ka të ngjarë që shumë udhëheqje revizioniste, nuk e menduan dhe nuk e llogaritën se deri ku do t’i çonte tradhtia e Hrushovit. Ka mundësi që ata të duan të maskohen, por edhe të ndalen në rrugë për të mos u demaskuar plotësisht. S’ka asnjë dyshim se aventura hrushoviane në politikën e jashtme, i bën sadopak “të mendojnë”. Hrushovi as i pyet, ata reagojnë “sa u lejon zemra”, por përpara mbytjes; përgatitin “shpëtimin” nga vapori. Në radhët e hrushovianëve po duken tërheqje taktike, të ngadalshme dhe me marifete, të shkaktuara nga arsye të ndryshme.
S’është e rastit që Gomulka në 20-vjetorin e themelimit të Partisë Punëtore të Bashkuar Poloneze, nuk zuri fare në gojë as Kongresin e 20-të, as të 22-të, as Hrushovin dhe as ne. Duket që nga pozitat e tij revizioniste ai ka kundërshtime me Hrushov-Dezhi, gjithashtu, po ndjek vijën e Gomulkës. Në fjalimin që ai mbajti në aktivin e Partisë në Bukuresht, nga fundi i janarit, edhe pse tema ishte: “Kongresi i 22-të i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik,., me aq sa u botua në shtyp, nuk zinte në gojë as Kongresin e 22-të, as Hrushovin, as ne, as Kinën. Në revistën “Rinascita”, të Partisë Komuniste Italiane, nga fundi i këtij muaji jepeshin në mënyrë besnike pjesë nga artikujt kryesorë kinezë (kundër Kenedit, artikulli për Axhubenë, artikulli kundër Titos).
Partia Komuniste Franceze ka ulur pendët, ka ngadalësuar sulmet, po tërhiqet me marifet përpara presioneve të masës së partisë që gati rreth 50 për qind, është shprehur hapur pro nesh e Kinës dhe kundër Hrushovit e tezave të tij revizioniste të përkrahura nga Torezi e Co. Udhëheqja franceze është e detyruar t’u thotë masave të partisë: “Mbani pikëpamjet tuaja mbi Partinë Komuniste të Kinës dhe Partinë e Punës të Shqipërisë, po të ruajmë unitetin e partisë”. Ky është fillimi i shkatërrimit të bllokut revizionist hrushovian. Duhet të ndjekim situatën, e cila po bëhet interesante dhe të përfitojmë në interes të Partisë, të marksizëm-leninizmit.
E PREMTE 2 SHKURT 1962
HRUSHOVI DHE “DIPLOMACIA” E DHËNDRIT TE TIJ
“Diplomacia” e Axhubeit po “shkëlqen” nga skandalet. Hrushovi, me anën e dhëndrit, po bie në ujdi me Kenedin, me imperializmin. Ai po përgatit kapitullime, kompromise të turpshme dhe u bën lëshime skandaloze amerikanëve, për të shpëtuar lëkurën e vet dhe të suitës së tij.
E SHTUNE 3 SHKURT 1982
DEMONSTRATA KUNDËR HEQJES SE GOTVALDIT NGA MAUZOLEUMI I PRAGËS
Në organizatat-bazë të Partisë Komuniste Çekosllovake, ka kundërshtime të vendosura ndaj udhëheqjes për shkak të qëndrimit të saj kundër nesh. Thuhet se në Gotvaldov, janë bërë demonstrata kundër vendimit të heqjes së kufomës së Gotvaldit nga mauzoleumi i Pragës. Firlingeri, anëtar i Byrosë Politike të Partisë Komuniste Çekosllovake, i ka thënë ambasadorit kinez se, çështja e luftës kundër kultit është bërë bajate, vulgare (me një fjalë bozë, siç themi ne). Udhëheqja e Partisë Komuniste Amerikane (revizioniste) ka filluar përjashtimin e një sërë shokëve lart dhe në bazë, me akuzën se janë “stalinistë”. Kështu, ajo po u bën qejfin Hrushovit dhe Kenedit. Me një të shtënë kënaq dy armiq.
E HËNE 5 SHKURT 1962
VEPRIM PROVOKUES I REVIZIONISTEVE ÇEKOSLLOVAKE KUNDËR PK TE KINËS
Kinezët na njoftojnë se Komiteti Qendror i Partisë Komuniste Çekosllovake, a ka drejtuar një letër Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, me të cilën e akuzon se shokët kinezë “janë përçarës të unitetit, janë anti leninistë, janë kundër bashkekzistencës”, etj., etj. Këtë dokument ua dorëzuan më 20 janar 1962. Revizionistët edhe me kinezët po ndjekin të njëjtën taktikë provokuese si me ne. Ata e kanë pësuar nga ne, tash orvaten që Kina t’u hapë zjarr e para bishtrave të Hrushovit dhe ky të fillojë më në fund të hedhë topin “si Zeusi nga Olimpi…”, revizionist.
Po punojnë të përgatitin terrenin në partitë e tyre kundër Kinës, bëjnë kështu nga një letër sa për të thënë më vonë se “u dolëm borxhit kinezëve”, dhe s’është çudi që, pasi t’i kenë futur mirë në kllapat e tyre, një pjesë të mirë të udhëheqjeve të partive komuniste dhe punëtore, të thërresin një mbledhje formale dhe atje “të lajnë duart”, me Kinën. Kjo do të jetë vdekja e sigurt për ta dhe ecja e hapët e bashkimit të tyre me Kenedin, Titon, Nehrunë. Do të shohim.
VLORE, E MËRKURE 14 MARS 1962
S H Ë N I M E
Bisedova me Ramizin se si të shkruajmë një artikull në lidhje me mbledhjen e Sofjes mbi “mirëkuptimin ballkanik”. Bisedova, gjithashtu, dhe i dhashë udhëzime Ramizit edhe mbi një artikull të ri kundër Hrushovit. Të demaskojmë përpjekjet që gjoja paska bërë ai, për të biseduar me ne. Në Gjenevë u hap konferenca e 18 shteteve për çarmatimin. Po fillojnë pallavrat, bisedat e gjata, aksionet e kota dhe konçesionet e Nikitës, ndaj presioneve të Kenedit.
E SHTUNË 26 MAJ 1962
POLARIZIM I REVIZIONIZMIT – MODERN
Revizionizmi modern po polarizohet e, në të njëjtën kohë, po integrohet në rrugë paqësore në kamp. Titoja manovron në mënyrë të shkathët, ai do të marrë kredi të majme, si nga sovjetikët, ashtu edhe nga amerikanët. Këta deklaruan se nuk shohin asgjë të keqe, që Jugosllavia t’i forcojë marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik. Pra, siç e kemi parashikuar, Titoja është ura më e fortë e Iidhjeve në mes Hrushovit dhe Kenedit. Zhivkovi është papagalloja pa pendë, që i këndon himne të turpshme Hrushovit, duke e quajtur “marksistin më të madh të kohës sonë”. Ai këndon, gjithashtu, edhe këngën e marrëdhënieve në mes Bullgarisë e Jugosllavisë, të cilat i quan “vende që ndërtojnë socializmin”.
E MARTE 29 MAJ 1962
NE GJIRIN E USHTRISË SOVJETIKE DIÇKA PO NGJET
Sipas informatave që kemi, gazeta “Krasnaja Zvezda”, ka shkruar rreth një mbledhjeje që është bërë në Ministrinë e Mbrojtjes të Bashkimit Sovjetik dhe ku është rishikuar çështja e kuadrit oficer. Është kritikuar çmobilizimi në masë dhe pa kritere të shëndosha i oficerëve të vlefshëm dhe me të kaluar të mirë dhe ardhja në komanda e oficerëve pa vlerë dhe me të kaluar të dyshimtë, etj. Dhe, natyrisht, fajtor për këtë kanë bërë mareshalin Golikov, drejtorin politik, të cilin edhe e pushuan gjoja si të sëmurë dhe në vend të tij vendosën Jepishevin.
Që e kanë bërë këtë hrushovianët, s’ka asnjë dyshim, sepse janë në pozita të vështira. Në ushtri, si duket, ziejnë pakënaqësia dhe kundërshtimi, prandaj hrushovianët bëjnë këtë kthesë demagogjike. Jepishevin, ambasadorin e dekoruar nga Titoja dhe që s’ka asnjë meritë, unë e njoh personalisht. Hrushovi e bëri drejtor politik të ushtrisë, për arsyen e vetme që të sigurojë Kenedin, të mos ketë frikë nga një kthim i njerëzve të fortë në ushtri dhe se këtë pakënaqësi që shfaqet, hrushovianët do ta mbytin me çdo kusht. Do të shohim si do të zhvillohen ngjarjet.
DAJT, E HËNE 6 GUSHT 1962
QETËSIA MBRETËRON
Këtu s’ka asgjë të re, por asgjë të re edhe në botë. Politika po fle. Hrushovi bën logje dhe pushon në Jaltë, Kenedi armatoset dhe i buzëqesh Hrushovit, Nehrui provokon Kinën dhe deklaron se Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës afrohen e do të merren vesh. Titoja pret në Brioni Stivensonint, i cili i jep udhëzime se si të veprojë me Hrushovin në të ardhmen. Bashkimi Sovjetik pret mbretërit e princërit dhe lufton vendet socialiste, si Kinën dhe ne. Deri këtu kanë ardhur punët.
DAJT, E MARTE 7 GUSHT 1962
HRUSHOVI NE OKB
Flitet se Hrushovi do të vejë, dhe ka mundësi të në sesionin vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Çështjen gjermane dhe të Berlinit, nuk e zgjidhi dhe as do ta zgjidhë dot. Ai u tregua edhe shantazhist, edhe frikaman, dhe tash, për të shpëtuar nderin, do të shkojë në OKB, gjoja për të çuar atje çështjen e Traktatit të Paqes me Gjermaninë dhe rregullimin e çështjes së Berlinit. Pas kësaj vjen vjen “pranvera”, vazhdon propaganda dhe shkohet drejt greminës dhe luftës.
Përgjegjësi të rëndë, mbajnë të gjitha ato parti komuniste e punëtore të botës, që i bien avazit të këtij tradhtari të marksizmit. Ndërkaq Xhamajka, koloni angleze, fitoi pavarësinë dhe, duke qenë anëtare e Komonuelthit Britanik, kërkoi të pranohet dhe do të pranohet në OKB, kurse Kina rri jashtë, pse kështu dëshirojnë Kenedi dhe Hrushovi, domethënë dy K(a) K(a)-të që formojnë një të madhe dhe që u puqën në rrugën e historisë.
E HËNE 22 TETOR 1962
FJALIM LUFTËNXITËS I KENEDIT
Kenedi, duke iu drejtuar Bashkimit Sovjetik dhe konkretisht për çështjen e Kubës, mbajti një fjalim tjetër luftënxitës dhe kërcënues në kulm, një fjalim hitlerian. Thelbi i fjalimit të tij, është kërcënim për një luftë të re botërore. Kuba është preteksti, ashtu siç ishte Dancigu për Hitlerin. Kenedi, me këtë fjalim, shpalli bllokadën ushtarako-detare të Kubës, pse atje janë vendosur nga sovjetikët armë me karakter ofensivë, ndaj kontinentit amerikan.
Kenedi deklaroi se do të kontrollojë çdo anije që shkon në Kubë dhe, ato që do të rezistojnë, do t’i fundosë. Ai deklaroi, gjithashtu, që në rast se qëllohen Shtetet e Bashkuara të Amerikës me raketa nga Kuba, atëherë amerikanët do të lëshojnë bombat e tyre atomike dhe raketat mbi Bashkimin Sovjetik, etj. Me një fjalë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po përgatitin sulmin mbi Kubën, po vendosin bllokadën për të ndaluar ndihmat në drejtim të Kubës dhe kërcënojnë Hrushovin. Kenedi, miku i Hrushovit dhe i revizionistëve, po u luan qindin.
E MARTE 23 TETOR 1962
HRUSHOVIANET JANË FRIKAMANE, KOMPROMISAXHI DHE TRADHTARE
Lidhur me fjalimin luftënxitës të Kenedit mbi çështjen e Kubës, qeveria sovjetike, duke dashur të tregohet jo e alarmuar përpara opinionit botëror, bëri me vonesë një deklaratë të shpëlarë, kashtë dhe pacifiste. Në këtë deklaratë, nuk thuhet se Bashkimi Sovjetik do ta mbrojë Kubën dhe as u jepet përgjigje sulmeve dhe kërcënimeve të drejtpërdrejta që bëri Kenedi. Hrushovianët, tregohen, ashtu siç janë, frikamanë, kompromisaxhinjtë dhe tradhtarë, që miqtë i lënë në baltë, janë njerëz pa parime dhe pa moral, prandaj po demaskohen përpara opinionit botëror.
Ata do të bien në ujdi me Kenedin, do t’i bëjnë këtij lëshime, por për ta do të jetë krimi më i madh dhe demaskimi i tyre i plotë, në rast se e lënë Kubën heroike në baltë. Kuba dekretoi mobilizimin e përgjithshëm me parullën “Atdhe ose vdekje”. Ajo kërkoi mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Këtë e kërkuan edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Sovjetik dhe ai do të mblidhet sot.
E MËRKURË 24 TETOR 1962
FJALIM BURRËROR I KASTROS
Fidel Kastroja mbajti mbrëmë një fjalim burrëror. Ai e krahasoi Kenedin me Hitlerin dhe deklaroi se “jemi gati të mbrohemi dhe t’u bëjmë varrin agresorëve amerikanë”. Ai nuk pranoi kontrolle eventuale nga OKB-ja në vendin e tij dhe tha se Kuba, s’është Kongoja. Kastroja s’e përmendi asnjëherë Bashkimin Sovjetik, as për dhënien e ndihmave, as se do ta mbrojë Kubën, ose jo. Ne do ta mbrojmë me të gjitha forcat Kubën. Do ta mbrojmë me artikuj të vazhdueshëm, ku do t’i demaskojmë imperializmin amerikan dhe përkrahësit e tij, do ta mbrojmë me mitingje e telegrame. Ne nuk e mbështetim deklaratën e qeverisë sovjetike, pse ajo është ashtu siç e kam cilësuar dje në shënimet e mia.
E SHTUNË 27 TETOR 1962
HRUSHOVI KAPITULLOI DHE E LA KUBEN NE BALTË
Doli ajo që mendonim ne. Hrushovi kapitulloi përpara Kenedit dhe e la Kubën në baltë. U shkëmbyen mesazhe. Kenedi kërcënoi me ultimatum Hrushovin që të ndalojë ndërtimin e bazave të raketave, t’i çmontojë ato që ka vendosur dhe t’i heqë nga Kuba. Tradhtari, si qen i zgjebosur, me një ton shërbëtori dhe me frikë në bark, i pranoi kushtet e Kenedit. Hrushovi bëri çdo gjë, por Kastron dhe Kubën as nuk i mposhti, as nuk i tremb, as i diskrediton dot. Por e tmerrshme është se tradhtari me këtë qëndrim, diskreditoi krejt Bashkimin Sovjetik. Kjo është tradhtia e re, më e madhe që i bëhet Bashkimit Sovjetik, marksizëm-leninizmit, kampit të socializmit, njerëzimit, paqes. Ky qëndrim u hap oreksin imperialistëve.
E DIEL 28 TETOR 1962
KUBA NUK U DORËZUA
Hrushovi tradhtoi rëndë. Me kapitullimin e turpshëm në ngjarjet e Kubës, ai forcoi pozitat luftënxitëse të Kenedit, forcoi pozitat e reaksionit botëror, të reaksionit në kontinentin amerikan. Hrushovi do të bëjë lëshime akoma më të tmerrshme. Tradhtari është nën darën e imperializmit. Sa drejt tingëllojnë tash e kurdoherë qëndrimet e larta parimore të Partisë sonë. Të gjithë në botë sot, me siguri, na kujtojnë dhe na japin hakë, veç revizionistëve tradhtarë dhe imperialistëve. Por Fideli qëndron dhe kjo ka rëndësi vendimtare.
Ustai dhe shërbëtori ranë dakord ta mbytin Kubën, por kjo u ngrit dhe tha: “S’ma shisni dot lëkurën”, se s’ju lë unë të më vrisni dhe “këtu do të gjeni vdekjen”. “Atdhe ose vdekje”, “ne do të fitojmë”! Kastroja foli. Ai e paralajmëroi imperializmin, se s’ia ka frikën, i vuri atij kushte, kryesori i të cilëve është të mos sulmohet Kuba, të përjashtohen të gjitha forcat e huaja dhe të lirohet Guantanamo. Për tradhtarin, ai s’tha asnjë fjalë. Nga halli apo nga përbuzja? Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016