Nga Dr. Nikoll Loka
Pjesa e katërmbëdhjetë
“PRENGË BIBË DODA, DRITËHIJET E NJË BURRËSHTETASI”
Memorie.al / Libri më i ri “Prengë Bibë Doda, një fenomen në jetën politike shqiptare”, i studiuesit Nikollë Loka, jo vetëm zgjeron fushën e studimeve historike mbi Mirditën, Derën e Gjonmarkajve dhe figurën e Princit mirditor, Prengë Bibë Doda, por është edhe një kontribut, në historiografinë kombëtare. Lënda shumë e pasur arkivore, literatura e shfrytëzuar apo e konsultuar, gojëdhënat etj, e bëjnë këtë libër, një thesar të vërtetë studimor, duke i dhënë shkencës së historisë një monografi shkencore, që pasuron njohuritë tona mbi Mirditën, kapedanët e saj, traditën, historinë etj. Të studiosh një figurë sa të rëndësishme dhe komplekse, siç është figura e Prengë Bibë Dodës, është përgjegjësi e lartë shkencore që, jo çdokush e merr përsipër. Nikollë Loka, ka bërë një punë të madhe hulumtuese dhe trajtim prej studiuesi profesionist, duke na e dhënë portretin e Princit dhe gjeneralit mirditor, me konturet e vërteta. Dr. Loka, i është përmbajtur fund e krye hapësirës dhe kohës, në të cilën janë zhvilluar ngjarjet shumëdimensionale dhe protagonistët e tyre.
MONOGRAFIA “PRENGË BIBË DODA, NJË FENOMEN NË JETËN POLITIKE SHQIPTARE”, NJË STUDIM SHKENCOR ME VLERË QË PASURON FONDIN E STUDIMEVE TONA HISTORIKE
(Nga Mr. Sc. Murat Ajvazi, mars 2017, Zvicër)
Falja e Sulltanit
Synimi i sulmit të trupave turke mbi Mirditën, ishte shkatërrimi i familjes Doda, me qëllim për ta nxjerrë nga skena politike, pasi atëherë osmanët, do ta kishin të lehtë të zbatonin edhe atje masat centralizuese. Kështu, pasi pushtuan për herë të dytë Oroshin, autoritetet i dhanë Prengë Bibë Dodës, një afat prej dy muajsh, për t’u dorëzuar. Meqenëse Kapidani nuk u bind, i dhanë edhe një ultimatum të dytë, ku e njoftonin se; “po nuk u dorëzove para 15 nëntorit, do të shpallesh jashtë ligjit dhe pasuria jote do të shitet”. (257)
Prenga vazhdonte të qëndronte i arratisur në Malin e Shejtit disa ditë, pastaj kaloi nën mbrojtjen e dajave të tij, Ajazëve në Lurë. Një pjesë të kohës, kishte qëndruar edhe në shtëpinë e madhe të Dodajve. (258)
Me datën 10 mars të vitit 1878, Valiu i Shkodrës, Mustafa Pasha, largohet nga detyra dhe në vendin e tij, Porta e Lartë, emëron Hysen Pashën, deri më atëherë, komandant i trupave ushtarake të Shkodrës.(259)
Me ndryshimet e reja, Vjena mendonte se mund të kërkohej një zgjidhje. Me 9 maj, të atij viti, konsulli autro-hungarez, Lippih, proteston te Hysen Pasha, për gjendjen e rëndë të krijuar në Mirditë. Gjatë bisedës, Valiu ishte treguar refuzues dhe nuk i kishte krijuar mundësi Konsullit, ta pyeste rreth bisedimeve të tij, me Prengë Bibë Dodën.(260)
Por, konsullata austro-hungareze ishte në dijeni të bisedimeve të jo të drejtpërdrejta të autoriteteve me djalin e Bibë Dodës. Valiu i ishte drejtuar Ipeshkëvit të Lezhës, Monsinjor Malçinskit, i cili para pak kohe u kthye nga Roma, në postin e tij dhe Prefektit të Misionit Françeskan të Epirit, Padre Mariano de Pamanuova, që me ndihmën e tyre, ta kandisin Kapidanin e ri të Mirditës, që të nënshtrohet dhe të shkonte në Shkodër. Me këtë rast, atij i qe premtuar amnisti e plotë, njohje e gradës së “Miri-Miranit“ dhe pagimi i rrogës, që i takon kësaj grade.
Në qoftë se Prenga do ta bënte këtë hap, atëherë në bazë të këtij nënshtrimi, mund të vihet në rrugë një marrëveshje e mëtejshme, mbi njohjen e tij si shef i mirditasve dhe mbi vërtetimin e autonomisë së vjetër të vendit. “Unë,-vazhdon konsulli,- do ta quaja si një fitore, që nuk duhet nënvlerësuar, por si zor ta besojë Prenga Valiun, pa sigurinë e mjaftueshme, si zor ta bëjë. Unë do ta ndjek me shumë kujdes, zhvillimin e mëtejshëm të çështjes së Mirditës dhe do ta shfrytëzoj çdo rast të përshtatshëm, që të përkrah pajtimin reciprok që është duke u përgatitur”. (261)
Ndërsa vazhdonte gjendja e nderë me Mirditën, Porta e Lartë, po përgatitej për luftën e radhës me Malin e Zi. Me 21 nëntor të vitit 1877, filloi përsëri lufta malazezo-turke dhe me këtë rast, Prengë Bibë Doda, i shkroi Princ Nikollës se; “Mirditësit, ishin të gatshëm të rroknin armët”. (262)
Gatishmëria e luftëtarëve mirditas për të shfrytëzuar çdo rast për t’i shporrur turqit nga Krahina, vuri në lëvizje diplomacinë austriake, e cila ishte e interesuar që malazezët, ta humbin luftën dhe t’i pritej hovi zgjerimit të ndikimit sllav, në trevat shqiptare.
Konsulli i Përgjithshëm i Austrisë, Lippih, i ardhur nga Vjena me udhëzime krejt të freskëta, e këshilloi Prengën, që me një kontingjent mirditasish, t’i ofronte Turqisë ndihmën e tij kundër malazezëve. (263)
Me ndërhyrjen e diplomatëve të Fuqive të Mëdha, Porta e Lartë, shpalli faljen e Prengë Bibë Dodës dhe anulloi vendosjen e administratës osmane në Orosh. Mirditasit u kthyen në shtëpitë e tyre të djegura, por armët nuk i dorëzuan. (264)
Pas faljes zyrtare, me datën 30 prill, Prengë Bibë Doda i kishte shkruar Valiut, se; “ishte mirënjohës për faljen që i kishin bërë autoritetet turke”. Faljen e tij, e kishte deklaruar Ministri i Jashtëm i Perandorisë Osmane, në prani të Ambasadorit të Francës në Stamboll. Megjithatë, ndalimi i armiqësisë ndërmjet mirditasve dhe Portës, nuk e zgjidhi konfliktin e krijuar. Konsulli francez, mendonte se; “vetëm duke e njohur Prengë Bibë Dodën, si kryetar të ligjshëm të mirditasve, Porta mund të largojë nga joshjet dhe komprometimet e tjera”. (265)
“Me komprometime të tjera”, diplomati francez nënkuptonte veprimet destabilizuese, që mund të ndodhnin në të ardhmën nën nxitjen e faktorëve të jashtëm, kryesisht serbë e malazezë. Ndërkohë, pasi u garantua se ishte në mbrojtjen e Fuqive të Mëdha, Prengë Bibë Doda, ra në Shkodër dhe u prit nga Valiu. Me datën 18 maj 1878, Prengë Pasha, i shoqëruar nga kushëriri i tij, Kapidan Gjon Marku, u prit nga Valiu i Shkodrës, Hysen Pasha, me të cilin pati një bashkëbisedim të shkurtër dhe menjëherë, iu kthye vizita që u zhvillua në mënyrë të dukshme. (266)
Porta e Lartë, vërtetë e fali Prengën, por nuk e njohu si Kreun e Mirditës, megjithatë tani që ishte në Shkodër, Krahina vepronte krejtësisht nën urdhrat e tij. Ky qëndrim i autoriteteve, nuk e pengoi që Kapidani të mbante marrëdhënie me krerët mirditas dhe të kryente funksionet e Kreut tradicional të tyre, në zbatim të Kanunit të Maleve. Në ato kushte, Mirdita vazhdoi të vetëqeverisej nga krerët e vet, duke mbetur edhe më tutje e pa qeverisur, nga autoritetet. Mungesa e një qeveritari që të njihej nga popullsia e atjeshme, e bëri trevën edhe më të pavarur nga Porta e Lartë. Mirditasit, ishin të vendosur që pa njohur Prengë Bibë Dodën, si të parin e tyre, mos të kishin asnjë marrëdhënie me qeverinë. Pra, pa Prengë Bibë Dodën, ndikimi i shtetit osman në Mirditë, pothuajse nuk ekzistonte.
Porta nuk dha shenja se po shkonte drejt pajtimit përfundimtar me Mirditën. Me 10 dhjetor 1878, kajmekam atje, emërohet Jusuf Sokoli. Në lidhje me këtë zhvillim, konsulli austro-hungarez në Shkodër, njofton Vjenën: “Kam nderin t’u njoftoj marrjen e re skriptit të Shkëlqesisë suaj, me 29 të vazhduesit, e kopjen e bashkangjitur të lajmit të Shkëlqesisë së Tij z. Ambasador, Kont Zichy me 9 të vazhduesit Nr. 89: “Mbi dërgimin në Mirditë të kajmekamit Jusuf Sokoli. Marr lejen të theksoj edhe një herë, si kundërpërgjigje të telegrafës së Hysen Pashës, drejtuar ish Vezirit Savfet Pashës, se gjoja “masa e kërkuar nuk përmbante asnjë ndryshim të “status quo-së”, pse edhe herë të tjera ishin dërguar në Mirditë, kajmekamë turq e aty, e kishin ushtruar atë funksion.
Dërgimi i Jusuf Sokolit në vetvete, përmbante një gjë të re, e prandaj e ndryshonte gjendjen e deritashme, pse me të vërtetë ishin emëruar kajmekamë në Mirditë, por kurrë se kishin ushtruar detyrën atje. Deri sa vdiq, Bibë Dodë Pasha, i cili ishte i njohur prej Portës si kryetar i Mirditës (d.m.th. deri në vitin 1867), nuk ishte emëruar asnjë kajmekam. Mbas vdekjes së tij, e sidomos kur Prengë Pasha, ishte në Stamboll, filluan të emërohen kësij “pro forma”, nder të cilët kam nderin të përmend Hajdar Agën, Reshit Beun, Jusuf Efendin e Dervish Beun, por asnjëri sish nuk e ushtroi atë funksion në Mirditë, pse ajo kurr s’i ka njohur, kanë qenë të gjithë si me thënë, “in partibus infidelium”, puna më e madhe e të cilëve, ka qenë me marr rrogën; e natyrisht të emëruarit ishin miqtë e qeveritarëve të përparshëm, të cilët nëpërmjet atij titulli, fitonin dhe diçka si bakshish për vete.
Se si ka ardhur puna që mbas kthimit të Kapidan Pashës, të kapërthehen punët më tepër, nuk është për t’u përmendur sot. Nuk është vetëm një ndryshim politik i “status quo-së” në Mirditë, por edhe ndryshim ushtarak, pse në vend të batalionit që gjendej në Kashnjet në kohën e Kongresit, zyrtarisht e njoftoi shkarkimin e tij, vijon gjithnjë ta mbajë në atë vend e kështu mundësisht, ka përgatitur ngjarje të tilla, që krijojnë përshtypjen e bashkëpërgjegjësisë në gabimet e Hysen Pashës”. (267)
Koha provoi se; as Jusuf Sokoli, nuk mundi që të qëndronte në Mirditë dhe mori plaçkat e iku. Në vend, qëndroi vetëm majori i xhandarmërisë, Dodë Gega. (268)
Si pretendent për postin e kajmekamit, u pa Prengë Kola, djali i Kapidan Kolës, që konsulli anglez e kishte sjellë me vete nga Cetina dhe që kishte marr urdhër, të shkonte në Stamboll. Ka shumë mundësi që, Konsulli i Përgjithshëm i Anglisë, duke i dhënë dorën qeverisë turke, të synonte nxjerrjen e një konkurrenti për Prengë Bibë Dodën, që ta përkrahte Ambasada e tij. Ky mirditas, duket se ishte marrë vesh me të, sepse siç më kanë thënë, është shumë ambicioz. (269)
Përpjekjet për emërimin e Prengë Kolës, nuk patën rezultat dhe në vend të tij, u emërua Mahmut Aga, por emërimi i tij ishte parë me sy të keq, nga shumica e mirditasve dhe kishte rrezik që të bëhej shkak, për disa ndërlikime serioze në vend. (270)
Në lidhje me këtë emrin, Konsulli francez në Shkodër, shkruan: “Si pasojë e emërimit të një kajmekami turk dhe të Kapidan Prengë Kolës, si këshilltar të tij, në Mirditë, po mbretëron një fatkeqësi e madhe”. (271)
Në vitin 1879, Porta e Lartë, e emëroi Kapidan Kolën, Muhavin (Këshilltar pranë një qeveritari osman). Kapidan Kola, ishte babai i Prengë Kolës dhe i biri i Prengë Markolës. Kola, nuk pati ndikim në Mirditë dhe në vitet e para të krizës ballkanike, qëndroi në Mal të Zi, nën ndikimin e Krajl Nikollës. Po t’i besojmë sigurisë së gerentit konsullor të Francës z. Pons, mbi iniciativën e z. Fourniers, nëpërmjet Safvet-it, përsa i përket pyetjes mbi misionin e Jusuf Sokolit në Mirditë, Hysen Pasha, kishte për ta mohuar pa tjetër, sepse ai edhe tani ngul këmbë se; “kajmekamët edhe përpara, kanë qeveris në Mirditë, e emërimi i të tashmit, nuk formon një “status quo”.
Hysen Pasha, ka dhënë aq shum prova të hipokrizisë së vet, sa një më pak, a më shumë, nuk çon kandar. Është për t’u vajtuar fakti se si Porta e Lartë, megjithëse kundërshtar i vendosur i turqve, në vitin 1876, Kola u vu në krye të lëvizjes në Mirditë. Gjatë viteve të lëvizjes, ai la në Malin e Zi, të birin Prengën, i cili qëndroi në atë vend, si ordinancë e Nikollës deri në vitin 1879. Pas shtypjes së kryengritjes nga turqit, Kola qëndroi në mal, si shumë mirditas të tjerë dhe bashkë me ta e nën drejtimin e tij, u sulmua Jusuf Sokoli, në nëntor të vitit 1878. “Kapidani i Mirditës, Kola”,- shkruan Konsulli i Francës në Shkodër, është dalluar gjithmonë për armiqësi kundër turqve dhe deri më tani, nuk ka pranuar t’i nënshtrohet qeverisë osmane. Së fundit, Hysen Pasha ka caktuar një çmim, për kokën e tij. (272)
Valiu kishte thirrur Dodë Gegën dhe krerët mirditas, që ishin rrogëtar të Turqisë dhe u kishte bërë të qartë se dëshiron “t’i sjellin 150 mirditas, nga 30 burra për çdo flamur, të cilët duhet t’i sillnin të gjallë ose të vdekur, Kapidan Kolën”. (273)
Konsulli i Anglisë, pasi i siguroi nga Ali Hajdar Pasha lejekalimin, e thirri Kolën në Shkodër. Në fund të shtatorit të atij viti, Kola me shumë mirditas, shkoi në Shkodër për t’u takuar me Konsullin. Këtu mori vesh se, ia kishin larguar të birin nga Mali i Zi dhe e kishin urdhëruar, të shkonte në Stamboll, pasi e kërkonte Sulltani. Duke parë se ishte i tradhtuar nga Konsulli anglez, natën e 5 tetorit, pa njoftuar njeri, Kola iku në Mirditë, për të organizuar rezistencën. (274)
Emërimi i Kolës si Muhavin i kajmekamit, Mehmet Aga, bëri mjaft përshtypje në konsullatat e huaja, të akredituara në Shkodër, në banorët e atij qyteti, si dhe në Mirditë. Mirditasit, menduan se u “shit Kola”, kurse konsujt e huaj, veçanërisht ai i Francës dhe i Austrisë, u indinjuan me Guvernatorin, pse nuk po zbatonte protokollin e Berlinit, për Mirditën. Emërimi i Mehmet Agës si Kajmekam dhe Kolë Prengës, si zëvendës i tij, u pa si një provë për të nënshtruar Mirditën dhe për ta përçarë Lidhjen Shqiptare. (275)
Në lidhje me situatën e krijuar në vend, revista “La Guerre d’Orient”, shkruan: “Nji telegram prei Stambolli, na lajmon se me 7 maj, kryengritja kje shue krejt. A asht e vërtetë? Qe rrjedhja e grindjes: Kjo u përtri pse të mirditasit, nuk ndigiuen me i dhanë Tyrkis, ndihmën e zakonshme në luftën kundra Malit Zi. Kundërshtimi kje ngacmue nga Sulltani, i cili desht me vu në këmbë të Kryetarit trashëgimtar të fisit të Gjomarkaj, nji kajmekam”. (276)
Nga “miqësia” në armiqësi me Malin e Zi
Malazezët nuk i donin mirditasit dhe i shihnin ata si pengesë, drejt realizimit të projekteve të tyre, për t’u shtrirë drejt trojeve shqiptare, por as mirditasit, nuk i donin malazezët. Historia e marrëdhënieve në mes të tyre, është e mbushur me luftëra, ku paraardhësit e Prengë Bibë Dodës, në aleancë me Bushatllinjët, e kanë sulmuar dhe nënshtruar disa herë këtë vend, për llogari të Sulltanit. Në nënshtrimin e Malit të Zi, kishte marrë pjesë dy here, Kapidan Prengë Lleshi, në vitet 1790 dhe 1795 dhe pas tij, Bibë Doda në vitin 1852.
Ja çfarë thuhet në kronikën e vdekjes së Mahmud Pashës, në vitin 1796: “Luftoni o mirditorë! Hakmerruni për Pashain që mbeti i vetëm, sepse ju, nuk ishit atje…O mirditorët e mij trima, hakmerruni për Pashain tuaj, sepse po të kishit qenë ju në fushën e betejës, ai nuk do të kishte mbetur vetëm … Përpara mirditorët e mij trima! Bëjini këta të pabesë, që tu rrjedhi lot gjaku, për tu hakmarrë për Pashain…”! (277)
Betejat e shqiptarëve me malazezët, kishin zënë vend edhe në faqet e shtypit europian. Në revistën “Leka”, është ribotuar një artikull i revistës “La Guerre d’Orient”, ku shkruhet: “Në qershor të vitit 1876, mirditasit kundërshtuan mobilizimin për të luftuar kundër Malit të Zi, përderisa nuk do të kishin në krye, djalin e Bibë Dodës. Mirdita kje grishë të marri pjesë”. (278)
Ata deklaruan se ishin të gatshëm ta dërgonin kontigjentin e tyre, porsa t’ua kthejnë të riun Prengë Doda. (279)
Pra mirditasit, ishin të gatshëm të luftonin për Sulltanin, me kushtin që t’u respektohej vetëqeverisja tradicionale. Nga ana tjetër, Austria bëri shumë përpjekje, për ta larguar Prengën nga ndikimi i Malit të Zi.(280)
Sidoqoftë, në prill të vitit 1776, Princ Nikolla, u dha të dërguarve të Prengës 6 mijë franga dhe i porositi të rrinin të qetë. (281)
Në mungesë të ndihmave nga ndonjë shtet tjetër, mirditasit qenë të detyruar, t’u shtrinin dorën malazezëve, duke qenë të detyruar, të trokisnin në çdo derë. Malazezët po i ndihmonin mirditasit në luftë, se në plan afatgjatë, mendonin se ajo luftë do të përfundonte me shkretimin e Mirditës, kështu që do të nxirrnin përfitime, nga pakësimi i fuqisë luftarake të saj.
Prenga i dinte këto synime, prandaj kur filloi lufta malazezo-turke, e mbajti Mirditën jashtë konfliktit, mirditasit nuk lëvizën dhe e lanë ushtrinë turke të qetë, në prapavijë. Pas vendimit të Fuqive të Mëdha, për t’i dhënë Malit të Zi territoret shqiptare, mirditasit, pavarësisht nga rezervat që kishin ndaj qëndrimit që ishte mbajtur ndaj kryengritjes së tyre, u bashkuan me forcat e tjera shqiptare. Formimi i njëfarë vetëdije kombëtare, do të ketë qenë një faktor për këtë qëndrim.
Ndryshe mendonte konsulli austriak, Lippih, sipas të cilit; “një nga arsyet që e shtynë Prengë Bibë Dodën, të pranonte afrimin me Lidhjen Shqiptare, ishte shqetësimi që po ndjente, ngaqë Porta e Lartë ato ditë, po ngulte këmbë që ta zëvendësonte autoritetin e Kapidanit mirditor, me një mydir qeveritar”. (282)
Ky fakt, nuk do të shërbente për ta afruar Kreun e Mirditës, me autoritetet osmane, përkundrazi, do ta largonte atë më shumë. Vetë zhvillimet e ngjarjeve, kishin shtruar nevojën e bashkimit të faktorit shqiptar dhe Mirdita, nuk mund të qëndronte mënjanë në këtë proces. Kur krerët e Hotit, Grudës dhe të Kelmendit, si dhe shumë katolikë të Shkodrës, shkuan dhe i kërkuan që ai të vihej në krye të tyre, Kapidani, para se të jepte fjalën, dëshironte të shihte se cilat ishin dobitë që do të kishte vend i tij dhe ai vetë nga ky angazhim. (283)
Natyrisht, Prenga si politikan, donte të nxirrte përfitime nga kjo lëvizje e re e tij, por gatishmëria e treguar për luftë kundër malazezëve, dëshmon se nuk kishte patur asnjëherë “muaj të mjaltit”, në mes të Mirditës e Malit të Zi dhe përpara përfitimeve nga bashkëpunimi me malazezët, për të ishte më mirë një përfitim më i vogël, por që e përfshinte Mirditën, në lëvizjen shqiptare.
Në kushtet e gatishmërisë së Kreut, për të luftuar kundër malazezëve, kushtrimi i lëshuar nga Nën komiteti i Shkodrës, u ndje fort në Mirditë. Kuvendi i Shpalit, i 27 prillit 1880, vendosi që Mirdita, të kontribuonte me një kontingjent prej 2500 burrash nën armë. Kontingjenti i parë prej 800 luftëtarësh, u nis që të nesërmen me 28 prill dhe u përkiste bajrakëve të Oroshit, Spaçit dhe Kuzhnenit. Me 4 maj, u nis edhe kontingjenti i dytë. Mirditasit u mblodhën në Kallmet, për një pushim të shkurtër dhe, të veshur me kostum kombëtar, hynë në mënyrë demonstrative në Shkodër, sikur të mos kishte asnjë pushtues në atë qytet.
Pasi pushuan dy ditë në Shkodër, me 6 maj, u nisën nga Kastrati e kaluan me lundra nga skela e Hanit të Hotit dhe prej andej, hynë në Tuz. Me mbërritjen e mirditasve në atë qytet, forcat kryengritëse shqiptare, u bënë me 12 mijë vetë dhe tashmë ishin të gatshme, që t’i kundërvihen me forcë qëllimit të përfaqësuesve të Fuqive të Kongresit të Berlinit. (284) Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
- Kolona Çekald, Konsull i Francës në Shkodër-Dukës Dekaz, Ministër i Punëve të Jashtme në Paris, Shkodër, 26 tetor 1877, , Shqipëria në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, vëllimi I
- Fatos Mehdi Daci, Burrat e mëdhenj të Dodajve, Tiranë 2011, f.54
- AIH, Vj.30-68 (HHStA, PA, A, Nr.19), Raport i Konsullit austro-hungarez në Shkodër, Lippich drejtuar Ministrit të Punëve të Jashtme, Kontit Andrassy në Vjenë lidhur me situatën në kufjtë e Perandorisë Osmane me Malin e Zi, Shkodër më 11 mars 1878, shih f, shih Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet austro-hungareze, Vëllimi I, botimet “Albanica”, Tiranë-Prishtinë 2008, f..33.
- AIH, Vj.30-75 (HHSTA, PA,A, Nr.43) Relacion i Konsullit Lippih nga Shkodra për Ministrin e Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë, rreth situatës në Mirditë, Shkodër, më 11 maj 1878, shih Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet austro-hungareze, Vëllimi I, botimet “Albanica”, Tiranë-Prishtinë 2008, f.78
- HHStA-PA-Vj.30-75, Relacion i konsullit austro-hungarez në Shkodër Lippih drejtuar Ministrit të Punëvë të Jashtme Ahrental në Vjenë, Shkodër me 11 maj 1878, shih Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet austro-hungareze, Vëllimi I, botimet “Albanica”, Tiranë-Prishtinë 2008,f.78-79
- Kolona Çekald, Konsull i Francës në Shkodër-Dukës Dekaz, Ministër i Punëve të Jashtme në Paris, Shkodër, 27 nëntor 1877, Ligor Mile, Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet franceze, vëll. I-II, Tiranë: 1978-1979
- Kolona Çekald, Konsull i Francës në Shkodër-Dukës Dekaz, Ministër i Punëve të Jashtme në Paris, Shkodër, 20 dhjetor 1877, Ligor Mile, Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet franceze, vëll. I-II, Tiranë: 1978-1979
- Kolona Çekald, Konsull i Francës në Shkodër, Vedington, Ministër i Punëve të Jashtme të Francës, Shkodër 4 maj 1878, Shqipëria në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, vëllimi I
- Shqipëria në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, vëllimi I
- AIH, Vj. 30-3-367 (HHStA, PA, A, Fk. 344-345, Relacion i konsullit austro-hungarez në Shkodër Lippih për Ambasadorin e Austro-Hungarisë ën Stamboll, Kontin Zicchy për situatën në viset shqiptare, Shkodër 24 maj 1878, f.88-89
- Lippih, konsulli austro-hungarez në Shkodër drejtuar Ministrit të Punëve të Jashtme në Vjenë, Shkoder, 10 – XII – 1878 , marr nga “Leka”, revistë mujore kulturale, Nr.VII-XII, vjeti 1939, numër i veçantë Lidhja e Prizrenit, f.192-193
- Udhëzime të Ministrit Andrassy dërguar konsullit austro-hungarez në Shkodër Lippih, Tiszabod 24- XII -1878, marr nga “Leka”, revistë mujore kulturale, Nr.VII-XII, vjeti 1939, numër i veçantë Lidhja e Prizrenit, 202
- Lë Re, Konsull i Francës në Shkodër, Furniesë, Ambasador i Francës në Stamboll. Shkodër me 5 tetor 1879, AIH, Dokumente franceze, Vol.21,fi.353r-357v.
- Lë Re, Konsull I Francës në Shkodër, Vedingtonit Ministër i Jashtëm i Francës, 25 tetor 1879, AIH, Dokumente franceze, Vol.21,fi.353r-357v.
- Lë Re, Konsull I Francës në Shkodër, Vedingtonit Ministër i Jashtëm i Francës, 14 nëntor 1879, AIH, Dokumente franceze, Vol.21,fi.353r-357v
- Lë Re, Konsull I Francës në Shkodër, Vedingtonit Ministër i Jashtëm i Francës, 14 nëntor 1879, HHStA-Pa-Vj-1.11, Nr.1, Raport I konsullit të Austro-Hungarisë Lippih dërguar baronit Henrich Von Haymerle, Shkodër më 14 dhjetor 1880
- Relacion i Lë Re, Konsull i Francës në Shkodër dërguar Furnies, Ambasador i Francës në Stamboll, Shkodër me 12 prill 1879, AIH, Dokumente franceze, Vol.21,f.353r-357v. 274. Relacion i Lë Re, Konsull i Francës në Shkodër dërguar Furnies, Ambasador i Francës në Stamboll, Shkodër me 12 prill 1879, AIH, Dokumente franceze, Vol.21,f.353r-357v.
- HHStA-Pa-Vj-1.11,Nr.1, Raport i konsullit të Austro-Hungarisë Lippih dërguar baronit Henrich Von Haymerle, Shkodër më 14 dhjetor 1880
- La Guerre d’Orient in Europa e in Asia, Nr. 4 f. 35, marr nga « Leka », revistë mujore kulturale, Nr.VII-XII, vjeëti 1939, numër i veçantë Lidhja e Prizrenit, shtyp «Zonja e Papërlyeme», f.202 277. Haycynthe Hecquard, Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së Epërme, f.443
- La Guerre d’Orient in Europa e in Asia, Nr. 4 f. 35, marr nga “Leka” , revistë mujore kulturale, Nr.VII-XII, vjeëti 1939, numër i veçantë Lidhja e Prizrenit, shtyp , ”Zonja e Papërlyeme”, f. 202
- Kolona Çekald, Konsull i Francës në Shkodër-Dukës Dekaz, Ministër i Punëve të Jashtme në Paris, Shkodër, 14 korrik 1876, Shqipëria në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, vëllimi I
- Kolona Çekald, Konsull i Francës në Shkodër-Dukës Dekaz, Ministër i Punëve të Jashtme në Paris, Shkodër 8 mars 1877, Shqipëria në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, vëllimi I
- Kolona Çekald, Konsull i Francës në Shkodër-Dukës Dekaz, Ministër i Punëve të Jashtme në Paris, Shkodër, 5 prill 1877, Ligor Mile, Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet franceze, vëll. I-II, Tiranë: 1978-1979
- Raport i Lippih, Konsulli austro-hungarez në Shkodër, Nr.65 dretjtuar Minsitrisë së Punëve të Jashtme në Vjenë, Shkodër, 18 korrik 1878, Shqipëria në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, vëllimi I
- AMAE CPC Konsullata e Francës në Shkodër, vëllimi 22, f.81r-84r
- Eqrem Bej Vlora, Kujtime,…f.f.163
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016