Nga Ahmet Bushati
Pjesa e dyzetetre
Memorie.al / Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postrribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.
Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindit që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.
Në Gjurmët e një ditari
Shumë numra humori ishte në gjendje të realizonte Pjetër Saraçi, i ndihmuem edhe prej nji plastike që kishte fytyra e tij e madhe, me nji mish të pa muskuj e si të lëshuem, si dhe për dy sy të tij që shpeshherë u zvoglojshin, tue mos shikue të dy në nji pikë, e tue ba gjithashtu që fytyra t’i merrte trajta nga ma të deformuemet e qesharaket, sa herë që t’iu tekte atij. Imitonte me sukses gra të pakënaquna, që me zanin e tyne të hollë u ankojshin para tjerave, tue marrë asi pozash që meshkujve zakonisht nuk iu dukën dinjitoze, por që ai i bante prej dëshirës për të kënaqë të tjerët.
Më kujtohet nji rast kur Pjetrin e lajmuen se e shoqja – jashtë radhës – i kishte ardhë në takim. Në vend që ai të shpejtonte -si bajshin zakonisht të burgosunit ndër raste të tilla- ai po vononte tue rrëmue ndër plaçka në kërkim të nji sendi e, pa u merakosë aspak për kohën që kalonte e as për fjalët tona:
“Po ti shpejto mor Pjetër, se u vonove”! e pa mendue edhe se polici, prej padurimit, mund t’ia shkurtonte kohën e takimit që ishte gjithmonë prej pak minutash. Në fund, doli se ai kishte kërkue nji peshqir që i ishte qenë ngaterrue ndër plaçka. Mbasi e gjet, mbështolli me ngadalë krye e fytyrë dhe ashtu si karnaval e grue e keqe, i doli të shoqes në takim. Unë, për ta ndigjue se çdo t’i thonte asaj, i shkova përmbrapa e vuna veshin te dera, që Pjetri ndoshta me qëllim e kishte pasë lanë pak të hapun. Nuk kishte burrë të mbante gazin kur Pjetri, me nji za të llastuem gruaje llafazane, do t’i thonte të shoqes: “Po kush je ti moj grue? Po emnin si e ke ti”? e në vazhdim: “Ça ke ti moj që më don?! He, ça ke? Difto pse ti më…”, e përralla tjera me të cilat Pjetër Saraçi do të mbushte “minutazhin” e çmueshëm të takimit, që ishte nji herë në dy javë.
Këto e shumë të tjera realizonte Pjetër Saraçi për të na kënaqë ne, e si mbas tij, edhe të shoqen kur kishte rast. Simon Harapi, do të ishte nji ndër ata të burgosun me të cilët unë qeshë miqësue qysh në ditët e mia të para. Burgu, si vend i jetës e fateve të përbashkëta, do të zhdukte shumë nga diferencat që ekzistojnë mes njerëzve, si moshë, kulturë, prejardhje, botëkuptim etj., Simoni, njeri i qetë, i matun e tepër i rregullt në çdo gja, pjesën ma të madhe të kohës, do ta kalonte i tërhequn në vetminë e tij, dhe unë kisha përshtypjen se ai gjatë asaj kohe, veç mendimit për familje, mund të evokonte edhe nji të kalueme të tij rinie të largët, me të fshehtat që kishte pasë nji dashuni e pastër e platonike e tij, që mue ma kishte besue.
Në këtë dhomë burgu u ndodhte edhe Ragip Lohja, vëlla ma i vogël i Hysen Lohjës, edhe ai i burgosun, por që në atë kohë u ndodhte në kamp pune. Ragipi dikur kishte përfaqësue Shqipninë në Paris, në garën e njiqind metrave shpejtësi. Edhe Shaqir Omari në atë dhomë ishte, për të cilin u thonte se ishte shumë bujar e, se i shkonte muhabeti me të gjithë, pavarësisht moshës. Me qenë se ai kishte shkue jetën nëpër Malci, kënaqësi te ai njeri duhet të gjejshin malcorët në veçanti.
Në nji dhomë me ne u ndodhshin edhe disa postrribas të vjetër, ndër të cilët Isuf Hasani prej Urës së Shtrenjtë, që me trup vinte i shkurtë e i shëndetshëm, që ishte trim e besnik i sprovuem, si dhe i lidhun me disa shtëpi të para në Shkodër. Isuf Hasani ishte shumë i squt e vazhdimisht me humor të mirë, dhe pavarësisht moshës, si ma i vjetri në atë dhomë, në të njajtën kohë do t’ishte aq i shkathët e i zoti fizikisht, sa që si nji atlet i vërtetë, nga pozicioni ndejun – këmbëkryq – t’u hidhte si top pupthi gjatë disa metrave nëpër dysheme, pa u pasë mbështetë me duar poshtë e së fundi, t’u çonte në kambë i ndezun flakë e, pa u falë sekondin, t’u shkonte para shokëve të tij postrribas, – që me vende vijshin rresht njeni mbas tjetrit – tue u tundë njenën dorë e, tue u folë gjoja si me nerva: “Çonju ju tash e, bani këtë që bana unë”!
Njeni ndër ata postrribas që do t’i pëlqente me u ngacmue me Isuf Hasanin, do t’ishte plaku tjetër, Çelë Murati, që në krye të tyne, kishte zanë njenën qoshe dhome. Çela, që me trup vinte i hollë e i gjatë e që ishte i squet, miqësor e me humor, me Isuf Hasanin do të gjente rastin, që pa iu mshehë të tjerëve, t’i kujtojshin shoqishojt edhe “store” nga të rinisë së tyne të kahershme, gja për të cilën Isuf Hasani, ishte edhe ma i gatshëm se Çela.
Aty edhe Myrto Dani, bajraktar i Drishtit, nji babaxhan i vërtetë e i dashtun si zor ndoj tjetër, i cili për sa kohë që të bisedonte me ndonji njeri, do t’i qëndronte atij me buzë në gaz. Aty gjithashtu edhe Abdullah Saiti, biri i bajraktarit të Rasekut, Sait Dulit, heroit të “Kryengritjes së Postrribës” përmbajtun e bujar, që mbante pranë vetes e ndihmonte nji kosovar prej Malcisë së Gjakovës, me emnin Xheme Sadria, nji trim i vërtetë, siç do të tregojshin ata që e kishin njohë qysh ma parë. Aty edhe Nuz Halili, Dervish Nuzi e ndonji tjetër postrribas, kurse Hajdar Tafa, Muho Fetahu, Emin Zyberi, Selim Rraci, Shaban Hyseni etj., etj., duhet t’ishin ndër dhomat e tjera të burgut, pa folë edhe për të tjerë postrribas, që në atë kohë u ndodhshin në kamp të Orman-Pojanit. Diku ngjitë me ta ishte edhe Abdulla Salihi i Pukës.
Numër i veçantë, jo vetëm për nji dhomë burgu, por për nji burg të tanë, do t’ishte Jakë Gjoni prej Jubanit. Jaku ishte shumë i squet e si i thojnë, “i rrahun me vaj e ufull”, shejtani vetë, po në të njajtën kohë edhe i mirë e besnik, që gëzonte simpatinë e të gjithëve, për tipin tepër interesant e të veçantë që kishte. Do t’ishte e mjaftueshme edhe vetëm prania e tij, që tjetri të fillonte me qeshë para kohe, tue pasë parasysh se ai nuk u largonte pa pasë lëshue ndonji nga ato batutat e tij inteligjente e origjinale, që gjithmonë do të të bajshin me qeshë të tjerët, të cilat Jaku, po t’ishte nevoja, do t’i realizonte edhe me rimë. Jaku nuk kishte shkollë, por goja i grinte si e nji oratori të vërtetë e, me talent!
Po ta ngacmonte ndokush, gja që Jakut i pëlqente si pretekst për t’u futë në lojë, e replikat e improvizueme aty për aty prej tij, gjithmonë të squeta e me humor, disa herë edhe në vargje e me rimë, do të bajshin që të pëlciste gazit nji dhomë burgu. Të kishte pasë shkollë Jakë Gjoni, me siguri që do të kishte ba emën në fushat e humorit e poezisë, pa përjashtue edhe atë të skenës. Jaku e pranonte sfidën e cilitdo dhe nuk u largonte prej “arenës”, për pa qenë ai i fundit që të kishte folë. Ka pasë raste që nji vjershë të ndigjueme prej tjetrit, Jaku ta përsëriste mbrapa pa gabime. I pashkollë siç kishte qenë, vetëm me të ndigjueme, kishte mësue përmendësh librin fetar “Genovefa e Berbantit”, që do të na e thonte deri në fund me pikë e me presje.
E luente “damën” si mjeshtër i vërtetë, por po të ndodhte që të humbte, ai u bante shumë nervoz e kërkonte të justifikonte humbjen në mënyrë të pa arsyeshme. Në nji rast të tillë, mezi do të pritshin që mbi shpinë të Jakut, t’u lëshojshin të gjithë ata që kishin qëllue aty pranë, e Jaku nga ana tij, i gatshëm e i fortë si përherë, nuk do t’u mbrapste nga fusha e luftës pa u pasë marrë me të gjithë ata, nji për nji. Apo s’liste shejt! I grinte goja si motor. Deri edhe zanin e kishte të hollë si za gruaje. Jaku hante shumë, ma shumë se kushdo tjetër aty. Vetë tregonte se si një herë, kur njerëzit e shtëpisë e kishin pasë ngarkue me detyrën e shkrimjes së yndyrës së thiut, ai kishte pasë ngrënë aq shumë prej tij, sa siç tregonte vetë, seriozisht që kishte qenë tue plasë.
Tri herë kishte ra në burg Jakë Gjoni, për politikë! Nji herë do të na fliste: “Sa herë që kalojshe i lidhun e me policë nëpër rrugë të Shkodrës, i shiqojshe njerëzit ndër sy, edhe pse nuk i njifshim, vetëm me u diftue se nuk kishim frikë”. Qyfyret e Jakë Gjonit janë pa fund, po unë s’pakut po tregoj edhe nji, si mbas gojës së vetë Jakut: “Nji hetues shumë i keq po më binte bam-bum-e, bam-e-bum, pa u ndalë hiç. Edhe unë q’itshim e s’qitshim asnji fjalë prej gojet. Dikur ai hetuesi u lodh e u mërzit dhe e la atë punë me aq. Atëherë unë e pyeta: A mbarove-a’? dhe ai m’u përgjegj: Po, ç’ke ti’?! Mandej unë i thashë: Ndigjo, unë e di atë që kërkon ti prej meje, e prej inatit, s’ta diftoj aspak”!
I mirë ose jo, por gjithsesi tip i veçantë në atë dhomë burgu, do t’ishte edhe njifarë Gjush Pistullit, që s’pushonte kurrë se foluni, veç kur të flinte e që në zemrën e tij fashizmi – edhe pse i dalun modet e i përbuzun prej të gjithëve – kishte lanë nji vatër të pashueme zjarri. Tue gjestikulue me duar e tue nxjerrë përjashta do dhambë të mëdhaj që kishte, Gjushi do të na u afronte miqësisht në të rinjve e, si prej nji palkoje, do të thirte disa herë me zë: “Ei, ei, voi giovani”! Ose hera-herë, do të na u drejtonte tue tundë grushtin përpjetë e tue na quajtë gjithë entuziazëm: “Gioventú, gioventú”!
Kishte raste mandej, kur do të na deklamonte edhe vargje nga himni i rinisë fashiste: “Giovinezza, giovinezza/ Primavera di bellezza”, e sado që unë disa herë t’i kisha thanë: “Gjush, fashizmi kudo në botë ka marrë fund nji herë e përgjithmonë e, se ne e kemi pasë luftue atë edhe ma parë, e me dalë nevoja‚ e luftojmë prap”. Po, a mos i hyjshin në vesh Gjushit këto fjalë të mia?! Aspak.
Kur s’i pëlqente, bante sikur nuk i ndëgjonte e, për t’mos prishë qejf e lanë shtegun e hapun me ne, u largonte tue qeshë. Ai, ndonëse, ishte tip disi “sfacciato” (i pafytyrë) e fashist i bindun, e siç thojshin, ndoshta edhe ndonj gja tjetër, pavarësisht të gjithave, në të njajtën kohë, si njeri, ishte edhe i dashtun. Kthimi i Man Qehasë si i sëmurë prej kampit të Orman Pojanit në këtë kohë, do të kishte randësinë e vet për ne të rinjtë që u ndodhshim në nji dhomë me shumicë pleqsh e burrash të sëmurë, sado të mirë që të ishin ata.
Ka qenë kjo kohë kur unë me “galop” po fitojsha shëndet, sepse hajsha shumë e me oreks e se gjithashtu, nga një ditë në tjetrën, po merrsha edhe fuqi. Gjatë dy orëve në ditë që luejshim basketboll me porta futbolli, unë s’pushojsha asnjiherë së lëvizuni dhe, me shkëputje, isha në gjendje t’u fitojsha shumicën e topave në ajër edhe të gjatëve Gani Ymerit e Paulin Pali, kundërshtarë në lojë me mue, aq sa Gania shpeshherë do t’u bante nervoz me vete e me mue, kurse Paulini, disa herë të kishte vue duart në bel, tue thanë si me çudi: “Si asht e mundun”?! Ishte kjo periudhë gjatë se cilës unë po u merresha seriozisht edhe me përmirësimin e italishtes time.
Nji ditë aty në dhomë sollën dy të burgosun që kishin moshën tonë, të cilëve u banë vend në hymje të dhomës. Morëm vesh se ishin prej Mirditet. Ndër ma të parët shkuam ne ma të rinjtë për t’i takue. Njeni prej tyne u quente Ndue Fusha, që kishte nji pamje prej zotnije, nji pamje fisnike e tërheqëse, ndonëse të zbehtë, si tuberkuloz galopant që ishte. Qëndrimi i tij i përmbajtun e me kuraje, fliste për nji djalë me cilësi të mira e nga nji shtëpi e parë në Mirditë. Po kaq i mirë ishte edhe tjetri, shoku i tij si vëlla, Gjon Marka Ndoj, me nji natyrë tepër të çelët e komunikuese. Si shumë i shkathët e i lidhun që ishte me Ndojn, s’iu ndante asnjiherë, ditën as natën, tue i qenë ba, jo vetëm vëlla, po edhe motër, si mbas nevojës që kishte ai.
Kur Ndoj kishte qenë gjashtëmbëdhjetë vjeç, viti 1945, kishte pasë ba nji vjet burg. Me rastin e vrasjes së Bardhok Bibës, e kishin arrestue përsëri e dënue me vdekje, e mbrapa shpëtue prej pushkatimit me ndërhymjen e babës së Bardhok Bibës. Nuk do të kalonte shumë kohë e Ndoj, për dhimbjen e tanë nji burgu të madh të Shkodrës, do të vdiste në dhomën nr.3 të të sëmurëve tuberkulozë.
Më kishin raportue se kisha lëvizë prej dhome dhe nji ditë për këtë gja, më çuan nalt te drejtori Shaban Haxhia, i cili vetëm sa më hoqi vërejtje për gabimin që kisha ba, e natyrisht edhe më këshilloi që t’mos e përsëritsha. Nji herë tjetër, për të njajtin “faj”, si rast i përsëritun që kishte qenë, më ndërruen dhomë, tue më çue në atë me nr. 2, e cila edhe pse ishte e naltësueme me nji a dy kambë shkallë dhe e shtrueme me dërrasa e ma me shumë ajër e dritë se ajo me nr. 3, prapseprapë mendja do të më mbeste te dhoma që kisha lanë, si i mësuem që kisha qenë me të e njerëzit e saj.
Në këtë dhomë me numër 2, si shok timin do të gjejsha Ernest Përdodën, i cili qysh atëherë pinte duhan shumë, e që për ta ndezë, e ndizte pa ra kurrkund dielli mbi tokë, e natyrisht, pa pasë futë gja në gojë, edhe pse fytyrën qysh atëherë e kishte jeshile. Sidoqoftë, me kalimin e disa ditëve, në këtë dhomë bana disa shokë të mirë, mbi të gjithë, Hilmi Kamatën, me të cilin u lidha fort e përgjithmonë.
Më patën vendosë në mes të Bajram Xhemaliut me fytyrë vrima -vrima, që ishte prej Kalasë së Dodës, – që deri para pak vitesh kishte mësue në Medresenë e Tiranës e, që dinte edhe pak anglisht – dhe Preng Bibës nga Mirdita, nji njeri i mirë e mjaft mizantrop, po edhe shumë serioz e i talentuem, për të prodhue në miniaturë objekte artistike prej bërthamave të pjeshkave e celuloidit. Nji herë, si mbas sugjerimit tim, prej nji celuloidi të zi, ai më nxori me mjaft finesë nji shqipe me krahë të ngrijtun gati për fluturim, ndërkohë që me sqep, ajo shqipe tentonte të këpuste zinxhirët që ia kishin lidhë kambët. Për kujtim, shqipen me gjithë simbolikën që kishte, unë ia dërgova Simes.
Për rreth dy muej që qëndrova në këtë dhomë, me Bajramin e Prengën, do të hajshim bashkë, me që atyne, me përjashtim të ndonji rasti shumë të rrallë, s’u vinte njeri. Në verë të vitit 1951, kur unë t’u ndodhsha në kamp pune andej kah Peqini, Preka bashkë me Prel Tomën prej Nikçit të Malcisë së Madhe e, me nji shok tjetër të tyne prej Dukagjinit, ishin pasë arratisë prej “Burgut të Madh” e dalë në Jugosllavi. Mbas nji qëndrimi relativisht të gjatë nëpër kampet famëkëqij të Jugosllavisë, ata ishin nda përgjithnjë prej shoqishojt e, Preka tue pasë përfundue në Amerikë, do t’u rekrutonte prej forcave ushtarake amerikane të “Ndërhymjes së Shpejtë”, e nji ditë përfundimisht të gjente vdekjen në luftimet e Vietnamit.
Nuk po gjejsha qetësi në vetvete, përderisa t’mos kisha zbulue personin që më kishte raportue për lëvizje nga dhoma, i cili nji ditë mund të raportonte edhe të tjerë e, për gja edhe ma të randësishme. Për këtë qëllim, nji ditë vendosa të kaloj fshehtas në dhomën nr. 3, ku kisha qenë ma parë, e të qëndrojsha aty me nji shok timin, Tomë Sheldinë. Ndërsa bisedojshim me Tomën, mbajsha vazhdimisht nën vëzhgim, çdo lëvizje që ndodhte aty në dhomë. Qëndrojsha në pritje që të lëvizte ai person që më kishte raportue në drejtori dy javë ma parë, e që natyrisht, s’e dija se cili ishte. Megjithëse vonoi momenti për të lëvizë, ai person erdhi ma në fund, dhe unë e pashë kur ai, – tue besue se me Tomën s’e kishim mendjen te nji lëvizje e tij – dredhoi kah dera e dhomës e rrëshqiti si hajdut, jashtë saj.
Që të mos u kuptonte prej tjerëve, ai u kthye shumë shpejt në dhomë dhe u ul si “engjëll” në vendin e tij ngjitë me derën. Toma me thonte, që unë t’u largojsha, mbasi që edhe qëllimi ishte arritë, kurse mue nuk m’u dukte e mjaftueshme përderisa aty t’mos kishte ardhë polici, që t’u provonte prej të gjithëve spiunimi nga ana e nji të burgosuni, gja që vetëm atëherë do të më jepte rast për ta demaskue para dhomës. Polici nga ana e tij, si pat lanë qëllimisht pak kohë me kalue, hyni në dhomë, e kur gjoja papritmas më pau, u drejtue kah unë tue më shikue si me çudi: “Po ti këtu? Hajde me mua”! e më çoi fillë e te drejtori i burgut, i cili për shkelje të përsëritun të rregullores, do të më komunikonte dënimin prej tri ditësh birucë. Kur i shoqnuem prej policit po përshkojsha dhomën 3 për në birucë, unë ndalova në mes të dhomës dhe e demaskova para të gjithëve spiunin, megjithëse me kalimin e kohës, do të provohej se ai nuk do të spiunonte ma njeri e, se atë gja me mue e kishte krye prej gjoja nevojës që të justifikonte besimin e drejtorisë, që nga ana e saj, e kishte pasë caktue si përgjegjës dhome.
Për ne të rinjtë, që për herë të parë u ndodhshim brenda nji ambienti njerëzish me moshë, formim e interesa të ndryshme, do të na bante përshtypje sjellja e tyne e përgjithshme, respekti e qëndrimi dashamirës që kishin për njeni-tjetrin, ndjenja e tyne kolektive e nji fisnikëri që ndoshta prej vuajtjes u manifestonte prej shumicës aty. Me njeni-tjetrin, na disa herë do të kishim pasë për objekt të bisedave tona faktin se si njerëzit aty ishin aq të mirë, gja që s’do ta kishim besue ma parë. Në këtë dhomë jo të madhe burgu me nr. 2, unë gjeta burra të vjetër që u respektojshin prej të gjithëve, si zotërinjtë Sheuqet Muka, Shyqyri beg Kopliku e, të tjerë me ma pak moshë.
Në këtë dhomë u ndodhte edhe Xhelë Baci, që në atë kohë kohë po lexonte “Chefs d’Oeuvres” nga letërsia franceze e, që kur t’i pëlqente shumë ndonji prej atyne novelave të zgjedhuna, kishte dëshirë që t’ua lexonte edhe të tjerëve. Xhela ishte i talentuem në letërsi, ndonëse shkollën e Fultz-it e kishte krye shkëlqyeshëm për agronomi.
Në atë dhomë edhe ish-revolucionari e komunisti i zhgënjyem Gjeto Keqi, që s’do ta braktiste asnjiherë humorin e tij prej malcori, që aty lexonte edhe në frëngjisht e, që siç kemi tregue, vazhdonte me manifestue edhe nji dell poetik. Shoqninë me mue e deklaronte të lidhun qysh prej “fqinjësisë” së birucave që kishim pasë në Sigurim, kur ai, për çdo kundërshtim timin ndaj hetuesve, në shenj solidariteti me mue, do të m’i binte mbrapa murit me grusht disa here. Në atë dhomë, përgjegjës do të ishte njifarë Pretash Niket.
Me pogradecarin Todi Ruho, qeshë ba mik, i cili ishte njeri i butë e i sinqertë e që ndër tjera, do të më tregonte se si mbas çlirimit, kur ishte pasë mbajt nji mbledhje e oficerëve të zgjedhun në Tiranë, mes të cilëve edhe ai, me ç’rast kishte pasë drejtue pyetjen: “Tani që me Jugosllavi jemi kaq të lidhur, çfarë do të bëhet me Kosovën”? dhe Enver Hoxha, që formalisht e drejtonte atë mbledhje, i ishte përgjegjë: “Kushdo që të dojë të mirën e Kosovës, duhet të urojë që Kosova të mbetet me Jugosllavi, për kushtet më të favorshme që ajo do të ketë për ndërtimin e socializmit në vendin e saj”. Në këtë dhomë lidha shoqni edhe me tre mirditas – që dikur, në mos gabohem, kishin qenë studentë të gjimnazit të Shkodrës e konviktorë të “Maleve Tona”- me emnat: Kolë Skana, Bardhok Prenga e Ndue Zef Ndoci.
Ali Taipi prej lagjes “Dudas”, u ndodhte i burgosun se kishte strehue nji mikun e tij ballist nga jugu, majorin Bilbil Hajni. Aliu ishte njeri i mirë e shumë i dashtun e, pavarësisht moshës disi të vjetër që kishte, do ta shifsha gjithmonë të qeshun e me humor. Fytyra i ka qenë mbulue krejt me do vija të imta, po edhe të thella, e që tue pasë ra fjala nji herë për to, do të më tregonte se si nji fëmijë nga lagja e tij, e burgosun edhe ajo, nji ditë i kishte pasë folë kështu Alisë, prej plasës se nji derë në burgun e fretërve: “Ali mor, po si t’asht ba fytyra prej rrudhash si me qenë koje syltepriçi”?! Ma tregonte këtë dhe qeshte ma shumë se unë, dhe tue zblue vazhdimisht nji dhamb prej ari që i ndriste në gojë, do të përsëriste: “kuçka e kuçkës”!
Kolë Ndou, bajraktar i Shalës, ishte ai burrë i qete e i meçëm, i cili pa qene aspak artificial, do t’u dukte mjaft impozant tek rrinte ne vendin e tij me prestigjin e nji njeriu që edhe në fatkeqësi kërkon të ruej e justifikojë randësinë e nji parie malesh. Kolë Ndou me nji palë mustaqe të mëdha, që anash iu zgjatshin drejt, nuk lëvizte kurrë prej vendit të tij, dhe dy mesoburra prej Dukagjinit, njeni prej të cilëve i gjatë e me emnin Nikë, do t’i qendrojshin vazhdimisht pranë në shenj respekti të madh e do t’iu gjendshin për gjithçka, pa e lanë me prekë gja me dorë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016