Nga Mërgim Korça
Pjesa e dytë
-Vrasa, simas Kanunit Maleve – Vështrim analitik –
Memorie.al / Nisur nga fakti se përgjatë diktaturës ‘Kanuni i Maleve’ tona shumë është përfolur e goditur e, aq më shumë është hedhur baltë mbi të, vendosa t’ia shtroj vetes detyrën e një analize analitike të tij (‘Kanunit’). Pikësynimi im është që të analizohet ai duke i u shmangur, me aq sa mundem ekstremumeve, e pra, jo vetëm duke mos e ndjekur shembullin e studiuesve të kohës diktaturës komuniste e, të marr kahun diametralisht të kundërt, por duke u munduar t’i analizoj pozicionimet e ‘Kanunit’ me aq drejtpeshim, sa kam unë mundësi. Në vazhdim do të vihet ré e më pas edhe do të kuptohet qartë se përse, ndonëse bir i një korçari, si edhe i një gjirokastriteje, e ndjej nevojën që duke trajtuar një temë e cila thelbësisht ka të bëjë me si rregulloheshin normat e etikës, si edhe të moralit të malësorëve të trevave të Veriut, t’u drejtohem lexuesve në të folmen gege!
Kapidan Ndue Gjonmarkaj, asht’i shkolluem në shkollën e mesme me êmnin ndër mâ t’famshmit n’Europë, në Terezianumin e Vjenës. Ka studjue Jurisprudencë në Firenze. Me gjith 90 vjetet qi ka n’shpindë, kush e njef edhe e tokon, ven oroe se aj ruen nji kthjelltsí mêndore me i a pasë lakmí secilli i ri. E pra ktu edhe udhkryqi êm: tue mos e shfrytzue zotni Tarifa mundësínë qi ka pasë m’e ndigjue, kur kje ambasador në Washington, edhe “kumonën” e Kapidan Ndue Gjomarkajt, rreth interpretimit të ‘Kanunit’, a kish m’u gjykue kjo munges’e zotni Tarifës nji rastsí, apo nji mungesë dishire m’u përballue me fakte edhe interpretime t’cillat kishin me ia shpupuríshë atij vijën q’i ka caktue vedit aj paraprakisht m’e ndjekë? Un, prej ânës t’ême, mostokimin e studjuesit Fatos Tarifa me Kapidan Ndue Gjomarkajn, e shof si nji humje rasti fatkeqe, për vetë studjuesin, për mos m’e shtye vedin mâ thêllë n’supozime.
Megjith’atê, Zoti i dhashtë Kapidan Ndues jetë të gjatë e me shëndet të plot’ashtu si e ka, kurse studjuesit në fjalë Zoti i dhashtë drejtpeshim edhe urtsí qi veprimet e tija n’vazhdim n’fushë hulumtimi rreth ‘Kanunit’, brêznít’e ardhshme, t’i gjykojnë pozitive. Mbasi saktësova e vûna besoj n’qêndër t’vemêndjes të ndigjuesve kriteret n’bazë t’cillave e shof un të pshtetun n’temele shkencore t’gjykuemt’e vlerave edhe të mangësíve eventuale t’’Kanunit t’Maleve’, po e nxâ fillë diskutimin e disa synesh.
Qysh n’lashtsí t’kohve, kur njerzimi filloi me u zhvillue, padyshim qi u ndíe nevoja me përcaktue karshi veprimeve t’padrejta t’individve t’veçantë edhe dënime të drejta. Vetëm pshtetja n’kto temele ka lindë qetsínë si burim i lumtunísë njerzimit, objekt ky kryesuer i secillit bashkshoqnim të shoqnisë njerzore. Me pak fjalë, përcaktimi saktsisht i t’drejtave t’njérit edhe garantimi i ushtrimit t’ktyne t’drejtave, janë baza e organizimit shoqnís njerzore, mbi temele drejtsíje. N’kohën kur ka veprue ‘Kanuni i Maleve’, te na as qi mund t’bâhej fjalë për ligje t’shkrueme, përderisa na nuk kena pasë nji shtet t’onin.
Prandej ‘Kanuni’ merr vlera shum t’mdhaja sepse, aj shtrote para banorve t’krahinave ku veprote të drejta si edhe detyrime. Aj i përcaktote të drejtat, kjo âsht mâ se e vërtetë, por m’ânë tjetër i nenvizote edhe veprimet e ndalueme si janë kênë krimet e, gjithashtu difton edhe detyrimet t’cillat u dote m’i dijtë secilli. Ksisoji, n’pamje t’përgjithshme, e ndij nevojën me shtrue nji problem themeluer: me marrjen e pushtetit prej komunistave, primja e përgjithshme kje me u ra vízë tâna caqeve t’mbrrijtuna n’tkaluemen e, me fillue me diftue se Shqypníja e ka fillue historín’e saj prej xeros, me vêndosjen e Pushtetit Popullor.
N’kët mënyrë historija jonë komtare u reduktue n’maksimum, shka don me thânë n’minimum t’vlerave t’saja! E pra edhe ‘Kanuni’ u dënue me ostracizim t’tijin, (ostracizmi ish nji institucion juridik i demokracisë në Athinën’e Lashtë, me t’cillin u përjashtojshin prej saj për 10 vjet, ata q’e rrezikojshin gjytetin. Simas Aristotelit, ostracizmin e ideovi Clisteni në vjetin 510, para Krishtit). Ky qindrim i majtun karshi ‘Kanunit’ në nji kohë qi âsht vûe n’dukje jo vetëm prej Atë Shtjefën Gjeçovit, por edhe prej studjuesish të tjerë, se ka t’përbashkta t’mdhá n’mjes ‘Kanunit’ si edhe Kodit të famshëm të Manú-s të Indisë, (1280 – 880, para Krishtit).
Kurse prej t’lergtit fundvjetë 1944 e, deri në 1990-ën, ‘Kanuni’ kje identifikue veç me gjakmarrjen edhe e keqja âsht se edhe sot e ksaj dite, pak a shum vazhdohet edhe i bihet njasaj bire fyelli, t’cillën aq keq e kanë shfrytzue të tânë anti-shqyptarët! ‘Kanuni i Maleve’ i cilli u botue në vjeten 1934, pêsë vjet mbas vrasjes At Gjeçovit, (simas shënimeve të tija), âsht i përbâmë prej 12 t’ashtuquejtun librash. Secilli libër mandej dahet në krénë, kta dahen në nyje e secilla nyje në paragrafë. Për m’e trajtue problemin q’i kena shtrue vedit, padyshim qi kriteri shkencuer kërkon qi n’kandár të merret parasysh analiza e raporteve statistikore qi xânë krenët, nyjet si edhe paragrafet qi trajtohen.
Pra n’shumatore ‘Kanuni i Maleve’ 12 librat e tij i ka t’damë në 24 krenë (âsht rastësí qi numri i krénve tokoi dyfishi i numrit librave), 159 nyje si edhe 1263 paragrafë. E gjith kjo larmí 1263 paragrafesh, mishnon atê i cilli për shekuj kje Kodi Civil si edhe aj Penal i malcorve të Shqypnisë Veriut si edhe Kosovës. Shqyrtue tash kta elemente formuese t’’Kanunit’, lidhun me gjakmarrjen, e cilla trajtohet prej kreut të XXII-të, i përbâmë prej 23 nyjeve të tijat t’dáme në 168 paragrafë, qi përbâjnë saktësisht: si numër nyjesh 14,6 % të nyjeve t’përgjithshme të ‘Kanunit’, kurse si paragrafë kena t’bâjmë me 13.3 % të totalit.
Shtroj tash pvetjen aspak retorike por shum t’theméltë: a ka logjikë qi i gjith ‘Kanuni i Maleve’ të identifikohet krejtsisht me nji përbâs të tijin, i cilli âsht veç nji e shtata pjes’e tij, pastë kênë ky përbâs qoft’edhe mâ djallzori ndërmjet t’muejtshëmve? Jam i mendimit se askush, i drejtpeshuem edhe i paindoktrinuem, nuk kishte me thânë; Po!
Tue marrë parasysh se mas gjysë shekulli përbaltje edhe shpifjesh kundra ‘Kanunit’, âsht krejt’e natyrshme qi janë brêza të tânë t’cillt n’rasën mâ të mirë…nuk e njofin hiç ‘Kanunin’. Mos m’u shtye mâ t’ânej e m’u thellue se si propaganda kundra ‘Kanunit’ ka bâ qi edhe kush i ka ndigjue nji fjalë ktu e, nji tjetër atje, krejtë pa përgjegjsí e vetëm me u bâ servilt’e diktatorit, kanë shkrue edhe vepra tue e bâ lamsh t’vërtetën kanunore, shto ktu edhe faktin qi edhe m’e pasë n’dorë e m’e lexue ‘Kanunin’…ata nuk ishin n’gjêndje m’e kuptue gegnishten e tij.
Kjo situatë tash mue m’a shtron shtegun e m’a bân shum mâ t’kollajtë m’e trajtue, atê qi e kanë përftue si shêmtimin e shêmtimeve, trajtimin e gjakmarrjes, pra kreun e XXII-të. Prej 168 paragrafësh të kreut XXII-të, jam kah ndalem ndër mâ t’rândsishmit e themelorët e tij, simas meje, sepse vetë koha nuk m’a lejon t’merrem me secillin.
Krye i njizet’e dytë: Vrasa
Nye e njiqind’e tetëmbëdhetë: Prita § 822. Prita âsht nji sjellje, me të cillën malet e fushat e Shqypnís u vêjn pusíjt gjaksorvet a kuejtdo, qi të két menden me vrá. (Me dalë në pritë; me ndêjë në pritë, me vû priten, me rá në pritë).
Gjithsecilli qi e lexon me shum kujdes, fjalë për fjalë formulimin e paragrafit të parë të kreut Vrasa, e kupton mirfilli se sa i drejt’e i ndershëm âsht kênë konceptimi i vetë ktij paragrafi: prita âsht përkufizimi i njaj veprimi tejet pozitiv edhe t’levdueshëm m’e kapë për m’e gjykue me ‘Kanun’ ose po t’mos dorzohej m’e asgjâsue kriminelin mas veprës kryeme, e gjithashtu m’e ndalë kriminelin potencial m’e krye nji krim.
Mendoj se kushdo q’e lexon tash kët konceptim origjinal simas ‘Kanunit’, i thotë vedit…na e kem dijtë se pritën e vênë njerzit qi duen me krye nji krim. Kjo pikpamje pasqyrohet edhe në Fjalorin Drejtshkrimor të Gjuhës së Sotme Shqipe, ku fjala; PRITË, spjegohet: grupi i njerëzve që përgjojnë në një vënd të fshehtë, për të sulmuar dikë në befasí. Prita partizane.
Natyrshëm shtrohet pvetja: Cili përkufizim âsht mâ përqendrues edhe 100 % pozitiv? Padyshim ‘Kanuni’! Me ‘Kanun’ termi pritë nënkupton nji veprim ligjuer në t’mirë t’krahinës ku aj vepron e ka tagër, (përkufizim i caktuem shekuj e shekuj t’shkuem). Kurse përkufizimi simas gjûhës normative shqype i vjetit 1980, kuptimin e ka të bigzuem: pa hye hiç n’konsiderata interpretimi politik (prita partizane pozitive apo negative), ajo nënkupton se prita mund jet’e ngrehun prej kriminelash apo, edhe prej njerzish qi krimin e bâjnë tue mendue se kanë të drejtë m’e krye atê.
Nuk e bâj aspak me faj kët përcaktim, përkundrazi e theksoj se ky përkufizim ka ardh’e âsht bigzue me kalimin e shekujve sepse, si etika edhe morali i shoqnisë kanë ndryshue. Kurse § 822 i cilli nuk ishte vetëm përshkrues si fjalori, por e rregullote vetë jetën e Malcive t’ona, kur as bâhej fjalë për Shtet Shqyptar, po lêne mâ institucione drejtsíje, ishte nji përcaktues qi m’njên’ânë dënote vrasësin e m’ânë tjetër i delte pritë përhapjes krimit!
Un e shtroj tash çashtjen ksisoji: ky paragraf i cilli âsht’edhe i pari e temeli i kreut rregullator rreth vrasjes, jo qi nuk flet kurrsesi për nxitje vrasjesh, po përkundrazi, për dënim krimesh t’kryeme e për parandalim krimesh n’vazhdim. Por m’ânë tjetër, e vê n’dukje edhe e theksoj, se po e gjykueme ket paragraf simas Kartës ONU-s të 1948-ës; “Mbi të Drejtat e Njeriut”, e gjithashtu krahasue me normën se përpá u vërtetue faji mund të quhesh vetëm i pandehun por jo fajtuer, ose edhe mâ thêllë me shkue e m’e gjykue simas kritereve të orientimit m’e hjekë dënimin me vdekje prej kodit penal, cilidoqoftë faji i kryem prej t’pandehunit, jena kah e gjykojmë ‘Kanunin e Maleve’ si t’dojshim m’e pvetë Aleksandrin e Madh, se sa kish aj me i a vûe çmimin e shitjes nji veture ‘Mercedes Benz’!(???)
Kurse un, n’daçin m’e gjykue ‘Kanunin’ t’onë të maleve drejtsisht e pa paragjykime, i ftoj studjuesit të bâjnë krahasime, daç me Kodin e Urukaginës (2360, para Krishtit), qi ishin dispozita ligjore të Mesopotamisë lashtë, daç edhe me Kodin e Ur-Nammusë (2050, para Krishtit), i cilli parashikote trup gjykues si edhe dëshmítarë nen betím, daç me Kodin e Manú-s (1280-880, para Krishtit), i cilli njerzit i klasifikote n’bazë rangut shoqnuer por, edhe dënimet i nepte mâ t’rrepta sa mâ i privilegjuem t’ish fajtori sa i tokon klasës prej s’cillës rridhte, ose edhe me Kodin e Drakonit (621 para Krishtit), ashpërsíja e neneve të t’cillit âsht proverbiale.
N’kët kontekst duhet gjykue ‘Kanuni’ e me pae se ç’perlë drejtsíje âsht kênë aj! I gjykuem simas ksaj optike të pshtetun n’kritere shkencore e hiç voluntariste, asgjâ tjetër s’kish m’u bâ, veçse kish m’u vûe n’dukje se ç’vlera të mdhá i janë mohue Kombit t’onë kah politika, ish’ ajo q’e drejtote edhe shkencën historike!
N’vazhdim, për pa dashtë m’e mërzitë lexuesin qi âsht kah më nderon me durimin’e tij, âsht’ e kjartë se nuk kam me paraqitë paragrafë mas paragrafësh si edhe analiza të tyne të tezgjatuna, por as për pa i vulgarizue e thjeshtue problemet, aq sa qi studjuesit t’a ndijnë vedin jashtë loje, po vazhdoj e n’fluturim e sipër, po due me i a hjekë plûhnin q’i ka mlue disa prej paragrafëve kryesuer të kreut t’êmërtuem VRASA, pa u bâ aspak komente e as analiza, por sa m’i vûe n’dukje ata ashtu si janë kênë e jo ashtu si janë paraqitë nepërmjet reflektimit të tyne në pasqyra shpërfytyruese.
- 835. Prita gjuen pushkë mbë burra e, jo mbë grá, fmí, mbë shpí e mbë bagtí.
- 836. Po qiti pushkë prita mbë gra, fmí, shpí a mbë bagtí, punon kundra ‘Kanunit’ e, po nuk e muer n’kujdes kët dhunë Bajraku i pritëtarvet qi t’i ndeshkojë mas ‘Kanunit’, atbotë ka me hye pushka shpí me shpí, mandej fis me fis, katund me katund e, së mbrâmit Bajrak me Bajrak.
Nuk kam se shka u bâj koment ktyne paragrafëve q’e nderojnë ‘Kanunin’ si rregullues e mbajtës të rêndit, atje ku shtet e as ligje nuk kish.
- 856. Shpija e t’vramit, po i dha besë dorërásit, ky edhe psé e vrau, ka me shkue në mort e në gjâmë m’e përcjellë t’vrámin deri n’vorrim e, me ndêjë për drekë. Kjo besë njatë 24 orë. Ky paragraf âsht i treti i nyjes njiqindenjizetedytë. Për ilustrim due m’u prûe nji përvojë t’shkueme, t’cillën miku êm, i ndjemi kompozitori Tish Daija, ma ka pasë diftue rreth dhetë vjetve t’shkueme, kur erdh e na vizitoi në Amerikë. Kish shkue Tishi aty kah vjeti 1949 apo 1950 në Shllak, me mbledhë folklor muzikuer. E kish xânë nata në nji shpi. Kah ishin t’ulun përskâj zjermit me t’zón’e shpisë e bisedojshin, veç kur u ndien dy krisma pushke, m’diftote Tishi. I zoti shpisë veç kish thânë pushk’e keqe kjo, edhe e kishin vijue bisedën. Kish kalue nji koh’e shkurt’ e kur dikush vrret jasht’e kërkon besë.
Hajde bujrum – i a kish kthye i zoti i shpisë. Hîn’i shpupurishun flokësh e dyll’i vêrdhë nji burr’i ri, i cilli t’zot shpísë fill’i kish thânë se ish ngatrrue me dikênd t’panjoftun e fjala, fjalën…ky e kish vrá. I zoti konakut i a vûe para filxhanin e rakísë, edhe e vazhdoi bisedën. S’kaloi nji gjysë sahati e, veç kur dikush vrret prep s’jashtmi. Ishin kênë kryetari edhe sekretari i Kshillit t’katundit. Masi ishin ulë edhe ata, ishin përshndoshë edhe i a kishin hjedhë n’prêhën njênitjetrit me t’zon’e shpisë kutît’e duhanit, e kish fillue bisedën kryetari e, diftue se si n’katund kish ndollë nji vrasë. Dorërási nuk dihej se kush ish e kah kish shkue, kurse i vrámi kish kênë … djali i bash nj’atij konakut!
Kah m’a diftote Tishi mas tridhet’e sa vjetesh at ndollí, atij i dridhej zâni. Plaku i shpisë nuk e kish dhânë vedin. As i kish luejt qymja e mustakut e, veç kish thânë, tue i u drejtue Tishit të ndjemë…a s’ta thashë se ish pushk’e keqe ajo qi rá? Mas pak u hap dera e disa burra e prûene përmi vig djalin sokol t’asaj shpíje! Nata kish kalue tuj e ruejtë t’dekunin. Te kryet e t’birit, plaku e, në njênin krah Tishi, kurse n’tjetrin dorërási! Kur ishin mblêdhë t’nesërmen kallablleku m’e vorrue t’dekunin, dorërási kish dashtë me rrëshqit’e m’u largue. Mirpo plaku, synin zhgjetë, e kish ndâlë e i kish thânë se aj kish detyrim me shkue e, me ia shtîe n’dhé t’birin.
Mas vorrimit prep i kish thânë t’huejit, (t’cillin kërkush veç Tishit s’e njifte prej tânë njerzve t’ndodhun n’gjâmë), se i a kish borxh m’u ulë n’sofër të drekës djalit t’vrámë. E kur kish mârrë fund edhe ajo ceremoní, plaku u kish thânë t’pranishmve t’a falshin pak, se kish m’e përcjellë at mikun e huej deri te kufîni katundit. Atbotë atyne u kish shkue n’mênd se si kish kênë puna. Sa ish largue plaku me mikun n’besë, i kishin pasë thânë Tishit se aj, n’bazë Kanunit, kish m’e përcjellë deri n’kufî t’besës, kish m’i dhânë strajcn’e bukës për shtegtim e, mandej kish m’u ndae prej tij. E bash nj’ashtu kish pasë ndollë, se Tishi nuk ish largue shpijet, përpa e ndigjue prej gojës plakut at pjesë sjelljesh t’tijat, qi Tishi nuk kish pasë rasë m’i pae!
I vetmi koment t’cillit nuk mundem me i u shmângë, kish me kênë pvetja se si mund të emërtohet ‘Kanun’ gjakatar, aj ‘Kanun’ qi paragraf themeluer të nyjes ‘Besa’, të kreut ‘Vrasa’, ka paragrafin 856? Vijoj me nji paragraf i cilli n’çashtje gjaku, vên nji barazí qi me t’habítë.
- 887. Çmimi i jetës njérit âsht nji, si për t’mirin si edhe për t’keqin.
- 890. M’e pasë lânë shtegun e veçimit të gjaqevet, të keqin për dukë e për fisnikí, “firukun” kishin m’e vra edhe pa punë; ishin shtue vraset si mos të kishte dalë kush me lypë arsye, për vrasë të t’keqit e t’ firukut.
- 892. Kush t’a vrasë njérin pra, kje burrë a grue, djalë a cucë a edhe ferishte djepi, i mirë a shëmtim për dukë, krye, plak a stërplak, i pasë a i pa-pasë, fisnik a firuk, ndeshkimi âsht nji doret, si për vrasë të mashkullit 6 qese, 100 desh e gjysë kau, gjobë.
Mendoj se jo pa interes kish me kênë trajtimi përgjatë ksaj hullíje edhe i problemit qi trajton nyja e njiqindenjizetenandë-t, qi flet për Gjaku për punë të ligë.
- 920. Ata, qi kanë shtat e dhunë bashkë, po u vrán të dy në punë të keqe, shkojnë gjak-hupës.
- 924. Prindja e të mârruemve nuk mund t’i kërkojnë për gjak, por do t’i apin dorërásit fishekun e prishun me; “Të lumtë dora”. Sa i tokon ktij aspekti të trajtimit të normave të moralit, po përshkruej nji skenë q’e kam përjetue vetë. N’mos gaboj, ishte vera e vjetit 1950. Me nji shok t’êmin të ngushtë, Bardh Shirokën, ishim para Farmacisë nr.1 në Shkodër, në Fushë Çelë. Ish e dille e shum njerz po shetitshin ândej pari. U ndigjuene dy krisma. Kthyeme kryet e pame n’trotuarin përballë nji malcuer me kobure n’dorë e, n’kâmbët’e tija nji trup të plânduem për tokë.
N’at çast malcori ngét vrap n’drejtim të nji dugâje e atje qét edhe nji herë pushkë mbi dikênd. Atbot’e kapne edhe e lidhne. Historia: nji kapterr me shërbim në Shllak, i a prishë mênden nji nuses ré, e ajo ik’e lên katûndin me ardh’e me shetitë gisht për gisht n’Fushë Çelë të Shkodrës, me kapterrin ashik. I shoqi nuk ia falë edhe e ndjek çiftin. I Vret. Dorërási quhej Pal Mhilli. N’veprim e sipër, njêna predhë e gjuejtun prej tij ka plague gabimisht edhe nji oficer ushtrije i cilli, kur u zhvillue gjygji kundra Palit, doli dishmitar tue i a falë varrën Palit e, kërkoi qi edhe trupi gjykues t’ia falte jetën atij. Por gjykata, për vrasje t’kryeme, Palin e dënuene me pushkatim, edhe e ekzekutuene simas ligjit.
Mirpo edhe rapsodi populluer nuk e la rasën me kalue hupë edhe këndoi n’çiftelí: “Plumat kryq kur kanë kalue/ Nji oficer aty u vorrue/ N’gjygj aj kur ka dalë/ Po i ndimon Palit me fjalë/ Un për Palin kërkoj fálë/ Se ky bash ish kên’djalë/ Kush lufton për ndér’e fé/ Patriot âsht për Atdhé/ Për Shqypni aj s’dés, por lé”! / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm












