Nga Indrit Qehajaj
Pjesa e parë
– Arshi Pipa, profili i një studiuesi të padëshiruar –
Memorie.al / Ndër tiparet më themelore të modelit totalitar, sidomos atij shqiptar, mbeten dhuna e ashpër dhe eliminimi i individëve dhe grupeve që konsiderohen si kundërshtarë të regjimit. I tillë ishte edhe rasti i profesor Arshi Pipës i cili, ndonëse nuk kishte asnjë përgjegjësi penale të faktuar, u dënua dy herë, duke qëndruar për rreth 11 vjet në burgje e kampe pune. Vitet 1945-1954, që janë kufijtë kohorë të këtij prezantimi, përkojnë pikërisht me vitet e burgosjes dhe vuajtjeve të pafundme të Pipës dhe të familjes së tij. Në mënyrë kronologjike do të përpiqemi të hedhim dritë, mbi këtë personazh të rëndësishëm të kulturës shqiptare, duke u përpjekur të kuptojmë më mirë njeriun dhe studiuesin, arsyet e burgosjes së tij dhe për balljen e tij me dënimin.
Materialet kryesore që janë përdorur i përkasin fondit personal Arshi Pipa, në dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, të cilat na janë vënë në dispozicion nga Autoriteti për Informimin mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit. Me vlerë kanë qenë edhe disa prej librave të Pipës, të shkruar para, gjatë dhe pas dënimit, duke na dhënë mes vargjeve, artikujve studimorë dhe rrëfimeve personale, një pamje të plotë të njeriut, të intelektualit, të shkrimtarit dhe të studiuesit Pipa.
Në librin e shkruar në burg dhe të botuar pas dënimit, si ‘Libri i burgut’, prezantohet edhe fytyra që regjimi i shfaqi Pipës, sikurse edhe shumë të tjerëve, sidomos në vitet e para të vendosjes së regjimit komunist. Rrëfimet e tij mbi vuajtjet në burgjet e kohës, të shprehura në mënyrë mjeshtërore nga Pipa, përbëjnë një tjetër dëshmi të ashpërsisë së kohës, për një pjesë të madhe të shqiptarëve.
Në përmbledhjen e artikujve, të titulluar “Stalinizmi shqiptar”, gjenden disa analiza historike shkencore mbi modelin totalitar shqiptar, që mund të konsiderohen edhe si ndër përpjekjet e para shkencore për të analizuar modelin totalitar shqiptar. Me vlerë për këtë prezantim është edhe një dokumentar realizuar në fillim të viteve ’90-të nga Radio Televizioni Shqiptar. I xhiruar në qytetin e Shkodrës, ku edhe kaloi rininë, dokumentari përshkruan disa prej momenteve më të rëndësishme të jetës së Pipës, të rrëfyera nga vetë ai.
Formimi akademik
Arshi Pipa lindi më 28 korrik të vitit 1920, në qytetin e Shkodrës. Babi i tij Mustafai, ishte nga Libohova, ndërsa e ëma Hatixhja ishte nga Shkodra. I ati ishte jurist dhe kishte studiuar në Stamboll. Arshiu kishte një vëlla dhe katër motra. Mësimet e para i mori në Kolegjin e Jezuitëve në Shkodër. Te jezuitët mori bazat e kulturës klasike, greqishten e vjetër e latinishten. Këto dy gjuhë e shoqëruan gjatë gjithë jetës. Përkthimet e bollshme, të lëna në dorëshkrim, e dëshmojnë më së miri këtë fakt.
Familja Pipa investoi shumë për formimin akademik të fëmijëve të saj, veçanërisht djemve. Si Arshiu, ashtu edhe i vëllai i tij Myzaferi, ndoqën studimet e larta jashtë Shqipërisë. Myzaferi, që do të ishte gjithmonë modeli dhe pika e referencës për Arshiun, kreu studimet e larta për jurisprudence, në Padova të Italisë. Ndërsa Arshiu, pasi mbaroi Gjimnazin e Shkodrës në vitin 1938, u largua për të studiuar letërsi e filozofi, në Universitetin e Firences në Itali.
Aty do t’u përkushtohej plotësisht studimeve. Këtë gjë e vërteton më së mirë një bisedë mes Arshiut dhe shokut të tij që na e sjell si dëshmi Uran Kalakulla, në librin e tij. Pasi shoku i tij, Muhameti, e fton të dalin në qytet për t’u dëfryer, Arshiu i përgjigjet: “Muhamet, shok e mik të kam, por mos harro se na nuk kemi ardhë këtu për ahengje e dafrungë, por për më studjue. Dhe më parë se gjithçka asht detyra. E detyra jonë asht studimi e mbarimi i universitetit”.
Në bisedat mes autorit Uran Kalakulla dhe mikut të Arshiut, Muhametit, ky i fundit shprehet: “Më kot m’u lodhë për me tundë Arshiun prej studimit, kur ai kishte orarin për këtë punë. Nuk mbaj mend ndonjë herë, që të ma ketë ba qejfin, në këtë drejtim. E kur mendoj se sa kohë bjerrë kot i riu, them me vete, se sa mirë e kishte ai. E shef, shok të ngushtë kemi qenë, por kush asht sot Arshi Pipa e, kush jam unë! Mor mik, asgja s’arrihet pa mund e sakrifica…! E kjo, megjithëse ai, ishte zgjedhë si duket prej fatit a Zotit, me u ba ai që u ba”!
Arshi Pipa dhe Lufta e Dytë Botërore
Pas përfundimit të studimeve, në vitin 1941, Pipa u kthye në Shqipërinë, tanimë të pushtuar nga Italia e Musolinit. Rezistenca që sapo kishte filluar të formësohej dhe reagimi i ashpër i pushtuesve italianë ndaj saj, kishte prekur edhe familjen e Arshiut. Vëllai i tij Myzaferi, ishte treguar aktiv në këtë rezistencë. Duke qenë student në Padova, ai kishte shfaqur kundërshtimin e tij, për pushtimin e Shqipërisë nga Italia e Musolinit. Në bar-kafe “Pedrachi” mblidheshin shpesh studentët shqiptarë.
Në një nga këto takime, Myzaferi kishte nxitur studentët të këndonin këngën e Thoma Nasit, “Vlona, Vlona…/ Bjeri më ju lumtë dora”, kushtuar luftës së Vlorës. Për këtë arsye, ai do të internohej në ishullin famëkeq Ventotene, më 1940, ku gjendeshin edhe Safet Butka, Isuf Luzaj, Abas Ermenji, Llazar Fundo, Fazlli Frashëri, Masar Shehu, Alteiro Spinelli, Petro Marko, Sadik Bekteshi, etj., që u bënë të famshëm në jetën politike shqiptare dhe italiane. Edhe pse Myzaferi u shpreh hapur ndaj pushtimit italian, madje u internua për këtë gjë, kjo nuk do ta shpëtonte këtë nga regjimi që do të instalohej në Shqipërinë e pas Luftë së Dytë Botërore.
Në këto momente të vështira për familjen e tij, Arshiu zgjodhi të rrinte i tërhequr dhe të ndërtonte profilin e tij si intelektual. Deri në vitin 1942, ai punoi si mësues në Gjimnazin e Tiranës. Gjatë këtij viti, nisi të përgatisë edhe tezën e tij të diplomimit dhe zgjodhi të trajtojë filozofin frëng, Henri Bergson. Në këtë temë shpreh mendimet e tij kritike ndaj filozofit frëng, duke sjellë një punim krejtësisht të tijin dhe pa ndihmën e askujt, madje as të profesorëve në Universitetin e Firences, për shkak të largësisë midis Shqipërisë dhe Italisë. Pasi u diplomua, do të bënte kërkesë pranë Ministrisë së Arsimit, për t’u transferuar pranë familjes së tij, në Shkodër.
Në vitet 1942-1943, Pipa ishte profesor i letërsisë në Gjimnazin e Shkodrës. Nuk do të kalonte shumë kohë dhe familja Pipa, do të vendosej përfundimisht në Tiranë. Arsyet e vendosjes mund të jenë të shumta dhe kjo shpjegohet me faktin se Tirana, kishte marrë një zhvillim të madh arsimor, kulturor dhe urban. Si e tillë, edhe Arshiut, por edhe vëllait të tij Myzaferit, i interesonte të ishin sa më afër dijes, bibliotekave, grupeve intelektuale etj.
Në mars të vitit 1944 Arshi Pipa u bë themelues i revistës ‘Kritika’, që u botua në katër numra, nga marsi deri në qershor të vitit 1944. Synimi i kësaj reviste ishte nxitja e kritikës letrare në Shqipëri dhe përpjeka që lexuesit shqiptarë, të njiheshin me letërsinë e huaj. Ai kishte si synim që ta shndërronte atë në një organ të mirëfilltë kritik, sidomos duke u përpjekur të përvijojë kahet e një kritike të tekstit si të tillë, gjë që është përmbushur më së miri, në të gjithë numrat e revistës.
Për realizimin e kësaj reviste, Arshiu ishte konsultuar edhe me Aleks Budën, i cili në atë kohë ishte profesor në Gjimnazin e Tiranës dhe jepte lëndën e letërsisë. Në një letër që Arshi Pipa, i dërgon Aleks Budës dhe që ruhet në arkivin e familjes Buda, Pipa kërkon mendime prej tij, lidhur me revistën. Letra mban datën 23 mars 1944, gjë që tregon se është shkruar sapo ka dalë numri i parë i revistës. Në këtë letër, Pipa i drejtohet Budës, duke i kërkuar që ta vlerësonte vetë se çfarë ishte trajtuar në revistën ‘Kritika’ dhe t’i jepte mendimet e tij. Ai vazhdon: “Gjithsesi, nuk besoj t’ia kem dalë plotësisht, por që mendoj se numri i dytë, do të jetë më i pasur dhe i ndryshëm”.
Nga letra kuptojmë që Pipa dhe Buda, njiheshin me njëri-tjetrin, ndoshta si kolegë në mësimdhënie apo, edhe si intelektualë të kohës. Nga letra rezulton se, do të ketë pasur njohje dhe disa takime më përpara, ku të dy kanë biseduar në lidhje me revistën. Në letër Pipa i kërkon Budës, të angazhohej më shumë, duke i thënë se prej tij priste më shumë ndihmë, se nga kolegët e tjerë. Nga kjo letër dëshmohet miqësia e dy intelektualëve të shquar të Shqipërisë, fatet e jetës së të cilëve, do të ishin krejt të ndryshme. Vlerat e revistës ‘Kritika’, ndonëse me veç katër numra të botuar, janë evidentuar shpesh prej studiuesve letrarë, si mjaft serioze. Nëse “historia” dhe jeta për Arshi Pipën, do të kishte marrë rrugë tjetër, sot do të mund të flisnim, për një kritikë letrare, tepër të zhvilluar në Shqipëri.
Gjatë Luftës Pipa, nuk u angazhua në Lëvizjen Nacionalçlirimtare kundër pushtuesit, ai dhe i vëllai, nuk morën pjesë në të, sepse nuk u pëlqente formati stalinist. Ky fakt mund të ketë pasur arsye të ndryshme, por më thelbësorja duhet të ketë qenë kundërshtia që kishte Pipa, ndaj modelit totalitar të majtë. Siç shprehet ai në intervistë: “Jam rritur në një familje që mund të konsiderohet demokratike, me urrejtje për diktaturën, e çfarëdo tipi qoftë ajo”. Ai më tej tregon në këtë intervistë se kishte lexuar edhe literaturë marksiste, si Marksin, Leninin, Gramshin dhe kishte kuptuar problemet që kishte vetë doktrina dhe versionet e ndryshme të saj. Duke pasur të bënte rregullisht në leximet e tij me kolosë të filozofisë, si Spinoza e Kanti, ideologët marksistë, dukeshin si të papërfillshëm.
Kur filloi lëvizja kundër pushtuesit, ai dhe i vëllai, nuk morën pjesë në të, sepse nuk u pëlqente formati stalinist. Vëllezërit Pipa e dinin se kishte shumë modele dhe rryma të komunizmit e, jo vetëm stalinizëm, si ai që po përpiqej të imponohej nga komunistët shqiptarë. Në pikëpamje doktrinare ajo që po aplikohej në Shqipëri, ishte thjesht stalinizëm. Ndonëse u ishte propozuar disa herë të bëheshim pjesë të Lëvizjes, vëllezërit Pipa nuk pranuan, ndonëse ishin edhe kundër fashizmit.
Një fakt tjetër mbi jetën gjatë Luftës, është edhe përfshirja e Pipës në Institutin e Studimeve, i krijuar nga italianët. Në periudhën e pushtimit gjerman, Instituti u riorganizua dhe u quajt Instituti për Studime e Arte, me zgjerimin e fushave të kërkimit e të numrit të studiuesve, tanimë vetëm shqiptarë, të ndarë në tri degë: gjuhësi, arte dhe shkenca natyrore e teknike. Në këtë institucion, veç Arshi Pipës, u përfshinë edhe intelektualë të tjerë të njohur të kohës, si: Ali Asllani, Hamdi Sulçebe, Hasan Dosti, Krist Maloki, Kristo Floqi, Ndoc Nikaj, Mid’hat Frashëri, Odhise Paskali, Spiro Konda, Vasfi Samimi, Vedat Kokona, etj. Edhe ky fakt mund të ketë qenë një arsye, pse nuk shihej me sy të mirë prej komunistëve.
Vendosja e regjimit komunist dhe dënimi i parë i Arshi Pipës
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri Partia Komuniste Shqiptare, u kthye në të vetmen forcë politike reale. Sfida e udhëheqjes së saj, ishte vendosja e kontrollit të plotë mbi të gjithë vendin dhe jetën e tij. Ata do të ndërmerrnin disa hapa për të arritur qëllimet e tyre, si goditjen e kundërshtarëve potencialë të tyre, që në të vërtetë ishin shtresat e mesme dhe të larta të shoqërisë shqiptare, që ishin natyrshëm më të mirarsimuar. Nën emërtimin si “bashkëpunëtorë të fashizmit” dhe “armiq të popullit”, atyre iu hoq e drejta të merrnin pjesë në jetën politike, iu konfiskua pasuria dhe u lanë pa asnjë lloj mbështetjeje.
Ndër gjyqet e para më të bujshme ishin ato kundër opozitës, të njohura edhe si Gjyqi i Deputetëve, ku u goditën drejtpërsëdrejti disa përfaqësues politikë të elitës intelektuale që shpresonin dhe kërkonin vendosjen e një sistemi demokratik. Ndonëse nuk kishte lidhje të drejtpërdrejtë me grupin e deputetëve, Pipa u bë padashur pjesë e këtij grupi, që u akuzuan si kundërshtarë të regjimit. Si një intelektual me pikëpamje demokratike, ai nuk mund ta duronte regjimin e ri që po instalohej në Shqipëri. Pipa e kishte demonstruar kundërshtimin e tij ndaj vendosjes së një regjimi diktatorial në shumë mënyra.
Në librin e tij ‘Letërsia Bashkëkohore Shqiptare’ të botuar në anglisht në Nju-Jork, në vitin 1991, Arshiu shkruan për “përplasjet” me regjimin dhe shkaqet që atë e çuan në burg për herë të parë: “Diskutimi im në mbledhjen me Totozanin, u bë shkak të më ulnin në detyrë, duke më transferuar në Liceun e Durrësit. Ligjërata ime për Migjenin, u komentua si një akt rebelimi.
Menjëherë pas kësaj në një mbledhje poetike në Shtëpinë e Kulturës në Tiranë deklamova një lirikë të përkthyer nga Fausti, Këngën e Plebishtit, që përmbante vargjet: ‘Dhe në çast u bë Ministër/ Dhe kishte një yll të madh’. ‘Totozani do të jetë tërbuar’, më tha një mik. Në një mbrëmje tjetër poetike, kësaj radhe në Durrës, recitova lirikën ‘Bushtra’, që bën fjalë për ngordhjen e një qeni të zgjebosur. Vetëm më vonë, gjatë kohës që torturohesha në zyrat e Sigurimit, mësova se bushtra qenkësh Bashkimi Sovjetik dhe këlyshët e saj, ‘Demokracitë Popullore”!
Kishte disa kohë që Arshiun e përndiqte një student i tij në Durrës, duke e pyetur vazhdimisht, nëse lexonte literaturë sovjetike e nëse pëlqente Majakovskin. Arshiu i përgjigjej se; nuk e pëlqente Majakovskin. “Por Stalini ka thënë që ai është poeti më i madh sovjetik”, – ia priste studenti. “Ai mund të jetë poeti më i madh, por jo sepse e thotë Stalini. Ai nuk është kritik letrar”, – i përgjigjej Arshiu.
Po në librin e lartpërmendur, Arshiu shkruan edhe për një ndodhi, që mbase i vulosi vajtjen në burg. Gjatë një mbrëmjeje poetike në Tiranë, tek po dëgjonte pa ndonjë emocion, recitimet e zakonshme plot patetizëm mbi heroizmat revolucionarë, në skenë del një djalosh që pas afro 5 minutash recitim, nuk kishte arritur akoma të prekte temën e poezisë, që fliste për ndërtimin e një fabrike.
Një djalosh që qëndronte në të djathtën e tij, foli me ironi: “Do ta ndërtojmë me slogane”! Pipa buzëqeshi në shenjë aprovimi. “Ngaqë vjersha ishte e mërzitshme dhe banale, atij i duhej të stërmundohej. Djaloshi vazhdonte përsëri të thumbonte dhe unë përgjigjesha. Kështu padashur, u bëmë pjesë e një dialogu parodizues buzëqeshjesh dhe ironish. Në fund u përshëndetëm me njëri-tjetrin, por nuk u prezantuam. Kur po largoheshim, – vazhdon përsëri Arshiu, – një miku im më pyet: ‘Kaq mirë njihesh me Nako Spiron”?!
Këto elemente që kujton Pipa, por, mbi të gjitha, qëndrimi i vëllait të tij, ndaj regjimit të ri, do të ishin arsyet kryesore të arrestimit të tij. Arshi Pipa, ishte 27 vjeç, kur për të doli një urdhër arresti. Urdhri ishte lëshuar nga Prokuroria Publike e qytetit të Durrësit. Ai akuzohej për veprimtari kundërshtuese të kryer me grupe tradhtare dhe si pasojë, urdhërohej ndalimi i tij i menjëhershëm dhe burgosja në burgun e “armiqve të popullit”. Pas këtij urdhri, do të fillonte kalvari i vuajtjeve për Arshiun e ri.
Më 1946, do të dënohej prej Gjykatës së Garnizonit të Tiranës, me dy vjet burg, në burgun e Durrësit, për veprimtari kundër pushtetit. Akuzat u formuluan me shpejtësi dhe pa asnjë provë konkrete. Pra, ishte një arrestim e dënim arbitrar. Vetë autoritetet e pranojnë këtë fakt, nëpërmjet dokumenteve të gjyqit. Gjatë qëndrimit në burgun e Durrësit, do të fillohej të “hetohej” dhe të bëhej një pasqyrë e gjithë veprimtarisë së tij, që Arshiu do t’i kundërshtonte hapur.
Në një dokument që mban datën 5 dhjetor 1947, thuhet se; Arshi Pipa, i dënuar më 23 nëntor 1946, me dy vjet burg, ka marrë një dënim minimal, sepse në dosjen e tij hetimore, nuk ka pasur prova dhe fakte të thelluara për të provuar veprimtarinë e tij antikombëtare. Kjo dhe për shkak se akoma, nuk ishte zbuluar thellësisht organizata tradhtare- sabotore e deputetëve. Gjatë formulimit të dosjes kundër tij, përmendet edhe i vëllai, Myzaferi, si “tradhtar” dhe “armik i popullit”.
Arshi Pipa edhe një herë përballë shtetit të diktaturës së proletariatit: dënimi i dytë
Procesi i dytë ndaj tij u zhvillua gjatë vitit 1947, ndërsa vendimi u mor më 24 dhjetor 1947. Ai, së bashku me tre të akuzuar të tjerë, që ishin Pashko Gjeçi, Hysen Ballhysa dhe Preng Kaçinari, u shpallën fajtorë, sepse kishin qenë anëtarë të organizatës Social-Demokratike, të kryesuar nga Gjergj Kokoshi dhe Suat Asllani. Gjithashtu, ata u akuzuan se kishin një lidhje me organizatën tekniko-intelektuale, me klerikët dhe me mbeturina të organizatave tradhtare, ‘Balli Kombëtar’ dhe ‘Legaliteti’.
Aktiviteti i të katër të pandehurve, sipas akuzës, ishte shtrirë në të gjithë elementët e pakënaqur nga Pushteti, duke propaganduar kundër reformave të Pushtetit Popullor, duke sabotuar në sektorët e punës së tyre, si p.sh., në sektorin shkollor etj., gjithashtu duke propaganduar, mbi një ndërhyrje të armatosur të forcave anglo-amerikane në çështjet e brendshme të Shqipërisë dhe se në këtë mënyrë, e së bashku me kriminelët e arratisur, do të rrëzonin Pushtetin Popullor. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm