Nga Ahmet Bushati
Pjesa e pesëmbëdhjetë
Memorie.al / Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.
Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindët që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.
Në Gjurmët e një ditari
Shkodra në vitet e para nën komunizëm
Postrriba nga ana e saj, ose nuk u tregue e durueshme në këtë rast, ose ose nuk qe në dijeni të nji plani të masipërm. Ndoshta gabimi i postrribasve qe se fatin e kryengritjes e patën lidhë domosdoshmërish me faktin se me 9 shtator, djelmët e tyne do t’u shkojshin ushtarë, tue i mungue ashtu kryengritjes. Për të vendosë përfundimisht për kryengritje ose jo, paria e Postrribës la nji mbledhje për me 8 shtator, për të cilën gja nji korrier i besueshëm lajmoi krenët katund për katund. Kështu në ditën e caktueme, me 8 shtator, mbledhja e tre bajrakëve të Postrribës u mbajt në “Kodër Boks” e pikërisht në vendin e quejtun “Shegat e Ibros”.
Mbledhjen e kryesoi Osman Haxhia, vëlla i Adem Haxhisë së dekun gjashtë vjet ma parë. Në të morën pjesë përfaqësuesit e të tre bajrakëve, si; Abdulla Seiti, Selim Rraci, Smajl Duli, Muho Dyli, Emin Zyberi, si dhe me fjalën e marrë prej Myrto Danit, bajraktarit të Drishtit, që atë ditë mungonte. Mbledhja vendosi që të nesërmen me 9 shtator, drita pa dal, me u grumbullue të gjithë luftëtarët në Fushë të Shtojit, për t’i ra Shkodrës.
Nuk ishte ba ende ditë kur treqind burra ishin mbledhë në vendin e caktuem qysh nji ditë ma parë. Shumica e tyne kishin armë, e nji pjesë e vogël ishte pajisë me mjete rrethanore, që gjithsesi shprehte vendosmëninë e madhe të Postrribës për luftë. Si këputën lidhjen telefonike me Shkodrën, u nisën drejt saj me besimin se pushkës së tyne Shkodra, do t’iu përgjigjte me pushkë. Familjarë të shumtë të Fushës së Shtojit kishin dalë para shtëpive të tyne e, shiqojshin me kureshtje e emocion ata luftëtarë të vendosun e krenarë që përshkojshin me shpejtësi fushën e tyne, me ç’rast pat edhe prej tyne që u bashkuen me ta.
Nisun nga qëllimi e serioziteti i misionit në prag të luftës, na ban me besue për nji gjendje shpirtnore të veçantë që ata luftëtarë të kenë provue e, për nji atmosferë që sa ma shumë t’i jenë afrue Shkodrës, aq ma solemne e nxitëse t’u jetë ba ajo. Sidoqoftë, na dimë se kur ata patën mbrrijtë në periferi të Shkodrës e, pikërisht te kazermat në hymje të saj, dielli në tokë ende pa ra, nën sinjalin e fuqishëm “Bini bre burra”! ata kaluen me shpejtësi rrethime kazermash e shtëpish rrotull tyne e nisën pushkën nga shumë anë. Ushtria nga ana e saj, e ngrijtun në kambë qysh në pushkët e para, por e befasueme prej sulmit të papritun, për do kohë s’do të kërkonte tjetër, veç si të mbrohej. Banorë të zonës përreth, do të na tregojshin qysh atë ditë se si postrribasit kishin kalue muret me armë ndër duer e, tue thirrë; “Hë, ju këlyshët e Stalinit….”!
Kryengritja e Postrribës
Ndërsa në drejtim të kazermave vlonte pushka, kudo nëpër lagje të Shkodrës kishin dalë njerëzit para shtëpive të tyne tue pyetë shoqishojn me za: “A dini ça janë k’ta pushkë”?! Luftimet, të cilat u zhvilluen në afërsi mes palëve kundërshtare, qenë të rrepta për aq kohë sa patën zgjatë, por me qenë se ushtria e Sigurimi nga momenti në moment u shtojshin në numër e armatim, erdh ai çast kur kryengritësit s’po i përballojshin ma kundërsulmet e tyne të fuqishme, e me që edhe Shkodra nuk po u çonte, siç kishin besue ata kryengritës, udhëheqësit e tyne ma në fund u detyruen që të lëshojshin thirrjen, për tërheqje. Plani i kryengritësve, që mbasi të thyejshin forcat qeveritare, të hapshin dyert e burgut, të merrshin prefekturën e në vazhdim, me nji ushtri të madhe vullnetarë të dalun nga qyteti me rrethe, të mundësojshin kryengritjen e gjithë Veriut, kishte dështue për dëshpërimin e tyne ma të madh. Postrriba gabimisht kishte llogaritë që mbas sulmit të saj, Shkodra do t’u bashkonte me të. Në fakt, nuk kishte pasë asnji marrëveshje për atë gja, e mandej kohët kishin ndryshue ma shumë nga ç’mund të ishin në gjendje me kuptue postrribësit, disi larg Shkodrës.
Postrriba, me jo ma shumë se treqind trima, kishte guxue të sulmonte me armë e pa armë nji pushtet të fortë e mizor, njashtu si treqind spartanë dikur Persinë e madhe, tue konfirmue edhe nji herë patriotizmin e saj tradicional e, tue gdhendë edhe nji herë në kujtesën historike nji tjetër faqe nderi e lavdie për vetë, Shkodrën e mbarë vendin. Edhe tërheqja e detyrueshme e kryengritësve do të pasqyronte vlera të mëdha organizative e morale, si e mbështetun në dispozitat e tyne ma të mira. Kështu, ndërsa nji pjesë e tyne me rezistencë të vendosun në qendër, do të gozhdonte në vend sulmin e fuqishëm të ushtrisë e Sigurimit, të tjerët ndër krahë, po me aq vendosmëni e shpirt përgjegjësie, nuk do të lejojshin që forcat qeveritare të realizojshin rrethimin e kryengritësve, përkundrazi, do të mundësojshin që këta të fundit të përshkojshin fushën e kapshin malin pa rreziqe.
Në fillim të tërheqjes, kryengritësit do të lejshin të vramë Elez Bazin, prej katundit Kullaj, për të qenë ai dëshmori i parë i asaj kryengritjeje. Në vazhdim, te vendi i quejtun “Llomat e Rusit”, do të mbeste i vramë Jonuz Salja, prej katundit Boks, dhe ma sipër, te Ura e Mesit, dëshmori i tretë, po prej Boksit, Osman Hyseni. Prej Boksit do të ishte edhe Ymer Zeqiri, të cilin e kishin pasë marrë plumbat rastësisht, dhe partizanët që e kishin kujtue për të vramë, si të pandjenja që e kishin gjetë, e kishin pasë mbulue me gurë për së gjalli. Kur të nesërmen familjarët e tij të kërkojshin me e çlirue “kufomën” prej gurëve, do t’u mrekullojshin kur të shikojshin se njeriu i tyne ishte gjallë, me vetëm disa plagë në trup.
Në hymje të katundit Kullaj, plaku e trimi i rrallë Sait Duli, mbasi kishte zanë nji pozicion të favorshëm luftimi, i vetëm do të bllokonte në vend disa prej forcave qeveritare, tue iu dhanë kështu edhe nji mundësi ma tepër djelmëve të Postrribës, që të vazhdojshin ngjitjen e tyne nëpër mal. Mbas njifarë kohe Sait Dulit do t’iu bllokonte pushka e, përfundimisht t’u kapte i gjallë prej forcave të Sigurimit, të cilët, mbasi ta torturojshin barbarisht, gjysë të vdekun do ta vejshin para për në Shkodër, ku ai s’do të mbrrinte kurrë, sepse në hymje të saj ai do të fillonte me dhanë shpirt e, partizanët për t’mos e zgjatë ma, do ta pushkatojshin në vend.
Andej kah dreka e asaj dite e për disa orë mbas dreke, shpatet e malit Maranaj, përmes breshnive të herëmbashershme të mitralozave – që me zhvendosjen e luftimeve gjithnji e ma nalt malit, shkojshin tue u dobësue – do të përcillshin në Shkodër me shumë trishtim jehonën e dështimit të kryengritjes. Ende nuk kishte mbarue krejt pushka e mitralozi, kur qytetarë të shumtë shkodranë, me sy të mbërthyem kah mali mbi Postrribë, do të dallojshin me pikëllim shllunga të denduna tymi të zi, që si simbole të pamëshirshme të hakmarrjes komuniste, u ngjitshin mbi qiellin e Postrribës që digjej për ndëshkim.
Ndërkohë, kudo ndër katunde të Postribës, prej frikës sẽ reprezaljeve, familjarë të shumtë do të nxirrshin prej shtëpive me nxitim e në panik të madh ç’të muejshin me shpëtue e, me gjane e gjallë të vueme para, do të merrshin malin me synim mikun, pyllin a shpellën. Në muzgun e asaj mbramje, Sigurimi do të ngrinte për çdo katund të Postrribës nga nji shtab operacioni, si edhe nga nji qendër hetuesie, në krye të të cilëve do t’u vendoste vetë famëkeqi e xhelati i Shkodrës, Zoi Themeli.
Nuk vërsulet nji bishë e unshme ndaj presë që i ka dalë para, ashtu si qenë lëshue me atë rast mbi Postrribë e Shkodër me rrethe, kriminelët e pushtetit komunist të asaj kohe. Rasti që ata të shfryejshin dufin e shpirtit të tyne të egërsuem shumë, u kishte ardhë në derë. Kudo nëpër Postrribë filluen arrestime. Në prendim të diellit, për terror, pushkatuen disa burra para popullit të mbledhun me zor e, në sy të vetë familjarëve të tyne. Kështu në Dragoç, atë mbas dreke, pushkatuen Hysë Velushin, në Kullaj, vëllaznit Ymer e Ahmet Zenelin, ndërkohë që për ma shumë trishtim e tmerr, në Boks, Rrash, Kullaj, Dragoç e deri nalt në Vorfë, – ku partizanët e pabesë deri para dy vjetësh kishin pasë çerdhet e tyne ma të sigurta – disa shtëpi do të merrshin zjarr njiherit.
Ma në fund, mbas nji dite të tejzgjatun e ferri të vërtetë, edhe mbi Postrribë do të binte nata, nji natë si nata e vorrit, me shtëpi të mbylluna parakohe e pa asnji shenj jetet përbrenda, ndërkohë që sipër në qiell, kolona të trasha tymnash të zez përzie me flakë, vazhdojshin të tregojshin me trishtim deri larg e larg se ç’po ngjiste me Postrribën tashma të nënshtrueme.
Të nesërmen, më 10 shtator, forcat e Sigurimit, si mbas listave të hartueme qysh gjatë natës, ose edhe ma përpara, do të arrestojshin shumë prej atyne që kishin qenë përfshi në kryengritje e të pushkatojshin disa prej tyne, si Reshit Begirin, Halil Dautin, Rexhep Idrizin, Metush Alinë e Ibrahim Selimin, të gjithë prej katundit Kullaj. Prej Myselimit me atë rast do të pushkatojshin Sylo Gjetën, si dhe trimin shkodran, Qazim Rrojin, i cili, për aq orë sa të ishte i lidhun me postrribësit e masipërm e derisa t’u rrëzonte për dhe prej plumbave, asnjiherë nuk do të pushonte së fyemi pushtetarët e komunistët në pirgjithësi, tue i quejtë me sa za të kishte: “Kriminelë të poshtëm”, “hora” e “vagabonda” e pa u pasë kursye as emnat e Enverit, Titos e të Stalinit të tyne.
Me qëllim terrorizimit, trupën e të pushkatuemve për dy ditë rresht do t’i lejshin të ekspozuem që t’i shikonte populli, pa lejue që familjarët t’i tërhiqshin. Po atë ditë, ishte pushkatue edhe nji tjetër shkodran me emnin Sadik Mlloja. Skena nga ma rrëqethëset do të ndiqshin njena-tjetrën. Ajo tokë e Postrribës që po u digjte dhe ata njerëz të saj, as që kishin ndigjue për ato lloj barbarizmash që kësaj radhe po i provojshin mbi vete. Ndër tjera, forcat e Sigurimit do të mblidhshin popullin ndër qendra katundesh, do të sillshin aty burrat “fajtorë” e, si për t’i çnjerëzue ma tepër se sa për t’i mundue, të lidhun siç i kishin, do t’i rrihshin me dru ndër sy edhe të vetë familjarëve të tyne, e në fund, do të ndajshin nga nji ose dy prej grupit, e po aty, t’i pushkatojshin.
Në mbramjen e zezë të atij 9 shtatori, Zoi Temeli e Aranit Çela, – pa dyshim dy ma xhelatët e Shkodrës për të gjitha kohët – mbasi kishin kthye prej Fushës së Shtojit të lamë me gjakun e disa burrave, me qëllim që t’i shikonte populli “reaksionar” i Shkodrës e, si në shej sfide e mburrjet ndaj tij, do t’u kapërdisshin në kafe “Adriatik” e pikërisht në nji tavolinë ngjitë me vetratën që binte mbi trotuar e, jo larg rrugës së piacës, atë mbramje pa popull.
Atje nalt në Domën, Forcat e Ndjekjes kishin zanë e pushkatue Idriz Ibron, Halil Metin e Avdi Zeqirin, të tre prej katundit Boks. Ndër tortura kishin mbytë Muho Fetahun. Të urtin e patriotin, Ymer Beqirin, mbasi e kishin torturue për vdekje, – tue pasë marrë pjesë edhe vete Zoi Temeli – e kishin hedhë nga dritarja e katit të sipërm të nji shtëpie fshatari e, mbrapa pushkatue. Këtë Ymer Beqir edhe italianët e kishin pasë burgosë e internue dikur, bashkë me Adem Haxhinë, si patriotë që kishin qenë.
Mbas shumë përpjekjesh, Sigurimi kishte arrijtë që nji ditë të zoulonte edhe shpellën ku u ndodhte i mëshehun trimi Murat Haxhia, frymëzuesi e organizatori kryesor i kryengritjes. I rrethuem nga të gjitha anët prej forcave të shumta të Sigurimit e mbas nji luftimi prej disa orësh, ai si të kishte vra dy ushtarakë e mbetë ma në fund pa municion për të vazhdue qëndresën, ishte kapë i gjallë, për t’u pushkatue mbas do kohe. E pushkatue ishte edhe Hajdar Dani i shtëpisë bajraktare të Drishtit. Duhet vue në dukje se me këtë rast qenë sekuestrue kudo nëpër Postrribë, sasina të mëdha prodhimesh bujqësore e blegtorale, si edhe trimijë krenë bagëti të trasha e të imta. Kur Postriba sulmonte Shkodrën ditën e 9 shtatorit, nga ana e lagjes Rus, nji grup tjetër luftëtarësh, kryesisht prej katundeve Ragam e Sheldi, që t’u solidarizoheshin me vëllaznit e tyne postribas, do të përshkojshin rrugën me armë në dorë deri në Shkodër e të ndalojshin te ai vend që atëherë u quante “Kallamat e Xhuxhës”, lagje periferike e qytetit, buzë Zallit të Kirit.
Dihet së paku se shtëpia e Pashukejve të Sheldisë me banim në Ragam, ka qenë nji ndër ma aktivët atë ditë e se prej asaj shtëpie, pak ditë mbas kryengritjes, do t’u pushkatonte para popullit Tish Pashuku e mbas tij Deda, kurse tjetri vëlla Ndreka, mbas nji hetuesie të gjatë, do të vdiste në burg. Flitet edhe për nji oficer akademist me emnin Ndoc Ejllit të arratisun, dhe në atë ditë të kryengritjes, kishte mbshtete fort forcat në tërheqje me nji mitraloz që kishte pasë. Të shumtë kanë qenë ata postribas që u burgosën me rastin e kryengritjes së tyne, tue pasë provue ma s’parit Sigurimin me torturat e tij e, mbrapa burgje e kampe pune, për të vazhdue me tregue në të gjitha rastet karakterin e tyne të qëndresës e besnikrisë. Apo s’ishin edhe shumë fetarë! Kur në kampin e Bedenit dita ishte nji vit e stërmundimi në kulmet e tij, postribasit si askush tjetër e për çudinë e të gjithëve, do të mbajshin Ramazan, e t’mos e prishshin, as mbas disa herësh që të kishin nxjerrë gjak prej gojet.
Ç’do të ndodhte me Shkodrën mbas kryengritjes së Postribës?!
Mbas “Lëvizjes së Postrribës”, Shkodra do t’iu nënshtronte nji terrori e persekucioni, që natyrisht historia, përfshi edhe dy jetët e fundit me regjim komunist, nuk kishte njohë ndonjiherë. “Lëvizja” e Postrribës do t’i shërbente atij regjimi si pretekst për të hedhë në grackën e vet të gjithë kundërshtarët e tij pa përjashtim, të njohun ose të imagjinuem. Si mbas logjikës komuniste – në ndryshim edhe me postulatin nazist; “nji ditë terror, nji vit qetësi”, – Shkodra u donte t’iu nënshtronte nji terrori të vazhdueshem, me qëllim që ajo të paguente jo vetëm qëndrimin e saj kundërshtar të dy vjetëve të fundit, po edhe të kaluemen e saj, të paguente traditën, botkuptimin e saj të mirëfilltë shqiptar, trunin e kulturën që kishte pasë; të paguente gjithashtu fisnikërinë, krenarinë e vetëdijen e saj kolektive, e për pasojë, edhe solidaritetin e saj tradicional. Udhëzimi nga qendra ishte që Shkodra t’u vriste në të gjithë elementët e saj vitalë, fizikë e moralë. Ajo u donte luftue pa mëshirë në të gjithë qenjen e saj, përfshi histori e të ardhme. E u donte luftue në atë mënyrë e masë, që ajo t’mos mund t’u ngrinte kurrë ma.
Lidhun me sa ma sipër, Ministria e Punëve të Brendshme do të dërgonte me atë rast në Shkodër si hetues, kuadro besnikë të saj, të sprovuem ndër krime, si; Nesti Kopalin, Zoi Shkurtin, Pilo Bregun, Sirri Çarçanin, Abdyl Hakiun, Nesti Kopalin, Ali Xhungën etj., qẽ të gjithë kryesorë e prej jugut, që do të mbajshin pranë e në varësi të tyne kriminelë e xhahilë nga Shkodra, si Fadil Kapisyzin, Dul Rrjollin, Xhemal Selimin etj., e deri te emnat e Asllan Licëve, Dulaq Lekiqeve etj., etj., ndërkohë që edhe përgjimi ishte ba shumë intensiv. Mund të themi se fantazma e terrorit ndër ato ditë endej rreth çdo shtëpie a qytetari sadopak të njohun të Shkodrës, tue u kujtue burgun, torturat e pse jo, edhe vdekjen e parakohshme. Kështu me akuzën standard si “i lidhun” ose “dijeni” për “Lëvizjen e Postrribës”, do t’u arrestojshin me atë rast njerëzit ma në za e patriotë të Shkodrës me rrethe, ma të shumtët e intelektualëve të vjetër e të rinj, si edhe klerikët. U arrestojshin qytetarë vazhdimisht, ditën e natën, aq sa për numrin e tyne të madh, pushtetit komunist i pat dalë e nevojshme ngritja e menjihershme e shumë burgjeve.
Kështu qenë kthye në burgje ndërtesa të mëdha shtetnore e fetare, sikurse edhe shtëpi të mëdha private, tue ba ndër to modifikimet e nevojshme. Në burgje qenë kthye Shkolla Pedagogjike e vajzave, “Donika Kastrioti”, Kuvendi i Fretënve, Shkolla e Stigmatinëve, ish-godina e madhe e Rekrutimit, si dhe shtëpitë e quejtuna të Cekës, Sumejve, ajo e Muzhanëve e quejtun “Burgu i Togës”, – dikur Konvikti i Maleve Tona-, i “Gestapos”, i “Çurçisë” etj., gjithsejt trembëdhetë, përfshie edhe Burgun e Madh me disa qindra të burgosunish mbrenda. Me qinda do të ishin ato familje shkodrane që gjatë atyne ditëve e sidomos netëve të mbushuna me frikë, do të provojshin me zemër të fikun krismën tronditëse n derë të shtëpisë, e përnjiherë mbrapa shfaqjen e njerëzve të Sigurimit, të cilët, tue iu drejtue familjarëve, apo vetë personit që do t’u arrestonte, që të shqiptojshin ftofët frazën e njohun e fatale: “Na duhesh”, ose; “Na duhet për pak punë”, ose; “për nji sqarim”.
Kanë qenë të shumta ato shtëpi që me atë rast të kenë përcjellë për herë të fundit e me lot për faqe prindin, birin, bashkëshortin a vllaun, për t’mos i pasë kurrë ma në gjiun e tyne të ngrohët, sepse disa prej tyne do të vdisshin ndër duer të hetuesve kriminelë të Sigurimit e, do të kishte prej atyne që do t’u vritshin netëve të errta me alibinë e përsëritun se; “u vranë kur po tentojshin t’u arratisshin prej burgut”, sikurse të tjerë, që do t’u pushkatojshin me vendime gjyqesh të inskenuem në çfarëdo ambjenti, si ish-dhoma shtëpish, zyra, apo edhe salla institucionesh të kthyeme në burgje, e t’ishin përsëri të shumtë edhe ata që prej moshës a sëmundjeve të fitueme, të vdisshin gjithandej ndër burgje e kampe të ndryshëm, por jo ma tue pasë kenë edhe nji herë të lirë e në shtëpi të tyne.
Për me krijue te lexuesi i jonë idenë se ç’pat ndodhë me Shkodrën mbas kryengritjes së Postrribës, po përpiqem që përciptas të rendis disa prej atyne familjeve e pjesëtarëve të tyne, që me atë rast patën ra pre e diktaturës, pikrisht për vlerat që ata mbartshin, e që deri atëhere i kishin pasë dhanë tonin jetës së Shkodrës së tyne, kulturës që ajo po rrezatonte gjithandej. Tue mos pretendue për nji përzgjedhje ma të mirë prej anës time dhe as për nji përfshimje të të gjithë atyne familjeve, apo individëve, që me burgosjen e vuajtjet e tyne duhet të zejshin vendin e tyne të merituem në këtë punim timin, unë pohoj edhe nji herë se pasqyroj vetëm përvojën time si qytetar dhe si i burgosun për nji periudhë të caktueme të Shkodrës, nën komunizëm. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016