Nga Bashkim Trenova
Memorie.al publikon kujtimet e gazetarit, publicistit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturgut dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve, në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, ai u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme, me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut. Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëria e tij, periudha e fakultetit, karriera profesionale si gazetar në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, ku atij i’u desh të njihte disa nga ‘familjet reaksionare’ dhe pinjollët e tyre, të cilët i ka përshkruar në një libër, të publikuar në vitin 2012 me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie.al
Armiqtë e popullit
Kosturi, ishte i pari “armik i popullit” me të cilin “ndeshesha” në jetën time të porsa nisur, pa e njohur dhe pa më njohur kurrë. Më vonë, duke u rritur, pashë se armiqtë ishin të shumtë, ishin bashkudhëtarë të përhershëm të jetës sime. “Armiku i popullit”, ishte hija fatale e secilit shqiptar. Të qenurit apo të mosqenurit e çdo shqiptari, ishin në varësi të humorit, kapriçove dhe egoizmit të diktatorit, oborrit dhe sejmenëve të tij. Arbitrariteti dhe mosrespektimi ligjit, ishin ligj. Sicili, në çdo moment, mund të deklarohej prej pushtetit nga ish besnik deri në vdekje i tij, në armik i betuar që nga dita e parë e lindjes, shkurt “armik i popullit”.
Varfëria, armiku i vërtetë i popullit
Nga sa më kujtohet nga jeta jonë disavjeçare në Durrës, armiku i vërtetë i popullit, ishte varfëria e madhe e pasluftës. Pushtetit të vendosur pas çlirimit të vendit nga nazistët, i mungonin si mjetet ashtu edhe përvoja. Pushtetarët e rinj do të dëshmonin me kalimin e viteve, se ishin krejtësisht të paaftë, të papërgjegjshëm, e të padenjë për të drejtuar një shtet. As në vitet e para të pasluftës dhe as më tej, ata nuk mundën të ndërtojnë një të ardhme të sigurt, duke luftuar së pari armiqtë e vërtetë – varfërinë dhe injorancën.
Në të vërtetë, në lëmin e arsimit e të kulturës, u hapën disa kurse kundër analfabetizmit në të gjithë vendin, më pas u ngrit edhe një rrjet i gjerë shkollor, u ngrit për herë të parë Universiteti i Tiranës, Teatri i Operës e Baletit, etj. Në të njëjtën kohë u ndalua qarkullimi i filozofive dhe i ideve të ndryshme, u ndalua qarkullimi i rrymave të ndryshme artistike-letrare, libri i huaj. Gjithçka u ndalua, përpos varfërisë. Varfëria ishte tjetër gjë. Ajo nuk mund të luftohej as me kurse, as me entuziazëm sloganesh. E pamposhtur nga komunizmi ajo do të mposhtë komunizmin. Ky “harroi” mësimin e tij themelor në bazë të të cilit “materia është primare, ideja është sekondare”. Ai thjesht u ndërroi vendet apo u detyrua t’u ndërroi vendet atyre, duke tradhtuar kështu vetveten, gjë që u pagua si çdo tradhti.
Në kodrat e Durrësit, hanim ferra për të shuar urinë
Vitet kalonin dhe mua më kujtohet se si së bashku me Diun dhe të tjerë fëmijë të familjes së ardhur nga jugu dhe që banonte pranë nesh, shkonim për të kullotur dhinë në kodrat e qytetit, ku ishte ngritur kalaja. Dhia ushqente fëmijët e kësaj familjeje prandaj edhe pse u vendos në qytet, ajo e mbante atë si pasurinë e saj më të madhe. Gjatë kullotjes ne këpusnim kërcellin e disa ferrave, i hiqnim gjembat, i qëronim lëkurën dhe e hanim si ushqim të shijshëm. Unë shihja të tjerët dhe bëja si ata. Thjesht, të gjithë provonim të ushqeheshim pothuajse si dhia.
Në kodrat e kalasë së Durrësit ishte edhe një spital për invalidët si edhe një kishë ortodokse dhe një varrezë për besimtarët e saj. Ne si fëmijë gëzoheshim kur kishte ndonjë ceremoni varrimi dhe gjendeshim aty pranë. Nuk ishte ceremonia fetare, rritet përkatëse që na tërhiqnin. Ato nuk i kuptonim, njëlloj siç nuk kuptonim në këtë moshë as jetën dhe as vdekjen. Sipas ritit ortodoks, në fund të varrimit të të ndjerit, në hyrje të varrezës, shpërndahej për të pranishmit dhe kalimtarët një grusht grurë i ëmbël. Ishte ky grusht grurë që na tërhiqte ne gjithë gëzim edhe pse ai shpërndahej për një trishtim. Uria jonë ishte pjesë e trishtimit.
Mbaj mend se si në një dyqan frutash, komshinjtë e mi prisnin që ndonjë blerës të hidhte mbeturinën e frutit të ngrënë për ta marrë dhe ushqyer me të. Mbaj mend se si nëna jonë rrahu një ditë motrën, Engjëllushen, që në atë kohë nuk ka patur më shumë se dhjetë vjet. Përse? Sepse i kishte kërkuar asaj të përgatiste makarona për drekë. Motra i harroi apo i la disi më gjatë makaronat në zjarr dhe ato u dogjën. Kjo do të thoshte se ne do të mbeteshim pa ngrënë. Në shtëpi nuk kishte gjë tjetër. Ja përse në dëshpërim, nëna e rrahu atë. Mbaj mend se si u zgjebosëm të gjithë ne fëmijët dhe si lyheshim me squfur për t’u shëruar. Djegia e squfurit në duar dhe në trup ishte e padurueshme.
Ushqimet e skeduara që vinin si ndihma nga jashtë dhe mensat sociale
Më pas në kopshte dhe shkolla filluan të shpërndahen ndihmat e sjellura në Shqipëri nga institucionet ndërkombëtare, qumësht pluhur, marmelatë dhe njëlloj gjalpi artificial. Ne, sado të uritur që ishim, nuk mund t’i kapërdinim “dhuratat” që na vinin nga përtej Adriatikut. Në të vërtetë ato ishin të skeduara dhe kundërmonin aq rëndë sa edhe me kundërgaz nuk mund t’u afroheshe. Shpesh, sa i merrnim, ne i groposnim ato. Në oborret e shkollave filluan të na japin të pimë edhe nga një lugë vaj peshku. Kundërmimi i tij ishte tepër i fuqishëm. Për ta kapërdirë vajin e peshkut, e shoqëronim pirjen e tij me një copëz buke të sjellë me vete nga shtëpia dhe me njërën dorë që mbyllte brimat e hundës. Disa gram marmelatë, në madhësinë e një karameleje, ishin lumturia e jonë.
Ngjarje e veçantë ishte kur shkonim në mensat sociale. Së bashku me prindërit uleshim në tavolina të gjata, të cilat prisnin qindra e qindra qytetarë, që më dukeshin të gëzuar, të zhurmshëm. Nuk e di si ishin organizuar ato dhe kush mund të përfitonte prej tyre. Mundet që shteti në këtë mënyrë ndihmonte punonjësit e angazhuar në administratën e tij, siç ishin edhe prindërit e mi! Mua më dukej sikur i gjithë qyteti ishte aty.
Ngjarja e veçantë, inaugurimi i hekurudhës Durrës-Peqin
Një ngjarje e veçantë gjatë qëndrimit të familjes sime në Durrës, ishte edhe ndërtimi i hekurudhës Durrës-Peqin, në vitin 1947. Në Shqipëri kështu filloi për herë të parë ndërtimi i rrjetit hekurudhor. Për të pritur apo përcjellur trenin e parë, u zhvillua edhe një miting madhështor, ku morën pjesë të mëdhenj e të vegjël. Ishte jo thjesht kureshtja ndaj diçkaje të re që po hynte në jetën tonë, por edhe një dëshmi që provonte se shpresat për një jetë të re kishin nisur të bëheshin realitet. Kështu thoshte edhe Partia Komuniste, e cila çuditërisht, edhe pse ishte në pushtet, vazhdonte të qëndronte në ilegalitet, si në vitet e Luftës.
Kur lokomotiva lëshoi sinjalin e arritjes apo të nisjes së trenit, entuziazmi i të pranishmëve ishte i pakrahasueshëm. Dëgjoheshin këngë, hidheshin valle, tundeshin në ajër flamuj shqiptarë dhe jugosllavë. Në ballin e lokomotivës ishin një portret i Stalinit, flamuj shqiptarë e jugosllavë, si dhe portretet e udhëheqësve komunistë të dy vendeve, Enver Hoxhës e Josif Broz Titos. Nga turma dëgjohej kënga mjaft e përhapur “Druzhe Tito, druzhe Tito”. Nuk do të kalonte shumë kohë kur nga Byroja Politike e Partisë Komuniste të Shqipërisë, druzhe Tito do të deklarohej si armiku më i madh i popullit shqiptar.
Por me këtë armik ish mik, nuk do të zgjatem sepse ai nuk ka qenë ndonjëherë as shok, as mik, as i afërt, fqinj apo koleg i imi, pra është jashtë sferës së rrëfimit tim. Mund të them vetëm se, lokomotivat dhe vagonët që erdhën nga Jugosllavia si dhuratë e çmuar internacionaliste për Shqipërinë, ishin të kohës së perandorisë Austro-hungareze. Druzhe Tito i’a kalonte kështu Shqipërisë stoqet e vjetra si “ndihmë vëllazërore.” Udhëheqja komuniste shqiptare ekzaltohej para kësaj “ndihme”.
Nga Durrësi, sërish me banim në Tiranë dhe me “armiqtë e popullit”
Mbas disa vitesh u larguam nga Durrësi dhe u kthyem sërish në Tiranë. Të njëjtën gjë si me vagonët austro-hungarezë të ardhur nga Jugosllavia, kam parë edhe në Kombinatin e Tekstileve “Stalin” në Tiranë, vetëm pak vite më pas. Këtë herë do të ishin shokët sovjetikë që tregonin “internacionalizmin” e tyre, duke e përdorur Shqipërinë si kosh mbeturinash, ose si varrezë të makinerive të kohës së carëve, të shekullit XIX. Udhëheqja komuniste shqiptare, për rreth dy dhjetëvjeçarë, vazhdoi të shiste ekzaltimin e saj si lumturinë tonë, hedhurinat si lokomotiva të progresit. Edhe këtu nuk do të qëndroj sepse studimi i marrëdhënieve të Partisë Komuniste Shqiptare me atë sovjetike, nuk është në sferën e këtyre shënimeve.
Mund të them vetëm se ashtu si udhëheqja jugosllave në vitin 1948, edhe udhëheqja sovjetike, në vitin 1960, u deklarua nga Enver Hoxha dhe Partia e Punës së Shqipërisë, si armike e betuar e popullit shqiptar dhe e tërë popujve liridashës, si agjente e imperializmit, etj., etj. Në Shqipëri, para këtyre pozicionimeve të Partisë së Punës, ka patur njerëz që i shihnin sundimtarët e Beogradit dhe të Kremlinit, si armiq të egër të popullit shqiptar. Qoftë edhe vetëm për këtë gjë ata janë deklaruar nga diktatura komuniste e Tiranës, si “armiq të popullit shqiptar.” Diktatura i jepte vetes të drejtën ekskluzive të deklarimit të miqve të mëdhenj dhe të armiqve të mëdhenj të popullit shqiptar, të kthimit të miqve të përjetshëm në armiq të betuar dhe anasjelltas, nëse kështu ia kërkonin interesat e saj.
Alfred Bonati, i dyti “armik i popullit” që njoha pas Kosturit!
Problemi i parë pas kthimit në Tiranë ishte ai i strehimit. Nëse në Durrës u strehuam si qiraxhinj në shtëpinë e një armiku, në Tiranë, një “armik” ishte si qiraxhi në shtëpinë tonë. Në të vërtetë aty, gjatë mungesës sonë, ishin strehuar dy persona të tjerë. Njëri prej tyre ishte portieri i famshëm i Sport-Klub “17 Nëntori”-t, si edhe i kombëtares, Alfred Bonati. Ai mbajti një dhomë tonën edhe për disa javë apo për disa muaj, pasi ne u kthyem nga Durrësi. Bonati ishte me një trup sportiv, mjaft simpatik. Të gjithë fëmijët dhe të rinjtë e rrugës sonë e përshëndetnin me dëshirën që të merrnin si përgjigje një përshëndetje prej tij. Edhe unë bëja si të gjithë të tjerët, madje ndjenja të kisha përparësi sepse ai ishte “borxhli” ndaj familjes sonë. Ai vazhdonte të qëndronte në dhomën që na përkiste e që duhej ta kishte lënë me kohë. Unë nuk e dija atëherë se Bonati ishte “armiku” i dytë me të cilin po ndeshesha në jetën time. Edhe ai kishte diçka në biografi që nuk i shkonte për së mbari pushtetit të quajtur popullor në Shqipëri.
Cili ishte “krimi” i Bonatit? Asnjëherë nuk e kam mësuar edhe këtë gjë. Ajo që di është se Bonati, që ishte ylli i futbollit tonë në vitet e para të pasluftës, përfundoi si shofer i thjeshtë në Kinostudion “Shqipëria e re”. Ajo që di është se me 6 dhjetor 1946, u arrestua në Shqipëri nga Sigurimi i Shtetit Imzot, Prof. Jul Bonati. Ky, në moshën 73 vjeçare, u dënua me akuzën “spiun i Vatikanit” me 7 vjet burg, të cilat nuk i përfundoi kurrë. Pas dënimit pushteti u “interesua” për shëndetin e tij dhe e dërgoi në spitalin psikiatrik të Durrësit. Një ditë, më 5 maj 1951, në spital u plotësua edhe kartela: “Jul Bonati vdiq…”!
A kishte ndonjë lidhje farefisnie portieri i adhuruar për kohën, Alfred Bonati, me klerikun erudit Jul Bonati? Ndoshta edhe po. Mundet edhe jo. Për regjimin në fuqi, gjithsesi ishte njëlloj. Alfred Bonati edhe po të ketë patur lidhje gjaku me Jul Bonatin, ishte i njollosur në biografi, por edhe nëse e përbashkëta “Bonati”, ishte thjesht një rastësi, rastësi të tilla nuk faleshin lehtë në komunizëm. Ato, sidoqoftë, tregonin për një lidhje, qoftë edhe të largët. Sigurimi ishte vigjilent!
Në Tiranë shtëpia jonë ishte vendosur në hyrje të një rrugice pa krye. Në fëmijërinë time nuk më kishte shkuar në mendje t’i ndaj banorët e saj në komunistë dhe jo komunistë, në patriotë dhe tradhtarë, pro pushtetit apo kundër pushtetit. Si fëmijë luanim së bashku pa njohur dallimet e përmendura. Si fëmijë ne mblidheshim dhe flisnim me zjarr duke kundërshtuar njëri-tjetrin për fakte dhe ngjarje të ndryshme. Këtu, siç e mendoj tani, secili nga ne, si instinktivisht, mbronte pozicionin “klasor”, d.m.th. rreshtohej në taborin ku edhe bënte pjesë familja e tij, prindërit dhe kushërinjtë.
“Parlamenti” i fëmijëve, te Vakëfi afër furrës së Isuf Larushkut
Pothuajse çdo mbrëmje ne mblidheshim pranë furrës së Isuf Larushkut, jo larg së cilës ishte vendosur një bllok i vogël betoni me dimensionet 50 centimetër lartësi dhe 30 cm gjerësi, që ne e përdornim edhe për tu ulur. Ky bllok, në të cilin ishte shkruajtur fjala “Vakëf”, tregonte se vendi përreth ishte i shenjtë, ose se tokat për rreth i takonin një komuniteti fetar, në këtë rast atij mysliman. Pranë bllokut ishte një shtyllë elektrike në lartësitë e së cilës mezi ndriçonte një llambë tepër e vogël për atë hapësirë që duhej të mbulonte.
Dy ishin “heronjtë” tanë të papërmbajtur, Hamit Kolaveri i zjarrtë dhe Behxhet Agolli patetik. Ndonjëherë lëshoja ndonjë fjalë edhe unë në këtë “kuvend” burrash edhe pse isha më i vogli midis tyre. Të gjithë merrnin pjesë në bisedë. Gjakrat nxeheshin si në Parlamentin e sotëm të Shqipërisë, veçse ne ishim të sinqertë, asnjëherë nuk u shamë midis nesh dhe as na shkoi ndonjëherë në mend të akuzonim poshtërsisht njëri-tjetrin, aq më tepër të denonconim njërin apo tjetrin. Ishim të rinj apo fëmijë, por kishim besë e burrëri, trashëgonim tjetër edukatë.
Nga sheshi ku ne mblidheshim për “kuvend” kalonte karroca që transportonte të vdekurit për në varrezat e qytetit. Ne nuk e dinim se kush po varrosej, cilës klasë apo shtrese shoqërore i përkiste i ndjeri apo e ndjera, nëse kishte qenë patriot apo tradhtar, komunist apo antikomunist, bir i popullit apo armik i popullit. Për ne i vdekuri, kushdo që të kishte qenë, duhej nderuar dhe ne ndërpritnim çdo debat, çdo lojë, ngriheshim në këmbë dhe qëndronim pa lëvizur me pamje nga kortezhi deri sa ai largohej. Kishte edhe raste kur ky rregull nuk respektohej nga ne, por për arsye krejt të tjera nga sa përmenda. Shihnim shpesh, p.sh., të kalonte para nesh një burrë disi i thyer me një arkivol të vogël në shpinë. Ne e quanim atë hamalli. Ndoshta kështu i thërrisnin edhe të tjerët. Kështu mund të njihej edhe në organikën zyrtare atje ku ishte punësuar.
Ai mbarte fëmijët e vdekur të porsalindur ose të lindur të vdekur në maternitet. Këto varroseshin atëherë si fëmijë të askujt, si të paqenë, pra të pashoqëruar nga askush. Ndonjëherë ai ndalonte paksa për t’u shplodhur dhe ulte arkivolin e vogël poshtë nga supet e tij. Njëherë, në një rast të tillë, ne ju lutëm që ta hapte kapakun e arkivolit e të shihnim se ç’kishte brenda. Donim të shikonim vdekjen. Ai pranoi dhe ne pamë, për herë të parë, një qenie të vdekur, një fëmijë krejtësisht i ç’veshur i futur në këtë arkë dërrasash të papunuara që i thonim arkivol. Çuditërisht një zorrë i varej nga kërthiza mbi trup!
Pasi u largua hamalli me arkivolin e vogël mbi shpinë, ne ndezëm një zjarr të madh dhe u mblodhëm rreth tij për të përsëritur kushedi se për të satën herë në të njëjtin vend, të njëjtat përralla të frikshme, legjenda, anekdota, tregime, të vërteta dhe sajesa. Folëm për Selmanin, një shitës fruta perimesh që kishte vdekur dhe që, sikurse flitej, kishte dalë lugat sepse kishte bërë hile në peshë. Folëm për ish drejtorin e shkollës “Kongresi i Lushnjes”, Mehmet Alizotin. Edhe për të thuhej se pasi ishte varrosur, kalimtarë të rastit kishin dëgjuar thirrjet e tij nga thellësia e varrit. Të mbërthyer nga tregime të kësaj natyre, pranë zjarrit, që ne e ndiznim pothuajse rregullisht, zemërimi i dy “heronjve” tanë, Hamitit dhe Behxhetit, shuhej. Ishin të tjerë tenorë të suksesshëm. Gimi i Fajës, për shembull, na habiste me aventurat e tij erotike të përsëritura në autobusin urban, etj! Për të nxitur fantazinë e tij ne bënim sikur i besonim.
Hamiti me origjinë nga Mati, me babanë të burgosur politik, si ish-xhandar
Hamiti ishte me origjinë nga Veriu i Shqipërisë, nga krahina e Matit. Shtëpia e tij ishte përballë shtëpisë sonë. Behxheti ishte me origjinë po nga veriu, nga Dibra. Shtëpia e tij ndahej nga një mur oborri me tonën. Hamiti kishte ngjitur në derën e hyrjes së shtëpisë së tij një shirit letre, ku ishte shënuar me të zeza “Arsen Lupen” apo “Al Kapone”, nuk më kujtohet mirë. Nuk e di përse e kishte bërë këtë! Ai jetonte me gjyshin dhe gjyshen. Babai i ishte burgosur sepse gjatë kohës së pushtimit kishte shërbyer në xhandarmëri. Ishte denoncuar nga zyrtarë të Beratit, një qytet në qendër të Shqipërisë, prej nga ishte me origjinë edhe gruaja e tij. Banorët e rrugës sonë nuk kishin paraqitur asnjë padi dhe as nuk e kishin akuzuar atë për ndonjë veprim konkret në shërbim të pushtuesve. Në të vërtetë ai kishte bërë një vesh shurdh dhe një sy qorr për çka ndodhte në rrugicën tonë. Nderi i’a kërkonte të mos denonconte fqinjët edhe pse ndonjë prej tyre, siç ishte p.sh. familja ime apo ajo e Behxhetit, ishin angazhuar tërësisht në anën e qëndresës antifashiste, pavarësisht se në shtëpitë tona bëheshin takime ilegalësh apo mblidheshin e shpërndaheshin ndihma për familjet e partizanëve, strehoheshin edhe krerë të formacioneve të armatosura antifashiste. Për atë, të gjitha këto nuk kishin qenë të panjohura.
Hamiti i shihte dhe gjykonte gjërat me syrin e një adoleshenti, që ndjehej i persekutuar. Ai mezi siguronte jetesën. Ishte xhaxhai im, Fadil Trenova, që punonte si agronom në Bashkinë e Tiranës, ai që në sheshin ku ne bënim “debatet” tona “pluraliste”, ngriti një lulishte. Aty u punësuan gjyshi dhe gjyshja e Hamitit, që siguruan kështu ekzistencën e tyre dhe të nipit të tyre. E ëma e Hamitit ishte larguar nga Tirana dhe jetonte në qytetin e saj në Berat.
Sikur të mos mjaftonin hallet që u kishin rënë mbi supe dhe për të cilat ai si edhe gjyshi apo gjyshja e tij nuk kishin asnjë përgjegjësi, shteti u kujdes që t’ua bëjë sa më sterrë jetën. Kështu, pa pëlqimin e tyre si pronarë të shtëpisë, atyre u futën si qiraxhinj dy familje të tjera. Nuk mjaftoi edhe kjo. Në oborrin e shtëpisë ishte ngritur një barakë e mbuluar me kartonë dhe llamarinë, të cilën familja Kolaveri e përdorte si depo. Aty u futën si qiraxhinj një familje cigane me shumë fëmijë. Vetë gjyshit, gjyshes dhe Hamitit iu la një dhomë e vogël për të jetuar. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016