Nga Ahmet Xhavit Delvina
Pjesa e parë
Memorie.al / Po e shkruaj këtë ngjarje që e kam trajtuar unë si “dirigjent” dhe më ka lënë mbresa të paharruara sepse, është një pjesëz e jetës së njerëzve tanë në atë periudhë të keqe të sundimit komunist. Ishte viti 1954, u nisa për në Tiranë nga Burreli në orën 4 të mëngjesit, isha ushtar në Repartin 7620, me detyrë në ofiçinë si automekanik, në këtë rast po çoja një makinë – kamion ushtarak tip GMC (“Xhems”) Made in USA, për remont – kapital, në Ofiçinën Qendrore të Ushtrisë. Kjo lloj makine luftarake, mund të them se ishte krejtësisht e papërshtatshme për transport civil sepse, si konstruksion kabinën e shoferit e kishte krejtësisht të hapur me tendë, por faktikisht tek kjo mungonte tenda dhe xhami përpara, nuk ekzistonte se kishte kaluar një përplasje dikur, karrocerinë e kishte totalisht metalike, me sponde të ulta 25 cm. lartësi dhe kjo e zbuluar pa tendë, apo dhe pa ndonjë mbajtëse anësore. Ishte muaji shkurt, kulmi i atij dimri të egër.
Sapo kisha zbritur lartësinë e njohur tek ura mbi lumin Mat (Burrel) tek kryqëzimi Tiranë – Peshkopi, shoh që del nëpër errësirë nga poshtë urës një grua relativisht e moshuar, me rroba të zeza dhe ma bën me dorë për të ndaluar, por me insistim të madh. U ndala menjëherë dhe e pyeta i habitur që pse ndodhej ajo aty në atë vend natën, çfarë i kishte ndodhur dhe se çfarë ndihme kërkonte?! Ajo u step për një moment.
– “Fol zonjë fol”, – i them dhe po e pres duke e parë në sy.
Ajo pasi më vuri re mirë në fytyrë ia dha të qarës, por shpejt e mblodhi veten dhe më thotë: – “Më fal që po qaj, por u trondita shumë nga mirësjellja juaj për këto kushte që po të paraqitem dhe nuk e prisja kurrë që një ‘partizan’ të më begenisi në këtë mënyrë kaq njerëzore, lëre pastaj të më quaj edhe ‘zonjë’… zonjë”! dhe mblodhi buzët në formë habie!
Unë iu përgjigja aty për aty se nuk isha partizan, por ushtar i shërbimit të detyruar.
Ajo mu përgjigj: – “Më fal, u ngatërrova nga ylli i kuq që ke në kapele, – dhe vazhdoi, – ju lutem a ka mundësi të na merrni për në Tiranë”?
– “Po, hajde hip, – i thashë, – por për fat të keq kam makinë të hapur dhe pa asnjë komoditet”.
– “Për atë punën e hapur apo pa komoditet, nuk prish punë por jemi të gjitha 14 – 15 gra që po ngrohim pak duart me një zjarr që e kemi ndezur me ca ‘stapka’ (shkopa) poshtë urës, të cilat i kemi mbledhur lart e poshtë, kemi dy ditë e dy netë që rrimë atje poshtë urës, na ka mbaruar çdo gjë, tani presim të na dalë edhe shpirti, nuk po gjejmë makinë për t’u kthyer në Tiranë, hëë, si thoni? Ju lutem mos na refuzo, ju lutem vini dorën në zemër se po vdesim, na beso” – dhe u përlot.
Atëherë me gjithë mirësjellje i them të vijnë ato shoqet e ta shohin mjetin dhe pastaj të vendosin nëse e pëlqejnë dhe po ju mbush mendja le të urdhërojnë. Ajo në ato momente ndjeu një gëzim të pa përshkruar, u bllokua në shikim e në shprehje dhe u kthye menjëherë, e vajti poshtë urës për t’i njoftuar se fati ju zbriti nga qielli.
Kur po shoh pas pak të dalin nga poshtë urës gati me vrap drejt makinës një nga një, tërë ato gra që fatkeq-mirësish pothuaj i njihja të gjitha, sepse ishin mikesha shumë të afërta të familjes sonë dhe të gjithë farefisit në përgjithësi. Ato kishin qenë për takimin periodik me njerëzit e tyre të burgosur në burgun politik të Burrelit.
U gëzova jashtë mase që mu dha rasti t’i ndihmoja direkt vetë këto qyqare, që akoma nuk ju besohej për rrugën e degradimit që na kishin futur të gjithëve ne të përmbysurve, dhe komunistët gjithnjë shpresonin se do të shpëtonin një ditë.
Mendova se do të ishte më mirë të mos iu prezantohesha, se po ta merrnin vesh ato se kush isha unë, me siguri që nuk do të pranonin t’ju shërbeja me ato që kisha ndërmend se, e njihnin mirë dhe fukarallëkun në shtëpinë sonë, si në të gjitha shtëpitë e sërës tonë.
Në fakt ato nuk më njohën deri në fund të “aksionit” sepse isha me kokë të qethur, me kokore ruse dhe veshët i kisha të mbuluara me bishtat e kokores, lëre që kisha të veshura dhe kominoshe të zeza, doreza, etj.
Këtë mosnjohje nga ato e kishte shkaktuar dhe mungesa e kontaktit periodik me ta, ndryshe ishte me Nedon dhe me Sherifin, që shiheshin shpesh, por unë për natyrën e punës që kisha shpesh jashtë Tiranës, pothuajse nuk isha parë fare me ta, i kisha të fiksuara në njohje.
Ky ishte realiteti, ato s’e kuptuan dhe mbetën të habitura, se si iu ra ky fat nga qielli, sepse kështu i trajtova nga fillimi deri në fund. Nuk mund ta përshkruaj gjendjen fizike dhe shpirtërore të atyre grave për ato momente që udhëtuam bashkë, kishin 2 – 3 ditë pa ngrënë fare, në të ftohtë e të demoralizuara në kulm, pothuajse edhe pa lekë nëpër xhepa dhe gati të ngrira.
I pyeta në një rast se si e kishin menduar ta kryenin këtë udhëtim në këto kushte të rënda dimri; “se kuptoj, ju sikur donit të vrisnit veten”? Ato mu përgjigjën në grup njëzëri të gjitha: – “Ju lutemi vetëm na merr e, mos na lerë të vdesim këtu nën urë”.
Ndërkohë shkëputet njëra dhe më vjen pranë e më thotë: – “Dëgjo zoti shofer, nuk e di a beson në zot ti? Sepse ne të gjithave që na sheh këtu besojmë dhe do t’i lutemi atij të madhit Zot për ty dhe për familjen tënde, që të mos kesh keq kurrë në këtë dynja ‘të mallkuar’”.
Mora t’ia ndërpres fjalën por jo, më thanë se “nuk është mirë, por megjithatë të japim fjalën, se do t’i zbrazim xhepat tona për ty e, për fisnikërin tënde”.
– “Mirë, mirë, – i thashë, – por nuk besoj që t’ju kenë mbetur nëpër xhepa aq para sa të përballoni vullnetin tuaj të mirë për të më shpërblyer”.
– “Sigurisht që ashtu është, por pavarësisht nga varfëria jonë, do t’i zbrazim xhepat për ty, por të lutemi shumë mos na ndaj e, na merr të gjithave së bashku”.
– “Hajde pra hipni – ju thashë, – e na priftë e mbara”, dhe u nisëm.
Diku afër urës së “Urakës” ndalova dhe ju hapa një shishe me konjak “Korçe” dhe iu them: – “Pini të gjitha nga një gërmaz dhe mbarojeni shishen, kjo besoj se nuk do t’ju lerë të ngrini”.
Mu drejtua zonja që më tha në fillim “zoti partizan”: – “Ju lutem në këto rrethana që jemi, na duket e tepërt ky kujdes kaq i madh për ne nga ju dhe nuk besoj të jemi në gjendje t’ju paguajmë atë që meritoni”!
– “Më falni zonja, – ju thashë, – sepse ju meritoni shumë më shumë, por për fat të keq nuk ju përgjigjem dot me konjak ‘Bordoje’, sepse ai lloj konjaku ju takon, biles i servirur me ‘ciocolattina Perugina’. por çfarë t’i bësh fukarallëkut, prandaj këtë që kemi, do ta pini”.
Nuk e mora vesh a mi dëgjuan llogjet e mia, sepse u sulën tek shishja me radhë për të pirë nga një gllënjkë. Pasi e mbaruan shishen si të “babëzitura”, m’u drejtuan disa prej tyre: – “Sinqerisht po të mos e kishim pirë këtë pije që na ofrove, me siguri do të ishim shndërruar në blloqe akulli” – dhe më falenderuan një nga një.
Pas këtij “procesi” iu ofrova edhe nga një cigare të asaj kohe “Labinoti”. Të tëra morën nga një, duke më falenderuar si ngaherë. Atëherë ju drejtova duke i pyetur: – “Eee s’i thoni, a ta nisim tani ‘tragetin’ për Tiranë”?
– “Çfarë trageti”? – më pyet njëra nga ato duke qeshur. Por edhe unë duke qeshur i them, se “sot makina ime është kthyer tamam në ‘traget-turistik’ dhe po ju shëtis juve për qejf nëpër ‘atdhe’, biles para disa kohësh një pasagjer tjetër si ju, siç duket edhe ai u kënaq nga trageti im dhe më propozoi që po të ketë mundësi, ‘Tragetit’ tënd t’i vendosësh emrin ‘Lord Triestino’, sepse lundron shkëlqyeshëm nëpër pellgjet e rrugëve tona të mrekullueshme”.
Ato u panë me njëra-tjetrën dhe thanë: – “Nise kapiten atëherë”! Ndërkohë mu drejtua njëra nga gratë: – “Ju lutem na thoni se kush jeni? Se me ç’po shohim e po kuptojmë, ju patjetër na njihni, kështu së paku e gjykojmë ne”?!
Unë iu përgjigja, se; “mos më ngatërroni me njeri tjetër, unë jam njeri i thjeshtë, ashtu është edhe origjina ime, biles jam edhe provincial dhe as ju njoh e as më njihni, mos ushqeni iluzione të kota, veprova kështu me ju, se vura re që jeni 16 femra me halle të mëdha dhe po jetoni momente shumë të vështira, prandaj po mundohem t’ju lehtësoj brenda mundësive të mia”.
Njëra nga ato mu përgjigj që; “ky rasti juaj me ne, është ‘eksepsion’ (përjashtim), sot në Shqipërinë e trazuar, çudi”! Atëher ndërhyn ajo më e reja në italisht: “Mos i zgjatni më këto muhabete, o ‘idiote’, se po e merr vesh ky që ne jemi reaksionare, siç na thanë sot, sapo do të niseshim në agjensi dhe përfunduam tek ura e Burrelit si të arrestuara, por fal Zotit këtij llojë ‘xhentili primitiv’”.
Direkt i pyes si i habitur që; “kjo zonjëza që po flet, e huaj është e shkreta, se nuk ditka shqip”?! Njëra nga ato që ishte aty pranë m’u përgjigj se; “e ka më për mbarë të flas italisht, se sa shqip, sepse jo vetëm që ka lindur andej, por ka edhe nënën italiane dhe prandaj të mos e keqkuptosh”.
Pas këtyre bisedave u nisëm edhe nuk ndaluam më deri në Rubik, përball klubit tek ura e madhe e Rubikut. Aty pasi ndalova, ju propozova të hamë diçka, mirëpo në ato kohëra në asnjë vend, klub apo kudo, nuk gjeje për të ngrënë, pasi ishte koha më e keqe e sistemit famëkeq të triskëtimit.
Kishim tre lloj triskash, për bukë, për ushqime dhe për veshmbathje, prandaj nuk mund të mendoje se mund të paguaje dhe të haje, në këto të vetmet të quajtura klube, mund të gjeje maksimumi pelte niseshteje, kafe elbi dhe pije alkoolike.
Ndërhyn rishtazi ajo “llafazania” në italisht: – “Unë kam një propozim, meqenëse ‘Trageti ynë i famshëm’ ndaloi, neve marrim një taksi dhe shkojmë të drekojmë në ndonjë restorant ‘modern e tradicional’, të mos hamë drekën që na ofron ky ‘Garibaldi’ sepse, mendoj që jemi ankoruar në ndonjë port të rëndësishëm dhe t’u japim fund sakrificave”.
Ndërkohë ndërhyn një shoqe e saj dhe i thotë: – “Mbylle moj e marrë atë gojë, moj llafazane, s’ke faj ti, ka faj ky qyqar që nuk të la të ngordhje atje”!
Të them të drejtën dhe mua nuk mu durua më dhe buzëqesha, kaq qe reagimi im dhe ju tregova se çfarë kisha ndërmend t’ju ofroja për të ngrënë. Ato mu lutën që të mos influencohesha për asgjë nga fjalët e saj, sepse ajo në fakt vuante nga një depresion nervor, shumë i rëndë.
– “Nuk prish punë, – ju thashë, – sepse ju dëgjova që e qortuat në shqip, se unë nuk marr vesh italisht, por ama edhe ajo nuk e flet pastër italishten. Tani urdhëroni dhe hani, ju thashë, ju hapa një kuti me mish 3 kg. të konservuar të ushtrisë ruse, kontingjent ushqimor i oficerëve, që ia kisha blerë shumë shtrenjtë magazinierit të prapavijës, kapter Preng Ricës, për shtëpi. Ju preva dhe dy bukë ushtrie dhe ju thashë në italisht: “Buon Apetito” (Ju bëftë mirë).
Ato menjëherë ndërprenë muhabetet dhe filluan ndarjen e ushqimeve aty ku ishin të ulura në karrocerinë e ftohtë metalike. Vetëm t’i shihje si ushqeheshin, gjithë finesë të shoqëruar me babëzitje njëkohësisht, se ishin shumë të uritura, kushedi sa ditë ishin pa ngrënë.
Pak më vonë porosita në klub për të gjitha edhe nga një pelte me formë rombi dhe nga një kafe për të gjitha, të shtëna në një ibrik alumini me vetëm 4 filxhanë pa pjata, sepse këto ishin kushtet e atëhershme, kudo nëpër Shqipëri.
Ato u befasuan fare dhe nuk po e kuptonin se çfarë po ndodhte. Kur mbaruan dhe kafet ju bleva dhe dy paketa cigaresh të kohës “Labinoti”, një shkrepëse dhe duke qeshur ju thashë se; “biletat tuaja kaq e kanë kufirin e shpenzimeve, trageti është gati për nisje” dhe me qetësi u nisëm për rrugë.
Pa ardhur te ura e Matit, më thotë e moshuara që kisha tek vendi i parë:
– “Të lutem, të lutem, së paku të paguajmë diçka nga shpenzimi i përgjithshëm që ti bëre për ne, me ato pak para që na ndodhen. Ne me ty nuk lahemi dot kurrë, qoftë për sakrificën që ti po bën për ne, qoftë për keqardhjen që tregove, lëre pastaj për shpenzimin, na ka bërë shumë përshtypje mirësjellja jote, me gjithë atë ‘noblesë’ që tregove në vazhdimësi me ne, prandaj të lutem prano diçka nga ne, sepse logjika e sotme nuk bën asgjë për shpirt dhe sikur njerëzit e tu të na kishe, nuk besoj të sakrifikoje kaq”!
Atëhere i them unë: – “A më lejohet edhe mua të bëj ndonjë shaka për ‘passa tempo’? (për të kaluar kohën), që të shtyjmë mërzinë e përbashkët”?
– “Uuaa, posi jo”?
– “Dëgjo, – i them, – për ato që shpenzova unë për ju, meqë i ke vënë re, ti mos u shqetëso fare, se për ju investon ‘Luogo-Tenenza’”. (Mëkëmbësi i Mbretit).
Atëhere asaj nuk iu durua më dhe mu drejtua në formë lutje: – “Të lutem na thuaj se kush je e, mos na mundo më tej, imagjinata jonë nuk po funksionon më. Nuk ka njeri sot që të na vihet ne fatkeqve me tërë mundësitë për të na ndihmuar, ti hoqe bukën tënde nga goja dhe na e dhe ne, pse e bën këtë? Mos je edhe ti nga sëra jonë more bir”?
– “Jo, jo, – i thashë, – e bëra këtë vetëm se më vjen keq për ju dhe mos imagjinoni gjëra të tilla, se më ofendoni me këto laved, apo komplimente të panevojshme”.
Kështu edhe ajo e imponuar nga kundërpërgjigja ime, por jo e bindur, pushoi. Në Mamurras një incident me policinë pasi më bën kontroll, konstatuan se të gjitha pasagjeret nuk ishin të pajisura me bileta udhëtimi, sepse kështu ishin rregullat e atëhershme dhe biletat duhej të merreshin në agjencinë e Burrelit, e dyta, në makinën time që ishte me sponde të ulta dhe metalike, ndalohej të hipnin pasagjerë për “teknikë sigurimi” sepse, atyre iu rrezikohej jeta.
Ju them policëve “të dashur”, se fatkeqësisht këtë “lloj malli” ma ka bërë peshqesh me imponim dhe kundër dëshirës sime kapiten Gjolek Aliu (Kryetar i Degës së Brendshme) Burrel, biles më tha: – “Mi hiq qafe këto kuçka, se nuk i shoh dot”./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm










