Nga Vladimir Myrtezai
Memorie.al / Sa herë vështroj atë kohë dhe sa më larg i rri aq dhe më interesante, më duket ai reliev që në fakt po ta jetoje ishte një kornizë e rëndë rregullash dhe një kontroll mbytës ndaj privatësisë dhe jetës së lirë, por gjithsesi në një ngushticë të tillë njeriu përpiqet të projektojë vlerën e thjeshtë të jetës apo vetë formën e të mbijetuarit si një jetë të kushtëzuar që detyrimisht i nënshtrohej për ta pranuar e marrë pjesë në të. Ne ishim personazhet e këtij burgimi apo i këtyre rregullave strikte. Por gjithsesi kishte një lumturi të çuditshme vetë prodhuese si me kast e me ngulm për të mos u nënshtruar apo ndryshe thënë për ti pozuar lumturisë në një mungesë disi të stërmadhuar e si për t’u kapërcyer.
Gjithsesi brenda llojit të shqiptarëve kishte dhe një tjetër ngushëllim të shtrirë e që tejkalohej në lidhjet atërore dhe të fisit në lloj, kështu që ky lloj ngushëllimi e smusonte disi ngarkesën e një perspektive lirie të munguar dhe e bënte realitetin njerëzor, disi më të flashkët e mbushur me halle dhe interesa të vogla të ditës që ndërtonin atë mur të nevojshëm mbijetese, si një lloj lënde që shpërndahej çlirët në çdo marrëdhënie të krijuar.
Në ekstraktin e saj ajo kohë duke mos përfshirë në këtë rast mungesën e të drejtës dhe të lirisë, kishte një lloj empatie të shpërndarë nën një peizazh të sterilizuar ku gëzimi më i madh ishin shenjat e propagandës në ndërprerje të thikta e mjaft të dukshme në kënde kryesore të vizualizuara dhe që në njëfarë mënyre, jepnin atmosferën e një lulëzimi shpirtëror të një masivi njerëzor që i gëzohej valëvitjes së saj dhe mesazheve të standardizuara e shpesh patetike e futuriste. Por shumë më shpesh ndjehej një lloj simptome e margjinalizuar mbi të gjithë atë atmosferë ku sundonin në një sinjalistikë bërtitëse veçse banderolat.
Së shumti ishte një raport gati jo organik midis asaj që prodhohej e jetohej dhe vetë propagandës përmes teksteve e parullave që “by hand”, ishin të një cilësie për t’u lavdëruar dhe në një shije që e tipizonte këtë peizazh ankorues, duke mirëpërcaktuar fizionominë dhe absurdin e një marrëdhënieje vizuale që në ditët e sotme do tingëllonte si një gjuhë e kontraversuar, mes ideve dhe realitetit të vërtetë shpirtëror të asaj kohe. Trotuare të zgjeruara e rrugë mjaft të bollshme me një dekor të minimizuar e të kursyer të jeshiles si raport ndërhyrës dhe mungesës së makinave.
Dukeshin aty këtu veçse disa rrangalla urbane si autobusë fizarmonikë dhe tek tuk ndonjë taksi shërbimi krejt e vetmuar. Një realitet i mirë kontrolluar dhe me një frymëmarrje të vakët ku dukej se nuk ndodh asgjë. Por në fakt nën këtë peizazh të ngurrtë e herazi të përtharë nga racionaliteti dhe përsëritja shabllon kishte jetë, madje një jetë e zjarrtë e plot intriga si ku do ku specia njerëzore bën hije dhe me siguri që lloji i subjekteve qe sipas racionit e proporcionuar në zhurmën e zulmën e vet. Në të gjitha mënyrat kishte një dyzim të zgjatur të ndërgjegjes dhe shfaqjes të të gjitha formave për mbijetesë.
Për shkak të një jete në kolektiv në ente a vaska të tilla të konsumit njerëzor kishte dhe përzierje të çuditshme dhe flirte nga më ndjellëset si oazë ndjesish të mbjella nga ideja e fshehjes së përhershme dhe e një marrëdhënieje gati plasëse për nga realizimi i tyre. Por qenia, njerëzit kishin kthyer në natyralitet këtë lloj marrëdhënie që kufizohej së shumti nga mendje përfaqësuese të skajshme e mjaftë të ndryshueshme.
Raporti i burrërisë sipas zakoneve e ndarë në kohë në grumbuj grumbuj në kafenetë e zakonshme dhe përndritja e seksit tjetër në një raport të shuar e të mangët shpesh vanitoz si ankorim i një peizazhi të ndërprerë urban apo të një atmosfere të mirë ndarë në punë të llojta e të zakonshme brenda oborrit të familjes qe rëndë e disproporcionuar .
Pavarësisht se në propagandë e herazi dhe në pushtet krijoheshin modele të vetmuara të pjesëmarrjes së gruas në jetën aktive të saj. Në të gjitha arratitë e mendjes sikur ta bëje me kast e ta vendosje me dorë nuk do mund të rikrijoje një diskordancë të ligjëruar heshturazi mes raporteve në çift mashkull e femër.
Festat e 1 majit dhe festa e çlirimit zhbllokonte herazi një vrundull të zmadhuar njerëzish që bashkë me banderolat dhe pankartat ndryshonin ngjyrat e atmosferës dhe ishin shpikje ideale që në thelb harrohej kuptimi i tyre për tu shpërbërë e ndryshuar e shprishur në një shtrat feste rutinën e ditëve.
Kafja e madhe turizmi dhe turizmi i vjetër ishin qoshe të mjaftueshme për të gjithë ata që në një farë mënyre krijonin dhe ritualin e një qyteti pasi që si vende takimi por edhe si emblema hojesh pellgimi nga ku ndjeheshe disi në një situatë ndër komunikuese të mjaftë mes të pranishmëve dhe të ardhurve nga qytete të tjera. Në një varfëri të admirueshme asortimentesh mund të zdërhalleshe me disa lloj pije vendi e me disa lloj gjërash të thjeshta freskuese.
Pjesët e përparme e të hapura të këtyre lokaleve ishin të mbipopulluar nga të njëjtët personazhe e nga një luzmë njerëzish kurioz që parakalonin pa pra në këto nyje të rëndësishme, ku dhe merrnin ndonjë kontakt apo lajm ditor. Në qendër të qytetit ishte dhe vend lajmërimi i afisheve të vdekjes, ku njerëzit grumbulloheshin së shumti për të shuar kuriozitetin e njerëzve që sapo ndaheshin nga jeta.
Mëngjeset dhe oraret e ndërrimit të turneve krijonin një tjetër vrundull kalimi njerëzorë që përzierë dhe me ata që ksehaseshin dhe vrojtonin mbyllte një peizazh tipik të një qyteti të organizuar në orare të mbyllura e fikse. Ky qytet jetohej sipas ritmit të vet të paracaktuar dhe zgjohej në një përsëritje rutinë ku herazi merrte me vete një zheg përvëlues e herë herë një shi që nuk prante së vadituri një realitet metafizik krejt të veçantë. Përpos pjesës veriore të qytetit ku shtriheshin arteriet e dy tre uzinave përpunuese pjesa tjetër që në një dëfrim të shthurur e të dendur gjëmishtesh të egra e pjesësh të papërpunuara të saj.
Qyteti nga lart i ngjante një kakofonie të gjeometrizuar të një vizatimi të thjeshtuar ngjyruar me shtëllunga tymi të teje zgjatura e ndoca oazesh rrethore të betonta ku synohej një arkitekturë e rreptë imponuese e standarde. Të vetmet shfryrje njerëzore ishin kopshtet dhe çerdhet ku ndjehej një aromë qumështi e muhalebie përzier nën një mbrojtje të konsiderueshme freskllëku që e bënte këtë peizazhe dhe më morboz e në një vëmendje të çuditshme ndaj kultit të lindjes .Spitalet ruanin një rregullsi të steriltë e të populluar ndërkaq në të shumtë nga ata që asistonin dhe i jepnin kurajë më të dobëtëve të sëmurëve që dukeshin kronikë e të atrofizuar në metrat e matur në një perspektivë të gjymtuar shprese.
Në qytet ndjehej në orare të veçanta një lloj mekjeje totale ku lëviznin si me pikatore punë të mbetura e të pjesshme dhe sehirxhinj që bënin mbylljen e ritualit të tyre ditor. Njerëzia ushqehej në gjendje primare e bazike me elementë jetikë të mbijetesës në një vështirësi të hapur ndaj bazës ushqimore dhe veçanërisht përdorimit të likuideve djegëse nga ku buronte së shumti energjia për të gatuar larë e ormisur. Njerëzit disi më të lirë e sundues ishin të pakët, por me një vëmendje të veçantë që o merreshin me art, o me të shkruar në një shtyp të reduktuar e mirë kontrolluar nga lart.
Qyteti ruante një simetri të kronometruar në ritmin e tij dhe befasitë ndodhnin si kudo në trajta e dukje të çuditshme. Interesant e të vetmuar ishin të huajt në këtë qytet që shiheshin me kërshëri nga turma dhe në njëfarë mënyre ishin në pamje të parë të leximit të jetës së tyre. Një lloj luksi i fshehtë për të qenë në vëmendje të njerëzve, por dhe një kuriozitet i lartë si përlarje kulturore e tyre nga zakonet veshja apo mënyra e sjelljes.
Kam njohur njërën syresh, polaken Danuta Juknin. Njohja qe e vështirë e ngadaltë duke i dhënë njëri tjetrit shumë prova besimi dhe afekti që sa erdh dhe më shumë u konsolidua ndër vite. M’u duk se qe një simpati në goditje të parë siç zakonisht ndodh me njerëz të një lloji disi më veç e disi më të kalkuluar e të matur. Ajo ishte mjeke pediatre shumë e zonja dhe në zë në qytetin verior për sertësinë e saj dhe një lloj rigoroziteti e ndjeshmërie alarmante në raport me shëndetin njerëzor në përgjithësi.
Danuta kish profilin e saj apo njollën e saj qytetase në një rregullsi të përmbajtur mes grisë së çelur dhe blusë apo të kaltrës. Me një biçikletë “Bianchi”,“mjaft e kursyer në marrëdhënie dhe shumë e kontrolluar në sjellje. Ishte diku te të dyzetat dhe ruante ende një lloj freskie gruaje në tone të përmbajtura e mjaft natyrale. Një dorë e kujdesshme kish bërë të mundur transferimin e saj dhe të bashkëshortit, një artist i njohur nën hijet e dyshimeve për art formalist asokohe, por krejt e i pakuptueshëm e përjasht trendit të përqafimit zyrtar. Danish Jukni.
Dashuria mes tyre pat lindur në Krakov të Polonisë gjatë një epidemie influente, ku Danish sëmuret nga një sëmundje infektive dhe kalon një kohë të gjatë shtruar në të njëjtin spital ku dhe njihet me Danutën. Një dashuri e kalkuluar në një përputhje mbresëlënëse ndërmjet një vajze të bukur polake dhe një rioshi shqiptar me aspirata të larta për artin e pikturës.
Shqiptarët sipas mënyrës së tyre të impresionuar nga kontaktet me shkollat jashtë atdheut arrijnë të penetrojnë dhe shpirtërisht në çiftime që u bënë modë, qoftë nga shkollat ruse, çeke, polake, rumune e me radhë. Një skalion përzgjedhjesh në një epokë të hapur idesh majtiste që gjithsesi ruante një bagazh dhe formë historiciste mbresëlënëse për vendet e pazhvilluara e më të vogla. Sjellja dhe ri sjellja e tyre në terrene të ndryshme ndikoi në kulturat e gjithsecilit, por edhe në manitë format e të shprehurit dhe në një etikë disi të klasifikuar moderne. Një dyndje e menjëhershme për ndryshim solli një valë të re në mentalitetet dhe kursin kulturor dhe pasuroi disi shumëllojshmërinë në shfaqjet e tyre para publikut dhe mendimit disi përparimtar të epokës së tyre.
Por fill pas Plenumit të katërt, diku nga vitet ‘70 falë politikës së kohës filloi shprishja e kampit të majtë në kontradikta të qarta zgjedhjesh mes renegatëve e vijës së kompromisit dhe qëndrimeve sektare e puritane të zgjedhjes të disa vendeve në vijën e ashpër e të përcaktuar ndaj dogmave të mirëfillta e sektare.
Shqipëria zgjodhi vijën e qëndrimit me një besnikëri të hapur ndaj linjës së ekstremit të majtë në shtrëngesa dhe kllapi mbyllëse ndaj komunizmit dhe vijimit të teorisë së vet përqafuese. Nën këtë valë shumë lidhje mes këtyre vendeve u shembën dhe u traumatizuan për shkak të politikës. Pati një shkartisje dhe çekuilibrim qëndrimesh dhe ndrojtësi e mos vendosje në jetën e gjithsecilit të involuar në këtë mesele historie tashmë.
Në këtë krehër të zmadhuar të kontrollit shtetëror ju nënshtrua e gjithë shoqëria shqiptare veçmas intelektualët dhe artistët që u gjendën në një zgrip zgjedhjesh të dhimbshme e fondamentale. Vitet gjashtëdhjetë janë vitet e depresionit le të themi në planin shpirtëror pasi që euforia e grupimit të kampit të majtë u ndje e plasaritur nga shkaktesa brenda kampit në qëndrime ekstra të kundërta dhe linja të ashpra në zgjedhjen e përdorimin e pushtetit nga brenda.
Për shkak të mbylljes kufijtë e vendeve u ashpërsuan në kontrolle dhe u bënë të padepërtueshme pa asnjë shkak komunikimi të mjaftueshëm për të kaurdisur shoqëritë kulturalisht apo qoftë edhe në bashkimin unitar e internacionalist të saj. Panorama e pas viteve shtatëdhjetë e mbas është një digresion i hapur ndaj jetës publike dhe ndrojtjes e tkurrjes së jetës në vend për shkak të një represioni nga poshtë lart si lëvizje e rifreskim i të ashtuquajturit revolucion kulturor.
Në këtë atmosferë të shumta lidhje në përbërje me të huaj që nuk mundën të braktisnin ëndrrat dhe zgjedhjet e tyre shpirtërore pranuan të shqiptarizohen dhe t’i nënshtrohen regjimit. Në këtë atmosferë të shumtë shpërndaheshin në rrethe të ndryshme për të qenë edhe më nën kontroll të imët të pushtetit, por edhe me qëllimin për të luftuar një lloj revizionimi brenda vijës së udhëheqjes dhe një lloj pastrimi nga sëmundjet e mikroborgjezisë si një sindromë e dukshme tashmë e një klase intelektualësh që nën heshtje ishin masa gri e pushtetit.
Shumë nga këta personazhe u degdisën për të dalë nga vëmendja e pesha e qendrës në një shpërndarje fluturake dhe e shkartisur anë e kënd Shqipërisë. Gjithsesi ishin personazhe të lakmueshëm e mjaft tërheqës në kuptimin de kompozues e të zhgënjyer si për një shumë njerëzish që ishin rritur në standarde jo shumë të kultivuara e të holla nën një zbrazje instiktive e mesdhetare si të pashoq.
Takimet e para me polaken Danuta rrodhën nga takimet që bëja me të shoqin Danishin, një tjetër natyrë e kursyer dhe e tërhequr fjalëpakë dhe mjaft ironik në bisedat e zhvilluara me të. Të etur për të qenë pjesë e fjalës së heshtur, apo e mendimeve dhe më të thelluara vetë procesi i njohjes përmes kodeve të artit filloi të funksionojë në këtë brez të ndërlikuar njerëzish që duheshin ç’koduar për të marrë shijen e athët të asaj çfarë dinin, por dhe për t’u mësuar se si do mund të kualifikoheshin e shtriheshin në përmbajtje sekretet e artit me të cilën ushtroheshim dita ditës.
Ishte një lloj luksi që ndërtohej dita me ditë hap pas hapi me dhënie e marrje besimi dhe dhënie provash se kishim të bënim me një realitet utopik, ku forca më e madhe për tu tejkaluar ishte ëndërrimi apo shpresa e një skupi që priste të ndodhte. Por jeta ka natyralitetin e saj dhe xhepat e ndërgjegjes të gjithsecilit në zbrazje mbarsnin një interes të lartë e të idealizuar të marrëdhënies njerëzore në bazë si një humus i mjaftë për të ushqyer shpresën që të gjithë e mbanim të çelur si një dritare oksigjenimi të domosdoshëm.
Narrativa e gjithçkaje ndodhte ishte njerëzore e ndërvarur po nga këto shkaqe dhe përvijonte herë në qetësi e herë në dritë një marrëdhënie që sa vinte e po konsolidonte një miqësi krejt e të thjeshtuar në interesa të vogla e ndriçime të zbehta të një gjëje që po rritej dalë e ngadalë. Si për çudi nga historia e artit të gjitha gratë e piktorëve veçmas të kanë qenë aktive në marrëdhënien me artin e bashkëshortëve.
Danuta ishte një natyrë e pavarur dhe jo shumë e ndikueshme nga arti i të shoqit që në fakt ishte një modelim i kulturuar i nuancave sa jetësore po aq dhe analitike dhe racionale. Pikërisht për këtë shkak natyra e saj qe e përzgjedhur dhe jo shumë e thelluar le të themi në ekspresionin ekstra të gjërave kishte një lidhje të natyrshme me natyrën dhe kafshët në veçanti dhe ishte një amvisë klasi në modelimin e gjerave të vogla brenda një familjeje tejet të rezervuar në privatësinë e saj. Modeli klasik i femrës që adhuron natyrën lëvizjen ngjyrat e çelëta dhe llojet e ndryshme të kulinarisë.
Një ditë më tha: Të lutem a mund të më gjesh një mëlçi lope a kau nuk më kujtohet saktë…Po i thashë do të ta gjej. Kisha një mik veteriner i cili ma gjeti e ma solli në shtëpi.
Ja dërgova doktoreshë Danutës më falënderoi dhe u ndamë. Pas dy javësh më tha:- Je i ftuar për një çaj mbas dite në shtëpi
Vajta me kuriozitetin e madh për të parë nga afër shtëpinë e një polakeje.
Kishte përgatitur një pate me mëlçinë që i pata dërguar dhe më kish bërë gati për dhuratë një kavanoz të mbushur. Ishte një mbas dite e trishtë me puhiza shiu të rrëmbyeshëm dhe me një kohë të paqëndrueshme e frenetike. Ishte tamam një kohë, ku mund të zhbëje një gotë me çaj dhe të rrëfeje gjëra të kota nga ato të përditshmërisë. Zbulova një natyrë të shkëmbyer qetazi në një gjysmë divan të hapur ku endej me gjëra dhe aksesorë shtëpie sa andej e këtej. Shtëpia e mbajtur nën një gri të përmbajtur me të gjitha nënshtresat e mundshme për të qenë fare qetë e në një botë të mbyllur meditimi. Flitej ngadalë e me një lloj qetësie që të vinte ta shkatërroje për nga matësi i rregullit sikur kontrollohej me gramaturë oksigjeni grimasat dhe tonaliteti i lartë. M’i ambalazhoi gjërat dhe sërish më kërkoi diçka për një shëtitje, diku nga Malësitë e Veriut nëse kisha kohë. I thashë sërish po!
S’kish si ndodhte ndryshe dhe e realizuam në një pasdite të murrët me copa copa dielli shtegues si gropa të shndritshme në një kohë sërish të paqëndrueshme. Nuk më shqitet nga mendja se si për një moment po kalonim diku në fushat e Malësisë së Madhe tha ndaloni makinën. Në mes të një pllaje gjendej një lopë e vetmuar që po përtypej në hall të vet. Doli nga makina një lloj xingfuje e prodhimit kinez dhe eci me dhjetëra metra mu në mes të pllajës për t’i ushqyer një lakër të egër kafshës fatlume në një peizazh të transfuzuar mes realitetit dhe fantazisë së një krijimi. Ishin disa gjeste që në njëfarë mënyre me qëndrimet e befta të saj na nxirrte jashtë loje si ndjeshmëri dhe na jepte mesazhe të çuditshme e të harruara të një marrëdhënie delikate krejt të harruara me natyrën. Skuqesha ndër vedi nga halli se ndjehesha disi jashtë kësaj ndjeshmërie.
Më dukeshin gjeste shumë romantike e të shkuara, gjëra që i kisha parë e lexuar ndër libra a filma të verdhë. Po kështu ishte ajo grua përjasht çdo përfytyrimi të drejtpërdrejtë e kultivuar dhe e përmbajtur e mbështjellë me heshtjen e saj që e bënte edhe më gri të gjithën.
Isha shumë kurioz se si ndjeheshin në çift, një polake dhe një shqiptar. Ishte një marrëdhënie e zhdërvjellët që kryhej në heshtje me shenja të kursyera e të rafinuara gjithsekush në vendin e peshën e vet në një pavarësi relative e të kontrolluar imtësisht nga njeri tjetri.
Sigurisht që ajo si femër së shumti ndjente trysni dhe ishullohej brenda saj në një dritë të natyrshme natyre të qetë e aktive në siguritë e pasiguritë e shprehura të saj. Kishte ndonjëherë shpërthime të tilla që i dilnin këndshëm nga ngatërrimi i gjuhës shqipe e dukej si një kotele në një livadh me ato gardhet naivë që së shumti i ngjanin mentalitetit të vrazhdë e të kërcyer shqiptar. Gjysmë përskuqej gjysmë ngatërrohej si pa atdheun e gjuhës së vet natyral e për të shpërthyer vërsulej në gjuhën polake në një zbrazje breshëri e gjysmë të shurdhër.
Miqësia jonë sa vinte dhe bëhej dhe më e ngushtë e dalë e me ngadalë filloi të ndjehej më e çlirët e më e hapur ndaj meje. Më pëlqente kjo sheti se ishte e ndryshme në një klimë të qetë e soditëse dhe në një projeksion mes njerëzish në kimi që kishin shtruar butë një lloj kalldrëmi ku mund të shëtisje lirisht tashmë. Takimet u bënë më të shpeshta dhe filloi të më konfidohej dhe për gjëra disi më të afërta e delikate. Por siç ndodh me gratë në momente të caktuara më krijonte një raport befasues në marrëdhënie si një gjë që nuk e ke gjithherë në dorë e të sigurt.
Po pinim çaj si përherë në kanapenë e saj dhe papritur më tha: -Ditën kur ke dërguar një ekspozitë personale në Tiranë, punët e tua më kanë kallur frikë….! U befasova se gjithherë më dukej se më pëlqente dhe si artist. Në fakt ishte një pohim i beftë i sinqertë mbi atë çka ajo parapëlqente. Ishte një fazë që po prisheshin rregullat e pikturës dhe krijimtaria ime udhëhiqej nga aksente të ç’vendosura të estetikave, ku mendoja se rëndësi kish prekja, gjendja, gjesti më shumë se sa kronologjia forma harmonike apo përshkrimi i natyrshëm vizual. Edhe për shkak të temave dhe ndërprerjeve brutale mbi rrafsh si një emocion i një lloji tjetër tepër shenjë e mbresëlënës. Me sa duket ky lloj ekspansioni e nxirrte nga gjendjet e saja fluide e shumë pranë natyrës, por kishte guximin të ta pohonte.
Një takim tjetër interesant ka qenë në Tiranë. Sapo kish ndodhur përmbysja e sistemit dhe sigurisht që kishin lëvizur të gjitha raportet e ndenjura dhe po rishikohej një konfigurim i ri mes grupesh dhe miqsh që të riformulonin bashkë me të degdisurit në rrethe një tjetër konfigurim te artet. Çifti Jukni sapo ishte zhvendosur dhe rishtas po ri normalizohej në marrëdhëniet mes miqsh në grupime interesante e të përziera, tashmë mes miqve tradicionalë dhe atyre më të rinj. Në shpinë e Jukniut u organizua një takim në kujtim të kohërave të arta dhe sipër të rikonjicionuar një marrëdhënie disi të ekuilibruar e ballafaquese le të themi midis asaj se çfarë kish ndodhur me shoqërinë shqiptare.
Ishte Jusuf Vrioni me të shoqen, Thoma Thomai me Lizetën dhe Pirro Milkani me pianisten e bukur Bepi Kristidhi, motrat Fico, Delina dhe Albana dhe unë. Një mbas dite çaji nga ato klasiket me një marrëdhënie shenjash të shumta xhentilese dhe zhurmash të tonuara. Të gjithë të harmonizuar në respekt të këtij takimi dhe me batuta e biseda nga ato që të detyronte të heshtje më shumë për të shijuar e kënaqur me prezencë në këtë lloj grupimi. Tirana ishte në kaos dhe në një trend frenetik marrëdhëniesh shkëmbyese ku çdo gjë blihej e shitej në çast dhe marzhi i fluturimit ishte kaq i lartë e optimist saqë do mund të dukej se po jetonim në “epokën e artë.” Më të rinjtë në këtë takim ishim unë Delina dhe Albana dhe më të zhurmshmit njëkohësisht.
Ndjeva një vëmendje të zgjuar nga të pranishmit për shkak të veshjes sime që ishte allasoj, në një nisje klasike e më pas me dy tre elementë të dhunshëm (një lloj xhuleh lëkure dhensh arna-arna dhe një palë këpucë të zmadhuara ushtarake me qafë) një non sens që lëkundi pak syprinën e një tisi klasik të grupit, me shumë mjekër e një sjellje të çlirët e në agresion të hapur. Një mungesë gjuhe në veshje që linte të kuptohej se nuk isha i mësuar në të tilla grumbullime të një lloji që as i kisha jetuar ndonjëherë.
Ishte një lloj agresioni si shfaqje e hapur e vetë atij shndërrimi të beftë nën parimet e një lirie të lëshuar egër pa sens, gjuhë e kompromis. Danuta si çdo herë e përmbajtur dhe me një pezëm të lehtë në të gjitha gjymtyrët si njeriu që në një nismë të vonuar në kahje përpiqet të shplodhej e të vetë ngushëllonte të gjithë atë kalvar mungese dhe mundësish reale të një grupimi të shkartisur tashmë nga historia. Ndjehej e drobitur dhe e butë.
Mjaft e dhimbshme ishte dhe përcjellja e fundit e saj kur u nda nga jeta. Një procesion varrimi në stil dhe shije me një respekt të rrallë e njerëz të shumtë që shoqëronin kortezhin dhe një grup i zgjatur murgeshash në zgjatim që i dhanë lehtësinë e fundit shpirtit të saj që të prehej e qetë në stacionin fundor të saj. Danuta mbeti si një dashuri e pakthyer deri në fund si çdo pezëm njerëzor dhe si çdo dashuri e projektuar në kohë absurdi. Në familjen Jukni përjetuam tre ndarje të rëndësishme .Vdekjen e Harrit, qenit të saj që vdiq nga një sëmundje e gjatë dhe lënguese, vdekjen e saj të trishtë, por si një histori që gjendet e vaditet ndër libra dhe vdekjen tragjike e të ngjashme.
Dhe vdekja e të shoqit në një dashuri ngjitëse për të mos u shkëputur nga jeta. Të gjitha së bashku ishin një sagë lënduese dhe e purpurt e një skene njerëzore në afsh e dashuri të shtruar si kurrë parë.
Polakja Danuta Kosciuszko Jukni, ishte një emblemë e veçantë në vargimin e zinxhirit njerëzor që fati e degdisi në tokën e shqipeve në një dashuri të ujitur me mund si një dashuri e papërsëritur, fatale dhe pa kthim./ Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016