• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Friday, September 19, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Personazh

“Pohimet se ‘Dr. Gjëlpëra’ është një vepër letrare e shkruar për të zbuluar se kush i vrau dy turistët amerikanë në Mamurras’, dëshmojnë se…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur, për librin e përfolur të Konicës

“Noli mëndje cekët e shpuri vendin buzë varrit, Zogu, fisnik e me karakter, fati e kish shënjuar për Shqipërinë…”/ Shkrimi i Konicës në ’26-ën te gazeta “Dielli”
“Pohimet se ‘Dr. Gjëlpëra’ është një vepër letrare e shkruar për të zbuluar se kush i vrau dy turistët amerikanë në Mamurras’, dëshmojnë se…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur, për librin e përfolur të Konicës
“Noli mëndje cekët e shpuri vendin buzë varrit, Zogu, fisnik e me karakter, fati e kish shënjuar për Shqipërinë…”/ Shkrimi i Konicës në ’26-ën te gazeta “Dielli”
“Pohimet se ‘Dr. Gjëlpëra’ është një vepër letrare e shkruar për të zbuluar se kush i vrau dy turistët amerikanë në Mamurras’, dëshmojnë se…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur, për librin e përfolur të Konicës
Kalendari Historik 15 Mars
“Faiku shton: por kur quajm vjershëtor të madh, Naim Frashërin, një bërës toto e tatatash, ç‘fjalë do të mbetet për një Gjergj Fishtë…”?! / Polemika e Nonda Bulkës me Faik Konicën, gusht 1937

Nga Kristaq Jorgo

Pjesa e parë

Memorie.al / Në vite, nuk ka qenë temë debati vetëm figura dhe personaliteti i ndërlikuar i Konicës, por dhe krijimtaria e tij. Si model, shërben, “Dr. Gjëlpëra”, një vepër e konsideruar si e lënë përgjysmë nga mendimtari i madh. Shkrimi i mëposhtëm është një sprovë për të vërtetuar të kundërtën. Biografi i parë i Faik Konicës, Qerim M. Panariti, do të shkruante më 1957: “Vepra e tij më e fuqishme është pa dyshim romani Dr. Gjilpëra, e cila zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit”, ku ai u bën një anatomi të pamëshirshme sëmundjeve shoqërore dhe ekonomike të Shqipërisë. Kjo vepër satirike nisi në një seri shkrimesh në “Dielli” më 1924, por u ndërpre, pasi Konica u rendit me Zogun .

Në këtë vlerësim të Panaritit, sipas të gjitha gjasave, i ka rrënjët pohimi, i cili vijon i pandërprerë e i përforcuar për gjysmë shekulli deri më sot, se; “Dr. Gjëlpëra” është një vepër e papërfunduar. Ajo është cilësuar jo vetëm gjithmonë e papërfunduar, por në disa raste e sapo nisur, pasi merr përsipër të na zbulojë rrënjët e dramës së Mamurrasit, ndërkohë që në fragmentin që njohim, kjo dramë s‘ka filluar ende të përmendet.

Gjithashtu mund të lexoni

“Me krijimin e Brigadës së VII-të në Skrapar, ai caktua shef i seksionit politik të saj dhe në të gjithë veprimtarinë e tij, pati pranë, partizanen legjendare…”/ Historia e panjohur e Myqerem Fugës

“Studiuesi thekson paditurinë e vënë re për një fenomen të rrallë ndër shqiptarët, nga ana e ish-oficerit të Vehrmaht-it gjerman, Peinsipp, për rrëmbimin e nuseve…”! / Refleksionet e publicistit të njohur

E ndërprerë “për shkak të kthesës politike të Konicës krah Zogut”, “Dr. Gjëlpëra” është vlerësuar si një ndër provat më bindëse “të oportunizmit” e “të mos koherencës” së tij. Ndërprerja e “Dr. Gjëlpërës”, të cilën të gjithë e vlerësojnë si kryeveprën letrare të Konicës, ka rënduar më së shumti në gjykimin pothuaj unanim se Konica “nuk na ka lënë qoftë dhe një vepër të përfunduar”, rrjedhojë kjo e “pavullnetit të tij” dhe “e pa-dëshirës për t‘u shkuar punëve deri në fund”.

Mospërfundimi i veprës ka peshën e vet në mospajtimet lidhur me përkatësinë e saj zhanrore: është cilësuar prozë satirike, prozë e gjatë, roman i papërfunduar, roman i sapo-nisur, novelë, novelë satirike, novelë e llojit etologjik, diçka midis romanit dhe pamfletit. Për shkak të këtij mospajtimi të madh “Dr. Gjëlpëra” nuk është përfillur asnjëherë si e sa duhet në shqyrtimet sintetizuese mbi procesin e evoluimit të gjinive e llojeve në letërsinë shqipe.

Krahas pohimeve për vlera të padyshimta “Dr. Gjëlpërës” i janë nënvizuar një varg mangësish, ndër të cilat “mospërfundimi” vetë dhe ato që burojnë prej tij janë kryesoret. Është thënë se vepra, më fort se e papërfunduar, mund të cilësohet strukturisht e ndarë, se motivimi psikologjik i veprimeve dhe i evoluimit të personazhit në pjesën e dytë është i dobët, e në disa raste mungon krejt, se një varg fragmentesh mund të lexohen si trajtesa eseistike për çështje të ndryshme, që më fort kanë lidhje me frymëzimin enciklopedik të autorit, se sa me strukturën e veprës, se lidhjet midis episodeve nuk janë fort logjike, por të sajuara nga autori.

Për t‘i dhënë rrugë zhvillimit të subjektit, se veprës i mungon një unitet i plotë artistik, se pjesa e dytë ka karakter fragmentar dhe anekdotik, disproporcione si dhe përsëritje të shpeshta të shprehjeve të veçanta te ndonjë nga personazhet, se duke e stërzgjatur e shkapërderdhur rrëfimin e tij, Konica arrin në një pikë, që vazhdimi i mëvonshëm aq fort ndërlikohet e ngatërrohet, saqë harron premtimin për të arritur në qëllimin e titullit të tij, në zbulimin e rrënjëve të “dramës” së Mamurrasit etj.

Rëndësia mbi-proporcionalisht e madhe që bart në këtë rast një fakt, përndryshe i rëndomtë, siç është mospërfundimi i një vepre, si dhe jehona paralajmëruese e një vërejtjeje të Lasgush Poradecit, sipas të cilit, në lëmë të botimeve të shqipes, jo rrallë “gabohen përsëri gabimet e gabuara, e shtohen të tjera gabime”, na shtynë të ndërmarrim një ekskursion hulumtues në rrënjët e “Dr. Gjëlpërës”. Kemi arritur në disa përfundime:

  1. Botimi i veprës “Dr. Gjëlpëra, zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit” nuk është ndërprerë më 24 dhjetor 1924, siç është thënë gjithmonë, as më 20, madje asfare në dhjetor, por as në fund të nëntorit! Ne mund ta mbajmë hovin të qetë, në numrin e datës 1 nëntor 1924. Është e vërtetë se në mbyllje të fragmentit të kësaj date do të gjejmë shënimin “vijon në një numër të arthmë”, por tani ne jemi të paktën krejt të sigurt se ndërprerja e “Dr. Gjëlpërës”, nuk ndodhi kur Konica “u kthye” me Zogun.
  2. Krijimi dhe botimi i “Dr. Gjëlpërës”, janë po aq sa reaksion ndaj Zogut, klikës, politikës dhe mentalitetit të tij, edhe reaksion ndaj situatës së pas 20 qershorit 1924, madje shumë më tepër se kaq, reaksion ndaj gjendjes së përgjithshme të botës shqiptare, dhe jo vetëm të atëhershme: “Nëpër gjithë ngjarjet e kohëve të fundit, ku elementet konservative u zhdukën dhe erdhi në fuqi e dashura Guverna jonë borgjeze, kemi përgjuar me kujdes të madh, për një shenjë mendimesh të përgjithshme, për një kuptim makar të vogël të problemeve të Rilindjes së këtij populli.

Po përgjuam më kot (“Dielli”, 29 korrik 1924, f. 5)”; “Në Shqipëri u bë vetëm një ndryshim kabineti, veç se u bë me armë: është më tepër një pronunciamento se sa një revolucje. […] Jemi shumë larg nga një revolucje e vërtetë. (“Dielli”, 2 gusht 1924, f. 5) ;

“Po. S‘ka dyshim se politikanët – turma e errët e njerëzve që e përdorin politikën jo si një udhë po si një qëllim – kanë zënë t‘i vënë kazmën Shqipërisë”. (“Dielli”, 11 nëntor 1924, f. 5); “Që Shqiptarët, në çdo çap të jetës politike dhe sociale, tërhiqen nga hollësirat dhe kurrë nga mendime të përgjithshme; dhe nga ana tjatër, që Shqiptarët kujtojnë se çdo ndryshim është përparim: – ato janë dy fakte që duhet t‘i kenë vënë re gjithë vëzhgonjësit e zhvillimeve në të katër vjetët e fundit”. (“Dielli”, 11 nëntor 1924, f. 5)

  1. Botimin e “Dr. Gjëlpërës”, mund ta quajmë të ndërprerë, por veprën s‘kemi të drejtë ta konsiderojmë të papërfunduar. Në “Diellin” e 29 korrikut, botohet ky shënim i redaksisë: “Doktor Gjëlpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit”. Me titullin e mësipërm Faik Konica, tre muaj më parë shkruajti një përrallë, të cilën pastaj nuk e pa të nevojshme ta botojë. Disa ‘vatranë’ që e panë i këshilluan përsëri e përsëri ta japë në shtyp. Zoti Konica vendosi t‘u bëjë qejfin atyre ‘vatranëve’ dhe do ta nisë ta botojë përrallën në numër të afërm të Diellit”. (“Dielli”, 29 korrik 1924, f. 8).

Sipas këtij shënimi del që vepra të ketë qenë e përfunduar rreth fundit të prillit 1924. Ngjarja e Mamurrasit, vrasja e turistëve amerikanë, Robert Lewis dhe George B. De Long, ka ndodhur më 6 prill 1924. Shënimin e parë “Dielli” e jep më 8 prill, ndërkohë që Konica boton shkrimin e tij të parë në serinë e gjatë të shkrimeve mbi dramën e Mamurrasit më 16 prill (Drama e Mamurrasit dhe Qeveria shqiptare). Del pra që “Dr. Gjëlpëra” të jetë konceptuar e shkruar në një hark kohor prej dy-tri javësh.

  1. Konica – ky përfundim është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e të mësipërmit – nuk i ka botuar fragmentet e “Dr. Gjëlpërës”, “nën trysninë e rrotativës së një organi periodik”, siç është thënë. Përkundrazi, vepra ka nisur të botohet duke qenë e përfunduar. E përfunduar mirë, por në ç‘përmasa? Pasi Konica në 70-90 faqet që njohim, “nuk ka hyrë akoma në temë”, nuk e ka zënë në gojë qoftë edhe një herë “dramën e Mamurrasit”.

Kemi në këto kushte, dy mundës zgjedhjeje: ose të supozojmë që në gjithë-gjithë 15-20 ditë, Konica të ketë shkruar të themi 150 a 200 faqe, më e pakta, ose të pranojmë se diçka me dramën e Mamurrasit nuk shkon. Mundësia e parë, parashikon një rekord shpejtësie të shkrimit, të paimagjinueshëm në rastin e Konicës: “[…] përkujdesja që Faik bej Konica i kushtonte hartimit të artikujve të vet dhe ngadalësia e tij karakteristike bëheshin shkak që revista e tij, të dilte gjithmonë me shumë vonesë.

“Më 1904, nuk dolën veçse numrat e 1902-shit, dhe, më 1907, dilnin rregullisht numrat e 1904-ës”. – na kujton, ndër të tjerë, Apolineri. Mbetet atëherë të pranojmë mundësinë e dytë: se diçka me dramën e Mamurrasit nuk shkon. Në të vërtetë me dramën e Mamurrasi, nuk shkon shumëçka. Dhe këtu vijmë në përfundimin e pestë të hulumtimit: “Dr. Gjëlpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit”, nuk ka të bëjë fare me dramën e Mamurrasit. Po radhisim një varg argumentesh në mbështetje të kësaj hipoteze:

Argumenti i parë: Pohimi i lart-formuluar duket absurd, pasi titulli a nuk premton veç ndriçim të dramës së Mamurrasit? Natyrisht që jo. Titulli premton ndriçimin e rrënjëve të dramës. Dhe rrënjët, në kuptimin e parmë e në kuptimet e bartura të fjalës, vijnë në kohë gjithmonë para trungut, degëve, aq më fort fryteve, qofshin këto të ëmbla a të tharta – komedi, qofshin të helmëta – tragjedi, qofshin të hidhura – drama. Jemi pra në kohën e rrënjëve; në të zhvillohen ngjarjet, me to premton të merret e merret Konica.

Argumenti i dytë: Një veçori e organizimit narratologjik të veprës, nuk ka tërhequr vëmendjen e studiuesve: Te “Dr. Gjëlpëra”, fillimi i subjektit është fundi i fabulës. Vepra nis pra me një anticipim, me vizatimin e tablosë pothuaj idilike të shtëpisë së përfunduar të “Dr. Gjëlpërës” dhe të marrëdhënieve të tij pothuaj të shkëlqyera me vendasit. Përfundimi që do të hiqej? Ndonjë hallkë e fabulës mund të mungojë, por stratagjema narratologjike na siguron se asnjë tragjedi apo dramë, nuk mund të ketë ndodhur.

Argumenti i tretë: Konica përtall ata që merren, të rritur e ushqyer në mesin e mentalitetit mitik zotërues në Shqipërinë e kohës së vet, me simptomën, me pasojën, me shenjën. Dhe bën thirrje se shërimi vjen përkundër duke trajtuar përmes arsyes dhe mjeteve që ka prodhuar ajo, sëmundjen, shkakun, realen. Si mund të bënte Konica lajthimin kapital (të merrej me një simptomë, si “e famshmja” dramë e Mamurrasit), pikërisht në veprën që i kushtohet satirizimit të atij lajthimi?!

Argumenti i katërt: Mënyra se si përfundon vepra, është në pajtim të plotë me matricën strukturore të saj, që mund të formulohej si ndeshje e dy botëve: e botës së diferencimit funksional të shoqërisë evropiane të pas Iluminizmit, me botën shqiptare, një sintezë kjo e botës së diferencimit segmentar që ka zotëruar në shoqëritë arkaike me botën e diferencimit shtresëzor (social), tipik ky për epokën e Mesjetës evropiane.

Vepra përfundon me skenën shumë të gjatë të vizitës që i bëjnë Dr. Emrullahu dhe Dr. Protagoras Dhalla, Dr. Gjëlpërës. Jo vetëm kjo skenë, në vështrim të parë, nuk përfundon, por nuk përfundon as sekuenca e fundit e saj, madje as mikrosekuenca e fundit e sekuencës së fundit. Vepra mbyllet me një pyetje të shqiptuar nga Dr. Gjëlpëra: “Po kush mund të thotë se ai djalë i popullit, nuk ishte frymëzuar nga një zë i fshehtë i natyrës?”

Kemi të bëjmë pra, të paktën në pikëpamje formale, me një mospërfundim të trefishtë: të skenës, të sekuencës, të mikrosekuencës. Por ky është një kinse mospërfundim, siç është një kinse pyetje, fjalia e fundit.

Vepra mbyllet me një pyetje retorike të Dr. Gjëlpërës, të mbetur pa përgjigje, shenjë e vogël, por simbolike kjo e triumfit të tij ndaj përfaqësuesve të botës kundërshtare. Si mund të mbyllej ndryshe dhe më mirë një vepër që tematizon ndeshjen dramatike të dy botëve kaq rrënjësisht të ndryshme nga njëra-tjetra? Padyshim kështu, me “një përparim të ngadaltë por të sigurt” – sintagmë e Konicës kjo – të botës së re mbi botën e vjetër.

Argumenti i pestë: Rrethimi hipertekstual publicistik i veprës, pothuaj në kuptimin modern të këtij termi – dhjetëra artikujt të Konicës kushtuar pikërisht dramës së Mamurrasit, botuar po në “Dielli” dhe pothuaj në të njëjtën kohë me “Dr. Gjëlpërën” – ia “pamundësojnë” veprës letrare, për shkak të specifikës së saj si dhe të nevojës së domosdoshme për vet identifikim në sfondin e hipertekstit, të trajtojë të njëjtën gjë e në të njëjtën mënyrë me të.

Pohimet e tipit: “Dr. Gjëlpëra është një vepër letrare e shkruar me synimin për të zbuluar se kush i vrau dy turistët amerikanë në Mamurras”, dëshmojnë për një moskuptim dramatik të natyrës së veprës së artit. Drama e Mamurrasit është një ngjarje reale, jo një ngjarje fiksionale. Që kur funksioni i fiksionit qenkërka të ndriçojë si ka ndodhur realisht realja?

Argumenti i gjashtë: Ideja se Konica nuk shqetësohet aq dhe në radhë të parë për vrasjen e Mamurrasit, se sa kryesisht e mbi të gjitha për “mekanizmin” që e ka prodhuar atë shprehet në mënyrë të përsëritur në shkrimet e tij. Prej këtyre shkrimeve del gati e formuluar shprehimisht pamundësia që ai të mund t‘i përqendronte energjitë e veta krijuese, mbi dramën a “pusinë e Mamurrasit” në vetvete:

“Po t‘ish se, që më 1913, kur Shqipëria u-bë më vete, po t‘ish se të paktën që në Kongres të Lushnjës e tëhu, të gjitha elementet të vetë thëna “të përparuara” të kishin bërë një propagandë të nxehtë dhe të pa pushuar për të zgjuar ndërgjegjen e popullit, për të përhapur në mes të popullit ndjenjën e respektit për jetën e njeriut dhe kuptimin e poshtërsisë së gjakderdhjes, ahere ose pusia e Mamurrasit ndoshta nuk ngrihej, ose kriminalëve do t‘u kish dredhur dorën zëri i ndërgjegjes së re.

Një propagandë‘ e atillë jo vetëm nuk është bërë, po nga tërë zhvillimi i historisë në të dhjetë vjetët e fundit ka rrjedhur një mësim i çuditshëm për popullin: që vrasja është trimëri, dhe që trimëria sjell nder, fitim, dhe lartësim. “Patriotëve” t‘anë u pëlqen të shohin një Shqipëri të përparuar; po mendimi i tyre duket të jetë se përparimi nuk mund të bëhet pa “qëruar” me kobure njerëzit e liq, të cilët natyrisht janë njerëzit që mendojnë ndryshe.

Nga kjo pikëpamje, truri i vrasësve të Mamurrasit dhe truri i “patriotëve” janë më një shkallë: për njërin tru si për tjatërin, vrasja është një mjet i ndershëm. Sa kohë të mbetet e pandërruar kjo mendësi e errët, Shqipëria do të mbetet një nisi afrikane në mes t‘Evropës”. (“Dielli”, 18 dhjetor 1924, f. 4)

Argumenti i shtatë dhe i fundit lidhet me raportin kohë e ngjarjes – kohë e rrëfimit. Në më shumë se tri të katërtat e tekstit përshkruhen ngjarje të ndodhura në një segment kohor që nuk kap më tepër se disa javë të vitit 1920. Me këtë raport mes kohës së ngjarjes e kohës së rrëfimit dhe me këtë ritëm sa do t‘i duhej rrëfimtarit të “Dr. Gjëlpërës” për të mbërritur në prillin e 1924-s? / Memorie.al

                                                       Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Në presidiumin e mbledhjes, qëndronte hijerëndë Sekretari i I-rë për Beratin, Piro Gusho dhe turma thërriste; Në burg, në burg, armiken e popullit...”! / Dëshmia e rrallë e kompozitores Dhora Leka

Next Post

“Im at ishte në Komitetin Qendror, por pas përplasjeve me Hysni Kapon, e dërguan në ndërmarrjen e këpucve, ku...”/ Dëshmia e rrallë e mbesës së Adil Çarçanit, që shpërndante veprat e Enverit në botë

Artikuj të ngjashëm

“Me krijimin e Brigadës së VII-të në Skrapar, ai caktua shef i seksionit politik të saj dhe në të gjithë veprimtarinë e tij, pati pranë, partizanen legjendare…”/ Historia e panjohur e Myqerem Fugës
Personazh

“Me krijimin e Brigadës së VII-të në Skrapar, ai caktua shef i seksionit politik të saj dhe në të gjithë veprimtarinë e tij, pati pranë, partizanen legjendare…”/ Historia e panjohur e Myqerem Fugës

September 16, 2025
“Studiuesi thekson paditurinë e vënë re për një fenomen të rrallë ndër shqiptarët, nga ana e ish-oficerit të Vehrmaht-it gjerman, Peinsipp, për rrëmbimin e nuseve…”! / Refleksionet e publicistit të njohur
Personazh

“Studiuesi thekson paditurinë e vënë re për një fenomen të rrallë ndër shqiptarët, nga ana e ish-oficerit të Vehrmaht-it gjerman, Peinsipp, për rrëmbimin e nuseve…”! / Refleksionet e publicistit të njohur

September 13, 2025
“Hugo Adolf Bernatzik, është autor i një prej librave më të njohur e që ka pasur më shumë tirazh mbi Shqipërinë, pasi…”/ Refleksionet e publicistit të njohur, për veprën “Udhëtim në vendin e shqiptarëve”!
Personazh

“Hugo Adolf Bernatzik, është autor i një prej librave më të njohur e që ka pasur më shumë tirazh mbi Shqipërinë, pasi…”/ Refleksionet e publicistit të njohur, për veprën “Udhëtim në vendin e shqiptarëve”!

September 12, 2025
“Duke mos gjetur një mënyrë tjetër për ta eliminuar, me justifikimin se po e dërgonin në Gjermani, një natë policët e morën nga burgu i Tiranës dhe…”/ Historia e panjohur e priftit gjerman, Dom Jozef Marksen
Personazh

“Duke mos gjetur një mënyrë tjetër për ta eliminuar, me justifikimin se po e dërgonin në Gjermani, një natë policët e morën nga burgu i Tiranës dhe…”/ Historia e panjohur e priftit gjerman, Dom Jozef Marksen

September 5, 2025
“Llazi do ikte në Pojan të Fierit me Drita Kosturin, por ajo s’vajti dhe atë ditë na njoftuan se vdiq nga infarkti, por kur nëna ime e lau, i pa pas koke…”! / Dëshmia e rrallë e gruas së majorit amerikan, “Llarry Post”!
Personazh

“Llazi do ikte në Pojan të Fierit me Drita Kosturin, por ajo s’vajti dhe atë ditë na njoftuan se vdiq nga infarkti, por kur nëna ime e lau, i pa pas koke…”! / Dëshmia e rrallë e gruas së majorit amerikan, “Llarry Post”!

September 5, 2025
Dëshmia e italianit Paolo Saggioti: “Tarasconi solli 150 napolona flori dhe me sugjerimin e anglezëve ne bëmë një sabotim, duke i vënë zjarri në Kuçovë…”/ Gjyqi i ‘Deputetëve’
Personazh

“’Lary Post-in’ e torturonte vetë Koci Xoxe, e pyeste se çfarë i kishte dhënë ai Enverit…”! / Historia e panjohur e Llazar Papapostolit, majorit nga SHBA-ja, që u akuzua si “ndërlidhës” i Mehmet Shehut

September 5, 2025
Next Post
“Feçori vlerësonte romanin ‘Dimri i vetmisë madhe’ të Kadaresë, duke thënë se autori paraqet me vërtetësi rininë e ‘Rrugës së Dibrës’, e cila është si ajo e Bashkimit Sovjetik…”/ Dëshmia në hetuesi, ish-drejtorit të Albimportit

“Im at ishte në Komitetin Qendror, por pas përplasjeve me Hysni Kapon, e dërguan në ndërmarrjen e këpucve, ku...”/ Dëshmia e rrallë e mbesës së Adil Çarçanit, që shpërndante veprat e Enverit në botë

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme