Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e pesëdhjetetre
S P A Ç I
Varri i të gjallëve
Tiranë, 2018
(Kujtime të miat dhe të të tjerëve)
Memorie.al / Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’ pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.
Në Shqipërinë socialiste, vijonte eksperimenti mazokist i antagonizmave klasore. Autoritetet bënë çdo përpjekje ta përshtatnin individin me dogmën që të humbte personalitetin dhe për hir të saj, të mohonte lidhjet shoqërore, miqësore, familjare, madje edhe të gjakut. Nëpërmjet Sigurimit të Shtetit, Partia survejonte dhe kërcënonte si shpata e Demokleut, që nga armiqtë e deklaruar, deri te pjellat e veta, bile edhe vetë Sigurimin.
Majakovski thotë në një ndër poemat e veta: “Kur themi Partia, nënkuptojmë Lenini, kur themi Lenini, nënkuptojmë Partinë”. Tek ne binomi “Parti-Enver”, e kapërceu vampirin e stepave; krijoi një kastë puthadorësh, që i lëpiheshin në çdo hap, kurse pjesa tjetër shihnin te ai krye-xhelatin dhe te kasta e puthadorëve, një lukuni hienash të gatshme, të shqyenin cilindo që shënjestronte krye-xhelati. Kësisoj binomi “Parti- Enver”, mbretëroi gjatë, duke stigmatizuar veç Zotit, edhe djallin.
Në emër të kësaj simbioze, u bënë krimet më të pashembullt në historinë e këtij vendi. Puthadorët shkaktuan mijëra viktima të pafajshme, vetëm për t’i pëlqyer krye-xhelatit dhe të ngrinin lumturinë e tyre, mbi fatkeqësinë e të tjerëve. Në momentin kur u shndërruan vetë viktima, shumë syresh e kuptuan dëmin që shkaktuan, por tashmë ish vonë, binomi “Parti-Enver”, kishte përtërirë kastën e puthadorëve, që i lëpiheshin pas dhe godisnin pa mëshirë puthadorët e vjetër, si dhe tërë shpurën e tyre.
Ndaj them, që momentet pseudo-liberale, ishin inskenime të Enverit, që gjoja mbështeste individë të caktuar, në rrethana të caktuara, derisa iu shtrëngonte rripat dhe i qëronte në grup apo, tek e tek. Kështu liberalizmi i dy tre viteve të para të 1970-ës, shërbeu si matës për të tatuar pulsin dhe për të dhënë goditjen e radhës, ndaj armiqve të radhës e, për të vijuar kësisoj gjer në ngordhjen e tij dhe më pas, gjer në fund.
Një treshe cinike
Një ditë të bukur, pas katër vite “suksesi” në minierat e Spaçit dhe mbasi i rënduan gjoksin me dekorata dhe xhepat me para, në gjysmën e dytë të vitit 1972, Çelo Arzën e transferuan në Drejtorinë e Përgjithshme të Kampeve-Burgjeve në Tiranë. Emërimi mbase erdhi si meritë e eksperimentimit të çdo formë torture, që nga dhuna ekstreme, gjer te gjoja lëshimet. Nëse do t i bënim një skaner mbretërimit, Çelo, guri i kandarit, do epej me siguri nga negativja, gjë për të cilën e vlerësoi Partia.
Atë e zëvendësoi Haxhi Gora, një gjahtar i vjetër burgjesh, që ishte po aq injorant dhe xhelat sa i pari, por më finok, sepse rrallëherë hynte në kamp, ama kur shkelte, do kish patjetër ngjarje të mëdha, arrestime ose hunë të paparë dhe mjerë kujt i vinte radha, t’i binte në dorë! Komisar vijonte matjani kokëbosh dhe xhahil, Shahin Skura, një besnik i vijës së ashpër, që hiqej i kënduar, por gjithë dija përmblidhej në ca slogane partiake, të pa aplikueshëm në burgjet politikë, sidomos në Spaç, ku “mbizotërojnë rebelët nga gjithë Shqipëria”, siç shprehej vet ai.
Kurse skilja nga Korça, operativi Fejzi Liçaj, do t’u shkaktonte të dënuarve hidhërime pa hesap, (për “meritë” të tij do pushkatoheshhi katër vetë në Revoltën e 21 majit 1973, madje do ekzekutonin edhe “Tartarinin”, martirin e pestë!) Do ri dënonin edhe mbi tetëdhjetë të dënuar, madje edhe vetë burgun! Trioja e xhelatëve, komandant, komisar, operativ, do ta shndërronit Spaçin, në FERR! Haxhi Gora, riktheu adetet e vjetra.
Tashmë valonte dajaku kot më kot, shtyllat mbusheshin me fatzinj që rënkonin dhe iu pikonte gjaku, nga majat e gishtave të nxirë, nga shtrëngimi i gjermankave në zero, birucat s’kishin më vend, një pjese e kalonin natën në qiell të hapur, duke numëruar yjet në firmament, raportet mjekësorë i ndërprenë, sëmundjet profesionale dhe infektive po bënin kërdinë, u harrua pushimi të dielave, kur e lejonin rrallëherë na ndiqnin kontrollet dhe fjalimet e injorantit Shahin Skura; orari i punës u zgjat dyfish, çdo mosrealizim ndëshkohej, ushqimi gatuhej beter, edhe ai pak që jepej, ishte i pamjaftueshëm dhe i pangjërueshëm.
Në furrikun e vjetër
Pas aksidentit, më rikthyen nga minierat e piritit, në galeritë e rrafshit të epërm të zonës së tretë, madje në të njëjtën brigade, nga më ndanë para gjashtë-shtatë muajsh. Ishte privilegj për mua, të punoja në grup me Mexhit Capën nga Majtara e Dibrës dhe Feim Lukrën nga Devolli. Feimin, e kishim minator, kurse unë me Mexhitin, si miq të vjetër dhe në sintoni idesh, plotësonit pendën e qeve. Normën e realizonim pa u sforcuar kushedi, përjashto javët e para, kur kisha ende probleme shëndeti, por falë kolegëve dashamirë, ia hodha pa ndëshkuar.
Në kamp vijonim organizimin e vjetër. Haja bukë me dy Tomorët, por tashmë mua dhe Tomor Balliun, na strehuan në pallatin e sapondërtuar në dhoma të ndryshme, me Allajbeun takoheshim më rrallë, sepse do përfundonte në biruca për muaj e për vite, bile atje do ta gjente edhe Revolta e 21 majit 1973. Mbas vdekjes së të atit, Nuredinit, Allajbeu u acarua keqas me shtetin. Babai, para se të ndërronte jetë, kish lenë amanet me gjallje, t’ia mermin këngës në të dyzetat, ngaqë po iu shpëtonte garameteve të kësaj bote, luftës së klasave dhe ndëshkimeve politike.
Amanetin s’e tret dheu, ndaj bash atë ditë, miqtë kënduan me zemër të thyer, por kryeneçësia e merhumit, u hapi punë. Sigurimi e mori për sfidë dhe rrjedhoja solli pasojën, pjesëtarët e drekës mortore, përfunduan në burg, për agjitacion dhe propagandë. Papërgjegjshmërisë së Sigurimit, Tomori iu përgjigj me akte ekstreme, një ndër to qe ndërprerja e njëanshme e marrëdhënieve. Më pas bojkotoi punën, me pretendimin se si i dënuar politik, s’gëzonte kush tagër, ta shfrytëzonte fizikisht.
Mirëpo aspirata e tij, s’përkonte me objektivat e parisë komuniste, që e kish bazuar perspektivën e realizimeve dhe mosrealizimeve të ndërtimit socializmit, mbi krahët e skllevërve politikë. Kësisoj lindi një antagonizëm i papajtueshëm mes tij dhe komandës, që i druhej referencës negative dhe përhapjen gjerësisht të fenomenit, ndaj iu përgjigjën me masa drastike. Përdorën çdo formë dhune, po s’nxorën gjë në kut, edhe dredhitë s’iu pinë ujë, gjersa futën në lojë miqtë, njohjet, bile edhe të vëllanë Aliun, që e luti të ndalte kuturinë, të rikthehej në punë, pa normën do ta realizonte ai, për të dy.
Kështu nisi seria e ndëshkimeve. Fillimisht një muaj, pas muajit edhe një tjetër, edhe një tjetër, gjersa u “harrua” në biruca, me vite. Kur kjo lloj greve i kaptoi caqet e reales, komandant Haxhiu dhe komisar Shahini, u orvatën ta ndërprisnin me çdo mjet. Provuan ta kandisnin me joshje, por edhe kjo metodë iu doli huq, sepse Tomori vijoi të tijën, me kokëfortësi mushke. Një ditë, të izoluarit në qeli ndoqën këtë dialog, mes komisar Shahin Skurës dhe Tomorit:
“Tomor, ndërprite grevën dhe shko në punë me shokët”! – gati e luti komisari.
“Kërkesa juaj, nuk e përmbush pritshmërinë time”! – ia preu Tomori. “Ta po të gjejmë një punë të lehtë, or burrë”!
“Mua më kanë dënuar për politikë”!
“Dakord, por me punë të detyruar, ama”! – ngulmoi komisari.
“Me punë të detyruar, dënohen kriminelët. Unë s’jam i tillë, o komisar”!
“Sidoqoftë, të këshilloj ta ndërpresësh, se po tretesh në birucë”! – gjoja shprehu keqardhjen Shahini.
Por Tomori ishte i prerë në vendimin e vet:
“S’punoj unë, të argaliset Nexhmije kurva”!
Me këtë sentence, shtoi edhe një xhevahir në repertorin e pasur.
Një herë tjetër, i propozoi demek të çante arra, por Tomori e përbuzi me neveri:
“S’mund të harxhoj kaq shumë energji, i nderuar komisar”! – ironizoi Tomori.
“Po t’i sjellim të çara”! – i propozoi Shahini.
“Lipsen qëruar”!
“T’i bëjmë kokoshka”!
“Ripërtypja, është procesi më i bezdisshëm, o komisar”!?
“Po t’i bluajmë, or burrë”!
“Interesante kjo ide, por duan forcë për t’i gëlltitur”!
Apo rasti, kur komandanti i kërkoi të ushqente qentë e komandës:
“Kujdesu për qentë tanë”! – i propozoi Haxhi Gora.
“Nuk i përkas sojit të qenve, zoti komandant”!
“Tanët s’janë dosido, por zagarë të fisshëm”! – mburri Haxhiu buçen e kuqe me pesë-gjashtë këlyshë, që rrezoheshin në diell ca metër tej birucave.
“Më kërkon t’i bëj hyzmet buçes së kuqe?! Që të shtoj këlyshët dhe hajde zhduke atë fare”?! – aludoi Tomori, për racën komuniste.
“Ala s’paske vdekur aty”! – mallkoi Haxhiu, përplasi derën dhe u largua pa kthyer kryet.
Bash për këto arsye, në revoltën e 21 majit 1973, do ta dënonin edhe 13 vjet të tjerë dhe pas disa muajsh, do ta ndrynin me vite në burgun e Burrelit. Edhe kur e liruan, në fundvitet tetëdhjetë, do t’i inskenonin një vetëvarje, apo varje në kasollen e dhenve. Por kjo temë, i përket një kapitulli me vete.
Theror për vëllanë
Aty nga fund viti..’72, apo fillimi i…’73-it, sollën në Spaç Gjokë dhe Pal Zefin. Vëllezërit nga fshatrat e Shijakut, (fshati Rrushkull), i kishin dënuar, të parin 8 vite dhe tjetrin, 10 vjet, për agjitacion e propagandë, por më shumë si vëllezër të një motre, që kish vdekur krah burrit, në ndeshje me armë me forcat e Sigurimit të Shtetit.
Gjokën e caktuan në brigadën tonë, por s’do ta kishte të gjatë, pas një incidenti banal. Një ditë shkurti, Gjoka ishte me rrufë dhe kish mbledhur rreth qafës një shall larush, për t’u mbrojtur nga i ftohti spaçian, por e pikasi Preng Rrapi dhe e urdhëroi ta hiqte menjëherë:
“Ç’ka e ke kët rreckë, or tëj”? – dhe e trazoi me thuprën që mbante në dorë.
“Shall”, – ia ktheu Gjoka, duke u kollur.
Dukej ashiqare që ishte i sëmurë, por Prenga ngulmoi:
“Hudhe njitu, se asha Z… idealin e partëjs, ta po e paguen shtrenjtë”! – dhe shënjoi me thupër një varricë leckash, ndanë portës.
“Kam ftohtë zotni, s’du m’u sëmurë ma zi”!
“Hudhe po t’thom”!
“S’di ç’punë ju prish shalli im”! – u mbrojt Gjoka dhe e shtrëngoi edhe më.
“Asht rrobë civile or tëj, ba m’u arratis, ke me hup mes të lirëve”! – dhe iu sul me thupër kresë.
Kjo dhunë pa motiv, i irritoi të dënuarit e trnit të parë, që prisnin në brendësi dhe të turnit të tretë, në anën kundruall, që shpërthyen njëherësh, në shenjë solidariteti me bashkëvuajtësin e tyre. Pali ishte mes punonjësve të turnit të tretë, kur pa ç’po i ndodhte vëllait, çau turmën dhe i doli krah:
“Mos e qëllo vëllanë tim, ej burrë”! – e zuri kyçin e dorës, bash kur po i zhvaste shallin nga qafa. Prenga, që nuk ishte mësuar t’i dilte kush ndesh, zgurdulloi sytë, këqyri rreth e rreth për ndonjë koleg dhe i fryu bilbilit: “friu-fi-fi-friu”, gjersa policët u mblodhën xhumbë.
“Si guxon me ngrit dorën kundër njerëzve të partëjs, or tëj”? – iu shkreh të dënuarit.
“S’të lejoj ta prekësh vëllanë tim, sa të jem unë gjallë”! – ia ktheu i nervozuar Pali.
“Tash po ua tregoj ty dhe vëllait tat, ç’ka mundet me ba një polic i partëjs”!
Ndërkaq lukunia policore u ndërsyen dhe e lidhën Palin me hekura, dhe fill e në qeli, kurse Gjokës, i rrëmbyen shallin larush dhe e qitën në punë, por kjo do ishte dita e fundit në miniera, sepse më pas do ta transferonin në Ballsh, për mos të mos u takuar me gjallje me vëllanë.
Ky qe sebepi që Palin e izoluan në biruca, por…por… dardha e paska bishtin prapa! Në krye s’e besuam, se mund ta mbushte muajin në qeli. Por ishim gabuar, komanda kish vendosur ta ndëshkonte rëndë, për t’iu dhënë një mësim, gjithë rishtarëve kokëfortë. Në birucë Pali qëlloi me Tomorin, që prej muajsh qe bërë proverbial, për stoicizmin dhe për batutat e goditura, me të cilat i kundërvihej komandës.
Aq iu puqën karakteret të dyve, sa pas javës u bënë miq për kokë, gjetën mirëkuptim idesh dhe ranë në ujdi, të mos punonin. Pra pas një shalli dhe tri muaj dënim mbi dënim, zë fill Revolta e Spaçit, që mori përmasa të frikshme. Makutëria shtetërore s’e tuti dot Palin, që iu përgjigj dhunës me dhunë dhe nxiti bashkëvuajtësit, të shfrenin mllefin që ziente prej kohësh, bash si krateri i fjetur, në gjirin e tokës. Kësisoj, Pal Zefi do bëhej promotori dhe një ndër therorët e Revoltës.
Natyrisht ky ishte vetëm një element, sepse faktorë të tjerë si prushi nën hi, prisnin të kallnin zjarrin që do përpinte administratën e burgjeve dhe do trandte monolitin e kompaktësisë shtetërore. Pas kësaj, hierarkët komunistë, s’do gjenin derman! Si pasojë e frikës nga shpagimi dhe tmerri për krimet e kryera, i Madhi do pësonte infarkt, do ta gërryente mola e dilemës te të gjithë, gjer te shtriga e shtratit! Dyshimi mbi besnikët i stimuloi paranojën dhe e shtyu të niste decimatin, të sajonte grupe antiparti dhe puçistësh në Kulturë, në Ushtri, në Ekonomi, në politikë.
Aq thellë u zhyt ai në marrinë e vet, sa basurretet e portreteve të Birosë, do ndërronin pas çdo sezoni; kësisoj të parët do t’i zëvendësonte me punëtorë, bujq, lopçarë e druvarë të panjohur edhe në fshatin e tyre! Pasi do të ekzekutonte të ndjerët, mbetjen do t’i kalbte burgjeve, kurse familjarët, do t’ua degdiste internimeve, në firifistun. Por këto iu përkasin viteve në vijim, ndaj t’i rikthehemi rrjedhës së kohës.
Pra siç theksova, veprimet represive vend e pa vend, ndalimi i takimeve dhe i letërkëmbimit me të afërmit, plus kontrollet e beftë, që pasoheshin me sekuestrime librash e fletoresh, me dhunë ekstreme, mbi këdo që i kapeshin sende të ndaluara, që dikur i kishin lejuar vetë, ndikuan negativisht mbi shëndetin psikik të të dënuarve.
Për gati tri muaj, s’na lanë një të diel pushim. Të hënën e çdo jave, turni i parë kthehej i treti, i dyti i parë dhe i treti i dytë. Hynim në miniera te lodhur dhe dilnim të rraskapitur, pa ngrënë, pa gjumë, pa larë! Në fronte u shtuan avaritë, u shtuan aksidentet, u shtua dhuna dhe litari vajti në zgrip!
Revolta e 21 majit 1973
Në fakt shenjat e dhanë agun e një dite më parë. Pal Zefi plotësoi muajin e tretë, por e lanë në birucë pa shpjegim, njëherësh edhe rojet hasën kundërshtinë e një grupi spontan, që s’pranuan të dilnin në punë. Po ç’ndodhi? 20 maji 1973, ishte e diel, po turnin e parë, e çuan që në orën pesë. Ndonëse kërcëllinin dhëmbët nga pezmatimi, nga lodhja dhe pocaqitë e mineralit të bakrit dhe piritit, sa iu qe neveritur vetja, nuk rezistuan mjaftueshëm, përjashto një pakicë të papërfillshme.
Pra me ligj, e diela njihej pushim, por me ardhjen e Haxhi Gorës, atë e shndërruan në ditë aksioni, duke përditësuar parullën djallëzore: “Spaçi mbetet varri i armiqve të popullit”, kësisoj vunë në zbatim moton: “S’keni për të dalë nga minierat, as të gjallë, as të vdekur”! dhe shtuan dhunën e ndërprenë vakancat.
Si adet, policët e brendshëm e nisnin ditën me birucat që të ishin të lire kur të jepej sinjali i zgjimit. Para pesës, qitnin të ndaluarit në banja, ua hiqnin batanijet, ua mbyllnin dyert dhe iu frynin bilbilave, për zgjimin e turnit të parë, që ora gjashtë t’i gjente në rresht. Atë bënë edhe atë ditë. Po u acaruan me Palin dhe kyçën birucën, hynë në kamp dhe nxitën të tjerët, të vepronin shpejt, por një pjesë syresh s’u bindën, atëbotë i prishën gjumin komisarit, që erdhi sy ënjtur dhe premtoi se qysh nga e diela e ardhshme, do zbatohej rregullorja. Kështu e diela u mbyll me protestën e atij grupi minor, pa ndonjë dëm kushedi.
Kronologjia e të hënës, 21 maj 1973
Pas tridhjetë ditësh, Palin e nxorën një ditë nga biruca dhe të nesërmen e dënuan tridhjetë të tjera. Kur mbushi muajin, nuk e liruan, por iku me nismën e vet. Kur i kërkuan të rikthehej në qeli, me pretekstin se do ta nxirrte polici, mbasi të plotësonte formularin, ai s’pranoi, po zuri tarracën e dusheve dhe kërcënoi se do t’iu hidhej telave, nëse do ta mësynin. Me besën e malësorit, Shahin Skura, u rikthye në qeli, po komisari e shkeli besën. Përfundimisht, e mbajtën edhe tridhjetë ditë të tjera.
Kështu, muaji i parë u pasua nga i dyti dhe nga i treti. Bash më 20 maj, i takonte ta qitnin, por Fejzi Liçaj, kish urdhëruar mos ta lironin. Pali e kontestoi vendimin, por protestës s’ia fërshëlleu kush. Mëngjesin e 21 majit, kur Mark Tuçi hapi dyert e birucave dhe urdhëroi të izoluarit të dorëzonin batanijet e, të shkonin në banjë, ai gjuajti një moment humba mendje dhe u largua.
Polici e pikasi në pragun e derës lidhëse, po edhe kur Mark Tuçi i premtoi se do ta lironte vetë, ai s’pranoi t’i bindej urdhrit për t’u rikthyer, sepse e kish humbur besimin te institucioni i besës. Polici e kanosi, por ai rrëmbeu një shufër hekuri mbi grumbullin e inerteve te themelet e pallatit në ndërtim dhe u struk rrëzë një shkëmbi të qarkuar me ferra. Pra, insistimit për t’u rikthyer në qeli, iu përgjigj me vringëllimën e levës.
Kapteri e pa që doli huq dhe njoftoi oficerin roje, atë ditë me shërbim qëlloi Fejzi Liço, që thirri Ndue Lleshin dhe Zef Bardhoçin, dhe vetë i katërt, mësynë Palin. Po kur u gjendën nën kërcënimin e levës, e kuptuan se s’bëhej fjalë për një të sëmurë psikik, që mund ta kandisnin edhe me ndihmën e mjekut. I burgosuri ballë tyre, dukej i vendosur në synimin e tij.
“Ktheu në birucë”! – i foli butë Fejzi Liço.
“E plotësova muajin qysh dje, zotni”! – ia ktheu Pali.
“Muajt i regjistrojmë na, or tëj”! – iu ngrefos Zef Bardhoçi.
“Ik ruaj dhitë o mjeran, se s’kam nge m’u marrë me police”! – e fyeu Pali.
“Tash po t’i tregoj unë dhitë, ty kërmë”! – e kërcënoi polici, por iu ruajt vringëllimës së shufrës.
“Mos u afroni, kush do guxojë, e pret leva”! – kërcëlliu dhëmbët Pali, nga rrëza e shkëmbit. Ndërkohë u shtuan ecejaket te banja, çezma, kazani i supës, po para kësaj skene dhune, shtangën. Pas do minutash kaptuan derën e llamarintë, Gjet Çupi, Ndue Prenga, Frrok Deda dhe Skënder Ndnini, ndërsa prej zyrës teknike, iu shkoi ndihmë Medi Noku, me nja dy zarbo. Në këto e sipër zallamahia tolloviti kampin dhe rrëmuja u nxori gjumin edhe tumin e dytë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016