Nga Joana Doda & Prof. Ass. Dr. Albert P. Nikolla
Pjesa e parë
– Përndjekja e shkencëtarëve shqiptarë, në vitet 1945-1955; lidhja ndërmjet shkencës dhe ideologjisë – rasti i përndjekjes së inxhinier Petraq Qafokut! –
Metodologjia
Memorie.al / Në pjesën fillestare analiza do të ketë një qasje filozofike, për të sqaruar lidhjen ndërmjet ideologjisë dhe shkencës, sipas modelit të filozofisë marksiste dhe nga ana tjetër, do të bëhet një qasje kritike ndaj kësaj rryme, bazuar kryesisht te vepra e filozofit francez Zh. Mariten. Do të shikohen në mënyrë kritike, vizoni marksist i njeriut dhe reduktimi i këtij të fundit në një objekt, përkundër kritikës së Maritenit, i cili mbron përmasën njerëzore të personit. Në këtë pikëpamje do të shohim se si trajtohet rasti i inxhinier Petraq Qafokut, nga gjykata komuniste e nga Sigurimi i Shtetit dhe se si, nëpërmjet dhunës, dijet e tij, përdoren për të “mirën socialiste”.
Si rast emblematik të keqpërdorimit të shkencës nga ideologjia marksiste do të shohim edhe atë të shkencëtarit sovjetik Lysenko i cili, me mbështetjen e Stalinit, organizon një dhunë të paprecedentë kundër shkencëtarëve sovjetikë nisur nga ideja se një gjenetist si Mendel duhet të ketë ide të gabuara shkencore, pasi ai ishte një prift.
Në pjesën tjetër, e cila është edhe pjesa kryesore e studimit, do të ndiqet metodologjia e antropologjisë historike, nëpërmjet së cilës analizohen dokumentet arkivore nën dritën e elementeve të pranishme kulturore që na japin mbështetjen e duhur për t’u thelluar në analizë. Në fund do të trajtohen disa elemente klasike të antropologjisë kulturore, që konsistojnë në analizën e arkivit familjar të familjes Qafoku dhe atë të Autoritetit të Dosjeve mbi figurën e Petraq Qafokut.
Përgjatë gjithë analizës studimore, rasti i inxhinier Qafokut, do të analizohet duke dëshmuar nëpërmjet historisë së tij, elementet e ngjashme ose të përbashkëta që pati regjimi komunist, në dhunën që përdori ndaj intelektualëve dhe shkencëtarëve shqiptarë, me modelin sovjetik që e pati si pikë referimi. Të tria këto elemente të metodologjisë, kanë për qëllim që të nxjerrin qartë në pah, arsyet antropologjike të dhunës ndaj shkencëtarëve shqiptarë, duke analizuar rastin e inxhinier Qafokut.
Hyrje
Çështja e ndërtimit të socializmit, po të shihet me vëmendje historia e socializmit në vendet ish-socialiste, madje edhe të Kinës sot, ka qenë dhe është e lidhur ngushtë me shkencën dhe çështjen e progresit teknologjik e industrial. Marksi, ati shpirtëror i komunizmit dhe i socializmit shkencor, bën një lidhje të drejtpërdrejtë, midis zhvillimit të socializmit dhe lindjes së klasës politike të proletariatit, e cila nga ana e saj pasqyron drejtpërdrejt, zhvillimin e një industrie në një shkallë të gjerë.
Sipas tij, kalimi nga manifaktura në industrinë në shkallë të gjerë, solli zhvillimin e tregut të punës dhe përqendrimin e një numri të madh punëtorësh në fabrika; pikërisht në këtë pikë kapitalizmi sjell, jo vetëm shkatërrimin e vet, por edhe mundësinë e zëvendësimit të tij, me një sistem tjetër. Është e vërtetë që kapitalizmi përgjatë historisë së tij, ka sjellë mjaft probleme të natyrës sociale, ekonomike, politike, shëndetësore, ekologjike, por dhe këtu qëndron paradoksi i idesë së zëvendësimit të tij, me socializmin: që çdo tentativë për ta tejkaluar atë në planin politik, me modelin socialist, ka qenë akoma më e dhimbshme në të gjitha rrafshet që përmendëm më sipër.
Pra, alternativa që shumëkush, në mirëbesim, mund të ketë pritur nga socializmi, ka rezultuar një dështim i plotë në planin politik dhe për më tepër, në atë moral. Theksoj aspektin moral, sepse regjimet komuniste i kanë dhënë një peshë të jashtëzakonshme lidhjes, midis zhvillimit teknologjik e shkencor me moralin, në kuptimin që zhvillimi industrial “prodhon” një moral të caktuar. Duke qenë se ideologjia marksiste, e bazon çdo superstrukturë kulturore te marrëdhëniet në prodhim dhe tek ekonomia, atëherë edhe morali që buron nga një model i caktuar ekonomiko-shoqëror, do të jetë “i mirë” ose “i keq”, në varësi të modelit ekonomik. Pra, kapitalizmi prodhon moral “të keq”, ndërkohë që socializmi prodhon moral “të mirë”, ose më saktë: moral komunist.
Në këtë pikëpamje, shteti socialist, është e vetmja njësi absolute që përfshin të gjitha nën njësitë e tjera strukturore e superstrukturore dhe është vetë shteti krijuesi e rojtari i moralit komunist. Nga ky fakt, rrjedh qëndrimi i dhunshëm ndaj kujtdo, qoftë intelektual, mësues, inxhinier, punëtor apo çdo person tjetër, që bie në kundërshtim me moralin komunist.
Mirëpo ky fakt, na çon doemos drejt një tjetër fenomeni interesant: meqenëse shkenca dhe zhvillimi industrial në një vend socialist, që frymëzohet nga idealet komuniste, janë drejtpërdrejt të lidhur me ideologjinë dhe moralin, atëherë çdo intelektual apo shkencëtar që ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë teknike në zhvillimin ekonomik, ka po kaq përgjegjësi në aspektin moral, që ka të bëjë me marrëdhëniet e tij me shtetin e shoqërinë. Lidhjen ndërmjet zhvillimit industrial dhe zhvillimit moral në një vend socialist e evidenton në mënyrë mjaft interesante, filozofi H. Marcuse.
Në studimin e tij mbi marksizmin sovjetik, ai vë në dukje impaktin që ka pasur zhvillimi industrial i Bashkimit Sovjetik, në konkurrencë me kapitalizmin perëndimor dhe veçoritë etike të komunizmit sovjetik. Regjimi komunist mendon, se është pikërisht zhvillimi i industrisë, që do të sjellë lirinë e vërtetë të njerëzve. Nëse ka një gjë të përbashkët në filozofinë marksiste të shekullit XIX-të, ajo qëndron në faktin se të gjitha rrymat marksiste, theksojnë faktin se zhvillimi i industrisë dhe teknologjisë, shikohet si premisë për progres ekonomik dhe moral.
Nisur nga çka pohuam më lart, persekutimi ndaj intelektualëve në diktaturën komuniste shqiptare, ishte i diktuar nga ideologjia komuniste. Për sa i përket çështjes ideologjike, intelektualët ishin një objekt persekutimi, pasi shumica dërmuese e tyre kishin studiuar në vendet perëndimore, jo në Bashkimin Sovjetik, për rrjedhojë ata nuk ishin “njerëz të rinj komunistë”, të brumosur me moralin dhe me idealet komuniste. Veç këtij fakti, shumë syresh ishin të edukuar me sensin e pavarësisë dhe lirisë individuale, gjatë studimeve të tyre.
Në studimin e tij kritik, studiuesi V. Possenti, duke iu referuar kritikës filozofike që filozofi francez Zh. Mariten, i ka bërë marksizmit në planin ideologjik dhe për sa i përket konceptit të lirisë, pohon: “Vetitë kryesore të personit janë pavarësia, njësimi ontologjik, liria, pre-dispozicioni për marrëdhënie njerëzore nëpërmjet të cilave ai komunikon me të tjerët dhe me transhendentalen, nën një dinamizëm njohjeje dhe dashurie. Nëse i mohojmë këto cilësi themelore të personit, jemi brenda kornizës së qëllimeve marksiste që e barazon personin me realitetin material”.
Këtë model dhe këtë mohim të personit, që del qartë në pjesën e fundit të citimit të mësipërm, komunizmi shqiptar e ushtroi që në ditët e para të pushtetit. Intelektuali që ka studiuar, sidomos në Perëndim, është “njeri i vjetër”, që duhet detyruar e nënshtruar me dhunë, derisa të shndërrohet në “njeri të ri”. Mirëpo, qeveria komuniste, sidomos në dhjetë vitet e para të pushtetit, është në dilemë për sa i përket persekutimit të intelektualëve, sepse nga njëra anë, thirrja e përbrendshme ideologjike, e shtyn regjimin drejt persekutimit të pamëshirshëm ndaj tyre, pasi ata përbëjnë rrezik ideologjik; nga ana tjetër, ajo ka nevojë për njohuritë e tyre, sidomos shkencore e profesionale, për të ri ngritur ekonominë e shkatërruar nga lufta dhe për t’i bërë ballë mjerimit.
Intelektualët dhe shkencëtarët shqiptarë të viteve të para të regjimit komunist, ishin me mjaft personalitet dhe edukim jo vetëm shkencor, por edhe filozofik e politik, pasi kishin përthithur pashmangshmërisht edhe frymën e përgjithshme kulturore e sociale, prej vendeve ku kishin jetuar e studiuar. Kjo i bënte pré të një tjetër elementi persekutimi: ata nuk ishin “njerëz kolektivë”, ose më saktë njerëz të përputhshëm, me mënyrën se si komunizmi e konceptonte njeriun. Vetëm njeriu kolektiv, domethënë njeriu i përgjithshëm, është objekt i ekzaltimit të Marksit. Marksizmi është një humanizëm i ri, por me keqkuptim bazik, mbi dinjitetin e personit, i cili e ka dinjitetin vetëm në masën që ia përkufizon kolektivi.
Shkencëtarët shqiptarë të fillim-viteve ’40-të, nuk mund të reduktohen në “kolektiv”, ata janë, për vetë natyrën e tyre dhe studimet e kryera, të dalluar prej “turmës”, “kolektivit”. Janë pikërisht këto dy konceptet e fundit, që do të jenë të keqpërdorura nga regjimi, në dhunën sistematike ndaj shkencëtarëve dhe “armiqve të pushtetit popullor”.
Përvoja e Bashkimit Sovjetik, të cilën regjimi komunist shqiptar e ndjek me përpikëri në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, ka dëshmuar se shkencëtarët dhunohen dhe përdoren prej regjimit, në mënyrë brutale. Theksoj fjalën “përdoren”, për vetë ngarkesën kuptimore antropologjike dhe kulturore që ka kjo fjalë, nisur edhe nga arsyetimi i Zh. Mariten. Pra, personi shndërrohet në send, në objekt dhe si i tillë përdoret, i cenohet krejt dinjiteti i tij.
Këtë shembull, ndjek me përpikëri udhëheqja komuniste shqiptare nisur edhe nga vija që përcakton diktatori komunist Enver Hoxha, vijë e cila jo vetëm i përjashton shkencëtarët që kanë studiuar në Perëndim, që të përfshihen në organet drejtuese shkencore të vendit, por kërkon shfrytëzimin në terren të dijeve të tyre, pa pasur qasje në organet drejtuese politikëbërëse. Në organet drejtuese, mund të vihen vetëm ata që kanë studiuar në Bashkimin Sovjetik dhe vendet komuniste:
“Instituti ynë i Shkencave është i ri, ashtu si çdo gjë në vendin tonë. Në të do të punojnë kuadrot tanë të rinj, që kanë mësuar në Bashkimin Sovjetik e, në vendet e demokracisë popullore, si dhe njerëzit tanë më të mirë të shkencës, të literaturës, të arteve etj. Atje duhet të punojnë shkencëtarë përparimtarë dhe të hiqen prej andej, elementët e padëshiruar e që s’kanë asnjë lidhje me shkencën e re, e që bile mbajnë qëndrim armiqësor ndaj pushtetit tonë. Unë mendoj se dituria e tyre, nuk na vlen për në institut, i cili ka qëllime të mëdha; atë dituri të tyre, në qoftë se ka mundësi, ta shfrytëzojmë akoma gjetkë, por jo në një institut të tillë”.
Një vështrim ky që përcakton strategjinë e regjimit komunist shqiptar, mbi shfrytëzimin dhe persekutimin e shkencëtarëve dhe intelektualëve. Shkencëtarët me frymë perëndimore, të shfrytëzohen në maksimum, por të mos u jepet asnjë hapësirë pushteti e drejtimi. Modeli më i besueshëm për komunistët shqiptarë, është ai sovjetik. Edhe atje përvoja e persekutimit është e madhe dhe tashmë ka krijuar një model. Rasti më emblematik i persekutimit të shkencëtareve në Bashkimin Sovjetik, është ai që lidhet me qasjen ndaj gjenetikës.
Bëhet fjalë për rastin e gjenetistit Lysenko i cili, me mbështetjen e drejtpërdrejtë të Stalinit, organizon rrëmbimet, internimet dhe vrasjet e disa prej shkencëtarëve më të famshëm sovjetikë, në fushën e gjenetikës, si: Vavilov, Ivanov, Dubinin, Jebrak, Sashiarov, vetëm se kishin mbështetur tezat e gjenetistit “borgjez”, Mendel. Të gjitha zbulimet gjenetike të Gregor Mendelit, hidheshin poshtë, sepse konsideroheshin si; “shpikje të një prifti”, si zbulime “mistike” dhe antishkencore. Me të njëjtin paragjykim, të shprehur në forma nga më të ndryshmet, u duhej të përballeshin shkencëtarët shqiptarë, që ishin diplomuar në vendet perëndimore.
Petraq Qafoku – inxhinieri me formim perëndimor dhe procesi i persekutimit të ushtruar ndaj tij
Në studimin tim, për persekutimin e intelektualëve në dhjetë vitet e para të regjimit komunist, kam marrë si rast historinë e inxhinier Petraq Qafokut. I lindur në qytetin e Beratit, më 17 korrik të vitit 1916, në një familje tregtarësh, që kanë pasion shkollimin e fëmijëve, mbas mbarimit të shkollës së mesme me rezultate të shkëlqyera, të afërmit e tij, meqenëse Petraqi mbetet jetim, që në moshë të njomë, e ndihmojnë të vazhdojë studimet e larta, fillimisht në Bukuresht, më vonë në universitetin “La Sapienza” në Romë. Pas përfundimit të studimeve universitare dhe diplomimit në inxhinieri minierash, me rezultate të shkëlqyera në vitin 1944, ai vendos të kthehet në Shqipëri, shkon në Berat dhe vihet në dispozicion, për të punuar pranë Qeverisë Provizore të sapoformuar aty, në prag të çlirimit të vendit.
Ky vendim për t’u kthyer në Shqipëri, përmban në vetvete elemente heroike, pasi inxhinier Qafoku ishte krejt i vetëdijshëm, për pasojat e mundshme në një regjim diktatorial komunist. Në Itali, ka pasur mundësi të njihet me literaturë që përshkruan tragjedinë e persekutimit në Bashkimin Sovjetik. Nga ana tjetër, ai, duke qenë jetim, nuk ka prona në Shqipëri. Ky fakt i jep përmasë të thellë shpirtërore vendimit të tij, për t’u kthyer në atdhe, si shprehje e dashurisë së vërtetë për vendin e tij. Siç do ta shohim në vijim, ky fakt del në pah edhe më shumë në një letër që inxhinier Qafoku, i drejton diktatorit Hoxha, në të cilën shprehet se gjëja që e lëndon më shumë sesa persekutimi në vetvete, është “njolla e tradhtisë”.
Pas çlirimit të vendit, inxhinier Qafoku punon në dikasteret qendrore, që merreshin me ndërtimet dhe me çështjet ekonomike. Vendimi i tij për kthimin në Shqipëri, është mjaft fisnik dhe i përgjigjet një klime shpirtërore të shumë intelektualëve shqiptarë, të shkolluar kryesisht në Perëndim dhe që e kishin mjaft për zemër fatin e Shqipërisë. Ky interes dhe pasion i tyre i madh për të ardhmen e vendit, i bënte ata edhe më të dyshimtë përballë përfaqësuesve të regjimit komunist, pasi këta të fundit, ishin kryesisht njerëz të pashkolluar mirë, por me nuhatje politike e të gatshëm për çdo kompromis, për të marrë pushtetin. Dyshimi ngrihej natyrshëm, kundrejt këtyre intelektualëve të shkolluar.
Nisur nga nevoja e madhe e regjimit për të ardhura në valutë dhe ekzistenca e pak ndërmarrjeve që prodhojnë për eksport, inxhinier Qafoku, dërgohet në Minierën e Selenicës, në fund të vitit 1945, për ta ngritur atë në kushte prodhimi, pasi ishte në gjendje të shkatërruar, si pasojë e luftës. Shikojmë në këtë vendim, rastin e nevojës ekstreme të regjimit, për profesionistë të aftë të cilët të mund t’i japin një frymë ringjalljeje, ekonomisë së rrënuar. Pa kaluar dy vjet nga puna e tij tejet e përkushtuar, ai arrestohet më 18 shtator të vitit 1947, në Tiranë. Ky fakt futet në kontekstin e fazës së parë të dhunës, që regjimi kryen ndaj intelektualëve.
Elitat komuniste janë thuajse inekzistente dhe çdo sukses i intelektualëve e i shkencëtarëve në vitet e para të regjimit, shihet me mjaft dyshim dhe frikë. Nga njëra anë ka një nevojë të madhe për intelektualët, nga ana tjetër, regjimi i druhet suksesit të tyre dhe përdor metodën e “kulaçit e kërbaçit”. Në fillim, regjimi u jep mundësi të diplomuarve të vënë në praktikë njohuritë e tyre në sektorët e rëndësishëm ekonomikë të vendit dhe më vonë, sapo ata janë të suksesshëm, fillon paranoja e regjimit, me burgosjet e vrasjet masive, nën pretekstin e sabotimit. Teoria e sabotimit ka qenë një ndër më famëkeqet, pasi është përdorur si pretekst, për të dhunuar të ashtuquajturit “armiqtë e klasës”, thuajse në të gjithë sektorët e ekonomisë, shkollës e politikës.
Dhuna ndaj inxhinier Qafokut, njeh skaje të tmerrshme, sidomos në hetuesi. I mbajtur për një vit në hetuesi, për ta nënshtruar që të bënte deponime të rreme kundër kolegëve të tij, për t’i paraqitur ata si agjentë të shërbimeve të huaja, ai dëshmon një dinjitet dhe qëndresë të pashoqe. Për 24 ditë me radhë, është lënë pa ushqim dhe vetëm me një sasi të vogël ditore uji. Pritshmëria e hetuesisë mbetet duarthatë: asnjë dëshmi e rreme, nuk del nga goja e tij dhe asnjë dokument nuk firmoset nga inxhinier Qafoku, kundër kolegëve të tij.
Akuza ndaj inxhinier Qafokut, si në shumicën e rasteve ndaj intelektualëve dhe shkencëtarëve, lidhet me absurdin e “sabotimit”. Si në rastin e inxhinierëve të Kënetës së Maliqit, ashtu edhe për inxhinier Qafokun, shfaqet fantazma e sabotimit. Në dosjen e dënimit të tij, e cila na u vu në dispozicion nga AIDSSH, vërejmë një koordinim të paimagjinueshëm të dashakeqësisë, injorancës, intrigës dhe tinëzarisë së hetuesve, prokurorëve dhe gjykatësve.
Sigurisht, këto dinamika antropologjike, janë të ushqyera nga dogmatizmi politik, që e impononte pushteti. Ajo çka e bën groteske formulimin e akt-akuzës, është fakti se dallohet qartë, që regjimi e ka marrë vendimin për ta dënuar inxhinier Qafokun, me hir apo me pahir. Kjo situatë, në të cilën të gjitha figurat e një grupi të caktuar social, kanë të njëjtën mënyrë veprimi me bazë dhunën dhe të njëjtin qëllim për ta dënuar të akuzuarin, përkufizohet nga antropologu francez, M. Mauss, si; “fakt social i përgjithshëm”.
Gjatë gjyqit të Gjykatës Ushtarake, në proces-verbalin e mbajtur, hidhet akuza e bashkëpunimit me fashizmin dhe e sabotazhit: “Prokuroria ushtarake e këtushme, me komunikatën e saja, nr. 242, i ka sjellë kësaj gjykate proces-verbalin e mbajtur nga ana e Seksionit të Sigurimit të Shtetit Tiranë, kundra të pandehurit Petraq Qafoku, i rreshtuar dhe i akuzuar si dhe i pajisur me një edukatë fashiste, gjatë okupacionit është treguar Anëtar Aktiv i Partisë Fashiste. Në lidhje me Ing. Taraskinon, Zuberin, e të tjerë, ka rënë në lidhje me ta dhe në çdo mënyrë është përpjekur të sabotojë punën ekonomike, si mbas direktivave të organizatës së agjento-sabotatorëve”.
Çdo detaj i akuzës së Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, ka rezultuar i rremë dhe është vetëm në funksion të vendimit të Partisë, për ta dënuar me çdo kusht inxhinier Qafokun. Sipas paranojës së regjimit, inxhinier Qafoku është një “njeri i vjetër”, është modeli i kundërt i “njeriut të ri”. Formimi i “njeriut të ri komunist”, ka qenë një ndër qëllimet më të rëndësishme ideologjike dhe antropologjike të komunizmit shqiptar. Sipas vizionit të ideologëve shqiptarë, një intelektual e ka të vështirë të bëhet një “njeri i ri” i vërtetë dhe për këtë arsye, shkencëtarët dhe intelektualët duhet të jenë në frontin më të vështirë të punës (në praktikë!), pasi janë “infektuar”, nga teoria që kanë marrë në shkollat perëndimore.
Pra, kjo lidhje e ngushtë mes teorisë dhe praktikës, e shpallur dhe e aktualizuar në vendet komuniste (përfshirë Shqipërinë), na ndihmon të kuptojmë më mirë lidhjen antropologjike shumë të ngushtë, mes zgjedhjeve praktike dhe moralit marksist. “Njeriu i ri”, nuk është një njeri intelektual (ai që di), por një njeri që karakterizohet nga sjellje të përcaktuara nga morali komunist, (ai që bën). Kjo na bën të kuptojmë, se shkencëtari me përvojë studimore perëndimore, është një “njeri i vjetër”, është e kundërta e “njeriut të ri”, është një rrezik për komunizmin. Udhëzimi që diktatori E. Hoxha, jep për “njeriun e vjetër”, është bazë e punës së institucionit famëkeq të Sigurimit:
“Ai (njeriu i vjetër, shënimi im), vepron ilegalisht, duke qenë legal, ai hedh gurin dhe fsheh dorën, ai i bie gjoksit, bën be e rrufe, se është me këtë regjim, të cilin e urren, ai ka mësuar të maskohet dhe të ruhet nga furtunat…! Ai shfrytëzon, fryn, përhap të gjitha çështjet që i vijnë në dorë dhe që i bien në vesh, ai nxit dobësitë e njerëzve, shfrytëzon autokritikat në interesin e tij, ai mbjell konfuzionin, anarkinë, in-disiplinën, nxit dëshirat e ekzagjeruara, nxit vjedhjen, rrugaçërinë, dhe këto nuk i bën hapur, sepse ruhet, i lë t’i bëjnë të tjerët, shumë herë mundësisht njerëzit e mirë, që të komprometohen dhe ata, të shtojë kështu radhët e tij..”!
Nevoja e regjimit për profesionalizmin e inxhinier Qafokut, bën që ky i fundit të përfshihet në mjaft aktivitete profesionale, ku kërkohej ekspertiza e tij, duke filluar prej Kuçovës e, deri në Minierën e Selenicës, por natyrisht, duhej pasur “kujdes” i madh ndaj tij, pasi ai konsiderohej si një “njeri i vjetër”. Për shumë arsye, por sidomos nisur nga motive ideologjike të ndërtimit të socializmit “me forcat tona” dhe të industrializimit të vendit, regjimi e fut vendin në një aventurë zhvillimi industrial, që është krejt e panatyrshme për kushtet e mjera në të cilat ndodhej vendi. Në këtë aventurë, ndonëse me premisa krejt specifike, u fut edhe Shqipëria pas fundit të Luftës së Dytë Botërore. Paradoksi i një modeli zhvillimi teknologjik socialist, që do ta nxirrte vendin nga prapambetja, iu prezantua shqiptarëve si rruga e së vërtetës dhe e ndërtimit të socializmit.
Menjëherë pas luftës, qeveria komuniste e diktatorit Hoxha, duke ndjekur modelin sovjetik, përqendrohet në zhvillimin industrial, duke e parë këtë të fundit si shpresë madhore, për ndërtimin e socializmit: “Domosdoshmëria e industrializimit diktohej nga nevoja për të krijuar një bazë materialo-teknike krejt të re në ekonominë popullore, për të zgjeruar prodhimin e mallrave në vend, për të përgatitur kushtet e riorganizimit të bujqësisë mbi baza socialiste, për të rritur klasën punëtore në mënyrë që kjo të forconte pozitat e saj drejtuese. Industrializimi socialist, do t’i shërbente drejtpërdrejt ruajtjes së fitoreve dhe zhvillimit të revolucionit, ndërtimit të shoqërisë socialiste”. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm