Nga Dodë Progni
Pjesa e katër
-Masakra e Herecit – vepër kriminale e udhëheqjes komuniste jugosllave dhe asaj shqiptare-
I – LËVIZJA “KRYEZIU”
Memorie.al / “Lëvizja Kryeziu” ishte emërtimi i Lëvizjes Nacionaliste Antifashiste, në Kosovë e Shqipërinë e Veriut, gjatë viteve 1940 – 1944, në krye të cilës ishin vëllezërit nga Gjakova, Gani, Said dhe Hasan Kryeziu. Qëllimi strategjik i saj, ishte organizimi i Lëvizjes Antifashiste në Kosovë, çlirimi i saj nga nazifashistët, shkëputja nga Serbia dhe bashkimi me shtetin amë, Shqipërinë. Vëllezërit Kryeziu, si rrallëkush tjetër në Shqipërinë e asaj kohe, kishin kuptuar që në fillim të Luftës së Dytë Botërore, se rruga më e mundshme, për zgjidhjen e problemit kombëtar shqiptar, ishte sigurimi i mbështetjes nga një fuqi e madhe perëndimore, siç ishte Britania e Madhe, dhe se një gjë e tillë, mund të arrihej vetëm duke luftuar kundër nazifashistëve.
Gjatë këtij operacion, i ashtuquajtur operacioni “Pik”, Gani Kryeziu, me një pjesë të forcave të tij, ishin angazhuar në mbrojtje të oficerëve të misionit ushtarak britanikë, të cilët ishin vënë në shënjestrën e forcave gjermane, për t’u kapur e asgjësuar, por nuk ja arritën dot këtij qëllimi, për shkak të dislokimit të tyre, në pyjet e fshatit Berishë dhe bashkëpunimit me forcat e Kryeziut.
Ndërsa udhëheqësit komunistë – që komandonin forcave partizane, përfshirë dhe ata të Kosmetit, si Fadil Hoxha me shokë, jo vetëm nuk organizuan kurrfarë qëndrese, e as nuk hodhën ndonjë pushkë kundër gjermanëve gjatë këtij operacioni, po përkundrazi, pasi i lanë forcat partizane tërësisht të shpartalluara, kërkuan “vrimën e miut”, për të shpëtuar kokën e tyre. Dhe e gjetën atë në thellësi të Alpeve, në fshatin e largët, Curraj të Epërm, ku qëndruan disa javë. Ata u kthyen në Krasniqe, vetëm kur mësuan se gjermanët ishin larguar nga i gjithë territori i Malësisë së Gjakovës.
Lidhur me këtë ngjarje, Beqir Ndou – figura “Numër Një”, e forcave partizane komuniste, që qëndruan e luftuan në Malësinë e Gjakoves, gjatë viteve 1941-1944, ish i ngarkuari i Komitetit Qendror të PKSH-së për luftën në Malësinë e Gjakovës dhe Rrafshin e Dukagjinit, në kujtimet e tij, ka deklaruar se: “Shtabi i Kosmetit, bëri gabime të mëdha…! Ata nuk kishin organizuar informacion për lëvizjet e forcave armike, në drejtim të Malësisë, megjithëse ishin në dijeni, të një operacioni të rreptë kundër Malësisë. Dhe se nuk dha asnjë udhëzim, nuk mori asnjë vendim dhe asnjë nga anëtarët e Shtabit ose të Komitetit Krahinor, të Partisë Komuniste Jugosllave, nuk shkoi me drejtue luftën kundër gjermanëve”.
U ndala posaçërisht në këto fakte historike, që lidhen me një aspekt të veprimtarisë së udhëheqësve komunistë kosovarë, gjatë Luftës Antifashiste, jo për të mohuar meritat e tyre në luftë antifashiste, po për të evidencuar më mire, qëndrimin e tyre keqdashës, armiqësor dhe aspak objektiv, ndaj Kryezinjve dhe luftës së tyre antifashiste. Për të treguar se si ata, arritën të falsifikojnë e të shpifin kundër Kryezinjve aq sa, edhe fajet që rëndonin krejtësisht mbi shtabin e Kosmetit, u munduan t’i hedhin mbi Gani Kryeziun dhe forcat nacionaliste, që ai komandonte.
Veçanërisht Fadil Hoxha, i cili s’pushoi së mburruri për “bëmat” e tij gjatë Luftës Antifashiste, madje shkroi edhe libra për këtë çështje si, ”Kur pranvera vonohet” etj., nuk tregoi asnjëherë pakëz burrëri, për të thënë qoftë edhe një fjalë të mirë për luftën që zhvilluan forcat nacionaliste antifashiste, të Kryezinjve.
As kur ishin gjallë, as kur kishin vdekur vëllezërit Kryeziu, ai nuk arriti të pohojë faktin se, jo një here gjatë vitit 1944, kish qëndruar e luftuar së bashku me Kryezinjtë në Bytyç, në malin e Dobrejt, në Degë të Malësisë së Gjakovës etj. Madje Kryezinjtë, me bujarinë dhe frymën e bashkëpunimit që i karakterizonte, kishin furnizuar disa here Shtabin e Kosmetit, me bukë, ushqime, veshmbathje dhe armatim.
Megjithatë, udhëheqësit komunistë të Kosovës, jo vetëm nuk i pohuan kurrë këto fakte, po përkundrazi, i akuzuan Kryezinjtë, se gjoja: “merrnin furnizime nga Aleatët, armë dhe pregatitje të ndryshme ushtarake dhe ushqime… dhe në vend që këto armë t’ja jepte luftëtarëve të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Jugosllave, në mënyrë që ato të shfrytëzoheshin në luftë kundër gjermanëve dhe tradhtarëve të popujve të Jugosllavisë, Gani beu, këtë nuk e bënte, por këto armë ua jepte njerëzve të vet, të cilët kur kriste pak, ata të gjithë shpërndaheshin në shtëpitë e veta, ose ku me ditë se kujt ja dërgonte dhe kujt ja jepte ato armë…”! Sipas tyre, – këto veprime, Gani Kryeziu i bënte me qëllim që Ushtria Nacional-Çlirimtare Jugosllave, të ishte sa më dobët e armatosur”! Kjo ishte një ndër akuzat me absurd, që shtabi i Kosmetit, kish “fabrikuar” kundër Gani Kryeziut, e cila ju paraqit atij në Gjyqin Ushtarak të Beogradit.
MOHIMI DHE PERSEKUTIMI:
Pas asgjësimit të ‘Lëvizjes Kryeziu’, “de facto”, në shtator 1944, dhe likuidimit fizik të tyre, dhjetor 1944, regjimi komunist i Jugosllavisë dhe veçanërisht i Shqipërisë, u angazhuan në një fushatë të gjatë shpifëse e poshtëruese, kundër emrit dhe veprës së Kryezinjve. Pikë së pari, u përpoqën të mohojnë luftën patriotike antifashiste të tyre. Vetë Enver Hoxha, krejtësisht në kundërshtim me faktet dhe dokumentet e kohës së Luftës, të cilat ruhen edhe sot, ka shkruar: “Një ditë, Gani Beg Kryeziu, na doli me çetë në mal kundër pushtuesve të imagjinuar, dhe “në parim”, sepse në fakt çeta e tij, nuk ra në asnjë përpjekje, nuk hodhi asnjë pushkë”!
Ky falsifikator i historisë, në vitin 1944, e kish lavdëruar Gani Kryeziun, duke e quajtur; “President jo zyrtar, të Luftës Nacional Çlirimtare në Gjakovë”. Dhe vetëm pak muaj më vonë, pa pikë turpi, përgënjeshtrojë edhe vetveten, duke e quajtur Gani Kryeziun, si “bashkëpunëtor të nazi-fashistëve dhe armik të luftës Nacionalçlirimtare”. Të tjerë servilë verbanjakë të tij, janë shprehur se, “forcat e Kryeziut, përbëheshin nga 30-60 mercenarë, që hidhnin nga një pushkë kodrave, sa për të thënë se po luftojnë…! Ata bënin ndonjë sulëm sa për të folur BBC-ja”.
Dhe se gjoja, “në një aksion të përbashkët me forcat partizane, mercenarët e Gani Kryeziut u tërhoqën, ndërsa partizanët, vazhduan luftën”, e të tjera gjepura si këto. Shpifja e fundit, i adresohet ngjarjeve të datës 19 gusht 1944, kur forcat nacionaliste të Kryeziut, sulmuan gjermanët në minierat Kam, Kepenek e Zogaj. Këto luftime, që i kemi shpjeguar e dokumentuar hollësisht më sipër, ishin luftimet më të suksesshme që forcat e Kryeziut, kishin zhvilluar gjatë verës se vitit 1944. Por pas luftës, komunistët u përpoqën të marrin autorësinë e këtij suksesi. Për këtë arsye, ata arritën deri në falsifikimin e dokumenteve arkivore, duke hequr emrin e Gani Kryeziut, e duke e paraqitur këtë sulm, gjoja të kryer nga partizanët, ndërsa për forcat e Kryeziut, thanë se, “u tërhoqën”.
Këta falsifikatorë, përfituan edhe nga fakti se, dokumentacioni i asaj kohe, veçanërisht ai armik, shpesh herë nuk i dallonte forcat e Kryeziut, nga ato të komunistëve, po i emërtonte “forcat partizane e komuniste të Gani Kryeziut”! Është për të ardhur keq, kur sheh se si, ish-pjesëmarrës të Luftës Antifashiste, arrijnë të falsifikojnë, pikërisht dokumentet e kësaj lufte, qe ruhen ne arkivat shtetërorë, vetëm për të mohuar luftën e sakrificat e bashkëluftëtarëve të tyre nacionalistë. Ata, nuk arritën të pohojnë asnjëherë të vërtetën, mbi luftën që zhvilluan forcat e Kryeziut, të cilat i dhanë lirisë së Atdheut, tre herë më shumë dëshmorë, se sa batalioni “Bajram Curri”, i cili, deri në çlirimin e Shqipërisë, njihej si njësia më e madhe partizane komuniste, në Malësinë e Gjakovës.
Këta besnikë të Enver Hoxhës, arritën deri aty, sa m’u në mes të krahinës së Bytyçit, ngritën lapidarin me të përçudnuar që ka njohur Shqipëria, mbi të cilin ishin shkruar këto fjalë: “Prej datës 3 shtator, deri me 3 tetor 1944, forcat e Brigadës III heroike, shpartalluan mercenarët e u dhanë dënimin e merituar, agjentëve të Inteligjente Servisit, dhe ndihmuan në çlirimin e Tropojës”. Sipas këtij epitafi qesharak, Brigada e III-të Sulmuese e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare, paskësh bërë “heroizëm”, duke “çliruar” Bytyçin e Tropojën nga “mercenarët e Inteligjent Servis-it “ (është fjala për forcat e Kryeziut.- D.P.).
E ky “heroizëm”, na qënkish bërë, nga 3 shtatori deri me 3 tetor 1944, pikërisht në kohën, kur është i dokumentuar fakti se, forcat e Kryeziut, luftonin e derdhnin gjakun për çlirimin e zonës minerale: Bytyҫ, Vogovë, Devë. A nuk është ky një shtrembërim i pa skrupullt i historisë së Luftës Antifashiste?!
Në fakt, ky lapidari, përmbante në vetvete dhe një akuzë të qëllimshme, tepër absurde e fyese, për Kryezinjtë, duke i quajtur ata: “agjentë e spiunë” të anglezëve. Enver Hoxha dhe propaganda komuniste, po dhe historianë si; Arben Puto, Faik Lama, etj., për 45 vjet me radhë, i kanë cilësuar Kryezitë, si: “agjentë” të anglezëve, duke sjellë si argument, marrëdhëniet e tyre shumë të mira me britanikët gjatë Luftës Antifashiste, 1940–1944.
Për fat të keq, “korit enverian”, që u përpoq të mohojë dhe të denigrojnë Luftën Antifashiste dhe figurën e vëllezërve Kryeziu, i u bashkua edhe historiani gjakovar, Dr. Ali Hadri. Ky historian me aftësi profesionale të padiskutueshme, që ka shfletuar me mijëra dokumenta në arkivat e Shqipërisë e Jugosllavisë, mbi Luftën Antifashiste në Kosove e Shqipëri, dhe pa kurrfarë mëdyshje, duhet pranuar se, kishte njohuri të plota, mbi kontributin e pamohueshëm të Kryezinjve, në Luftën Antifashiste, në librin e tij: “Gjakova në Lëvizjen Nacionalçlirimtare”, në mënyrë krejt të papërgjegjshme, shtrembëron faktet dhe dokumentet historike, kur thotë: “Kundër Lëvizjes Nacionalçlirimtare, ishin dhe irredentistët dhe ithtarët e Gani Kryeziut, të cilët ishin nën ndikimin e Anglisë, spiunazhit anglez”!
Ky autor, në rreth 300 faqet e këtij libri, veprimtarisë dhe Luftës Antifashiste të Kryezinjve, i ka kushtuar vetëm një faqe. Madje dhe në ato pak rreshta, flet vetëm për marrëdhëniet e tyre më anglezët, duke perifrazuar disa shprehje nga libri: “Pa grada, pa shenja dalluese”, të Petër Kemp-it. Dhe çka është më keq, në përmbyllje të tyre, fut një gënjeshtër tepër bajate, të propagandës tipike komuniste, kur thotë: “Lëvizja Nacionalçlirimtare, bëri përpjekje që, t’i bind Gani Kryeziun dhe Selman Rizën, që të bashkëpunojnë në luftë kundër pushtuesit gjerman, por në këtë drejtim, nuk u arrit ndonjë rezultat, sepse ata nuk dëshironin të luftojnë, por pritnin “çlirimin” nga aleatët e perëndimit, e në këtë mënyrë, të siguronin restaurimin e së vjetrës – vendosjen e pushtetit të tyre feudo – borgjez.
Cilësimi i Kryezinjve si “agjentë” në shërbim të spiunazhit anglez, është përdorur me qellim të denigrimit të tyre. Nëpërmjet cilësimeve të tilla, të pabazuara në fakte e dokumenta, propaganda komuniste në Kosovë dhe Shqipëri, synonte të njollosë sa të ishte e mundur më shumë, figurën e Kryezinjve. Ata u përpoqën t’i bindin njerëzit se gjoja, Kryezinjtë punuan e luftuan vetëm për interesat e anglezëve, ose siç shprehet Enver Hoxha: “Gani Kryeziu, ishte vegël e imperializmit anglo-amerikan”. Ky etiketim është krejt i pasaktë, tendencioz, keqdashës dhe tepër absurd për t’u besuar. Është lehtësisht i kuptueshëm fakti se, në aleancat e asaj kohe, midis Kryezinjve dhe misionarëve anglezë, nuk ka vend fjala “agjenture”. Në se Kryezinjtë do t’i etiketonim agjentë të anglezëve, atëherë edhe oficerët anglezë, si: Toni Simkoks, Peter Kemp, Xhuljan Emery etj., duhet t’i etiketojmë: agjent të Kryezinjve. Enver Hoxhën me më shumë të drejtë, mundë ta quanim agjent, jo vetëm të serbëve, po edhe të anglezëve, me të cilët qëndroi e bashkëpunoi deri në fund të vitit 1944.
Tendencioziteti keqdashës i etiketimit të Kryezinjve, si: “agjentë”, bëhet akoma më absurd nga fakti se, për marrëdhëniet e Kryezinjve me anglezët, ekziston një dokumentacion i bollshëm dhe tepër i kuptueshëm, nga i cili, arrihet në përfundimin e thjeshtë dhe të saktë se, ashtu siç u përpoqën anglezët për interesat e vendit të vet, të siguronin përkrahjen e mbështetjen e Kryezinjve, dhe të tjerëve, në luftë kundër nazifashistëve, edhe Kryezinjtë, për interesat e vendit të vet, u përpoqën të siguronin përkrahjen e mbështetjen angleze. Bashkëpunimi që u arrit midis të dy palëve, dhe që mundë të forcohej akoma me tepër në të ardhmen, u arrit mbi bazën e interesave të ndërsjella. Ai nuk i solli dhe nuk do t’i sillte asnjë të keqe Shqipërisë as Kosovës. Prandaj nuk mundë te quhet ndryshe, veçse bashkëpunim dypalësh, për të mirën e luftës kundër nazi-fashizmit.
Në fund të fundit, rëndësi ka fakti se, deri sot, askush nuk ka arritur të publikojë qoftë dhe një dokument të vetëm, që t’i komprometojë sado pak Kryezinjtë, si veprimtarë të realizimit të ndonjë plani anglo-amerikan, në dëm të lirisë e të pavarësisë se Shqipërisë e shqiptarëve. Fundshekulli i XX-të, me rolin që luajtën anglo-amerikanët në pavarësimin e Kosovë, është dëshmia më e mirë që, vërteton drejtësinë e pikëpamjes së Kryezinjve se, roli i anglo-amerikanëve, herët apo vonë, do të ishte vendimtari në zgjidhjen e problemit të Kosovës.
Pasi i kish akuzuar si: “vegël të imperializmit anglez, bashkëpunëtorë të nazi-fashisteve, kriminel lufte e bashkëpunëtorë të çetnikëve serbë, Nediçit e Mihajloviçit, Enver Hoxha, krijoi absurde të tjera; i akuzoi Kryezinjtë, si agjentë të lidhur me komunistët jugosllavë. “Në Jugosllavi, – thotë ai, janë grumbulluar kriminelë të popullit tonë, ata që i kanë shërbyer fashizmit Italian dhe gjerman, për të shtypur popullin shqiptar dhe po i shërbejnë klikës Tito-Rankoviç. Të tillë janë, agjentët Gani Kryeziu….etj. Këta katilë, të armatosur nga UDB-ja që janë shitur me dollarë e dinarë, futen tinëzisht në vendin tone, për të spiunuar, për të sabotuar e për të vrarë patriotët tanë”! Absurditeti i kësaj akuze, del fare i qartë, për faktin se, as në shtabin, as në forcat e Kryeziut, kurrë nuk kishte gjetur vend asnjë serbo sllavë nacionalist, as komunist.
E kundërta kish ndodhur me forcat partizane komuniste, që drejtonte udhëheqja komuniste shqiptare dhe vete Enver Hoxha. Por këto alibi fantastike, të tipit “enverian”, qe fabrikonte agjentë dhe poli agjentë, sa herë ja kërkonin interesat e veta politike pushtetmbajtëse, ishin përpjekje të qëllimshme, për të denigruar Kryezinjtë e, për të mashtruar njerëzit në Kosovë e Shqipëri.
Nuk është e mundur që Enver Hoxha, të mos e dinte se ne 1949-ën, Gani Kryeziu, ishte i mbyllur në qelitë e burgut të Sremsko Mitrovicës, dhe se me 1952-in, ai kishte një vit i vdekur. Megjithatë, mendja perverse e tij “e nxirrte Gani Kryeziun nga varri” dhe ja paraqiste popullit të Shkodrës, Kukësit e Tropojës, si organizator bandash titiste. Dhe këtë e bënte, për të nxirë sa të jetë e mundur më shumë, figurën e Gani Kryeziut. Për të neutralizuar ndikimin e mundshëm të Said Kryeziut, i cili gjendej në Perëndim, dhe ish bërë një nga figurat më të njohura të emigracionit shqiptar, për veprimtari patriotike dhe antikomuniste. Si dhe, për të orientuar Partinë e Sigurimin e Shtetit, që të mbanin nën kontroll të rreptë, ata njerëz dhe ato krahina, që kishin patur lidhje me Kryezinjtë. Me një fjale, dora kriminale e Sigurimit të Shtetit, lihej e lirë për të goditur pa pikë mëshire, cilindo që guxonte të thotë qoftë edhe një fjalë të mire, për Kryezinjtë.
Pushteti komunist vuri përpara presionit, persekutoi, burgosi, internoi dhe asgjësoi fizikisht, qindra bashkëluftëtarë e simpatizantë të Kryezinjve;
– Ali Brahim Zherka, luftëtar nacionalist i shquar, komandant çete në forcat e Kryeziut, komandant batalioni në Brigadën e XXV-të Sulmuese, i njohur në Malësinë Gjakovës e me gjerë, për trimëri e sakrifica në luftën kundër nazifashistëve. Ai i kish dhënë Luftës Antifashiste e lirisë së Atdheut, gjakun e jetën e dy nipave të tij; Xhemajl e Zeqir Halili. Menjëherë pas çlirimit, si ish bashkëluftëtar i Kryeziut dhe si njeri me autoritet në Bytyç, u ballafaqua me presionet e provokimet e ndyra të njerëzve të Sigurimit të Shtetit. Në pamundësi që t’i përballojë ato, detyrohet të lej Atdheun e, të marr rrugën e arratisë, me të gjithë pjesëtarët e familjes, duke lëne të vrarë në kufi, vajzën e vëllait, 18-vjeçaren, Bute Zeneli.
– Rrustem Avdyl Mulosmani, figurë e njohur e Luftës Antifashiste në Malësinë e Gjakovës. Ish – pjesëtar i batalionit partizan, “Bajram Curri” dhe anëtar i Kryesisë së Këshillit Nacionalçlirimtar për Krasniqen. Ai ishte bashkuar me forcat nacionaliste të Kryeziut, në korrik 1944. Dy muaj më pas, me 15 shtator 1944, ra heroikisht në fushën e betejës, duke luftuar ballë për ballë, me nazistët gjermanë. Si ish – luftëtar i forcave të Kryeziut dhe si biri i antikomunistit të njohur, Avdyl Qerimi, regjimi komunist, i mohoi gjakun e derdhur e sakrificat që bëri për lirinë e Shqipërisë. Për 45 vjet, nuk e shpalli dëshmor të Atdheut. Familjen dhe të afërmit ja vrau, ja burgosi, ja internoi e ja persekutoi, gjatë tërë viteve të atij regjimi. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm