Fjala Dom Nikë Ukgjinit
KISHA MESJETARE SHËN BARBARËS NË PLLANË TË LEZHËS
Të nderuar, Imzot Ottavio Vitale, Imzot Angelo Massafra, kryetar i Bahkisë Lezhë Pjerin Ndreu, Ministrja e Arsimit Evis Kushi, prefekti, Gjokë Jaku. Mysafirë të nderuar!
Burimet tona historike mijëvjeçare të traditave të lashta të popullit tonë, janë relativisht të pakta në numër e me zbrazëti, e sidomos përsa i përket disa periudhave të caktuara të historisë. Kjo sikurse dihet, është rrjedhim i rrethanave historike të veçanta e shpesh herë të vështira, në të cilat është ndodhur vendi ynë nga pushtuesit e ndryshëm gjatë shekujve. Për këtë arsye zbulimi, mbledhja e studimi i burimeve dokumentare ekzistuese historike, gërmime të reja, restaurimi e rikonstruktimi i objekteve fiton një rendësi të veçantë për vendin tonë.
Monumentet kishtare historike e kulturore të mesjetës, në vendin tonë, kanë radhe dalëngadalë duke u zhdukur e dëmtuar dhe duke u pakësuar në numër. Kanë influencuar gjatë shekujve, luftërat e shpeshta, invadimet e huaja, tërmetet etj. por, pa dyshim në dëmtimet e zhdukjen e tyre e kanë influencuar në kohërat e caktuara edhe pakujdesja e njerëzve, mungesa e rezistencës së materialeve të ndërtimit ose të pikturimit. Në shumë raste mbishkrimet e afresket janë mbuluar me suva, janë lyer me gëlqere ose është pikturuar rishtazi sipër tyre etj..
Nder burimet dokumentare historike të Kuvendit të Arbëri të vitit 1703, në veri të Shqipërisë, numërohen rreth 85 objekte kishtare të nivelit ekselence që ishin të dëmtuar nga pushtuesit osman. Sidoqoftë, ndër këto objekte kishtare të mesjetës në veri të Shqipërisë, me ngrehinë të plotë e më shumë gjurme të afreskeve dhe që i kanë rezistuar furtunave të egra të kohërave deri sot, janë Kisha e Balldrenit e Rubikut të shek. XII dhe kjo e Pllanës ka të ngjare e shek. XIII, për te cilën jemi mbledhur sot.
Studimi i kishave të mesjetës, konservimi i rrënojave, rikonstruktimi apo ringritja e tyre, është tepër i rëndësishëm, sepse është koha kur formësohet popullsia arbërore , sepse ato janë sot për sot, dëshmia e vetme për ta njohur më mirë, kulturën, gjuhën, historinë e popullit tonë. Ndërtimet e kultit, duke qenë të krijuara në ndërtimin e fesë, dëshmojnë mjaft mirë aspektet të ndryshme, të zhvillimit historik, ekonomik, e shoqëror të vendit, ndaj studimi i tyre është me mjaft interes.
Ndër monumentet e kulturës shqiptare një vend të rëndësishëm zënë edhe Kisha e Pllanës, kushtuar Shën Barbarës ose (shna Barbullës siç njihet në popull) martire e shek. IV, shpallur Monument Kulture në vitin 1973. Ky ndërtim i mesjetës, është një dëshmi materiale e shpirtërore autentike me vlera të jashtëzakonshme, për studimin e historisë arkitekturore, afreskeve të arritur deri me sot, , sajtit arkeologjik, tashmë të dëmtuar nga ndërtimi i varreve, të ndërtimit në përgjithësi dhe vet historisë se popullit tonë.
Historiku
Kisha e Barbarës (Shën Barbulla) ndodhet në lindje të fshatit Pllanë, në Lezhë. Kisha është një ndërtim i shek XIII-XIV-të i stilit romanik dhe e shpallur Monumente Kulture në vitin 1973.
Më rastin e ndarjes së territoreve në mes vëllezërve të Dukagjinit në vitin 1368, territori i Blinishtit i Matit dhe Pllana, i takuan, Pal e Tanush Perlatit (Dukagjinit). Me rastin e pushtimit të Lezhës nga venecianët, 1393, kjo zonë u bë prone e tyre.
Në anën e jashtme kisha është trajtuar thjeshtë, ndërtuar me gurë të papunuar gëlqerorë dhe shtufi. Kisha me përmasa fillestare 16 x 27m dhe me tri absida, gjatë shekujve disa herë është shkatërruar, nga pushtuesit Osman dhe herë nga tërmetet të ndryshme që kanë goditur vendin tonë, duke u reduktuar së fundi në përmasat e sotme. Marin Bici, në vitin 1610 përmend hajatin në hyrje të kishës. Kurse Ipeshkvi Mark Skura në vitin 1640 duke e përshkrua madhështinë e saj e cilëson si një katedrale. Sipas dokumenteve të kohës, pas shkatërrimit në vitin 1669 u restaurua nga Dom Pal Bici, kurse rindërtimi i shtëpisë në 1672. Sipas ipeshkvit Nikollë Vlladanjit, vitin 1694, shprehet se Kisha ishte në gjendje të mirë, më një altar të madh, një portik dhe dy altarë të vegjël. Ndërsa muri rrethues i oborrit qe ndërtuar në vitin 1753. Vlladanji më vonë dëshmon se tërmeti 1672 Kishën e kishte shkatërruar përsëri. Tërmeti i radhës që e dëmtoi mjaft ishte i vitit 1753. Pastaj faktori njeri e shkatërroj në vitin 1787 nga rivaliteti për pushtet në mes Mehmet Bushatliut (Karamahmuti) dhe Mehmet Çaushit. Dhe së fundi 1915, qe dëmtuar rëndë nga Esadistët shqiptar.
Kisha e Shën Barbarës martire e shek. IV, ruan pikturë murore në faqen perëndimore të Naosit dhe në atë lindore të Narteksit. Piktura në Naos ruhet në anën e djathtë të hyrjes perëndimore, ajo ka gjerësi 1.8m dhe lartësi 1.95m duke filluar në lartësinë 0.45m nga dyshemeja. Piktura është realizuar në teknikën e afreskut në një support jo shumë të trashë. Skena paraqet Shën Jakobin Apostull dhe Shën Katarinën e Aleksandrisë. Në hyrje të Kishës, detaj unik është paraqitja e dorës së ‘Atit të gjithëpushtetshëm’ që përfaqëson ndërhyrjen e Zotit në përcaktimin e rrjedhës së ngjarjeve nëpërmjet ndihmës hyjnore që i ofron Shën Gjergjit i cili vret dragoin dhe Shën Mëhilli Kryengjëll që e mbytë vesin e keq të njeriut. Faza e parë afreskeve duhet të jenë postbizantine të shek. XIII dhe faza e dytë shek.. XV të shkollës artistike të Adriatikut. Në pjesën e altarit gjenden vizatime të thjeshta dekorative me motive biblike të realizuara në vitin 1941 nga ushtari italian, Bardini Renato. Objekti ka kripten, ku kanë qenë të varrosur dy ipeshkvij të zonës.
Restaurimi
Ndërhyrjet e fundit në këtë objekt u bënë nga Ministria e Kulturës në vitin 2001-2002, duke vendosur një çati provizore mbi atë vjetrën, heqja e suvatimit të brendshëm dhe sistemimi i dyshemesë. Por përgjatë 18 viteve me radhë objekti nga moskujdesi i vazhdueshëm që degraduar tejet skajshëm.
Në këtë rast u pa i nevoja e domosdoshme e një ndërhyrje të shpejt për ta shpëtuar çfarë mund të shpëtohej. Pas sigurimit të një sasie financiare, me 19 gushtë filluam punimet në ketë objekt e që zgjaten deri në fund të dhjetorit 2020, duk përshirë këtu edhe sistemimin e ambientit për rreth dhe përkujtimoren për shkollën shqipe. Gjatë zhvillimit të punimeve u ballafaquam pos faktorit kohë vjeshte më shira që na krijonte pengesa, edhe me disa, siç shprehej prefekti Jaku “sehirxhinjë”, që “hidhnin gurin e fshihnin dorën” qoftë nga jeta shoqërore e sidomos nga Ministria e Kulturës të cilët këta të fundit arriti që t’i disiplinonte vet kryeministri Rama.
Punimet për rikonstruktimin dhe restaurimin e Kishës u bënë më fonde private fal dashamirësve të kulturës shqiptare. Ata janë: i kudogjeturi e kudokontribuuesi, Gjergj Leqejza; atdhetari i devotshëm dhe prifti kokëlartë, Dom Anton Kçira i cili vepron në Detroit; Edmond Jakaj, mirditori që punon në Dubai dhe miku i kulturës, mjeku Ukë Berisha, nga Komuna e Klinës.
Duke kuptuar vlerat e këtij objekti historik, fetar e kulturor, shtuam gamën e punimeve përreth saj, ndërtimin e pedonales në mes të varrezave, gjelbërimin, ujësjellësin, ku duhet veçuar kontributi e pazëvendësueshëm të dhënë më shumë dashuri, nga Bashkia Lezhë, kryetari i saj, gjithherë me hije të lehet dhe i buzëqeshur për të mirë, Pjerin Ndreu dhe i pazëvendësueshmi Prefekti me plotë energji pune, bir i kësaj famullie Gjokë Jaku. Fakti së nën ombrellën e kësaj Kishë edhe pse me shumë droje nga pushtuesit osman, së fundmi në vitin 1638, që ngritur shkolla shqipe, në shenjë përkujtimi për këtë ngjarje ndriçuese ngritëm piedestalin kushtuar abecesë së shqipes, fal kontributit të Drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Arsimit, Bardhok Pulaj, afaristit Viktor Jushi dhe mendjes se mbrehtë të skulptorit, Sadik Spahia. Duhet përmendë dhe kontributin modest i pllanorëve në mërgim, si dhe disa personave jashtë fshatit të Pllanës, që u bënë pjesë e këtij projekti në forma të ndryshme. Më këtë rast duhet përmendur dhe ngritjen e bustit të Dom Pjeter Njeçit bir i kësaj famullie, financuar nga Edmond Njeçi banues në Amerikë.
Njohësi i mirë u kulturës shqiptare, afaristi Gjergj Leqejza, me të cilin kemi bashkëpunuar ngushtë në ngritjen e Qendrës të poetit Ndre Mjeda në Kukël, rikonstruktimin e restaurimin në vitin e kaluar të Kishës Shën Prentes në Balldre, këto ditë në rrjetet sociale shprehej:
Të gjithë bashke ia dolëm edhe me këtë projekt për evidentimin e vënien në dispozicion të publikut të vlerave të shumta historiko-religjoze që ka zona dhe gjithë hapësira shqiptare. Unë do shtoja se puna e jonë e përbashkët më çiltërsi dhe dashuri të të katër subjekteve, për rikthimin në identitet të këtij kompleksi, i ngjante simfonisë së Betthovenit, prandaj objekti dhe ambienti përreth mori pamjen që e kemi sot, që mund të konkurojë në tërë Shqipërinë.