Nga ALDA BARDHYLI
Studimet e profesorit amerikan George Ticknor, nxjerrin në pah një marrëdhënie tjetër mes Bajronit dhe Ali Pashë Tepelenës –
Memorie.al / Lord Bajron, poeti i famshëm anglez, vazhdonte të ruante ndjesitë e tij për Shqipërinë edhe atëherë kur ishte në Londrën e largët, apo në Vjenë. Në sallonet aristokrate të kohës, ai recitonte poezitë kushtuar këtij vendi të panjohur për Evropën, të cilin ai e kishte zbuluar thjesht nga pasioni për të udhëtuar. Figura e Ali Pashë Tepelenës, pashait të cilin ai e ka përshkruar aq bukur në vargjet e tij, do të bëhej një figurë mistike, e cila do të zgjonte kureshtje jo vetëm te damat e veshura me fustanet e kohës, por dhe te shumë personalitete të ndryshme të kohës, të cilat në një mënyrë apo një tjetër, ia dolën të mbërrinin në Shqipëri.
Thjesht një udhëtim i Lord Bajronit dhe mënyra sesi ai e serviri këtë udhëtim në këngët e tij, do të bënin që fama e natyrës shqiptare dhe sidomos e një pashai që ai e kishte takuar dhe ishte treguar bujar me djaloshin pasionant të letrave, të kalonte kufijtë.
Studiues të asaj periudhe, por dhe njerëz të përfshirë nga detajet e mrekullueshme të historisë, nxjerrin në pah detaje të tjera interesante nga jeta e Bajron, pas largimit nga Shqipëria.
Nëse u referohemi atyre pak të dhënave që gjenden në arkivat e ruajtura nga pasardhësit e poetit, ky i fundit jo vetëm se nuk e kishte harruar Shqipërinë, por vazhdonte të mbante korrespodencë me pashain shqiptar deri në ditët e fundit të tij. Kthimi i tij në Angli nuk mundi të fashiste nga mendja e djaloshit orët e kaluara në Shqipëri, njohjen dhe bisedat me pashain e shqiptarëve.
Nëse bëhet një studim i plotë i të gjitha detajeve që shpjegojnë se Bajron dhe Ali Pashë Tepelena kanë pasur një korrespodencë të vazhdueshme, mund të gjejmë detaje, të cilat mund të jenë të rëndësishme, jo vetëm për karakteret e dy personaliteteve të njohura, siç janë dy letër-këmbyesit, por edhe të asaj periudhe të shqetësimeve që mund të shfaqeshin në këto letra.
Në ato pak detaje të gjetura në arkivat e familjes së Lord Bajron, bie në sy fakti se ai interesohej për të gjithë ata njerëz që shoqëruan udhëtimin e tij në Greqi dhe Shqipëri.
Bajron kërkon të dijë jo vetëm për pashain e famshëm, por edhe për rojën e tij personale, Vasili, dhe marrëdhëniet e tij me një prej kushërirave të motrave Macri, Dudu Roque, përkthyesin që iu dha në Janinë, Andreas Zantachi, si dhe për myslimanin Dervish Tahiri, një tjetër roje i tij nga viset shqiptare.
Figura e Bajronit, këtij poeti të rëndësishëm në letërsinë botërore, i studiuar mirë edhe në shkollat shqipe, vjen e bëhet më tërheqëse për ne, kur mësojmë këmbënguljen e tij për të mësuar më shumë gjëra nga vendi që e kishte prekur dikur.
Edhe pse ai asnjëherë nuk mundi të udhëtonte sërish për në kalanë e Pashait, ashtu siç do ta shohim të shprehet në një letër drejtuar atij, ai kurrë nuk reshti së kërkuari informacione mbi Shqipërinë. Çdo njeri që kishte shoqëruar rrugën e tij për në Shqipëri, do të memorizohej tek ai për të bërë më të plota përshkrimet për Shqipërinë, te njerëzit e tij të afërt në Londrën e ftohtë të atyre viteve.
Shumë studiues të kohës janë të bindur se në arkivat e pasardhësve të tij, mund të zbulohen detaje që mund t‘i bëjnë më të plota gjithë marrëdhëniet e tij me Ali Pashain, qëkur la Shqipërinë në pranverën e vitit 1810. Gjithë detajet që do të zbulonin këtë marrëdhënie mes dy burrave të rëndësishëm në historinë e vendeve të tyre, do të ishin një informacion i bukur,për të parë anën tjetër të këtyre dy personazheve.
Letrat
Më 8 shtator të vitit 1813, Bajroni i shkruan mikut të tij, Tmas Moore. “Dje mora një letër nga Ali Pasha dërguar me Dr. Holland, i cili sapo është kthyer nga Shqipëria. Letra është në latinisht dhe fillon me “Excellentissime, nec non Carissime” dhe mbaron me përshkrimin e një arme që dëshiron të bëhet për të. Është nënshkruar Ali Veziri.
Si mendon, çka bërë gjithë këtë kohë? Holland më thotë se pranverën e kaluar ai mori një qytet kundërshtar, i cili para 42 vjetësh i kishin turpëruar nënën dhe motrën. Ai e mori qytetin zgjodhi të mbijetuarit rreth 600 veta dhe i vrau të gjithë përpara tij. Megjithatë, ai i kurseu të tjerët dhe e kontrolloi veten- më shumë se çdo të bëja unë. Këto ishin të rejat për mikun tonë të dashur”.
Në këtë letër duket qartë se komunikimi mes Bajronit dhe Ali Pashës, kishte kohë që vijonte. Poeti anglez vazhdonte të shihte me kureshtje gjithçka ndodhte në Shqipërinë e largët, ku “miku i tij Ali”, jo gjithnjë ishte në kahun e favorshëm. Duke qenë se këtë letër Bajron ia dërgon mikut të tij, Tomas Moore, të lë të mendosh se Ali Pasha, ishte një personazh i njohur jo vetëm tek ata që i kishin lexuar vargjet e Bajronit, në të gjithë Evropën, por edhe te miqtë e tij më të ngushtë.
Bisedat për të mund të ishin të vazhdueshme, dhe miqtë të diskutonin mbi atë çfarë po ndodhte në vendin që Bajroni e përshkruan aq mirë për nga ndjesitë natyrore. Dashuria me të cilën Bajroni kishte shkruar për Shqipërinë, bënë që në këtë vend gati të panjohur më parë të Ballkanit, të mbërrinin personazhe të tjera të rëndësishme të jetës evropiane. Bajron arriti të frymëzonte udhëtimet drejt Shqipërisë të një sërë udhëtarësh, artistësh, agjentësh e aventurierësh, të cilët kërkonin të ndalonin ashtu si Bajroni, në oborrin e Pashait.
Është i njohur fakti se gjithkush që shkruan për periudhën e udhëtimeve të evropianëve në territoret e Greqisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë në shekullin e XIX-të, ka në qendër të vëmendjes figurën dominante të Lordit Bajron. Megjithëse udhëtimet në Turqi e Greqi, ishin penguar për një farë kohe për shkak të luftërave evropiane të Napoleonit, falë këmbënguljes së një Shoqërie të rinjsh aristokratë, të quajtur “Shoqëria Diletanti”, një numër arkitektësh, arkeologësh, shkrimtarësh e aventurierësh ndërmorën udhëtime në këto territore, me synim studimin e monumenteve antike, popujve, kulturës dhe traditave të këtyre vendeve.
Një grup “të çmendurish levantine”, po aq entuziastë e po aq këmbëngulës sa Bajroni, do ndiqnin gjurmët e tij nëpër Athinë, në shtëpinë e motrave Makri, në monumentet antike të Nicopolis apo, do të kërkonin që të takonin personazhin enigmatik të Ali Pashë Tepelenës, i cili tashme falë Poemes “Child Harold Piligrimage” (që kishte shitur 20 mijë kopje në një ditë) ishte një nga figurat më të njohura në qarqet intelektuale evropiane.
Bajroni, dhuratë Ali Pashës
Detajet mbi marrëdhënien mes Ali Pashë Tepelenës vijnë e bëhen më interesante nëse u referohemi dorëshkrimeve të lëna pas nga profesori i njohur amerikan, George Ticknor. Profesor i Harvardit themelues i librarisë së parë të Bostonit, mik i një sërë personalitetesh amerikane, përfshirë edhe Tomas Jefersonin, i cili udhëtonte nëpër Evropë kërkon një takim privat me Bajronin, gjatë vizitës së tij në Angli. Ticknor duhet të ketë qenë një pasionant i historisë dhe udhëtimeve, nëse shohim lëvizjet e tij në kërkim të njohurive më të mëdha për Shqipërinë.
Pasi ka lexuar vargjet e Bajronit për Shqipërinë, ai kërkon të takohet me Bajronin, për të biseduar më nga afër për gjithçka kishte ndjerë poeti, kur kishte hedhur në letër ato ndjesi të mrekullueshme për një vend të panjohur. Të gjitha informacionet e marra nga ajo periudhë, tregojnë se profesori i njohur dhe poeti janë takuar në prani edhe të mikut të Ticknor, Edëard Everett, Presidenti i ardhshëm i Harvardit, më 23 qershor 1815 dhe në qendër të bisedës ka qenë Ali Pasha.
Vite më vonë, Ticknor do të përshkruajë takimin me poetin, duke nënvizuar qartë ndjenjat e ofruara nga ai për Shqipërinë. Nga ky takim, profesori do të kuptonte se ky vend i parë rastësisht nga poeti, ishte një ishull ku ai duhet të ndalonte patjetër, qoftë njëherë gjatë jetës së tij. “Ai më tregoi detaje të shumta mbi historinë, ndjenjat, mendimet dhe impresionet e vështirësisë nën të cilat shkroi ‘Child Harold‘”, thuhet në kujtimet e lëna pas nga Ticknor.
Gjatë këtij takimi, profesori i kërkon poetit një rekomandim të firmosur nga ai, për t‘ia lënë në dorë Pashait, kur ta takonte në Shqipëri. Duket se Bajroni ka pëlqyer idetë e veçanta të ushqyera me dashuri të këtij profesori, që kërkonte të zbulonte një pjesë shumë pak të njohur të Ballkanit, e aq më tepër të vizitonte një Pasha, fama e të cilit tashmë ishte bërë e njohur në të gjithë Evropën, falë vargjeve të këtij poeti.
Bajroni i shkruan Ali Pashës
Duket se takimi mes Ticknor dhe Bajronit përveçse ka përcjellë emocione të jashtëzakonshme nga udhëtimi i poetit në Shqipërinë e largët, e ka përforcuar më shumë dëshirën e profesorit amerikan për të udhëtuar drejt Shqipërisë. Për ta bërë më të lehtë komunikimin me pashain shqiptar, ai i kërkon Bajronit një rekomandim, ku ta njoftonte Pashain mbi vizitën dhe personin e tij.
Duket se Bajroni i ka pëlqyer ideja e këtij vizitori të rrallë, dhe ka shkruar një rekomandim, ku ndër të tjera i thotë Pashait, se i kishte nisur me profesorin amerikan një dhuratë. Letra mban datën 25 qershor 1815. “Vezir – Jam i nderuar nga letra e lartësisë Suaj dërguar me Dr. Holland. Jam i lumtur të dëgjoj për shëndetin dhe mirëqenien tuaj- shpresoj se do të vazhdojë për shumë vjet.
Një xhentëlmen amerikan (Z. Ticknor) me ka premtuar se do T‘ju sjellë një dhuratë nga unë për Shkëlqesinë Tuaj, një armë shumë të veçantë (përdorimin e së cilës ai do t‘ua bëjë të ditur) të cilën do të isha shumë i nderuar nëse Ju do ta pranonit. -Shpresoj se një ditë do të mund përsëri të vizitoj Shqipërinë – një vend – për të cilin kujtimet e përkujdesjes për të huajt që Ju tregoni janë shumë të dashura për mua. Me respektin më të madh mbetem shërbëtori i Juaj” thuhet në letrën që Bajron i drejton Ali Pashës.
Në këtë letër ndihet qartë respekti i poetit për Pashain shqiptar, impresionet që ruheshin ende brenda tij për Shqipërinë dhe dëshira për të shkelur sërish në këtë vend, që e zbuloi rastësisht. Kjo letër është një detaj i mjaftueshëm që tregon se korrespodenca mes Ali Pashait dhe Bajronit, ka qenë prezente pavarësisht intensitetit të letrave, të cilat duke pasur parasysh kohën, duhet të kenë qenë të rralla, sa herë ndonjë udhëtar apo mik i të dyja palëve, i binte të udhëtonte në vendet ku Bajroni dhe Pashai jetonte.
Dokumentet e mbërritura nga ajo kohë, nuk e vërtetojnë nëse profesori i nderuar, një personalitet me një rol të rëndësishëm në jetën amerikane, e realizoi vizitën e tij në Shqipëri, në mundi të takonte apo jo Pashain e Janinës. Por këto detaje vijnë interesante në kohët kur ne jetojmë, edhe për faktin se personalitete të rëndësishme të jetës amerikane të kohës, interesoheshin për Pashain shqiptar, figura si prof. Ticknor, Everett dhe Joseph Coolidge, dhëndri i ardhshëm i Presidentit amerikan, Thomas Xhefersonit.
Por interesimi i tij dhe udhëtimi drejt Londrës për të takuar Bajronin, ku temë e bisedës ishte Shqipëria, japin qartë rëndësinë që mori për Shqipërinë udhëtimi ndoshta i rastësishëm i një poeti të ri anglez, por që mikpritja dhe natyra e mrekullueshme shqiptare, e frymëzuan t‘i tregonte botës nëpërmjet poezisë, armës së tij të vetme, se diku tepër larg, në një vend që pothuajse nuk ekzistonte në bërthamat e mendimit aristokrat, jeton një vend me një pasha të veçantë.
Edhe pse Bajron shkroi pikërisht ato vargje, duke dëgjuar zërin e tij të brendshëm, ato u kthyen në hapjen e parë të Shqipërisë drejt botës, duke e bërë protagoniste pozitivisht, dhe duke shtuar kureshtjen e njerëzve të njohur të kohës, për të mbërritur aty.
George Ticknor vjen e kthehet në një personazh interesant për Shqipërinë, për vetë kujtimet që gjenden në arkivin e tij për Shqipërinë. Takimet e tij me Bajronin, për të marrë nga ai bekimin për të udhëtuar drejt Shqipërisë dhe mënyra sesi ai kërkonte të eksploronte në vendin të cilin e kishte njohur vetëm nëpërmjet vargjeve të një poeti, e bëjnë figurën e tij më tërheqëse. Ndërsa nëse shohim atë çfarë shkruhet për Ticknor, ai është shkrimtar, bashkëthemelues i bibliotekës së parë publike të Bostonit. / Memorie.al