Nga Jovan Koço Plaku
Memorie.al/Të rrëfesh për histori persekutimi, është një gjë e trishtë dhe për lexuesit që na ndjekin, nuk meritojnë të shtyhet në trishtim. Prandaj unë do përpiqem që këtë ndërhyrje ta bëj në dy plane, në dy kohë. Si një informacion që ua jap për kohën e shkuar, për periudhën e babait tim, por edhe si një përsiatje rreth aktualitetit. Ndoshta arrij ta zbus sadopak rrëfimin.
Historia e tim’eti
Fillimisht dua t’ju them kush ka qenë im’atë. Dua t’ju them se im’atë ka qenë inxhinier gjeolog i profilizuar në naftë. Ka studiuar në Bashkimin Sovjetik në vitet ‘50, ka qenë një nga studentët më të mirë të kohës, ka mbaruar studimet me rezultate të shkëlqyera, ka ardhur në Shqipëri dhe ka punuar në sektorin kërkimor, nuk ka qenë njeriu i zyrave, por ka qenë njeriu i shkencës dhe i terrenit.
Babai im është dënuar me një grup inxhinierësh në vitin 1976 për “sabotim dhe tradhti ndaj atdheut”. Persekutorëve nuk u rrinte dot vetëm akuza për sabotim. Duhet që ta bënin atë “sabotim” për llogari të “agjenturës sovjetike”. Ai ishte njeri me kontribute të forta profesionale që njiheshin botërisht, ndaj nuk i’a faturonin dot sabotimin. Por veprimtaria agjenturore është diçka e mistershme, e fshehtë. Atë mund t’ia faturosh kujtdo. “Grupi i sabotimit në naftë”, me të cilin u dënua im’atë, përbëhej nga tetë persona, ku dy prej tyre u ekzekutuan dhe të tjerët u dënuan me burgim…!
Fëmijëria ime
Më ka bërë përshtypje, që kur isha i vogël, por edhe më vonë, më bënte përshtypje që “lidhjen me agjenturën sovjetike” e bënin me një episod që kishte të bënte me grepa peshkimi. Tim’eti i thonin se ne e provojmë që ti ke qenë agjent dhe sabotator, sepse në vitin 1966, e njohura jote, Elvira Babiçenko, e cila ishte nga Dhërmiu, e martuar me një shtetas rus, të ka sjellë grepa peshkimi nga Bashkimi Sovjetik. Bashkë me grepat e peshkimit, ti ke marrë edhe porositë për të sabotuar. Në fakt im’atë e kishte pasion peshkimin.
Ky episod i grepave të peshkimit më ka ngelur në mendje, pasi me mënyrën si i përthith një fëmijë ngjarjet, sidomos ngjarjet që e impresionojnë shumë, unë lidha në atë kohë grepat e peshkimit, me fjalën sabotim dhe të dyja i konsiderova një gjë të rëndë. Të dyja këto fjalë më bënë që të lidhem shumë fort pas këtij momenti, pas këtij episodi, saqë për të kuptuar se kush ishte gjëja që kishte bërë im’atë, unë ndjeja nevojën t’i futesha peshkimit. Fillova të studioj peshkimin, fillova të merrem me peshkim dhe fillova të sajoj grepa peshkimi. Grepat e parë i kam bërë me gjilpëra me kokë dhe një lloj peri të cilin mamaja ime e përdorte për të qëndisur. “Muliné” i thonin dhe ishte mjaft i fortë. Në atë kohë, edhe unë e shihja veten sabotator. Kisha sabotuar qëndismën e nënës. Vetëm se nëna ime nuk më dënonte. Kjo veprimtari sabotuese fëminore më ka lënë peshqesh pasionin e peshkimit.
Familja Plaku nga Hoçishti i Korçës
Im’atë ka qenë pjesëtar i një familjeje të persekutuar. Këtu nuk ka asgjë të pazakontë, të veçantë, për të gjithë ata që njohin historinë e persekutimit komunist, diktaturën komuniste. Ata që persekutoheshin, si rregull persekutoheshin familjarisht. Ndoshta e pazakontë është shkalla e persekutimit që i është bërë familjes sime dhe ndoshta edhe motivet e persekutimit. Familja ime është një familje patriote, e dokumentuar dhe e vlerësuar si e tillë, prindërit, gjyshërit e tim’eti edhe më herët akoma. Persekutimi i kësaj familjeje nga regjimi komunist, ka filluar para se ai regjim të instalohej në pushtet.
Ka filluar në vitin 1944, kur vëllai i madh, Jorgo Plaku, i cili ishte partizan, nga partizanët e parë në Shqipëri, i afërt me Enver Hoxhën dhe përkthyes pranë misioneve anglo-amerikane, në 7 janar 1944 u vra në rrethana të mistershme, gjatë një marshimi dhe, pas luftës, u shpall “Dëshmor i Atdheut”. Më vonë, ka pasur indikatorë që tregonin se kjo vrasje, ishte kryer direkt me urdhër të Enver Hoxhës. Më pas, persekutimi i ka marrë të gjithë vëllezërit, njërin pas tjetrit dhe sipas historisë që kemi përjetuar ne, kjo ka ndodhur sepse ata kishin filluar të zbardhnin misteret.
Pjesë e kësaj familjeje është Kalo Plaku, ish drejtor i fermës bujqësore të Sukthit, më e madhja atë kohë në Shqipëri, i cili ka vdekur në maj 1957, si rezultat i helmimit, e konfirmuar që është helmuar nga sigurimi i shtetit. Vëllai tjetër, Panajot Plaku, i cili ka qenë ministër në qeverinë e Enver Hoxhës, u arratis, sepse e ndjeu që po i vinte radha e eliminimit, pavarësisht se edhe në emigrim nuk mundi t’i shpëtojë sigurimit të shtetit. Pastaj vinte im’atë. Pjesa tjetër e familjes sigurisht që nuk kanë shpëtuar, por kanë vuajtur kalvarin e internimeve, dëbimeve, etj, por gjithsesi kanë mbijetuar.
Historitë e familjeve të persekutuara gjatë regjimit komunist në Shqipëri, sot nuk njihen gjerësisht nga shoqëria. Janë histori të cilat tregohen me njëri-tjetrin nëpër rrethet e ngushta familjare. Atje ku ka interes, bëhen edhe emisione të posaçme, por procesi është vetëm sporadik dhe jo i strukturuar, i organizuar dhe përfshirës. Nuk është ende politikë e mirëfilltë njohje, vlerësimi dhe edukimi. Historitë e persekutimit komunist, për aq sa rrëfehen, kënaqin kuriozitetin shoqëror, por nuk janë shndërruar dot as në modele edukues, as në shtylla të moralit shoqëror.
Ana profesionale e tim’eti
Babai im ka qenë student me rezultate të shkëlqyera, ka qenë i vlerësuar si student ekselence në Bashkimin Sovjetik. Ka ardhur në Shqipëri dhe për hir të së vërtetës, edhe në Shqipëri ka qenë i vlerësuar si specialist, sepse iu dha mundësia që të punonte në profesionin e vet, megjithëse ai profesion nuk ishte luks, por ishte mjaft i vështirë, ishte profesion terreni. Babai im ka qenë në grupin dhe ndoshta protagonisti i shkollës së re të kërkimit të naftës në Shqipëri, e cila theu tabutë e kohës. Në qoftë se deri atëherë në Shqipëri thuhej se nafta është vetëm në zonat ranore, im’atë insistoi me gjithë grupet shkencore të kohës dhe arriti të bindë jo vetëm grupet shkencore, por edhe vendimmarrësit politikë, që nafta në Shqipëri është e depozituar në gëlqerorë, kurse në ranorë ka migruar prej gëlqerorëve.
Duhet kuptuar diçka. Unë nuk jam specialist i asaj fushe dhe besoj që këtu asnjë nga ne nuk është specialist i asaj fushe, por unë besoj se ju e perceptoni të gjithë që në kushtet e një regjimi diktatorial, jo vetëm të thyeje tabutë e mendimit shkencor, por edhe të rrezikoje aq shumë sa të përdorje fonde për të vërtetuar tezat e tua, ishte një hap shumë i guximshëm, i cili në vetvete mund të çonte në persekutim, nëse dështoje. Aty nuk luhej bixhoz. Bixhozi ishte me jetën. Dhe im’atë kishte aq shumë patriotizëm, aq shumë devotshmëri, aq shumë siguri, aq shumë pasion për punën dhe aq shumë bindje shkencore, saqë ishte i vendosur të luante edhe me jetën, për të vërtetuar saktësinë e tezave të veta. Këtë gjë e arriti me zbulimin e vendburimit të Gorishtit, burimi i parë i rëndësishëm i naftës në gëlqerorë.
Im’atë është dënuar për sabotim. Kjo ishte akuza e formuluar për njeriun që i kishte dhënë Shqipërisë një pasuri të pallogaritshme, të paimagjinueshme, e cila nuk kishte qenë e mundur t’i jepej as nga asistenca e huaj. Për ta thënë me gjuhën e deputetit të nderuar, zotit Baftjar Zeqaj, i cili është gjithashtu inxhinier gjeolog i profilizuar për kërkimin e naftës në terren, që pavarësisht se është i një brezi tjetër, më të ri, ka studiuar punimet e tim’eti, e ka njohur atë në aspektin profesional e teorik, jo personalisht dhe është shprehur se: “…në Shqipëri nuk ka njeri tjetër që të ketë kontribuar për buxhetin e shtetit, më shumë se Koço Plaku…”!
Im atë nuk i dha Shqipërisë pasuritë e veta (nuk kishte të tilla). Dijen kishte dhe atë e shndërroi në pasuri. Vendburimi i Gorishtit, vazhdon të shfrytëzohet edhe sot e kësaj dite prej 60 vitesh. Vendburimet e tjera gjithashtu. Kompanitë e huaja, të cilat janë sot të pranishme në Shqipëri në fushën e hidrokarbureve, vazhdojnë të shfrytëzojnë dijet dhe kontributin e Koço Plakut në kërkimin e naftës, si p. sh. shpimet e kompanisë Shell në malin e Shpiragut apo edhe zona të tjera naftëmbajtëse ende të paprekura, janë mbështetur krejtësisht në studimet e tij.
Ky jetëshkrim, do të ishte i admirueshëm për çdo njeri, jo për faktin se është babai im. Njerëzit vijnë në jetë që t’i japin diçka shoqërisë. Ky është roli dhe motivi sublim që kemi në shoqëri. Të gjithë. Por jo të gjithë e kanë mundësinë. Jo të gjithë e kanë mundësinë njëlloj. Jo të gjithë ia dalin. Ama, njerëzit që ia dalin dhe ia dalin në përmasa të tilla, meritojnë nderim, meritojnë mirënjohjen nga ana e shoqërisë dhe e shtetit, meritojnë të lartësohen.
Cila është situata sot me mirënjohjen publike ndaj kontributeve të personave të persekutuar? Njerëzit si babai im nderohen dhe respektohen në rrethin e personave që i kanë njohur (jo vetëm nga familjarët) apo në rrethin e personave që kanë punuar me ta, por jo më gjerë se kaq. Mirënjohja nuk shtrihet te autoritetet publike. Ata rrallë ka qëlluar që ta kenë në vëmendje, apo “në listë” këtë kategori të persekutuarish.
Mirënjohja po ashtu nuk shtrihet në grupet e painformuara të shoqërisë, tek ata që nuk kanë informacion special për fushën, por që normalisht duhet të kishin informacion për kontributet e individëve në shoqëri. Siç kanë informacion për emra partizanësh, siç kanë informacion për emra patriotësh, siç kanë informacion për emra futbollistësh të shquar, siç kanë informacion të bollshëm për emra këngëtarësh, kompozitorësh dhe sidomos për emra politikanësh. Kjo gjë nuk ndodh, nuk është, nuk ka qenë asnjëherë. Unë mendoj se duhet të ishte përfshirë në politikat shtetërore. Kjo vlen jo vetëm për tim’atë, por vlen për një listë të gjatë të të gjithë personave që kanë pasur të njëjtin fat si ai.
Hetuesia dhe torturat!
Im’atë ka vuajtur rreth një vit e gjysëm në hetuesi të rëndë. Siç kam lexuar nga dosja, unë kam pasur mundësi të kuptoj shumë nga tërësia e gjërave. Akuzat për sabotim, bashkëpunim me agjenturën e huaj, tradhti ndaj atdheut, me të gjitha format dhe llojet e presionit, për një vit e gjysëm ai i përballoi me stoicizëm. Presionet deri tek “do të të zhdukim familjen”, kërkonin ta thyenin edhe duke përdorur fëmijën e tij, mua, që isha 1 vjeç, që sapo kisha filluar të flas dhe fjalën e parë e kisha thënë “baba”, në oborrin e burgut, ku na kishin marrë me detyrim, nënën dhe mua, që të shkonim dhe ai të na shihte nga dritarja e birucës dhe të thyhej nga pamja dhe prania jonë aty. Ai qëndroi i vendosur, siç kam lexuar unë në dosjen hetimore, i vendosur në mohimin e akuzave, sepse ishte i qartë për kurthin.
Akuzat nuk kishin lidhje me veprimtarinë e tij, sepse veprimtaria e tij ishte e ndritur. Akuzat kishin lidhje me nevojën e regjimit për të spastruar një anëtar të një familjeje që ishte futur në rrethin e persekucionit. Mesa duket, ai këtë gjë e kishte kuptuar, e dinte që nuk kishte zgjidhje tjetër dhe prandaj u ka rezistuar me forcë të gjitha ofertave, si kulaçit, edhe kërbaçit të hetuesisë shqiptare, të sigurimit të shtetit shqiptar. Dosja e tij është voluminoze, rreth 5 mijë faqe. Të gjitha të dhënat në dosje janë të fabrikuara, madje kuptohet lehtë edhe fabrikimi i dosjes, edhe teknika që është përdorur, që nga përgjimet, nga futja e spiunëve, provokatorëve në birucë, nga thyerja e të bashkë akuzuarve dhe shfrytëzimi i thënieve të tyre për të ngarkuar tim’atë me faj, në kuptimin e akuzës.
Që të gjitha janë të qarta. Është një dosje e bollshme, është një dosje e cila e vlen të studiohet dhe nga e cila, studiuesit mund të nxjerrin konkluzione ekselente për të bërë radiografinë e persekucionit komunist. Por edhe kjo dosje, nuk është dosje specifike. Nuk ka qenë vetëm im’atë me një dosje të tillë në atë regjim. Nga dëshira dhe nevoja që unë kam pasur për të kuptuar hallin tim dhe për të shkuar drejt zbardhjes të së vërtetës së tim’eti, kam pasur nevojë të futem nëpër arkiva. Kam parë plot dosje të tilla. Sot, di të them që të gjitha këto dosje, kanë vlerë të mirëfilltë studimore. Por, sot, me ndonjë përjashtim të rrallë, me përjashtim të ndonjë individi me vullnet të hekurt, janë që të gjitha jashtë vëmendjes së historiografisë shqiptare, ndërkohë që prej tyre mund të nxirren përgjithësime shumë të mira dhe mund të bëhet një radiografi shumë e mirë e diktaturës komuniste dhe e persekutimit komunist, e metodave të persekutimit komunist, të cilat do të ishin shumë të vlefshme për shoqërinë sot, për të kuptuar të shkuarën.
Për të bërë përpunimin e së shkuarës diktatoriale. Në qoftë se nisemi nga këndvështrimi i sotëm dhe shohim eksperiencën e vendeve të tjera, eksperiencat e vendeve të tjera janë mahnitëse. P. sh., është mahnitëse mënyra se si ka operuar Gjermania me përpunimin e së shkuarës hitleriane dhe me përpunimin e së shkuarës komuniste, në pjesën komuniste të saj. Në të dyja rastet është model. Ata nuk kanë lënë që dosjet t’i zërë pluhuri. Ata nuk janë nisur nga arsyetimi që më mirë t’i mbajmë mbyllur, se na krijohen konflikte sociale. Ata kanë ushqyer popullin e tyre me vetëdijen e hekurt që pa kuptuar gabimet e së shkuarës, fajet e së shkuarës, nuk mund të kemi sigurinë për të ardhmen. Dhe fajet e së shkuarës, kuptohen jo duke thënë: “të gjithë bashkëfajtorë, të gjithë bashkëvuajtës”, jo duke thënë: “më mirë t’i mbyllim se na krijohen konflikte sociale në Shqipëri”, por duke thënë: “ne kemi nevojë të kuptojmë, ne kemi nevojë për transparencë, ne kemi nevojë që të ndriçohemi, ne kemi nevojë që të mësojmë”.
Historia ime…!
Unë kam filluar të hulumtoj. Jo për shkak të ndonjë pasioni të veçantë për historinë. Unë kam tjetër profesion dhe jam i realizuar në profesionin tim. Falë historisë së babait tim, unë jam një peshkatar i apasionuar dhe kohën time të lirë, kryesisht dua ta kaloj duke peshkuar. Por, kam zgjedhur të mos e bëj këtë gjë. Kam zgjedhur të mos e ndjek pasionin tim. Unë kam zgjedhur të ndjek fatin tim. Dhe fati im, është të zbuloj të shkuarën, që të shikoj qartë të ardhmen. Mbi të gjitha, unë kam pasur nevojë të njoh babain tim, të cilin regjimi nuk më la ta njoh kurrë. Kam pasur nevojë të kuptoj pse ndodhi ajo gjëmë, pse regjimi ia mori jetën babait tim. Pas kësaj, kam pasur nevojë që të respektoj, të nderoj dhe të lartësoj emrin e tij.
Kjo, fillon e gjitha te përpjekja për të gjetur eshtrat e tij, e cila në çdo vend tjetër do të dukej një gjë mjaft e thjeshtë, një proces rutinë. Të gjitha shtetet, qofshin ato diktatoriale apo demokratike, janë shtete burokratike, këtë gjë e kanë të përbashkët. Për çdo gjë që bëjnë, lënë gjurmë. Në Shqipëri, çështja është bërë e vështirë jo se Shqipëria nuk ka qenë shtet burokratik, por se gjurmët fshiheshin. Dhe unë kam bërë një luftë afatgjatë, për të zbuluar dhe ri zbuluar gjurmët e fshira. Kam kërkuar nëpër arkiva, kam gjetur dokumentacionet e ekzekutimeve, kam identifikuar personat që kanë qenë në skuadrën e ekzekutimit dhe të pranishmit e tjerë, jam përpjekur të gjej ku janë sot ata njerëz, t’i identifikoj dhe t’u afrohem atyre. Ky nuk ka qenë një proces i lehtë. Më është dashur të bëj manovra të jashtëzakonshme për të arritur në këtë pikë.
Më është dashur të gjej njerëzit, më është dashur t’i kontaktoj në rrugë të ndryshme, më është dashur t’i bëj miq, më është dashur të ulem, të ha, të pi dhe të dehem me ta, me dhjetëra herë, që ata të kishin sigurinë se unë nuk isha pranë tyre për t’u hakmarrë, por isha pranë tyre për nevojën time, për qëllimin e vetëm që të gjej eshtrat e babait tim të ndjerë. Të paktën këtë proces, shteti duhet t’ua kishte hequr nga shpina familjarëve të personave të ekzekutuar. Pavarësisht nga regjimi, diktatorial apo demokratik, shteti është një dhe ky detyrim është i shtetit, shteti duhet t’i kishte dalë zot detyrimit të tij, për t’i dhënë familjarëve eshtrat e të dashurve të tyre. Kjo duhet të kishte ndodhur edhe për shkak të faktit, se një shtet, i cili nuk i përgjigjet këtij detyrimi, është një shtet i cili nuk ka vullnetin për të treguar pendesë. Edhe pendesa është e shtetit, nuk është e regjimit.
Unë kam ndërmarrë privatisht nismën time për të gërmuar. Kam hipur vetë mbi ekskavator për të gërmuar, megjithëse nuk jam ekskavatorist, megjithëse nuk jam ekspert i ekzekutimeve. Nuk e njoh këtë fushë. Por, unë dhe plot të tjerë, që ishin në të njëjtat kushte si unë, duhet të ndihmonim veten tonë, sepse në të kundërtën, nuk na ndihmonte askush. E bëmë këtë punë dhe deri në njëfarë mase arritëm të zbulonim disa site ku ishin groposur të dënuarit me pushkatim dhe siç është treguar edhe nga kronikat, arritëm të zbulonim eshtra njerëzish dhe t’i shpiem në mjekësinë ligjore për identifikim.
Ka shumë njerëz të cilët kanë gërmuar për të gjetur të afërmit e tyre, që kanë gjetur eshtra dhe i kanë rivarrosur pa asnjë ekzaminim. Ka të tjerë të cilët i kanë bërë analizat e ADN-së dhe pasi kanë gjetur se eshtrat nuk u përkasin të afërmve të tyre, i kanë hedhur. Ka të tjerë, të cilët kanë gjetur rastësisht eshtra në vende të ndryshme ekzekutimesh dhe kanë zhdukur çdo gjurmë.
Situata ime sot është kjo. Unë ende nuk mund të them se ku i kam eshtrat e babait tim. Unë ende nuk mund t’i rivarros ato në mënyrë dinjitoze. Unë ende nuk mund t’i jap tim’eti varrin që ai meriton. Unë ende nuk mund ta vizitoj atë në ditën e lindjes apo të vrasjes, për ta përkujtuar ashtu siç ai e meriton. Sepse mua më mungon një ndihmë nga shteti, për të identifikuar midis morisë së eshtrave që ne kemi gjetur, cilat janë ato që i përkasin tim’eti dhe cilat janë ato që i përkasin bashkë të ekzekutuarve të tij. Këtë nevojë, shteti ende nuk po na e plotëson.
Kur gjetëm eshtrat në rrëzë të Dajtit dhe historia u bë publike, Serbia bëri zhurmë dhe pretendoi se eshtrat i përkisnin viktimave të luftës së Kosovës të vitit 1999, serbëve që u ishin marrë organet për trafik. Unë di se aq e fortë ishte kjo propagandë, saqë përfaqësues të OKB-së erdhën në Shqipëri për të bërë hetime. Autoritetet shqiptare prapëseprapë qëndruan indiferente, kur akuzat mund t’i rrëzonin menjëherë, nëse plotësonin kërkesën tonë për të bërë analizën e ADN-së për eshtrat e ekzumuara. Edhe sot e kësaj dite, ndoshta ndërkombëtarët janë bindur se kjo çështje nuk ka asnjë lidhje me broçkullat e Serbisë, por serbët mund ta pretendojnë akoma, megjithëse ne e dimë me siguri që ato janë eshtrat e të afërmve tanë. Ne thjesht nuk dimë se cilat janë të tim’eti dhe cilat janë të të bashkë ekzekutuarve të tij.
Rehabilitimi
Në rastin e tim’eti, shembulli i rehabilitimit është shembulli se si shoqëria ka rehabilituar një anëtar të vetin, për të cilin shoqëria e ka ndier se ai ka qenë viktimë e terrorit komunist. Sot, në Patos është vendosur një shtatore e tim’eti. Kjo shtatore është kontribut i njerëzve që e kanë njohur, kontribut i arritjeve të veta dhe i njerëzve që kanë respektuar kontributin e tij, por jo i shtetit. Ai monument është i gjithi produkt i një nisme private, e cila sigurisht është miratuar nga autoriteti lokal, por nisma është e gjitha private dhe lartësimi është i gjithi privat. Unë jam shumë mirënjohës për të gjitha këto, në mënyrë të veçantë karshi deputetit Baftjar Zeqaj, i cili e ka njohur, e ka vlerësuar dhe e ka respektuar vërtet Koço Plakun, sikurse kemi bërë edhe ne, familjarët e tij.
Rehabilitimi është një temë e madhe dhe një temë e cila ka nevojë që të trajtohet me shumë seriozitet. Rehabilitimi nuk i kthen njerëzit fizikisht në jetë, nuk ka mundësi. Natyra nuk e lejon një gjë të tillë. Por rehabilitimi kthen në jetë kujtimin e këtyre njerëzve. Rehabilitimi nuk është mitizim. Rehabilitimi është njohje dhe vlerësim, me të mirat dhe të këqijat që njerëzit kanë pasur. Unë këtë mund ta them me lehtësi, sepse im’atë, për shkak të historisë së jetës së vet, ka pasur të mira, por jo të këqija. Ka pasur kontribute, por jo dëme, ndërkohë që të tjerë, të cilët kanë pasur dëme më shumë se kontribute, e kanë më të vështirë që të kërkojnë rehabilitimin, sepse rehabilitim do të thotë që shoqëria t’u njohë edhe dëmet. E rëndësishme është që ne si shoqëri nuk duhet të shkojmë drejt mitizimit të personazheve për shkak të nevojës për të shuar kuriozitetin sipërfaqësor. Ky nuk është rehabilitim. Kurioziteti sipërfaqësor nuk i kthen njerëzit, nuk i rehabiliton ata.
Ri integrimi
Ri integrimi është mirëpritur në masë nga shtresa e të persekutuarve. Por ai është trajtuar si një proces thellësisht material, nganjëherë edhe cinik. Shteti nuk krijoi një bazë të plotë të dhënash, por këta njerëz duhet të paraqesin nga një mal me dokumente në Ministrinë e Financave, për secilin nga këstet e dëmshpërblimit, përndryshe “digjen fondet”. Ndërkohë, shteti nuk ka menduar se ri integrimi është edhe shpirtëror, përveçse është material. Në një farë mënyre ri integrimi është parë si një set masash që synonin të “mbyllnin” gojën, por jo të shëronin plagët. Plagët e familjarëve të të ekzekutuarve nga regjimi do ngelen të hapura, sa kohë që kalvari i të dashurve tanë të ekzekutuar nuk është mbyllur akoma, eshtrat e tyre nuk prehen dot në paqe dhe ne nuk kemi dot mundësinë t’i kujtojmë e nderojmë si çdo njeri tjetër që kujton e nderon të dashurit e larguar nga kjo jetë.
Kam bredhur aq shumë përqark kodrave të Tiranës dhe kam gërmuar aq shumë, saqë herë pas here, futesha në dilemë, thoja me vete: “Ore, mos vallë pasioni im po bëhet zhvarrimi? Unë kam peshkimin, jo zhvarrimin dhe nganjëherë, e ndieja të domosdoshme të shkoja me ankth drejt detit, të merrja grepat dhe të dilja për peshkim, sepse më duhej të konkurroja dhe të zgjidhja midis pasioneve…”! Por, unë ende nuk jam lodhur…! Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016