Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e parë
Memorie.al/ Vetëm pak ditë pas arrestimit të ish-ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu dhe zëvendësit të tij, Feçor Shehu, në fillimin e nëntorit të vitit 1982, sipas udhëzimeve të sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, (firmosur personalisht nga Enver Hoxha), nëpër të gjitha organizatat bazë të partisë në mbarë vendin, u mbajtën mbledhje të jashtëzakonshme, në të cilat u analizua “veprimtaria e grupit armiqësor” të Kadri Hazbiut dhe bashkëpunëtorëve më të afërt të tij, si; Feçor Shehu, Llambi Peçini, Mihallaq Ziçishti, etj., të cilët së bashku edhe me ish-ministrin e Punëve të Jashtme, Nesti Nasen e atë të Shëndetësisë, Llambi Ziçishti, u akuzuan si bashkëpunëtorët më të ngushtë të poli-agjentit Mehmet Shehu.
Më pas, të gjitha materialet e këtyre mbledhjeve të mbajtura në Tiranë dhe në rrethe, iu dërguan komiteteve të partisë të rretheve përkatëse, të cilat pas një seleksionimi paraprak, ato diskutime që ishin më të rëndësishme, i’u dërguan sektorit përkatës të aparatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, që mbulonte organet e Diktaturës së Proletariatit (Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Hetuesia e Përgjithshme, Prokuroria, Gjykatat etj.), sektor i cili, pas një seleksionimi tjetër më të hollësishëm, i’a dërgonte sekretarit të Komitetit Qendror, Simon Stefani, që mbulonte organet e Punëve të Brendshme.
Në këtë kuadër, edhe sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Elbasanit, Piro Kondi, asokohe, përzgjodhi diskutimin e Hekuran Pobratit, (ish-oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit, që mbante titullin “Hero i Popullit”), i cili ishte pensionist dhe banonte me familjen e tij në qytetin e Elbasanit. Letra me diskutimin në fjalë, i cili ishte mbajtur në mbledhjen e organizatës bazë të pensionistëve ku militonte asokohe Pobrati, (ku u diskutuan materialet e Plenumit të 5-të të Komitetit Qendror të PPSH-së), pasi është lexuar dhe parë me kujdes nga ana e Simon Stefanit, i është dërguar përsëri Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Kjo pasi aty, që në nëntorin e vitit 1982, me urdhrin e ministrit Hekuran Isai, ishte formuar një grup special, me në krye zv/ministrin e Punëve të Brendshme Zylyftar Ramizi, (që njëkohësisht mbante edhe funksionin e Drejtorit të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit), dhe dy vartësve të tij, Enver Zeneli e Hasan Ulqinaku, të cilët kishin si detyrë kryesore: “zbardhjen dhe dokumentimin e veprimtarisë armiqësore të grupit të Kadri Hazbiut, si bashkëpunëtorët të më të ngushtë të poli-agjentit Mehmet Shehu”! Në këtë kuadër, është dhe diskutimi i Hekuran Pobratit, të cilin e kemi shkëputur nga një dosje voluminoze që ndodhet në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme (tashmë dhe pjesë e fondit të Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), të cilën po e publikojmë në Memorie.al.
LETRA SHOQËRUESE E SHEFIT TË SEKTORIT TË LETRAVE DHE ANKESAVE PRANË APARATIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH-SË, VASKË ÇIFLIGU, DËRGUAR SEKRETARIT TË KOMITETIT QENDROR, SIMON STEFANI, ME DISKUTIMIN E ISH-OFICERIT TË LARTË TË SIGURIMIT TË SHTETIT, HEKURAN POBRATI, “HERO I POPULLIT”, MBAJTUR NË MBLEDHJEN E ORGANIZATËS BAZË TË PARTISË, LIDHUR ME “VEPRIMTARINË ARMIQËSORE” TË MEHMET SHEHUT, KADRI HAZBIUT, ETJ.
Shoku Simon,
Me datën 11.11.1982, shoku Piro Kondi dërgoi diskutimin që shoku Hekuran Pobrati, ka bërë në mbledhjen e organizatës-bazë, kur u diskutuan materialet e Plenumit të 5-të të KQ të PPSH. Ky diskutim lidhet me informacionin që dërgoi Komiteti i Partisë i Rrethit të Elbasanit, për punimin e materialeve të Plenumit të V-të të Komitetit Qendror në Degën e Brendshme dhe Prokurori e Gjykatë.
Vaskë Çifligu
D I S K U T I M
Solidarizohem plotësisht me vendimin e plenumit të 5-të të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe konkluzionet e udhëheqësit tonë të dashur, shokut Enver Hoxha, që ashtu si i dedikohen të gjitha fitoret tona, edhe kjo fitore që nuk ka të llogaritur e të krahasuar me të gjitha fitoret, edhe kjo e këtyre armiqve me tradhti të lartë, të kryesuar nga komandanti tyre, Mehmet Shehu.
Ky agjent, ka qenë i ndyrë që s’paska lënë hale pa futur turinjtë, me të gjithë shokët e tij, si; Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Fiqret Shehu, Llambi Ziçishti, Nesti Nase, a deri tek këta të fundit, Kadri Hazbiu e Vali Llaka e, kompani, i takojnë këtij “besniku të madh”, këtij udhëheqësi të lartë e të ndritur, që për ta mbajtur Shqipërinë gjithmonë të kuqe dhe për të mbrojtur e ndihmuar në triumfin e Marksizëm-Leninizmit, punon e vigjilon natë e ditë.
Kjo fitore e madhe, nuk është vetëm e jona, por dhe marksistëve – leninistëve në botë, ë gjithë proletariat.
Tashti qe Partia e shoku Enver na e pruri deri këtu, ashtu si për të gjithë dhe për ne, është e qartë e jemi ne gjendje ta konkludojmë se ky komplot, ashtu si mplekset më shumë agjentura të jashtme, ashtu është mpleksur dhe me grupet e armiqve të brendshëm të popullit e të Partisë, qysh nga Koci Xoxe a deri tek komandanti i tyre, agjenti i shumë agjenturave, Mahmet Shehu e deri me këta të fundit Kadri Hazbiu me shokë, e ç’mund të jenë të tjerë.
Kadri Hazbiu ka qenë përgjegjës i Sigurimit të Ushtrisë, në Ministrin a Punëve të Brendshme, kamë bindje se e ka prurë Mehmet Shehu, me ardhjen e tij. Këtë e them sa ai, megjithëse në fillim, me sa më kujtohet, ishte emëruar drejtor i një drejtorie dhe zëvendës ish Beqir Ndou, Mehmet Shehu nuk bënte asgjë pa pyetur Kadriun. Ky Kadri, që rrinte gju më gju me Koçi Xoxen, e futi në burg shumë oficer e ushtar, tash Mehmet Shehu, ky (antikoçist i tërbuar), rri gju më gju me të dhe mbas ikjes së Beqirit, e emëron zëvendës të tij në Ministri. Kështu dhe Mihallaq Ziçishtin.
Ky Kadri mendjemadh e arrogant, ndërrojë me ardhjen në Ministri e u bë i qeshur a masovik. Me sa di nga puna ime, s’bëntë gjë Mehmet Shehu, pa pyetur Kadrin dhe punën e tij e lavdëronte deri sa me ikjen e tij, mbeti Kadriu Ministër i Punëve të Brendshme dhe Mihallaq Ziçishti. Megjithëse në Mallakastër pak kam ndenjur si partizan, dy muaj, Feçor Shehun, nuk e pashë as si partizan dhe as si aktivist, emrin e tij nuk e dëgjova dhe se njoha.
Para provokacioneve të Gushtit 1949, një ditë kur kthehet nga rrethi Gjirokastrës Mehmet Shehu, në atë kohë atje ishin futur nga Greqia, disa banda. Mbasi nuk ishin aty kryetari i Degës bandave dhe zëvendësi, më thirri mua, që në atë kohë isha referent i Shqipërisë Jugut, për këtë sektor. Mua më la t’i raportojë 5 minuta, ndërsa ai më foli gati një gjysëm ore për Feçor Shehun, për kontributin që kishte dhënë ky, në zbulimin e bandës të Izet Vrazhdos, etj., për shkathtësinë e mprehtësinë e tij, me sa më kujtohet suksesi mos u gabofsha, ishte kapja e një banditi.
Ishte hera e parë që dëgjova emrin e Feçorit, që ishte në organet e Punëve të Brendshme dhe atje shef apo zëvendës, ndërsa prr kryetarin, nuk u fol asnjë fjalë, për Feçorin u çudita, se e bëri Hero, nuk vonojë ky Feçor, nga ai post, shkoj lartë e më lartë. Të gjithë çuditeshin për karakterin e tij, me gojë të vogël flisnin, por asnjë se ka shpurë fjalën lart, në veshin e Partisë.
Këtë Feçor, e njihte mirë Kadri Hazbiu, si arrogant, hakmarrës e prepotent, kryelartë e imoral, se në veçanti ishte kritikuar dhe hapur kur u godit Beqir Balluku, me sa më kujtohet, ai e mbrojti e nuk njoftonte lartë, s’ka dyshim se kishte porosi nga Mehmet Shehu dhe i la vendin që i la atij Mehmet Shehu, se i lidhte një qëllim, puna armiqësore si agjentë të imperializmit e revizionizmit rus e jugosllav, qysh në atë kohë. Po Halim Xhelua, si shkojë në Ushtri shef i Sigurimit të saj?
Një kurvar mendjemadh, arrogant e prepotent! Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu, e njihnin mirë Halimin, që ishte djalë agai dhe mbajtja a tij, për një kohë të gjatë, në drejtorin e Tiranës dhe përkëdheljet që i bënin ata, ka një qëllim, tash materialet e Partisë, fjala e shokut Enver, na bën të qartë të konkludojmë se vendosja e tij në atë kohë, atje në Drejtorin e Qarkut të Tiranës, u duhesh agjentëve të konservuar, që të ruante petët e byrekut, që mos i dilnin lakrat, Mehmet Shehut e Kadri Hazbiut. Dhe për çudi nga këtej, ky kurvar e prepotent, që mesa më kujtohet i ati i tij, si agjent në krye të një grupi, u arratis e u muar nga zbuluesit, jashtë shtetit.
Si mbahesh e lejohesh të zërë një vend të nderuar e kaq të rëndësishëm, nga Kadri Hazbiu. Kush nuk a dinte që……. e tij, Halimi e përdorte si….. e tij, pse lejohej nga do që shkonte me transferim ta merrte edhe pas, sepse vetëm nëpërmjet saj, ai do të kryente ato detyra, siç u vërtetua atëherë dhe siç del sot, që donte Mehmet Shehu, Kadri Hazbiun me shokë! Prandaj mbahesh ky armik i betuar i Partisë, ky agjent, si kuadër i mirë në Ministrin a Punëve të Brendshme, sepse i tillë armik dhe agjent ishte dhe vet Kadri Hazbiu, prandaj do kryente porosit e Mehmet Shehut dhe të Kadriut, si besnik i tyre dhe i Beqir Ballukut.
Në vitin 1954, kur isha në Degën e Punëve të Brendshme Koplik, në orën 22.00 (të natës) më njofton postblloku kufirit, se një veturë me targat e Tiranës X me që nuk ndali, kalojë me shpejtësi në drejtim të Bajzës, u qëllua nga roja. Urdhërova forcimin e kufirit, informova Qarkun dhe u nisa për në Hot. Kur u ktheva, afër të gdhirit, në Bajzë gjeta mbrapa kishës, veturën e siguruar, pa njeri.
Nga një fshatar u informova, se ishte e Gjin Markut, kishte shkuar për darkë tek shoferi i tijë, që ishte prej andej. Me pretekst se gjoja vija nga malësia. fshati Vukel, shkova e verifikova. Për gjithçka, si mbas porosis Qarkut, bëra një relacion e njoftova.
Para një viti, shkova në Gramsh, nuk më kujtohet pas apo para Konferencës Tiranës, Muke Hoxha, A.P. mik i organeve tona, më njofton: “Isha në Tiranë tek një kushëriri im, oficer që punon me Gjin Markun në Ministrin e Punëve të Brendshme, ai më ka folur shumë keq për udhëheqjen e Partisë, dukesh që të jetë i nxitur nga Gjin Marku”. Atëherë Gjini, ish zv/ministër në Ministrin e Punëve të Brendshme, për MCR e përgatitjen.
Përmbajtja e të dhënës, përputhej plotësisht me ato të armiqve në Konferencën e Tiranës. Për gjithçka njoftova Ministrinë dhe mbas disa ditësh, mbasi u njoftova, dërgova A.P. Muke Hoxhën, i cili me sa më tha vetë, mbasi ish dëgjuar, ish dërguar tek oficeri. Mbas një kohe, oficeri u transferua në Gramsh e u lirua, ndërsa Gjin Marku, ndenji në ministri dhe mbas një kohe u arrestua. Edhe për ardhjen e tij në Ministrin e Punëve të Brendshme, që njihesh mirë nga armiqtë, Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu, dyshoja të jetë marrë për qëllime armiqësore prej tyre.
Aty nga viti 1945-1946, kur isha komandant i Forcave të Ndjekjes, në zonën Krujë – Tiranë, informohem se në stallën e lopëve të Lik Toptanit, ishte parë i arratisuri, kushëriri apo vëllai i tij, Bubareq Toptani. Mbi bazën e kësaj të dhëne, u nisëm për të rrethuar e për kontrollin e shtëpisë Likës e, të familjes së Bubereqit. Ishte me forcat dhe Punëtori Operativ i zonës, Ali Kruja dhe për të kontrolluar gratë, kishin marrë Xhire Rexhën, vajzën e Bab Rexhës.
Gjatë kontrollit në shtëpi të Likës, gjetëm shumë armë antike të ekspozuara? Kur vendosëm të marrim Lik Toptanin, me nervozizëm u hodh në mbrojtje, duke kërkuar që të mos merren dhe sidomos për njërën që ishte i armikut Mehmet Shehu, me të cilin ai kur ish në shkollën e Fullsit, si shok i ngushtë i tij, rrinte në shtëpinë e Likës dhe kur delte për gjah, merrte atë armë. Lik Toptani, me sa di, më vonë është arrestuar dhe dosja e tij e përpunimit dhe hetuesisë të shihet.
Edhe këto fakte, vërtetojnë se veprimtaria e Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut me shokë, i ka rrënjët të largëta, ajo është e mpleksur me veprimtarin armiqësore të Koçi Xoxes dhe pasardhësve të tyre, me radhë. Kur u hedh një vështrim sot këtij komploti kaq të madh që kishin mundur të arrinin atje ku ishin, e të shpërndarë në vende kyçe e shumë të rëndësishme, si në Kryeministri, në Ministrin e Mbrojtjes Popullore, në Ministrin e Jashtme, në të Brendshme, në shëndetësi etj.
Mendo çdo të ndodhte, po të mos kishte qenë dorë e fort, mendja e madhe e kthjellët dhe syri i mprehtë e vigjilent i shokut Enver, ç’gjakderdhje, kasaphanë, disa herë më shumë se çlirimi, do të vriteshin, vëlla me vëlla dhe atë që do të mbetnin, çe donin jetën, si në Palestin, në skllavëri. Prandaj them me shpirt, jetë të gjatë, të rrosh sa malet tona, marsh nga jeta e jonë, e fëmijëve dhe nipërve tanë, shoku Enver, se këtë jetë kaq të lumtur dhe këto të mira, na i kini siguruar vetëm Ju shoku Enver dhe Partia që krijuat e udhëhiqni Ju me besnikëri, udhëheqësi i ynë i dashur, shoku Enver Hoxha.
Duke parë tradhtinë e lartë të këtyre armiqve, që se ka njohur historia dhe dëmin e pa llogaritshëm që kurdisnin t’i sillnin popullit, Atdheut e Partisë, jam plotësisht dakord me propozimin e shokut Qamal Ahmeti, drejtësia të mos mëshirojë, t’u japin dënimin më të rëndë, armiqve; Feçor Shehu, Firet Shehu, Kadri Hazbiu, Veli Llakës, Nesti Nases, Llambi Ziçishtit etj.
Vërejtjet që bënë shoku Enver Hoxha, për organet e Punëve të Brendshme, si punonjës i këtyre organeve, edhe sot si pensionist, më ven edhe mua përpara përgjegjësisë, qoftë për një punë të pamjaftueshme, që se kam bërë aq sa duhej, qoftë për vigjilencë, se duke qenë vartës i këtyre armiqve të tërbuar, syri im, si një punëtor Sigurimi për të pare, s’ka qenë si duhet dhe kritika ime si komunist, nuk ka qenë sa duhet. Puna armiqësore e këtyre armiqve në organet tona, për mos zbulimin e veprimtarisë elementeve antiparti e spiunëve, duke u kthjelluar mendoj:
- Në radhë të parë, si mbas mendimit tim, ka ardhur nga shkëputjen e organeve tona, me masat. Armiqtë, duke e njoftuar forcën e madhe zbuluese të popullit, që s’ka aktivitet pa dorën e tij, tmerroheshin.
Do të jap disa shembulla, nga lufta kundra bandave, ç’ka më kujtohet. Në se marrin 100 bandit të kapur ose vrarë, nuk gabojmë, 80 ishin nga dora e popullit, për Zanel Shehun, populli sinjalizojë edhe Hatem Çakon, populli e kapi edhe lojës së Frontit të Rezistencës, populli i hapi rrugët. Fliteshe për lidhjet me popullin; por duke pasur frikë dhe me qëllim që të pakësonin forcën zbuluese, të angazhonin organet e Sigurimit dhe të shpërndanin forcën e tyre zbuluese dhe të çorientoheshin, në kërkimin e veprimtarisë armiqësore.
Nuk vihet në praktik ajo që thuhej, se vetë metoda dhe praktikat burokratike të diktuara nga lart, influenconin dhe i mbyllnin rrugën këtij bashkëpunimi poshtë. P.sh., nëse kishim një sinjalizim; për vjedhje ose për një veprim armiqësor, mbi këtë bazë, viheshe në përpunim dhe po të arrestohej objekti, mbi bazën e këtyre materialeve, vihej në statistikë si rezultat i të dhënave të agjenturës, jo të dhënave të popullit.
Ky veprim duhet dënuar, se ulë rolin e masës së popullit dhe punën e vazhdueshme e, të gjithanshme të Partisë, në rritjen e vigjilencës, gatishmërisë e vendosmërisë për mbrojtjen e Atdheut. Shkëput Punëtorët Operativ, nga lidhje me masën, duke i dhënë padrejtësisht përparësi, rolit të agjenturës.
Më kujtohet një rast kur isha në Ministri, aty nga viti 1949 apo ’50-të, Komitetit Qendror, i bënin statistikat për bandat. Shtylla e të likuiduarve ndahesh më dyshë. Në njërën shënoheshin të likuiduar nga populli, në tjetrën të likuiduar me agjenturë. Një rast të likuiduarit me agjenturë, ishin shumë më të pakët nga ata të popullit, filluan lëvizjet që shikonin e të kritikonin njeri tjetrin, nuk di tashti, më duket se është hapur në të gjithë tipet e statistikave, ose në disa.
Nëse është kështu, duhet dënuar ky veprim, se vë në gjumë Punëtorin Operativ, nuk e revolucionarizon, të marrin masa në anën e tyre profesionale, në ngritjen e agjenturës, që është lënë pas dore, sidomos ajo me material komprometues. Edhe poshtë këtu tek ne, në dobësimin e lidhjeve me masat, ka influencuar puna e tyre e keqe, duke u marrë më shumë me punë zyre, jemi shkëputur nga masa, jemi bërë burokrat.
Lidhja me masat, bëhet në shumë forma e mënyra të natyrshme, po më e nevojshme, është për ne ajo direkte në mënyrë individuale dhe kolektive, nga lart – poshtë dhe anasjelltas, t’u vemi e jo të na vijnë, t’i dëgjojmë të futemi në botën e tyre, t’u japim dhe tu marrim atyre. Shumë dobësi ka në këtë drejtim. Nga drejtuesit deri tek Punëtori Operativ, jo vetëm kur shkojmë në terren që s’marrim takim as me drejtuesit, ka dhe prej tyre, që si njohim.
Kështu dhe këtu në Degë, më duket i pa drejtë vendosja e grafikut të takimit të përgjegjësve. Ne jemi organe informacioni të diktaturës. Populli tek ne, vjen për të na informuar dhe kërkuar ndihmë, përse mos e takojmë çdo ditë.
Sa herë që hyjnë e dalin përgjegjësat, jo të mbajnë kokën lart, por, t’i përshëndesin, t’i pyesin e t’i ndihmojmë. në zgjidhjen e problemeve, kështu krijohet besimi, kështu krijohen lidhjet, kjo nuk bëhet si duhet nga ta gjithë. Ka shembulla të liga në këtë drejtim. Që të besoje populli e të thotë, ç’ka sheh e dëgjon, duhet të jesh i pastër, kokë ulur, i ndershëm, punëtor dhe besnik i partisë, i popullit e Atdheut. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016