Nga Nafi Çegrani
Pjesa e parë
Memorie.al / Historia e shqiptarëve është e mbushur me figura që jetuan mes hijes dhe dritës, mes padrejtësisë dhe përpjekjes për të shpëtuar sadopak dinjitetin e një kombi të syrgjynosur në shekuj. Në këtë labirint të gjatë, ku kufijtë janë vizatuar me dhunë dhe padrejtësi nga duart e fuqive të mëdha, ka pasur njerëz që, edhe pse të heshtur, lanë gjurmë të pashlyeshme në mbrojtjen e interesit kombëtar. Një ndër këta është kolonel Sali Dani, i cili nuk ishte vetëm një oficer i zbulimit, por mbi të gjitha një shqiptar i formuar, me vizion të kthjellët dhe me zemër të ndezur për Atdhe.
Ai ishte një njeri që përballoi rrezikun me një guxim të heshtur, duke u bërë simbol i atyre që, edhe kur jetonin në botën e errët të spiunazhit, nuk harronin kurrë se mbi gjithçka duhej të qëndronte besnikëria ndaj kombit.
Në sytë e tij, thonë bashkëkohësit, kishte dritën e shqiponjës: një vështrim që depërtonte në thellësi, që parashikonte rrezikun dhe zbulonte intrigat e kundërshtarëve.
Figura e tij, si edhe e bashkudhëtarëve të tij të heshtur – Marko Laçka, Galip Sojli, Ramazan Domi e të tjerë – është dëshmi e gjallë se shqiptarët, pavarësisht plagëve të historisë, lindën dhe rritën burra të cilët dinin të ruanin sekretet, të mbronin të vërtetën dhe të shërbenin me devocion ndaj kauzës së shenjtë: Atdheut.
Labirinti i spiunazhit në Ballkan
Ballkani i shekullit XX-të, më shumë se çdo rajon tjetër i Evropës, u bë një fushë betejash të padukshme. Kufijtë e tij nuk ishin vetëm vija në harta, por plagë që nuk pushonin së gjakosuri. Pas Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët mbetën sërish të ndarë, të shpërndarë në pesë shtete ballkanike, me një shtet amë të cunguar dhe të rrethuar nga armiq të betuar.
Në këtë realitet të dhimbshëm, shërbimet sekrete të fqinjëve – UDB-ja dhe KOS-i jugosllav, Asfalia greke, shërbimet serbe, madje edhe ato të huajat, që për interesa të tyre i përdornin shqiptarët si gurë shahu – ushtronin një terror të përhershëm.
Ata rekrutonin, shantazhonin, fusnin diversantë, ngrinin procese të montuara dhe nuk ngurronin të përdornin dhunën më barbare ndaj çdo shqiptari që guxonte të ruante idealin e lirisë.
Në këtë labirint spiunësh, ku çdo hap i gabuar mund të sillte vdekjen ose burgimin e përjetshëm, u gjend kolonel Sali Dani. Ai nuk ishte një njeri i zakonshëm në këtë fushë: ishte mjeshtër i leximit të situatave, një mendje e mprehtë që kuptonte jo vetëm taktikat e kundërshtarit, por edhe psikologjinë e tyre.
Përballë një makinerie të tërë represive, ai arriti të ruante jo vetëm informacionet me vlerë për shtetin shqiptar, por edhe dinjitetin e profesionit të tij si zbulues.
UDB-ja dhe KOS-i kishin ndërtuar një rrjet të gjerë agjenturor, që shtrihej nga kufijtë e Kosovës e deri në zemër të Shqipërisë, për të provokuar, për të krijuar përçarje dhe për të thyer moralin e shqiptarëve.
Po kështu, Asfalia greke ndjekte çdo lëvizje në Çamëri, duke djegur kulla dhe duke zhdukur varre, sikur historia të mund të fshihej me zjarr. Në këtë mes, kolonelë si Sali Dani, Marko Laçka, Galip Sojli e Ramazan Domi, ishin mburoja e padukshme, që ua kthenin goditjet këtyre aparateve të errëta.
Kolonel Sali Dani – njeriu dhe profesionisti
Njerëzit e mëdhenj dallohen jo vetëm për atë që bëjnë, por për mënyrën se si mbajnë peshën e barrës së tyre. Kolonel Sali Dani ishte një personalitet që bashkonte tri shtylla të rralla në një: moralin e pastër, kulturën e gjerë dhe profesionalizmin e pakontestueshëm në fushën e zbulimit.
Në rrafshin njerëzor, ai ishte i thjeshtë dhe i afërt me të gjithë. Nuk i mungonte buzëqeshja, por ishte buzëqeshje e atij që e di peshën e përgjegjësisë. Bashkëpunëtorët e kujtojnë për qëndrimin e tij fisnik, për fjalët e pakta dhe të matur, për këshillat që gjithnjë e kishin në qendër ruajtjen e nderit dhe të Atdheut. Në një kohë kur frika dhe dyshimi ishin bërë ajri i përditshëm, ai dinte të ngjallte besim.
Në rrafshin profesional, ishte mjeshtër i leximit të “gjurmëve të padukshme”. Ai kishte aftësi të shquara për të depërtuar në mendësinë e armikut, për të kuptuar logjikën e shërbimeve të huaja dhe për të parandaluar veprimet e tyre.
Jo më kot kolegët e quanin “shqiponjë”: vështrimi i tij ishte i mprehtë, si ai që zbulon lëvizjen më të vogël në horizont, para se të ndodhë rreziku. Ai ishte një strateg që kuptonte se spiunazhi nuk ishte vetëm përplasje informacioni, por mbi të gjitha përplasje vlerash.
Nëse kundërshtari mbështetej mbi mashtrimin, frikën dhe shantazhin, Sali Dani përpiqej të ruante të vërtetën, besnikërinë dhe përgjegjësinë. Ishte i vetëdijshëm se çdo informatë e dhënë gabimisht mund të kushtonte jetë njerëzish, mund të digjte fshatra, mund të varroste ëndrra. Prandaj ishte i kujdesshëm, i përpiktë, i matur deri në detaje.
Ai nuk ishte vetëm një oficer që ekzekutonte urdhra; ishte një mendimtar që kuptonte dimensionin kombëtar të misionit të tij. Në çdo veprim shihte përtej kufirit të ditës, duke u përpjekur ta lexonte kohën si një libër të hapur.
Dhe në këtë lexim, ai e dinte mirë se fati i shqiptarëve nuk varej vetëm nga pushka apo nga vendimet e fuqive të mëdha, por edhe nga aftësia për të mbrojtur sekretin, për të ruajtur dinjitetin dhe për të mos lejuar që gjenerata e ardhshme të rritej nën hijen e mashtrimit.
Përplasja me agjenturat jugosllave
UDB-ja dhe KOS-i kishin ngritur një makineri të sofistikuar për kohën, e cila shtrihej në çdo qelizë të jetës shqiptare. Ata përpiqeshin të depërtonin jo vetëm në radhët e ushtarakëve, por edhe në jetën e përditshme, në arsim, në kulturë, në familje. Çdo njeri mund të bëhej i dyshuar, çdo bisedë mund të interpretohej si “agjitacion e propagandë”, çdo miqësi e thjeshtë mund të përmblidhej në dosje.
Në këtë realitet, përplasjet e kolonel Sali Danit me agjenturat jugosllave, nuk ishin thjesht aksione profesionale, por beteja për mbijetesë kombëtare. Ai dinte të zbulonte diversantët e futur nga kufiri, të prishte planet e tyre dhe t’i ekspozonte para opinionit. Ishte i aftë të kuptonte metodën e shantazhit që përdorte UDB-ja: rekrutimi me dhunë, me kërcënime ndaj familjeve, apo me premtime të rreme për liri e pasuri.
Në shumë raste, sipas dëshmive, ai arriti të zbulojë agjentë të infiltruar dhe të çmontonte rrjete që synonin të destabilizonin shtetin shqiptar. Ajo që e bënte të veçantë, ishte se nuk e shihte kurrë kundërshtarin si një figurë abstrakte, por si një sistem të tërë që duhej çmontuar me kujdes dhe mençuri.
Në këtë luftë të fshehtë nuk ishte vetëm. Krahas tij ecën edhe figura të tjera të respektuara, si Marko Laçka, një oficer i urtë e i guximshëm, Galip Sojli, i njohur për vendosmërinë e tij, dhe Ramazan Domi, që mbeti gjithnjë i përkushtuar ndaj kauzës.
Këta burra, secili me historinë e vet, përbënin një rreth të fortë, një mburojë që ua ktheu goditjet aparateve represive të fqinjëve. Shpeshherë, përplasja nuk ishte vetëm e jashtme. Shërbimet e huaja përpiqeshin të futeshin edhe brenda vetë strukturave shqiptare, duke nxitur dyshime e përçarje.
Dimensioni kombëtar i misionit të tij
Nëse e shohim veprimtarinë e kolonel Sali Danit, vetëm si pjesë të detyrës shtetërore, do ta ngushtonim shumë atë që në të vërtetë ai përfaqësonte. Ai nuk ishte thjesht një oficer që përmbushte urdhrat e eprorëve dhe mbante dosje në sirtarë të fshehtë.
Ai ishte, mbi të gjitha, një shqiptar me vizion kombëtar, i cili në çdo hap të jetës së tij e ndiente se misioni i tij i tejkalonte kufijtë e një detyrimi zyrtar. Shqipëria e pas Luftës së Dytë Botërore, mbeti një shtet i vogël, i rrethuar nga fqinj armiqësorë dhe nga padrejtësitë e historisë. Kosovën e kishte nën kthetrat e Beogradit, Çamërinë e kishte të përgjakur nga spastrimi etnik grek, shqiptarët e Maqedonisë ishin të shtypur nga aparati i UDB-së, ndërsa në Mal të Zi e në Preshevë vazhdonte politika e asimilimit dhe mohimit.
Përballë këtij realiteti, çdo veprim i zbuluesve shqiptarë kishte në vetvete një dimension kombëtar: mbrojtja e së vërtetës, ruajtja e dinjitetit dhe përgatitja e brezave për një të ardhme më ndryshe. Kolonel Sali Dani e kishte të qartë se spiunazhi nuk ishte thjesht luftë mes shtetesh, por një pjesë e madhe e betejës shekullore për mbijetesën e kombit shqiptar.
Çdo informacion i ruajtur, çdo agjent i dekonspiruar, çdo plan i armikut i çmontuar ishte një gur i vogël në murin e madh të mbrojtjes së kombit. Për të, kufiri nuk ishte vetëm një vijë toke; ishte një plagë që ndante shqiptarë nga shqiptarët, ishte një kujtim i hidhur i traktateve dhe marrëveshjeve të padrejta të Fuqive të Mëdha.
Në këtë kuptim, puna e tij merr një dimension tjetër: ishte pjesë e një përpjekjeje për të ruajtur gjallë shpresën e bashkimit. Ai e dinte mirë se copëtimi i trojeve nuk ishte një akt i rastësishëm, por një projekt i qëllimshëm i diplomacive evropiane, të cilat në Konferencën e Londrës (1913) i dhanë fqinjëve tokat shqiptare për të siguruar paqen e tyre të rreme.
Ato padrejtësi vijuan të mbartnin pasojat e tyre në shekullin XX, duke i lënë shqiptarët të shpërndarë në pesë shtete, me një komb të dërrmuar nga kufijtë artificialë.
Figura të tilla, si koloneli Sali Dani, Marko Laçka, Galip Sojli, Ramazan Domi dhe të tjerë që ecën krah për krah me të, ishin po ashtu të vetëdijshëm për këtë mision të madh. Ata nuk ishin vetëm oficerë të një shërbimi shtetëror; ishin bij të popullit, që bartnin në shpirt dhimbjen e ndarjes dhe që në çdo aksion të tyre kërkonin të ruanin një pjesë të asaj tërësie që i ishte mohuar kombit.
Këta burra, në mënyrën e tyre, përfaqësonin një “ushtri të padukshme”, që nuk e matnin fitoren me numrin e betejave të fituara, por me çdo hap të vogël që e ruante kombësinë, që e mbronte dinjitetin dhe që e mbante ndezur flakën e shpresës. Ata ishin një lloj “gardianësh të heshtur” të ëndrrës për bashkim kombëtar, gjë të cilën e kam përshkruar me aq pasion në librin tim Platforma strategjike e kombit shqiptar.
Padrejtësitë historike dhe përgjegjësia e fuqive të mëdha
Historia e shqiptarëve është e mbushur me plagë që nuk u shkaktuan vetëm nga fqinjët grabitqarë, por edhe nga diplomacitë e mëdha, të cilat në tavolinat e tyre të fshehta vendosnin fatin e kombeve pa pyetur asnjëherë popujt. Në këtë panoramë të padrejtësisë, kombi shqiptar u bë viktimë shekullore e kompromisit të huaj./ Memorie.al