Nga Lorina Hoxha
– TË KRIJOSH ART NË SHQIPËRINË E ENVER HOXHËS-
Memorie.al/“Realizmi socialist nuk e përshkruante jetën ashtu siç ishte, por ashtu siç duhej të ishte”. Më 1952, vetëm disa vjet pasi kishte nisur regjimi komunist në Shqipëri, diktatori Enver Hoxha, shpalli themelimin e Kinostudios “Shqipëria e Re”, studio e produksionit të filmit e cila do ta prodhonte krejt kinematografinë kombëtare, deri në fund të regjimit, më 1990. Vëmendja e hershme e Partisë Komuniste të Shqipërisë rreth rëndësisë pedagogjike të artit dhe kinemasë në prodhimin e një kulture të re nacionale, dukej qartë në punimet e brendshme të Kinostudios, ku ministrat shtetërorë dhe Komiteti Qendror kishin fjalën kryesore në përzgjedhjen e ekipeve të filmit dhe aspekteve tematike. Më 1970, pasi diplomoi në Institutin e Artit të Tiranës, Arben Basha nisi të punonte si skenograf në studio.
Muret e studios personale të Bashës në Tiranë tani janë të mbushura me piktura ekspresioniste, stil i cili nuk do t’i lejohej ta pikturonte para vitit 1990. Tash po bëhen gati 50 vjet që nga fillimi i karrierës së tij. Kur u pyet nëse ishte i vetëdijshëm se po bënte propagandë në kohën e Enver Hoxhës, Basha u përgjigj ngadalë por sinqerisht. “Po. Po, sigurisht që e dija këtë. Por ndryshe s’kishe si t’ia bëje. Duhet të punoje. Duhet të haje. Kishe familje”.
Regjim i ndryshueshëm
Në Shqipërinë e kohës së Enver Hoxhës, prodhimi artistik gjithmonë ishte i lidhur ngushtë me konfliktet e brendshme të shtetit. Isa Blumi, profesor i asociuar në Universitetin e Stokholmit dhe specialist për Shqipërinë, thotë se sa herë që regjimi i Hoxhës e ndryshonte orientimin e vet, qoftë duke ia kthyer shpinën BRSS-së apo Kinës së Maos, kishte pastrim të elitës politike ekzistuese, dhe rrjedhimisht diktatet e reja i imponoheshin jetës kulturore.
Deri në vitin 1961, pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, Hoxha ishte siguruar se Shqipëria ishte në rrugë të duhur për t’u bërë shteti më i izoluar në botë. Veprimi i tij i parë ishte ta zhvillonte fushatën ideologjike të “edukimit komunist”, nga e cila do të dilte “një person i ri me ide të reja, me virtyte të shquara dhe moral të lartë”. Më fjalimin e tij të vitit 1965, Hoxha i shpalli shkrimtarët dhe artistët si “edukues të masave”.
Arti socialist realist shqiptar, në masë të madhe si arti socialist realist në përgjithësi, doli në shërbim të ideologjisë politike, por ishte gjithashtu edhe unik si rrjedhojë e izolacionizmit më ekstrem në krahasim me pjesën tjetër të Bllokut Lindor. Socializmi realist i Shqipërisë merrej me ilustrimin e Shqipërisë si të ishte në prag të një epoke të re, dhe kishte disa ‘epoka’ të reja gjatë pushtetit 40-vjeçar të Hoxhës. Pas çdo riorientimi, ata që i kishin qëndruar besnikë gjeneratës së mëparshme të udhëheqësisë, tani konsideroheshin të rrezikshëm nga shteti.
Kur Basha nisi të punonte në Kinostudio në vitin 1970, ishte kjo gjatë kohës e cila tani mbahet mend si periudhë e ‘liberalizmit’. Kjo periudhë, në dukje më e hapur, mbaroi me fushatën e vitit 1973, çka shënoi fillimin e ndarjes Kino-Shqiptare, me të cilën shumë artistë u akuzuan si anti-konformistë dhe disa prej tyre u dënuan me burgim, internim, dhe madje edhe me ekzekutim. Derisa shumëkush e mban mend këtë kohë si fillim të një epoke të re të represionit të hatashëm shtetëror ndaj jetës kulturore, Blumi nuk pajtohet me këtë narrativë.
“Periudha e ashtuquajtur e liberalizmit nuk është e tillë fare”, shpjegon ai. “Kemi të bëjmë vetëm me një gjeneratë artistësh të cilët punuan për regjimin në atë kohë, të cilët pastaj ose u larguan, ose u detyruan që publikisht të hiqnin dorë nga e kaluara e tyre”.
“ATA ISHIN VIKTIMA TË KOHËRAVE QË PO NDRYSHONIN, E JO TË MORALIT APO TË ETIKËS PËRÇARËSE”.
Profesori Isa Blumi flet për artistët e përfshirë në “Pastrimin e liberalëve” të vitit 1973.
Blumi tërheq vërejtjen se cilësimi i gabueshëm i kësaj periudhe është tendencë e historisë revizioniste të Shqipërisë e cila vazhdon të shkruhet prej atyre të cilët mbijetuan për ta përjetuar vitin 1990, dhe vuajtën si pasojë e tranzicionit të pushtetit të vitit 1973. “Këta artistë do të pohonin, si viktima të regjimit të Hoxhës, se janë liberalë; sigurisht meqë u burgosën në vitin 1973 gjatë pastrimit, ata duhet të konsiderohen nga ne, në retrospektivë, si artistë të mirë kundër Hoxhës, të cilët me guxim e sfiduan regjimin i cili shkelte mbi ta”, thotë ai. “Kjo është marrëzi. Ata ishin konformistë dhe i ndiqnin urdhrat e partisë nga fundi i viteve 1960, dhe vetëm u gjendën në tranzicionin e pushtetit të brendshëm”.
Më shumë se të përndjekur sepse përfaqësonin ndonjë prirje disidente, Blumi thekson se shumë artistë u përndoqën thjesht për shkak se ishin protagonistë të gjeneratës së kaluar të elitave të regjimit të Hoxhës, dhe puna e tyre ishte vjetruar dhe ishte në kundërshtim me standardet e reja të regjimit. “[Ata] ishin viktima të kohërave që po ndryshonin, e jo të moralit apo të etikës përçarëse”, konsideron ai.
“Punëtori” si qytetar ideal
Figura qendrore e shoqërisë shqiptare, dhe rrjedhimisht edhe e artit socialist realist, ishte “Punëtori”, figura heroike e cila punonte natë e ditë për ta ndërtuar një Shqipëri të re. Ishte pjesërisht krijimi i kujdesshëm i “Punëtorit” si model ideal përmes së cilit regjimi e monopolizoi pushtetin e vet të dhunshëm. T’i përmbaheshe modelit të “Punëtorit” nënkuptonte ta fitoje mbrojtjen e Shtetit. Thelbi, sipas Blumit, ishte “sillu si ky punëtor, dhe edhe ti do të hash”.
Ilustrimet artistike ishin ndër mënyrat më të rëndësishme përmes së cilave u përçuan këto porosi të dhunshme. Basha, pikturat e të cilit u kritikuan disa herë nga zyrtarët e galerisë, thotë se nuk mjaftonte të paraqisje vetëm punëtorë në vepra, por “duhej të kishe kujdes edhe për mënyrën se si dukeshin këta punëtorë. A ishin muskulozë dhe të shëndetshëm? A shfaqnin ndonjë shenjë të pakënaqësisë?”
Ishte pikërisht kjo frikë paraprake për secilin detaj të pikturës ajo e cila e mjegulloi karrierën e Bashës nën regjimin e Hoxhës. Ai thotë se ishte e pamundur që një pikturë të pranohej në galeri nëse vetëm një element mund të dyshohej se ishte jo-konformist në shkeljen e rregullave stilistike.
Sa i përket asaj se çka përmbanin këto ‘rregulla’, Basha thotë se ato përfshinin nga ngjyrat e përdorura deri në kohën dhe ditën që trajtonte piktura. Ngjyrat e ndritshme përktheheshin si optimizëm për të ardhmen e kombit, dhe kështu punëtorët shpesh paraqiteshin me sfond të ditës, “nën diellin socialist”, thotë Basha me buzëqeshje, duke e cituar njërin prej kritikëve të shkuar të artit të tij. Në anën tjetër, ngjyrat e errëta ishin shkak për dyshime.
Politikat e ekspozitave
Më 1986, një pikturë e Bashës u refuzua në një ekspozitë sepse tema e tij nuk dukej mjaft ‘optimiste’ në lidhje me aftësinë e Partisë Komuniste për ta bërë Shqipërinë madhështore.
Megjithatë, vetëm disa vjet më pas, në fillim të viteve të nëntëdhjeta, kur regjimit po i vinte fundi, Basha thotë se e kishte përfunduar një pikturë e cila e shfaqte një vajzë dhe një djalë përgjatë një hekurudhe, duke dalur me gëzim jashtë tunelit drejt dritës. Ai në mënyrë implicite po e festonte ardhjen e demokracisë, por edhe në atë kohë, zyrtarët e galerisë ishin të shqetësuar me ilustrimin e tij të komunizmit si kohë e errët, dhe e refuzuan këtë pikturë. “Bëra një gabim dhe e shqeva”, thotë ai, “Kisha frikë në atë kohë. Nuk doja të përfundoja në burg, ku pashë se po përfundonin shumë njerëz”.
I frustruar, Basha për një kohë u distancua nga pikturat politike dhe u bë piktor peisazhesh. “Me peisazhe, askush nuk do të më pyeste pse e kisha pikturuar pemën të kuqe, apo pse ishte e shtrembëruar. Por nëse vazhdoja të pikturoja portrete, do të më kontrollonin për çdo detaj të mundshëm”.
Hera e parë që një pikturë e Bashës u pranua të ekspozohej në Galerinë Kombëtare ishte në një ekspozitë grupore me Edi Hilën dhe Edison Gjergjon më 1972, vit i fundit para se lidhjet e regjimit me lidershipin shkatërrues kinez nisën të shpërbëheshin. Basha thotë se përkundër vëmendjes të cilën e tërhoqi ekspozita nga galeria dhe kritikët e artit, ai frikësohej të jepte intervista në atë kohë. Duke shikuar nga kjo distancë, ai pyet vetën nëse kjo ishte ajo që e shpëtoi në atë kohë.
Nga mesi i viteve ’70, piktorët nisën të dënoheshin për anti-konformizëm. Edison Gjergo u burgos, dhe Edi Hila u internua, derisa Basha shpëtoi. “Shkova në shtëpi dhe i dogja dhjetë nga pikturat e mia”, thotë ai.
Përkundër faktit se shumë artistë e kujtojnë kohën e Hoxhës me trishtim, ka disa prej tyre të cilët do t’i mbrojnë meritat e punës së bërë në atë periudhë. Njëri prej tyre është Zef Shoshi, i famshëm për portretin e tij të Enver Hoxhës. Shoshi ende punon për çdo ditë në studion e tij të madhe në katin e fundit të ndërtesë së tij afër Sheshit Medreseja në Tiranë, një zonë në të cilën janë vendosur shumë artistë në vitet ’70.
“Çdokush thotë ‘diktatura, diktatura’, por nga ajo diktaturë dolën disa prej veprave vërtet të çmueshme. Natyrshëm, ato i shërbyen një ideologjie, por ende ka piktura të cilat janë krejt realiste, të cilat nuk mund t’i karakterizosh si socialiste”, thotë Shoshi, duke përmendur si shembull muralin në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.
Pikturat e varura në studion e Shoshit janë testament i përkushtimit të tij shumëvjeçar ndaj kësaj tradite. Duke e përshkruar veten si një artist “të formësuar nga regjimi”, shihet qartë që Shoshi rrallëherë ndjeu nevojën për t’u larguar nga ai, duke pasur parasysh se sa pak nga veprat e tij pas regjimit kanë ndryshuar sa i përket temave, rrethanave dhe stilit. Kjo, sipas Shoshit, ia bëri të vështirë të integrohej në botën e artit pas viteve 1990, dhe ai ende mundohet ta gjejë vendin e vet, dhe tani jeton nga porositë e ndryshme.
Që nga ditët e para kur e vizitonte regjionin e Zadrimës në Shqipëri në vitin 1955 dhe skicimi i fshatarëve teksa punonin, subjektet qendrore të pikturave të Shoshit kanë qenë njerëzit duke kryer aktivitetet e përditshme. “Natyrshëm”, thotë ai, “Kam pasur edhe dëshirë të bëj vepra që janë pakëz më ndryshe, por kam vazhduar t’i trajtoj veprat e mia dhe subjektet e tyre me stil realist. Derisa ne atë kohë i pikturoja njerëzit e Zadrimës duke punuar, tani i kam liruar nga puna apo i paraqes ndryshe, por ata vazhdojnë të mbesin fokusi im. Janë po këto subjekte me të cilat vazhdoj të punoj”.
“NUK JAM FARE PISHMAN QË KAM BËRË PORTRETE TË ENVER HOXHËS. ATA JANË VEPRA HISTORIKE. DO TË VIJË KOHA KUR NJERËZIT DO T’I SHIKOJNË ATA PORTRETE DHE NUK DO TË MENDOJNË MENJËHERË “E PIKTUROI DIKTATORIN” DHE T’I REFUZOJNË”
Zef Shoshi
Kur u pyet se si ndihet që njihet si piktor i regjimit, Shoshi u përgjigj: “Të gjithë piktorët në çdo shekull kanë punuar për Mbretërit e tyre. Velasquez bëri disa portrete të Mbretit Filip IV, dhe tani njihet si njëri prej piktorëve më të shquar realistë në mbarë botën”.
“Nuk jam fare pishman që kam bërë portrete të Enver Hoxhës”, vazhdon Shoshi, “ato janë vepra historike. Do të vijë koha kur njerëzit do t’i shikojnë ato portrete dhe nuk do të mendojnë menjëherë “e pikturoi diktatorin” dhe t’i refuzojnë”.
Sipas Shoshit, zhvlerësimi i artit socialist realist është faktikisht funksion i kohës. Në vend se të “çlirohen nga politika” dhe ta vlerësojnë artin si art, shumëkush vazhdon t’i konsiderojë veprat e tij, sidomos portretet e Enver Hoxhës, si asgjë tjetër pos propagandës.
Kjo është arsye e frustrimit të fundit të Shoshit, i cili pati një ekspozitë në Galerinë Kombëtare të Kosovës në prill të këtij viti, ku duhej ta shfaqte portretin e tij të Enver Hoxhës, por ai u hoq nga ekspozita në çastet e fundit. “Mediat nisën ta kritikojnë galerinë”, shpjegon Shoshi. “Duke thënë ‘ja, Zef Shoshi po e dërgon portretin e tij të Enver Hoxhës në Kosovë”. Kështu, portreti nuk u ekspozua. Këndvështrimi politik mbetet, prandaj duhet të kalojë ende kohë që njerëzit të heqin dorë nga ky qëndrim”.
Pikturimi i emancipimit të grave
Si Shoshi ashtu edhe Basha njihen për portretet e tyre të grave gjatë fushatës së Shqipërisë për “Emancipimin e Grave”, e cila bazohej në idenë se çlirimi i grave arrihej vetëm përmes përfshirjes së tyre në një klasë të re dhe të unifikuar punëtore.
Pikturat e grave duke punuar ishin një instalim i rëndësishëm i ikonografisë së asaj periudhe, duke përfshirë edhe pikturën e Shoshit nga viti 1969 të titulluar “Tornitorja”.
Kur u pyet nëse kishte ndërmend ndonjë mesazh politik kur e pikturoi këtë portret, Shoshi dukej i vetëdijshëm se piktura e tij padyshim i shërbente një politike të caktuar, por atë politikë e sheh si të ndarë nga vetë arti, për të cilin ai e pranon përgjegjësinë. “Si në rastin e artistëve të tjerë, unë punova me tema të cilat i kërkonte koha”, shpjegon ai.
Portreti i Bashës që paraqet një vajzë të re nga periudha e njëjtë, i titulluar “Do të shkruaj” u soll në Galerinë Kombëtare, por nuk u ekspozua kurrë. Derisa shumica e pikturave të asaj kohe shfaqnin vajza të reja duke punuar në fusha apo fabrika, Basha pikturoi një vajzë në bankat e shkollës, me një fletë të bardhë përpara, dhe me laps në dorë.
“Më akuzuan për hermeticizëm kur provova ta ekspozoj pikturën për herë të parë në vitet ‘70. Konsideruan se kuptimi nuk ishte i qartë, e Partia gjithmonë donte që kuptimi të ishte i qartë”, thotë Basha.
Kur u pyet për titullin, Basha u përgjigj: “Doja ta pikturoja si dëshmitare të fuqishme, si dikush që po e shikon vendin dhe po thotë: ‘A do t’i bësh mirë këtij vendi? Do të shkruaj. A do t’i bësh keq këtij vendi? Do të shkruaj”.
Megjithatë, presionin të cilin Basha e ndjeu gjatë asaj kohe për t’iu përshtatur standardeve estetike të Partisë duken qartë në sfondin e pikturës, ku një peisazh i bujshëm industrial plot me silose të drithit dhe fabrika mund të shihet i përshkuar nga një ngjyrë e artë. “Në këtë pikturë ka tema të qarta socialiste realiste. Unë isha i ri, sapo kisha përfunduar shkollën, dhe ende i besoja një pjese të kësaj ideje”, pranon Basha.
Pas trazirës së mesit të viteve ‘70 që përfundoi me burgosjen e shumë artistëve, pikturat e Bashës u zhdukën, dhe u rishfaqën në vitin 2000, kur Galeria Kombëtare në Tiranë vendosi ekspozitë permanente të pikturave të periudhës.
Kinemaja komuniste e Shqipërisë
Shumë nga kërkesat ideologjike të cilave duhej t’u përmbahej Basha në pikturat e tij ngjashëm vlenin edhe për filmat në të cilët punonte si pjesë e Kinostudios.
Filmi i parë në të cilin u përfshi Basha u titullua “Thirrja” (1976), që trajtonte rrugëtimin e një profesori intelektual i cili shkoi të punonte në një fshat, ku po ballafaqohej me mendësinë e prapambetur të fshatarëve. Aktorja e cila luajti rolin e sekretareshës së Partisë, thotë Basha, ishte Justina Alia, e cila kishe kënduar një këngë që i thurte lavde liberalizmit në Festivalin e Këngës në Tiranë në fillim të viteve ‘70, para tranzicionit të pushtetit në vitin 1973.
Më 1975, një muaj pasi nisi xhirimi i filmit, zyrtarët e Partisë e hoqën Alian me dhunë nga ky rol, sepse kënga të cilën e kishte kënduar para disa vitesh tani konsiderohej antikonformiste. Asaj më vonë iu ndalua të aktronte dhe të këndonte.
“Ky ishte Enver Hoxha”, thotë Basha me një grimasë.
Në fillim të viteve 1990, kur regjimit po i vinte fundi, më nuk kishte kufizime të njëjta sa i përket prodhimit kulturor si në dekadat e kaluara, por tranzicioni drejt demokracisë ishte i mjegulluar me paqartësi dhe film-bërësit ende kishin frikë nga përndjekja.
Filmi në të cilin po punonte Basha në atë kohë, “Vdekja e kalit” (1992), përfundoi me denoncimin e padrejtë të protagonistit nga ana e Partisë, dhe ai u dërgua në burg. “Unë i them regjisorit, a t’i fusim një episod tjetër, sikur ka ardhë demokracia? Dhe ky, mbas burgut, del“, zbulon Basha.
Skena të cilën e kishte parafytyruar Basha paraqiste protagonistin duke ecur rrugëve të Tiranës, duke shikuar protestat për demokratizim, dhe eventualisht duke u ndeshur me zyrtarin e Partisë i cili e kishte çuar në burg, i cili tani po kandidonte për demokracinë e re. “Gjithsesi, ishte skenë finale shumë e trishtë, por ajo tregonte realitetin”.
Kur Basha ia tha këtë regjisorit të ri, mori përgjigje negative. Regjisori këmbëngulte që skenari të përfundonte ashtu siç ishte, duke i thënë Bashës që ta shkruante vetë skenën nëse dëshironte të merrte përgjegjësinë për të.
“Ai kishte frikë”, tha Basha. “Por më 1992, gjërat ishin përmirësuar — nuk kishte më Komision të Partisë i cili i vlerësonte filmat. Dhe kështu, e xhiruam skenën. Dhe ende besoj se kjo është skena më e bukur e gjithë filmit”.
Kujtesa e marrë në pyetje
Definicioni i qëllimit të artit, sipas Enver Hoxhës, ishte të pasqyronte marrëdhënie shoqërore — se në art do të ndihej “pulsi i jetës dhe i betejës” së njerëzve. Derisa Basha, pikturat e të cilit kohë pas kohe merreshin me çështje politike, nuk do ta kundërshtonte domosdoshmërisht një pohim të tillë, ai pa mëdyshje konsideron se kjo nuk është ajo që bënte socializmi realist.
“Do të ishte gabim që arti i asaj periudhe të shihej si pasqyrim i asaj se si ishte Shqipëria”, thotë Basha. “Ç’është e vërteta, ajo ishte mënyra se si Shqipëria do të duhej të ishte në sytë e doktrinës totalitare të komunizmit”. Realiteti ishte shumë më ndryshe — dhe ne ishim dëshmitarë të tij, prej atyre të cilët punonim në Kinostudio. Si piktor, derisa ti mund ta kishe pikturuar fshatarin e lumtur me një kazmë në dorë, në realitet ai nuk kishte bukë për të ngrënë në shtëpi”.
Ky është realiteti të cilin, edhe disa si Shoshi, nuk mund ta mohojnë. “Po, ishim të varfër”, thotë Shoshi, “por ishim të thjeshtë. Do të vijë koha kur do të fillojnë të çmohen gjërat që ndodhën, dhe jo vetëm gjërat e këqija. Ai regjim krijoi edhe shumë gjëra të mira, dhe ne i kemi trashëguar të gjithat”.
Duke e distancuar punën e tij nga politika e asaj kohe, ritregimi i përvojave të Shoshit nuk mund ta fshehë admirimin e tij për Enver Hoxhën, që ndryshe nga rrëfimet e tmerrshme të Bashës, është ndjenjë të cilën e shfaq ai bashkë me shumë të tjerë.
Përkundër realizimit të shumë portreteve të Hoxhës, Shoshi asnjëherë nuk u urdhërua ta bënte këtë, dhe gati s’ka pasur fare kontakt me të gjatë gjithë jetës së tij. Takimi i vetëm domethënës i tij me Hoxhën, thotë ai, ishte gjatë kohës së rinisë së tij sa ishte pionier, kur e kishte vizituar vendlindjen e Hoxhës, Gjirokastrën, dhe ia kisha treguar liderit vizatimet e tij.
Përveç këtij takimi, Shoshi thotë ta ketë parë Hoxhën vetëm duke parë ekspozitat e galerisë, dhe e përmend një ekspozitë të veçantë në të cilën Hoxha kishte marrë pjesë. “Ia zgjata dorën, dhe ai më tha, ‘të qëndrosh kështu i ri’, kujton Shoshi, me sytë e përlotur.
Gati tridhjetë vjet pas përfundimit të regjimit, nostalgjia si kjo e Shoshit ende mbetet, dhe kujtimi për Hoxhën vazhdon të prodhojë efekte emocionale. Nga shumë pikëpamje, duket thuajse Shoshi dhe Basha kanë jetuar realitete paralele, të cilat ishin larg nga realiteti më i keq i asaj kohe, e megjithatë e gjithë kjo flet për një ndarje të qartë të përvojave, ndërmjet atyre që ishin ndjekës të devotshëm të ‘klasës së mirë punëtore’ të Hoxhës, dhe atyre të cilët rrezikonin të përjashtoheshin nga ajo.
Në Shqipërinë postkomuniste, ku ata që u viktimizuan nga komunizmi jetojnë bashkë me ekzekutorët e tyre, pamundësia e dialogut i cili do të mund t’i përafronte këto dy realitete të mbyllura e bën çështjen e kujtesës vështirë të trajtueshme.
“Për shumë kë, regjimi ndodhi krahas ditëve të tyre të rinisë”, thotë Basha. “Dhe kur e kujtojmë rininë tonë, kemi prirje të mendojmë për bukuritë e saj”./Memorie.al