Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e parë
Memorie.al / Ka qenë mëngjesi i 1 shtatorit të vitit 1976, kur punëtorët e ndërmarrjes së Peshkimit që mbërritën të parët në vendin e tyre të punës që ndodhej në bregun e liqenit të Shkodrës afër fshatit Shirokë, konstatuan se çuditërisht aty mungonte roja e ndërmarrjes së atij sektori, si dhe dezhurni i zyrave, gjë e cila nuk kishte ndodhur kurrë më parë?! Kjo sepse, veç të tjerash, aty ndodhej edhe moli ku ishin ankoruar të gjitha varkat e peshkimit, që të lidhura me zinxhirë e të kyçura me çelës, konsideroheshin si objekti i rëndësisë së veçantë dhe ishin nën kontrollin e ruajtjen e dyfishtë, si nga ana e ndërmarrjes së peshkimit, ashtu dhe nga posta e Kufirit që ndodhej në fshatin Zogaj, ku ishte dhe kufiri shtetëror me Malin e Zi, asokohe pjesë e Republikës Federative të Jugosllavisë së Marshallit Tito.
Edhe pse vazhdonte të binte një shi të rrëmbyer dhe me shtrëngata, që kishte filluar që nga mesnata e kaluar, peshkatarët filluan të kërkonin rojën dhe dezhurnin e ndërmarrjes së tyre, duke i thirrur ata me emër, por më kot, se askush s’përgjigjej? Por pas pak, ata shtangën në vend dhe u tmerruan, kur vetëm pak metra larg magazinës së peshkut, panë të shtrirë në tokë dhe pa shenja jete, një kufomë…! Ishte roja 60 vjeçar, Fadil Rizaj, i cili prej disa vitesh shërbente në atë detyrë. Askush nuk guxoi ta prekte me dorë, pasi ai jo vetëm se ishte i gjakosur dhe me shenja të dukshme në kokë e në trup, por duart i kishte të lidhur me litar nga prapa dhe gjithashtu edhe organet e frymëmarrjes, të lidhura me një leckë pas kokës…! Çka nënkuptonte qartë, se atë e kishin vrarë…!
Pas asaj skene tmerri, disa nga peshkatarët vrapuan për tek zyrat për të telefonuar shefat e ndërmarrjes së tyre dhe Degën e Brendshme gjithashtu, por linja telefonike ishte e këputur dhe lidhja me Shkodrën nuk mund të realizohej…! Ndërkohë nga kontrollet e tjera për të gjetur dezhurnin e ndërmarrjes, u konstatua gjithashtu, se në molon në breg të liqenit, mungonte njëra nga lundrat, (varkat e peshkimit), pikërisht ajo që njihej si; “Lundra e Shëndetësisë”, si dhe kasaforta që mbante çelësat e tyre, ishte e thyer me levë!
Ndërkaq ishte dhënë alarmi dhe aty ja bëhen disa nga efektivët dhe shefat kryesorë të Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, të cilët konstatuan menjëherë, se jo vetëm se kishin të bënin me një krim të rëndë, por edhe me një arratisje me varkë nëpërmjet liqenit, gjë e cila veç të tjerash, do e rëndonte edhe pozitën e tyre para eprorëve në ministrinë e Punëve të Brendshme në Tiranë. Ndërkaq lajmi mori dhenë dhe grupi hetimor me ekspertët përkatës filloi menjëherë nga puna, për zbulimin e krimit që kishte ndodhur dhe zbardhjen e gjithë asaj ngjarje, që disa ditë më pas do trondiste jo vetëm qytetin e rrethin e Shkodrës, por gjithashtu edhe Tivarin, Titogradin dhe Ulqinin në Malin e Zi!
Po ç’kishte ndodhur në të vërtetë, kush dhe pse e kishin vrarë rojën e Peshkimit Fadil Rizaja? Sa veta ishin arratisur dhe çfarë kishte ndodhur në mesnatën e 31 gushtit, duke u gdhirë 1 shtatori 1976, teksa binte një shi i dendur dhe me gjëmime e shtrëngata, që thuhej se nuk mbahej mënd ndonjëherë, edhe nga banorët më të moshuar të atyre anëve? Përse disa trupa të pajetë u gjetën në bregun e liqenit në pjesën jugosllave dhe një kufomë tjetër në anën tonë të kufirit, në afërsi të postës së kufirit në fshatin Zogaj? Si mundi të dilte me not në në pjesën e liqenit që i takonte kufirit të Republikës Federative të Jugosllavisë, autori kryesor i asaj arratisje, në atë natë të errët me shi, dallgë dhe furtunë?
Kush ishte Hamit Arif Myrto dhe çfarë u tha ai fillimisht banorëve të asaj zone, kur e panë në rrugicat e fshatit të tyre krejt të zhveshur, si dhe organeve kompetente jugosllave, lidhur me arsyet e arratisjes? Për çfarë e pyesnin Hamitin organet e UDB-së gjatë procesit hetimor në disa zyra të veçanta në Tivar, Titograd dhe Ulqin, ku e dërgonin duke i ndërruar shpesh vendin, “shokët” e qelisë dhe hetuesit që e merrnin në pyetje? Çfarë ju deponoi ai kur e pyesnin për bazat e repartet ushtarake, repartin e raketave e tjera instalime që ndodheshin asokohe në në rrethin e Shkodrës, si dhe traktet që ishin hedhur ato ditë në atë qytet, kundra Partisë së Punës dhe Enver Hoxhës?
Çfarë ju tha Hamiti organeve të UDB-së, lidhur me kunatin e tij, ministër në qeverinë e kryesuar nga Mehmet Shehu, e gjithashtu një nga njerëzit më të afërt të diktatorit Enver Hoxha, i cili qëndroi në atë detyrë deri në shembjen e regjimit komunist? Kush ishte “fotografi” nga Shkodra që ishte arratisur para disa vitesh në Jugosllavi dhe përse të gjithë hetuesit e pyesnin Hamitin, pikërisht për atë person? Përse autoritetet jugosllave të UDB-së vendosën dhe e kthyen Hamit Myrton në Shqipëri, duke ua dorëzuar organeve të Sigurimit të Shtetit Shqiptar, edhe pse ata ishin të bindur, se atë nuk e kishin dërguar me mision sekret?
Çfarë deponoi Hamiti gjatë procesit hetimor, si për arsyet që e kishin detyruar të ndërmerrte atë aventurë të rrezikshme e, gjithashtu të gjitha ato çka ai kishte treguar para UDB-së? Çfarë deponuan gjatë procesit hetimor familjarët e Hamitit, të afërmit, fqinjët, shokët e punës, brigadieri, drejtori i ndërmarrjes së Peshkimit, kryetari i Këshillit Popullor të Lagjes “Partizani” ku ai banonte, e të tjerë persona që u thirrëm për të dëshmuar ndaj tij, në vjeshtën e vitit 1976?
Përse gjyqi ndaj Hamit Myrtos u zhvillua në fshatin Shirokë, sa u dënua ai nga Gjykata e rrethit të Shkodrës, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë dhe përse Presidiumi Kuvendit Popullor, la në fuqi vendimet e tyre, për dënimin e tij me vdekje (me varje në litar) edhe pas asaj tragjedia të tmerrshme që i kishte ndodhur atij; ku humbi të gjithë familjen? Cilat ishin fjalët e fundit që Hamiti tha para skuadrës së pushkatimit dhe përse edhe sot e kësaj dite, nuk është gjetur ende varri i tij?!
Lidhur me këto dhe të tjera nga ajo ngjarje nga më të rëndat e tragjiket që ka përjetuar rrethi i Shkodrës në ato vite dhe Mali i Zi gjithashtu, na njohin dokumentet arkivore të dosjes voluminoze përkatëse që ka siguruar Memorie.al, të cilat po i botojmë në disa numra (me faksimilet dhe fotot përkatëse), me qëllimin e vetëm, për të zbardhur dhe për të bërë të njohur krimet monstruoze të ndodhura në atë kohë, ku shqiptarët, për t’i shpëtuar ferrit komunist, detyroheshin të ndërmerrnin aventura nga më të rrezikshmet drejt kufirit shtetëror, ashtu si personazhi kryesor i kësaj ngjarje, Hamit Arif Myrtja.
INFORMACIONI I NDËRMARRJES SË PESHKIMIT NË SHKODËR, DËRGUAR DEGËS SË PUNËVE TË BRENDSHME TË ATIJ RRETHI, PËR NGJARJEN E DATËS 1 SHTATOR 1976
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
Ndërmarrja e Peshkimit
Nr. 426 Prot. Shkodër më 1.9.1976
DEGËS SË PUNËVE TË BRENDSHME
K ë t u
Ju njoftojmë se më datën një shtator 1976, në ora 6 e 30, kur vijmë në ndërmarrje, njoftohemi nga roja Haxhi Miruku, se kur ka ardhë me marrë në dorëzim shërbimin, tha se nuk e kam gjetur në ndërmarrje, as rojën të quajtur Fadil Rizaja, dhe as nëpunësin e rojës, Hamit Arifi, gjithashtu nga inventari i lundrave, mungon një lundër e shërbimeve shëndetësore, e cila strehohej në molon tonë.
Nga verifikimi që bëmë në ndërmarrje, nuk konstatuam prishje të dyllit që vulosen dyert e zyrave, me përjashtim të thyerjes së kasafortës së çelësave që kyçin lundrat, e cila administrohet nga ana e kufirit, po kështu mungon një dyshek që shërbente për fjetje të nëpunësit të rojës, si dhe telefoni i këputur.
Sa sipër, menjëherë njoftuam Operativin e Degës së Punëve të Brendshme, gjithashtu rreth orës 10 paradreke, duke u vu në kërkim të gjetjes së rojës dhe të dezhurnit, si në tokë dhe në ujë, rezultojë se në afërsi të zyrave të administratës, rreth 30 metra, u gjet i vdekur roja Fadil Rizaja, i lidhur në organet e frymëmarrjes dhe me duart mbrapa.
D r e j t o r i
Thoma Liti
PROCES-VERBALI I KËQYRJES SË VENDIT TË NGJARJES NGA ANA E HETUESIT TË DEGËS SË BRENDSHME TË SHKODRËS, JAKE TEFIKU, EKSPERTI KRIMINALIST GJOLEK YMERI DHE MJEKU LIGJOR, DR. INJAC SIMONI
PROCES-VERBAL
I këqyrjes së vendit të ngjarjes
Sot, më datën 1 shtator 1976, Unë Jake Tefiku, hetues në Degën e Punëve të Brendshme Shkodër, duke pasur me vete ekspertin kriminalist, Gjolek Ymerin, ekspertin mjeko-ligjor Dr. Injac Simonin, me dëshmitarë të pranishëm Thoma Litin, sipas njoftimit telefonik të Ndërmarrjes së Peshkimit, se në Molo mungonte një lundër peshkimi, si dhe roja i ndërmarrjes së orëve të vona të natës, e nëpunësi i rojës së administratës së Peshkimit, konform nenit 187 të Kodit të Pr. Penale, organizova këqyrjen e vendit të ngjarjes. Vendi i ngjarjes ndodhet në territorin e ndërmarrjes së Peshkimit, e pikërisht në molo dhe në vend-roje.
Vend i ngjarjes kufizohet nga veriu me liqenin e Shkodrës, nga lindja dhe nga jugu e kantierin e guror dhe kodrat e malit të Taraboshit, në perëndim me kodrën shkëmbore e guroren e N.SH.N. Shkodër. Molo e peshkimit është e rrethuar nga tre anët me mur guri, dhe kufizohet nga veri-lindja me liqenin, nga jugu e perëndimi me xhaden asflat, Shkodër Shirokë. Në veri Molo ka dalje në hapësirën e liqenit që është e barabartë me brinjën e një muri. Sipërfaqja e Molos kap 120. metra katrorë, ku në këtë sipërfaqe janë rreshtuar afër njëra tjetrës lundrat e gjuetisë, të lidhura pas dy kavosh çeliku, e cila është e fiksuar në të dy anët e murit rrethues të Molos.
Në afërsi të kavos që është e përbërë prej çeliku, duken për secilën lundër të drynosura “Elzet” Hungarez, “Tuto” e prodhim vendit. Në pjesën lindore të Molos janë tre lundra, që janë gati të ngjitura njëra pas tjetrës, e midis dy lundrave, nga e djathta në të majtë kur hyn, duket një boshllëk ku ka qenë vendosur lundra 004 e shërbimit shëndetësor. Në afërsi të kavos prej çeliku, e pikërisht në vendin bosh për tokë, u gjetën një palë dara të ngjyrës së zezë më buzë të mprehta, në fundin e dorezave me ngjyrë të kuqe.
Në largësinë 25 m. pranë vendit të gjetjes së darave, e pikërisht në shkallët e ngjitjes dhe zbritjes në Molo, duket një çantë e zezë prej inkeliti në gjendje të re me dy doreza, e krahut të majtë e qepur me një copë andër dhe brenda në çantë ndodhen një palë pantallona burrash kadife bojë blu në gjendje përdorimi, të njomura pjesërisht, në teksat e pantallonave ndodhet një rrip ngjyrë jeshil në të zi, një çelës engles, një palë pinca izoluese, disa metra spango, një sasi tel bakri tub, një çarçaf me madhësi 2.20 x 2 m., në tre cepat e tij ka të lidhura nga një pullë me dy unaza metalike bronzi, të lidhura nga një copë tel, në tri lidhje ka tri pulla kauçuku të bardha, një pullë ushtarake metalike, dhe një kokë afere metalike.
Shkallët ku u gjet çanta, janë prej betoni, në anën e shkallëve larg 2.5 m., kalon rruga automobilistike në drejtim Shkodër-Shirokë. Në perëndim ku mungon lundra, larg 12 m., ndodhen të rreshtuara afër njëra tjetrës e të lidhura e kyçura disa lundra, (sule), ku në të tretin rresht, nga e djathta në të majtë, me fytyrë nga liqeni, duken një grumbull çelësash, dryna, në sipërfaqen e kiçit të lundrës.
Në largësi 55 m., duket një biçikletë e prodhimit kinez, 26-tëshe e mbështetur pas murit, me çilës në të, bojë ulliri, në gjendje përdorimi, me doreza, një prej tyre origjinale, kurse tjetra kauçuku në ngjyrë jeshile, origjinalja në ngjyrë gri, me goma të rregullta dhe pa shenja e karakteristika të veçanta. Në largësi 4-5 m., ndodhet godina njëkatëshe e dezhurnit të ndërmarrjes e cila është me dy ndarje. Dhoma ka gjatësi e gjerësi 2.90 x 2 m., kurse lartësi 3 m. Në faqen perëndimore ndodhet një dritare me dimension 110 me 110 m., dy kanatesh me xhama të rregullt dhe e mbyllur plotësisht. Brenda ndodhet një krevat dërrase pa asnjë mbulesë, një tavolinë pune dhe një raft të kyçur prej druri.
Në faqen e murit në perëndim, ndodhet një kasetë druri gjysëm e hapur, dykanatëshe. Në brendësinë e saj duken çelësa me numra. Kaseta në krahun e djathtë të saj, qëndron një dryn “Tutjus”, prodhim hungarez, ndërsa në krahun tjetër të kanatës, ndodhet një ganxhë prej teli në formë gozhde, nga njëra anë e dalë, ndërsa në krahun tjetër, e futur në dërrasë. Në harkun e kësaj unaze, ka dy të thelluara në dru. Në grumbullimin e çilsave që u gjendën në kiçin e (Lundrës) sules pa numër, duket dhe dallon një çilës me nr. 004 dhe në birën e fundit të çilësit, një karton po me këtë numër, i varur si vath.
Nga kërkimi i mëtejshëm i vendit të ngjarjes, në largësinë 3 m., nga godina e rojës, në anën e trotuarit me lule, duket një cipë rrjetë najloni ngjyrë rozë me gjatësi 1.80 m. Përballë derës së godinës ku qëndronte roja në lehën e luleve, ndodhet një çekiç me bisht druri të shkurtër, nga ana e parë shtypës, dhe nga ana tjetër i mprehtë, me një të çarë në mes. Në largësinë 23 m. nga zyrat e drejtorisë së ndërmarrjes e, 30 m. larg godinës së rojës, u gjet i vrarë kufoma e një personi, i cili nga identifikimi i përket FADIL RIZA BREZAJ, roje në territorin e Peshkimit.
Territori ku ndodhet i shtrirë viktima, është i mbuluar me bar të madhësisë së rritur, me pjerrësi e i mbuluar me gurë të vegjël të futur në dhe. Në drejtim të këmbëve të kufomës, në largësinë 2 m., ndodhet një hardhi e ngritur në formë të lartë, si në formë gardhi, me gjatësi rreth 5 m. Kufoma ndodhet e shtrirë për tokë, rreth 3 m. larg magazinës së brigadës së Peshkimit, e shtrirë në pozicion gjysëm djathtas, me kokë nga perëndimi e këmbë nga lindja, me duar të lidhura prapa me një copë rrjetë naylon ngjyrë rozë, lidhur dy herë me nyje dhe kaluar pesë herë në formë rrethi.
Gojën e ka të lidhur me një beze të bardhë, nga para prapa, ku mbulon organet e frymëmarrjes dhe kryesisht gojën dhe nga prapa kokës i lidhur kjo beze me nyje katër herë. Bezja ka një gjatësi 90 cm., me një qëndisje në mes në formë kryqesh, me ngjyrë rozë dhe bojë qielli, anët e saja janë të qepura me makinë, bezja është në ngjyrë të kuqe, dhe në vendet ku është e lidhur, ka disa prerje. Kufoma mban veshur xhaketë stofi me kuadrate ngjyrë gri, prodhim vendi, pantallona doku bojë hiri në gri, këpucë verore në ngjyrë kafe, çorape blu, këmishë blu, kanotiere të bardhë, si dhe mbathje të bardha beze. Viktima sytë i ka gjysëm të mbyllura. Në anën e majtë të kokës, poshtë, dhe majtas veshit të majtë, në distancën 6 cm., ka një plagë me përmasa 1.5 x 0.2 cm., me buzë dhe kënde të mprehtë, plaga është e ablike.
Nga ana e djathtë e kokës, në largësi 5.5 cm. nga veshi i djathtë, ka dy plagë paralele njëra me tjetrën, me drejtim pothuaj horizontal në distancë njëra nga tjetra, 2.5 cm., plaga e sipërme është me përmasa 3 X 0.1 cm., dhe plaga e dytë poshtë, 1.5 X 0.1 cm., perpendikular mbi plagën e dytë, ka një plagë tjetër, me buzë dhe kënde të mprehta, 1.5 X 0.1 cm., në vazhdim djathtas ka dy plagë të tjera, e para horizontale me gjatësi 2 cm., e dyta poshtë saj 0.1 cm. thikë. Në anën e majtë të kokës ka një plagë me përmasa 2 X 0.2 cm. Në shpinë sipër djathtas ka një plagë tjetër me buzë dhe kënde të mprehta 2 X 0.1 cm. Në ballë ka gërvishtje dhe nxirje. Plagët e kokës janë të thella deri në kockë dhe ka rrjedhje gjaku, nën veshin e djathtë ka një pellg të vogël gjaku.
Kufoma mban të veshur xhaketë stofi me kuadrate. Në xhepin e xhaketës, ai i jashtëm, i sipërm, ka një prerje horizontale paralel me buzën e xhepit, me një gjatësi 3 cm. Në supin e majtë, pikërisht ku përshkon qepja e xhaketës, ka një shqepje me prerje të fijeve të stofit, me gjatësi 6 cm. Në qendër në mes të shpatullave, pikërisht nën jakën e xhaketës, ka një prerje në formën e një këndi me brinjë të gjerë nga 1 cm. dhe 2 cm. secila. Kjo prerje korrespondon me pjesën e brendshme të xhaketës, përshkon këmishën dhe futet në thellësi të mishit.
Kufoma u zhvesh dhe u kontrolluan xhepat e teshave të tij. Në xhepin e pantallonave u gjetën sende personale, dy ballë fishekë prodhimit italian, gjithsej 12 copë, çelësi i armaturës së armëve, çelësi i biçikletës, dokumentet personale të viktimës, të cilat iu dorëzuan vëllait të tij, ndërsa fishekët, administratës së ndërmarrjes. Kufoma, mbasi përfunduan veprimet e këqyrjes, iu kalua për autopsi, mjekut ekspert. U morën si prova materiale, çanta me gjithë sendet e përshkruara në këtë proces-verbal, copat e rrjetës najloni që është lidhur viktima, e pjesa tjetër që u gjend afër vend-rojes, shamia e lidhur në organet e frymëmarrjes, darët dhe çekiçin.
Këqyrja filloi në orën 8 e 30 dhe mbaroj në orën 13.00, në dritë natyrale me vranësira, me terren të lagët për shkak të shiut të rënë gjatë natës. U bë fotografimi i vend-ngjarjes me hollësitë e tija.
Proces-verbali u lexua dhe u nënshkrua.
Eksperti Eksperti Hetuesi
Gjolek Ymeri Dr. Injac Simoni Jake Tefiku
Dëshmitari
Thoma Liti
KOMUNIKATAT E MINISTRISË SË BRENDSHME, PËR NGJARJEN E ARRATISJES SË HAMIT ARIF MYRTJA DHE GJETJEN E TRE KUFOMAVE NGA ANA E PALËS JUGOSLLAVE DHE NJË NGA KUFITARËT SHQIPTARË NË FSHATIN ZOGAJ TË LIQENIT SHKODRËS
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr 1
DEGA E PËRGJITHSHME Tiranë 3.9.1976
KOMUNIKATA OPERATIVE Nr. 210
DREJTORIA E KUFIRIT
Dega e Punëve të Brendshme Shkodër, njofton se më 1.9.1976 në mëngjes, në Ndërmarrjen e Peshkimit Shkodër, në afërsi të godinës, u gjet i vrarë me thikë, dhe me duar të lidhura, roja i ndërmarrjes, ndërsa nëpunësi i rojës, nuk u gjet. Gjithashtu, mungonte një barkë, të cilës i është prerë zinxhiri. U gjet e hapur, arka e çelësave të barkave, dhe depoja e materialeve. (Ngjarja është njoftuar me vonesë nga Drejtoria e Kufirit).
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr 1
DEGA E PËRGJITHSHME Tiranë 5.9.1976
KOMUNIKATA OPERATIVE Nr. 211
SHKODRA
Lidhur me njoftimin e bërë në komunikatën operative Nr.210 dt. 3.9.1976, mbi vrasjen e rojës së Ndërmarrjes së Peshkimit, dhe mungesën e një varke më 4.9.1976 ora 15.00, në P.K.K.K. Hot, pala jugosllave, dorëzoi një letër ku shkruante se më 1.9.1976 në territorin jugosllav, ka kaluar ilegalisht qytetari shqiptar Hamit Myrtja, me gjithë gruan e tij Hasien, dhe tre fëmijët nën moshën 8 vjeç. Gruaja dhe tre fëmijët, janë mbytur, pasi është përmbysur lundra në kohën e keqe. Gruaja dhe dy djemtë, 3 dhe 5 vjeç, u gjetën dhe u varrosën në fshatin Cicllak në Jugosllavi, kurse Hamiti ndiqet nga organet kompetente jugosllave. Në 4.9.1976 ora 17.30, njësiti i P.K. Zogaj gjatë kontrollit të bregut të liqenit, në rajonin e piramidës Nr.9 C, gjeti kufomën e vajzës 8 vjeçe. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016