Nga Dr. Nikoll Loka
Pjesa e njëzetepesë
“PRENGË BIBË DODA, DRITËHIJET E NJË BURRËSHTETASI”
Memorie.al / Libri më i ri “Prengë Bibë Doda, një fenomen në jetën politike shqiptare”, i studiuesit Nikollë Loka, jo vetëm zgjeron fushën e studimeve historike mbi Mirditën, Derën e Gjonmarkajve dhe figurën e Princit mirditor, Prengë Bibë Doda, por është edhe një kontribut, në historiografinë kombëtare. Lënda shumë e pasur arkivore, literatura e shfrytëzuar apo e konsultuar, gojëdhënat etj, e bëjnë këtë libër, një thesar të vërtetë studimor, duke i dhënë shkencës së historisë një monografi shkencore, që pasuron njohuritë tona mbi Mirditën, kapedanët e saj, traditën, historinë etj. Të studiosh një figurë sa të rëndësishme dhe komplekse, siç është figura e Prengë Bibë Dodës, është përgjegjësi e lartë shkencore që, jo çdokush e merr përsipër. Nikollë Loka, ka bërë një punë të madhe hulumtuese dhe trajtim prej studiuesi profesionist, duke na e dhënë portretin e Princit dhe gjeneralit mirditor, me konturet e vërteta. Dr. Loka, i është përmbajtur fund e krye hapësirës dhe kohës, në të cilën janë zhvilluar ngjarjet shumëdimensionale dhe protagonistët e tyre.
MONOGRAFIA “PRENGË BIBË DODA, NJË FENOMEN NË JETËN POLITIKE SHQIPTARE”, NJË STUDIM SHKENCOR ME VLERË QË PASURON FONDIN E STUDIMEVE TONA HISTORIKE
(Nga Mr. Sc. Murat Ajvazi, mars 2017, Zvicër)
Vijon nga numri i kaluar
Kur gjendja në jug u bë kritike, me thirrjen e Princit (që gjithnjë e më shumë po quhej Mbret, Prenga mobilizoi vullnetarë nga Veriu, për ndihmë. Por ushtritë e përgatitura për t’u dërguar në Jug, u përdorën për të mbështetur Mbretin dhe Qeverinë. Qeveria e Vidit, ishte rrethuar nga rebelët. Ushtria shqiptare ishte e dobët dhe mbështetja llogaritej në vullnetarët që do të mobilizoheshin. Thirrjes së Mbretit për mbrojtjen e vendit, iu përgjigjën Prengë Bibë Doda, Azis Pashë Vrioni, Bektash Cakrani dhe Ahmet Zogu. Meqenëse forcat e Jugut ishin angazhuar në frontin me Greqinë, për shtypjen e rebelimit, ishin kryesisht ngarkuar forcat e Veriut. Me 1 qershor të vitit 1914, Prengë Bibë Doda ishte në Lezhë dhe priste urdhrin që të nisej. Ai kishte mbledhur një forcë prej 8 mijë vetash të përbërë nga; mirditorë, shkodranë, lezhjanë e, malësorëve dhe prej Lezhe, do të marshonte drejt Durrësit. Amstrong, që shërbente pranë Mbretit, shkruan: “Nuk e mësuam kurrë se sa njerëz kishte ai në dispozicion në këtë kohë, por besoj se qeveria paguante për ca kohë, për pesë mijë, deri në shtatë mijë vetë, megjithëse, në përgjithësi, besohej se forca e mbledhur, nuk kishte arritur kurrë një shifër kaq të madhe”. (530) Edhe me datën 13 qershor, Prenga ishte akoma në Lezhë, me forcat e tij. (531)
Në lidhje me vonesën e tij në Lezhë, gazeta “Populli” shkruan: “I kje vu faj në atë kohë Prengë Bibë Dodës, për ngurrim të diftuem, për me i’u turrë anmiqëve, por ngurrimi i tij, sikur e diftoi atëherë e mbrapa, nuk ishte për hatër, veçse prej se kishte, në mni gjakun vllaznuer ndërmjet shqiptarëve, e vonesa e bame n’Lesh, nuk kje për tjetër, veç se me muitë me u marr vesh me të mirë, pa pas nevojë me derdh gjak”. Shpresat te forcat e Prengë Bibë Dodës, qenë të mëdha. Me 4 qershor të vitit 1914, Princ Vidi, i dërgoi Prengës një letër falenderimi, ku e përgëzon për zellin e treguar në këto çaste të vështira që po kalonte Atdheu dhe ishte mirënjohës, për devotshmërinë e tij ndaj Atdheut dhe kombit. (532)
Me datën 16 qershor, Princ Vidi, i kërkoi një mijë forca që, nga Shëngjini, të shkonin nëpër det në Durrës, për të përforcuar mbrojtjen. (533)
Shtërngimi i Durrësit nga forcat rrebele, e detyroi Mbretin ta urdhëronte Prengë Bibë Dodën, të marshonte drejt Durrësit. Mustafa Kruja nga Kruja, në një letër për Ahmet Zogun, në Qafë Murrizë, i shkruan: “Morëm vesh se Preng Pasha, ka sosun prej Lezhe, n’ujë t’Mates. Morali i rrebelëve asht tronditun keq, të trembun nga Preng Pasha. (534)
Me 19 qershor 1914, Gjeneral Prenga nga Shëllinza, ose Bregu i Matës, i dërgon Mustafa Krujës një letër në Krujë, ku i shkruan: “Ma sqaro punën e Krujës, me një letër që duhet t’ma sjellë Bibë Gjokë Paloka, për të vendos si me ia ba, se s’po di si me i hi kësaj pune”. (535)
Përfundimisht, Prenga mësyni drejt Ishmit, me shpresë se nuk do të kishte kundërshtime nga banorët e atjeshëm, por ndodhi e kundërta. Rebelët vendosën të qëndronin dhe kërkuan forca shtesë. Me 21 qershor 1914, Sadik Muharremi (Dume Herri), në emër të Këshillit të Krujës, i çon letër Këshillit të Shijakut, ku shkruhet: “Rebelët e Krues të tutun, i kanë çue Bibë Dodës për fjaltuer, njanin nga krent e Mates, qi gjendej n’Krue me mision. Nji ndihmë prej 300 vetësh, e kanë dërgue në Ishëm”. (536)
Forcat e Prengë Bibë Dodës, me 22 qershor hynë në Ishëm, por ndeshën në rezistencën e fortë të vendasve, të mobilizuar nga Esad Pasha. Ndërkohë, Prenga detyrohet të ndërpresë veprimet luftarake, me urdhër të Princit. Rrebelët kërkojnë mitraloza dhe mbështetje, me forca të reja. (537)
Në këtë kohë, Kurbini ishte shkëputur prej rebelëve dhe shumë katunde, kishin paraqitur bindjen e tyre ndaj Prengë Bibë Dodës. Pak fuqi u kishin mbetur rebelëve në Krujë. Malësia ishte kthyer me shtetin. Edhe shumica e katundeve të fushës, kishin dërguar nga dy përfaqësues te Prengë Pasha, për t’i shprehur bindjen. (538)
Princ Vidi, e informoi Prengën, për armëpushimin e vendosur deri të mërkurën në mëngjes dhe e kishte urdhëruar të mbante pozicionet e, të jetë i gatshëm të përgjigjet nëse sulmohet në befasi. Në fund të urdhrit mbretëror, shkruhej: “Pasi të kalojë armëpushimi, nëse nuk merrni urdhër të dytë, deri të mërkurën, ju do të keni lirinë tuaj të veprimit”. (539)
Me 23 qershor, Princ Vidi, e informoi Prengën se; “Bisedimet me kryengritësit, nuk dhanë asnjë rezultat dhe armëpushimi merr fund në orën tetë pasdite. Nërmerrni ofensivën. Unë kam besim, në devocionin tuaj ndaj Atdheut dhe meje”. (540) Sulmi i mirditasve filloi në mënyrë të çorganizuar. Marka Gjoni, nuk pranoi që forcat e tij për lehtësi veprimi, të ndaheshin në detashmente, duke i shoqëruar secilin prej tyre, me nga 10 xhandarë dhe pa marrë asnjë masë sigurimi, e sulmoi Rrashbullin.
Kryengritësit që kishin zbritur në rrëzë të Rrashbullit, i pritën mirditasit me zjarr të rreptë, duke i shpartalluar me humbje të mëdha. Qeveria kishte planifikuar t’i rrethonte rebelët dhe t’i detyronte të dorëzoheshin. Ne shoqëruam ushtrinë e Veriut, të drejtuar nga Prengë Bibë Doda, deri në mbërritjen e saj në Shëllinzë. Pas kësaj, ne nuk dëgjuam më për të si forcë sulmuese dhe ajo u tërhoq gradualisht drejt Veriut, (541)nga frika e rrethimit prej ushtrisë rebele, që vinte nga Fushë Kruja. Ndërkohë, Ahmet Zogu e kishte ndjekur situatën nga larg. Ai duke pritur në Krujë zhvillimin e sulmeve të Marka Gjonit dhe të Prengë Pashës, mbas disfatës së tyre, u tërhoq në Mat.(542)
Largimi i forcave të Prengë Bibë Dodës, e la kryeqytetin të rrethuar. Vetë Prenga, shkoi në Durrës, i kërkuar nga Mbreti, për shkak të ndikimit të madh që kishte te mirditasit, sepse nuk ishte gjithnjë e lehtë, te merreshe me ta. (543)
Pushteti i Qeverisë Shqiptare, tashmë ishte kufizuar vetëm në Durrës e në Vlorë (deri më 1 shtator kur ajo ra në duart e kryengritësve); në Shqipërinë e Mesme, shtrihej pushteti i kryengritësve, viset e jugut, ndodheshin nën shtypjen e forcave greke, krahinat e verilindjes, nën presionin e vazhdueshëm të serbëve, ndërsa Shkodra, ndodhej nën administrimin e forcave ndërkombëtare.
Në përpjekje për ta zgjidhur situatën, më 11 korrik, Mbreti ftoi në Pallatin Mbretëror 35 personalitete, mes të cilëve; Ismail Qemalin, Imzot Prend Doçin, Isa Boletinin, Prengë Bibë Dodën, Fuat Toptanin dhe Dom Nikoll Kaçorrin. Çështja më e debatuar në këtë mbledhje, ishte shtrimi i kërkesës drejtuar Fuqive të Mëdha, për ardhjen në Shqipëri të një Fuqie Ndërkombëtare Ushtarake, në mbrojtje të vendit. (544)
Me datën 20 korrik, u mblodh një organizëm i formuar në kushtet e krizës, që u quajt “Këshilli Kombëtar Shqiptar”, nën kryesimin e Mbretit, ku u shprehën opinione të ndryshme, për daljen nga situata. U bënë propozime që Shqipëria të ndahej në tri qeverime: Veriu nën Prengë Bibë Dodën, Shqipëria e Mesme nën Esad Pashën dhe Jugu nën Ismail Qemalin. Të tjerë kërkuan shpërndarjen e kabinetit ministror dhe largimin e Princit”. (545)
Konflikti me Esad Pashën
Me 10 gusht, Preng Bib Doda mori vesh se kryengritësit kishin pushtuar Lezhën. Ai i kërkon leje Princit, që të largohet me trimat e tij, për të mbrojtur vatrat e tyre. Në Pallat, kishin mbetur vetëm 350 mirditorë, 300 vullnetarë rumunë dhe rreth 600 kosovarë, të udhëhequr nga Bajram Curri dhe Isa Boletini. Me 20 gusht, trupat ndërkombëtare lanë Shkodrën, megjithatë, administrata ndërkombëtare, qëndroi nëpërmjet Këshillit të Konsujve, i cili kontrollonte administratën lokale të Shkodrës, që drejtohej nga Princi i Mirditës.
Më në fund, u nënshkrua në Kallmet paqja, midis Mirditës dhe Komitetit Qendror të Muslimanëve të Shijakut. Me 27 gusht, Konsulli francez i Shkodrës, Jean Beguin Billecocq, shkruan: “Hasan Bej Bushatlliu, një nga shefat më të rëndësishëm të Shkodrës, i shoqëruar nga disa fisnikë, është nisur dje për në Kallmet, për t’u takuar me Prengë Bibë Dodën.
Ai do të negociojë paqen në emër të kryengritësve, në mënyrë që Princi i Mirditës, të pranojë kandidaturën e Princit turk, Burhane Eddine Effendi. Pajtimi në mes myslimanëve dhe katolikëve, po inkurajohet nga austriakët, të cilët shohin se qëndrimi i Princit Vid, po bëhet gjithnjë e më i vështirë, duke preferuar tashmë kandidaturën e një princi tjetër të huaj, madje dhe mysliman, për të mos pranuar atë të Esat Pashës, i cili dyshohet nga ata si, partizan i Italisë. (546)
Edhe në atë situatë, Princ Vidi, bëri përpjekjen e fundit për ta shpëtuar Fronin. Ai iu drejtua Fuqive të Mëdha, me kërkesën për të mbajtur zotimin, që kishin marrë në Konferencën e Londrës, për garantimin e pavarësisë dhe sovranitetit të Shqipërisë e, për këtë qëllim, kërkoi formimin prej tyre të një force ndërkombëtare, prej 3 mijë vetash, për të shtypur kryengritjen. Por Fuqitë e Mëdha, duke qenë në konflikt me njëra-tjetrën, premtuan se do të ndihmonin për të shpëtuar vetëm jetën e Princit dhe të familjes së tij, por nuk kishin ndërmend të kryenin ndonjë ndërhyrje ushtarake. Në këto rrethana, kur kishte filluar Lufta e Parë Botërore, Princ Vidi, u detyrua të largohej nga Shqipëria, më 3 shtator 1914, pas 181 ditësh sundimi të pasuksesshëm.
Dy ditë pas ikjes së Vidit, rebelët hynë në Durrës dhe më 5 shtator, themeluan “Këshillin e Përgjithshëm”, të tyre nën kryesinë e Mustafa Ndroqit…! Një komision i ri turk, arriti prej Stambolli, për t’i drejtuar forcat e rebelëve në përputhje me politikën e Turqisë. Gjendja në Shqipëri ishte e vajtueshme. Në Jug, grekët digjnin e piqnin, ndërsa Malësitë e Veriut, kishin rënë në anarkinë e përhershme. Në atë gjendje kaotike, përfitoi Esad Pasha, i cili më 2 Tetor 1914, pasi e detyroi “Këshillin e Përgjithshëm”, të Rebelëvet që t’i nënshtrohet, e shpalli veten “Kryetar i Qeverisë së Përkohshme” dhe “Kumandar i Fuqivet t’Armatosura”, të Shqipërisë. Italia shpejtoi të dërgonte menjëherë në Durrës, si përfaqësues pranë Esad Pashës, Baronin Aliotti, ish-ministër i saj pranë Vidit. (547)
Në prag të fillimit të Luftës së Parë Botërore, Shqipëria u vendos në një anarki të plotë. Shkodra dhe rrethinat rreth saj, ishin nën autoritetin e një komisioni krahinor. Mirdita u kthye në gjendjen e mëparshme dhe administrohej nga Prengë Bibë Doda, Dedë Coku, u shpall qeveritar i Lezhës, krahina e Malësisë së Madhe dhe ajo e Dukagjinit, u administruan nga prijësit e tyre lokalë. (548)
Qeveria italiane u angazhua që Prengë Bibë Doda, të ishte Kryetar i Qeverisë së Shkodrës, por me kusht, (549) që të ndiqte një politikë më bashkëpunuese me njerëzit e Esadit. Prenga duhet t’i kërkonte të falur Alush Lohes, për urdhrin që kishte dhënë, për ta kthyer nga rruga me xhandarët anglezë. (550) Esad Pasha, kishte plan që ta pushtonte Shkodrën dhe ta shtrinte sundimin e tij atje, duke ia filluar me Shëngjinin, por populli, kërkonte Prengë Bibë Dodën, si sundues.(551) Malësorët e Shëngjinit, kishin dal kundër xhandarëve të Esad Pashës. (552)
Në situatën e krijuar, Esad Pasha, ishte takuar me Prengën dhe kishin arritur në marrëveshjen që; trupat e malësorëve dhe të mirditasve, të qëndronin në veri të lumit të Matit, ndërsa trupat e Esadit në jug, me kusht që Alush Lohja, të emërohej komandant i xhandarmërisë, duke qenë në marrëveshje me konsujt, sidomos me atë italian; përfaqësues të malësorëve pranë Komisionit në Shkodër, të zgjidhet një mik i përbashkët i Prengës dhe Alushit. Me këtë marrëveshje, evitohej gjakderdhja në mes të shqiptarëve. (553)
Prenga, iu bë pengesë Esad Pashës, në shtrirjen e pushtetit të tij në Lezhë dhe Shkodër. Konsulli italian në Shkodër, njofton Romën, në lidhje me konfliktin: “Përpjekja e Esadit, për të ngritur një qeveri në Shëngjin të Lezhës dhe arritja e Alush Lohes me torpedinierin tone, për këtë qëllim, ka ngjallur reaksion dhe armiqësi kundër nesh, në të gjithë kundërshtarët e Esadit, të vendosur që të qëndrojnë me çdo kusht, përfshirë dhe me armë. Bibë Doda, për të mos u mashtruar prej Esadit dhe armiqve të tjerë të tij, ishte shtyrë të marrë qëndrim të vendosur. Duke kërkuar marrëveshje me Esadin, Bibë Doda, nuk ka ndërmend të futet nën ndikimin dhe autoritetin e tij. Ndërsa në një relacion tjetër, po ky Konsull, shkruan: “Sot, Prenga më ka thënë me sinqeritet se; në qoftë se Esadi, e don paqen me mua, për hirë të vendit, duhet të merret vesh për të ruajtur status-quo-në, ai në Durrës dhe unë në Shkodër, sipas direktivës dhe udhëzimeve të qeverisë suaj. Esadi, kërkon të më japë një mësim të ithët, i ndihmuar nga Italia, kjo nuk është e mundshme. Esadi rrezikon të nxisë luftën civile, ndërsa unë rrezikoj të humbas miqësinë e Italisë. Këtë qëndrim, Prenga e kishte mbajtur dhe në takimet që kishte bërë, me Konsullin e Austro-Hungarisë”. (554)
Sipas Konsullit Italian; “përpjekjet e Esadit dhe të Bibë Dodës për të mbetur të pavarur nga njëri-tjetri, nuk do të thotë se ata kishin raporte antagoniste, prandaj është në interesin Italian, që t’i mbajmë të dy të lidhur me ne, sa më shumë që të jetë e mundur. Me Bibë Dodën, mund të lidhemi, si duke bashkëpunuar për ruajtjen e rendit, ashtu dhe duke i dhënë mjetet e nevojshme financiare, për të qeverisur, siç kemi bërë me Esadin. (555) Italianët ishin të interesuar që konflikti midis Prengës dhe Esadit, mos të ashpërsohej shumë. Ata ndikuan mbi Esadin, që mosmarrëveshjet midis tij dhe Bibë Dodës, mos të degjeneronin në konflikt të hapur. (556)
Por ishin të shqetësuar, me popullaritetin e ulët të Esad Pashës dhe me rritjen e popullaritetit të Prengë Bibë Dodës. Në udhëzimet që Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, i dërgoi Ministrit Fuqiplotë në Durrës, shkruan: “Nuk mund të kemi besim te Bibë Doda, sepse qëndrimi i tij armiqësor ndaj nesh, në situatën që po kalon vendi, prej tetë muajsh dhe veçanërisht tani, kur ai është bërë një element i mirë e moderator për të ruajtur status quo-në, do të thotë nënshtrim i Shqipërisë Perëndimore të Esadit, ndaj tij”. (557)
Zemërimi italian ndaj Prengës, u shoqërua me masa ekonomike shtrënguese. Me 23 maj 1915, qeveria italiane i ndaloi subvencionet, për shkak të qëndrimit që ai kishte mbajtur ndaj Alush Lohes. (558) Prenga Pasha, duket se doli i fituar nga konflikti. Prenga ndryshonte nga Esadi, se nuk kishte shfaqur kurrë lakmi për sovranitet dhe nuk kishte bërë deklarata se; “do të përdor të gjithë forcën dhe të gjithë ndikimin tim, në favor të Princit”, siç kishte vepruar Esadi. Prenga, nuk ishte përpjekur për të shkaktuar grindje dhe të gjithë kujdesin ia kishte kushtuar pajtimit të gjaqeve, në fisin e tij. (559) Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
- Heaton Armstrong, Gjashtë muaj Mbretëri, Kujtime, Onufri, Tiranë 200, f.110
- Xhemal Baroka, n’emën tëKshillit Krus-Kshillit të Tiranës, Leka, Nr. I vetëm, 1942,f. 210.
- AQSH, Fondi Prengë Bibë Doda, Dosja 3, f.5
- AQSH, Fondi Prengë Bibë Doda, Dosja 3, f.59
- Letrë e Mustafa Krujës dërguar Ahmet Zogut, Leka, Nr. I vetëm, 1942, 13 qershor 1914, f.211
- Letrë e Prengë Bibë Dodës drejtuar Mustafa Krujës,19 qershor 1914, Leka, Nr. I vetëm, 1942, 13 qershor 1914, f.214 536. Letër e Sadik Muharremit dërguar Këshillit të Krujës, Leka, Nr. I vetëm, 1942, 21 qershor 1914, f.214
- Leka, Nr. I vetëm, 1942, 21 qershor 1914, f.215
- Leka, Nr. I vetëm, 1942, 21 qershor 1914, f. 224
- AQSH, Fondi Prengë Bibë Doda, Dosja 3, f.7
- AQSH, Fondi Prengë Bibë Doda, Dosja 3, f.8
- Heaton Armstrong, Gjashtë muaj Mbretëri, f.148-149
- Sejfi Vllamasi, Ballafaqime politike në Shqipëri, f.70
- Heaton Armstrong, Gjashtë muaj Mbretëri, f.148-149
- Luan Rama, Opereta tragji – komike e një princi prusian në Shqipëri: dritë me dokumentat e Quai d’ Orsay – t të Francës si dhe shënime të revistës Illustration për ngjarjet që sollën dhe larguan nga Froni i Shqipërisë, monarkun prusian Vilhelm Vid (studimi i z. Luan Rama shoqërohet me një përmbledhje të shkurtër nga Ben Andoni) Korrieri. – Nr. 311, 30 dhjetor, 2004, f. 19.
- Romeo Gurakuqi, Shqipëria 1911-1914, botimet “UET Press”, Tiranë 2010, f.697
- Luan Rama, Opereta tragji – komike e një princi prusian studimi i z. Luan Rama shoqërohet me një përmbledhje të shkurtër nga Ben Andoni] Korrieri. – Nr. 311, 30 dhjetor, 2004, f. 19
- Kristaq Prifti, Dervish Hima 1872-1928, Shtëpia Botuese “8 Nëntori”, Tiranë 1987, f..252.
- Romeo Gurakuqi, Shqipëria 1911-1914, botimet “UET Press”, Tiranë 2010, f.732
- Populli, 15 qershor 1915
- Gazeta “Shkodra” 10 maj 1915
- Gazeta “Lidhja Kombëtare”, 14 qershor 1915
- Gazeta “Koha”, 29 prill 1915
- Minsitri Fuqiplotë i Italisë në Durrës, Aliotti drejtuar Ministrit të Punëve ët Jashtme të Italisë, Sonnino, T.11310/1094, Durrës 16 nëntor 1914, I documenti diplomatici italiani, quinta serie, volume II: 1914-1918 (17 octobre 1914-2 marzo 1915), p.183
- Relacion i Konsullit italian në Shkodër De Facendis drejtuar Minsitrit të Punëve të Jashtme, Sonino, T.1999/125, Shkodër 16 mars 1915, I documenti diplomatici italiani, quinta serie: 1914-1918, Volume III, 3 marzo-24 maggio 1915, p.97
- Konsulli italian në Shkodër De Facendis drejtuar Kryetarit të Këshillit të MInistrave dhe Minsitrit të Punëve të Jashtme Salandra, T.10566, Shkodër, 29 tetor 1914, I documenti diplomatici italiani, quinta serie, volume II: 1914-1918 (17 octobre 1914-2 marzo 1915), p.51
- Udhëzime të Minsitrit të Punëve të Jashtme të Italisë Sonino drejtuar Ministrit Fuqiplotë në Durrës, Aliotti, T.938, Romë, 18 mars 1915, I documenti diplomatici italiani, quinta serie, volume III,: 1914-1918 (17 octobre 1914-2 marzo 1915), p.111
- Relacion i Konsullit të Italisë në Shkodër De Facendis drejtuar Ministrit të Punëve të Jashtme Sonino,T.Condenziale 3466/222, Shkodër 21 maj 1915, I documenti diplomatici italiani, quinta serie, volume III,: 1914-1918 (17 octobre 1914-2 marzo 1915), p.585
- Udhëzime të MInistrit të Punëve të Jashtme Sonino drejtuar MInistrit Fuqiplotë të Italisë në Durrës Aliotti, T.1563, Romë 23 maj1915, I documenti diplomatici italiani, quinta serie, volume III,: 1914-1918 (17 octobre 1914-2 marzo 1915), p.600
- M AMHSH, Fondi i AMPJ të Austro-Hungarisë, Vjenë 1914, f.473-479, artikull i gazetës “Shekulli XIX”, datë 8 shkurt 1914, me titull “Mirditasit dhe princi i tyre”. Romeo Gurakuqi, Shqipëria 1911-1914, f.640
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016