Nga VELI HAKLAJ
Pjesa e tretë
Memorie.al / Veprimtaria antikomuniste në Shqipëri në vitin 1946 dhe mënyrat se si ndiqeshin nga Sigurimi i Shtetit kundërshtarët e regjimit komunist, do të jenë në qendër të dossierit që nis sot. Përmes dokumenteve arkivore, ne do të kemi një paraqitje të vërtetë të situatës pas çlirimit të vendit. Denoncimi i marrëveshjes kombëtare të Mukjes (1 – 2 gusht 1943) nga drejtuesit e Partisë Komuniste Shqiptare, nën diktimin e tutorëve jugosllavë Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha, u shoqërua me intensifikimin e veprimeve luftarake të formacioneve partizane kundër grupimeve politike dhe formacioneve ushtarake jo komuniste, me objektiv të qartë: marrjen e pushtetit dhe vendosjen e sundimit të tyre në Shqipëri. Ky ballafaqim, që gradualisht mori tiparet e një lufte civile, u bë i përgjakshëm dhe me pasoja të shumanshme në gjysmën e dytë të vitit 1944.
Veprimi antikomunist në Qarkun e Korçës
Në Qarkun e Korçës, pas goditjeve që ishin dhënë ndaj personave të implikuar me procesin e Tiranës, si Kol Rodhja, Zhanke Gorguzi etj., ishte konstatuar një rënie e aktivitetit të antikomunistëve. Terreni më i përshtatshëm për të punuar kundërshtarët e regjimit në këtë qark, kishin qenë nënprefekturat e Kolonjës dhe Leskovikut. Që prej muajit prill 1946, ishin goditur dhe zbuluar disa rrethe antikomunistësh.
Antikomunistët e Korçës
Rrethi i Liceut të Korçës
Qysh prej kohësh, në Liceun e Korçës kryenin veprimtari antikomuniste disa studentë, si; Niko Kirka, Trajan Xheka, Albert Kashiroti, Peti Bishka, Spiro Tezha, Foqi Skëndi, Koço Topçe, Ilia Emanuil, Piro Xhumertiku, Jani Nano, Ropi Karamitro dhe Tika Karamitro, të cilët lidheshin me profesorin Nikolla Dajka nga Shkodra. Këta në shkollë ishin munduar të sabotonin punën e BRASH-it dhe ndërmarrjet e ndryshme. Të gjithë elementët e sipërshënuar vinin nga rrethet antikomuniste, djem të “klasave borgjeze”, dhe disa prej tyre kishin bërë pjesë në “Rojen e Hekurt”.
Frymëzues i tyre ishte Prof. Nikolla Dajka. Ata ishin munduar të shtonin radhët e tyre me elementë të pakënaqur. Janë futur edhe në Ushtri, por në një rreth shumë të ngushtë. Prej këtij rrethi, me aktivitet ishin Niko Kirka, Peti Bishka dhe Trajan Xheka, të cilët në qershor 1946, u arrestuan. Bashkë me ta u arrestuan dhe Prof. Nikoll Dajka dhe ushtar Pjetër Zefi. Pas këtyre arrestimeve, anëtarët e rrethit që mbetën jashtë shkëputën lidhjen, por një pjesë e tyre iu bashkuan një rrethi tjetër, sikurse do të trajtohet më poshtë.
Që nga mesi i vitit 1946, elementë që propagandonin kundër regjimit komunist dhe që ishin evidentuar në aktivitet, ishin: Aleksandër Cica, Lefti Papajosifi, Kola Karamitro, Raqi Mole, Vangjo Xibi, të cilët kishin një rreth shoqëror të gjerë pas vetes, të përbërë nga: Nesti Zheke, Mikail Kosova, Lefti Kosti, Lisimak Faber, Naum Veriga, Musha Karbunara, Soto Veriga, Maqo Tezha, Foqi Skëndi, Ropi Karamitro, Tika Karamitro; katër të fundit vinin nga rrethi i Niko Qirkës.
Sipas raportit, anëtarët e këtij rrethi ishin persona që zor se mund të arrinin në një organizim, për shkak se tregoheshin të rezervuar, por këta ishin identifikuar si persona që mund të dëmtonin duke folur lart e poshtë dhe duke përhapur parulla. Ata fillimisht ishin mjaftuar me organizimin e takimeve me njëri-tjetrin dhe zhvillimin e bisedave kundër pushtetit. Të gjithë këta ishin të pakënaqur nga pushteti komunist, sepse disa kishin humbur privilegjet që kishin në regjimet e kaluara, kurse disa të tjerë ishin të prekur nga reformat e ndryshme. Këta kishin intensifikuar lëvizjet, sidomos kohët e fundit, në lidhje me zhvillimet në arenën ndërkombëtare.
Rrethi i grave antikomuniste
Në qytetin e Korçës ishin edhe këto gra që zhvillonin një aktivitet antikomunist: Varvara Ali Kuçi, Veko Hasan Xama, Fadile Hysni Qyteza, Pavlina Gani Peqini, Nurfo Sami Koprencka, Medo Fiço Banga, bashkëshortet e Kol Rodhës dhe Riza Shtyllës, vajzat e Bexhet Uranit e Reshat Spahiut dhe e motra e Abedin Belit. Që të gjitha ishin nga familjet e goditura nga regjimi komunist. Këto kishin lidhje me njëra-tjetrën dhe flisnin mjaft kundër pushtetit. Prej këtyre, më aktive ishin identifikuar: Varvara Ali Kuçi, Medo Fiço Banga dhe bashkëshortja e Riza Shtyllës. Ky rreth lidhej me rrethin e Aleksandër Cicos, me anën e Varvara Ali Kuçit.
Rrethi i Social-demokratëve
Rrethi i Social-demokratëve drejtohej nga Dr. Lito; ata përhapnin parulla të ndryshme dhe propagandonin fort kundër regjimit komunist. Ky rreth përbëhej nga Dr. Lito, Dr. Shaban Pëllumbi, dentisti Zia Starova, agronomi Spiro Konomi, veterineri Noçka dhe tekniku i Arsimit, Emin Çomo, – të gjithë intelektualë. Sipas raportit, këta nuk kishin diçka të organizuar, por vetëm dyshohej se mos lidhen me rrethin e Myzafer Pipës në Shkodër, pasi pak kohë përpara, Drita Kosturi kishte qenë në Korçë dhe gati gjithë kohën e qëndrimit aty, ajo kishte qëndruar me Dr. Liton dhe rrethin e tij. Këtij rrethi, kohët e fundit i ishin shtuar dhe këta persona: Prof. Preng Kaçinari, Prof. Seit Duro, Dr. Thoma Plasa dhe studenti i Medicinës, Sulo Mborja. Ky rreth mbante lidhje me rrethin e Aleksandër Cicos, me anën e Lefti Papajosifit.
Rrethi i Nacionalistëve
Ky rreth ishte mjaft i vjetër dhe përbëhej nga: Qazim Frashëri, Mehmet Baba, Qani Sulejmani, Faik Baba, Bexhet Frashëri, Surja Mborja, Xhevdet Muftiu, Ibrahim Mborja, Xhelal Shtylla, Seit Vila, Fadil Gari dhe Seit Maliqi. Këta ishin të gjithë elementë që rridhnin nga shtresa të pasura. Nuk tregonin ndonjë aktivitet të dukshëm, për arsye se ishin mjaft të tronditur nga arrestimi i Petraq Katros dhe Marko Katros, arrestime që iu shtuan arrestimit të Kol Rodhës. Anëtarët e këtij rrethi kishin shpresë në ndryshimin e situatës vetëm nga një ndërhyrje e huaj dhe kështu ishin në pritje gjithmonë, pa bërë vetë ndonjë lëvizje.
Rrethi i Vorio-Epirotëve
Rrethi më i gjerë në këtë qark ishte ai i Vorio-Epirotëve. Pas goditjes së bërë kundër tyre në vitin 1945, nuk rezultonte që të kishin diçka të organizuar. Veprimtaria e tyre konsistonte në takime me njëri-tjetrin nëpër kafene dhe në përhapje parullash kundër regjimit komunist. Gjatë muajit qershor 1946, kishin shfaqur aktivitet Llambi N. dhe Gaqo S.. Ky i fundit kishte pasur takime edhe me përfaqësues të UNRA-s dhe kishte bërë mjaft lëvizje Korçë – Tiranë. Persona që përbënin këtë rreth ishin: Pando B., Llambi N., Kostaq P., Perikli Z., Taqi B., Kristaq K., Spiro M., Lipi Z., Dhori P., Manol S., Aqile F., Vasillaq C., Ndoni M., Gaqi S., Jorgji B. dhe Jani A.
Këtij rrethi i bashkoheshin dhe tregtarët e mëdhenj dhe të prekur nga tatim-fitimet. Elementët e këtij rrethi nuk ishin dukur shumë në aktivitet, sepse e dinin që njihen si elementë të tillë dhe për këtë ruheshin mjaft. Megjithatë, këta ishin evidentuar nga strukturat e Sigurimit të Shtetit si burimi i të gjitha parullave të dala në lidhje me çështjen e Vorio-Epirit. Nga personat e treguar më aktivë gjatë vitit 1946, ishin arrestuar: Arqile F., Pando M. dhe Vasil K..
Arrestime të tjera në Korçë
Në lidhje me zhvillimin e fundit të situatës dhe si shpërndarës të një sërë parullash, ishin arrestuar në mesin e vitit 1946 në Korçë, edhe Aleksandër Cico, Kola Karamitro, Vangjo Xhibi, Foqo Skëndi, Panajot Cico, Goni Treska, Raqi Gjëmbi dhe Lefti Papajosifi. Në kohën kur përpilohej raporti, proceset e tyre ishin në vazhdim. Në përfundim të raportit për pjesën e Korçës, konkludohej se në këtë qark nuk konstatohej diçka e organizuar, por vetëm paraqitje rrethesh të ndryshme.
Nënprefektura e Leskovikut
Nga arrestimet e bëra në qarkun e Gjirokastrës dhe nga deponimet e personave të proceduar, kishte rezultuar se në Nënprefekturën e Leskovikut vepronte një komitet Vorio- Epirot, i cili kishte lidhje me Sillogun e Janinës. Komiteti ishte ngritur nga Thanas V., sipas udhëzimeve që kishte marrë nga agjenti i Sillogut të Janinës, Kristaq Z.. Komiteti përbëhej nga Thanas V., kryetar, i emëruar me dekret të Sillogut, Nikollaq K., Andon T., Llazi K. dhe Mihal C., anëtarë. Korierë të këtij komiteti, kanë qenë Loni V. dhe Sotir H., ndërkohë ishin arrestuar Thanas V., Andon T., Loni B., Sotir H. dhe Kolaq K.
Më vonë, në maj 1946, u zbulua edhe një grup tjetër antikomunist, i cili udhëhiqej prej Kadri Vrionit. Këta kishin formuar një komitet me emrin “Bashkimi Shqiptar”. Përgjegjës i këtij komiteti ishte Kadri Vrioni dhe anëtarë Fuat Maska Glina, Bido Muharrem Rusi dhe Reis Asllani. Këta kishin pas vetes edhe një sërë personash të tjerë, si: Aliko Murat Lefteri, Thepni Dervish Hajdari, Sami Radani, Dervish Perati etj. Ky komitet kishte pasur lidhje me antikomunistët me origjinë greke, me anë të Alike M. dhe me Korçën me anë të Thenai D., i cili lidhej me avokat Aqif L..
Këta kishin shtruar si nevojë zgjerimin e organizatës me elementë të prekur nga pushteti, kishin mbledhur ndihma nga anëtarët e organizatës dhe këto ia kishin dërguar Aqif L., në Korçë. Këta kishin pasur edhe vulën të shkruar “Organizata Bashkimi Shqiptar”, Dega e Leskovikut. Prej këtyre ishin arrestuar anëtarët e komitetit, kurse anëtarët e tjerë u këshilluan me anë të njerëzve të Frontit.
Veprimi antikomunist në Nënprefekturën e Kolonjës
Edhe në Nënprefekturën e Kolonjës u zbulua një grup kundërshtarësh të regjimit komunist në prill 1946, që e kishin filluar aktivitetin që nga janari i 1946-ës. Ky grup u zbulua me arrestimin e disa personave që ishin strehues të të arratisurve. Nga deponimet e tyre ishte dokumentuar veprimtaria e një komiteti me emrin “Komiteti Krahinor i Bashkimit Shqiptar”, i cili përbëhej nga; Zalo Selenica, Baba Muharrem Krushova, Zenel Gostivishti, Tefik Selenica, Xhelal Xhezo dhe Isa Drishti, të gjithë elementë me një të shkuar nacionaliste dhe eksponentë të Ballit Kombëtar.
Këta kishin bërë disa mbledhje, në të cilat kishin shtruar nevojat e zgjerimit të radhëve dhe për përforcimin e grupeve të armatosura. Ata kishin ngritur një nën komitet në sektorin e Shën-Mërtirit, me kryetar Muharrem Feim Bozhanin, komandant Hajdar Gazi Orgockën dhe sekretar Ystref Nazi Lenckën. Ndërkohë kishin krijuar lidhje me të arratisurit kolonjarë në Greqi dhe me antikomunistët me origjinë greke. Kishin furnizuar grupin e të arratisurve të Ditar Kurtesit me shokë, i cili do t’u shërbente si pikënisje e arritjes së një force të armatosur kundër regjimit komunist në Shqipëri. Parullat e tyre kishin bërë që, antikomunistë të Kolonjës që kishin qenë të lidhur me Ballin, ta ndjenin veten në pasiguri dhe, për rrjedhojë, kishte pasur mjaft arratisje.
Komiteti i Kolonjës mbante lidhje me Korçën me avokat Ali Selenicën dhe Fuat Kostrecin. Këta dyshoheshin se ishin anëtarë të Komitetit Qarkor, mirëpo nga deponimet e tyre nuk kishin dalë prova implikuese në këtë drejtim. Nga antikomunistët e implikuar në këtë komitet, u arrestuan: Baba Muharremi, Zalo Selenica, Tefik Selenica, Xhelal Xhezo, Zenel Gostivishti, Riza Krushnova, Isa Drishti, Avokat Ali Selenica, Fuat Kostreci, Rafail Prodani, Ali Qyteza, Gazi Orgocka, Muharrem Roshanji, Qerim Alushi, Safet Sako, Nadire Selenica, Medi Nexhmiu, Avni Alishau, Sali Riza Psari, Ali Shaqiri, Muhamet Agolli, Fejzullah Muharremi, Qerim Alushi, Skënder Koçi, Mehmet Bido dhe Refat Ibrahimi.
Në muajin maj 1946, u zbulua dhe një grup të cilët po përgatiteshin për t’u arratisur në Greqi. Frymëzuesit e këtij grupi ishin Nuri Hudënshti dhe Islam Zervaska, që të dy zogistë. Këta, qysh në verën e vitit 1945, kur regjimenti II (ish-Brigada II e Divizionit II) ndodhej në katundin Zervavaskë të Pogradecit, përgatitën një grup për t’u arratisur, por nga masat që u morën në atë kohë, u ndaluan. Këta nuk e ndërprenë veprimtarinë e tyre, por në mënyrë shumë konspirative vazhduan punën dhe, kur regjimenti II erdhi në Korçë, personat antikomunistë ranë në lidhje me avokatin Ali Selenica dhe Sami Koprenckën, me anë të Ferit Goblarës, i cili lidhej me rreshterin Bashkim Koleci. Ata kishin përgatitur një memorandum që do t’ua dorëzonin anglezëve në Greqi, të cilin e shkroi Ervehe Panariti. Atë ditë që do të arratiseshin, kishin bërë plan që të vrisnin komandantin e Divizionit.
Disa ditë para se të arratiseshin, u diktuan, dhe në lidhje me këtë veprim u arrestuan 37 vetë, prej të cilëve ishin këta civilë: Sami Koprencka, Ferit Goblara, Ervehe Panariti, Xhelal Tabaku, Muntas Cenko, Emnor Koleci, Nuri Hudënishti, Islam Zervaska, Sulo Sako, Servet Jahja, Riza Bejko, Tomor Koleci dhe këta ushtarakë: Nëntoger Qamil Agaj; rreshterët Murat Braholli, Bashkim Koleci, Banush Laho, Sokol Malo, Goxho Dervishi; kapterat Resim Hajdani, Zarif Danglli; nëntoger Islam Xhemali; ushtarët Bexhet Ajazi, Bexhet Voci, Eqrem Kallajxhiu, Bexhet Çerçizi, Skënder Ali Floqi, Zeqir Bahtjari, Mark Dedaj, Zylyftar Mukja, Ali Musa Braha, Abedin Nurka, Nevrus Kulla, Hasan Dedaj, Tosun Zeneli, Ded Çallaku dhe Kalem Derzho. Prej këtyre u liruan tre të fundit.
Një kohë, në sektorin e Dardhës dolën në skenë Kristo Shkrapi dhe Andon Dimoshi. Këta kishin përhapur parulla të ndryshme në lidhje me pretendimet greke dhe dyshohej se mos ishin agjentë të Greqisë. Të dy u arrestuan, por nga deponimet e tyre nuk doli një gjë e tillë. Këta iu referuan gjyqit si kontrabandistë. Në Nënprefekturën e Kolonjës, nga mosditja e organeve të Sigurimit të Shtetit për demaskimin e personave antikomunistë, ishin arratisur Haxhi Shabani, Nevrus Shabani dhe Safedin Haxhiu.
Veprimi antikomunist në Nënprefekturën e Pogradecit
Në Pogradec, pas arrestimit të Enver Hados dhe Llambi Bashos, rrethi i tyre nuk kishte më aktivitet. Anëtarë të këtij rrethi, që dukej se vazhdonin veprimtarinë dhe që flisnin kundër pushtetit, ishin: kapiteni I-rë, Hysen Shehu dhe gjykatësi Sandër Kraja. Këta, duke qenë persona që nuk pajtoheshin me regjimin komunist, propagandonin vazhdimisht kundër pushtetit. Në Nënprefekturën e Pogradecit, ata që tregonin një aktivitet antikomunist, ishin: Zenel Qerimi, Qamil Nevruzi, Reshta Selenica, Hasan Qerimi, Myske Leshica, Vasil Bicka dhe Skënder Starova.
Ky rreth ishte dukur në lëvizje, sidomos pas zhvillimeve të fundit në arenën ndërkombëtare. Përveç këtij rrethi, në Pogradec vepronte edhe rrethi i Tasi Shkurtit i përbërë nga Tomor Starova, Lamçe Gjata, Kozma Gjata, Virgjir Ballamaçi e disa të tjerë, të cilët dhe këta kishin shtuar aktivitetin në mesin e vitit 1946. Këtij rrethi i ishin shtuar edhe anëtarët e rrethit të Enver Hados (Hysen Shehu dhe Sandër Kraja). Prej këtyre, për veprimtarinë antikomuniste të treguar, ishin arrestuar: Zenel Qerimi, Tasi Shkurti dhe Vasil Joka.
Veprimi antikomunist në Nënprefekturën e Bilishtit
Edhe grupi i Spiro Konomit, që ishte në Bilisht, e kishte ndërprerë veprimtarinë antikomuniste. Spiroja u transferua në Korçë, kurse gjykatësi Sali Qafmolla u pushua nga puna dhe shkoi në Elbasan. Ndërkohë, Spiro Konomi kishte filluar të aktivizohej me rrethin e Dr. Litos në Korçë. Në Nënprefekturën e Bilishtit, gjatë muajit qershor 1946, kishte të dhëna se disa persona që vinin nga radhët e Ballit Kombëtar kishin gjallëruar veprimtarinë antikomuniste.
Këta ishin: Selman Gjyli, Zini Kapshtica, Maliq Aliu, Maliq Kasemi, Kamber Idris Tresteniku, Murat Idris Tresteniku, Enver Seit Rakicka, Muhamet Rakicka, Ibrahim Bedo Progri, Nexhmi Kurilla, Pali Pallamari, Miço Toka dhe Gaqi Treni. Sipas informatave që dispononin organet e Sigurimit të Shtetit, ky rreth përbëhej nga persona të fshatrave të ndryshme dhe takoheshin vetëm rastësisht me njëri-tjetrin dhe nuk kishin asgjë të organizuar.
Ky rreth konsiderohej si grup me persona të ndryshëm, që shpërndanin parulla dhe flisnin keq për regjimin komunist. Në Nënprefekturën e Bilishtit, strukturat e Sigurimit kishin pasur dyshim se agjentura greke do të kishte baza, dhe kështu kohët e fundit kishin arrestuar: Ibrahim A., Hasan B., Adil I., Sali A., Jorgji K., Kiço S. dhe Haxhi R. Por nga hetimet e bëra, të gjithë personat e arrestuar, kishin bërë kontrabandë dhe nuk rezultonin fakte për implikim në veprimtari agjenturore në favor të Greqisë. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm













