Nga Sejfi Vllamasi
Pjesa e gjashtë
Memorie.al / Nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, mbërrijnë delegatët e popullit dhe një shumicë patriotësh, prej brenda e jashtë Shqipërisë dhe, më 28 nëntor të vitit 1912, në mes të një entuziazmi të madh, pas 450 vjet robërie, u ngrit flamuri kombëtar dhe u shpall pavarësia e Shqipërisë. U formua një qeveri nën kryesinë e Ismail Qemalit, në të cilën merrte pjesë edhe Preng Bibdod Pasha, si nën-kryeministër dhe Esat pashë Toptani si ministër i Brendshëm. Kur Ismail Qemali mbërrin në Vlorë, Seit Qemali, Murat Tërbaçi, Alem Mehmeti dhe shumë patriotë të tjerë, si rezervistë, luftonin kundër ushtrisë greke në Llogara. Këta, me t’u informuar mbi qëllimin e ardhjes në Vlorë të Plakut, e ngritën flamurin kombëtar në ballë të luftës, para se të ngrehej në Vlorë.
Turqia hyri në luftë përkrah me Fuqitë Qendrore më 3 nëntor 1914 dhe me atë rast, i shpalli luftë edhe Esatit e si tradhtar, gjyqi ushtarak otoman e dënon me vdekje. Me këtë rast, si turkofilët, ashtu edhe xhonturqit, u kthyen kundër Esatit, por ky për të thyer rezistencën e tyre, arrestoi shumë vetë, midis të cilëve Musa Qazimin dhe Haxhi Qamil Fezën. Por duke parë se këto arrestime, nuk patën përfundimin e dëshiruar prej tij, ai i liroi, duke kërkuar kësaj radhe bashkëpunimin e tyre. Musa Qazimi e ka dashur këtë bashkëpunim, por nuk ka guxuar ta shfaqë.
Edhe xhonturqit u kthyen kundër Esatit dhe e shpërndanë Komisionin e Haxhi Aliut që kishte shkuar në Stamboll, për të kërkuar Burhanedhimin si Mbret të Shqipërisë. Esati mbështetej në disa bejlerë e në fuqitë dibrane dhe nga ana tjetër, në miqtë e tij të jashtëm; grekë, serbë, malazez, Itali dhe Francë.
Haxhi Qamili, më 23 nëntor 1914, dogji Kullën e Esat Pashës në çifligun e tij në Laprakë, si edhe shtëpitë e tij në Tiranë. Sulmoi pastaj Tiranën, përzuri fuqitë mercenare të Esatit nën komandën e Xhelal Zogut e të Dine Hoxhës. Në Tiranë Haxhi Qamili dogji gjithashtu shtëpitë e bejlerëve e të agallarëve, si të Murat, Refik e Fuat Toptanit, Isuf Elezit, e të tjerë, shumica e të cilëve kanë qenë patriotë.
Si krerët turkofilë ashtu edhe xhonturqit, u bashkuan me Haxhi Qamilin dhe më 6 nëntor 1914, vendosën për ta luftuar Esatin. Esati u rrethua në Durrës dhe të gjitha viset që ndodheshin nën juridiksionin e tij, hynë automatikisht nën sundimin e Ehli Kijamit. Në prill 1915, Durrësi sulmohej e bombardohej rreptë dhe e dendur, por edhe mbrojtja ka qenë e fortë.
Për t’i shpëtuar rrethimit dhe për të hapur rrugën me Shqipërinë e Mesme e me Dibër, Esati me anë të Selanikut e të Jugosllavisë, dërgoi Faik Kodrën në Dibër, për të rekrutuar një fuqi, që të vinte në Krujë dhe bashkë me fuqitë krutane, të çlirojë Tiranën e viset e tjera të Shqipërisë së Mesme.
Në Dibër si prefekt, ndodhej Ceno Golja, i cili pregatiti një fuqi prej 2.000 vetash dhe i nisi për Krujë, ku u bashku me fuqitë krutane. Udhëheqësit e fuqive krutane, kanë qenë: Sul Haka, Abaz Kupi dhe Hysen Kuqi. Në një mbledhje midis dy fuqive, u vendos që të thërrasin Esatin, që të vijë e të marrë pjesë në luftë personalisht.
Më 24.12.1914, ai zbret në Sheldinzë dhe më 26 dhjetor, shtabin e tij e vendosi në Tapizë, kurse pjesën më të madhe të fuqisë, e vendosi në Zezë. Përballë fuqisë së Esatit, ana tjetër, nën komandën e Haxhi Qamilit dhe të Man Picarit, dërgon një fuqi prej 2000 vetash, fshatarë dhe qytetarë të Tiranës, e cila sulmoi fuqinë e Esatit në fshatin Zezë të Krujës dhe në luftimet që u bënë, më 29 e 30 dhjetor, atë e shpartalluan.
Esati e mblodhi fuqinë e tij në Teqen e Krujës. Këtu në fjalimin që u mbajti krerëve, u premtoi se do të shkonte në Durrës që t’u sillte ushqime dhe materiale lufte dhe i shpërndau. Dibranët u kthyen në Dibër, por në Qafë të Shtamës, me qëllim plaçkitjeje, u sulmuan prej krutanëve, ku u vranë 30 dibranë. Esati prej Shëllinze, me një barkë të Maliq Gjylit, me 200 dibranë, u kthye në Durrës.
Aleatët e jashtëm të Esatit, për të bërë presione në favor të tij dhe për të detyruar rebelët të mbanin forca të mëdha ndër kufijtë e ndryshëm, vepruan në mënyrë të tillë që italianët nga ana e Vjosës, grekët me bandat epirote nga ana e Beratit dhe serbët nga ana e Pogradecit, të bënin sulme të vazhdueshme.
Me hyrjen e Turqisë në luftë kundër Antantës, xhonturqit e ndryshuan politikën e vjetër dhe filluan të ndjekin një politikë pro-austriake. Ata dërguan komisione të ndryshme në Shqipëri, për të këshilluar kryengritësit që të kërkonin një Shqipëri më vete, bile të njihnin edhe Vidin si mbret. Komisioni i parë u dërgua me ish-kolonel Hajredin Pustinën e, Hajri bej Jegenin, i dyti nën kryesinë e Fuat pashë Prishtinës dhe i treti prej Shefqet Pejës. Kjo politikë e xhonturqve, pati më tepër efekte të kundërta mbi kryengritësit.
Haxhi Qamili, komandant i dalluar dhe me një influencë të madhe në fshatarësinë, bashkë me shokët e tij vendosën të ndjekin një politikë jo vetëm kundër Esatit, por edhe kundër gjithë klasës së bejlerëve, si dhe kundër Austrisë e xhonturqve. Pra kjo ishte periudha e dytë e kryengritjes.
Haxhi Qamili në prill të 1915-ës, bëhet komandanti i përgjithshëm. Ky ka qenë një fshatar i thjeshtë, trim dhe kundër shtypësve e grabitësve, por fanatik e injorant kundër pavarësisë së Shqipërisë dhe për bashkimin e Shqipërisë me Turqinë. Ai ka qenë kundër patriotëve, me një fjalë një fanatik i çmendur.
Musa Qazimi e Haxhi Qamili, i pari kryetar i Këshillit të Përgjithshëm dhe, i dyti, komandant i përgjithshëm, kanë qenë në antagonizëm me njëri-tjetrin, për arsye se i pari ka qenë oportunist dhe mbrojtës i interesave të pjesës konservative; ndërsa i dyti, mbrojtës i vendosur i vegjëlisë, i interesave të tyre dhe ithtar i akteve radikale.
Serbia, e mundur në luftë, në bazë të marrëveshjes që kishte bërë më parë, kërkon rrugë kalimi nga Esati, nëpër Shqipëri të Mesme. Fshehurazi vjen në Durrës koloneli serb, Milutin Mishkoviq, bashkë me Ceno Golen, Qamil Biçakun dhe Kadri bej Peqinin. Me pjesëmarrjen e konsullit serb, midis këtyre dhe Esatit, u ribisedua dhe u përforcua marrëveshja e parë, për t’i dhënë rrugë ushtrisë serbe.
Ushtria serbe, për të siguruar kalimin e saj, më 20 qershor 1915, sulmoi nga Struga dhe Dibra. Disa divizione të armikut kaluan nëpër krahinë të Gollobordës, për në Shqipëri të Mesme. Pjesa tjetër e ushtrisë serbe, që vinte prej Kosove, kërkonte rrugë nëpër luginën e Dibrës, por Elez Isufi nuk u dha rrugë dhe u detyruan të kthehen. Megjithatë, një divizion tenton të kalojë me forcë dhe kështu fillon një luftë e përgjakshme në Grykën e Veleshicës – Kallë –Vleshë e Qafë e Trojakut. I gjithë divizioni prej 12.000 vetash u shfaros krejtësisht, mbasi Elezi kishte dhënë urdhër të mos merret asnjë rob.
Mbi 2000 e ca të plagosur, që u gjetën në vendin e luftimit, u grumbulluan në kazermat e Qafës Trojakut, mbasi mungonin mjetet e shërimit dhe furnizimet ushqimore nuk mund të vinin nga asnjë anë, duke qenë se ishte dimër i madh, Elezi dha urdhër për zhdukjen e tyre në masë. I varrosën në gropa të përbashkëta. Megjithëkëtë, për një pjesë të madhe të robërve, fshehurazi Elezit, u tregua mëshirë dhe u përcollën në Peshkopi, të paprekur. (Fjalët tekstualisht të Elezit; “Vritni serpat se bëjnë serpa të vegjël e, na vinë prap në vendin tonë”).
Për hakmarrje, komanda serbe në qytetin e Dibrës së Madhe, në atë mbrëmje kapi dhe arrestoi kë gjeti pazarit, njerëz të pafajshëm, 1000 e ca veta, i dërgoi në kazerma dhe i theri natën të gjithë. Në mëngjes, ushtria iku e la qytetin. Emrat e të masakruarve, do të botohen në historinë lokale të Dibrës.
Haxhi Qamili erdhi në kufi për t’i dalë përpara ushtrisë serbe që vinte nga Struga. I ndihmuar nga fshatarët e Quksit e të Pogradecit, ai u përlesh në Qukës me serbët. Mbas një luftimi, fshatarët u tërhoqën. Kjo pati si rrjedhim, të zbrazurit e Elbasanit.
Haxhi Qamili, në kundërshtim me mendimet e Musa Qazimit, vendosi të luftojë. Atëherë Musa Qazimi, duke organizuar Qendrën, njëkohësisht organizon një komplot kundër Haxhi Qamilit, për ta zënë të gjallë. Ai mendonte se me dorëzimin e këtij të fundit serbëve, do të shpëtonte vetë.
Në luftën vendimtare Haxhi Qamili zuri Grykën e Peqinit, ndërsa mbrojtja e Qafës së Krrabës, iu besua Musa Qazimit e Hamdi Zhegut. Më 10 qershor u bë lufta në Krrabë ku, pas një përpjekjeje të përgjakshme, kryengritësit u thyen dhe ushtria serbe të nesërmen hyn në Tiranë. Kjo i dha rast Esatit të shtrijë sundimin në këto krahina dhe të shtjerë në dorë të gjithë krerët e Ehli Kijamit. Pesëdhjetë e dy veta prej tyre, u dënuan me vdekje nga gjyqi politik. Në mes të tyre, Haxhi Qamili, Musa Qazimi, Abdullah e Mehmet Gjinali, oficer Ahmet Kavaja e, të tjerë.
Në këtë rast, kur i thanë Esatit se është mëkat të vriten gjithë këta njerëz, ai u përgjigj: “Me vrasjen e këtyre, unë i bëj një shërbim Shqipërisë, pse, sikur të falen këta, Shqipëria 40 vjet nuk gjen qetësi”. Esati ka qenë i zgjuar, realisht, guximtar, gjakftohtë e njohës i vërtetë i popullit, por ambicia dhe shpirti për dominim, e çoi atë në tradhti. Ai vetëm me ndihmën e huaj mundi t’i shtypë armiqtë dhe bashkëpunëtorët e vjetër të tij dhe të shtjerë në dorë Shqipërinë e Mesme, që ëndërronte ta sundojë.
Si e okupoi Italia Vlorën më 24 dhjetor 1914?!
Aty nga vjeshta e 1914-ës zbriti në Vlorë një mision i shëndetësisë italiane, me pretekst për t’u ardhur në ndihmë refugjatëve të grumbulluar aty dhe në viset e Epirit. Ky mision përbëhej nga oficerë, mjekë ushtarakë dhe reparte marine ushtarake.
Okupimi i plotë i Vlorës, u bë më 24 dhjetor 1914. Italia, duke parë fitoret e para të ushtrive austriake kundër Serbisë dhe duke dyshuar se ato mund të mbërrinin përpara saj në Vlorë, u shpejtua ta okupojë vetë, që për çdo eventualitet, ta vinte Austrinë përpara një fakti të kryer, pse për Italinë aso kohe Vlora, kishte një rëndësi të madhe nga pikëpamja e mbrojtjes së Adriatikut, ku Austria kishte edhe ajo një flotë të konsiderueshme.
Okupimi i Vlorës nga Italia, mbështetej dhe në arsye politike dhe ekspansioniste në Ballkan, duke krijuar me atë veprim një kryerë për ekspansionin që ëndërronte.
Për pretekst okupimi, Italia vuri avokat Jorgji Çakon, të zbrazte një kobure, i cili këtë e bëri me dorën e Zeman Mashkullorës, një dorë naive. Më parë pushtoi qytetin, deri në Kaninë e Qafën e Koçiut, ku qëndroi për disa muaj. Qarkun e Vlorës, e sundonte me anë në xhandarmërisë shqiptare.
Me të zbarkuar ushtria italiane, rebelët me shpejtësi e zbrazën Vlorën dhe u larguan përtej Vjosës. Komanda italiane mori në dorë zyrat qeveritare, zbriti flamurin e Turqisë, ngriti flamurin shqiptar e italian dhe liroi të burgosurit politikë.
Në fillim të vitit 1915, ushtria italiane okupoi krejt qarkun e Vlorës, deri në kufi me Himarë, Kurvelesh e Tepelenë, të okupuara prej ushtrisë greke.
Me rastin e largimit të Mbretit Konstandin dhe të ardhjes në fuqi të Venizellos, e sidomos pas Paktit të fshehtë të Londrës që e copëtonte Shqipërinë në favor të Italisë, ushtria italiane me lejen e Aleatëve, u ngarkua ta okupojë Shqipërinë e Jugut të cilën nga fundi i vitit 1915, e shkeli deri në Vjosë, Përmet e Leskovik. Duke ndjekur lumin Osum e, duke ndarë Skraparin më dysh, ajo del në Kolonjë, ku në katundin Qinam, bëhet kufi me Francën.
Largimi i Esatit nga Shqipëria
Me tërheqjen e serbëve edhe Esati përgatitej për ta lënë Shqipërinë dhe ku me hir ku me pahir, i detyronte nëpunësit që të largoheshin bashkë me të dhe më në fund u largua bashkë me serbët, të cilët u zbarkuan në Korfuz.
Esati vetë shkoi në Paris dhe me ndërmjetësin e Qeverisë franceze, merret vesh me Qeverinë greke e serbe dhe formoi një qeveri të përkohshme, në Selanik. Vetë qëndronte në Paris, kurse në Selanik, kishte lënë Faik Kodrën.
Gjithë emigrantëve që ishin me të, u paguante rrogat. Kishte formuar një batalion ushtarësh nën komandën e Halit Lleshit. Ky batalion, bashkë me ushtrinë franceze, ka marrë pjesë në luftën e Malit të Thatë e në Mokër. Halit Lleshi figuronte në kuadrot e ushtrisë frënge, si major.
Esati në Selanik kishte një gardë të vogël. Kur erdhi një herë në Selanik, iu bë një pritje madhështore prej gjeneral Serrait. Në pritje kishte dalë edhe mbreti Aleksandër i Serbisë. Esatin e muarën në automobil dhe e shpunë në pallatin e tij. Për sa kohë ndenji në Selanik, i bënte nderimet e rastit një kompani ushtarësh, e përbërë prej një tog të çdo shteti aleat.
Gjatë Konferencës së Paqes, Esati qëndroi në Paris. Qeveria e tij ishte në Selanik, kurse në Dibër kishte një komitet të përbërë prej Ymer Efendiut, sekretar i Pashës, Hysen Kuqit, Hafis Hasës (Mat) e tjerë dhe një fuqi prej 1000 vetash, me komandant Halit Lleshin dhe me nënkomandantë Taf Kazinë, Dine Hoxhën, Osman Memën dhe Jusuf bej Çelën.
Situata në Shkodër më 1914 – 1915
Mbas fillimit të Luftës Botërore, fuqitë ndërkombëtare u tërhoqën prej Shkodre dhe qytetin ia dorëzuan një komisioni prej 12 vetash, të përbërë nga 6 katolikë dhe 6 myslimanë. Me largimin e Vidit, shumica e madhe e patriotëve u grumbulluan dhe gjetën strehim në Shkodër. Komisioni qëndroi në krye të administratës, deri më 15 korrik 1915, kur Mali i Zi hyri në Shkodër, për të dytën herë.
Komisioni ka administruar qytetin dhe rrethet. Ka qenë pa kryesi dhe ndër akte, nënshkrimi vihej: “Komisioni i Shkodrës”. Komisioni s’ka qenë homogjen, në të ziente e valonte mëria dhe pakënaqësia e trashëguar, nga koha e internacionales. Për sende pa asnjë rëndësi, në dukje ishin dakord, por në realitet i ndante inati dhe mentaliteti. Komisioni në administratën e vendit, u tregua i paaftë. Po ashtu u tregua xhandarmëria e policia.
Vritet Nikoll Marashi, bashkëpunëtor i ngushtë i Alush Lohjës, prej Rrok Jakovës, por edhe ky vritet në çast prej policisë. Opinioni i disa qarqeve të vendit, ka qenë se kjo vrasje politike ishte bërë me shtytjen e Preng Pashës e të Bajram Currit. Me shtytjen e njërës palë, fshatarët e Bregut të Bunës, ndalojnë mallrat që ngarkohen në Bunë për në Shkodër. Gjakrat e nxehur për një përleshje, u ftohën me ndërmjetësinë e Komisionit dhe çështja u mbyll.
Më vonë Alush Lohja, del me një fuqi në Tarabosh, për ta ndalur qarkullimin nëpër ujërat e Bunës, si përgjigje ndaj ngjarjes së Bregut të Bunës. Komisioni e mbylli dhe këtë çështje, mbasi u muar vesh me Alushin. Të gjitha këto ngatërresa bëheshin prej anëtarëve të Komisionit, me qëllim që të tregonin influencën e tyre për mbi shokët e tyre. Memorie.al