Nga Prof. Dr. Aleksandër Meksi
Memorie.al / Duhet pranuar se nuk kemi ende një studim shterues së bashku me një botim cilësor, njëherazi dhe shkencor, për hartat historike të Shqipërisë së këtyre shekujve, mundet edhe sepse ato ndodhen të shpërndara në një numër jo të vogël bibliotekash dhe arkivash, që kërkojnë mund dhe mjete të shumta. Studimi dhe publikimi tërësor i tyre, sigurisht që do të ishte i dobishëm për studimet e historisë dhe gjeografisë historike të kësaj periudhe.
Ato ndodhen në bibliotekat dhe arkivat e Venecias, Firences, Parisit, Milanos, Vjenës, Parmës, Berlinit, Londrës e vendeve të tjera. Sigurisht, po flasim për ato që rezultojnë nga literatura dhe publikimet e derisotme, ndërkohë që duhen ndërmarrë edhe kërkime të mëtejshme.
Kohë më parë patëm publikuar të dhëna nga një hartë e viteve ‘80-’90-të të shekullit X-të të udhëtarit arab Ibn-Haukan, nga libri i tij “Kitab surat al ard”. Në të, në paraqitjen e detit Adriatik, ishte Butrinti (Badhrant), krahas Venecias dhe Otrantos, porte detare të cilat ai i jep edhe në tekstin e librit. Kemi pra, një dëshmi mjaft me vlerë për një periudhë mjaft të errët dhe me shumë pak të dhëna për trojet e banuara nga shqiptarët.
Dihet tashmë se gjatë shekujve të errët të Mesjetës, bregdeti lindor i Adriatikut shërbente si itinerari kryesor i udhëtimit nëpër Adriatik, për në territoret bizantine të Venecias. Kjo sepse në këtë breg ishin në favor erërat, kishte gjire dhe porte për t‘u fshehur në kohë të keqe dhe kishte mundësi për t‘u furnizuar me ujë të pijshëm.
Kuptohet që detarët kishin informacione të plota për këto territore dhe ky informacion përcillej nga njëri te tjetri. Pikërisht portolanet janë një nga mënyrat e kalimit të këtij informacioni, nga njëri te tjetri.
Ndryshe nga hartat detare, në të cilat ravijëzohen pikat e bregdetit dhe ndonjë nga qendrat e brendësisë, portolanet janë një përshkrim i bregut të detit, për aq sa u nevojitet detarëve, pa u pajisur me harta, d.m.th., portet, mënyra e afrimit tek ta, dallimi i tyre prej së largu. Cekëtinat e rrezikshme pranë tyre dhe në hyrje, vend-furnizimet me ujë dhe distancat nga një port te tjetri.
Me botimin nga K. Kretschmer të portolaneve italiane të Mesjetës dhe nga A. Delatte të portolaneve greke, është sot e mundur të studiohet shkalla e njohjes së bregdetit të Shqipërisë nga detarët e Mesjetës, me skelat, grykëderdhjet e lumenjve, kepet, vend-furnizimet me ujë, kështjellat bregdetare dhe në ndonjë rast, edhe me cekëtinat përpara limaneve, kuptohet për t‘iu shmangur atyre.
Për portolanet mesjetare bregdeti shqiptar fillon në veri me Tivarin, duke vijuar për në jug, deri rreth Butrintit. Në portolanet jepen largësitë në milje nga njëra pikë në tjetrën, të nevojshme për ata që udhëtojnë përgjatë bregdetit dhe për disa prej tyre edhe nga pika të bregdetit perëndimor të Adriatikut ose detit Jon, për ata që vijnë prej andej.
Madhësia e një milje të përmendur në këto portolane, sipas studimeve të kryera, lëkundet nga 1.17 km në 1.41 km. Krahas kësaj jepen edhe orientimet sipas pikave kardinale të horizontit, për të gjetur kur anijet niseshin nga një port në tjetrin.
Më poshtë po përmendim portolanet e marra në konsideratë nga autorët e mësipërm, të dhënat referuese për to si dhe siglën e përdorur nga botuesi në çdo rast. Më tej do të japim listën e vendeve të bregdetit të Shqipërisë mesjetare, të cilat përmenden në këto portolane duke filluar nga Veriu në Jug.
Portolanet italiane:
Portolani i fragmentuar i Bibliotekës Marciane në Venecia (Marc) që ruhet në Kodeksin nr.87 të Bibliotekës në fjalë. Sipas Kretschmer, duket se i përket fundit të shekullit të XIII-të. Një tjetër është Portolani i Pietro Versit (Pietro de Versi) (V), i cili ruhet në Codex Marcianus chartaceus, Mss. Italiani, Classe IV n.170, me përmasa 21 x 14 cm. dhe që datohet në vitin 1445.
Një grup më vete përbëjnë Portolanet Magliabecchi në Parma (Magliabecchi: P, Ma, Mb); ai që ruhet në Bibliotekën Casanatense në Romë (Cas) dhe ai i Bibliotekës Marucelli në Firence, që përgjithësisht datohen rreth mesit të shekullit XV-të. Nga studimi i teksteve të kësaj familjeje portolanesh rezulton se në to është e njëjtë pjesa që flet për bregdetin shqiptar.
Veç paraqesin vlera dhe Portolani i Gratiosus Benincasa (Be), i cili ruhet në arkivin e shtetit në Ankona, “Codex chartaceus Nr. 48”, i hartuar ndërmjet viteve 1435-1445, si dhe Portolani Rizo (Rz) i hartuar në Venedik nga Bernardino Rizo në vitin 1490 dhe që ruhet në Bibliotekën e atjeshme Marciana (Cl. CIX, Cod 4, Nr. 40/35).
Portolanet greke
Botuesi i portolaneve greke Delatte, duke parë përmbajtjen e ngjashme të tyre, i përfshin ato në një familje, duke shënuar secilin prej tyre me sigël të veçantë. Sipas tij, ato paraqesin udhëtimet detare greke në epokën kur Bizanci u pati lëshuar të tjerëve rrugët e tregtisë detare. Në to shihen shumë huazime jo të pakta nga dialekti venecian. Ato janë:
Dorëshkrim i Athinës (A) që mban datën 1534; Dorëshkrim i Vjenës(V) “Histori gr. 82”, i datuar në shek. XVI; Dorëshkrim i Vjenës(Ë), “Theol. Gr. 244”, shek. XVI; Dorëshkrim i Vatikanit (O), “Ottobonianus gr. 339”, i fundit të shekullit XVI; Dorëshkrim i Parisit (P), “Bibliotheque Nationale nr. 1416”, i shekullit XVI-të, që duket se është kopjuar nga një tekst i shekullit XV-të dhe Portolani grek (T) i botuar në Venecia në vitet 1573, 1618, 1641.
Prej tyre i pari ruhet në fondet Barberini të Vatikanit, PVIII66, i dyti në fondet Angelica, BB12, 2; i treti në Bibliotekën universitare të Leydes, 541 F 12. Teksti i tyre në faqet 24 (v) – 86 (v) është riprodhim thuajse besnik i portolanit Rizo. Dy tekstet e para kanë një lëvdatë të Demetrio Tagias për zbulimin e tyre në vitin 1559.
Në këto portolane, siç përmendëm, takohen mjaft vende të bregdetit shqiptar, të cilat me emërtimet e tyre të sotme po i radhisim më poshtë nga veriu në jug:
Tivari, Val Di Noçe, Ulqini, Gjiri i Bunës, Gjiri i Drinit, Shirgji, Lezha, Shëngjini i Medës, Erzeni, Kepi i Rodonit ose Porti i Shën Anastasisë, Kepi i Palit, Durrësi. Kepi i Melies ose i Lagjit, Bashtova, Apollonia, Pirgu, Gryka e Devollit ose e Semanit, Vjosa, Spinarica, Kavalioni, Vlora, Gjiri i Raguzës, Orikumi, Sazani, Kepi i Gjuhëzës, Gramata, Gjiri i Ariut, Kepi i Shën Andresë, Himara, Uji ose Potami, Porto Palermo, Borshi ose Sopoti, Kepi i Kefalit, Saranda, Butrinti.
Vetëkuptohet që shumica e këtyre toponimeve kanë trajta të ndryshme sipas portolanit dhe gjuhës së përdorur, disa herë përdoren edhe emra të ndryshëm p.sh., si në rastin e Kepit të Melies, emri i dikurshëm, sot jo në përdorim, ndërkohë që emri tjetër, ai i Lagjit, mbeti.
Në shumicën e rasteve emrat jepen në trajta të ndryshme, që ose janë pasaktësi ose, çka ka rëndësi, trajta të ndryshimit në kohë të emri ose të shqiptimit të tij. Kështu, ka 9 trajta shkrimi të Durrësit, ndërsa Porto Palermo ka emrin e vet në 9 trajta dhe përmendet edhe me emrin e kishës së atyshme të Shën Qiriakos.
Krahas të dhënave të mësipërme për qenien në këto portolane të vendeve dhe qendrave të mësipërme të bregdetit shqiptar, në forma të ndryshme në to gjen, siç thamë, të dhëna detare për distancat në milje ndërmjet tyre, që janë të domosdoshme për detarët, ashtu dhe të dhëna për portet dhe limanet natyrale, me thellësinë e tyre dhe cekëtinat eventuale, siç është rasti i Durrësit, duke dhënë edhe mënyrën si mund të futesh brenda.
Kështu si Limane përmenden; Tivari, Ulqini, Shëngjini, Durrësi, Vlora, Sazani, Porto Palermo, Devolli (lum ku mund të hyhet me varka të vogla), Saranda. Veç kësaj, në to kemi dhe përmendje të monumenteve të ndryshme që ndodhen në to, siç janë kështjellat, prej të cilave mund të orientohesh (Ulqini, Durrësi, Vlora dhe Sopoti), ose kisha e Shën Qiriakut në Porto Palermo.
Me interes është gjithashtu të vërehet se me kohë shtohet numri i vendeve të bregdetit që jepen në këto portolane, që dëshmon për përfshirjen gjithnjë e më të madhe të trevave shqiptare në këmbimet tregtare me vendet e tjera, çka kërkon një numër të madh të dhënash, si porte, gryka lumenjsh, pika karakteristike të domosdoshme për afrimin në bregdetin shqiptar.
Në portolanet për të identifikuar portin, veç largësive ndërmjet tyre dhe orientimit, jepen dhe çfarë shikohet kur i afrohemi, për ta dalluar me siguri nga ana e detit. Përpara studiuesve shqiptarë del detyra e studimit dhe publikimit tërësor dhe të përbashkët të hartave dhe portolaneve mesjetarë sepse realisht një gjë e tillë përbën një kontribut të rëndësishëm në lëmë të albanologjisë.
Paraqitja e përmbledhur e të dhënave të tyre së bashku me ato të hartave bashkëkohore dhe kërkimet në toponiminë e bregdetit shqiptar, sigurisht që paraqet interes për studiuesit e gjeografisë historike të vendit tonë, e jo vetëm për ta./ Memorie.al