Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al/Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), ku ndodhet ditari politik i Enver Hoxhës në periudhën mars-maj 1981, kohë kur filluan demonstratat dhe protestat masive të popullit të Kosovës, i cili u ngrit për të kërkuar të drejtat dhe liritë e tij legjitime, ashtu siç i kishin dhe i gëzonin edhe kombësitë dhe kombet e tjera që përbënin Republikën Federative të Jugosllavisë. I gjithë ditari politik i udhëheqësit kryesorë të Shqipërisë komuniste, ku ai dhe Tirana zyrtare e asaj kohe, i ndoqën me vëmendje ngjarjet e Kosovës dhe u prononcuan hapur publikisht, duke dalë hapur në mbrojtje të vëllezërve tanë kosovarë përtej kufirit që jetonin prej shekujsh në trojet e tyre etnike, të cilët u ngritën për të kërkuar të drejtat dhe liritë e tyre legjitime ashtu siç i kishin dhe gëzonin edhe kombësitë dhe kombet e tjera të Jugosllavisë së asaj kohe, dhe duke akuzuar Beogradin zyrtar për politikën diskriminuese që kishte ndjekur regjimi titist deri në atë kohë ndaj Kosovës dhe gjithë popullsisë shqiptare që jetonte nën Jugosllavi, dhe gjithashtu duke akuzuar edhe udhëheqjen e Kosovës si “pro-titiste”, dhe “të shitur tek udhëheqja e Beogradit”. Por ndryshe nga sa thoshte me fjalë, nuk e bëri kurrë me vepra dhe qëndrimi që mbajti Tirana zyrtare ndaj ngjarjeve të Kosovës në pranverën e ’81-it, duket se ishin thjesht sa për fasadë dhe vetëm për konsum publik në arendën ndërkombëtare, pasi regjimi komunist i Enver Hoxhës që nga viti 1949 kur Tirana zyrtare i prishi marrëdhëniet me Jugosllavinë e Marshallit Tito, e deri në fundin e viteve ’80-të, ndaj kosovarëve që vinin në Shqipëri për t’i shpëtuar përndjekjeve të regjimit titist, ndoqi një politikë edhe më të egër ndaj tyre, duke i burgosur, torturuar dhe internuar, me akuzat shabllone “agjentë të UDB-së”!
“Ne duhet të bëjmë, gjithashtu, një analizë edhe të qëndrimeve që kanë mbajtur kancelaritë e ndryshme, domethënë të përcaktojmë e të njohim cilët ambasadorë të vendeve të botës, sidomos të vendeve të Evropës e në mënyrë të veçantë të atyre vendeve që kanë ose që mund të kenë influencë mbi qeverinë jugosllave, janë treguar pro nesh, kundër veprimeve të jugosllavëve dhe i kanë dënuar ato. Këtu të mos harrojmë se ka edhe nga ata që janë treguar asnjanës. Deri tani kemi parë se disa gazeta kanë shkruar më realisht në favor të çështjes së popullit të Kosovës dhe të qëndrimit tonë. Të tilla janë disa gazeta e gazetarë të Republikës Federale të Gjermanisë, pra gjermano perëndimorët, pastaj vijnë austriakët. Me Gjermaninë Perëndimore ne nuk kemi as lidhje diplomatike, ndërsa me Austrinë marrëdhëniet janë të mira. Austriakët mbajnë këtë qëndrim, sepse kanë kontradikta për çështje pakicash me jugosllavët, kurse gjermano perëndimorët nuk kanë. Prandaj ne duhet të gjykojmë pse Gjermania Perëndimore mban qëndrim më realist ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe ndaj Shqipërisë, e cila e ka kritikuar kurdoherë dhe është në mosmarrëveshje me të”.
Kështu shkruan në mes të tjerash ish-udhëheqësi kryesor i Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha, në ditarin e tij të datës 18 maj të vitit 1981, duke u fokusuar në ngjarjet e Kosovës që asokohe ishte Krahinë Autonome në përbërje të Republikës Federative të Jugosllavisë, ku vetëm disa muaj pas vdekjes së Marshallit Josof Broz Tito (4 maj 1980), i cili e qeverisi atë vend për gati 35 vite me rradhë që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, në Jugosllavinë që ai la pas, do të fillonin trazirat e brendshme, siç ishin demonstratat e protestat masive të popullit të Kosovës që u ngrit për të kërkuar të drejtat dhe liritë e tij legjitime, ashtu siç i kishin dhe i gëzonin edhe kombësitë dhe kombet e tjera që përbënin Republikën Federative të Jugosllavisë, për të kaluar deri në thirrjet “Kosova Republikë”.
Ashtu siç do t’i shikojmë edhe nga këto dokumenta arkivore ku ndodhet ditari politik i Enver Hoxhës, udhëheqësi kryesorë i Shqipërisë komuniste dhe Tirana zyrtare, i ndoqën me vëmendje ngjarjet e Kosovës dhe u prononcuan publikisht, duke dalë hapur në mbrojtje të vëllezërve tanë kosovarë përtej kufirit që jetonin prej shekujsh në trojet e tyre etnike dhe duke akuzuar Beogradin zyrtar për politikën diskriminuese që kishte ndjekur deri në atë kohë ndaj Kosovës dhe gjithë popullsisë shqiptare që jetonte nën Jugosllavi, dhe gjithashtu duke akuzuar edhe udhëheqjen e Kosovës si “pro-titiste”, dhe “të shitur tek udhëheqja e Beogradit”.
Por ndryshe nga sa thoshte me fjalë, nuk e bëri kurrë me vepra dhe qëndrimi që mbajti Tirana zyrtare ndaj ngjarjeve të Kosovës në pranverën e ’81-it, duket se ishin thjesht sa për fasadë dhe vetëm për konsum publik në arendën ndërkombëtare, pasi regjimi komunist i Enver Hoxhës që nga viti 1949 kur i prishi marrëdhëniet me Jugosllavinë e Marshallit Tito, e deri në fundin e viteve ’80-të, ndaj kosovarëve që vinin në Shqipëri për t’i shpëtuar përndjekjeve të regjimit titist, ndoqi një politikë edhe më të egër ndaj tyre, duke i burgosur, torturuar dhe internuar, me akuzat shabllone “agjentë të UDB-së”!
Po kështu, edhe pse në ngjarjet e pranverës së vitit 1981 e në vijim, Tirana zyrtare në dukje i përkrahu demonstratat e popullit të Kosovës dhe kërkesat e tyre “Kosova Republikë”, Enver Hoxha kurrsesi nuk do të donte që ajo gjë të bëhej realitet, pasi në një farë mënyre, do krijoheshin dy shtete shqiptare, ku Kosova do bëhej faktor dhe Shqipëria nën udhëheqjen e tij, do defaktorizohej në arenën ndërkombëtare. Në këtë kontekst, menjëherë pas atyre ngjarjeve, Tirana zyrtare intesifikoj përndjekjen dhe dhunën ndaj kosovarëve që ishin në Shqipëri, duke arrestuar dhe dënuar me burgime të gjata disa intelektualë kosovarë, si p.sh.: Selim Kelmendin, Estref Kelmendin, Shefqet Kelmendin, Naimk Lucin, etj., të cilët u arrestuan në vitin 1983, duke u akuzuar se: “kishin tentuar t’i bënin atentat udhëheqësit kryesor të Partisë, gjatë vizitës që ai kishte bërë në Muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë në vitin 1980”.
Dhe të gjitha këto, bëheshin për të ulur reputacionin e kosovarëve dhe Kosovës në sytë e shqiptarëve të atdheut amë. Gjithsesi këto mbeten objekt analizash që nuk janë objekt i këtij shkrimi, ku po publikojmë vetëm ditarin politik të Enver Hoxhës, që ai ka mbajtur në atë periudhë kohe, të cilin Memorie.al që nga muaji mars i këtij viti, vijon ta botoj të plotë në disa numra të rubrikës historike dossier.
Ditari politik i Enver Hoxhës për ngjarjet e demonstratave dhe protestave të popullit të Kosovës në pranverën e 1981-it
E PREMTE 22 MAJ 1981
DUHET TE PUNOJMË QE OPINIONI PUBLIK NDERKOMBETAR TE JETË NE FAVOR TE ÇESHTJES SE KOSOVES
Në këtë mënyrë ne ndërmarrim një veprim diplomatik që kjo çështje të zgjidhet në favorin tonë, domethënë në favorin e Kosovës, që është në të drejtën e saj. Duke vepruar kështu, ne nuk qëndrojmë vetëm me artikujt që kemi botuar dhe me mendimin se këta artikuj i mbështetin gjoja të gjithë pa përjashtim, i mbështet gjoja gjithë shtypi botëror. Por ne dallojmë cili shtyp është më në favorin tonë, mbasi e dimë se jo i gjithë shtypi botëror, pa përjashtim, është në favorin tonë. Ka edhe gazeta që nuk janë në favorin tonë, por që në këtë rast arrijnë në konkluzionin se qëndrimi ynë është i drejtë. Pra, armiku ynë thotë se ju keni të drejtë dhe ky armik ka influencë të madhe në Jugosllavi, i ka dhënë asaj kredi e para, ka pranuar 700 deri në 800 mijë punëtorë, shumica e të cilëve shqiptarë, që punojnë e jetojnë në Gjermani. Prandaj ne nuk duhet të presim shumë gjatë e të shohim çfarë do të thonë ata e çfarë të themi ne, që artikulli të bëjë punën e vet, të bëjnë punën e tyre edhe jugosllavët e të tjerët dhe pastaj të veprojmë kështu apo ashtu. Jo.
Unë them se kjo punë përbën një objektiv të veçantë të diplomacisë sonë në drejtim të Republikës Federale të Gjermanisë. Një hap të tillë mund ta bëjmë edhe me Turqinë, por turqit nuk pinë shumë ujë në Jugosllavi, nuk kanë influencë atje. Franca nuk flet. Shtypi i këtij vendi thotë se ka urdhër nga qeveria që të jetë “i paanshëm”! Greqia edhe flet, edhe nuk flet në favorin tonë. Në Greqi ata që flasin, bile që kanë edhe influencë, e bëjnë këtë sepse nuk duan që Jugosllavia të prishet. Edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës flitet pro nesh, por ne nuk u drejtohemi këtyre. Shteteve të Bashkuara të Amerikës mund t’u thotë kancelari gjerman Shmid se ç’po bëhet në Jugosllavi me Kosovën e kosovarët, e t’u shprehë mendimin se kjo nuk është e drejtë. Me qeverinë austriake jemi një çikë më afër, mund ta bëjmë këtë hap, por me një formë tjetër, sepse austriakët nuk kanë influencën e gjermano perëndimorëve në Jugosllavi dhe, përveç kësaj, kanë edhe problemin e pakicës kombëtare me Jugosllavinë. Po vij përsëri te çështja që një nga ambasadorët tanë duhet të bisedojë, të marrë kontakt me një nga ambasadorët e Republikës Federale të Gjermanisë. Por plani i këtij bisedimi duhet të hartohet me mend, pse këtë veprim e konsideroj si një përpjekje diplomatike që ka për qëllim të dobësojë shovinizmin serb.
Ne zgjedhim pikërisht Gjermaninë Perëndimore si një vend që ka mundësi të influencojë mbi udhëheqjen jugosllave, po sa e qysh do të influencojë, këtë nuk mund ta dimë. Qëllimi ynë, që synon në vendosjen e stabilitetit paqësor në Evropë, është që Republikën Federale të Gjermanisë, e cila ka interesa ekonomikë në Jugosllavi dhe është kundër sovjetikëve, ta interesojmë që, lidhur me këto ngjarje, të ushtrojë influencën e vet mbi këtë vend. Po në ç’drejtim të influencojë? Që Kosova të bëhet republikë? Askurrë të mos na shkojë në mendje që të bëhet kjo nga ana e Gjermanisë Perëndimore. Megjithatë mund të na shkojë në mendje që kjo t’u thotë udhëheqësve jugosllavë të ulin gjakrat në Kosovë, të mos i acarojnë, gjithashtu, marrëdhëniet me Shqipërinë. Kjo gjë do të jetë pozitive për ne dhe një dobësim i pozitave të shovinistëve serbë. Ne mendojmë që, në rast se ndërhyn në këtë çështje Republika Federale e Gjermanisë, ajo do ta bëjë këtë në ato qarqe ku ka mundësi të dëgjohet më shumë fjala e saj, domethënë te sllovenët e te kroatët dhe jo te serbët. Pra presioni i saj mbi serbët, në qoftë se mund të bëhet, do të bëhet tërthorazi, domethënë do të ushtrohet nga ana e sllovenëve dhe e kroatëve. Po çështja varet edhe nga vetë kosovarët.
Në qoftë se këta do ta vazhdojnë kërkesën e tyre në forma të ndryshme, por të vazhdueshme për republikën, atëherë përveç presionit nga ne, pse ne do t’u përgjigjemi masave që mund të marrin serbët kundër kosovarëve, presioni që do të bëhet kundër jugosllavëve nga opinioni ndërkombëtar dhe veçanërisht, në qoftë se i’a arrijmë, edhe nga ana e Gjermanisë Perëndimore, kjo do t’i detyrojë udhëheqësit e tjerë, nga pjesët e ndryshme të Jugosllavisë, të kërkojnë ta marrin këtë çështje në shqyrtim. Po ç’të marrin në shqyrtim? Që ta bëjnë Kosovën republikë? Jo, kjo do të jetë pika e fundit, por që ta bëjnë Kosovën një element më të rëndësishëm, shumë më të rëndësishëm, njëqind herë më të rëndësishëm se ç’është tani që është nën vartësinë e Serbisë. Edhe pas shqyrtimit të kësaj çështjeje, Kosova mund të mbetet prapë nën Serbinë, por ekonomikisht ajo do të ndihmohet më shumë, çështja kombëtare dhe ajo arsimore në Kosovë do të shikohen më drejt e kështu do të vijnë gradualisht me radhë gjithë çështjet e tjera. Prandaj, ky problem nga Ministria e Punëve të Jashtme duhet të mendohet që tani, pastaj e caktojmë ne se kur duhet bërë kjo përçapje. Por ky hap duhet të bëhet në një mënyrë të atillë që ambasadori gjerman të kuptojë përse i’a themi ne. Gjithashtu t’i lëmë atij të kuptojë që këtë ia themi pa asnjë qëllim, megjithëse ai do të kuptojë që ne synojmë diçka, prandaj ia ngremë këtë çështje. Këtu rëndësi të madhe ka fakti diplomatik i paraqitjes së këtij problemi.
Përveç kësaj të përgatiten shkrime nga profesorët e pedagogët tanë për të hedhur poshtë akuzat që bëjnë jugosllavët. Edhe Radio-Televizioni ynë të hedhë poshtë akuzat që i ka bërë Radio-Televizioni i Prishtinës. Këto të jenë, me fjalë të tjera, përgjigje të një niveli të lartë shkencor dhe duhet të bëhen, bile sa më parë. Ne do t’i ndjekim me kujdes këto, që të shikojmë reagimin që do të shkaktojnë edhe këto përçapje, siç do të ndjekim reaksionin e artikullit të tretë të “Zërit të popullit”, që po e ndjekim çdo ditë dhe që do ta shohim akoma më mirë në ditët e ardhshme. Shohim tani që propaganda serbe i ka ulur pendët. Atje u fol një herë vetëm para katër ditësh, po edhe ajo që u bë ishte diçka e paargumentuar, kashtë dhe tani sa vete kjo “kashtë” po bëhet “hi”, për arsye se propaganda serbe nuk ka baza ku të na atakojë. Prandaj mendoj që ne të gjejmë një moment tjetër të rëndësishëm, të përdorim në këtë çështje një armë që na e japin sovjeto-bullgarët. Kur për ngjarjet në Kosovë ka folur gjithë bota, deri edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe radioja “Zëri i Amerikës”, që janë armiqtë tanë, bile kanë folur në mënyrë asnjanëse, sovjeti dhe bullgari nuk folën. Duke përfituar nga ky qëndrim i sovjeto-bullgarëve, ne do t’u drejtohemi edhe atyre me një artikull të fortë ku do të vëmë në dukje se përse ata nuk folën për këto ngjarje të rëndësishme që ndodhën në Kosovë dhe do t’u themi se ju nuk folët për disa arsye: se ju dëshironi që midis popujve të Jugosllavisë dhe atij të Shqipërisë të zhvillohen grindje, nga të cilat të përfitoni për vete, por gaboheni. Ne do të diskutojmë me njëri-tjetrin, do t’i gjejmë punët vetë me njëri-tjetrin, ndërsa kundër jush do të jemi të bashkuar, prandaj ju nuk do të fitoni gjë nga një qëndrim i tillë. Arsyeja tjetër e këtij qëndrimi është që ju dëshironi të grindemi ne, me qëllim që të dobësohet situata si në Jugosllavi, ashtu edhe në Shqipëri, me synimin që, në momentin që juve do t’ju duket i përshtatshëm, të mund të na sulmoni dhe të na gjeni të dobësuar.
Por edhe në këtë çështje gaboheni, se këtij qëllimi nuk do t’ia arrini, sepse ne do të jemi të fortë. Një arsye e tretë është se ju brenda në Jugosllavi keni elementët tuaj që veprojnë në drejtimet që thamë më lart. Se kush janë këta, kjo s’na përket ne shqiptarëve t’i zbulojmë, kjo i përket qeverisë jugosllave të gjejë cilët janë ata që punojnë nën rrogoz në favorin tuaj për t’ia arritur qëllimit që thamë më lart. Kurse te ne, në Shqipëri, ju nuk keni asnjë bazë mbështetjeje, pse çdo gjë pro jush ne me kohë e kemi likuiduar. Një artikull i tillë, i përgatitur dhe i botuar në momentin e duhur, mendoj se do të shërbejë shumë për t’i dhënë të kuptojnë si opinionit botëror, edhe jugosllavëve, që shqiptarët janë të vendosur t’i rezistojnë një sulmi kundër Shqipërisë dhe Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe të dy këto vende, në një eventualitet të tillë, do të ndodhen së toku. Ofensiva e fundit që do të bëjmë, në rast se me festimet e Traktatit të Shën-Stefanit bullgarët do t’i çojnë kufijtë e tyre deri në Shqipëri, atëherë ne përnjëherë duhet të marrim vendim të prishim edhe Traktatin që kemi me Bullgarinë dhe ky do të ishte kulmi. Në qoftë se bullgarët nuk do të flasin për kufijtë e Shqipërisë, edhe ne nuk do të flasim. Traktati Bullgaro-Shqiptar ka vdekur për ne, le të tremben prej tij shovinistët serbë po të duan, në qoftë se ngacmojnë shqiptarët, ne e kemi shkelmuar përgjithmonë Traktatin me Bullgarinë, ashtu siç kemi shkelmuar 13 vjet përpara edhe Traktatin e Varshavës.
E SHTUNE 23 MAJ 1981
PROVOKACION I AMBASADES JUGOSLLAVE
Sot në mbrëmje ambasada jugosllave në Tiranë bëri një provokacion. Ambasadori njoftoi se në orën 21 e 17 në tarracën e kuzhinës së ambasadës ndodhën dy plasje bombe. Ai kërkoi që në vendin e ngjarjes të shkonin përfaqësues nga Ministria jonë e Jashtme dhe lejuan që të marrin pjesë edhe ekspertë nga tanët, për hetime. Hetimet filluan dhe do të vazhdojnë edhe nesër, ditën.
E DIEL 24 MAJ 1981
DO TE PERBALLOJME ME SUKSES PROVOKACIONET E ARMIQVE REVIZIONISTE
Hetimet e ekspertëve tanë rreth plasjes që ndodhi dje mbrëma në ambasadën jugosllave vazhdojnë. Ato bëhen në praninë e personelit të diplomatëve dhe teknikëve të vetë ambasadës jugosllave. Konstatimet e para vërtetojnë se shpërthimi nuk duhet të jetë shkaktuar nga bomba, siç pretendon ambasadori jugosllav, por nga dy “llokume” dinamiti, plasja e të cilave kishte shkaktuar gërvishtjen e asfaltit të çatisë 1 cm. dhe rënien e një cope të vogël të suvasë së kuzhinës. Kuzhina është brenda oborrit 14 metra larg murit rrethues të ambasadës, 2 m. i lartë. Nga të dyja anët e godinës së ambasadës qëndrojnë roja policë, të cilët nuk kanë parë asnjë lëvizje në rrugë, veç kanë dëgjuar plasjen. Pra, ekspertiza, e cila vazhdon punën, vërteton se nuk është fjala për plasje bombash. Ne besojmë se objektet që plasën janë vënë nga vetë jugosllavët për të na akuzuar ne se, përderisa “sulmojmë ambasadën e tyre këtu në Tiranë”, jemi shkaktarët edhe të gjithçkaje që po ndodh në Kosovë. Të qarta janë qëllimet e tyre armiqësore. Ambasadori jugosllav, sot, më 24 maj, protestoi në Ministrinë tonë të Punëve të Jashtme. Zëvendësministri ynë i’a hodhi poshtë protestën si shumë të nxituar përderisa ekspertiza që kanë kërkuar vetë ata vazhdon punën. Jugosllavëve do t’ua hedhim poshtë protestën edhe sikur një për qind të vërtetohet mundësia e hedhjes së objekteve plasëse nga jashtë, pasi edhe ai që mund ta ketë bërë këtë, nuk mund të jetë tjetër veçse një agjent i jugosllavëve, i sovjetikëve ose i bullgarëve. Çdo provokacion të tyre ne do ta përballojmë me sukses. Këto punë të ndyra kanë bërë kundër Shqipërisë tërë jetën këta armiq të egër të vendit e të popullit tonë.
E MERKURE 27 MAJ 1981
PERGJIGJE PROTESTAVE TE REVIZIONISTEVE JUGOSLLAVE
(Shënime për përgjigjen që duhet t’i japë një përfaqësues i Ministrisë sonë të Punëve të Jashtme ambasadorit jugosllav në përgjigje të protestës jugosllave të datës 27.5.1981, bërë në Beograd ambasadorit tonë Sokrat Plaka).
- Ne hedhim poshtë me indinjatë protestat tuaja të ripërsëritura e pa baza.
- Ne asnjëherë nuk kemi sulmuar dhe as do të sulmojmë ambasadën jugosllave në Tiranë. Çdo gjë në këtë drejtim është shpifje dhe trillim nga ana juaj dhe bëhet me qëllime të paracaktuara që nuk na trembin aspak.
- Ne jua dhamë përgjigjen tonë për çka ju ngjau në aneksin e ambasadës suaj dhe nuk lëvizim asnjë presje nga deklarata jonë, pse është e hetuar, e kontrolluar dhe e faktuar.
- Për sa i përket Konventës së Vjenës s’kemi nevojë të na e përmendë kush, se e njohim dhe e zbatojmë me përpikëri, e kemi zbatuar dhe do ta zbatojmë edhe ndaj ambasadës jugosllave në Tiranë, ashtu kërkojmë ta zbatoni dhe ju ndaj ambasadës së Shqipërisë në Beograd.
- Ne pranojmë të vijnë ekspertët tuaj, po të dëshironi, që të hetojnë për veten e tyre ngjarjen në vend, me kusht që në këtë ekspertizë që do të bëni për veten tuaj, duhet të asistojnë dhe ekspertët tanë që u thirrën nga ambasada juaj, si edhe ambasadori juaj në Tiranë tok me këshilltarin, që asistuan kur u bë ekspertiza jonë. Nga ana jonë ekspertiza është e plotë, e fotografuar dhe e filmuar.
- Artikujt e “Zërit të popullit” janë tre, mund të bëhen edhe 33. Kjo çështje është në kompetencën e Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë dhe jo tonën. Ne theksojmë për të njëmijtën herë se as kemi ndërhyrë dhe as do të ndërhyjmë në punët e brendshme të Jugosllavisë. Ne do të mbrojmë kurdoherë të drejtat e vëllezërve tanë shqiptarë, kur këto shkelen kaq brutalisht, derisa mbyten edhe me gjak.
- Për sa u përket përrallave të Hanit të Hotit dhe një tullumbaceje të lëshuar në qiellin e Tiranës ditën e Një Majit dhe që gjoja mbërriti në qiellin e Strugës, as që dua t’i zë në gojë, pse janë shumë qesharake.
E SHTUNE 30 MAJ 1981
T’U DALIM PERPARA VESHTIRESIVE QË JUGOSLLAVET PO NA NXJERRIN NE TREGTI
Duke marrë parasysh acarimin e marrëdhënieve me Jugosllavinë, shovinistët jugosllavë do të na qitin një mijë pengesa si në tregtinë që bëjmë me ta, ashtu edhe në mallrat tona tranzit që kalojnë nëpërmjet Jugosllavisë për në Austri e për në Evropën Qendrore. Që tani ata po na krijojnë një mijë pengesa artificiale me transportin automobilistik. Patatet verore që çojmë nëpërmjet Jugosllavisë po na prishen në Mal të Zi. Për këto arsye u rekomandova shokëve të Qeverisë që të parashikojnë e të marrin sa më parë masat e nevojshme, si për shembull:
- Të bisedohet me italianët për vendosjen e tragetit Durrës-Bari, gjë që e kanë propozuar vetë ata.
- Të merret sa më parë vendimi për të ndërtuar linjën e tensionit të lartë Elbasan—Kapshticë, me qëllim që t’i shesim Greqisë energji elektrike. Grekët lusin për këtë.
- Të parashikohet hapja e Kakavijës. Hapja e kësaj pike të kufirit ka kuptim të rëndësishëm politik dhe ekonomik. Vendosja e tragetit me Italinë, shitja e energjisë elektrike Greqisë dhe hapja e Kakavijës, do t’u tregojnë shovinistëve jugosllavë se presionet dhe shantazhet e tyre në tregti nuk pinë ujë te ne. Ata do të dëmtohen edhe në këtë fushë dhe nuk do të kenë më mundësi të propagandojnë rreth “favoreve” që na bëjnë duke na e “blerë energjinë elektrike, kromin” etj., artikuj këto kaq të kërkuar që ne i shesim jo ditën, por edhe natën, siç i thonë fjalës. U rekomandova shokëve që kështu të veprojë tregtia jonë e jashtme edhe me prodhimet bujqësore. Me hapjen e Kakavijës, Janina, Preveza, Arta dhe gjithë Epiri i Jugut, mund t’i blejnë prodhimet tona, se u venë më të lira.
E DIEL 31 MAJ 1981
MBI NGJARJEN E AMBASADES JUGOSLLAVE NE TIRANE
Përgjigje gazetës “Politika” të Beogradit Shënime-Teza
- Në datën 26 maj 1981 ju botuat një artikull plot me trillime, shpifje e shtrembërime të paturpshme mbi çka ju ngjau në ambasadën jugosllave në Tiranë. Asgjë politike nuk kishte në atë artikull, përveç një botimi tipik të Sigurimit të Shtetit jugosllav (UDB-së). Pra “Politika” pasqyronte në të politikën e kryepolicit serb Hërljeviç.
- Ministria jonë e Punëve të Jashtme ju ka deklaruar zyrtarisht se Konventën e Vjenës ne e zbatojmë etj., etj., kurse ju në shtypin tuaj shkruani krejt të kundërtën. Ne themi se as e kemi sulmuar dhe as do ta sulmojmë kurrë ambasadën jugosllave. Në artikull shkruhet krejt e kundërta. Ne themi se do ta mbrojmë ambasadën jugosllave, ashtu siç kërkojmë që të mbroni dhe ju tonën në Beograd. (Për këto argumente të citohen pjesë nga Tanjugu dhe “Politika”). Ne ju paraqitëm raportin zyrtar të ekspertëve tanë të kërkuar nga ambasada juaj. (Të vihet në dukje si e hedh poshtë “Politika” këtë dokument, akoma pa dërguar pala jugosllave ekspertët e vet që ne i lejuam të vijnë).
- Gjithë kjo intrigë tragjike në ambasadën jugosllave në Tiranë duam të theksojmë se u kurdis dhe u krye në mungesën e titullarit të Sekretariatit të Shtetit të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, zotit Verhovec. Dikush tjetër i lëvizi fijet. Është e qartë dhe e njohur se kryepolici jugosllav Hërljeviç, ishte i pari që akuzoi publikisht ambasadën shqiptare në Beograd, si dhe ambasadat tona në vendet e tjera të botës dhe më në fund akuzoi Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë sikur ajo nxiti turbullirat në Kosovë. Opinioni botëror dhe kancelaritë e botës nuk e hëngrën këtë gënjeshtër të madhe të jugosllavëve. Kjo tragjedi e tmerrshme e Kosovës, shkaqet e vërteta të së cilës i analizoi cilido dhe nxori cilët ishin shkaktarët e kësaj gjëme që ka emrin gjenocid, e diskreditoi keqas Jugosllavinë e Titos dhe vuri në dukje rrezikshmërinë e saj.
Ministria e Punëve të Brendshme të Jugosllavisë implikoi në këtë fimplot të madh gati gjithë udhëheqjen jugosllave dhe çështjen e bëri ndërnacionale për gjithë Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë. Këtë komplot serb kundër Kosovës, kundër Republikës Socialiste Federative. të Jugosllavisë dhe kundër Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë asnjë udhëheqës jugosllav nuk u tregua i guximshëm ta dënonte përveç rinisë dhe inteligjencies së Kosovës, të cilat përnjëherë u burgosën. Në këtë komplot shumë të rrezikshëm për të ardhmen e Federatës Jugosllave kosovarët dhe Republika Popullore Socialiste e Shqipërië jo vetëm mbrojtën të drejtat e tyre, por ishin të vetmit që mbrojtën edhe unitetin e Federatës Jugosllave. /Memorie.al
Vijon në numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016