Nga Petraq Xhaçka
Pjesa e tretë
Memorie.al / Qëllimi i këtij libri, është të bashkojë ndihmesën në përpjekjet që bëhen, për të paraqitur të vërtetat dhe tmerret e diktaturës komuniste në Shqipëri. Qëllimi kryesor i librit, nuk është t’i tregojë popullit tonë e kujtdo tjetër, se ne naftëtarët kemi qenë të pafajshëm, sepse kjo është bërë e njohur nga botime në shtypin tonë, nga televizionet e huaja, si dhe nga takimet direkte me Forumin Ndërkombëtar dhe atij shqiptar të të Drejtave të Njeriut. Dëshira e autorit, është që nëpërmjet kësaj historie, së bashku me tregime të tjera, të luftohet çdo shfaqje në çfarëdo forme, qoftë dhe të moderuar, që ai mund të ketë për të krijuar një shoqëri komuniste. Mendoj se edhe nëpërmjet kësaj historie të hidhur personale, do të shfaqet fytyra mizore e pabesë dhe prepotente e enverizmit, që për një gjysëm shekulli, ja mbajti thikën me majën në gjoks popullit shqiptar, me syrin pishë, duke përgjuar lëvizjet për shpëtim nga jashtë, apo rebelim të vetë popullit, i gatshëm ta shtynte thikën drejt zemrës, në lëvizjen më të parë. Ngjarjet janë vënë në fushat ekonomike ku ajo është shfaqur më me forcë, siç ka qenë industria e naftës dhe e gazit, ku pata fatin të derdh energjitë e mia, për një jetë të tërë dhe të bëhem në ato ngjarje pjesëtar dhe dëshmitar. Të gjitha ngjarjet që shkruhen në këtë libër kujtimesh, janë të vërteta, jo vetëm pa asnjë për-zmadhim apo zbukurim të tyre, por ndofta, nuk di sa kam mundur të paraqes forcën tmerruese të ngjarjeve që ndodhnin në atë sistem dekadent të socializmit, ku nuk ekzistonte asnjë ndjenjë humane.
Fillova të mendoj për situatën e rëndë në të cilën ndodhej Zhani e sëmurë, tepër e brishtë për të përballuar gjithë këtë tragjedi që na pat pllakosur. Këto përjetime përsëriteshin egërsisht ditë për ditë, aq sa unë nuk mund t’i përballoja më dot. Prandaj për mos të dëgjuar të qarat e djalit, unë merrja bishta cigaresh, i vendosja nëpër gropëzat e veshëve.
Por ato nuk më shpëtonin si duhet nga ai zëth që më s’qullte të tërin, gati më bënte të çmendesha. Kjo ishte një torturë e tmerrshme, më e rëndë akoma se ato mbi trup. Pashë ç’pashë, një ditë u detyrova t’i them hetues Beharit: Në birucën përballë meje, është një fëmijë që qan vazhdimisht.
Më duket se një fëmijë i rritur, me atë dashuri për nënën e motrën nuk mund të jetë fëmijë rrugaç apo hajdut. Habitem përse e mbani? Që më dukej sikur ishte Genci, natyrisht, nuk i thashë. Ai më dëgjoi me vëmendje dhe pastaj më pyeti:
-Ti, e dëgjon atë?!
– Çdo ditë!.
Pas asaj seance, nuk e dëgjova më atë zëthin vajtues, që më shkaktoi ditë të tëra vuajtjesh të rënda shpirtërore, një stres të jashtëzakonshëm, gjatë të cilit njeriu mund të kalojë në çmenduri. Të gjitha vuajtjet njerëzore të këputin shpirtin, por kurrë si ajo e fëmijës në moshë të njomë.
Vetëm pasi pat kaluar një vit, mora vesh se ai që më këputi shpirtin, ato ditë në ato biruca, nuk paskej qenë Genci. Ai truk do të ketë qenë një regjistrim zëri i porositur, ose ndofta ka qenë rastësisht një fëmijë tjetër. Këtë edhe sot e kësaj dite nuk di ta shpjegoj.
Por më shumë mendoj se pat qenë një regjistrim manjetik, i bërë me qëllim për të më thyer mua. Siç mora vesh shumë kohë më vonë, ata për gjatë një viti, kishin përgjuar e njohur tërë rutinën e familjes sime. Pra, ata dinin detaje e hollësira të jetës së brendshme në atë apartamentin tonë të thjeshtë, të “Rrugës Enver Hoxha”, në qytetin e Fierit.
Nga këto seanca hetime-tortura, që vazhdonin me orë të tëra dhe me ndërprerje fare të vogla, unë humba ndjesinë e ditës dhe të natës. Pothuaj nuk haja fare. Vija në gojë vetëm pak bukë thatë, të cilën shumicën e rasteve e gjeja në birucë, mbasi kur ajo shpërndahej, unë gjithnjë ndodhesha në “hetim”. Mëndja ime dukej e turbulluar tërësisht, koka edhe i gjithë trupi më dhembnin nga efekti i grushteve, shqelmave e nga shtrëngimi tej mase i prangave.
Por edhe në këtë gjendje të rëndë, unë nisa të analizoj gjithë thëniet e tyre, gjithë lëshimet e tyre informuese mbi atë “grushtin e shtetit”, gjithë atë ashpërsi për të më shtyrë të pranoja se kisha bërë tradhti e sabotimi ndaj vendit tim. Rrekesha të shoshitja të gjithë emrat e personave në udhëheqje që hetuesit e mi, i cilësonin si armiq dhe pjesëtarë të këtij grushti shteti dhe që sipas tyre ndodheshin në gjendje arresti.
Përpiqesha të analizoja këto dhe pastaj të krijoja lidhjen midis elementëve të veçantë të procesit. Për shembull, përse duheshim ne, specialistët e naftës, si therorë në këto drama e farsa të Byrosë Politike të Partisë së Punës?! Ata që më torturonin më thoshin shpesh, midis të tjerash, se së fundi, kishin gjetur tre dëshmitarë që patën pranuar dhe se ata, të tre në një gojë, pranonin që Xhaçka ishte kryetar i këtij grupi. Bile, njëherë më treguan shkarazi, një dorëshkrim të një kolegut tonë, Mynyr Arapit. Në të ai bënte fjalë se si ai; “pat qenë rekrutuar nga rusët, në Kuçovë e se si pastaj pat bashkëpunuar me Petraq Xhaçkën, kryetarin”.
Me tre dëshmitarë, thoshin ata, si mbas ligjeve tona, mund të më dërgonin në atë botë, prandaj në qoftë se e desha veten dhe familjen, duhej dhe unë ta pranoja këtë akt-akuzë. Unë i përgjigjesha se pranimi me dëshminë e të tjerëve, nuk tregonte se kishim të bënim me një fakt të vërtetë, por përsëri më shkonin mornica, kur mendoja se në kushtet e diktaturës në Shqipëri, ata dënonin pa patur fakte fare.
Ishte krejtësisht e qartë se atyre u duhej medoemos edhe pohimi i im, që të bëhej ende më bindëse dhe më e plotë veprimtaria e këtij grupi fantazmë, pjellë e interesave dhe e fantazisë së tyre. Ashtu, fillikat, njeriu nuk mund të këshillohet dot me askënd. Çfarë të bëja? Të vazhdoja të arsyetoja pafajësinë time, të cilën sa më të qartë e bëja, aq më shumë i tërboja ata xhelatë të palodhur?
Apo të lëshoja pe, të pranoja akuzën e parafabrikuar që t’i jepja mundësi vetes të jetoja, e ndofta Zoti do të sillte një ditë që kjo e vërtetë të dilte në dritë e të rifitoja përsëri nderin, dinjitetin tim. Njerëzit, familja, shokët e miqtë do të më kuptonin. Ishin çaste të rënda. Ndodhesha në një udhëkryq ku që të dy rrugët që do të merrja, ishin njëra më e mundimshme se tjetra!
Se, vihej re qartë se aty pat ndodhur një përçarje, luftë klanesh në udhëheqje të Partisë. Hetuesit qysh në fillim, ma thanë hapur se ishin arrestuar disa prej anëtarëve të Byrosë Politike. Unë gjykoja se në kushte normale, kurrë hetuesit nuk do të kishin folur aq ndyrë dhe nuk do të kishin lozur me emrat e tyre, në praninë tonë.
Isha i bindur pra se ata ishin arrestuar me të vërtetë. Më vonë, më shkrepi në kokë se ata ende nuk ishin arrestuar, por duhej proçesi ynë gjyqësor, që të shpinte në arrestimin e tyre. Kështu dëshmitë që na kërkoheshin ne, do të përdoreshin si akuza për t’i qëruar ata nga radhët e udhëheqjes.
Për të realizuar këtë puç në kokë të partisë, Ramiz Alia me bashkëpunëtorët e tij më të afërt, krijoi situatën e një veprimtarie armiqësore në naftë. Këtë e pat bërë dhe Enver Hoxha. Ishte gjetur kjo artificë, sepse ishte më e lehtë e më e volitshme, gjetja e sabotatorëve në fusha me vlera valutore të mëdha, si nafta.
Pastaj filloja të vë re se ishte shumë e lehtë të bëhej lidhja e grupit tonë të specialistëve, me anëtarë të udhëheqjes që planifikoheshin për t’u dënuar: shumica e tyre më përpara se të ngjitnin krye shkallët e Byrosë Politike, ose kishin punuar drejtpërdrejt në sektorin e naftës, ose e kishin drejtuar këtë sektor, si pasojë logjike, ishin të pranueshme kontaktet e tyre me ne, si naftëtarë.
Po po! Kjo duhet të qe e nuk kish tjetër! Në këtë përfundim më shpinte udha, po ta zije udhën nga emrat që përmendnin ata. Kështu përshembull, Simon Stefanin, nga punëtor saldator, e ngritën dhe e bënë drejtor të naftës, aty ku unë punoja si kryegjeolog. Më vonë, ai kaloi në detyra partie të mëdha, deri tek sekretar i Komitetit Qendror të Partisë. Në atë post ai mbante në parti kyçet e Ministrisë se Brendshme dhe të gjithë Ushtrisë. Ky ishte kandidati rival i Alisë për vendin e Enverit, menjëherë pas vdekjes së këtij të fundit.
Tjetër, ishte Prokop Murra, i cili po kështu për shumë vite punoi si drejtor i përgjithshëm i Kombinatit të Naftës, në vitet pesëdhjetë dhe më vonë disa vite si drejtor i Ndërmarrjes së Nxjerrjes së Naftës, në Patos. Më vonë e emëruan në postin e sekretarit të Komitetit Qendror për ekonominë dhe ministër të Industrisë dhe të Minierave, ku hynte industria e naftës. Kështu edhe ky kuadër, për shumë vite kaloi në punë të përbashkët me naftëtarët dhe na njihte të gjithëve ne që tani ishim pjesëtarë të këtij grupi, duke u përcëlluar në zjarrin e xhehenemit në zyrat e hetuesisë së Fierit.
Tjetër emër, ishte ai i Pali Miskës. Ky pat punuar disa vite si Ministër i Industrisë dhe Gjeologjisë. Përveçse anëtar i Byrosë Politike, Miska ishte edhe Sekretar i Parë i Komitetit Partisë së Fierit, qytet ku ishin përqendruar institucionet kryesore të naftës, dhe si pasojë na njihte mirë ne naftëtarëve.
Pra, skenari parashikonte “zbulimin e një grupi armiqësor, tashmë jo vetëm sabotatorë, por edhe tradhtar”, në industrinë e naftës. Këtë ma thanë disa herë vetë hetuesit, duke vënë në dukje se ata ishin pjesë e një hetuesie të një stili të ri, që nuk do të gabonte, sikurse gaboi hetuesia e vjetër, që anëtarët e grupit armiqësor në naftë, i nxori vetëm sabotatorë.
Pra hetuesia i caktonte vetë, subjektivisht, që më përpara se çfarë cilësimesh do të kishin për llojin e “krimit” të tyre, specialistët e kuadrot që do të arrestoheshin, pavarësisht në se ata ishin apo jo, realisht ashtu. Po të ishin realë, nuk kishte si të gabonte hetuesia e parë, sepse duhet të qenë faktet ato që të përcaktonin krimin dhe jo hetuesit. Nëpërmjet prepotencës e megalomanisë, ata nxirrnin thelbin e arbitraritetit të hetuesisë politike shqiptare.
Nafta, nafta…! Cili ishte ai yll, që përcaktoi lidhjen time me këtë fushë kaq tragjike të ekonomisë shqiptare, ku më shumë se kudo njerëzit u në përkëmbën, talentet u shpërdoruan, sakrificat u harruan…?!
Endjet e mia të para nëpër fushat e naftës
Pasi kisha mbaruar shkollën tetëvjeçare, në vitin 1947, unë u regjistrova në shkollën e mesme, në Politeknikumin “7 Nëntori”, në degën Elektrike. Pak kohë pasi kishim filluar mësimet, nga drejtoria e Ministria e Arsimit, u vendos të hapet dhe një degë e re për minierat. Thirrjes së drejtorisë për të kaluar disa nxënës në këtë degë, iu përgjigjën fare pak veta, ngaqë e kuptonin se ishte degë me kushte të rënda pune, dhe si pasojë rrezikohej të mos hapej. Shokët e mi, Asti Papa dhe Tomi Kristo, biseduan me mua dhe më ftuan që ne të tre, si shokë që ishim, të shkonim në këtë degë të re, meqenëse vendi kish nevoje.
Duke u nisur nga fryma patriotike rinore edhe unë lashë mësimet në degën Elektrike dhe kalova në atë Minerare. Në vitin e parë bëheshim gjithsej pesëmbëdhjetë vetë, por të katër vitet bashkë, përfunduam vetëm trembëdhjetë. Kështu ne përbëmë kontingjentin e parë të teknikëve gjeologë shqiptare. Prej tyre, një dyzinë ishim djem dhe njëra ishte vajzë, e cila përfaqëson të parën teknike gjeologe shqiptare.
Klasa jonë ka qenë e përbërë nga një kolektiv i shkëlqyer që rrallë herë mund të gjesh nëpër shkolla. Ne kishim një shoqëri të pastër me njeri tjetrin, bënim shaka dhe kurrë nuk zemëroheshim, kurrë nuk dëgjuam që njeri të flasë keq për tjetrin, qoftë e prapa kurrizit, siç i thonë. Të vetmen vajzë që kishim në klasë, Veronika Todrin, me origjinë nga Elbasani, të gjithë e konsideronim pothuaj motër.
Ne si klasë, në programin e shkollës kishim dhe ekskursione gjeologjike nëpër male ose nëpër miniera me javë dhe muaj, e jetonim aty nëpër çadra apo mjedise shkollash të boshatisura, gjë që ne na afronte më shumë me njëri tjetrin. Veronika me këtë veprim, thyente një koncept të rëndësishëm të konservatorizmit që ekzistonte, sidomos në ato vite.
Shumë i afërt për klasën tonë, ishte pedagogu hebre, Marko Menahen, i porsa liruar nga burgu politik. Kultura dhe zgjuarsia e tij, shkëlqenin teksa na jepte të gjitha lëndët e specialitete të gjeologjisë, të shpimit të puseve të naftës e të nxjerrjes së saj, mbasi në Shqipëri nuk kishte kuadro të përgatitur në këto fusha. Aftësia e këtij njeriu, del më e qartë po të kihet parasysh se ai nuk kishte bërë asnjë vit shkollë për këtë fushë, por në mënyrë autodidakte, i studionte dhe na i jepte mësim neve.
Ai nuk kish parë direkt me sytë e tij puset e shpimit, sepse atë, si njeri me qëndrim politik të dyshimtë në ato vite, nuk e lejonin të hynte në Kuçovë. Ai njihte fare mirë secilin prej nesh, si për nga aftësitë dhe për nga karakteret dhe dinte si të trajtonte çdo nxënës. Gjatë mësimit ai ishte mjaft rigoroz dhe shakatë i kishte të pakta.
Mund të duket e çuditshme, por lëndët e specialitetit, ai i përktheu në shqip nga rusishtja, të cilën e përvetësoi shumë mirë në burg. Ato i vuri në tekste të niveleve të universitetit, çka mua më ra rasti pjesërisht t’i përsëris kur vajta për studime në universitet, në Moskë. Kjo ndikoi që niveli i përgatitjes sonë si teknikë, të ishte më i lartë nga sa pajiste zakonisht arsimi i mesëm.
Të paharrueshëm mbetën në kujtesën tonë dhe disa pedagogë të tjerë, siç ishte profesori i matematikës, zoti Babamusta, i cili ushqente një simpati të veçantë për klasën tonë. Ai lëndën e jepte me shumë kompetencë dhe të kuptueshme për neve dhe gjithë kohën, ai na mbante të vëmendshëm edhe nëpërmjet humorit, me të cilin ai ndërthurte mësimin. Ne prisnim me padurim kur do të vinte ora e matematikës dhe çfarë shakash do të sillte atë ditë, të cilën si zakonisht, Babamusta do ta fillonte me leximin gabim të emrave dhe mbiemrave tanë, duke i transformuar ata me dashje. Mua shpesh më thërriste Zhan Kipura, ndërsa emrin Protoko, e transformonte në Patoku, e të tjera.
Të gjithë e respektonim dhe e deshëm aq shumë, sa që secilit i vinte turp të mos përgatitej ose të mos bënte detyrat në lëndën e tij. Në këtë rreth të këndshëm e të shëndoshë, me kënaqësi zhvillonte mësime, edhe profesori i historisë, zoti Petraq Pepo. Këta pedagogë e të tjerë si këta, ndikuan pozitivisht në përgatitjen e klasës sonë me një nivel mjaft të mire, si teknikë gjeologë, çka e tregoi më vonë dhe vetë jeta praktike.
Të gjithëve ne, si klasë, na caktuan me punë në Kombinatin e Naftës në Kuçovë, që atëhere quhej Qyteti Stalin, për nder të diktatorit rus. Disa u emëruan gjeologë, disa teknikë shpimi pusesh nafte dhe të tjerë, teknikë për nxjerrjen e naftës. Mua më caktuan si kryegjeolog në Ndërmarrjen e Nxjerrjes së Naftës në Kuçovë, e cila në atë kohë jepte prodhimin kryesor të naftës në vendin tonë.
Qysh vitin e pare dhe më vonë, të gjithë ne teknikët e rinj, lamë përshtypjet më të mira në detyrat që na dhanë, si për sakrificat në punë, ashtu dhe për aftësitë në zgjidhjen e problemeve teknike. Në ato vite ishin fare të paktë inxhinierët shqiptarë, dhe ata porsa kishin mbaruar studimet jashtë shtetit, si; Ramiz Xhabija, Rexhep Reka, Hamdi Kruja, Servet Pasho, e të tjerë. Kudo nga naftëtarët dëgjoje fjalët më të mira për të gjithë ne, fillestarët, që vinim nga shkolla dhe kjo na mbushte me krenari
Servet Pasho, ishte drejtuesi i shërbimit gjeologjik në Kombinat në ato vite. Ai ishte njeri i qetë, i urtë dhe nuk i bënte keq njeriu. Shumë të afërt, të dashur e të respektuar për ne, u bënë sidomos zotërinjtë Reka dhe Kruja, inxhinierët e nxjerrjes. Hamdi Kruja ishte kryeinxhinier në ndërmarrjen ku punoja dhe unë. Ai kishte qenë një pjesëmarrës aktiv në Lëvizjen Antifashiste dhe komunist i vjetër, por meqë gjatë studimeve në Poloni, u martua me një emigrante politike jugosllave, ajo nuk ish pranuar të kthehej më në Jugosllavi, pas konfliktit që filloi midis liderëve komunistë jugosllavë dhe Stalinit.
Burrë e grua Krujat, u persekutuan me të padrejtë nga regjimi komunist i vendit tonë. Unë punova me ta tre vjet dhe pashë tek ata njerëz të ndershëm, punëtorë dhe të papajtueshëm me gabimet që viheshin re, të cilat i kritikonin dhe i vinin në dukje me qëllim që të përmirësohej puna.
Ata u çuan më vonë me punë në qendrën e vogël dhe të izoluar të minierës së Selenicës. E shoqja e Hamdiut, ishte një grua e zgjuar dhe shumë e lidhur me familjen. Qysh në vitet e para të regjimi komunist, nuk shikonte punën konkrete të njerëzve, por gjykonte mbi bazën e dosjeve që ata hapnin për specialistët e drejtuesit mbi baza biografie.
Me ne teknikët e parë gjeologë shqiptarë, u krijua mundësia të formohej Shërbimi Gjeologjik Shqiptar në industrinë e naftës, në korrik të vitit 1951. Këto ishin vite të një pune intensive dhe marrëdhëniet në punë, relativisht ishin më të pastra. Njerëzit punonin jo për frikë, por e ndjenin si detyrë ndaj popullit dhe vendit. Kështu ne, në ndërmarrje, si dhe në të tjerat, nuk kishim automjete dhe detyroheshim në shi dhe baltën e madhe të zonës së puseve në Kuçovë, të shkonim në këmbë deri përtej lumit Devoll, në sektorin mal të Kozarës.
Me orë të tëra qëndronim në diell të fortë, vapë të madhe ose në shi, erë dhe baltë, sidomos gjatë dimrit, qoftë ditën qoftë natën për të ndihmuar dhe kontrolluar punën normale në sondat e shpimit, ose punën e traktorëve dhe puseve të nxjerrjes së naftës. Kështu p.sh., për Tomi Kriston, ishin të shpeshta rastet kur ai shkonte e vinte në këmbë për orë të tëra, nga Patosi i Sipërm në kodër, deri në malin e Ardenicës, ku kishte sondën e shpimit. Shpesh herë flinim në barakat e sondave.
Unë e kisha të zakonshme të flija në zyrën ku punoja, pasi punoja deri në orët tepër të vona dhe në kohë të keqe e kisha tepër të lodhshme, të vija në barakat ku flinim ne teknikët e Kuçovës. Vishnim disa çizme, që mbanin shumë lagështi, e si pasojë këmbët dhe çorapet na bëheshin qull. Kështu unë detyrohesha të hiqja çizmet, t’i terja këmbët e çorapet pranë zjarrit që ndizej me gazin e puseve të naftës dhe flija pak orë mbi tavolinën e punës.
Lodhja fiziko-mendore ishte shumë e madhe, por megjithatë askush prej nesh nuk u qa a të thoshte se u lodh, se nuk e bënte dot, apo të kërkonte të largohej nga puna. Kjo e rriti respektin e punëtorëve dhe drejtuesve ndaj nesh, teknikëve të rinj. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016