• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
  • English
Saturday, June 7, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Personazh

“Për jetën në Perëndim, kam folur në shtëpinë e Rr. Zojzit, me E. Çabejn, P. Fundon, S. Saraçin e, Rrokun, në zyrë dhe shtëpinë time, me Gj. Gecon, A. Gjergjin dhe…”/ Dosja hetimore e Sabiha Kasimatit

“Halla ime e kishte pasur shok klase Enverin në Liceun e Korçës dhe shpesh i tregonte babait, për moralin e tij dhe se ai kishte qenë një Don Zhuan…”/ Dëshmia e rrallë e nipit të Sabiha Kasimatit
“Pasi pushuan armët e skuadrës së pushkatimit që morën jetën e 22 të personave, u dëgjua një zë gruaje që s’e kishte kapur plumbi dhe rojet i’u…”! / Ngjarja tragjike e 26 shkurtit 1951
“Marrëdhënia e saj me Ernest Koliqin, i kishte fillesat në periudhën e shkollimit në Itali, kur, sikurse Kasimati shprehej…”/ Historia e panjohur e shkencëtares së famshme, që u pushkatua nga Enver Hoxha
“Fatkeqësi e Shqipërisë që ka rënë në duart e bashtos së Gjirokastrës, një përbindësh, kumarxhi, që ne ja dimë të gjitha, pasi në Francë…”/ Zbulohet letra e vëllait të Musine Kokalarit, nëntor 1944
“Oficerët e Sigurimit e tërhoqën me forcë dhe nuk e lanë të përqafonte gruan e tij bukuroshe, jugosllaven, Anica, me fëmijën një muajsh që po i jepte gji, të cilës…”/ Historia tragjike e familjes nga Kuçova
“Marrëdhënia e saj me Ernest Koliqin, i kishte fillesat në periudhën e shkollimit në Itali, kur, sikurse Kasimati shprehej…”/ Historia e panjohur e shkencëtares së famshme, që u pushkatua nga Enver Hoxha
Eqerem Çabej

Nga Dr. Ledia Dushku dhe Doris Pasha

Pjesa e tretë

     “Regjimi komunist dhe studiuesi”, rasti i biologes Sabiha Kasimati

Memorie.al / Artikulli ‘Regjimi komunist dhe studiuesi’: rasti i biologes Sabiha Kasimati, ka si qëllim të paraqesë aspekte thelbësore të veprimtarisë së Sabiha Kasimatit, si intelektuale dhe studiuese, të vendosura në kontekstin historik të kohës. Analiza në radhë të parë synon, t’i japë përgjigje pyetjes, se kush ishte dhe çfarë përfaqësonte Sabiha Kasimati, para vendosjes së regjimit komunist, për të kuptuar në vijim sjelljen e regjimit karshi saj. Paraqitja në disa këndvështrime e personazhit, ndihmon lexuesin të kuptojë deri në çfarë mase sjellja e regjimit ndaj intelektualit, kushtëzohej nga veprimtaria shkencore, tiparet e profilit psikologjik, apo marrëdhënia me drejtuesit e lartë komunistë, në rastin e Sabiha Kasimatit me vetë Enver Hoxhën.

Gjithashtu mund të lexoni

“Me nënqeshje, marrshalli i zonës na tha; na e mori të keqen një komunist nga të mëdhenjtë, forcat tona rrethuan banesën në shoqëri tri femrash të dorës së butë…”! / Dëshmia e rrallë e shoqes së Qemal Stafës

“Kryeministri, s’lë vend pa shkelur, por s’gjeti një herë kohë, të shkojë në atë djep të kulturës dhe historisë shqiptare, në shtëpinë muze të Vëllezërve Frashëri…”?! / Refleksionet e publicistit të njohur

                                               Vijon nga numri kaluar

Krahas punës intelektuale, aspekti i dytë që kushtëzoi marrëdhënien e regjimit komunist me Sabiha Kasimatin, ishte natyra e çlirët në marrëdhënie me njerëzit, liria për të shprehur hapur mendimin, si dhe për të kundërshtuar politikat ekonomike, kulturore që regjimi komunist po ndiqte në Shqipëri. Për këtë arsye, ajo duhet të jetë vënë në survejim që herët nga Sigurimi i Shtetit, duke u konsideruar; “armike të pushtetit popullor”. Deri më sot, të dhëna të drejtpërdrejta për kohën dhe nivelin e survejimit nuk kemi, përderisa nuk ekziston një dosje personale formulare, në fondin e Arkivit të Sigurimit të Shtetit.

Sipas ish-drejtorit të Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, studiuesit Kastriot Dervishi, dosjet personale formulare të Sigurimit të Shtetit, për të gjithë ata që u ekzekutuan më 22 shkurt 1951, nën akuzën e bombës në Legatën Sovjetike, pjesë e të cilëve është edhe Kasimati, janë eliminuar.

Megjithatë, disa informacione në lidhje me Sabiha Kasimatin, kemi mundur t’i gjejmë nëpërmjet kërkimit të tërthortë, duke konsultuar dosjen formulare të Eqrem Çabejt, studiues në Institutin e Shkencave. Aty kupton se Kasimati, i shprehte hapur pakënaqësitë e saj ndaj regjimit. Në raportin e bashkëpunëtorit të Sigurimit, me pseudonimin “Prurësja”, më 27 prill 1950, bëhet me dije se, Sabiha Kasimati kishte thënë: “Është interesante të kesh gjithë numrat e gazetave që përmbajnë diskutimet, sesa raportin e Komandantit. Kush e humb kohën kot, kurse në diskutime, mund të gjesh gjëra interesante”!

Kritikuese shfaqej ajo edhe në lidhje me “diskutimin që kish bërë gjeneral-leitnant Mehmet Shehu, për ‘Grupin e të rinjve’, duke i akuzuar si të dobët nga morali”. Në raport tregohej se Kasimati, kishte shprehur pakënaqësi për politikat e ndjekura nga drejtuesit komunistë, në lidhje me kuadrin: “Udhëheqësit tanë, kur duanë të venë ndonjë tjetër në Komitetin Qendror, që e kanë më të besimit, heqin ndonjë që e kanë pasur, por që ju ka humbur besimi. I venë ca akuza të kota, që në qoftë se ay i ka zbatuar, prapë me urdhrin e tyre, i ka zbatuar”!

Në raportin e datës 22 shtator 1950, sërish të bashkëpunëtorit “Prurësja”, evidentohej se; “Kasimati takohet me kapterë dhe gra të cilat, kanë burrat kriminelë me damkë”. Madje, ajo shprehte pakënaqësi në lidhje me situatën ekonomike dhe varfërinë në vend, që konstatohet në thëniet e saj: “Shtypi dhe radio, thonë se amerikanët i ushqejnë t’arratisunit me mish kali, por ky i këtyre kutive këtej, ça është vallë? Se neve nuk i kemi as këto. Rallë na bie t’i kemi, edhe këto me ndërmjetësinë e miqve tonë”!

Ndërkohë, në raportin për Institutin e Shkencave, të datës 3 shtator 1950, që Misto Treska, përgjegjës i Seksionit të Kulturës dhe Arteve në Drejtorinë e Agit-Propit në Komitetin Qendror të PPSh-së, ia dërgonte Bedri Spahiut, e konsideronte Sabiha Kasimatin, së bashku me Eqrem Çabejn; “njerëz që as politikisht as ideologjikisht, nuk kanë asgjë të përbashkët me ne, madje as që mund të edukohen apo korrigjohen”!

Fundi tragjik i biologes Kasimati

Momenti më kulmor në marrëdhënien e regjimit komunist me Sabiha Kasimatin, është arrestimi dhe ekzekutimi i saj, së bashku me 21 persona të tjerë, shumica tregtarë, nëpunës të shtetit, të akuzuar për sulmin ndaj Legatës Sovjetike. Vendosja e “bombës” në Legatën Sovjetike, më 19 shkurt të vitit 1951, do të konsiderohej si sulm terrorist ndaj regjimit dhe do të përdorej si pretekst për fillimin e një spastrimi ndaj “armiqve të popullit”.

Në mbledhjen e Byrosë Politike, më 20 shkurt 1951, Mehmet Shehu deklaroi: “Duhen të merren masa të jashtëzakonshme, pa marrë parasysh ligjet në fuqi. Një masë të tillë ne e kemi marrë edhe kur u vra Bardhok Biba, d.m.th., kemi pushkatuar edhe jashtë ligjeve në fuqi. Ne, duhet terrorit t’i përgjigjemi me terror dhe këtë mund ta bëjmë me plot ndërgjegje dhe me gjakftohtësi. Ne i kemi pregatitur listat e arrestimeve dhe po të jeni ju dakord, veprojmë që sonte”?!

Menjëherë nisën arrestimet. Studiuesi Kastriot Dervishi, pas konsultimit të dokumenteve në Arkivin e Ministrisë së Brendshme, ka arritur në përfundimin se proceset janë mbyllur me të shpejtë, pa u bërë hetim real. Po sipas tij, regjimi e komunistët vuanin nga kompleksi i inferioritetit, kishin frikë nga njerëzit e arsimuar dhe të shkolluar dhe çdo veprimtari të tyre, e interpretonin si “veprimtari armiqësore”.

Ndërsa studiuesi Uran Butka, në lidhje me sa më sipër shprehet:

“Ky ishte dhe motivimi politik i kupolës komuniste për masakrën me pretekstin e ‘bombës’ në Legatën Sovjetike. ‘Të arrestojmë 100 ose 150 veta dhe të pushkatojmë nja 10 ose 15 prej tyre, pa marrë parasysh ligjet në fuqi’. Pra, ishin vetë partia, vetë pushteti politik, që shkelnin ligjet dhe kryenin një krim shtetëror, një terrorizëm shtetëror, një gjenocid me përmasa të mëdha për motive politike e pushtetore”.

Sabiha Kasimati, u arrestua më 20 shkurt 1951 dhe u pushkatua një javë më pas. Emri i saj, çuditshëm, ishte vendosur në listën e sektorit të dytë të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, ku përfshiheshin “ballistët, legalistët dhe pronarët”. Ajo akuzohej se ishte kundër regjimit dhe se mbante lidhje me elementë armiq. Sipas dosjes hetimore: “Gjatë okupacionit ka pasur marrëdhënie me elementë fashistë, shqiptarë e italianë. Ajo mban qëndrim armiqësor ndaj pushtetit, flet kundër reformave dhe mban kontakte me elementë armiq…!

Ajo akuzohet gjithashtu se; ka pasur kontakt me deputetin anglez Lester Hutchiston. Gjithashtu, ka mbajtur kontakte me njerëz të misionit anglez, si V. Robinson dhe anëtarin e misionit të UNRRA-s, J. S. Payne, me të cilin ka pasur lidhje të ngushta. Ajo akuzohet si armike e betuar e pushtetit të sotëm. Ka urrejtje karshi tij dhe sidomos karshi komunistëve, kritikon moralin komunist, etj.!

Sipas proces-verbalit të mbajtur nga Gjykata Ushtarake, pretendohet se Kasimati u është përgjigjur akuzave si vijon: “Akuzën e pranoj pjesërisht. Kam qenë kundra pushtetit popullor, sepse nuk përputhet me ideologjinë time. Unë nuk kam qenë kurrë e mendimit që me akte revolucionare, të arrihet në komunizëm, jam lidhur me një grup shokësh të cilët edhe ata kanë qenë armiq të Partisë Komuniste.

Ndër shokët e grupit tim, ka pasur edhe njerëz që mendonin se duhet të hidheshin në aksione kundër pushtetit. Unë vetë nuk kam kryer ndonjë atentat dhe as që kam marrë pjesë në ndonjë mbledhje, ku është marrë vendim për akte terroriste. Ka bërë vaki, që të kem folur se një luftë e re është e paevitueshme dhe se kjo është në interes të popullit shqiptar. Gjë tjetër, s’kam për të thënë”.

Që procesi ka qenë i manipuluar, del edhe nga dëshmia e pretenduar se është dhënë nga Kasimati, pjesë e dosjes formulare të Eqrem Çabejt. Ajo është e ndryshme nga dëshmia që gjendet në dosjen hetimore të Sabiha Kasimatit dhe të ekzekutuarve të tjerë të shkurtit 1951, duke implikuar emra konkretë të kolegëve të saj, në Institutin e Shkencave. Me sa duket, Sigurimi i Shtetit, i cili e konsideronte Institutin e Shkencave “objekt ku janë grumbulluar njerëz me shumë interes…”, kishte përshtatur më vonë, në kohë dëshminë e saj.

Sipas dëshmisë: “Nga elementët që janë kundërshtarë të pushtetit të sotëm dhe që presin ndryshimin e situatës, janë: Eqrem Çabej, Injac Ndoja, Rrok Zojzi, Zef Boriçi, Stiliano Gaxho, Andromaqi Gjorgji [Gjergji] e Sotir Paparisto, të gjithë me punë në Institutin e Shkencave. Me të cilët në raste të ndryshme kam folur, duke kritikuar reformat e pushtetit si Reformën Agrare, goditjen e tregtarëve, politikën e jashtme që ndjek shteti, kemi komentuar lajmet e radiove të huaja mbi jetën e vendeve perëndimore dhe mbi ndryshimin e situatës.

Për këto gjëra, konkretisht kam biseduar në hotel ‘Dajti’ me Petro Fundon dhe Eqrem Çabejn, në zyrë me Sotir Papariston, në muze me Injac Ndojin, Zef Boriçin e, Steljano Goxhon. Në shtëpinë e Rrok Zojzit, me Eqrem Çabejn, Petro Fundon, Sandër Saraçin e, Rrokun. Në zyrë dhe në shtëpinë time, me Gjergj Gecon dhe Andrimaqi Gjorgjin”.

Studiues të ndryshëm hedhin idenë se këto proces-verbale janë shkruar nga vetë anëtarët e Partisë, pasi koha në të cilën ndodhi e gjithë ngjarja, ishte shumë e shkurtër. Studiuesi Uran Butka, duke u mbështetur në dëshminë e prokurorit të Përgjithshëm, Siri Çarçani, më 17 nëntor 1993, ku pohohet se;

“Gjykata e Lartë Ushtarake, nuk ka zhvilluar gjyq fare ndaj të pandehurve”, si dhe në shqyrtimin e proces-verbalit ku mungojnë firmat e trupit gjykues, arrin në përfundimin se; jo vetëm që nuk është bërë ndonjë gjyq, por janë fabrikuar e falsifikuar procesverbalet nga Gjykata e Lartë Ushtarake, pas ekzekutimit pa gjyq të 22 personave të pafajshëm.

Për ekzekutimin e tyre, sistemi komunist u mjaftua me një dekret të hartuar me urgjencë më 26 shkurt 1951, ku mes të tjerash thuhej se; gjyqi bëhej pa pjesëmarrjen e palëve dhe se kundërshtimi i vendimit; nuk lejohej. Vrasja e Sabiha Kasimatit, së vetmes femër në grupin e të pushkatuarve, menjëherë pas rënies së regjimit komunist, ka ngjallur debate dhe diskutime të ndryshme, në opinionin publik shqiptar. Ka prej tyre që pohojnë se ajo është pushkatuar, sepse në një takim me Enver Hoxhën, apo letër të shkruar për të, ka kritikuar mënyrën se si Hoxha po qeveriste vendin.

Në fjalën e mbajtur në ceremoninë përkujtimore; “Sabiha Kasimati: figura, vepra, përndjekja dhe diktatura”, arkivistja Gentiana Sinojmeri, kumton: “Me aq sa e njohim historinë diktatoriale të komunizmit, ndoshta ka qenë e vetmja grua që shfaqi si një shuplakë profecinë e saj, duke i thënë Enver Hoxhës: ‘Ti po vret të gjithë intelektualët! Me çfarë ke ndërmend ta ndërtosh Shqipërinë, me këpucarët dhe teneqexhinjtë?!

Ne kemi bërë kërkimet e nevojshme në dosjet e klasifikuara të Arkivit Qendror të Republikës së Shqipërisë dhe në materialet e dosjes së hetuesisë së të akuzuarve për bombë në Legatën Sovjetike, por nuk kemi gjetur një letër të Sabiha Kasimatit, për Enver Hoxhën. Ndërkohë, familjarë të saj, në intervistat e dhëna në shtypin e përditshëm, pohojnë se emri i Sabihasë, në listat e personave që do të pushkatoheshin, ishte vendosur nga vetë Enver Hoxha, “pasi ai i ekzekutoi të gjithë ata që e njihnin dhe Sabihaja ishte një prej tyre”, duke qenë bashkënxënës në Liceun e Korçës.

Sipas Viktor Kasimatit, nipit të Sabihasë: “Ajo kishte një guxim të jashtëzakonshëm, për t’i thënë hapur mendimet dhe se e njihte mirë kapacitetin intelektual të Enver Hoxhës, por edhe natyrën e tij prej Don Zhuani dhe njeriu pa moral e vlera. Ajo filloi të fliste hapur për Enver Hoxhën, duke e akuzuar si faktorin kryesor për goditjet që po merrte elita shqiptare”.

Pa mohuar këtu marrëdhënien personale të diktatorit me Sabiha Kasimatin, arsyet e ekzekutimit të saj, mbartin të ngërthyer një sërë faktorësh, që lidhen sa me tiparet e profilit njerëzor të Kasimatit, punën që ajo bënte, po aq edhe me modelin e emancipimit që regjimi komunist, donte t’i injektonte femrës shqiptare.

Fakti se Sabiha Kasimati kishte një karakter të guximshëm për të shprehur atë që mendonte, natyrë të çlirët e mendje të hapur, evidentohet qartë edhe në relacionet e përgjimit të përgatitur për Sigurimin e Shtetit. Në një prej tyre, realizuar në vitin 1954, bashkëpunëtori me pseudonimin “Prurësja”, e tregon hapur arsyen e sjelljes ekstreme të regjimit ndaj saj: “Lëre mos e pyet, nuk e bënte zap gojën ajo”!

Përfundime

Sabiha Kasimati, për kohën në të cilën jetoi, ishte një femër e shkolluar dhe e emancipuar, e pavarur si në mendime ashtu edhe në mënyrën e organizimit të jetës personale. Ajo ishte kthyer nga Italia me një bagazh të konsoliduar të dijeve shkencore, të cilat do të kontribuonin për një Shqipëri më të mirë dhe më të zhvilluar, aspak totalitare dhe marksiste-leniniste, ashtu sikurse komunistët kishin vendosur.

Kasimati zotëronte tipare të dukshme të një studiueseje të re, skrupuloze dhe vizionare. Puna për Muzeun e Shkencave dhe monografinë Peshqit e Shqipërisë pa dyshim ishin hapa të rëndësishëm jo vetëm në konsolidimin e saj profesional, por edhe domosdoshmëri për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë së vogël e të prapambetur. Me karakterin dhe përgatitjen intelektuale që zotëronte, rrethin e gjerë shoqëror me intelektualë shqiptarë dhe personalitete të huaja, Sabiha Kasimati e sfidonte dukshëm regjimin dhe mentalitetin e kohës.

Ajo guxoi të fliste hapur dhe të artikulonte pakënaqësitë që kishte ndaj regjimit, ndonëse disa prej miqve të saj, kishin pasur një fund tragjik, siç ishte rasti i Selahudin Totos, i pushkatuar nga regjimi komunist, me “Grupin e Deputetëve”. Pushkatimi dhe vrasja e dhunshme e Sabiha Kasimatit, ishte projektuar nga regjimi në kuadër të eliminimit të kundërshtarëve të tij politikë.

Heqja nga jeta publike dhe intelektuale e grave të tilla të shkolluara, si Sabiha Kasimati apo Musine Kokalari, eliminonte gjithashtu edhe një tjetër model të emancipimit të femrës shqiptare. Gruaja e emancipuar që regjimi propagandonte, duhej të ishte revolucionare dhe e brumosur me ideologjinë marksiste-leniniste. Si një proces kryesisht i imponuar nga lart, emancipimi i femrës shqiptare, më shumë sesa emancipimin real dhe ndërgjegjësimin për të drejtat dhe vlerat që ajo mbartte, synonte sigurimin e një fuqie të konsiderueshme punëtore dhe subjekti prodhues.

Në një shoqëri mashkullore dhe të pa emancipuar ky model e vendosi gruan në një barrë të dyfishtë. Ajo do të duhej të punonte dhe të arrinte normat e punës, ndërsa kur të kthehej në shtëpi, do të duhej të përmbushte rolin e nënës, të bashkëshortes, të zonjës së shtëpisë, pa pasur kohë dhe mundësi për të menduar për veten. Ky emancipim në realitet, ishte nënshtrim dhe mos ngritje zëri, ndaj padrejtësive që i bëheshin. Regjimi, nëpërmjet sjelljes karshi Sabiha Kasimatit, u kishte dhënë tashmë mesazhin, se si përfundonin gratë mendje hapura, të guximshme dhe sfiduese ndaj autoritetit mashkullor dhe atij shtetëror. Memorie.al 

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Kur tufa kaptoi kufirin, m'u fanit sekretari i partisë, dhe komisari repartit, që na flisnin për mizoritë greke, për pabesitë e për therjet në gjumë, por ata...”/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit të Spaçit

Next Post

Kalendari Historik 23 Shtator 2024

Artikuj të ngjashëm

“Me nënqeshje, marrshalli i zonës na tha; na e mori të keqen një komunist nga të mëdhenjtë, forcat tona rrethuan banesën në shoqëri tri femrash të dorës së butë…”! / Dëshmia e rrallë e shoqes së Qemal Stafës
Personazh

“Me nënqeshje, marrshalli i zonës na tha; na e mori të keqen një komunist nga të mëdhenjtë, forcat tona rrethuan banesën në shoqëri tri femrash të dorës së butë…”! / Dëshmia e rrallë e shoqes së Qemal Stafës

June 5, 2025
“Kryeministri, s’lë vend pa shkelur, por s’gjeti një herë kohë, të shkojë në atë djep të kulturës dhe historisë shqiptare, në shtëpinë muze të Vëllezërve Frashëri…”?! / Refleksionet e publicistit të njohur
Personazh

“Kryeministri, s’lë vend pa shkelur, por s’gjeti një herë kohë, të shkojë në atë djep të kulturës dhe historisë shqiptare, në shtëpinë muze të Vëllezërve Frashëri…”?! / Refleksionet e publicistit të njohur

June 4, 2025
“Musolini, Hitleri dhe Stalini, ua kaluan edhe sulltanëve, për gratë me të cilat shkuan; apo me bashkëshortet e shokëve të tyre, si…”/ Refleksione për librin e Spiro Mëhillit, “diktatorë dhe aventurierë”!
Personazh

“Musolini, Hitleri dhe Stalini, ua kaluan edhe sulltanëve, për gratë me të cilat shkuan; apo me bashkëshortet e shokëve të tyre, si…”/ Refleksione për librin e Spiro Mëhillit, “diktatorë dhe aventurierë”!

May 27, 2025
“Sapo merrnin vesh që kishim njerëz në burg, banorët e Burrelit, mbyllnin portat e as një pikë ujë nuk të jepnin për fëmijët, kurse në të vetmin hotel që ishte aty…”/ Kujtimet e Sofika Prifti Cara   
Personazh

Nikoll Preng Tuci nga Oroshi i Mirditës dhe me banim në Bruksel, që vuajti 25 vite në burgjet komuniste, nderohet në 90-vjetorin e lindjes, nga Bashkia e Rrëshenit dhe Shoqata e ish-të Dënuarve Antikomunistë

May 27, 2025
“Kur Mehmet Shehu i tha; ti Prekë, po të ishe me ne komunistët, do ta kishe mbyll jeten me ‘kapak ari’, Prekë Cali, ju përgjigj…”/ Historia e panjohur e “piramidës së gjallë” të kufijve të Shqipërisë
Personazh

“Kur Mehmet Shehu i tha; ti Prekë, po të ishe me ne komunistët, do ta kishe mbyll jeten me ‘kapak ari’, Prekë Cali, ju përgjigj…”/ Historia e panjohur e “piramidës së gjallë” të kufijve të Shqipërisë

May 21, 2025
“Në vitin 1943, Enver Hoxha shkruante me entuziazëm në buletinet e luftës; Bazi i Canes, lufton si luan dhe askush s’mund të nënshtrojë Shqipërinë, me heronj të tillë…”/ Dëshmia e rrallë e Fatbardh Kupit
Personazh

“Në vitin 1943, Enver Hoxha shkruante me entuziazëm në buletinet e luftës; Bazi i Canes, lufton si luan dhe askush s’mund të nënshtrojë Shqipërinë, me heronj të tillë…”/ Dëshmia e rrallë e Fatbardh Kupit

May 20, 2025
Next Post
Kalendari Historik 01Shtator 2024

Kalendari Historik 23 Shtator 2024

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • English
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
error: Content is protected !!