Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e njëzetedy
Memorie.al / Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetëvjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.
Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!
Autori
SHKËLQIM ABAZI
R E P S I
(Kampi i punës së detyruar)
Memuaristikë
Do përmend një bisedë mes Patër Zef Pllumit dhe Dom Mark Hasit, në prezencën time, mbas daljes nga biruca, ku kisha kaluar rreth një muaj izolim me priftin: “Fra Zef, me kët djalin kena kalue nji nat lidh pas shtyllave. – ia nisi zërin kumbues Dom Marku. – Nj’atje mbas shtyllës, i jena lut t’Madhit 2ot, me na dhan kurajë. Qe besa, jam ndi fort i ligshtuem, m’bahej se e mora vet m’qaf. Po desh Zoti me t’Madh t’Vet, e kaluem ene kët kasavet”!
“Dom Mark, gjej rastin të të falenderoj për shembullin e rezistencës tënde dhe kurajon që më dhatë. – e ndërpreva. – Po mos të kishit qenë juve, s’di si do ta kisha shtyrë atë natë, mund edhe t’iu isha lutur të më zgjidhnin, si ai miku para nesh! Më dhatë leksionin më të shkëlqyer moral. Edhe njëherë ju falenderoj”!
“Dom Mark, ndërhyri patër Zefi, – kët ma kan paraqit miqt e mi; Daut Runa, Sulo Gorica, Esheref Zaimi dhe Vaska, para se me e shti n’qeli. Tash, sa ke dal ti kah izolimi e, m’ke fol, t’kam than, se duhet me e mbruejt. Dom Mark, na jena t’vjetën fort, na kan dnue gjatë, komunistët na jan betue mos me na qit gjallë prej njitu. Kena mbet veç nji grusht priftërinjsh, që Zoti na ka ruejt deri tash, ama jeta e ka nji cak dhe askush s’asht i përjetshëm, në kët dynja. Ato që mundna, duhet m’i rr’fye, që kta t’mujn me ua tregue brezave. Ndigjo djal! – m’u drejtua mua.
“Ktu, s’ka shum mundsi zgjedhje, jan veç dy rrugë: njana e gjatë e plot mundime, me studjue, me studjue, me studjue! Dhe tjetra ma e lehtë: me u ba palë me komandën. Sigurisht, rruga e parë tapo t’lodh fizikisht, po t’qet n’selamet e, t’ban t’respektuem ndër shoqni e miqsi, veç ke me e mbyll d’nimin kokërr më kokërr! Ene e dyta, ka me t’lodh shpirtnisht, t’nep do g’zime; momentit, po t’ndryn portat e jetës e, prapë ke me mbyll d’nimin po kokërr më kokërr! Pra, në të dy rastet, e njajta gja, veçse finalja asht një karakteristikë, o pak ma e but, o pak ma e ashpën; si rob i thyeshëm, apo i qëndrueshëm. Në fund në nji qafë mbërrijnë; o i nënështruem, o n’intemim; o survejues, o i survejuem”!
Nën shembullin e këtyre burrave të mëdhenj, e zgjodha rrugën time; libra, libra dhe libra. Një rrugë e mundimshme, e thepisur, tepër e lodhshme por shumë joshëse. Me t’i hyrë kësaj valle, i harrova sakaq telat me gjemba, rojet me pushkë, policët me shkopinj, prangat e hekurta; u zhyta në një realitet krejt ndryshe nga ai që më qarkonte, ndihesha në harmoni me mendimin- dhe shpirtin tim. Atëbotë i kuptova besimtarët, që luten të përballin më lehtë dallgët e pamëshirshme të jetës.
Falë kësaj bote plotë kuptim, arrita t’i mbijetoja mizerjes komuniste, të kapërceja situata nga më të ndërlikuarat, në burg dhe jashtë. Një pjesë e bashkëvuajtësve dhe e bashkëmoshatarë të mi, që s’e morën mundimin t’i qepeshin kalvarit, o ngaqë u lodhën shpejt dhe e braktisën, o s’i hynë fare këtyre derteve, iu desh të përballeshin me pasoja të pariparueshme, në vitet e gjata të burgut. Mandej, disa u ridënuan, të tjerët përfunduan me vetëdije, mbi telat me gjemba.
Bota e librave më rrethoi me një farë imuniteti, që vetëm kush e ka provuar, mund ta kuptojë. Mbasi fitova mirëbesimin e atij prifti, që veç Jezu Krishtit s’i besonte as këmishës së vet, më foli shpesh për tema të ndryshme. E kuptoja merakun e tij, donte të mos shkonte dëm trashëgimia e mësuesve të vet. I ish fiksuar ideja, se s’do t’i mbijetonte dot skëterrës komuniste, dhe s’kish faj, ish përherë i paushqyer e me një koleksion të tërë sëmundjesh qe e mundonin. Për të mos e shkurajuar, ndonëse edhe vetë s’e besoja, i mëshoja refrenit: “Patër Zef, ti do jetosh gjatë dhe gjithë këto që na tregon neve, do kesh shansin t’i kthesh në vepra”!
Por desh Zoti, të plotësohej kjo profeci, ai të rronte dhe të na linte trashëgim një sërë veprash të pavdekshme, si; “Rrno për me tregue”, ” Françeskanët e mëdhenj”, e dhjetëra artikuj filozofik, shkencor, teologjik, studime dhe referate të mbajtura në universitetet më në zë të Perëndimit, ku e nderuan dhe laureuan me titujt; Profesor Doktor Honoris Causa. Miqësinë, që krenohem dhe i jam shumë mirënjohës, do ta vazhdonim deri në udhëtimin drejt amshimit, të këtij prifti tribun.
Në meshën madhështore të përshpirtjes për përcjelljen e tij, organizuar nga Kisha Katolike në Katredales së Shkodrës, do isha në bangat e para. Gjithashtu, së bashku me bashkëvuajtësit e mi, do isha në rreshtat e kreut, në varganin e pafund të procesionit, në varrimin e tij te Kuvendi i Arrës së Madhe, ku pa dallime fetare, me hidhërim të thellë, përcollëm në banesën e fundit udhëheqësin e madh shpirtëror. Por edhe shumë farisenjë, ata që me gjallje i shkaktuan aq dhimbje e fatkeqësi, tani për syxhihane, ndiqnin kortezhin mortor, gjasme respektonin të vdekurin e madh.
Kohët ndryshuan, ndryshuan edhe rolet. Ata pak të mbijetuar që i shpëtuan kosës së vdekjes, tashmë i përcillnin për në varr, xhelatët e tyre. S’di, nëse këta të fundit ato çaste ndjenin ndonjë farë pendese për demin e pariparueshëm që i shkaktuan popullit dhe në veçanti katolikëve? përgjigje mjaftë e vështirë për mua dhe shokët e mi të burgjeve, veçanërisht për të cilit po i jepnim lamtumirën e mbrapme. Kur pashë atë vargan njerëzish pambarim, me bindje të ndryshme, por edhe pikëpamje të kundërta politike, se ç’m’u kujtua sentenca që përsëriste At Zefi, kur fliste për mëkatarët e për institucionin e faljes:
“Ka me mbërrit ajo ditë, kur kan me na ardh te kryet e vorrit, me na kue falje! Po na, a kena me i fal? S’e dij, qe besa? Tash, po iu gjigjem fjalët e Jesusit: “Fali o Zot se s’dinë ç’bajn”! E pra, fundja na kena me i falë, edhe pse do jetë shumë vonë, e ndjesa s’do t’i vlejë kujt!” dhe vërtetë, ai burr i urtë dinte të falte me të njëjtën fisnikëri siç dinte edhe të urrente. Fatmirësisht, kur më çuan në Reps, burgjet politike dominoheshin nga idealistët nacionalistë; ballistë e zogistë, pak revizionistë devijatorë dhe pak, fare pak, spiunë e imoralë.
Përgjithësisht intelektualët e atyshëm, ishin të formuar në shkollat më të zëshme Perëndimore dhe Lindore. Por edhe të pashkolluarit, me origjinë nga zonat rurale, ishin rritur dhe edukuar, nën hijen e oxhaqeve dhe kishin përvetësuar kulturën e odave, paçka se arkaike, por shumë dobiprurëse. Pa vënë re mangësitë metodike, ajo ka qenë një shkollë e vyer, për përçimin e traditës shumëshekullore shqiptare, nga brezi në brez. Edhe ata që rridhnin prej vegjëlisë qytetare, me gjithë arsimimin e cunguar, kishin trashëguar traditat më të mira, të qytetarisë nga vinin.
Të burgosurit e vjetër të fundviteve dyzet-pesëdhjetë, gëlonin ende me shumicë në burgje atëkohë dhe të dënuarit e rinj, që do të trashëgonin prej tyre stafetën, shkriheshin natyrshëm me atë grupim. Me përjashtime minimale, në burgjet politike, fusnin e nxirrnin persona që rridhnin nga të njëjtat fise e familje; kështu, sa mbërrinte një i burgosur i ri, do gjente aty kush babanë, një tjetër xhaxhanë, i treti vëllanë, dikush kushëririn, dikush bashkëfshatarin apo, miqtë e vjetër të familjes e të idealeve. Spiunët dhe imoralët, ishin në minorancë, ndiheshin të përbuzur nga pjesa e ndershme, madje edhe vetë punonjësit e komandës, i urrenin për rolin që iu ngarkonin; mbasi i shfrytëzonin deri në maksimum, i flaknin si limonë të shtrydhur dhe i linin mandej, në mëshirën e viktimave të tyre.
Shpesh kish ndodhur, që ndonjë mjeran, ta kuptonte qorrsokakun ku e kishin shtënë dhe të bëhej pishmënd, për zvetënimin moral që kish pësuar; atëherë, nën peshën e fajit, tentatonte ta shlyente atë, me sa mund të shlyhej dëmi që u kishte shkaktuar bashkëvuajtësve të vet; dhe kur s’ia arrinte, i dërrmuar shpirtërisht, gjente si rrugë shpëtimi më të mundshëm, hedhjen me vetëdije mbi telat e rrethimit, ku e grinin pa mëshirë breshëritë e plumbave të “Kallashnikovit”, apo përfundonte i vetëvarur në ndonjë zgarë dritareje, në qelitë ku i kishin shpënë për t’ia nxjerr dëshmitar të rremë ndonjë rishtari. Një pjesë e këtyre fatzinjve moralthyer, mbushën pavionët psikiatrikë ku, o përfunduan kavje didaktike, për praktikantët, por, edhe në arritën të mbijetonin, dolën të katandisur për ibret, sa; “me i’u dhimbs gurit dhe drunit”!
Mbas revoltës së Spaçit, më 21.05.1973 në burgje aplikuan një terroi fizik e psikologjik të paparë e të padëgjuar deri atëkohë. Çdo ditë dhjetëra të dënuar përfundonin të lidhur mbas shtyllave elektrike dhe nt nibrëmje, në qelitë e izolimit. Mirëpo ngaqë me numrin e birucave qi dispononin, s’e përballonin dot këtë fluks, sepse aq ishte kapaciteti i tyre strehues, atëherë një pjesë të ndëshkuarish, e kalonin natën jashtë, duke numëruar yjet në firmament. Medemek që të përmirësonin strukturën, nënkupto për të mbajtur nën kontroll situatën, loja me transferime arriti pikun, e rritën artificialisht sasinë e spiunëve e të imoralëve, që i sillnin nga kampet e tjerë, sidomos të dënuar për krime ordinere.
Terrori policor u shndërrua në terror shtetëror dhe, me shpejtësinë marramendëse të përhapjes së rrathëve koncentrikë në një pellg uji, i kapërceu telat me gjemba të burgjeve e, zaptoi krejt hapësirën e kënetës socialiste, me emrin Shqipëri. Lufta e klasave, nën shëmbëlltyrën e po këtyre rrathëve koncentrikë, u shtri edhe brenda gjirit të vetë Partisë Komuniste. Tashmë herarkët po hanin kokat e njëri tjetrit, kështu ca vite më pas, në burgje do gjeje më tepër të dënuar nga shtresa ish komuniste, të cilët i kishte zënë “rrota” në luftën e bërrylave, brenda llojit. Të burgosurit e vjetër, sa vinte e po rralloheshin, një pjesë si pasojë e kosës së vdekjes, të tjerët mbasi plotësonin afatet e dënimit, i çonin të ngrysnin pleqërinë në internim. Por edhe ata që mbetën në burg, s’ishin më të aftë për punë, ndaj i grumbulluan në kampet e pleqve në Ballsh, në Zejmen dhe më prapa, në Shën-Vasi, ku vdekja bënte kërdinë.
Sipas dëshmive të miqve të mi, që vazhduan të vuanin dënimin ende, në këto vite u bë e vështirë të gjeje miq, me të cilët të këmbeje hapur opinione politike apo, thjeshtë për muhabet. Përgjimet s’të ndaheshin, në çdo cep do gjeje nga një spiun. Ri dënimet u bënë të përditshëm, si buka, aq sa nisën të qarkullonin barsoleta, për gallatë. Ja njëra nga ato: “Kur e pyetën një të dënuar me pesë vjet; sa të kan dënuar? Ai përgjigjet: pesë! “Sa t’u bënë”? “Pesëmbëdhjetë”! “Edhe sa të kanë mbetur”? “Edhe njëzetepesë”! Pra, dihej vetëm data e hyrjes, po jo e lirimit!
Një nga miqtë e mi të atyre viteve, Pjetër Arbnori, i cili pati fatin e keq të bënte afër tridhjetë vite burg, kur doli do më tregonte me humor për këto hynere: “Çim vëllai, qe fatbardhë që nuk zgjate shumë, se edhe vet burgun e futën në burg! Për me gjet dikënd me këmbye dy llafe, u katandisëm si në kohën e Diogjenit, duhej me iu ra burgjeve kryq e tërthuer, me qiri n’dorë”!
Po le të spostohemi në kohën time dhe te tregimi im. Brigada ku unë punoja, ish kthyer në skutë strehimi, për disa nga njerëzit më të urryer të burgjeve, ca shkapërdarë e spiunë birucash, apo minj, siç i quanin me përbuzje. Këta, meqë ndiheshin të përçmuar dhe inferior, sepse të ndershmit i trajtonin me neveri dhe i kishin sikterisur me kohë, synonin të shtrinin kthetrat e infektuara, mbi të dënuarit e sapoardhur, që ende s’ua njihnin bëmat. Natyrisht, një ndikim të padiskutueshëm në këtë kuturi amorale, kishte edhe operativi i kampit, i cili i nxiste të korruptonin rishtarët, mandej në varësi të rezultatit që arrinin, i vlerësonte dhe i shpërblente, me vende pune të rehatshëm e me dopioracion ushqimor.
Që javët e para kur nisa punë në brigadën e “gjytyrymët”, pata rastin të ndeshja një të tillë. Si përditë, iu drejtova vijave të thëngjillit, ku më priste kanali. Përfund korridorit, më zuri syri një si hije, që u zhvendos me shpejtësi drejt kovaçhanës. Për momentin s’i kushtova rëndësi, sepse hije të tilla, lëvrinin rëndomë brenda asaj godine. Pa kaluar as dhjetë minuta, në sallën ku punoja, u fut një lugat i kruspullosur, veshur me petka ngjyrë kafe dhe me opinga llastiku. Këto detaje i vura re, sepse figura më zuri dritën e pakët dimërore, që hynte nga dritarja e veshur me ristela. E mata me sy që nga opingat e llastikta, deri te fytyra e murrëtyer. Që në basurret, s’më pëlqeu kjo figurë e puriqur.
“Kur kalova para kovaçhanës, Qazimi më dha këtë daltën e, më porositi të ta jepja ty”! – më gërrici veshët një zë i mbytur. Fliste dhe bridhte shikimin rreth e rreth, pa e përqendruar kërkund, si të kërkonte të zbulonte ndonjë të fshehtë. Figurën e puriqit, me të folmen gërvishëse, i lidha bashkë dhe përftova hijen e kruspullosur, të pak minutave më parë. As vet s’e shpjegoj dot, si më lindi në kokë kjo ide, por nuk dyshova më: “Ky duhet të jetë njeriu hije!” E hetova me vëmendje; ai vështrim i shpërqendruar dhe ajo pamja mjerane, seç më lanë një shije të hidhur.
“S’më nevojitej tani! – ia ktheva thatë. – Kur të më duhej, do kaloja vetë andej. Gjithsesi, faleminderit”! – dhe kryeulur vazhdova goditjet me çekan, për t’i dhënë të kuptonte se biseda kish mbaruar. “Ore, mos je gjë nga Berati, ti”? – dëgjova mbyturazi tonin gërvishës. “Po, pse? Mos ka ndonjë gjë që s’shkon”?! – ia ktheva. “Jo ‘re, asgjë, po meqë edhe unë jam prej andej, thashë të njiheshim, se helbete, jemi patriotë” – e zgjati më tej.
“Pse, edhe ti beratas je”? – bëra sikur u interesova. “Po, nga Koritza e Lumasit, por banoj në Elbasan dhe kam punuar ne Vlorë, oficer marine” – ndjeva një frymëmarrje azmatike. – “Po përse je dënuar? Sa të kanë dënuar? Nga cila lagje je”? – shtoi, po pa pritur përgjigje për pyetjen e parë, vijoi me të dytën, me të tretën e, kështu me radhë, pyetje pafund. Tashmë toni, i mori nuanca intime, si të donte të fshihej mbas tisit të tij.
“Më dëgjo, or zotni, e para s’jam dënuar, po më kanë dënuar dhe e dyta, prit përgjigjet e pyetjes së parë, pa bëj të dytën, se i bëre lëmsh” – ja preva shkurt. Pas asaj pamje verdhacuke, seç fshihej një ligësi, por çfarë konkretisht, këtë një zot e dinte?! “Ç’të jetë ky antipatik, që kërkoka të më bëka shoqëri? Do ta mësoj”! – i vura detyrë vetes. E ndjeva mendjen, ndërrova taktikë dhe u futa në lojë. Interesimi për t’u njohur, dukej ashiqare. Atëherë i fola për veten, për lagjen, për rrugicën ku kisha lindur, për njerëzit me të cilët isha rritur.
“A e njeh Enver V., atë që është martuar me Shegën e Aliut”? – më ndërpreu befas. Sigurisht e njihja, kish hyrë kollovar te një fqinji im. “Padyshim e njoh. E kush s’e njeh sokakun e vet”? – thashë në mënyrë të papërcaktuar. “E kam kushëri të parë. Kam qenë shpesh herë atje! Po s’më besove, të tregoj edhe bostanin ku e kishin ata dhe të tjerët! Aq mirë e njoh atë lagje, sa edhe djemve të rrugicës, u di emër dhe mbiemër”!
Më renditi një duzinë emra të fqinjëve të mi, midis të cilëve edhe vëllezërit e mi të mëdhenj. Fliste me nostalgji për ditët që kish kaluar në Berat, tamam si adoleshentët, kur mburren me zënkat e çunave të lagjes. Vuri veten në epiqendër të rrëfenjave, duke i dhënë rol primordial, atributet e të fortit, të kapos së sokakut. Dëgjoja profkat dhe m’u shfaq e kaluara dhe gjithë të njohurit që përmendi ai. Ndërkaq, iu riktheva kujtimeve të vjetra, të viteve fëminore.
Në skaj të trurit, më regëtiu një sekuencë që e mendoja të fshirë. Në qendër të pelikulës, lëvrinte një marinar shtatvogël, me kostum bojë-qielli, kapele të bardhë, me një fjongo të lidhur kordele me logon e marinës luftarake detare. Për shkak të kostumit marinar, xhuxhi nxiste kërshërinë e fëmijëve të lagjes. Përzihej me ne e luante futboll, në ranishten buzë lumit, sa herë vinte me leje. Ashtu këmbëzbathur, me të mbathura dhe kanotjere, i imët siç ishte, s’dallonte aspak nga ne fëmijët e tjerë, të moshës nëntë apo dhjetë vjeçare. Pastaj kur vishej me uniformë, dukej ndryshe, -rroba ushtarake linte mbresa mbi ndërgjegjen e fëmijëve, ndaj s’mund të harrohej lehtë.
Pra, e ktheva pelikulën gati dhjetë vite pas, kur me zili këqyrnim ato petkat të atij marinari xhuxh. Bëra lidhje me momentin, ky i burgosur me petka të pista kafe, po aq i imët sa atëkohë, në mos edhe më i tkurrur, më ngjalli mëshirë. Por ndjenja e mosbesimit dhe neveria e fillimit, s’po më shqiteshin. Ndërsa kujtonte të shkuarën, rrekej të tregohej harmonik e konfidencial, por sapo shkeli aktualitetin, përnjëherë u tjetërsua, u bë ai fillimit; shtati iu kruspullos, zëri iu mek, toni iu fik, vetëm kokërdhokët e zgurdulluar lëvrinin si sytë e gjarprit, kur hetojnë prenë, i shndrisnin dhe ca shkëndijime vrastare.
Kjo dritë makabre më futi acarin në gji dhe poseduesit të tyre, i dha tiparet e një konspiratori. Ato që rrëfente Jukeshin të pabesueshme. Nisi të më tregonte pa e pyetur, se e kishin dënuar për tradhti të lartë ndaj atdheut, me njëzetedy vjet. Gjasme një grup ushtarakësh, kishin tentuar të futnin Flotën e Gjashtë Amerikane, në ujërat tona territoriale, nën drejtimin e Kundëradmiral Teme Sejko, e tjera legjenda si kjo. Medemek ata, paskëshin patur plan të realizonin përmbysjen e sistemit politik. Dhe për t’u dukur sa më intrigues, veten e vuri në epiqendër të grupit e me mburrje, krenohej për këto hynere.
Sipas fjalëve të tij, kjo s’ish sajesë e zakonshme e Sigurimit të Shtetit, por një e vërtetë autentike. Për t’u bërë më i besueshëm, m’u betua, herë për kokën e “vajzës së vetme”, herë tjetër për “kalamajtë”. Hajd t’a merrje vesh, në kish vetëm një vajzë, apo shumë fëmijë. Gjithsesi, ajo që mësuar saktësisht ishte e vërteta, për gjasme grupin puçist të Teme Sejkos, i cili pranoi të vetësakrifikohej, në emër të një ideali të prapshtë! Më foli për dashurinë e jetës, për një mësuese të kolme nga Elbasani, me të cilën qe martuar aty nga gjashtëdhjeta dhe që mbas dënimit, kishin bërë një pakt: “Ndarje fiktive, sa për t’iu shpëtuar peripecive të luftës klasore”; gjithmonë sipas tij.
Më tregoi për proceset e pafundme gjyqësore, që gjasme vazhdonin ende, prej gati tetë vjetësh. – “Herë pas here, më marrin të paraqitem në gjyq, pasi procesin s’ma kanë mbyllur. Më akuzojnë për tradhti të lartë, të paktën tre katër muaj në vit, detyrohem t’i shtyj birucave, në hetuesi speciale”. “Ore, po paske qenë shumë i rëndësishëm! – bëra të habiturin. – Si të paskan lënë pa të futur një koqe plumbi, si Temes me shokë”!? “E-e,e-eh…”! – lëshoi një pasthirrmë, që s’ia kapa dot kuptimin. “Po, s’të pyeta, ku punon? – shpotita ironik. U rrek të formulonte një përgjigje, po edhe pse i spërdrodhi fjalët, s’qullosi ndonjë gjë, kështu e flaka tej edhe atë pak mëshirë, që më ngjalli më parë.
Dyshimi se ky mund të ishte, o spiun, o imoral, m’u shumëfishua. Me të mbërritur në këtë përfundim, e luta të më linte rehat të mbaroja punën. “E shoh, ti je i ngeshëm, kurse mua më duhet të hap kanalet, në të kundërt, e gdhij natën në hotelin pa qira”! – ja preva dhe fillova goditjet mbi daltë. Si çdoherë mbas dite në kapanon, iu tregova fqinjëve për takimin dhe bisedën me patriotin tim. “Or cull, sot paske has n’profesorin e s’keqes! Asha Zotin, t’ka ardh me porosi! Për me msue t’mirën, duhet me dallue t’ligën! Ama, për m’e pa gjer ku shkon e liga, duhet me njoft hamallin e saj”! – xha Esherefi ishte i entuziazmuar.
“Unë, nuku e njoh mirë atëzë, po më mirë fol me Sulon, si berates”! – e boqi nga vetja Vaska, mandej: – “A e di ç’ke ti, më mirë shih librat, ato nuku trazojnë njeri”! “Or Vask, mos e pengo çunin! M’u ba profesor, duhet me i msue t’ tana! Hajd, mec, para, bli, po mos shit”! Në rreshtim në apelin e mbrëmjes, takova Daut Runën dhe Sulo Frricën. Iu tregova atë që më ndodhi.
Xha Dauti ma preu: “Larg spiunit! Po, o, është hafije i Sigurimit, mos e afro! Sa ka ardhur ai në burg, veç birucë më birucë ka bredhur”! – e mbylli e s’foli më tej. Kurse Sulua, siç e kish zakon, hoqi syzet, i fshiu mirë e mirë, qëroi gurmazin dhe bubulliu: “Bo, bo, ç’farë spiuni! Turpi i gjithë Beratit! Po, ‘re po, është edhe turpi ynë ai edepsëz, se e kemi nga ana!
Ama është një frikacak, madje më tepër është frigaç se spiun! Ndonjë ditë, do ta gjejnë të vdekur nga frika, si lepurin në ferrë! Po, për atë Perëndi, e njoh mirë unë! Eh-uuh, sa u ka dalë allan shahit, ai qelbësirë! Qeveria e ka dënuar me burg, Zoti e ka dënuar me vetmi! Është më i rëndë ndëshkimi i Perëndisë, se i qeverisë, or bir! Larg e tutje, mos iu jep muhabet, ata tipa s’lënë njeri pa përgojuar, veç të nxjerrin veten të larë”! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016