Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Memorie.al / Një poet gjirokastrit e përcakton qytetin e gurtë në limitet e dashurisë njerëzore: “Po the Gjirokastra, i ke thënë të tëra”. Duke hulumtuar në dokumentet e fillim-shekullit të kaluar, rezulton se Gjirokastra, qyteti i aristokrat ka pasur etjen për dituri, arsim e kulturë, por edhe për rend, qetësi e siguri publike. Kështu rezulton se e para shkollë e Xhandarmërisë, me funksione policore në Shqipëri, është hapur në fillim të vitit 1919 në Gjirokastër. Kjo dokumentohet edhe përmes fotove të gjetura në Gjirokastër nga koleksionisti i njohur gjirokastrit, Girando Koti dhe Konsulli i nderit të Italisë në Gjirokastër, Teodor Bilushi.
Në “Ballafaqime politike” të Sejfi Vllamasit, është viti 1916 kur autoritetet italianë krijuan Milicinë e Gjirokastrës me dy regjimente me nga tre batalione, një forcë prej 2800 vetash, nën komandën e gjeneral Ferreros. Çdo njësi milicie drejtohej nga një major italian dhe një nën-komandat shqiptar, ku nga shqiptarët ishin Kasëm Radovicka, Riza Cerova, kapiten Zef Pali, kapiten Halo Kuçi. Në gati dy vite oficerët e nënoficerët shqiptarë, ishin trajnuar në Itali dhe ishin inkuadruar në milicinë shqiptare në Gjirokastër dhe zonën e vet të pushtimit, ku nga 45 oficerë, nëntë prej tyre ishin oficerë akademikë.
Gjithë organizimet e Xhandarmërisë dhe milicisë shqiptare në këtë periudhë, lidheshin me Urdhrin e Komandës së Lartë të Forcave italiane në Ballkan, i cili mban datën 19.1.1919, që hyri në fuqi si dekret-urdhër më datën 15.2.1919. Këtu përfshihej edhe spektri i kurseve e trajnimeve të përbashkëta italo-shqiptare. Prurjet dokumentare dhe fotografike nga Gjirokastra, Shkodra, Vlora, Korça, Burreli, AQSH, AQSHF, etj., janë vlerë për themelet e arsimit të Xhandarmërisë dhe policisë, në fillim të shekullit të kaluar.
Të dhënat për Shkollën e parë të Xhandarmërisë dokumentohen dhe përmes fotos së parë në kalanë e Gjirokastrës, për 120 kursantët e parë të drejtuar nga instruktorë italianë të Karabinierisë, por dhe shqiptarë, një përvojë e shkollave më të përparuara të perëndimit. Kursantët e parë të shkollës së Xhandarmërisë ishin gjirokastritë kryesisht nga fshatrat përreth, por edhe nga Delvina, Tepelena e Përmeti.
Në Gjirokastër dokumentohet gjithashtu aktiviteti i shkollës së Xhandarmërisë që në pranverën e vitit 1919, shkollë e hapur përpara shkollave të tjera në Shqipëri. Nga ana tjetër është edhe një fakt interesat, se edhe sheshi “Çerçiz Topulli”, rrëzë kalasë përpara se të merrte këtë emër të madh të historisë shqiptare, quhej: “Sheshi i Xhandarmërisë”. Ky ishte sheshi historik dhe më kryesor i qytetit të Gjirokastrës, që pas përgatitjes nga Odhise Paskali (ishin kontaktuar edhe skulptori italian Givera dhe skulptori vjenez Bildshauer Perseshuer) dhe vendosjes së monumentit të Çerçiz Topullit më 1934, ndërkohë që emërtimi i sheshit “Çerçiz Topulli”, ishte bërë pas Luftës së Vlorës, më qershor 1922.
(Monumenti që kushtoi 3600 franga ari u ngrit me kontributin e gjirokastritëve nën drejtimin e kryetarit të bashkisë, Sami Kokalari, si dhe u përurua më 18.3.1934). Sheshi i “Xhandarmërisë” (Policisë) u emërtua sheshi “Çerçiz Topulli” në qershor 1922, me nismën e Veli Hashorvës dhe Javer Hurshitit. Ideja e bustit ishte hedhur nga gazetari shqiptaro-amerikan, Xhevat Kallajxhi, kur kishte vizituar statujat e mahnitshme italiane më 1927.(Revista “Minerva” e Nebil Çikës 15.5.1934).
Rol luajtën edhe gazeta “Demokratia” si dhe Beso Gega, Galip Çano, Xhevat Kallajxhi, Vasil Lito, Aleks Çeçi, Xhevdet Xheneti, Sami Kokalari, Foto Tola, Elmaz Hajdëri dhe Bame Mezini. Shatorja është qëlluar nga një ushtar italian gjatë pushtimit italian gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pranë bashkisë, shtatores 2.6 m. e lartë prej bronzi të Çerçizit, në ish-sheshin e Xhandarmërisë, funksiononte lokali i njohur “Shqipja”, që më vonë do emërtohej edhe “Bela Venecia”.
Por përtej etiketimeve të xhandarmërisë, emri i dëshmorit dhe heroit të kombit, Çerçiz Topulli do të bëhej nderi, krenaria dhe pjesa më e njohur e qytetit të Gjirokastrës, bashkë me kalanë, kalldrëmet e shtëpitë e njohura të qytetit të gurtë. “Qyteti dhe kalaja e argjendtë, duket se kanë dalë nga mali dhe një zgjatim labirintik i malit”, ose sikurse e quante Dervish Mehmet Zilli (Evlia Çelebi 25.3.1611-1682) më 1672: “Kalaja e Gjirokastrës, është një kështjellë e pashembullt”. Objekti i këtij shkrimi është pikërisht fillesat e arsimimit të Xhandarmërisë dhe të trajnimit të trupave xhandarë, si dhe atyre të xhandarmërisë me funksione policore.
Megjithëse gjatë pushtimit osman kanë ekzistuar në Shqipëri si policia dhe xhandarmëria, me detyra të ndara dhe me pika takimi midis tyre. Me vendim të Qeverisë Provizore të Vidit, në mbledhjen e dt. 13.1.1913 e shkruar në osmanllisht në pikën I-rë. Është shkruar; “është e nevojshme të bëhet një reformim në çështjet e financave dhe në ato të qetësisë publike” dhe në pikën e II-të; “Organika e xhandarmërisë dhe pagat”… “..ky organizëm do të vihet në zbatim më 1.2.1328/14.2.1913”.(AQSH, Fondi 254/II, 1912, Dosja 69/1 origjinali në osmanllisht dhe përkthim në shqip).
Pas Shkollës së Xhandarmërisë së Gjirokastrës, edhe si nevojë e domosdoshmëri e kohës, vëmendja e elitës intelektuale shqiptare, dhe veçanërisht pas Kongresit të Lushnjës e Luftës së Vlorës, ri themeluan institucionet shqiptare, që në këndvështrimin historik, mund ta quajmë dhe pavarësia e dytë e Shqipërisë. Edhe pse ka pak të dhëna dokumentare e fotografike, përsëri është e njohur se në truallin gjirokastrit, vendit që është i etur për arsim, kulturë e dituri, u themelua Shkolla e Xhandarmërisë që përgatiti, trajnoi dhe formoi plotësisht një trupë xhandarmërie të njohur, me gjithë kufizimet e kohës nën pushtim.
Kursantët kishin një trupë instruktorësh të Karabinerisë italiane, si dhe oficerë shqiptarë që kishin mbaruar studimet në Turqi ose, në shkollat e Perëndimit. Kursantët ishin prurje rajonale nga Gjirokastra, Libohova, Delvina, Tepelena e Përmeti. Përzgjedhja ishte veçanërisht për parametrat truporë.
Pavarësisht se kohëzgjatja e shkollës së parë të Xhandarmërisë me funksione policore, nuk ishte shumë jetëgjatë, ajo është një ndër gurë themelet e arsimimit të Xhandarmërisë dhe policisë në Shqipëri. Shkolla e Xhandarmërisë së Gjirokastrës, u pasua me hapjen e shkollës së xhandarmërisë në Vlorë dhe më tej me Shkollën e xhandarmërisë së Tiranës të hapur më 5.6.1919. Shkolla e Tiranës drejtohej nga major Ali Shefqeti dhe më pas nga major Ismail Haki Kuçi.
Përpjekjet e para të arsimimit policer, qetësia dhe rendi publik, parësore
Në luftërat ballkanike dhe në Luftën e Parë Botërore, Shqipëria ishte bërë shesh lufte, ku shkeli këmba e mbi 250 mijë ushtarëve të shtatë ushtrive: italianë, austro-hungarezë, francezë, bullgarë, grekë, malazezë e serbë. Struktura e parë që në qeverisjen e Ismail Qemalit, kreu funksione të rojës, xhandarmërisë e policisë por dhe të Gardës, ishin 400 luftëtarët shqiptarë të ardhur nga Kosova. Nuk është e rastit që Ismail Qemali i kërkonte Isa Boletinit, dy djem besnikë nga shqiptarët e Kosovës, që e kishin shoqëruar atë për në Vlorë, për t`i bërë roje tek dera e zyrës së qeverisë të porsaformuar.
Fakt është se ai nuk e kishte menduar kurrë se me atë veprim, pa dashur po sanksiononte themelet e armës së Xhandarmërisë së ardhshme të shtetit shqiptar, funksionet policore por dhe të Gardës Shqiptare të ruajtjes e mbrojtjes së personaliteteve të shtetit. Kështu Isa Boletini, teksa urdhëronte ata dy djem të rij nga Kosova, që quheshin Ahmet Llapi (nga zona e Llapit) dhe Halim Bajgora (nga Podujevë), për të ruajtur kryeministrin e parë të qeverisë së porsakrijuar, po ashtu nuk e kishte menduar kurrë, se i kishte dhënë vetes atributet e Komandantit të Gardës, në qeverinë e parë të shtetit shqiptar.
Fakt është se gjashtë javë pasi ishte shpallur pavarësia e 28 Nëntorit 1912, nga Kuvendi i Vlorës, më 13.1.1913, qeveria e Ismail Qemal bej Vlorës, vendosi krijimin e forcave të rendit. Porosia e babait të Pavarësisë, për shtetin që po ngrinte për herë të parë për shqiptarët, ishte pikërisht për ruajtjen e rendit, qetësisë: “Përpiquni të siguroni sa më mirë qetësinë e vendit dhe rendin publik…”. (AQSH, Fonde dokumentare, Viti 1912, Dosja 1, Dokumenti nr. 723/19 datë 28.11.1912). Qeveria e Përkohshme e Vlorës, nxori Vendimin për Krijimin e Forcave të Rendit, që përbëheshin nga forca Policore dhe forca xhandarë (AQSH. Fondi dokumentar nr. 245/II, dosja 69, faqe 1).
Për herë të parë në një qeveri shqiptare nisi të funksiononte Zyra e Sigurimit Publik, që po të shqipërohet ishte “Drejtoria e Policisë shqiptare”. Të dhënat arkivore flasin se, Qeveria ngarkoi me detyra për organizmin e xhandarmërisë Alem Tragjasin, Hysni Toskën, Sali Vranishtin dhe Hajredin Hekalin, ndërkohë funksionet administrative i kryente policia. Drejtor i parë i policisë ishte caktuar Halim bej Gostivarin.
Në muajin qershor 1913, Xhandarmëria mori formë funksionale, pasi u formuan tre batalione të drejtuara nga major Hysen Prishtina në Vlorë, kapiten Ali Tetova në Berat dhe major Ismail Haki Tatzati në Elbasan. Më 3.6.1913, u vu në zbatim rregullorja e Qeverisë së Vlorës; “mbi formimin e Milicisë shqiptare”, e shkruar në gjuhën osmane dhe e përkthyer në gjuhën shqipe.
Qeveria e Vlorës më 20.12.1913, nxori dekretin e përkohshëm “mbi krijimin e xhandarmërisë së jugut”, ku misioni hollandez i Kolonel William I. H. De Weer-it, i ardhur në nëntor 1913, kontribuoi në formimin e katër reparteve xhandarë, me treqind vetë secili. Në muajin mars 1914, erdhën disa oficerë të tjerë holandezë, të cilët shpërndanë 4 detashmente të krijuara më parë. Oficerët hollandezë ishin të ngarkuar nga Fuqitë e Mëdha, për organizimin e forcave të armatosura shqiptare.
Me zhvendosjen e kryeqytetit nga Vlora, në qytetin e Durrësit, në krye të policisë erdhi Veli Vasjari. Bazuar në statutin organik të 10 prillit 1914, ose kushtetutës së parë të vendit, kapitullit IX, të Statusit Organik të Shqipërisë, në Forcat e Armatosura bënin pjesë Xhandarmëria e Milicia. Milicia ishte një “forcë ushtarake vendëse territoriale dhe sedentare” dhe në kohë paqeje mbështeste veprimet e xhandarmërisë. Zanafilla e krijimit të arsimit të Xhandarmërisë, që nisi në kalanë e Gjirokastrës daton menjëherë pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, rreth mesit të shkurtit të vitit 1919. Ishte koha kur Komandant i Përgjithshëm i Xhandarmërisë dhe organizator i saj, ishte kolonel Ridolfi dhe ndihmës i tij, major Banush Hamdi.
Por tendencat e para të shkollimit i gjejmë në Shkodër më 1916, me mbështetjen e komandës austro-hungareze në Shqipëri, përzgjodhi afro 40 djem, të cilët u dërguan në shkollat ushtarake të Austrisë. (“Shqipënija më 1937”, Veprimi shtetnor gjat njëzet e pesë vjetëve të parë të vetëqeverimit Vëllimi I (1912-1937), Tiranë, 1938, faqe 89). Më 10.12.1916, u krijua Republika “franceze” e Korçës, e drejtuar nga Themistokli Gërmenji dhe kapiteni francez Henri Descoins, u krijua prefektura e policisë dhe zyrat e policisë.
Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, më 25.12.1918, qeveria e ngritur në Durrës, nën komandën e Major Ismail Haki Tatzati, organizatorit italian Ridolfo, e major Banush Hamdiu, formuan një forcë xhandarmërie dhe një vit më vonë u hap një shkollë për aspirantë dhe xhandarë në Tiranë, më 5.6.1919 me komandant Ali Shefqeti dhe më vonë Haki Kuçi. Në gusht 1919, u formuan batalione xhandarmërie në qendrat e prefekturave. Pas Kongresit të Lushnjës dhe formimit të qeverisë së Tiranës të Sulejman Delvinës, u bë riorganizimi i forcave të rendit.
Varësia e xhandarmërisë sipas rregulloreve ishte tërthorazi nga Ministria e Punëve të Brendshme, për qetësinë dhe nga Ministria e Drejtësisë, për zbatimin e vendimeve të gjykatave. Ndarja administrative territoriale organikisht ishte bërë në qark (në çdo prefekturë), rreth (në çdo nënprefekturë), post-komanda (në çdo krahinë ose fshat). Xhandarmëria ndahej në 9 qark-komanda, 40 rreth-komanda si dhe shumë post-komanda.
Aparati shtetëror, pas vitit 1925 u riorganizua dhe Xhandarmëria u nda në 4 zonë-komanda me qendër në Tiranë, Shkodër, Peshkopi, Sarandë, që komandoheshin nga kapitenët Preng Previzi, Fiqri Dine, Muharrem Bajraktari dhe Hysni Dema. Por krahas xhandarmërisë, me 22.12.1925, u krijua si strukturë e posaçme edhe policia, e cila kishte zyrat e saj në Tiranë, Berat, Elbasan, Korçë, Vlorë, Gjirokastër, Shkodër dhe Durrës. Policia kishte funksione gjurmuese dhe administrative dhe ishte në varësi të prefektit. Kjo vijoi përgjatë gjithë periudhës së Republikës së parë shqiptare, pra në vitet 1925-1928.
Në vitet e mbretërisë Xhandarmëria dhe Policia kishte specifikat e veta, pasi bazuar në ligjin e 18.5.1933, Arma e Gjandarmërisë Mbretërore ndahej në Komandën e Përgjithshme, Komandën e Shkollës së Gjindarmërisë, 10 komanda qarqesh, 31 komanda rrethesh, 253 komanda postash. Në pikëpamja ushtarake vartësinë e kishte nga Komanda e Përgjithshme. Rendi dhe qetësia publike varej nga Ministria e Punëve të Brendshme, ndërsa shërbimi i policisë gjyqësore nga Ministria e Drejtësisë. Policia, që u krijua më 22.12.1925 me tetë zyra në qytetet kryesore funksionuan deri më 1935, kur qeveria “Pandeli Evangjeli” me dekret ligjin e 25 qershorit 1935, policia u shkri dhe në vend të saj u vendos xhandarmëria qytetëse, nën urdhrat e prefektëve, nënprefektëve e kryetarëve të komunave.
Fakt është se bazuar në dokumentet zyrtare Komanda e Xhandarmërisë në dhjetor të vitit 1927, në Shqipëri kishte: 112 oficerë të xhandarmërisë, 562 nënoficerë xhandarmërie, 2441 xhandarë, 39 rreth-komandantë, 3000 armë austriake. Po në vitin 1927, emërohet atashe ushtarak në Tiranë, koloneli Alberto Pariani, në krye të një misioni të madh ushtarakësh me rreth 200 ushtarakë italianë, që u mor me riorganizimin e ushtrisë shqiptare, duke marrë padyshim si model ushtrinë mbretërore italiane, me një sistem pjesërisht i fortifikuar me 60 km. vijë kufitare, për të qenë në gjendje që ta vononte armikun, për t’u dhënë kohë trupave italiane. të zbarkonin në Shqipëri.
Më 1933, në krye të Xhandarmërisë ishte nënkolonel Shefki Shatku, i cili ishte një nga oficerët më të përgatitur të asaj arme. Në ndihmë të Xhandarmërisë, gjeneralin anglez Jocelyn Percy, (që zëvendësoi kolonelin Frank W. Stering, që kishte ardhur në Durrës, në maj 1923) i cili dha një kontribut në forcimin e konsolidimin e asaj arme. Në verën e 1937-ës nisi projekti për formimin e Policisë së Sigurimit Botnor dhe në provën e parë hynë 275 policë, të gjithë të moshës 23 – 33 vjeç, me shkollë të posaçme policie. Ajo do të zëvendësonte xhandarmëritë e qyteteve në Tiranë, Shkodër, Durrës, Korçë, Vlorë dhe Sarandë. Varësia e kësaj strukture, ishte nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe në 1938-ën, Xhandarmëria Shqiptare kishte 3643 efektivë.
Ndërsa ligji i miratuar më 19.1.1938 nuk mundi të provohej, për shkak të 7 prillit 1939, të pushtimit fashist të Shqipërisë. Kursi i parë i policimit i ngritur i 21 majit 1938 me komandant major Viktor Shantoja, nuk e pati mundësinë që të vihej në provë pasi pas një viti gjithë kursantët e këtij kursi, i vijuan studimet në Itali. Në dekadat që pasuan dhe veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore, përmasat e sistemit arsimor policer, kishin një rrugëtim të diktuar, ku rutina e përditshmëria e problematikës së rendit, qetësisë e sigurisë nuk lejonin që të shikohej më tej, më shumë dhe më qartë mbi problematikat e sigurisë, ndërkohë që një maksima popullore për këto raste na kujton se, “nuk më lë pema që të shikoj pyllin e prerë”.
Stacione të tjera të rëndësishme të arsimimit janë në vitin 1945, në 20 janar 1954 si dhe veçanërisht më 20 dhjetor 1971, kur u formua Shkolla e Lartë e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Në 53 vite, shkolla ka pasur një transformim të plotë dhe vjen më e plotë dhe më e kompletuar në akreditim, në konsolidim, dhe e gatshme për t’u përballur më sfida të reja. Edhe në tre dekadat e fundit, po vërtetohet thënia proverbiale e Tomas Fuller se; “e sotmja është nxënëse e së djeshmes”. Misionarët e shkollimit të xhandarmërisë me funksionime policore, të edukimit policor vijon me mision e përgjegjësi të reja, me trajnime e kualifikime bashkëkohore.
Pritshmëria e publikut për ofrimin e sigurisë së brendshme, ruajtjen e rendit e qetësisë publike, garantimit të zbatimit të ligjit, vijon të jetë e madhe, prandaj sfida e edukimit policor si profesion i fushës së sigurisë, ngelet në vëmendje të qeverisë, por mbi të gjitha në gjykimin dhe vlerësimin e publikut. Shkolla e xhandarmërisë së Gjirokastrës, si dhe shkollat e tjera që u hapën në shumë qytete shqiptare, shtruan “pathet” e së ardhmes së shkollimit policor, që po konsolidohet sot në Akademinë e Sigurisë, tashmë të akredituar institucionalisht në bazë të vendimit nr. 7, datë 27.1.2023, “Për akreditimin për herë të parë të institucionit të arsimit të lartë Akademia e Sigurisë, me kohëzgjatjen prej pesë vjeçar. Memorie.al