Nga Prof. Dr. Alfred Frashëri
Pjesa e dytë
-Pa bukë dhe pa naftë, nuk ka pavarësi dhe përparim të Atdheut!-
Memorie.al / Jeta, veprimtaria dhe ngjarjet gjatë saj, ruhen në kujtesën tonë dhe ri-zgjohen ndër vite, për të na kujtuar se si kemi jetuar e punuar, si jemi sjellë në shoqëri e familje, arritjet, gabimet, por mbi të gjitha për njerëzit, shokët e miqtë me të cilët kemi ndarë gëzimet dhe hidhërimet në rrugëtimin tonë të jetës. Në jetën time, puna në kantieret e naftës, zë fill në shtatorin e vitit 1953, kur morra emërimin “Teknik elektrik në Ndërmarrjen e Shpimit, Patos”, firmosur nga ministri Shefqet Peçi, dhe vazhdoi në institucione dhe me detyra të ndryshme të lidhura edhe me kërkimet e naftës, deri në fundin e viteve tetëdhjetë. Tani, që jemi në prag të 100 vjetorit të zbulimit të naftës në Shqipëri, kujtoj me respekt njerëzit që me devotshmëri, entuziazëm, sakrifica punuan në vitet pesëdhjetë në kantierin e naftës në Patos, midis të cilëve punova edhe unë. E ndjeva kërkesë shpirtërore, se duhet treguar për ata dhe punën madhore që bënë. Ky përvjetor, më nxiti memorien dhe më lindi dëshira të marr penën dhe të shkruaj kujtimet e mia, të shpreh ndjenjat, që kam patur dhe kam për ato vite.
Formimi i specialistëve të naftës ishte vlerësuar si shumë i rëndësishëm, qysh në ato vite. Në vitin 1951, përfundoi mësimet grupi parë i teknikëve në fushën e gjeologjisë dhe të naftës, siç quhesh në ato vite; “klasa e mbingarkuar minerale”, në Politeknikumin “7 Nëntori”. Shumë nga teknikët e rinj, vajtën në Patos dhe Kuçovë: Abedin Xhomo, Adem Cani (Nurja), Anesti Spiro (Qirinxhi), Asti Papa, Dhimitër Paparisto, Hasan Hamza, Hysen Uzuni, Muharrem Seseri, Niko Goxhobashi, Petraq Xhaçka, Pirro Tasellari, Protoko Murati, Skënder Guranjaku, Tomi Kristo dhe e vetmja vajzë teknike, Veronika Todri (Meko). Më kujtohen disa vargje të një kënge që këndonin ata, kur niseshin në terren për praktikë: ……/ “Klasa e jonë minerale/ perspektiva ka”! Këtë brez të parë teknikë të naftës, e mësoi dhe i ngjalli dashurinë për profesionin, mësuesi i pasionuar, Marko Manahem.
Më kujtohet edhe një këngë tjetër, për rininë e Politeknikumit, që e kishte bërë shoku i ynë, Agim Mero, të cilën ne, të gjithë nxënësit e këndonin me dëshirë dhe frymëzim, çdo ditë në ora 7.45, para se të futeshim në mësim, të rreshtuar para shkollës. Midis të tjerave, në tekstin e këngës thuhej: “Jemi bijtë e Politeknikumit/ që e ardhmja e ndritur na pret/…”. Nxënësit e kësaj klase, u bënë në vitin 1951, teknikët e parë shqiptarë të naftës, të cilët unë i njoha në Politeknikum, u miqësova në Patos dhe e ruajta këtë miqësi, si gjënë e çmuar për këto 66 vjet, që kanë kaluar nga ato vite. Prandaj ishte kënaqësi e madhe për mua të takoja gjeologen e parë shqiptare, Veronika Todri (Meko), të bisedonim dhe kujtonim Patosin e viteve pesëdhjetë, njerëzit dhe punët e kryera. Ajo më tregoi për praktikën e parë që nxënësit e kësaj klase bënë në puset e shpimit në kantieret e naftës në vitin 1950 në.
Pas një muaji praktikë, nxënësit u kthyen në shkollë dhe secili përgatiti një projekt kursi, nën drejtimin e mësuesit Marko Manahem. Pasi mbaruan provimet e vitit të tretë, me kërkesën e Ministrisë së Industrisë, disa nxënës u dërguan gjatë pushimeve të verës, të punonin në Ekspeditën Gjeologjike të Naftës, që drejtohej nga doktoresha e shkencave, gjeologjia e mirënjohur, Zinaida Andrejevna Mishunina. Në këtë grup, u përfshinë Asti Papa në Patos, Veronika Todri (Meko) në ekipin e gjeologut rus D.M. Manujlenko, që kryente rilevim gjeologjik me marshruta në zonën bregdetare, Piro Tasellari, me gjeologun Romanov, që bënte rilevimin në zonën e Selenicës, si edhe Skënder Guranjaku, i cili punoi në ekipin e shpimeve, krejlus. Krahas këtyre nxënësve, në ekspeditë kishin ardhur edhe tre studentë shqiptarë, që studionin në Institutin e Naftës “Gubkin” në Moskë: Ziver Meko, nga dega e gjeologjisë së naftës, i cili punoi me ekipin e Z.A. Mishunina, si edhe Teki Biçoku dhe Hasan Topçiu, nga dega e gjeofizikës, që punuan me ekipin sizmik, në Fier.
Në muajin shtator, nxënësit e “klasës minerale”, u kthyen në Politeknikum dhe vazhduan vitin e katërt. Projekt-Diplomat, për efekt të ruajtjes së rreptë të sekretit shtetëror gjeologjik, u hartuan në Kuçovë, nën drejtimin e inxhinierëve sovjetikë të naftës, ku u bë edhe mbrojtja e tyre. Madje, për fat të keq, në mbrojtjen e projekt-diplomave, nuk u lejua të shkonte në “Qytetin Stalin” dhe të ishte në komision as mësuesi i tyre, Marko Manahem. Projekt-diplomat, i përgatitën shumë mirë dhe i mbrojtën me lavdërime. Teknikët e ardhshëm, ishin ndarë në tre grupe, gjeologë: Adem Cani (Nurja), Asti Papa, Petraq Xhaçka, Skënder Guranjaku, Veronika Todri (Meko); për shpim- Anesti Spiro (Qirinxhi), Dhimitër Paparisto, Muharrem Seseri, Protoko Murataj, Tomi Kristo dhe për shfrytëzim nafte- Abedin Xhomo, Hasan Hamza, Hysen Uzuni, Piro Tasellari dhe Niko Goxhobashi. Ata e filluan punën si teknikë të mesëm, në kantieret e naftës, në gusht të vitit 1951.
U hap dega e gjeologjisë në Institutin Politeknik të Tiranës, në vitin 1951 dhe filluan të përgatiteshin inxhinierët e parë gjeologë. Në dhjetë vjeçarin 1950-1960, nga bangat e Degës Gjeologjike të Institutit Politeknik të Tiranës, shkuan në industrinë e naftës, gjeologët Hazbi Shehu (1957); Jorgo Kola dhe Sezai Hoxha (në vitin 1958); Asti Papa, Hidai Haxhi, Mynyr Arapi, Viron Papingji, Vllash Janopulli (1959); Dhimtër Gjenerali, Reshat Myftari, Sabaudin Starova, Tomi Kristo, Viron Cane (1960). Në vitin 1962, u hap dega e inxhinierëve të naftës, për shpimin e puseve dhe nxjerrjen e naftës e gazit, si edhe dega e inxhinierëve gjeologë të naftës, pranë Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave, në Universitetin e Tiranës.
Nga ky Fakultet, ndër vite, janë përgatitur 345 inxhinierë gjeologë të naftës, 1074 inxhinierë nafte, shpimi dhe nxjerrje përkatësisht: 20 inxhinierë gjeologë dhe 189 inxhinierë nafte (në periudhën 1961-1970); 116 dhe 171 (1971- 1980); 142 dhe 387 (1981-1990); 67 dhe 259 (1991-2000); vetëm inxhinierë nafte, 68 (2001-2010); inxhinierë gjeofizikë 65, (periudha 1961-1978); në periudhën 1973-2009, janë përgatitur edhe 106 gjeofizike, shumë nga të cilët, kanë punuar në industrinë e naftës.
Një ngjarje e rëndësishme për industrinë e naftës, ishte edhe hapja e Teknikumit të Naftës në Kuçovë, me drejtor Gani Qemo, të cilin e kam njohur si mësues të dalluar, në Politeknikumin “7 Nëntori”, në vitin 1949 dhe më pas kur punoja në naftë, prandaj ruaj respektin më të madh për atë. Mësimi në Teknikum, jepej nga inxhinierët më të mirë që kishte nafta në atë kohë. Në vitin 1954, përfundoi studimet brezi i parë dhe u diplomuan Teknikë Gjeologë dhe shpimi, që shkuan menjëherë në kantieret e ndërmarrjeve të Patosit dhe dhe Kuçovës. Midis tyre ndër vite, ishin: Haxhi Qalliu, Gjergji Foto, Filip Strakosha, Kastriot Muskaj, Koli Mone, Leonidha Marku, Luftulla Peza, Mihallaq Xheka, Pertef Nishani, Rushan Liço, Sezai Hoxha (Kuçi), Simon Ranxha, Simon Poreçi, Tasi Rrapi, Thoma Kerenxhi, Vasil Nasi, Vangjel Ndrio, etj. Shumë prej të cilëve kanë punuar në Marinzë, që me zbulimin e saj e më pas, gjatë shfrytëzimit. Shumica e teknikëve të naftës, studiuan dhe u diplomuan inxhinierë gjeologë të naftës dhe gazit, për shpimin dhe shfrytëzimin e puseve. Dhe pas diplomimit, u rikthyen përsëri në industrinë dhe kantieret e naftës.
Aktivizimi i një numri kaq të madh i inxhinierëve gjeologë dhe të naftës, së toku edhe me teknikët e përgatitur nga Politeknikumi “7 Nëntori” dhe më pas nga Teknikumi i Naftës në Kuçovë, solli një kontribut jashtëzakonisht të madh, në gjetjen e vend-burimeve të reja të naftës dhe të gazit, vënien e tyre në shfrytëzim, si edhe përparimin e vetë industrisë shqiptare të naftës. Ndërmarrja e Shpimit Patos, ka qenë e drejtuar nga Sinan Xhemili, Prokop Murra, si i Plotfuqishëm pas tij dhe Polikron Cane (prej vitit 1952, e në vazhdim, të viteve pesëdhjetë) dhe më pas, inxhinier Ramadan Perhati, Pandeli Qyrana, N/Drejtor (1952), Piro Bozdo K/Inxhinier (1952), i zëvendësuar nga inxhinier Ramadan Perhati, pas transferimit të tij në Fakultetin e Gjeologjisë dhe të Minierave, kryellogaritar Theodhori Jani (vëllai i inxhinierit gjeolog, Perikli Jani), përgjegjës teknik i degës së shpimit, ishte tekniku Anesti Spiro (Qirinxhi) (1951-vjeshtë 1953), deri kur u transferua në Drejtorinë e Përgjithshme në Kuçovë, me detyrën e inxhinierit në Drejtorisë së Prodhimit pranë Drejtorisë së Kombinatit (1953-1955, kur shkoi jashtë shtetit, për studime e larta), kurse përgjegjës administrativ i saj, ishte mjeshtri Pjetër Leka (1950).
Shpimin e puseve e drejtoi, këshilltari sovjetik Surkov, një inxhinieri rumun Valentin Shtuka (1953-1954) dhe tekniku Ciprian (1951-1952), inxhinierët e parë shqiptarë të përgatitur jashtë shtetit, të cilët erdhën në kantier në vitin 1952 dhe më pas: Perikli Trebicka (1952-) për mekanikën e sondave, për shpimin e puseve Ibrahim Meçule (1952-), Ramadan Perhati (1955), Bekim Sinoimeri (1956-), si edhe nga teknikët e parë të naftës, që u përgatitën në Politeknikumin “7 Nëntori” dhe erdhën në kantier në vitin 1951, midis të cilëve, shquhej Tomi Kristo (1951-1955 kur filloi studimet e larta), i cili realizoi me kompetencë të madhe, drejtimin teknik të shpimeve të thella, si “Ardenica 2” dhe “Ardenica 3”, etj., Dhimitër Paparisto (1951-1953), që punoi teknik shpimi, deri kur u transferua pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Kombinatit në Kuçovë, me detyrën e referentit të normave, në degën e planit (1953-1954 kur shkroi të kryejë shërbimin ushtarak), Haxhi Qalliu, Muharrem Seseri, i cili në vitin 1953, u transferua pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Kombinatit, Protoko Murataj, Skënder Guranjaku, për puset e cekët, që kryheshin në zonën e Selenicës, mjeshtri i shquar i shpimit, Sotir Skorovoti (1950-), mjeshtërit e avarive; Pandeli Sofroni, Koli Mone, etj.
Ndër përgjegjësit e puseve, mbeten në kujtesën time, për punën e tyre të përgjegjshme, për njohuritë e tyre teknike dhe mirësjelljen, Kapllan Hajdari dhe Petro Olldashi – “Heronj të Punës Socialiste”, Belul Hatibi, Qemal Mahmuti, Sali Alushi, Zaho Cane, etj. Në Ofiçinën e Patosit, kanë punuar edhe dy mekanikë polakë, për riparimin e motorëve të sondave. Të gjithë këta, kanë punuar me devotshmëri dhe përgjegjësi të madhe. Duke shkruar këto rreshta, m’u kujtua një bejte që i këndonin Pandi Qyranës: “Qaj o Pand Qyrana, qaj /do nxjerrësh ujë, apo do nxjerrësh vaj”?
Periudha e viteve pesëdhjetë, ishin vitet kur naftëtarët shqiptarë, sondistët, teknikët, mjeshtëri, inxhinierët, etj., vunë në punë sondat për shpimin e puseve të thellë, u përvetësua teknologjia e shpimit dhe përvetësimit të këtyre puseve. U krijua në këtë mënyrë, baza tekniko-teknologjike për realizimin e detyrave, për shfrytëzimin e vendburimeve të naftës në Kuçovë e Patos dhe për kërkimin e vend-burimeve të reja.
Rilevimi gjeologjik i zonës së Patosit, është kryer nga gjeologu sovjetik A. G. Llalliev (1952), i rajonit Ardenicë – Roskovec nga S.L. Bizova (1953-1954), i Frakull – Kraps, nga E.A. Shantar (1954), i Lushnje – Pekisht 1953 dhe Murriz – Pekisht, nga S.V. Egupov (1955), rilevimi i zonës Marak – Llixha – Elbasan, u krye nga M.N. Rozanov dhe S.S. Drozdov (1956) (Teki Biçoku, 2004). Llogaritja e rezervave dhe plani i zhvillimit të vend-burimit të Kuçovës dhe Patosit, janë bërë nga gjeologu V. N. Vinjukov (1955), i cili kreu përgjithësimet “Ndërtimi gjeologjik dhe naftë-mbajtja e vendburimit të Patosit” dhe “Ndërtimi gjeologjik dhe naftëmbajtja e vendburimit Kuçovës”.
Zbulim – përpunimin e vend-burimit Patosit dhe Kuçovës, e kryen inxhinierët M.P. Lisenkov, M.N. Koçetov, M. I. Kamishnjikova, ndërsa N. Baranov, bëri përgjithësimin e rajonit Frakull – Ardenice (1958) (Biçoku, 2004). Llalliev A.G. dhe Papa A. (1952), në kuadrin e punimeve përgjithësuese, ndërtuan hartën strukturale të vend-burimit të Patosit. Mishunina Z.A. dhe Papa A. (1954) ndërtuan hartën e manifestimeve të naftës në Shqipëri. Për këto probleme, punuan edhe Servet Pasho, Ziver Meko, Asti Papa dhe Beqir Aliaj (S. Pasho, 1952, 1956; Z. Meko. 1953; A. Papa, 1952, 1953, 1954; V. Cane, 1962).
Ndërmarrja e Shpimit, realizonte shpimin e puseve të rrjetit të shfrytëzimit brenda vend-burimit, si ata në Margëlliç, si edhe puset e konturimit, ndër të cilët më kujtohen pusi 515 në Lalar, në jug-perëndim te Patosit, në të cilin kaluam natën e Vitit të Ri 1954, duke bërë karotazhin, puset në Rusinjë në lindje, si edhe puset 97, 502, 505, në veri drejt Zharrëzës. Gjeodeti Nasuf Dizdari, i Drejtorisë së Përgjithshme të Kombinatit, të cilin me shumë dashuri dhe respekt, e kujtoj kur po shkruaj këto rreshta, për humorin e tij edhe në ditët me shi dhe punën e tij të pa lodhur, përcaktonte sheshin e puseve në terren, sipas koordinatave të projektit.
Brenda këtij sheshi, pozicionin e bazamentit të pusit e përcaktonin kryeinxhinieri dhe kryegjeologu, në varësi të relievit. Me marrjen e naftës nga puset e konturimit në veri, u kalua me guxim më në veri, në Marinëz, për të kërkuar edhe shtresa nafte të reja, edhe mbi bazën e studimeve sizmikë, që tashmë ishin kryer në atë zonë dhe njihej tabloja e gjendjes strukturale (Biçoku T, 1953). U kalua nga e njohura drejt të pa njohurës, siç i thoshim më vonë. U projektua pusi 542, me përgjegjës Qemal Mahmutin, etj. Në kuadrin e përgjithësimit të rezultateve të shpimit të puseve të konturimit të vend-burimit të Patosit, Dega gjeologjike e Ndërmarrjes së Shpim-Kërkimit në Patos, drejtuar nga kryegjeologu Beqir Alija, projektoi pusin “Marinzë 542”. Projekti, u miratua nga Kryegjeologu i Kombinatit të Naftës, Servet Pasho (V. Cane, 1962, arshiva personale e Gj. Foto).
Këta puse projektoheshin mbi bazën e përgjithësimit për naftë-gazmbajtjen e vend-burimit të Patosit, realizuar nga gjeologu sovjetik, Vinjukov V.N. (1955), i cili konsultonte dhe bashkëpunonte me gjeologët shqiptarë. Unë bëra regjistrimet e para të karotazhit paraprak në Marinzë, ndërsa operatorët Vasil Nasi, Pertef Nishani dhe Asim Zeqja, bënë regjistrimet e karotazhit përfundimtar me përfundimin e shpimit të pusit 542. Perforimin e posit, e realizoi tekniku Vangjel Ndrio, Perlat Hoxha dhe mjeshtri, Nasi Prifti. Mjeshtri Koli Mone, ishte në ballë të shuarjes së zjarrit dhe mbylljes së fontanës, në qershorin e vitit 1957; krahas të cilit luftonin me zjarrin edhe shumë naftëtarë, Dhoskë Tundja, etj., madje edhe specialistë zjarrfikësish. Zjarri ishte aq i madh, sa që Tiranë, skuqej qielli natën, në drejtim të kodrave të Saukut, ku në jug të tyre ndodhej Marinëza.
Duke e parë gjurmën e flakëve në qiell, unë student i sapo përfunduar vitin e parë në Institut, kujtoja pusin ku regjistrova diagramën e karotazhit, gëzohesha shumë për gjetjen e naftës së madhe, por edhe isha i dëshpëruar, për zjarrin dhe pasojat e tij. Zjarri i fontanës u shua me shpërthim, pas ndonjë muaji. Zbulimi i vend-burimit të Marinzës, pati një rëndësi shumë të madhe në drejtim të fuqizimit të ekonomisë shqiptare, zgjeroi fushën e kërkimit të naftës në ranorët, duke zbuluar shtresa naftë-mbajtëse të reja, nën ato të Patosit, që formonin suitën naftë-mbajtëse Marinza, e cila vendoset nën suitën naftë-mbajtëse Driza – Patosi, si edhe hapi rrugën e zbulimeve të vend-burimeve të reja të naftës dhe gazit, nga specialistët shqiptarë.
Puset e shpuar i dokumentonte dhe i studionte Dega Gjeologjike e Ndërmarrjes së Shpimit. Kjo degë analizonte të gjitha të dhënat gjeologjike të çdo pusi, bënte analizën e shllamit dhe të kampioneve që merreshin, studionte dukuritë gjeologjike që viheshin në dukje, nga ndryshimet e lëngut larës (solucionit të argjilës), shkruante biografinë gjeologjike të pusit dhe sistemonte të gjitha të dhënat gjeologjike – të karotazhit dhe të shpimit, në një dosje të veçantë. Dega gjeologjike, mbante nën kontroll zbatimin e parametrave teknike të projektit të pusit dhe monitoronte të gjitha veprimet gjatë shpimit të tij, deri në dorëzimin Ndërmarrjes së Prodhimit. Bënte kontrollin e përditshëm, të vetive të lëngut larës së pusit.
Krahas kësaj veprimtarie, gjeologët e saj së bashku me gjeologët sovjetikë, punuan edhe për hartografimin gjeologjik të zonës së Patosit, si edhe për e problemet të përpunimit të vend-burimit. (Llalijev A. G. dhe Papa A. 1952, Papa A. 1953, Mishunina Z.A. dhe Papa A. 1954). Kryegjeologu i parë, ka qenë tekniku Asti Papa (1951- 1954). Pas transferimit të tij në Drejtorinë Gjeologjike në Tiranë, drejtimin e kësaj dege, e bëri tekniku Adem Cani (Nurja) (1954-) i cili kish punuar në puset e kërkimit, tekniku Filip Strakosha (1956-) dhe pas tyre, inxhinieri gjeolog, Beqir Alia, që ishte kthyer nga studimet jashtë shtetit. Në këtë degë, punonin edhe kolektorët Paskal Sinani (1951-)- përgjegjës, Aleko Cane, Haxhi Agaj, Vasil Dhrako, etj. Në vitin 1955, erdhën nga Moska dhe bënë praktikën, studentët Koço Plaku dhe Beqir Aliaj.
Dokumentimi i detajuar, centimetër për centimetër, dhe studimin e shtresave që kish shpuar pusi me metodat e përparuara elektrike, kryheshin me teknologjinë modern, që emërtohet karotazhi elektrik. Kur unë fillova punën në shtatorin e vitit 1953, krahas regjistrimit të diagrameve të karotazhit për rezistencën elektrike specifike të shkëmbinjve të shtresave, si edhe të potencialit të polarizimit spontan, bëhej edhe matja e shtrembërimit të trungut të pusit, regjistrimi i përmasës së diametrit të trungut të pusit, i rezistencës elektrike specifike e solucionit të argjilës, që mbushte trungun e pusit, si edhe i ndryshimit të temperaturës me termometra elektrikë, në të gjithë gjatësinë e tij. Regjistrimi bëhej me stacion gjysëm automatik./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm