Nga Kastriot Dervishi
Memorie.al / Bazuar në direktivat për veprimet e organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme në kohë lufte, ministri i Punëve të Brendshme, nxori urdhra e udhëzime për personat që duhej të bënin pjesë në listat nr. 1, nr. 2 dhe nr. 3. Referuar urdhrit nr. 01 – 699, datë 14. 7. 1972 dhe atij nr. 120, datë 8. 5. 1980 “Për kuptimin, kategorizimin dhe evidencimin e elementit armik me rrezikshmëri të theksuar shoqërore për kohë lufte”, përcaktoheshin këto parime:
“Elementë armiq me rrezikshmëri të theksuar shoqërore” konsideroheshin ata persona që në të kaluarën dhe atë çast zhvillonin “veprimtari të mprehtë armiqësore”, si dhe pjesëtarët e familjeve të tyre, për të cilët gjykohej se në një situatë të jashtëzakonshme paraqisnin rrezikshmëri aktivizimi.
“Veprimtari e mprehtë armiqësore” konsiderohej: spiunazhi, terrori, diversioni, pjesëmarrja në organizata kriminale, grupe antiparti, komplote, puç ushtarak, etj. Studimi i “përcaktimit të elementit armik me rrezikshmëri të theksuar shoqërore”, konsiderohej “veprim me karakter të thellë politik” në zbatim të vijës së PPSH-së.
Studimi dhe kategorizimi bëhej nga kryetari, zëvendëskryetari, shefi i sektorit të Përgjithshëm, shefi i seksionit të Sigurimit dhe punëtori operativ. Në fund i jepeshin për mendim sekretarit të parë të Komitetit të PPSH-së së rrethit.
Evidencimi në lista bëhej në dy ekzemplarë dhe dërgohej në Drejtorinë e Parë të Sigurimit të Shtetit, e cila përgatiste praktikën për miratim nga ministri.
Pas miratimit, një ekzemplar i dërgohej Degës së Punëve të Brendshme, ndërsa tjetrin e mbante drejtoria në fjalë. Lista punohej në vazhdimësi, bëheshin shtesa ose hiqeshin emra, sipas së njëjtës procedurë. Kategorizimi i listave nr.1 e nr.2 në kampe e burgje, bëhej nga kryetari, zëvendëskryetar i Degës së Punëve të Brendshme dhe Operativi i Sigurimit të vendit ku buhej dënimi.
Lista Nr. 1 përbëhej nga:
Elementë të deklasuar, ish çifligarë, bejlerë, agallarë, bajraktarë, tregtarë të mëdhenj, pronarë fabrikash, etj.
Oficerë të lartë të kohës së Zogut dhe të luftës.
Kuadro të shërbimeve sekrete.
Agjentët e kohës së luftës.
Drejtues të organizatave të Ballit Kombëtar, Legalitetit, Social-Demokrate (Musine Kokalari), “Grupit të Deputetëve”, “Grupit Tekniko-intelektual”, “Bashkimit Shqiptar”, “Komitetit të Maleve”, “Frontit të Rezistencës”, “Silogut Vorio-Epirot”, si dhe pjesëtarët të familjeve të tyre.
Kuadro të zbulimeve të huaja.
Të riatdhesuarit që kishin kaluar në kurse e shkolla zbulimi.
Agjentë të zbulimeve amerikane, sovjetike, angleze, italiane, greke, jugosllave, etj.
Elementi antiparti dhe pjesëtarët të familjeve të tyre (p.sh. Liri Belishova, Pandi Kristo, Koço Tashko, Todi Lubonja, etj)
“Elementi armik” në përpunim për veprimtari të mprehtë armiqësore për spiunazh, terror, diversion, organizim, etj, kur kjo dilte e provuar.
Të dënuarit politikë me rrezikshmëri të theksuar.
(Nga grupet e sipërme, përjashtoheshin ata që kishin ndihmuar luftën ose ndenjur indiferent gjatë saj, por mbanin qëndrim të mirë pas lufte)
Lista Nr. 2 përbëhej nga:
Pjesëtarë të familjeve që “kanë tradhtuar atdheun” dhe shërbenin si kuadro aktive të zbulimeve armike.
Familjarë të të arratisurve që kishin vepruar si “diversantë”.
Elementë që kishin strehuar e ndihmuar “diversantë”.
Të gjithë të dënuarit për krime kundër shtetit e pa aktivitet armiqësor.
Familjarë të personave të pushkatuar për arsye politike.
Të dënuarit për krime kundër shtetit, por edhe të tjera të një shkalle më të vogël.
Lista Nr. 3 përbëhej nga:
Të dënuar që nuk përfshiheshin në listat nr. 1 e nr.2
Për të maskuar korrespodencën, lista nr. 1 quhej “C”, lista nr.2 quhej “D”. Për “elementin armik në kampe e burgje për listat 1, 2, 3 përdorej maskimi “DH”, “E”, “F”. / Memorie.al














