Nga Sofika Prifti Cara
Pjesa e gjashtëmbëdhjetë
Të falësh…!
– Fisi i vjetër Kavajas – CARA
Memorie.al, publikon disa pjesë nga libri ‘Të falësh’, me autore znj. Sofika Prifti (Cara), botim i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Tiranë, në të cilin autorja ka përshkruar me hollësi dhe kompetencë profesionale, historinë e një prej fiseve më të njohura, jo vetëm në qytetin e Kavajës, por edhe më gjerë, fisit Cara, nga i cili dolën jo vetëm atdhetarë e patriot të shquar që dhanë kontributin e tyre në dobi të çështjes kombëtare dhe lirinë e Shqipërisë, por edhe intelektualë të njohur, të diplomuar në Perëndim, të cilët më pas u kthyen në atdhe, duke dhënë kontributin e tyre në disa fusha të shkencës dhe jetës. Por edhe pse pinjollët e fisit Cara, ata ia kushtuan jetën e tyre çështjes kombëtare, pas ardhjes së komunistëve në pushtet në fundin e vitit 1944, ata do të përndiqeshin, burgoseshin dhe internoheshin, e lufta e egër e klasave, do t’i ndiqte ata deri në vitin 1990, kur dhe nisi shembja e regjimit komunist.
VDEKJA E XHEVDETIT
Tetë muaj pas operacionit në stomak, më 21 shkurt 1995, në moshën 55-vjeçare shuhet dhe ndahet nga jeta Xhevdet Cara, i pamartuar! Por vdekjen, ai s’e kishte pishman, “se një ditë të gjithë do të vdesim, – thoshte ai, – ne jemi mysafirë në këtë botë e në këtë tokë, kush lind, edhe do të vdesë”. Por ai vdiq me disa pishmane: së pari, që nuk shkoi dot tek varri i të atit, i cili vdiq 13 vjet para tij, në Melburn të Australisë.
Amanet ia la Bardhit, që, po të shkojë në Australi, të vendosë një tufë me lule, edhe për Xhevdetin. Por qeveria nuk ka dëshirë të na ndihmojë. Sa indiferencë e ftohtësi për shtresën tonë, që u ndamë për së gjalli nga prindërit që përndiqeshin nga regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe pasardhësit së tij, Ramiz Alia! Ata morën arratinë, të ndjekur nga komunistët! Tek kjo shtresë pa dyshim, ku të parët hyjnë ato familje, që filluan të vuajnë nga viti 1944 e, më pas.
Këta ishin ballistët dhe zogistët. Shqipëria nuk ka ambasadë ose konsullatë me Australinë, kështu që na u desh të shkonim në Greqi e Jugosllavi, për të marrë vizë, por edhe atje nuk na ndihmuan. Nuk e dimë se si shkojnë njerëzit, në atë vend të largët.
Kur shkoi Ansambli ynë Shtetëror i Këngëve e Valleve Popullore në Melburn, babai i Bardhit, i kishte takuar e i kishte mbajtur vetë me çdo gjë. Por Xhevdeti pati pishman, edhe që nuk pa shumë ditë të gëzuara për familjen dhe që nuk shkoi dot në Australi.
Vdekja e Xhevdetit për mua, ishte sikur më vdiq një fëmijë, sikur u këput diçka nga shpirti. Kishim kaluar 35 vjet bashkë, u zhduk si bora, që shkrihet nga dielli. Me Xhevdetin e me Ijen rrita fëmijët, brodhëm për 15 vjet nëpër burgje, ku ta çonin Bardhin!
Që kur preu gishtat, ai ishte anemik, me fizik të dobët. Atëhere s’kishim kushte për ngrohje, ndaj isha e detyruar të ngrohja ujët e, të mbushja shishe Coca-cola, me ujë të nxehtë çdo 2-3 orë, t’i vinte në duar a në këmbë, që t’i ngroheshin(!!) Vetëm furnelat e vajgurit, ishin atëhere, s’kishte mjete si sot.
E laja, e vishja e ushqeja si fëmijë, e mbështesja në 3-4 jastëkë dhe rrinim e pinim cigare të dy. Një gjë nuk harroj: në fillim ai më thërriste motër, më vonë zuri e më thërriste nënë.
Kur e ndihmonte Bardhi, ai i thoshte: “Jo, jo, se ti më lëndon, thirri nënës, ajo s’më lëndon”! Nuk e di ta shpjegoj, se sa të lehtë ma bëri Zoti! Kishte raste kur nuk flija fare, as ditën e as natën. Ndonjëherë me copa, por nuk e ndieja lodhjen, nuk u mërzita asnjëherë. Çuditërisht, ndihesha e lehtë si gjethe!
Falenderoj të madhin Zot, që më lehtësoi, ma hoqi gjumin e më dha fuqi! Doja të bëja gjithçka për Xhevdetin, që ai të jetonte edhe shumë vite me ne. Vërtet mbeti beqar, po asnjëherë nuk mbeti pa dashurinë familjare e vëllazërore, se dashuria e respekti për të, nuk mungoi kurrë. Ai ishte për ne si një pemë delikate, e mbjellë me kujdes, por që i jep frutat e saj dhe ne për Xhevdetin, donim më të mirën, për ato që hoqi në jetë e, për atë që bëri për fëmijët tanë.
Xhevdeti ishte shumë i çiltër e i drejtë. Sapo iu shfaq vdekja, dy ditë përpara, më thirri e më tha: “O nënë! Edhe dy ditë më ke, prandaj do të të them disa porosi, që të m’i mbash mend: e para, të vini një tufë lule për mua, tek varri i babait. E dyta, sa të jesh vetë, mbaje fotografinë time.
E treta, dua një varr të thjeshtë, që të mos më shkelin me këmbë. E katërta, shokët e miqtë e mi, të m’i prisni e t’i respektoni, sikur të isha unë. E pesta, të flesh e të shplodhesh ti, sepse je lodhur shumë për mua. E gjashta, të mbani e ta ruani miqësinë me Pëllumbin.
Ky është një teknik televizorësh, me origjinë nga Elbasani, që banon në Kavajë. Rastësisht ishim njohur me të. Na qe prishur një herë televizori dhe një kushëri i Bardhit, na rekomandoi Pëllumbin, që është teknik i mirë dhe i arsyeshëm në çmime, na tha ai.
Televizori ynë ishte i vjetër, bardhë e zi. Shkuam e thirrëm e, ai erdhi. Defekti ishte i madh, ai u lodh u vonua, por më në fund e rregulloi. Gjatë punës, Xhevdeti e mbante me muhabet, me nga një gotë raki përpara. Të dy nuk ishin të rakisë.
Xhevdetit i pëlqeu shumë ai njeri i ndershëm, ishim të kënaqur dhe na pëlqente muhabeti me të, derisa u bëmë miq. Sa herë prishej televizori, Pëllumbi do të na vinte shpejt dhe e rregullonte. Asnjëherë nuk na mori lekë, jo vetëm ai, por as dhe i vëllai i tij, Petrit Çala, që ishte teknik frigoriferësh e, lavatriçesh. Pëllumbi sidomos, vinte pa hezitim. U bëmë miq.
Ai është një djalë me zemër të madhe, i edukuar, di të vlerësojë njerëzit, fjalët i flet me maturi, është me sedër dhe shumë hatëri. Në familjen tonë, Pëllumbin e duan të gjithë dhe për të kemi respekt të veçantë. Xhevdeti betohej për Pëllumbin dhe prandaj ma la amanet, që ta mbajmë miqësinë me të dhe ta respektojmë. Unë jam munduar ta mbaj vath në vesh, këtë amanet të tij.
KOLEKTIVI PËR VDEKJEN E XHEVDETIT
Kur na vdiq Xhevdeti, çuam e vumë lajmërim edhe në Fier. Me të mësuar vdekjen e Xhevdetit, erdhën shumë njerëz nga Fieri: fqinjë, shokë, miq, shokë nga kolektivi i Ushqimores, etj. Nga kolektivi këtë radhë, erdhën shumë më tepër njerëz, për t’i dhënë lamtumirën e fundit, shokut të tyre të paharruar, njeriut që s’kishte pasur gjuhë në gojë, sepse gjuha e tij, ishte veç për të përshëndetur “mirëmëngjesi”, “mirëmbrëma”, etj.
Ai qe bërë memec, me gjuhë në gojë!! Xhevdeti punoi 26 vjet dhe nuk mori asnjë ditë pension! (Përse?) Në këtë libër, i jam kthyer disa herë figurës së tij. Por, përsëri e ndiej që për Xhevdetin, kam shkruar pak.
Nuk kam treguar asnjë fjalë, për burgun e Spaçit, ku ishte vëllai tjetër, (Sabriu,) ku kemi kujtime shumë të hidhura, (rastet kur i zinte nata në pyll, kur e kalonim natën në majë të pemëve ngado njëherë, kur i binte bretku në minierë etj., etj.)
Çdo njeri ka një dëshirë të veçantë në jetë, që e mban gjallë, me shpresa dhe herë-herë ajo mund të realizohet! Kurse për ne kjo dëshirë, plotësohet vetëm në ëndërr, kur flemë gjumë. Bardhi dhe Xhevdeti, kishin një dëshirë të vockël, që vetëm në ëndërr plotësohet: të vinin një tufë lule, në varrin e babait të tyre!
Po t’i shikosh duart e Bardhit, edhe sot, aty kanë mbetur shenjat e hekurave, nga të shtrënguarit e burgjive, sepse, thoshin policët, ai është kokëfortë dhe i betuar. Po për çfarë ishte kokëfortë dhe i betuar im shoq?!
Sepse, nuk donte të bëhej servil e spiun i tyre! Kjo është përgjigja. Kjo tokë mban mbi kurriz çdo gjë, të mirë e të keqe. Çdonjëra prej tyre, ka një veprim, një reagim, që vonon, por nuk harron.
Për shembull, kemi një flutur dhe një grerëz; të dyja kanë fletë, të dyja marrin frymë, të dyja fluturojnë, lule më lule, por ato ndryshojnë nga njëra-tjetra. Po ta kapësh fluturën e t’i heqësh fletët, ajo nuk fluturon dot më, por bie poshtë, derisa ngordh dhe asnjëherë nuk të thumbon apo të pickon, me antenat e saj, pra nuk të krijon dhimbje.
E kundërta ndodh me grerëzën, ajo të vjen vetë afër dhe, pa ia kapur krahët, të thumbon, të shkakton dhimbje, ngado njëherë të shkakton edhe vdekje, pra është e gatshme vetëm të të bëjë keq. Këtu qëndron dhe ndryshimi, mes dy klasave shoqërore: klasa jonë, d.m.th., ish-të përndjekurit politikë, është e destinuar të vuajë, sepse na i preu krahët si fluturave ai sistem, kurse klasa tjetër, të privilegjuarit, janë grerëza, të destinuara për të bërë keq, që donin dhe vdekjen e klasës sonë.
Vetëm ëndrrat të ngjisin në majën e një mali shumë të lartë, deri në re, që e ka zili edhe një alpinist profesionist, por në realitet, është krejt e pamundur ta ngjisësh atë lartësi. Kjo ëndërr për Xhevdetin, ishte e parealizueshme. Atë njeri fatkeq, e përcollën për në banesën e fundit, plot qytetarë kavajas, kolektivi ku punoi, (përfaqësuesi i tyre mbajti edhe një fjalim të shkurtër tek varrezat,) shoqëria, miqësia; e përcollën me nderim e respekt të madh, ashtu siç i takonte.
E ndiejmë gjithnjë të pranishëm Xhevdetin, në shtëpinë tonë. Jam e lehtësuar që porositë e tij të fundit, i kemi çuar në vend, me përjashtim të njërës, që është jashtë mundësive tona: vendosja e një tufe me lule, në emër të tij, tek varri i të atit, në Australi. Kujtimi i tij, do të mbetet i paharruar.
MIQTË TANË TË MIRË
Për të vendosur një tufë lule te varri i babait, në Australi, tentativat janë bërë qysh në vitet 1991-‘92. Bardhi me Xhevdetin, shkuan atëhere te një mik në Greqi, ku ishte ambasada australiane, por nuk bënë gjë. Në Fier kishim komshi një çift grekësh, të cilët kishin ardhë aty që në kohën e luftës italo-greke. Ata nuk kishin fëmijë, vetëm një mbesë, të martuar në Tiranë. Komshinjtë quheshin Kaliroi e Vasil Tsatsani. Shtëpinë e njerëzit e tyre, i kishin në Athinë.
Kaliroi nuk e dinte shqipen mirë, Vasili ishte agronom në Komitetin Ekzekutiv. Nuk shkoi shumë dhe atë njeri të mirë, e dënuan me 8 vjet burg, duke e akuzuar për; “agjitacion dhe propagandë kundër shtetit shqiptar”!! Kalironë e internuan në Shtylllas, pesë vjet. Ajo i mbushi pesë vitet, por e lanë atje. Si e huaj që ishte, bëri disa herë lutje, derisa ia pranuan dhe e sollën në Fier.
E liruan edhe Vasilin, nuk e lanë shumë në burg, por e arrestuan prapë dhe e dënuan 8 vjet të tjera, po me akuzën e parë, nga të cilat bëri 7 vjet. Në burg, Vasili i bënte lutje të shpeshta, qeverisë sonë, që të shkonte në vendin e tij, në Greqi. Më në fund, lutja iu pranua. Kalironë e patën sjellë në pallatin tonë. I kishim dyert afër njëra-tjetrës e, ajo rrinte shpesh me mua.
Kurse mbesa në Tiranë, i kish prerë marrëdhëniet me të, sepse punonte me gjithë burrin, në një ministri. Kur doli Vasili nga burgu, pas një jave erdhi dhe vendimi, për t’u kthyer në Greqi. Ata vendosën të iknin, më 11 prill 1985, po atë ditë vdiq diktatori Enver Hoxha, e ata ikën pas një jave. Me Kalironë, kaluam si nëna me fëmijën, bashkë hanim, flinim, ajo gatuante e, unë ikja në punë, bëja punët jashtë, psonisja.
Të dyja ne, burrat i kishim në burg. Ata ishin në moshën 65-70 vjeç. Bardhi doli i pari nga burgu, në vitin 1982, kurse Vasili doli në vitin 1985. Që të dyja kishim një Milikë, (ishte me mua, në një hyrje,) që nuk na linte rehat. Çdo natë ajo paraqitej tek i plotfuqishmi i lagjes, e përralliste aty çfarë kishte parë e dëgjuar, gënjeshtra me bisht, që i pranoi më vonë, në kohën kur erdhi demokracia.
Në fillim shkuan në Greqi, Bardhi me Xhevdetin, por nuk bënë dot gjë, për të shkuar në Australi. Në vitin 1998, patëm ndihmën e mbesës së Kaliroit në Tiranë, që vinte me ne në Ambasadë, sepse ne nuk dinim as greqisht, e as anglisht. Bardhi erdhi në Shqipëri, për lekë. Në këtë kohë doli “Prasina Karta” (karta jeshile.) Unë e mora, Bardhi u dogj.
Atëhere u rregullua puna, sipas ligjeve greke, që unë ta kisha në ngarkim. Kështu mua m’u dha viza për Australi, kurse Bardhit jo, sepse nuk kishte kartë jeshile! Aty, në Athinë, më pa rastësisht një nxënës, që i kisha dhënë mësim në Fermën “Çlirimi” në Fier; ai, bashkë me shokët e tij, na shëtitën nëpër Athinë, Pire e Patra.
Këta kishin ikur në Greqi, në vitin 1985, kur ikën shumë grekë në vendin e tyre. Në Greqi qëndruam dy vjet e ca dhe në dhjetor 1999, erdhëm në shtëpi. Në fakt, miqtë tanë, Kaliroi e Vasili, nuk donin të na linin të iknim, kishin dy hyrje me nga gjashtë dhoma, njërën e kishin dhënë me qera. Ata na thanë: “Ja shtëpia juaj, më vonë merrini edhe fëmijët”! Na mbajtën në pëllëmbë të dorës. Çfarë nuk bënë, që të na kënaqnin.
Miku tjetër, Andon Konomi, ishte nga Patra, por rrinte prej shumë kohësh, familjarisht në Fier. Babai i tij, Miço Konomi, ishte doktori më i mirë, kish mbaruar shkollën në Athinë. Në vitet e mbrapshta të inkuizicionit komunist të Enver Hoxhës, atë e futën në burg e më vonë, i burgosën dhe djalin. Ata bënë shumë vite burg, derisa ikën në Greqi. Në Patra, kishin dy palë shtëpi. Kur shkuam në Patra, ia kaluam shumë mirë me familjen e Andonit.
Kur u kthyem në Kavajë, pas 2-3 vitesh, vdiq mikja ime e mirë, Kaliroi; ajo e kishte lënë me gojë: “Po vdiqa, ti do më hedhësh tre grushta dheu”! Megjithëse më prunë garanci dhe çuam faks në ambasadën greke, ata nuk më dhanë vizë, që të shkoja të merrja pjesë, në varrimin e Kaliroit.
Në atë kohë më erdhën edhe gjashtë garanci të tjera. Greku po grek, ishte i keq, prapë nuk më dhanë vizë! Pak më vonë, vdiq edhe Vasili e kështu ne, humbëm dy miq të mirë. Tashti kemi vetëm Andonin. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016