Pjesa e pestë
Memorie.al, publikon një studim të kryer nga AIDSSH (Autoriteti për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), të titulluar; “ZHDUKUR – SIGURIMI NË FJALËT E VETA”, 19 DEGË SIGURIMI, 3299 JETË, 1 HISTORI’, në të cilin është shfrytëzuar ‘Historiku i Sigurimit të Shtetit’, që i përket një periudhë kohore nga viti 1943, deri në 1991-in, ku janë përfshirë 19 degë të Sigurimit të Shtetit, të rretheve: Durrës, Kolonjë, Burrel, Krujë, Lushnjë, Dibër, Gramsh, Pogradec, Korçë, Tepelenë, Elbasan, Lezhë, Sarandë, Gjirokastër, Vlorë, Shkodër, Tropojë, Skrapar, Librazhd dhe Tiranë.
Hyrje
SIGURIMI NË FJALËT E VETA
“Ata që mendojnë se regjimet komuniste janë vepër vetëm e kriminelëve, lënë në hije një të vërtetë themelore: regjimet kriminale nuk u formuan nga kriminelët, por nga entuziastët e bindur…”!
Milan Kundera, “Lehtësia e padurueshme e qenies”
LUSHNJA
Historiku i Sigurimit për Lushnjën, i punuar në vitin 1977, fillon me një ngjarje të vitit 1942, me vrasjen e një kryebashkiaku e mandej të një prifti. Në historik lihet të kuptohet se njësitet guerile, kishin qenë jo vetëm një bërthamë e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, por edhe embrionet e armës së Sigurimit të Shtetit, pasi ato përbëheshin “nga njerëz të sprovuar që vepronin në ilegalitet në mbrapa vijat e armikut dhe që kryenin aksione të ndryshme kundër tij, si vrasje të spiunëve dhe tradhtarëve, etj.”!
Intensiteti i terrorit të ushtruar nga Sigurimi i Shtetit mbi popullsinë, mund të merret me mend nga disa shifra; deri në vitin 1948, në Lushnjë ishin cilësuar 318 kulakë (familje), përveç kontingjenteve që vinin me banim nga rrethet e tjera, ishin 239 të internuar e 180 të dëbuar.
Ndërsa vetëm 3 vite më vonë, më 1951, sipas fjalëve të vetë Sigurimit, “lufta e klasave ishte ashpërsuar”. Përveç popullsisë vendase, Sigurimi i Lushnjës ndiqte edhe lëvizjet e të internuarve, ku përllogarit 419 të internuar, 2.777 emigrantë jugosllavë (kosovarë), 37 shtetas jugosllavë, 500 elementë antiparti, 1.445 të burgosur politik dhe ordinerë, duke e çuar numrin në 2.678 veta. Ndaj kontrollohesh çdo gjë, deri edhe pakot postare. Deri në 1960, Sigurimi numëron se kanë ardhur 786 pako të dërguara nga persona të ndryshëm që ndodhen jashtë shtetit, kanë dalë nga vendi 10 pako, ndërsa letra të ardhura janë 130, të dala 721 copë, me përmbajtje armiqësore të ndryshme, vërehet në historik.
Nga një analizë e hollësishme që u bë në vitin 1969, rezultonte se 2.091 kontingjente ishin në përpunim (ndjekje me bashkëpunëtorë), nga këta, 133 kulakë, 148 të internuar, 150 të dëbuar, 223 të dënuar për çështje politike dhe ordinere, 77 për krime kundër shtetit, 78 familje të arratisurish, 101 emigrantë politikë kosovarë, 54 shtetas jugosllavë, 36 të riatdhesuar.
Pushkatimi i priftit
Duke e konsideruar agjent të fashistëve, komunistët e ekzekutuan At Pano Vërtopin, që në vitin 1943, çka pranohet nga Historiku i Sigurimit. Më 18 gusht, komunikata e xhandarmërisë njoftonte se “nga hetimet e bamuna, rezulton se në orën 8-9, të datës së djeshme, prifti Pano Vertopi, misionar i Klerit Katolik, ashtë qenë marrun e shoqënue nga 5-6 veta të çetës komuniste dhe si e kanë çue në vendin Gjazë, ndërmjet katundit Krutje e Poshtme, është pushkatue prej tyne, në orën 14 të kësaj dite, është gjetë u vram, nga e cila është vërtetua edhe prej nji letre gjetur për sipër priftit nga të afërmit e tij”.
Kulakë “të maskuar”
Sigurimi i cilëson grupin e kulakëve sipërmarrës, por mënyra si ndërtohet akuza, është në kufijtë e të pabesueshmes, nëse marrim parasysh se sa e pamundur ishte të humbje gjurmët, përmes ndryshimit të emrit nën regjimin komunist. “Mbeturinat e klasave dhe të armiqve, për t’i shpëtuar vigjilencës së Partisë dhe popullit, janë larguar nga vendlindja, kanë ndërruar mbiemrin e origjinën shoqërore, kanë zotëruar zanate e aftësira tekniko-profesionale, janë paraqitur si të varfër, kanë krijuar shoqëri me familjet e komunistëve e, njerëz të ndershëm të tjerë”, thuhet në historikun e Lushnjës. Në vitin 1967, një grup prej 19 vetash “zbulohet” dhe më 7 maj 1967, dënohen me vendim të Gjykatës, 7 veta me pushkatim dhe 12 me 25 vjet heqje lirie. Sipas Sigurimit, kulakët e maskuar e kishin shtrirë aktivitetin e tyre, në; Fier, Vlorë, Lushnjë, Berat, Tiranë dhe Korçë. Ndonëse nuk jepet asnjë e dhënë se me ç’mënyra i kishin ndryshuar emrat për të fshehur të kaluarën, vendimi është me 7 të vdekur.
Në vijim, akuza është dëm ekonomike, duke “komprometuar edhe elemente me qëndrim të mirë politik”, përmes parave e pijeve. Mehmet Qazim Bregu, dënohet me litar, Xhemil Faik Margaritari, dënohet me vdekje, Skënder Ali Mustafaraj, dënohet me vdekje, Selai Axhem Çela, dënohet me vdekje.
“Brisqe të hapura e veshmbathje”
Pagat e ulëta dhe puna e papaguar bëri që një pjesë e madhe e popullsisë gjatë komunizmit, të ishte në zgrip të mbijetesës. Në ndjekjet që bën Sigurimi, dokumenton edhe ankesat e Iljaz Ahmetit, Pandi Kristos e Thoma Karamelos, që thoshin se: “Në Shqipëri, gjendja ekonomike në krahasim me vendet e tjera, është shumë e prapambetur, se punëtorët në Shqipëri marrin paga të vogla dhe bëjnë nji jetë të keqe, duke pasur 4-5 fëmijë në ngarkim, për këtë mban përgjegjësi udhëheqja e Partisë dhe shtetit shqiptar”.
Teksa vë në dukje se Thoma Karamelo dhe Viçensa Spahiu, mbajnë lidhje të vazhdueshme me të afërmit e tyre jashtë vendit, Thomai me babanë dhe vëllanë në SHBA-ës, e Viçenca me motrën e saj, kërkojnë që familjarët t’u dërgojnë gjëra bazike, por japin edhe porosi për kujdes. “Thomaj i porosit ata që të mos shkruajnë gjëra të reja, mbasi e pret rreziku nga ana e Qeverisë Shqiptare (Sigurimit), por çdo gjë ma dërgoni me anën e vizitorëve që do të vijnë në Shqipëri, ju thotë më dërgoni brisqe të hapët dhe jo të mbyllur, kjo sipas tija duhet të jetë parulla sekrete, me të cilën bënë lidhjet me baban e tija. Kurse Viçensa, me origjinë spanjolle, është takuar me nji vizitore e cila quhet Elena Caracini… i lutet asaj, që t’i marrë nji letër për t’ja çuar motrës saj që ndodhet në Madrid dhe e porosit që t’i thotë të dërgojë pako me sende të ndryshme, veshmbathje dhe dollar, mbasi kanë ngelur keq”!
“Për Sigurimin dhe marrjen e informacionit mbi armikun, shfrytëzoheshin kryesisht vëzhgimet personale, njohjet shoqërore dhe familjare, bisedat dhe përgjimet në festat kombëtare e popullore, në ditët e pazarit, në klubet e vjetra…”! “Veprimtaria armiqësore e inteligjencës – rinisë, ka qenë në drejtime të ndryshme dhe në momente të caktuara, për kundra partisë dhe pushtetit popullor, si në letërsi dhe art, duke e komentuar si mungesë të demokracisë, sepse artistët dhe shkrimtarët, nuk lejohen të shkruajnë atë që duan vetë, por bëhet sipas diktatit nga lart…”!
Enver Hoxha për vrasjet e “kriminelëve”!
“Duhet të kini kujdes të madh për këtë punë dhe të dini të mateni veprimet, pse, si qëndrimi sektar, ashtu edhe oportunist në këtë çështje, do të na ndihmojë pa masë. Duhet të lini përshtypjen, se s’jemi të frymëzuar nga pasojat të pa-frenuara, por të matur dhe të drejtë ndër veprimet”! “…se kjo është qeveri kalamajsh, prandaj neve një vdekje kemi hakë, por të vdesim të ngopur, duke i përmbysur këta se na është marrë toka, të punojmë për kundra fushatës së zgjedhjeve që të mos zgjidhen kandidatët e Frontit, por të zgjidhen njerëzit tanë….”!
DIBRA
Metodat që Sigurimi i Shtetit përdori në Dibër, për të eliminuar kundërshtarët politikë, kishin të bënin me presionin, më shumë se sa me hetimin. Në historikun e Dibrës, pranohet se për asgjësimin e bandave, metoda e ndjekjes do të ishte ndihmëse, ndërsa përparësi do të kishin kurthet – në terminologjinë e tij,- masat agjenturiale. Ky historik e tregon krejt hapur se, përveç marrjes së bashkëpunëtorëve me shtrëngim, me anën e agjenturës në drejtim të bazave të “diversantëve dhe vetë diversantëve mbillej panik, organizoheshin gjyqe të hapura me të arratisurit e kapur, ushtrohej presion me anën e familjeve në drejtim të të arratisurve për dorëzim”!
Me këtë mënyrë u shpërbënë, me vrasje a arrestime, grupet e kundërshtarëve drejtuar nga Cen Elezi, Zeqir Karpuzi, Sadik Koçi, Tafë Alia, Xhetan Koleci, Shahin Capa a Edip Tërshana. Vrasja si qëllim e presioni si mjet ishte rezultat i një pune të Sigurimit, ku “pjesa dërrmuese e kuadrove që punonin…ishin me arsim fillor ose autodidakt”. Për të tejkaluar këtë nivel shkollimi, kuadrove çdo muaj, u rekomandohej as më shumë e as më pak, se sa historia e partisë bolshevike, që për pushtetin komunist, rezulton të jetë e baras vlefshme me shkollën e mesme dhe të lartën bashkë.
Grupi i Cen Elezit
“Sipas urdhrit të dhënë, edhe në qoftë se banditët do të kërkonin që të dorëzoheshin, nga ana e jonë nuk do të pranohej, por të gjithë duheshin vrarë e të silleshin kufomat në Peshkopi. Kjo bëhej me qëllim që të krijohej sa më shumë panik e pasiguri”.
“Gjoja në tentativë për të ikur, të vriteshin”
Që asnjë grup kundërshtar të mos i shpëtonte Sigurimit të Shtetit, Dibra u riorganizua në 14 njësite me 350 ushtarë, duke u dhënë detyra të qarta. Masat e marra dhanë rezultat, por Sigurimi ende nuk ishte i kënaqur, ndaj u hartua një plan i ri që parashihte arrestime, jo të qytetarëve që kishin kryer krime, as në konceptin komunist, por arrestime thjesht për të zgjedhur disa bashkëpunëtorë. “Për të realizuar detyrën e organizimit të rrjetit agjentural, u pa e arsyeshme se duheshin bërë disa arrestime dhe nga këta të arrestuar të zgjidheshin elementët e përshtatshëm, për t’i vënë në shërbim të organeve tona”. Por meqë “bazë materiale nuk kishte”, iu propozua Komitetit të Partisë, të hartonte një listë me persona që bëheshin pengesë për realizimin e punës. Lista e përpiluar kishte 96 emra.
Propozimi tjetër ishte që si kundërpërgjigje ndaj të arratisurve, 14 prej tyre të ekzekutoheshin. Në këtë pikë Sigurimi kishte dy versione, i pari t’i nxirrte në gjyq dhe t’i pushkatonte. I dyti, të arrestoheshin “dhe gjoja në tentativë për të ikur, të vriteshin”. Kur historiku u shkrua, vite pas kësaj ngjarjeje, Koçi Xoxe ishte shpallur armik, ndaj kjo metodë në Historikun e Sigurimit, përmendet si metodë e tradhtarit Koçi Xoxe. Si përfundim, Sigurimi shpërndau në terren operativët duke u dhënë emrat e 14 vetave, që duheshin vrarë. Letra me emrat e tyre, kishte në krah shkronjën “P”, pushkatim. Gjithçka ndodhi brenda një nate.
Shtrëngimi si metodë
Për të futur bashkëpunëtorët e tyre në radhët e grupeve antikomuniste, organet e Sigurimit të Shtetit, pranojnë se “kanë përdorur me shumë shtrëngim, se sa bindje dhe kanë kryer kombinacione të ndryshme, për t’i kamufluar sa më shumë veprimet e tyre”. Për të kapur bandën e Fiqiri Dines, u arrestua “Pelikani” nga Maqellara. Ndërsa ai mbahet në burg, Sigurimi përdor shtrëngimin. “Kryhet kombinacion, duke e thirrur gruan e tij në takim. Gjatë takimit, sipas instruktazhit që ishte bërë më parë, bashkëpunëtori i thotë të shoqes, se jeta ime është në rrezik dhe mundësinë për të më shpëtuar, e ke në dorë vetëm ti, duke ndihmuar shokët e Sigurimit. Në këtë mënyrë u vu në shërbim të organeve tona gruaja e tij, A. N., e cila na dorëzoi vëllanë e saj “Runa”, i cili gradualisht, veç e veç, futi në dorë e në prita pjesëtarë të tjerë të bandës”.
“Arrestimi i babait si garanci”
Koncepti i sotëm mbi drejtësinë është tërësisht inekzistent në historikët e Sigurimit, e ndërsa frika del qartë, dhuna mund veçse të merret me mend. Për të arritur te grupi antikomunist i Dan Kaloshit, Sigurimi arreston dhe dënon me vdekje, një banor të Sohodollit. Pas dënimit ai thirret dhe i thuhet se nëse dorëzon grupin e Kaloshit, do t’i falej jeta. “Derveni” pranon, por për të pasur më shumë garanci për veprimet e tij, arrestohet i ati, O.Z. Skenari ndërtohet me një pushkatim të “Dervenit”, si kamuflim, ai do të plagosej lehtë, që t’i jepej mundësia të ikte.
Bukë dhe plumb
Grupin kundërshtar të Hysen Salkut, oficer i shkolluar në Itali, Sigurimi i Shtetit, e lidh me zbulimin amerikan. Një zhurmë aeroplani më 16 tetor 1951, çon drejt Selishtës pas mesnate Sigurimin, që rrethon zonën. “Gjatë kërkimit u gjetën të fshehura në një shpellë 6 parashuta, 4 prej të cilave ishin prej mëndafshi. Kjo tregonte se duhet të ishin katër diversantë, një çadër sintetike që mund të rrinin lirishtë katër veta, u gjet një radio transmetuese kompletë, shumë ushqime, veçanërisht peksimet, një furnelë special, për të gatuar…”!
Grupi kuptoi që ndiqej dhe u nda në dy drejtime, që t’i shpëtonte rrethimit…! “Në 7:30, kapobanda Hysen Salku ra në përpjekje dhe mbeti i vrarë…! Diversanti që ishte me Hysenin qëndroi tre ditë i fshehur në pyll. Natën e tretë, kërkoi bukë në shtëpinë e fshatarit D. J., i cili i dha bukë dhe menjëherë lajmëroi postën e policisë, tek ura e Topojanit…! Diversanti u qëllua nga rreshteri Vasfi Morava dhe mbeti i vrarë. U vërtetua se ky ishte nga Gilani i Kosovës”.
GJIROKASTRA
Anëtarësimi në parti si shpërblim
Kush bëhet bashkëpunëtor i Sigurimit, “fiton” një vend në parti. Kjo ishte oferta joshëse që Sigurimi i Shtetit, përdori në Gjirokastër, si mënyrë për të nxitur sa më shumë qytetarë që të përndiqnin e denonconin qytetarë të tjerë, menjëherë pas lufte. Kriteri përzgjedhës mes të shumtëve do të ishte në varësi të punës së mirë që bënin, bashkëpunëtorët “shpërbleheshin”, duke u futur në parti.
Vrasja e kunatit
I shkolluar dhe diplomuar në Stamboll, Bahri Omari do të gjendej në krye të “Diellit” e përkrah Nolit, do të ishte deputet e ministër i Jashtëm, do të ndihmonte në shkollim e strehim edhe drejtuesin e hekurt të Shqipërisë, por as fakti që ishte babai i nipërve të tij, nuk e shpëtoi Omarin nga sistemi shtypës i kunatit Enver Hoxha.
Meqenëse gjatë luftës rrugët e tyre ishin ndarë dhe Omari kishte qenë me Ballin, paslufta e gjen emrin e tij në listën e “500 kriminelëve”, e shumë shpejt, pjesë të Gjyqit Special. Në Historikun e Sigurimit Gjirokastër, përmendet mes emrave të tjerë, me fatin e tij: “Nga kriminelët e Luftës që janë dënuar me pushkatim janë: Ismail Golemi, Idriz Jazo, Velo Roshi, Bahri Omari, Halil Sako Gjoni e Hamdi Sako Gjoni, Hysen Izet Bocaj, Kadri Haredin Peçi,- Mazar Xhemo Rusho, Halil Rrapo Vraho, Shefqet Ali Mustafaraj, etj”!
As letra që bashkëshortja e tij, Fahrija i dërgoi të vëllait, Enver Hoxhës, nuk e shpëtoi Bahri Omarin. Ai u pushkatua te Kodra e Priftit dhe para se armët të shkrepeshin, mbahet mend për fjalët e fundit; “Ballin nga pushkët! Tradhtarët vriten pas shpine. Ne nuk jemi tradhtarë. Historia do të jetë gjyqtari i paanshëm”.
Të gjitha fajet Koçi Xoxes
Pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë dhe shpalljes tradhtar të Koçi Xoxes, ngjarjet e rënda dhe vrasjet e panumërta, i faturohen vetëm atij. Sigurimi, i njëjti që kishte zbatuar urdhrat e Xoxes, pretendon në Historik, se u vërtetuan shtrembërimet në punën e organeve, si rezultat i veprimtarisë së “Klikës titiste të Beogradit, kundër Shqipërisë, përmes grupit tradhtar kryesuar nga Koçi Xoxe”. I njëjti Sigurim që kishte zbatuar urdhrat e tij, e akuzon se veprimtaria e Xoxes, synonte futjen e formave dhe metodave policore në organet e Sigurimit, të njëjta me ato të Sigurimit jugosllav. “Format dhe metodat policeske, u futën në organet e Sigurimit të Shtetit nga OZNA Jugosllave, në mënyrë graduale, nëpërmjet Koxi Xoxes dhe këshillit. Në këto metoda trockiste, predominonte druri. Nuk kishte kuptim hetuesia pa përdorur drurin…i futnin punonjësit në disinformacion…tek elementet e tjerë të trilluar nga i pandehuri, nën diktatin e torturave”.
Kundër Koci Xoxes, Sigurimi përdor fjalët e tij: “Kuadro të Sigurimit, duhet të keni parasysh se armiku është i mbuluar nën emrin e anëtarit të Partisë, jini vigjilentë, kontrolloni çdo gjë, këdo dhe kudo…”! Nëse fjalia rilexohet me kontekstin e sotëm, mesazhi i saj është i vërtetë, armiku kishte veshur petkun e partisë. E megjithëse metodat famëkeqe i vishen vetëm Koçi Xoxes, mbetet e paqartë pse ato vazhdojnë edhe pas rënies së tij.
Pushkatimet janë sukses
Për Sigurimin e Shtetit, sa më shumë kundërshtarë të regjimit të ishin kapur e asgjësuar, aq më i madh ishte suksesi. Në faqen 50 të historikut Gjirokastër, shënohet se; “Si rezultat i punës së mirë të Sigurimit, në rrethin e Gjirokastrës u dënuan si kriminelë lufte, 91 vetë, nga të cilët 17 u pushkatuan dhe 24 u dënuan me burg”. Referuar materialeve të nxjerra nga regjistri i goditjeve, që ishte në seksionin e përgjithshëm që nga viti 1944-197, del se në vitin 1947, u goditën 55 vetë, nga të cilët 47 si agjentë, një pjesë për agjitacion e propagandë e tendencë arratisjeje, kurse në vitin 1948 u goditën 39 vetë.
“Në periudhën 1944-1948 organet e Sigurimit në rrethin e Gjirokastrës kanë goditur 343 elementë si kriminelë lufte, agjentë në shërbim të zbulimeve të huaja, për agjitacion e propagandë dhe tendenca arratisjeje”. Në Kongresin e saj të parë, Partia Komuniste Shqiptare, u theksua: “Partia të punojë që Arma e Sigurimit të Shtetit, të forcohet më tepër, sepse ajo është arma e dashur e pushtetit, që drejtohet nga Partia”.
“…organet e Sigurimit të Shtetit (nën drejtimin e Koçi Xoxes) ishin kthyer në organe të gjithëfuqishme, që nuk i nënshtroheshin asnjë kontrolli në veprimtarinë e tyre arbitrare e të dëmshme, këto grupe po shkëputeshin nga populli”! “Në këtë kohë (të Koçi Xoxes) rrjeti agjentural i ndërtuar nga këto organe nuk i përgjigjej luftës së ashpër aktuale, që zhvillonin armiqtë e brendshëm e të jashtëm kundër rrethit tonë”! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm