Nga Nazmi Berisha (Dyzi)
Pjesa e dhjetë
Memorie.al /publikon historinë e panjohur të Nazmi Berishës me origjinë nga fshati Llap i Komunës së Podujevës në Kosovë, i cili i joshura nga propaganda e regjimit komunist dhe nga programet që jepte Radio-Tirana për “begatinë socialiste” si dhe për t’i shpëtuar metodave rankoviçiane të regjimit titist, në vitin 1960, ai vendosi që të arratisej dhe erdhi në Shqipëri, duke kaluar me not lumin Buna në të ftohtin e madh të atij dimri të egër. Dëshmitë e rralla të Nazmi Berishës, se si u prit ai në atdheun amë, ku ushtarët dhe oficerët e kufirit e rrethit të Shkodrës, pasi e lidhën me tel, e dërguan në Degën e Brendëshme, ku për 24 orë nuk i dhanë as bukë për të ngrënë, e më pas e nisën për në qytezën e Shijakut ku ishte “Qëndra e Filtrimit” të emigrantëve kosovarë. E gjithë aventura e djaloshit 20 vjeçar nga Kosova që Sigurimi i Shtetit e akuzonte se: ishte agjent i UDB-së, që e kishte dërguar me mision sekret, Çedo Topalloviç, kryetari i UDB-së për Kosovën, për t’u takuar me Kundëradmiralin e Flotës Luftarake, Teme Sejko dhe torturat ç’njerzore që i’u bënë atij në Degët e Punëve të Brendëshme të Lushnjes, Krujës, Tiranës etj., ku atë e mbanin të izoluar dhe i kërkonin që të bëhej bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, duke i nxjerrë si dëshmitarë, bashkëpatriotë të tij nga Kosova, dhe refuzimi i tij, që bëri që ai të kalonte plot 20 vjet në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Prej vitesh Nazmi Berisha jeton në Suedi dhe shkrimet që publikohen nga Memorie.al, janë përzgjedhur nga libri i tij, ’20 vjet në burgjet e Enver Hoxhës’ botuar nga Shtëpia Botuese “UEGEN”, Berat, 1995.
Kthimi në Kosovë pas 21 vitesh
A thua ky është mëngjesi i jetës sime? Dikur unë kisha ëndërruar një hapësirë tejet të pafund dhe ashtu kisha hyrë në rrathët e ferrit komunist. Po tani në cilin rreth të ferrit do hyja? Vështrim tinëzar nga ana e doganës jugosllave. Më në fund vjen im atë, mall dhe lot që rrëshqasin. Shtrëngim duarsh dhe më pas tek nana në shtëpi. Ah e mjera nanë, i duhesh dhe 21 orë për t’u çmallur, jo më 21 vjet. Shuplaka e parë. Pas tri ditësh duhet të shkoja tek UDB-ja, për të dorëzuar vizën. Tek Hajrulla Kllokoçi, dhe më pas tek Ibush Kllokoçi, që ishte kushëri i këtij.
Filluan pyetjet e zakonshme. Si kisha vendosur që të dilja në Shqipëri, me kë kisha biseduar, si kisha dalë, kush më kishte përcjellë. Përgjigje të shkurtra, dhe të prera, për ato që isha i sigurt që UDB-ja i dinte. Pas tre orësh, më vijoi seanca pas 15 ditësh. Tashmë pyetje të tërthorta që do të vinin në provë, sinqeritetin tim. Por pyetja themelore e udbashit, Ibush, ishte se: kush më kishte frymëzuar që të shkoja në Shqipëri. Dhe ai priste përgjigjen si mace, gati për tu hedhur mbi gjahun e tij.
Por jo mor bukurosh, se unë jam rrahur me vaj e me ufull, për 20 vjet në burgjet e Enver Hoxhës. Mua më ka frymëzuar, gjuha shqipe e nënës sime, që përdhunohej aq keq në Jugosllavinë e atyre viteve, më ka frymëzuar shpërngulja masive e Shqiptarëve në Turqi, gjatë aksionit të mbledhjes së armëve, më ka frymëzuar Adem Demaci, Haki Taha, Azem dhe Shote Galica, më ka frymëzuar Radio Tirana që transmetonte këngët e bukura kosovare, më ka frymëzuar Shaban Polluzha, lufta në Kaçanik, vrasjet nga UDB-ja të nacionalistëve shqiptarë. E ku mund ti mbaroj unë frymëzimet e mia. Sepse çdo qelizë e imja më ka frymëzuar për të dalë në Shqipëri. Kështu o sahanlëpirësi Kllokoç me gjithë këto që të thashë, a e meriton ti rrogën e majme të UDB-së?!
Ndoshta një ditë tjetër, do të vijoja arsyetimin tim rreth motiveve që më bënë të largohesha nga Kosova, në Shqipëri. Jetoja në shtëpinë e tim eti pa punë. UDB-ja, tregonte kujdes të posaçëm që të mos punësohesha, veç me një kusht, që të flisja në Televizionin e Prishtinës, për vuajtjet e mia. Dhe do të më gjenin punë jo dosido. Por a do ta diskreditoja unë atdheun tim për interesat e Jugosllavisë?! Sigurisht, që unë e bëja dallimin, Enver Hoxha ishte diktator. Ai dhe Shqipëria, ishin dy gjëra të kundërta sado që dukeshin si të lidhura me njëra tjetrën. Atëherë le të punoja si argat.
Më pas kërkova punë dhe konkurrova për në Grand Hotel. Ibushi më thirri në hetuesi dhe jo. Duhet të flisja. Konkurrova tek Oda Ekonomike e Kosovës, në Turist Kosova, në Higjeno Teknike, etj. Gjithnjë para meje Ibushi, dhe joja e tyre e stërmadhe. Atëherë për të jetuar, ditën duhet të hapja gropa, dhe të ndërtoja mure. Me tim et nuk e kisha mirë punën. Ai, ishte fanatik i Enver Hoxhës dhe në dhomën e madhe, mbante një fotografi të tij. Pas aq e aq bisedave, pranoi ta vishte me pëlhurë. Nuk i mbushej mëndja, që ai ishte diktatori më i egër, ndër të tjerë. Jo ai qe pejgameri dhe idhulli shqiptar. Ky imazh do të largohet nga kosovarët, veç kur të fitojë demokracia në Shqipëri.
Një ditë, duke dëgjuar Radio Tiranën, u dha lajmi i bujshëm që Mehmet Shehu, kishte vrarë veten. Unë s’mund të stepesha ndërsa të tjerët ishin mbledhur grusht. Mijëra pyetje fluturonin ashtu prerë drejt Tiranës, pyetje pa përgjigje. Ne që vuajtëm në burgjet e zeza të Enver Hoxhës, e prisnim një ditë si kjo. Huqi themelor i komunistëve ishte se ata hanin njëri tjetrin. Dhe në Shqipëri, kjo ishte më e dukshme se kudo. Për vetëvrasjen dhe likuidimin e Mehmet Shehut, Jugosllavisë i’u çapëlye goja.
Gjeti shesh të bënte përshesh. Mehmet Shehu, ishte po aq kriminel sa Enver Hoxha. Momenti i likuidimit të tij, erdhi në atë kohë kur ekonomia shqiptare, mori të tatëpjetën. Gjatë këtyre viteve, ndenja në Prishtinë dhe mora pasaportën jugosllave, vlerën e së cilës do ta mësoja më vonë. Por më tepër se me këdo ndihesha mirë me nënën time. E mira nëna ime, një figurë e lartë dhe e pakrahasueshme me askënd. Kishin kaluar dy vite dhe unë jetoja në Prishtinë i lodhur, i dërrmuar.
Një ditë më vjen në zyrën e UDB-së ku unë isha thirrur, një njeri që nuk e njihja. Ai më provokoi duke më thënë se s’kishte gjë që kisha vuajtur 20 vite në burgjet e Shqipërisë dhe se isha patriot, të cilët në ato vite ishin rralluar. Menjëherë i’u kundërpërgjigja, duke i thënë se: Enveri po ju shan çdo ditë, dhe ju s’kini se çfarë t’i bëni! Ju që hiqeni si shtet i madh, nuk po mundeni të merreni me të.
Unë me të vërtetë vuajta në burg, po shpirtin nuk ja shita tiranit. Bëra qëndresë, por ç’e do që ka njerëz këtu që bashkëpunojnë me Tiranën. A nuk është kështu o zotëri?! Ai sa nuk u tërbua. Ai më tha që nuk duhet ta përdorja fjalën zotëri dhe se duhet të bëja kujdes kur të flisja. Se isha arkim dhe se isha dërguar nga Enver Hoxha. E dija se kundërshtimet e mia, nuk kishin pikën e vlerës para atij surrati. Por që unë isha dërguar nga Enver Hoxha… unë viktima e burgjeve të tij!?
Unë e dija që udbashët mund të më burgosnin për prova të rreme por e njihja veten. Nuk shkoi shumë dhe në shtëpi më erdhi një gazetare e “Tanjugut”, që ishte e interesuar për vuajtjet e mija në Shqipërinë komuniste. Duhet t’i shpjegoja asaj që në Shqipëri, policët torturonin njerëzit tamam si këtu.
Ajo u përpoq të justifikohej, se këto gjëra nuk kishin lidhje me intervistën. Të qeshje apo të qaje. A thua se njerëzve të gjuhëve të ndryshme, nuk i dhimbte njësoj goditja e shkopit të gomës. Le të gjente në pazar kjo gazetare, njerëz që i shisnin lirë apo shtrenjtë, vuajtjet e tyre. Doli dhe ajo nga shtëpia, njësoj si të tjerët. Unë nuk bëja kompromis me vuajtjet e mija.
Nuk e mohoja Shqipërinë, vetëm sepse Enver Hoxha më kishte burgosur. Fatkeqësinë time e shikoja si tragjedi të kombit shqiptar. Në vitin 1984, u punësova si hamall tek “Dardania” dhe qëndrova aty derisa dola në Europë. Aty pata rastin që të njihem me historitë tragjike të Sami Dermakut, Shefqet Jasharit, Kadri Rexhës, Muharrem Thaçit, e Nuri Bunjakut. Shefqet Jasharin e arrestuan në vitet ‘70-të. Ndërsa Sami Dermaku, ishte dënuar me Adem Demaçin, e të tjerët në 1975-ën, me 18 vjet burg.
Gjykatësi Durmish Koçima, nga Prizreni, që UDB e kishte sjellë posaçërisht për të, kur ky e kishte pyetur Samiun për deklaratën e nënshkruar prej tij, atëherë ai i kishte treguar për torturat e tmerrshme që e kishin detyruar të firmoste. E pas dënimit të parë, atë e ri dënuan për së dyti, pasi gjoja kishte dashur t’i bënte atentat, shefit të UDB-së për Kosovën, Selim Broshës. Arratiset dhe shkon në Tropojë. Ata të Degës së Brendshme, e rikthejnë në kufi, me vendim të Partisë. Jugosllavët e dënojnë me 15 vjet dhe fillimisht e izolojnë në shtëpinë e tij. Samiu përfiton nga rasti dhe arratiset në Perëndim.
E njëjta gjë ndodhi dhe me Kadri Rexhën dhe familjen e tij. Edhe ai është në Europë. Muharrem Thaçi kishte vrarë në vitin 1965, vrasësin e babait të tij. Udbashin Pero Reshetarin. Vrasja e tij bëri bujë në Kosovë. E dënojnë me 14 vjet burg. Dhe ky arratiset, por Sigurimi i’a dorëzon UDB-së. Mbi të vijojnë torturat, aq sa tronditën dhe vetë të burgosurit serbë. Dhe më pas e dënojnë.
Dëgjuam në mbrëmje se Shqipëria kishte kthyer dy kosovarë. Nuri Bunjakun, dhe një shok të tijin. Lum kombi për atë farë partie dhe për Enverin. Dhe ora erdhi. Më 11 Prill 1985, vdiq Enver Hoxha. Dhe bashkë me të shpresoj të vdiste dhe diktatura. Kush do ta pasonte, atë?! Udhëheqësi i ri por i moshuar i Shqipërisë, Ramiz Alia. Ç’lëmsh gjarpërinjsh!
Ja dhe ledi Makbeth, Nexhmija, mbante zi për konsum publik. Karafilat e kuq të ardhur nga Kosova. Në atë Kosovë ku Sigurimi u tallën boll mirë. Të shpresojmë që vdiq dhe epoka e tmerreve enveriste. Koha fatmirësisht do t’a shembte shpejt. Në vitin 1986, kur unë isha duke ecur rrugëve të Prishtinës, më ndodh një provokim i UDB-së. Një person i quajtur Ragip Raçi, më shan dhe më godet me grusht në fytyrë. Përfundoj mbi 70 ditë te mjeku.
Dhe policia u justifikua, sikur Ragipi kërkonte një student dhe atë e kishin dënuar me dy muaj. Pas kësaj, vendosa që të iki në Europë. Isha në prag të arrestimit dhe duhet të ruaja qetësinë klasike. Kisha përvojën e një jete të tërë. Në vitin 1987, emigrova në Norvegji, ku më siguruan të gjitha të drejtat.
Më mundonin vetëm ëndrrat për Spaçin, Burrelin, Çermën, Prishtinën, Llapin. E shoh që për kombin tonë po vjen mëngjesi. Qielli, është ndezur në vijën e horizontit, ndonëse para çdo mëngjesi, errësira është e dendur. /Memorie.al
Prishtinë – Oslo, 1980-1990
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016