Dashnor Kaloçi
Memorie.al/ publikon historinë e panjohur të marrëdhënieve të Shqipërisë komuniste me ish-Bashkimin Sovjetik në fushën ushtarake që nga viti 1955 kur Tirana zyrtare firmosi aderimin në Traktatin e Varshavës ku ishin edhe pjesa më e madhe e vendeve të Lindjes Komuniste, apo siç njiheshin ndryshe “Demokracitë popullore”. Dëshmitë e kolonelit Skënder Malindi, ish-Drejtor i Përgatitjes Luftarake të Ushtrisë në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, i cili rrëfen se si u zhvilluan marrëdhëniet në mes Bashkimit Sovjetik dhe vendit tonë asokohe, duke filluar nga furnizimi me armatime të të gjitha llojeve të armëve që sovjetikët sollën për ushtrinë shqiptare, (tanke, artileri, avionë, nëndetëse, lokacion, etj.), vizitat e delegacioneve ushtarake sovjetike në Shqipëri dhe atyre shqiptare në disa vende të Lindjes Komuniste ku zhvilloheshin stërvitje të përbashkëta, lëvizjet e fshehta të nëndetëseve ruse të Pashalimanit nëpër Mesdhe, e deri tek vizita sekrete e marshallit Zhukov në majën e malit të ishullit të Sazanit, ku ai pasi pa me dylbi të gjithë hapësirën ujore detare, i’u drejtua komandantit të Detit të Zi, admiralit Kudetcov që kishte aty pranë, duke i thënë…!
Marrja e ftesës për aderimin e Shqipërisë në paktin ushtarak të NATO-s, (Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut), në vitin 2009, gjë e cila me plot të drejtë asokohe dhe më pas gjatë gjithë këtyre viteve, është konsideruar si një ngjarje apo eveniment historik nga më të mëdhatë që ka pasur ndonjëherë vendi ynë, nuk përbën rastin e parë të futjes së Shqipërisë në pakte të tilla ushtarake. Ndonëse në rrethana dhe kushte politike e ushtarake krejt të ndryshme nga ato të të asaj kohe kur Shqipëria u pranua me të drejta të plota në Paktin e Atlantikut të Veriut, ashtu siç dihet tashmë nga historia, Shqipëria komuniste ka aderuar edhe në Traktatin e Varshavës. Nga i cili u largua ‘de facto’ në vitin 1961, kur u prishën dhe marrëdhëniet e ngushta e miqësia e madhe që ekzistonte asokohe në mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, ndërsa ‘de jure’ u largua vetëm në vitin 1968 kur Kremlini kreu agresionin ushtarak ndaj Çekosllovakisë. Po si u prit hyrja e Shqipërisë në Traktatin e Varshavës dhe si u konsiderua ajo gjë nga Tirana zyrtare e asaj kohe? Çfarë përfitoi apo humbi vendi ynë nga anëtarësimi në atë pakt ushtarak ku aderonin pjesa më e madhe e vendeve komuniste të Lindjes, apo siç njiheshin asokohe si “Demokracitë popullore”, dhe si u zhvilluan marrëdhëniet në mes Shqipërisë dhe Traktatit të Varshavës? Lidhur me këto e të tjera ngjarje e fakte që kanë të bëjnë me atë periudhë të ‘Luftës së ftohtë’, na njeh intervista e kolonelit Skënder Malindi, ish-komandant çete në Qarkun e Skraparit gjatë viteve të Luftës (1939-1944), dhe më pas një nga ushtarakët madhorë të Ministrisë së Mbrojtjes e Ushtrinë Shqiptare për vite me radhë, derisa u godit në vitin 1975, si pjesëtar i të ashtuquajturit “Grupi puçist i Beqir Ballukut në Ushtri”.
Zoti Malindi, si e kujtoni hyrjen dhe aderimin e Shqipërisë në Traktatin e Varshavës. A ishte asokohe ajo gjë një problem për qeverinë e ushtrinë shqiptare dhe a pati entuziazëm në popull, pranimi i vendit tonë në atë pakt ushtarak?
Në atë kohë, pra në vitin 1955 kur Shqipëria komuniste po përgatitej të anëtarësohej në Traktatin e Varshavës, Tirana zyrtare i kushtoi një rëndësi të madhe dhe vëmendje të veçantë atij problemi. Gjë e cila duhet thënë se përbënte një eveniment të veçantë për Shqipërinë dhe përgatitjet nga ana e të gjitha strukturave të shtetit shqiptar, kishin filluar menjëherë që kur ishte nënshkruar dokumenti përkatës për formimin e atij pakti ushtarak në kryeqytetin polak, Varshavë. Por duhet thënë se hyrja e Shqipërisë në atë pakt ushtarak nuk vihej në dyshim dhe nuk përbënte ndonjë problem të madh për vendin tonë, pasi dihej fare mirë se Shqipëria ishte një vend satelit dhe tepër i bindur i Bashkimit Sovjetik. Dhe gjithashtu, ushtria shqiptare ishte një pjesë apo më mirë të themi një shtojcë e Ushtrisë së Kuqe të Bashkimit Sovjetik të asaj kohe. Por kur ajo gjë u bë realitet, pra kur Shqipëria nënshkroi zyrtarisht aderimin në Traktatin e Varshavës, pati një jehonë mjaft të madhe dhe në të gjithë vendin u zhvilluan mitingje madhështore.
Çfarë ndodhi fillimisht?
Fillimisht kësaj i parapriu miratimi në Kuvendin Popullor i atij traktati, ku në mes duartrokitjeve të deputetëve dhe të ftuarve të tjerë, u mbajtën dy fjalime, një nga kryeministri Mehmet Shehu dhe tjetri nga ministri i Mbrojtjes Popullore, gjeneral-leitnant Beqir Balluku. Kjo gjë lidhej edhe me propagandën e madhe që i kushtoi PPSH-ja dhe qeveria atij evenimenti, ku Radio-Tirana dhe gjithë shtypi, i kushtuan ditë të tëra asaj ngjarjeje. Ndër sloganet që dallohej dhe përdorej më shumë në atë kohë, ishte ai që thuhej se; Republika Popullore e Shqipërisë tani është e mbrojtur dhe nuk na gjen gjë. Por me gjithë këto që thamë, duhet pranuar se futja e Shqipërisë në Traktatin e Varshavës, më shumë se në interesin e vendit tonë, ishte dhe një kërkesë e Bashkimit Sovjetik dhe e vetë atij pakti ushtarak.
Në ç‘drejtim dhe pse?
Kjo gjë kishte të bënte me vetë pozicionin gjeostrategjik të Shqipërisë, e cila kufizohej me det me Italinë dhe Greqinë, të cilat në atë kohë dhe sot, janë dy vende anëtare të NATO-s. Nisur nga ky fakt, pra konfiguracioni gjeostrategjik i Shqipërisë, ishte mjaft i nevojshëm për Traktatin e Varshavës dhe vetë sovjetikët, të cilëve iu interesonte me çdo kusht një dalje në det për të kontrolluar dhe mbajtur nën vëzhgim të përhershëm të gjithë Mesdheun.
Pas hyrjes së Shqipërisë në Traktatin e Varshavës, si vijuan më tej marrëdhëniet në mes nesh dhe vendeve e ushtrive përkatëse, a pati ndonjë ndryshim të madh nga koha para nënshkrimit të atij pakti?
Patjetër që u vu re një farë ndryshimi dhe bashkëpunimi më të ngushtë në marrëdhëniet në mes ushtrisë sonë dhe ushtrive të vendeve përkatëse të Traktatit të Varshavës, gjë e cila ishte e kushtëzuar edhe me zbatimin e pikave të atij pakti ushtarak. Menjëherë pas nënshkrimit të atij traktati, Shqipëria caktoi përfaqësuesin zyrtar të saj pranë Traktatit të Varshavës, që ishte kolonel Halim Ramohito, (më pas ai mori gradën e gjeneralit), një ushtarak mjaft i përgatitur që ishte diplomuar me rezultate të larta në akademitë më të njohura të Bashkimit Sovjetik të asaj kohe. Po kështu, më pas filluan edhe shkëmbimet reciproke të delegacioneve të larta ushtarake të vendeve që aderonin në atë pakt ushtarak, si dhe të dy drejtuesve kryesorë të vendit tonë, Kryeministrit Mehmet Shehu dhe ministrit të Mbrojtjes Popullore, Beqir Balluku, të cilët ishin të detyruar të merrnin pjesë në të gjitha mbledhjet e Komandës së Bashkuar të Traktatit të Varshavës, që zhvilloheshin kryesisht në Moskë, ku ishte dhe selia qendrore, por edhe në vendet e tjera ku zhvilloheshin ato takime.
A kishte gjëra të tjera të kësaj natyre?
Ndryshimet e tjera konsistuan edhe në shtimin e këshilltarëve ushtarakë sovjetikë në të gjitha llojet e armëve të Ushtrisë Shqiptare, si në Flotën Detare dhe Ajrore, ashtu dhe në armën e Tankeve, Artilerisë, Ndërlidhjes, Kimisë, Xhenio etj. Këshilltarët ushtarakë sovjetikë u vendosën jo vetëm pranë Ministrisë së Mbrojtjes në Tiranë, po ata u shtrinë edhe nëpër rrethe, deri në rang brigade e regjimenti. Shumica e tyre mbanin gradat e kolonelit, ndërsa këshilltari që ishte pranë ministrit të Mbrojtjes Popullore, Beqir Ballukut, mbante gradën e gjeneral-majorit. Një ndryshim tjetër që u ndie në atë kohë ishte dhe shkollimi e specializimi i një numri të madh ushtarakësh shqiptarë në shkollat dhe akademitë ushtarake më të mira të Bashkimit Sovjetik. Pra, me anëtarësimin e Shqipërisë në Traktatin e Varshavës, sovjetikët morën përsipër dhe kryen të gjithë shkollimin e përgatitjen kuadrit tonë ushtarak, për të gjitha llojet e armëve. Të gjitha këto, ashtu si çdo gjë tjetër që kishte të bënte me ushtrinë tonë, kryheshin falas nga sovjetikët.
Pas sa kohësh nga hyrja e Shqipërisë në atë pakt ushtarak, erdhën delegacione të larta të Traktatit të Varshavës në vendin tonë?
Menjëherë pas disa muajsh, në mos gaboj aty nga viti 1956, në Shqipëri erdhën tre a katër ushtarakë të lartë rusë, që mbanin gradat e gjeneralit. Në atë kohë ata erdhën në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha” në Tiranë ku dhanë disa leksione tepër sekrete për një numër të kufizuar ushtarakësh shqiptarë që ishin përzgjedhur nga ana e Ministrisë sonë të Mbrojtjes në Tiranë. Ato leksione që u zhvilluan për gati një javë rresht, ishin materiale udhëzuese dhe kishin të bënin me doktrinën e mënyrën e funksionimit të ushtrisë shqiptare. Siç thashë edhe me lart, ato ishin tepër sekrete dhe pas mbarimit të leksioneve, të gjitha fletoret që ne mbajtëm shënimet, u dorëzuan në sekretarinë sekrete me firmë dhe të dyllosura me vulat personale të gjithsecilit.
Tani ato nuk përbëjnë më sekret, a mund të na thoni se çfarë udhëzimesh ishin ato?
Pa diskutim që nuk përbëjnë më sekret. Bashkimi Sovjetik dhe Traktati i Varshavës në atë kohë, e orientonin ushtrinë shqiptare në veprimet mbrojtëse dhe jo sulmuese. Dhe e gjithë doktrina ushtarake e jona duhej të bazohej mbi ato principe.
Po në drejtim të furnizimit të Shqipërisë me arsenal ushtarak a pati ndryshim pas anëtarësimit të vendit tonë në Traktatin e Varshavës?
Në parantezë të kësaj, desha të sqaroj se edhe para futjes së Shqipërisë në Traktatin e Varshavës, ushtria jonë furnizohej me gjithçka nga Bashkimi Sovjetik. Kur them me gjithçka, duhet të kuptojmë; që nga gjilpëra e ushtarit, ushqimet, veshmbathjet, e deri tek armët më të rënda që dispononim ne në atë kohë, si nëndetëset, raketat, tanket e avionët. Pra, me pak fjalë, ashtu siç i’u thashë edhe pak më lart, ushtria shqiptare ishte një shtojcë e ushtrisë sovjetike. Por pas futjes së Shqipërisë në Traktatin e Varshavës, ushtria jonë nisi të fuqizohej gjithnjë e më shumë me arsenal ushtarak që vinte këtu nga Bashkimi Sovjetik në bazë të planeve dhe projekteve që ata kishin. Aq shumë automjete ushtarake erdhën në atë kohë në vendin tonë, saqë qeveria u dha edhe disa dikastereve të tjera civile automjete “ZIS”, për t‘i pasur për nevojat e tyre.
Në ç’drejtim ishin prioritetet e sovjetikëve për fuqizimin e ushtrisë shqiptare, pra cilës armë i kushtuan më shumë vëmendje?
Nisur nga orientimi i ushtrisë shqiptare në sistemin e pozitave mbrojtëse, që ata i dhanë dhe planeve të tyre për të kontrolluar me çdo kusht Mesdheun, sovjetikët fuqizuan shumë Flotën tonë Luftarake Detare dhe armën e tankeve, e cila u orientua me drejtim mbrojtës nga vija bregdetare, nga ku pritej të vinte edhe ndonjë agresion i mundshëm ushtarak nga jashtë. Fuqizimi i Flotës sonë Luftarake Detare duhet thënë se ishte një gjë mjaft e madhe, pasi edhe një shtet sado i fuqishëm dhe i zhvilluar ekonomikisht që të jetë, nuk mundet dot ta mbajë një flotë të tillë, pasi asaj i duhen shpenzime financiare astronomike. Po kështu, përveç fuqizimit të Flotës Detare dhe deri diku asaj Ajrore, sovjetikët instaluan në vendin tonë edhe disa stacione lokacioni dhe radarë përgjimi, apo siç quheshin në atë kohë me termat ushtarake; Posta Radioteknike.
Ku u vendosën ato?
Në atë kohë ato u vendosën kudo nga jugu në veri dhe kontrollonin pothuaj të gjithë hapësirën ajrore të fqinjëve tanë, kryesisht Italisë dhe Greqisë, dy vendeve anëtare të NATO-s. Me anë të atyre postave radioteknike, ne ishim në gjendje të kontrollonim edhe ngritjen e një avioni në aeroportet e Romës a çdo vendi tjetër të Italisë. Krahas fuqizimit të logjistikës për kontrollin e hapësirës ajrore, menjëherë pas aderimit tonë në Traktatin e Varshavës, sovjetikët na instaluan edhe një rrjet radiostacionesh për kontrollin e hapësirës ujore detare të vendit tonë. Në këtë kuadër u vendos një postë radioteknike në një manastir në fshatin Vuno të Vlorës, e cila ishte në gjendje të kontrollonte të gjitha lëvizjet e mjeteve në det. Po kështu, për këtë gjë në atë kohë u instalua edhe një stacion mjaft i fuqishëm diku në kthesat e Llogorasë, fare pranë detit.
Është thënë se baza ushtarake detare e Pashalimanit ka qenë një nga më kryesoret e Traktatit të Varshavës për Mesdheun, ç’mund të thoni për këtë?
Është e vërtetë që jo vetëm baza e Pashalimanit, por i gjithë Karaburuni dhe ishulli i Sazanit kanë qenë pika kyçe jo vetëm tonat, por edhe të Traktatit të Varshavës ku aderonim ne. Më kujtohet gjatë vizitës që bëri në vendin tonë në vitin 1956, ministri i Mbrojtjes së Bashkimit Sovjetik, marrshalli Zhukov, kishte marrë me vete edhe një numër të madh ushtarakësh të Shtatmadhorisë ruse. Gjatë asaj vizite, pasi ndoqi nga afër stërvitjen e madhe që ne bëmë në Voskopojë, ku ai mbeti i habitur e na tha: “Ju lumtë, e kënaqët plakun”, ai shkoi edhe në ishullin e Sazanit. Gjatë vizitës në atë ishull, ku kisha rastin ta shoqëroja edhe unë, marrshalli Zhukov dhe ekipi që e shoqëronte, hipi në majën më të lartë dhe për disa minuta vrojtoi me mjete optike gjithë hapësirën detare rreth e rrotull. Pas kësaj ai i’u drejtua komandantit të Detit të Zi, admiralit Kudetcov, duke i thënë: “Çfarë bën ti në detin e Zi? Ja ky është Deti i Zi për ty”. Pastaj ai pyeti ushtarakët tanë: “Sa katera silurues keni planizuar këtu në Sazan?” Dhe kur ata i thanë se kishin planizuar 12, ai ua ktheu: “Çfarë 12, 72 duhet të planizoni”. Pas ishullit të Sazanit, Zhukovi vizitoi edhe Karaburunin, me qëllim që aty të vendosnim disa raketa tokë-tokë kundër NATO-s dhe Italisë.
Pse nuk u vendosën këto raketa atje?
Vendosja e atyre raketave dhe e një arsenali tjetër ushtarak që Zhukovi na premtoi gjatë vizitës së tij në Shqipëri, nuk u bënë të mundura, për shkak se siç dihet ai u shkarkua menjëherë sapo u largua nga vendi ynë. Por tre grupe raketash tokë-ajër erdhën, dhe ato u vendosën në Krujë, Patos dhe në një fshat në mes Durrësit dhe Tiranës.
A e kishte të nevojshme Shqipëria gjithë atë arsenal të madh ushtarak që sovjetikët, por edhe më pas kinezët, sollën këtu dhe pse ndodhi kjo gjë?
Pa diskutim që arsenali ushtarak që dispononte Shqipëria në atë kohë si dhuratë nga sovjetikët dhe më pas nga kinezët, ishte një gjë mjaft e tepërt dhe e pajustifikuar nga ana ushtarake. Që nga mesi i viteve ‘50 kur ne aderuam në Traktatin e Varshavës, bisedonim me këshilltarët sovjetikë dhe disa prej tyre na hapeshin për çdo gjë. Ardhja e të gjithë atij arsenali ushtarak në vendin tonë kishte të bënte dhe me planet e sovjetikëve për ta pasur Shqipërinë si një bazë gjeostrategjike të Traktatit të Varshavës dhe të synimeve të tyre në kuadrin e atij pakti ushtarak. Këshilltarët sovjetikë na e thoshin vetë herë pas here: “Ju mos u mundoni ta bëni ushtrinë tuaj si tonën, se nuk e bëni dot kurrë. Por ne do t‘ju furnizojmë dhe në rast të ndonjë sulmi nga jashtë, ne do të vijmë këtu të luftojmë dhe t‘ju mbrojmë nga çdo armik”.
E rrudhi buxhetin e vendit tonë të varfër dhe a ndihej kjo gjë në atë kohë. A kishte shifra reale për atë se sa harxhonte Shqipëria për ushtrinë?
Edhe pse siç ua thashë më lart, i gjithë arsenali ushtarak dhe çdo gjë tjetër që kishte të bënte me ushtrinë dhe mbrojtjen, i vinte Shqipërisë falas nga ana e Bashkimit Sovjetik, përsëri vendi ynë gjatë atyre viteve e ka ndier mjaft peshën dhe shpenzimet që bëheshin për ushtrinë. Por shifrat reale të shpenzimeve nuk jepeshin kurrë, pasi ato konsideroheshin si një sekret i rëndësisë së veçantë dhe kur qeveria planizonte buxhetin e ushtrisë, i cili formalisht miratohej edhe në Kuvendin Popullor, ato gjithmonë raportoheshin shumë më pak nga sa ishin në të vërtetë./Memorie.al
Vijon numrin e ardhsëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016