Nga Sokrat Shyti
Pjesa e tretë
Memorie.al /Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio “Diapazon” (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
Në muajin e fundit të pranverës të vitit të dytë shkollor, para sezonit të provimeve, (në sistemin e atëhershëm mësimor, nxënësit i nënshtroheshin provimeve në fundin e çdo viti, nga klasa e katërt fillore deri në klasën e katërt të Gjimnazit, përvesh provimeve të shtetit në klasën e shtatë dhe Maturës), drejtori i shkollës më thirri në kabinetin e tij për të më dhënë një kumt disi të çuditshëm:
– “Sot Këshilli Pedagogjik, kur mori në shqyrtim përfundimin e programit mësimor të këtij viti shkollor, ndërmjet të tjerash mori dhe një vendim unanim për ty, që të shkosh në shtëpi të çlodhesh. Profesorët e vlerësuan të panevojshme të japësh provimet e fundvitit, duke patur parasysh se gjatë këtij viti mësimor, ti përballove me sukses të plotë ngarkesën e shpjegimeve të përditshme, për oficerët e Degës së Punëve të Brendshme, i bërë një shërbim të çmuar shkollës.
Duke qenë nxënës me të gjitha notat pesa, pa asnjë katër, profesorët kanë bindje se i zotëroni qind për qind lëndët, për rrjedhojë përgjigjet e tua në provim, do jenë në këtë nivel të lartë. Nuk e vë në mëdyshje që ky vlerësim i mrekullueshëm, do vazhdojë në të ardhmen. Je në gjysmën e ciklit të plotë të përfundimit të Gjimnazit, ka ardhur koha, pas thellimit të njohurive shkencore – pedagogjike, të saktësosh pa lëkundje degën tënde të studimeve, duke patur parasysh, në radhë të parë, prirjet e tua të natyrshme. Mund të nisesh në shtëpi që ditën e nesërme. Me drejtorin e konviktit do të bisedoj sot. Të uroj rrugë të mbarë dhe kalofsh pushime të qeta”!… – theksoi ai duke më përqafuar.
Ishte një përqafim atëror, që më bëri të përlotem. Nuk mund ta mohoja që, sidomos në këtë vit mësimor, drejtori i Gjimnazit më kish mbajtur pranë vetes, dhe herë pas here tregonte kujdes të veçantë. Prandaj e falënderova atë dhe Këshillin Pedagogjik, për vlerësimin e lartë. Por kur dola nga kabineti, isha i hutuar, i pështjelluar me një ndjesi boshllëku, sepse përbrenda më ngacmoi pandehma, se në shtëpi duhet të ketë ndodhur diçka, (pa e përcaktuar kohën, tani apo më parë).
Pikërisht, duke u mbështetur mbi këtë fakt, profesorët e panë të arsyeshme, të më nisin pranë familjes, duke e quajtur kohën më të përshtatshme, që nuk shkakton dyshime, dhe malli për familjen e qytetin tim të lindjes qenë shtuar, sepse në pushimet e dimrit nuk shkova, jo vetëm nga përmbytjet e rrugëve gjatë daljes së lumenjve prej shtratit dhe të ftohtit e acartë, me rrugë të kallkanosura, por edhe sikur moti të tregohej më i butë, prapë s’do largohesha, për arsyen madhore shtetërore, pasi në këto ditë pushimi, zhvilloja katër orë mësimore me oficerët e Degës së Brendshme, i detyruar ta përfundoja programin në fund të janarit, pasi në javën e parë të shkurtit, këta do “jepnin” provime para një komisioni, për të marrë dëshminë arsimore.
Sigurisht u ndjeva i lehtësuar që ia dola në krye të përmbushja atë detyrë aq të vështirë, në rolin e “profesorit”, para “nxënësve” me grada madhore, ku më i riu, kishte mbi dyfishin e moshës sime, dhe ishin fare fillestarë, për njohuritë shkencore, krahasoheshin me nxënësit e klasave të para fillore, të cilët pasi mësojnë shkronjat e alfabetit, nisin të shkruajnë fjalët.
Fakti që Këshilli Pedagogjik e vlerësoi punën time, tregoi qartë se komisioni shtetëror i ngritur enkas, e miratoi shkallën e njohurive, aq sa u nevojitet oficerëve, për të rritur më tej nivelin arsimor në shkolla profesionale ushtarake jashtë shtetit, kryesisht në Bashkimin Sovjetik…! (Madje disa profesorë të matematikës e fizikës, më shprehën drejtpërdrejtë falënderime vetjake, që pranova propozimin e drejtorit të shkollës, pa shfaqur asnjë kundërshti, dhe mora përsipër këtë detyrë të vështirë, e cila në fakt u takonte atyre. Përmes këtij shpjegimi, që ndërpritej këtu, por vazhdonte në heshtje, këta shprehën mirënjohjen e madhe ndaj meje, njësoj sikur të më kishin thënë: “Na ke shpëtuar nga përfshirja në një katrahurë tmerrësisht të frikshme e pa rrugëdalje, me pasoja të rënda, në rast kundërshtimi apo luhatje”!).
Kur shkova në konvikt, drejtor Muhameti më thirri në kthinën e tij të ngushtë, që ndodhej në kthesën e shkallëve, pasi donte t’i bashkëngjitej falënderimeve të Këshillit Pedagogjik, dhe të më njoftonte gojarisht, se nga dita e nesërme, fillojnë pushimet e mia verore. – “Prandaj bën mirë të shkosh që këtë çast në agjenci të udhëtarëve, duke patur me vete autorizimin e drejtorisë tonë, për bileta të rezervuara, sipas të drejtës që ka institucioni ynë”, – theksoi ai me ton dashamirës. Dhe menjëherë nisi të shkruajë. – “Kur të mbërrish atje, përveç autorizimit, – shtoi, pasi e firmosi dhe vulosi shkresën, – do kesh si përforcim telefonatën time. Kam përshtypjen se vajtja jote në shtëpi në këtë kohë, para sezonit të provimeve, do jetë surprizë për familjen…” Pas këtyre fjalive ngërtheu vështrimin mbi sytë e mi).
– “Përveç atyre që përmendi drejtori i shkollës, ju dini ndonjë arsye të veçantë, pse bëhet ky përjashtim për mua”?… – guxova ta pyesja, para se të largohesha. – “Të shqetëson ndonjë ngacmim, që po ma drejton këtë pyetje”? – ma ktheu ai me kureshtje. – “Konkretisht asgjë nuk kam…”! – “At’here, s’ke pse i mëshon dyshimit”! Sqarimi i drejtorit të shkollës, për vendimin e Këshillit Pedagogjik, ishte si drita e diellit: “Të takon të ndjehesh krenar për këtë vlerësim, ashtu si ndjehemi dhe ne drejtuesit e konviktit, sepse je pjesëtar i kësaj bashkësie të madhe nxënësish.
Në përgjigje të këtij vlerësimi të lartë, duhet vetëm t’i falenderosh, dhe të heqësh nga koka çdo mëdyshje brejtëse të fantazisë, që nuk i përket realitetit! – theksoi me ton qortimi, duke u ngritur në këmbë. – Tash që të janë rritur flokët dhe ke marrë pamjen e një djaloshi të hijshëm, do t’i gëzosh e kënaqësh familjarët e tu, – shtoi me buzëqeshje. – Më bëhet shumë qejfi që mundi yt i disa muajve, pasqyrohet bukur në shëmbëlltyrën simpatike. Kjo dëshmi tregon respekt e kujdes të veçantë të nxënësve të t’u madhorë, për profesorin e tyre të palodhur. Mund të thuhet se nga të dy palët, pati trajtim të ndërsjellë, mbresa të mira e vlerësime të larta.
Por tash nuk kemi kohë për analiza, pasi mund të vonohesh. Prandaj nisu tek agjencia të blesh biletën. Duhet të kesh parasysh: për biletën nuk do paguash, pasi je person i autorizuar. Si i tillë, vetëm do firmosësh në bllokun e tyre. Shteti na ka vënë në dispozicion një fond të posaçëm, për raste të veçante dhe shërbime”. E falënderova drejtorin e konviktit për kujdesin e treguar, dhe zbrita shkallët. Por kur dola nga porta, prapë ndjehesha i ndrydhur, nga pandehma shqetësuese, se brenda këtij qëndrimi dashamirës, fshihet diçka, duhet të ketë patjetër një arsye shkakësore, që i detyron të sillen me kaq butësi e, përgjegjësi të matur ndaj meje!
Megjithatë, edhe pasi e shtrydha mendjen nuk gjeta diçka konkrete. Sepse largësia e madhe me qytetin e vendlindjes, mungesa e ndërlidhjes telefonike, letrat shumë të rralla me shtëpinë, më pengonin të formoja një ide e shpjegim, sado sipërfaqësor, apo përshtypje të përafërt, çfarë mund të ketë ndodhur gjatë pesë muajve të këtij viti, sidomos pas kalimit të dimrit të ashpër, i cili preku me cingërimat therëse dhe ngricat e serta, qytetet fushore.
Sigurisht ankthi vërtitej kryesisht rreth shëndetit të dobësuar të babait, nëse ai me atë astmë bronkiale, ia ka dalë dot t’i bëjë ballë ajrit të ftohtë dhe temperaturave të ulëta të janarit e shkurtit, duke patur parasysh, që edhe marsi u tregua gati armiqësor, me luhatje të theksuara stinore, më tepër përqasej me vazhdimësinë e dimrit, apo pranverës mashtruese, që sfiliste me egërsitë befasuese, edhe trupat e shëndetshëm, e jo pastaj ata me sëmundje kronike, si tim atë!
Nuk e vija në dyshim, që ky mot i mbrapshtë, do t’i kish shkaktuar më e pakta lëngim të gjatë në shtrat, ose shtrim në spital. Në qoftë se kjo pandehmë e hidhur përqaset me të vërtetën, dhe babai i gjorë ndodhet në agoninë e prag-vdekjes, drejtori i shkollës më Këshillin Pedagogjik, u treguan mjaft të arsyeshëm me vendimin e tyre, që më përjashtuan nga provimet e fundvitit. Por kur arrita tek ky përfundim, më doli përpara pikëpyetja tronditëse: “Nëpër cilën rrugë u njoftua shkolla për këtë gjendje? Cili person i ka vënë në dijeni?! Pasi familja jonë e madhe qe tkurrur: në shtëpi kishin mbetur nëna, babai i sëmurë dhe motra”.
Mirëpo këta të tre përjashtoheshin si përcjellës të ndonjë kumti të hidhur, për Drejtorinë e shkollës; nuk mund të njoftonin mbi gjendjen e rëndë shëndetësore të një pjesëtari, sepse vetvetiu dyshimi do binte kryesisht mbi babanë. Mos ndoshta njoftimin zyrtar në Drejtorinë e shkollës, e ka dërguar ndonjë inspektor i seksionit të arsimit, (sigurisht me urdhër nga lart), të shoqëruar me sugjerimin: që mundësisht djali i kësaj familje, të ndodhet në shtëpi, në një kohë të përshtatshme….?
“Nëse kjo pandehmë del e vërtetë, ka njoftim zyrtar, atëherë duhet të ketë ndodhur gjëma e tmerrshme e vdekjes, babai ka ndërruar jetë”! – mërmërita me vete duke u dridhur. – “Kur ka ndodhur gjëma: këto ditë, apo para disa kohe…? Si do ta kenë formuluar telegramin zyrtar”?! Por kjo pak rëndësi ka. I gjori baba! Ja mori më në fund shpirtin astma e pabesë! Ishte e tmerrshme kur e shihja, sa shumë vuante e torturohej, merrte frymë me supe, të mbështetur pas një shtylle telefoni ose, cep muri, me shikim agonie, dhe priste tërë ankth, mos kalonte atë çast dikush për ta ndihmuar!
Pastaj me duart që i dridhen, nxirrte nga xhepi i jelekut paketën e palosur me pluhur ephedrine, e hidhte përsipër gjuhës dhe e kapërcente si gllënjka uji…! Vite e vite të tëra, ia sfiliti shëndetin astma e mallkuar! S’e la të gëzonte dy ditë bashkë, pa e munduar me frymënxjerrjen e mundimshme! Duhet të vinte në lëvizje gjithë pjesën e sipërme të trupit, para së gjithash kafazin e ngushtuar të kraharorit, që mushkëritë e lëngështuara, të kryenin më shumë sforcime ajrosjen e gjakut!
Nuk doja ta pranoja që kjo sëmundje vrastare iu shfaq në fabrikën e lëkurave, nga përdorimi i substancave kimike, në kushte tmerrësisht të rënda, pa ajrosjen e duhur dhe mbrojtjen me maska, (kur punonte si emigrant në Shtetet e Bashkuara të Amerikës). Dhe sidomos, më dukej tejet paradoksal fakti, që një shtet kaq i zhvilluar, si Amerika, kish një mjekësi të prapambetur, nuk e kuronte dot astmën bronkiale!
Jo vetëm gjatë këtyre minutave, që përfytyroja kufomën e tim ati brenda arkë-mortit, (tashmë kisha filluar t’i besoja këtij varianti), por edhe më parë, kur isha fëmijë dhe e ndihmoja me aq sa mundja në dyqan, sa herë e shihja të nxirrte me vështirësi frymën nëpërmjet lëvizjes së shpatullave, më përforcohej gjithnjë e më shumë mendimi, se këtë sëmundje ia shkaktoi mërgimi, se po të mos emigronte në Amerikë e, të punonte në fabrikën e lëkurave, por ta niste punën e rrobaqepësit që në rininë e hershme, sot me siguri do gëzonte shëndet normal, të paktën nuk do vuante nga kjo sëmundje, shpirt gërryese.
Kur mbërrita tek agjencia e udhëtarëve, i tregova nga sporteli përgjegjësit, autorizimin e drejtorit të konviktit. Ky sapo i hodhi një shikim të shpejt, më futi brenda në zyrën e tij, dhe më pyeti nëse më zë autobusi i mbyllur, gjatë ecjes. Pastaj nga blloku i biletave, preu atë me numër pesë, dhe duke ma dorëzuar më pyeti me vështrim të qeshur:
– “E di pse caktova këtë numër”? – tha ai.
– “Ndoshta sepse kjo bën pjesë tek biletat me autorizim”, – ia ktheva unë.
– “Për rastin e përgjithshëm pranohet kjo mundësi. Por për ty numri pesë, ka një specifikë të veçantë, sepse pesa simbolizon nxënësin e shkëlqyer”! – shtoi ai, duke më shtrënguar dorën. Dhe kur më uroi rrugë të mbarë e suksese të mëtejshme për vitin tjetër shkollor, më tha t’i përcillja të fala drejtorit të konviktit. Unë firmosa në bllokun e madh të shërbimeve, ku u shënua emri dhe mbiemri im, nxënës i vitit të dytë të Gjimnazit, konviktor, si dhe autorizuesi i blerjes së biletës. Pastaj përgjegjësi më dha një copë letër të palosur në katër, futur dy pjesët tek njëra tjetra, duke më thënë:
– “Këtë ta ruash me shumë kujdes, që kur të kthehesh për në Shkodër, trokit tek dera e zyrës të kolegut tim, në Tiranë, që ky të japë biletë nga rezervat…”. Ndrydhja e krijuar nga gjendja e rëndë shpirtërore, më mbante vazhdimisht brenda një trysnie shtypëse, me mendime të trazuara kobë-ndjellëse. As përkujdesjet e drejtorit të shkollës dhe konviktit, nuk ndikuan në lehtësimin sadopak të përfytyrimit të gjëmës. Mezi prisja të kalonin orët e pasdites dhe mbrëmjes, të shtrihesha në shtrat, me shpresë mos më kaplonte gjumi deri në agim.
Sigurisht asnjë shoku të afërt, nuk do t’i hapesha, t’i tregoja se po nisëm para kohe me pushimet e verës, pasi vetvetiu do fillonin pyetjet e bezdisshme dhe do shfaqi kureshtja e ethshme, pse Këshilli Pedagogjik mori këtë vendim të posaçëm?! Mjaftonte ky ngacmim, të më acaronte nervat dhe ta shtonte pezmin e dëshpërimit.
Prandaj, për të mos krijuar fërkime dhe keqkuptime me shokët, kryesisht mungesë besimi, i bëra kërkesë kujdestarit tonë, Fadilit, që valixhen, ta lija në kthinën e tij, deri në mëngjes. Nëpërmjet nuhatjes së hollë, ky e pikasi menjëherë synimin e kërkesës, dhe u tregua i gatshëm të më ndihmonte. Sapo ta bëja gati valixhen, ta vija në dijeni, që të vinte vetë ta merrte, kur gjithë nxënësit ndodheshin poshtë, në klasat e studimit.
Të nesërmen, në orën pesë e tridhjete minuta të mëngjesit, kur tingëlloi zilja e zgjimit, u ngrita dhe fillova të rregulloj shtratin. Pikërisht në këtë çast u kujtova për diçka mjaft të rëndësishme, dorëzimin e materialeve të marra në ngarkim, në fillim të vitit shkollor, kur vinim në konvikt, dy tre ditë para një shtatorit. Prandaj, që të mos vonohesha, shkova tek kthina e kujdestarit, për t’i shprehur shqetësimin, duke patur parasysh që magazinierja paraqitej në punë, në orën shtatë. Kujdestari më tha të merrem me tualetin e mëngjesit, të risjellë ndërmend edhe një herë nga e para, mos kam harruar diçka, që më duhet, sidomos ndonjë libër tërheqës, të cilin do ta lexojë gjatë verës.
“Ndërsa për sa i përket dorëzimit të materialeve, quaje pune të mbaruar, – më tha ai, – pasi këtë proces e kryen Gjystja, kur konviktorët shkojnë në shkollë”. Ai fliste me mua krejt lirshëm dhe rrjedhshëm, si me vëllanë e tij të vogël, pa dhënë as shenjën me të vogël të emocionit, sa m’u krijua përshtypja se drejtori i konviktit, nuk e ka vënë në dijeni, çfarë më ka ndodhur mua në shtëpi, por vetëm i ka thënë arsyen e njohur, se; “Sokrati po largohet para sezonit të provimeve, meqë këtë vit shkollor, pati ngarkesë të dyfishtë, si nxënës i shkëlqyer dhe ‘profesor’ i papërtuar”. Ndoshta prandaj kujdestari e ndjeu për detyrë, të më shoqëronte deri në agjenci të udhëtarëve, duke më bërë të skuqem me veprimin e tij, sepse ky mbajti vetë valixhen time, me gjithë kundërshtimin e përsëritur.
“Këtë e bën nga respekti për rezultatet e shkëlqyera në mësime, dhe gatishmëria që iu përgjigja thirrjes së drejtorisë e këshillit pedagogjik për të përgatitur nxënësit ushtarakë? Apo kjo përkujdesje lidhet kryesisht me gjëmën e kobshme”? – pyeta veten, ndërsa ecnim të heshtur përgjatë rrugicës deri tek ‘Kafja e Madhe’. – “Meqë mëngjesin e ke ngrënë, dhe të pret një udhëtim i gjatë prej katër orë, në mjedis të mbyllur, besoj duhet të duket mendim i pëlqyer, të pimë bashkë një kafe me kajmak këtu”, – më befasoi kujdestari, duke më kthyer tek hyrja e ‘Kafes së Madhe’. – “Se mos vonohemi”? – i shpreha unë shqetësimin tim.
– “Jo, jemi tamam në kohë”, – shtoi ai duke parë orën e dorës. Dhe i bëri shenjë me dorë kamerierit të qasej. Sapo ky u afrua, dha porosinë: “Dy kafe me kajmak! Por ju lutem pak shpejt, se e kemi me ngut”.
Kamerieri tha; “nji tash”, dhe fluturoi. – “Kujdestar! Është rasti i parë që rrimë ulur të vetmuar, pa praninë e të tjerëve. Mund t’ju drejtoj një pyetje, që e kam patur ndërmend”?…- mora guximin të flisja i shpenguar. – “Unë ndjej kënaqësi kur bisedoj me ty”! – ma ktheu ai, duke e ngërthyer shikimin e tij qelqor, mbi sytë e mi. – “Prej kohësh kam vënë re se ju i zotëroni saktësisht, lëndët shkencore të Gjimnazit. Dhe kam bindjen qe keni qenë ndër nxënësit më të mirë të klasës. Mund t’ju pyes, pse nuk i vazhduat më tej studimet”? – shtova i emocionuar.
– “Thjeshtë për arsye ekonomike. Isha djali i vetëm në familje. Motrat po rriteshin, po vinte koha e martesës. Baba nuk ia dilte dot të plotësonte nevojat e ngutshme në rritje, të shtëpisë. Kështu që mora vendimin e dhimbshëm, të ndihmoja babën dhe familjen…” – shpjegoi ai shkurt. – “Po më vonë, pas martesës së motrave, pse nuk i vazhduat studimet, si kandidat i jashtëm”? – u interesova unë.
– “E po më vonë edhe unë u rrita, nuk isha më djaloshi i dikurshëm, duhet të mendoja për jetën time familjare. Po të filloja studimet, do ndërpritej rruga e fejesës dhe martesës sime. Jeta e vonuar familjare, sjell pasoja të mëvonshme tek fëmijët. Prandaj m’u duk më e drejtë të krijoj një familje me bazë të shëndoshë, se sa të marrë një diplomë…”! “Po këto”?! – iu drejtua kamerierit, kur pruri përveç kafeve me kajmak dhe dy gurabije të mëdha.
– “Të gjitha këto i keni nga lokali”! – u përgjigj në çast kamerieri, – “Dëshira e përgjegjësit dhe jona. ‘Profesorin’ e kemi patur klient të nderuar, për një kohë. Ndjenim kënaqësi që ky djalë në këtë moshë, përmbushte me sukses detyrën e vështirë të profesorit, sidomos me nxënës të veçantë, jo të zakonshëm”!
– “Shprehi nga ana ime dhe e profesorit, falënderimet e sinqerta përgjegjësit e kolektivit tuaj, për vlerësimin e lartë”! – tha kujdestari. – “Do të donim të shkëmbenim dy fjalë të ngrohta mirësjellje, me përgjegjësin tuaj të nderuar, por e kemi me ngut dhe duhet të largohemi”. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016