Nga Uran Kalakulla
Pjesa e njëzetekatër
Nazizmi dhe komunizmi
Memorie.al / Nazizmi zgjati 12 vjet, ndërsa stalinizmi 2 herë më shumë. Krahas shumë karakteristikave të përbashkëta, në mes tyre ka shumë ndryshime. Hipokrizia dhe demagogjia e stalinizmit, ishte e një natyre më të stërhollë, e cila nuk mbështetej në një program që ishte sheshit barbar, si ai i Hitlerit, por mbi një ideologji socialiste, përparimtare, shkencore e popullore, në sy e punonjësve; një ideologji që ishte si një perde e volitshme dhe komode për të gënjyer klasën punëtore, për të përgjumur mprehtësinë e intelektualëve dhe të rivalëve në luftën për pushtet.
Një nga pasojat e kësaj veçantie të stalinizmit, është ajo që mbarë populli sovjetik, përfaqësuesit e tij më të mirë, të aftë, punëtorë e të ndershëm, pësuan goditjen më të tmerrshme. Së paku 10-15 milionë sovjetikë, humbën jetën në dhomat e torturave të KGB-së, të martirizuar apo të ekzekutuar, si dhe në kampet e gulakëve e të të tjerëve si ata, kampe ku ishte e ndaluar të korrespondoje (në fakt ato ishin prototipe të kampeve naziste të vdekjes); në minierat nëpër akujt e Norilskut dhe të Vorkutes, ku njerëzit vdisnin nga e ftohta, nga uria, nga puna dërrmuese nëpër kantieret e panumërt, në shfrytëzimin e pyjeve, në hapjen e kanaleve dhe gjatë transportimit nëpër vagonë të plumbosur, apo në hambarët e përmbytur të anijeve të vdekjes.
Thjeshtësia apo modestia te Riza Kuçi është dhe mbetet një rezultante e natyrshme e një formimi të saktë shpirtëror, e mençurisë, e dijes, e logjikës sokratike, e vetëpërmbajtjes dhe sidomos e një bote të shëndoshë e të paepur morale. Modestia është tipar i qenësishëm i njerëzve seriozë e të ekuilibruar. Ajo është një dukuri e rrallë e botës morale të shëndoshë. Ajo është gati-gati kuintesenca e virtytit. Modestia dhe ndershmëria te Rizai janë dy shtyllat herkuliane të karakterit, natyrës, personalitetit të tij. Madje, do të guxoja të thosha se modestia tek ai është e një shkalle sublime. Kurse, përsa i përket ndershmërisë, unë vë, siç thotë shprehja jonë popullore, dorën në zjarr: Riza Kuçi, në gjithë jetën e tij (tashmë shtatëdhjetëvjeçare), nuk ka bërë kurrë asnjë akt, sado të parëndësishëm, që t’i takojë botës së vesit e të së keqes, ndaj askujt, edhe po të ishin armiq të tij. Pse Riza Kuçi, çuditërisht, nuk kishte armiq, veç atyre që i shkaktuan tmerret e burgut të gjatë dhe atyre që e sfilitën vatanin dhe martirizuan një popull të tëre. Riza Kuçi nuk e njihte hakmarrjen vetjake. Ai njihte vetëm të drejtën, gjykimin me ligj, sipas normave të drejtësisë ndërkombëtare për të gjithë kriminelët.
“Ne, thotë Shën Agostini, e kemi aftësinë të bëjmë të keqen, por detyra morale na pengon”. Një botë e tillë është ajo e Zakes sonë. Morali tek ai është tamam ç’ka Platoni e quan kardinalë e që, sipas tij, përbëhet prej maturisë, drejtësisë, forcës dhe kalitjes. Bota morale e shokut tim është edhe ashtu siç thotë Kanti: njeri që e ka të huaj interesin vetjak, e të shtyn të bësh detyrën deri në fund.
Riza Kuçi ishte shembull virtyti. Ai ka qenë gjithnjë i tillë. Ai, edhe në drejtim të virtytit, sikur i plotësonte tërësisht ato norma që kanë përcaktuar filozofët e lashtësisë helenike, Antisteni dhe Aristoteli se; “virtyti është zotërim i vetvetes” dhe se; “njeriu duhet të udhëhiqet nga zakoni, për të bërë gjithnjë punë të mira”. Pastaj, a nuk i përshtatet personazhit tonë edhe thënia e Shën Agostinit se; “virtyti qëndron në përkryerjen e njeriut si i tillë”? Kuptohet që e kemi fjalën për NJERI me germa të mëdha e, jo për ata që Migjeni ynë i quante me ironinë e tij therëse; “qenie dy këmbësore”.
Të gjithë ata që e kanë njohur Riza Kuçin dhe kanë ndenjur sadopak me të, ushqejnë për këtë njeri një simpati e respekt të veçantë. Është për t’u çuditur që në gjithë jetën time, nuk ndesha asnjëherë një njeri që të thotë makar një fjalë të keqe për të, së paku, ndonjë ankesë të vogël apo ndonjë rezervë. Jo! Të gjithë ata që e kanë njohur, që në moshë fare të re, ushqejnë për shokun tim të shtrenjtë, vetëm respekt dhe nderim. Ja cila është pasuria më e madhe që ka grumbulluar gjatë jetës së tij të stërmundimshme, Riza Kuçi!
Padyshim, për atë që është njeri i vërtetë, kjo është pasuria më e madhe, që nuk barazohet dot as me milionat e miliardat e dollarëve, që mund të kenë apo mund të grumbullojnë ata që i falen Plutit, zotit pagan të pasurisë materiale. As mund të barazohet me ata që kanë aq fort për zemër ofiqet dhe dajdanat që rrjedhin prej tyre, si në skenën e një operete.
Riza Kuçi, besnik i racës së vet, ka pasur gjithë jetën ëndërr dhe ideal vetëm lirinë e Shqipërisë, përparimin maksimal të saj. mirëqenien e popullit, bashkimin e të gjithë kombit, lirinë e plotë qytetare dhe demokracinë e vërtetë, si ajo evropiano perëndimore apo amerikane. Ai ishte dhe mbetet përjetësisht një patriot i vendosur, një nacionalist i bindur. Dhe për këtë është përpjekur dhe ka luftuar me konsekuence gjithë jetën e tij. Ai është një nga shqiptarët e vërtetë, shqiptarët klasikë do të thoja. Ai, si njeri, është një etalon i mirësjelljes dhe i qëndrimit serioz të jetës qytetare, një shembull i madh i virtytit dhe i modestisë sublime.
Në kamp-burgun e Rubikut
Kamp-burgu i Rubikut ishte ngritur në bregun e lumit Fan, këtej urës së atij qytetthi minatorësh; tamam përballë malit, mbi të cilin atëherë ngrihej një kishe e bukur katolike, ku kishte pas qenë meshtar prelati dhe historiani i shquar, Marin Sirdani. Rrethimi nga ana e lumit ishte (në pjesën më të madhe), me mur tullash, në mes të të cilit kishte (çuditërisht), një hapësirë nga mund të dilje në lumë. Kurse e gjithë pjesa tjetër, në formë katërkëndëshi, ishte i rrethuar me tela me gjemba, ku thuajse në dhjetë metra mes tyre, ishin ngritur kulla rojash me mitraloza dykëmbësh.
Aty ishte kantieri i ndërtimit të uzinës së re të shkrirjes dhe rafinimit të bakrit. Madje, në këtë uzinë, do të kryhej shkrirja më e saktë e metalit të kuq dhe, gjithashtu, do të nxirrej s’andejmi edhe një përqindje ari të kulluar, më duket 1.000 kg. në vit. Pra, kjo uzinë, do të ishte dhe një objekt strategjik. E, pikërisht neve, “armiqve të popullit”, “na besohej” ndërtimi i tij! Në qoshen e këtij rrethimi të madh, ishte edhe një rrethim tjetër, më i vogël, në të cilin ngrihej një karabina, e projektuar të ishte laboratori i saj. Ky objekt shërbente (sa kohë do të ishim aty), si vend banimi për ne skllevërit e rinj te punës së detyruar.
Të ikje nga Tirana dhe të vije në atë skutë, ishte një trishtim më vete, pa llogaritur kushtet dhe trajtimin tonë. Por ishim skllevër të prangosur a, më saktë, kafshë pune në sytë dhe mendjen e zotëve tanë, pushtetarëve komunistë. Si në bllokun “Puna”, buzë Lanës, ku ndërtuam një varg banesash, edhe këtu, zyrtarisht ai objekt quhej thjesht; “Reparti 307” – Rubik. Në letrat tona, familjeve kështu do t’ua vinim adresën tonë.
Kjo bëhej që postat dhe populli, të mos dinin se ai vend ishte me të burgosur politikë a, më saktë, me plot “armiq të popullit”. Fshehtësia dhe misteri, ishin një nga tiparet themelore të pushtetit komunist, të cilat, në raste paradash ushtarake, dilnin në shesh, mes bulevardit, me topa e tanke, madje edhe me raketa, ndërsa sipër tyre fluturonin afër e kërcënueshëm e gjithë zhurmë shurdhuese, aeroplanët supersonikë ushtarakë. A thua të ishim në një lloj arme më sekrete se ato armë! Apo ishim krye-turpi i atij regjimi?
Kuadri komandues i atij kamp-burgu, ishte po ai i Tiranës, por këtu nisi të shfaqte haptas e me një dozë të madhe, gati në përkryerje, prirjet e tij kafshërore në trajtimin tonë, me një zell dhe egërsi të papërmbajtur. Prandaj ai (kamp-burgu i Rubikut), dëshmoi se kishte “meritën”, të quhej vendi i disiplinës së hekurt, vendi i ndëshkimi shembullor, shumë afër (në mos edhe më keq), me burgun e Burrelit. Shembullin e tij do ta ndiqte më pas, edhe kamp-burgu i Spaçit dhe ai i Qafë-Barit. Pas kapterëve e oficerëve, në atë kamp-burg, e shfaqi talentin e tij mizor vetë komandanti, koloneli lab, nga Kuçi i Kurveleshit, Bajram (apo labçe, Barjam) Korvarfaj.
Nga ana klimaterike ai kamp-burg kishte edhe një veçori tjetër, atë të bashkimit të dy skajeve të klimës: atë siberiane, në dimër dhe at ekuadoriale apo sahariane, në verë. Sikur ai dreq vendi të ishte zgjedhur enkas e me djallëzi për të zezën tonë! Pas dy ditësh që shkuam atje, na morën në punë. Duhej të sheshonim vendin, të kryenim vazhdimin e punës që kishte lënë përgjysmë “Reparti 309”, i kolonel Hazbi Lamçes. Tjetër basyret ky!
Duket, siç thuhej mes nesh, Hazbiu, si mallakastriot, e kishte grurë me Mehmet Shehun dhe kishte qulluar që nga Rubiku i ftohët, ai transferohej me gjithë efektivin e tij në Laç, në ndërtimin e Uzinës së Superfosfatit, një fabrikë më e madhe kjo dhe në një vend të butë. Ishte fillimi i janarit. Gryka e lumit Fan frynte si gryk nga veriu, duke sjellë aty thellimin e maleve me borë e akull. Edhe anët e lumit, sikur ishin kthyer në akull. Kurse toka ishte bërë shkëmb. I bije me kazmë me sa fuqi që kishe dhe nuk kapje dot asnjë plis, sado të vogël. Kazma kërcente përpjetë, sikur të kishte goditur në shkëmb. Nuk kishe asnjë mundësi t’i shmangeshe thëllimit që të priste si brisk.
Duart e këmbët na bëheshin si kërcunj, sa gati nuk i ndienim fare si pjesë të trupit tonë. Hunda na dukej se do të këputej po ta preknim me dorë. Sytë ishin me lot dhe avulli prej gojë kthehej menjëherë në akull, sidomos tek ata që mbanin mustaqe. Nuk kishe asnjë mundësi të ngrohje sadopak duart, qoftë edhe me hukatje, me frymën tënde. Zjarri ishte i ndaluar rreptësisht. Vetëm kapterët e punës, kishin të drejtë të ndiznin aty-këtu, nëpër atë vend djerr të mallkuar. Të përpiqeshe t’i afroheshe zjarrit, ishte njëlloj sikur të kërkoje të kaptoje rrethimin, veçse këtu nuk të shkrepnin mbi trup breshërinë e plumbave, por të ngopnin me shkelma e grushta dhe, si të lidhnin fort me pranga, të fiksonin pas ndonjë shtylle si Krishti ose (të shoqëruar me dajak), me pranga në duar, përfundoje për një muaj të tërë në birucat e nëndheshme me lagështirë e, më të ftohta se bregu i lumit, tamam frigoriferë të vërtetë.
Dhe puna aty ishte, si thotë populli: “Shpirt, a dole”? Të përpiqeshe për t’u ngrohur, duke punuar fort, si i marrë, që t’i shpëtoje edhe ulërimës prej ujku a çakalli, të kapterëve? Bah, me çfarë energjie, kur kishe ngrënë vetëm një lugë languriq, me një kothere bukë, që në pesë të mëngjesit? Ja, kjo ishte gjendja jonë atje. E, për më tepër, veshja jonë ishte prej zheleve (shumica prej doku) dhe, në këmbë, në vend të çorapeve kishim ca lecka prej bezeje dhe për këpucë opinga llastiku, nga ato të gomave të vjetra të makinave. Vetëm në kokat e qethura zero, kishim të drejtë të mbanim nga një kaskete të bardhë, po prej bezeje, si leckat e këmbëve, të qepur nga ne vetë, si një lloj uniforme dalluese.
Nuk kishim as dy ditë që kishim nisur atë punë të mallkuar prej skllavi, kur, një mëngjes, ende pa dalë dielli, krisën mitralozat dhe “Kallashnikovët”. Mbi kokat tona vërshëllenin plumbat. Ne u shtrimë barkas në tokën e akullt, për të ruajtur sa të mundnim kokën. Ku të futeshe aty? Vendi ishte shesh. Veç, të fshiheshe pas ndonjë grumbulli dheu. Ishim të hutuar, të frikësuar. Në ato çaste na shkoi mendja se komanda kishte marrë urdhër të na pushkatonte aty, bashkërisht, në një kasaphane të përgjithshme, shfarosëse. Vallë, ç’të kishte ngjarë? Mos andej nga bregdeti, kishin zbarkuar gjë anglo-amerikanët?! Pse nuk dëgjoheshin gjëmat e topave të tyre?! Pse nuk dëgjohej asnjë uturimë aeroplani?!
Në krye të sopit, oficeri i punës bërtiste si i marrë: “Barkas! Barkas”! Po ne ishim barkas pa thënë ai. Atëherë ç’dreqin kishte ndodhur?! Kur, ja: në krye të asaj skenë të llahtarshme u shfaq si lugat silueta e shëmtuar e komandantit, me atë fytyrën e tij prej kalmuku, duke bërtitur si i çmendur, mes gjithë oficerëve të vet, operativëve, komisarit e morisë së kapterëve. Batareja tashmë kishte reshtur dhe ai bërtiste. E, pas tij, nisën të bërtisnin edhe pasuesit e tij. Ata, siç morëm vesh, na ftonin të mblidheshim të gjithë pranë bregut, ku kishin zënë vend mbi një gropë të madhe gëlqereje plot me ujë, të ngrirë akull. Dhe ne u afruam.
A keni parë ndonjëherë fytyrën e shëmtuar të një tartari të tërbuar nga zemërimi, fjala vjen, në një betejë me shpata? Ja, e tillë ishte fytyra e komandantit tonë. Një fytyrë sa e nxirë, aq edhe e skuqur nga tërbimi; më keq se ajo e tigrit. Nga ai tërbim, jo vetëm ne që kishim të drejtë të trembeshim, por vumë re se ishin bërë meit edhe oficerët e kapterët, se Bajrami, kur tërbohej, i trajtonte edhe ata gati si ne.
Ai nisi të na shajë: – “Suqq.. nënat, armiqtë e mutit, armiqtë e poshtër! Do t’ju shkoị në plumb, more mutërit e mutërve! Reaksionarët e fëlliqur! Doni t’i shpëtoni shpatës së Enver Hoxhës ju, more doçërit e doçërve? T’i hani mutin partisë (ai thoshte “Pati” në vend të “Partisë”)! Këtu do t’i lini kockat. Qenërve të rrugës do t’ua japim kockat tuaja! Do t’ju bëjmë hi dhe pluhur, more kodoshët e kodoshërve”!
E kështu me radhë duke nxjerrë shkumë nga goja. Ç’ishte ky tërbim i papritur, atë mëngjes të akullt janari?! Ç’kishte qenë gjithë ajo batare, mbi kokat tona? Ç’të kishte ndodhur vallë? Shihnim njëri- tjetrin në sy, pa guxuar të hapnim gojën, se kishte shumë rrezik që të diktoheshim nga komandanti dhe atëherë na hante dreqi fare!
Megjithatë, fjalë pas fjale e vesh më vesh, u hap lajmi se kishte pasur një tentativë arratisjeje, pak më parë. Njëri nga shokët tanë, kishte kaluar rrethimin, te pjesa e çarë e murit prej tullash nga ana e lumit, me qëllim që të dilte nga kampi. Por nuk kishte arritur të largohej as pak metra, se një togë ushtarësh të rojës, e kishin pritur tentuesin me breshëri “Kallashnikovësh” dhe ia kishin bërë gjoksin shoshë, duke e lënë në vend të vdekur. Po kush ishte ai? Kush e njihte në atë masë prej katërqind a pesëqind të dënuarish?!
Më në fund u mor vesh edhe emri i atij të mjeri. E quanin Hilmi Lame. Hilmiun e kisha njohur. Ai me kishte rënë në sy sepse, edhe pas punës së rëndë që bënte nëpër kampet e punës së detyruar, kur kthehej së andejmi për në pjesën e vogël të banimit tonë, sapo hante drekën, fillonte një punë tjetër: lante teshat me hak, për një paketë cigaresh, se aty ne nuk kishim lekë nëpër duar, madje as e njihnim fare pamjen e tyre, ngaqë edhe monedhat gjatë kohës që ishim në burg, ishin ndërruar. Qarkullimi i tyre ndalohej rreptësisht brenda burgut a kampit. Siç duket mendonin se me anë të tyre, mund të korruptonim ndonjë nga rojat, që të na hapte derën e burgut!
Hilmiu i shkretë ishte dënuar me burg për tentative arratisjeje, mbi dhjetë vjet. Ishte një djalë i shkurtër, disi i zeshkët në fytyrë, nga Pogradeci apo nga ndonjë fshat afër tij. I këputur kish qenë jashtë burgu, i këputur edhe brenda tij. Megjithatë asnjëherë nuk e pashë të trishtuar. Madje, nganjëherë e shihje edhe duke qeshur me shokët e tij të paktë. Gjithmonë kokulur dhe i heshtur. Nuk e kisha dëgjuar asnjëherë të ngrinte zërin mes nesh. Dhe tani ishte i shtrirë buzë lumit, i mbytur në gjak, me shpirtin te Zoti.
Të gjithë ishim prerë e rrinim kokulur. Një dhembje e madhe shpirtërore, pasqyrohej qartë në fytyrat tona. Ishte vrarë njëri nga shokët tanë, një njeri i mirë, i thjeshtë, i varfër, i ndershëm, një rob i punës, gjithë jetën e tij të mjerë. E kishin vrarë ata që e hiqnin deri në shurdhim veten, si përfaqësuesit dhe mbrojtësit e vendosur të të varfërve, të njerëzve të punës. E kishin vrarë anëtarët e të ashtuquajturës Parti e Punës. Hilmiun e gjorë, po të donin, mund ta kapnin me dorë.
Ai ishte i lodhur, i sfilitur nga robëtimi në punë për gjithë jetën e tij, jashtë e brenda burgut; në punën e detyruar në objekt apo, në kohën e pushimit (gjoja) pas pune. Sikur ta kishin ndjekur ushtarët (djem të rinj dhe të shëndetshëm), mund ta kishin kapur, pa përdorur qentë e komandës, që mbaheshin aty afër, pranë komandës, kastën për të na ruajtur ne; në një ndërtesë të veçantë, me ushqim special, një mijë herë më të mirë se tonin, me një kapter që merrej kryesisht me mbajtjen e stërvitjen e tyre, i cili, për çudi, kishte marrë në fytyrë tamam pamjen e qenit të kufirit. Por e vranë.
Vranë një proletar të vërtetë! A thua se kur ta merrte vesh vrasjen e tij në këtë mënyrë “babai” i proletariatit shqiptar, shoku Enver, do të shqetësohej, do të derdhte lot? Jo! Hilmi Lame kishte “tradhtuar” proletariatin dhe kishte dashur të shkonte në vendet kapitaliste, tek armiqtë më të egër të proletariatit botëror!
Si morëm vesh më vonë, kufomën e të shkretit, pas ca formalitetesh, e kishin tërhequr zvarrë, kishin hapur një gropë, diku anës së kamp-burgut dhe e kishin kallur brenda. Një varr tjetër u ishte shtuar qindra e mijëra varreve të humbura në vendin e “socializmit real”, në “vendin e lumturisë, begatisë dhe lirisë se klasës punëtore shqiptare”!
Por e keqja nuk mbaroi me kaq. Ashtu, të mbledhur në atë copë dheu, si delet në vathë, të rrethuar nga kapterët e oficerët e komandës, pas sharjeve e mallkimeve të komandantit lab, u kërkua të dilte para nesh, emri i përgjegjësit të skuadrës së punës, ku kishte bërë pjesë i shkreti Hilmi. Krye-spiuni i kamp-burgut, kryetari i zyrës teknike, tha emrin. Viktimën e re e nxorën përpara komandantit.
Ishte edhe ky një fshatar i thjeshtë, ende me rroba fshati në trup, një burrë rreth të pesëdhjetave, i dobët, i thinjur, i shkurtër, si shoku i tij i vrarë. Për fat të keq, nuk ia mbaj mend emrin, por që ishte nga fshatrat e rrethit të Matit. Edhe ky ishte burrë i urtë, s’i ndihej zëri e mezi binte në sy, që punonte me shpirt ndër dhëmbë, për t’iu shmangur belasë së kapterëve të punës dhe që, kur kthehej andej, rrinte në një qoshe dhe s’i ndihej fare zëri. E ky na paskësh qenë; përgjegjësi i asaj toge pune fatale.
Siç u mor vesh më vonë, atë mëngjes, sapo forcat dolën në terrenin e punës, Hilmiu i paska thënë përgjegjësit, se po shkonte në magazinë për të marrë veglat e punës. Por, në vend të tyre, ai ia kishte krisur vrapit drejt murit, me shpresën naive se do të gjente lirinë, por që, në vend të saj, gjeti vdekjen. Ndoshta e kishte vendosur që më parë këtë punë, i dëshpëruar në kulm, nga gjithë jeta e tij nën komunizëm dhe kishte vendosur ose të vdiste, ose të arrinte lirinë! Ndoshta! Kështu, shoku i tij i skuadrës, nuk dinte kurrgjë se ç’bluante në vetvete Hilmiu i gjorë. Ndryshe do të ishte përpjekur ta ndalonte në hapin e tij fatal. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm