Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e pestë
Memorie.al /Që nga viti 1944, kur erdhi në pushtet e, deri në fundin e vitit 1990-të, regjimi komunist i diktatorit Enver Hoxha dhe pasardhësit të tij Ramiz Alia, në bazë të teorisë dhe “mësimeve të Marksit, Engelsit, Leninit e Stalinit” si dhe ideologjisë që ata ideuan e u aplikua gati në gjysmën e botës, zhvilluan pa ndërprerje luftën e klasave, duke ekzekutuar, burgosur apo internuar kundërshtarët e tyre politikë. Në këtë kuadër, që nga dhjetori i vitit 1944, kur Enver Hoxha dhe qeveria që ai kryesonte zbritën nga malet dhe morën pushtetin, krahas ekzekutimeve me dhe pa gjyq, filluan edhe internimet e dhjetëra e qindra familjeve, që ata i konsideronin “klasa të përmbysura”, apo i akuzonin si; “armiq të popullit”, kryesisht familje të pasura apo të shtresës së mesme, ish-funksionarë të Monarkisë së Zogut, që gjatë periudhës së pushtimit të vendit, kishin aderuar apo kishin mbështetur organizatën nacionaliste “Balli Kombëtar” e Legalitetin.
Po kjo “praktikë”, ndëshkuese e internim-dëbimeve, do të zhvillohej edhe ndaj qindra e qindra komunistëve, (nga ata më të thjeshtët e, deri tek ish-anëtarët e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së), deputetë, ministra, ushtarakë e funksionarë të lartë etj., e familjeve të tyre, të cilët Enver Hoxha dhe regjimi komunist në fuqi, do t’i shpallte; “tradhtar, revizionistë, armiqtë të popullit”, etj. Nga viti 1944, e deri në 1949-ën, vendimi për internim-dëbimet bëheshin nga “Komisioni i Dëbimeve dhe Konfiskimit të Pasurive”, që funksiononte pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, komision i cili në vitet në vijim, e ndryshoi disa herë emërtesën, deri sa në vitin 1954, kaloi në varësi të Kryeministrisë, duke u quajtur “Komisioni i Internim-Dëbimeve”, i cili funksionoi rregullisht deri në vitin 1990.
Që nga viti 1954 e, deri në 1974-ën, kryetar i atij komisioni ishte Beqir Balluku, anëtari i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, që mbante funksionin e ministrit të Mbrojtjes Popullore dhe njëkohësisht atë të zv. kryeministrit të qeverisë së kryesuar nga Mehmet Shehu, kurse zv. kryetar i komisionit, ishte ministri i Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, ndërsa si anëtarë, Prokurori i Përgjithshëm Dhori Panariti, e kryetari i Gjykatës së Lartë, Aranit Çela. (Pas dënimit të Beqir Ballukut, në vitin 1974, funksionin e kryetarit të Internim-Dëbimeve, e mori zv. kryeministri Manush Myftiu, kurse pas dënimit të Kadri Hazbiut, funksionin e nënkryetarit e mori Hekuran Isai).
Ky komision, gjatë gjithë periudhës së ekzistencës e funksionimit të tij, dha me dhjetëra e qindra vendime, duke dëbuar e internuar me qindra e mijëra persona, të cilët hiqeshin me dhunë nga vendet e tyre të banimit dhe detyroheshin të jetonin e banonin në fshatra dhe zona të thella të vendit, nga jugu në veri. Kryesisht fshatrat me vendet e kampet e internimit ishin caktuar nga qeveria në zonën e Myzeqesë së Lushnjes e Fierit, (Savër, Çermë, Bedat, Grabian, Gradisht, Plug, Gjazë, Zhamë, Sulzotaj, Kryekuq, Karavasta, Shtyllas etj.), pra në pjesën qendrore të vendit, me qëllim që ata të ishin sa më larg kufijve shtetëror, që të mos arratiseshin jashtë Shqipërisë.
Në bazë të ligjit përkatës me të cilin funksiononte Komisioni i Internim-Dëbimeve, një person, apo një familje, fillimisht internohej për pesë vjet, por ato përsëriteshin, duke u shtyrë çdo pesë vjet, aq sa familje të tëra, kryesisht nga Veriu i Shqipërisë, si: Gjonmarkajt e Mirditës, Kalosht, Sina-jt, Alia-jt, Demat, Dinet, Menat e Ndretë e Dibrës, Bajraktari e Kolgjini të Kukësit, Kola-jt, Allamant e Sulkurtët e Matit, Merlikat, Kupët e Bami të Krujës, Mirakajt e Pukës, Radi dhe Gjekaj të Shkodrës, Pervizt e Kurbinit, Mulletët e Petrelat Tiranës, apo ato nga Jugu i vendit, si; Dostët e Gjirokastrës, Frashëri dhe Çela të Përmetit e Kolonjës, Staraveckat e Skraparit, etj., etj., të cilët qëndruan në vendet e internimit deri në vitin 1991, kur dhe u shemb regjim i komunist. Madje disa prej tyre, edhe shumë vite më pas, sepse nuk kishin se ku të shkonin, pasi nuk u kishte mbetur asnjë kthinë ku të fusnin kokën!
Lidhur me sa më sipër etj., Memorie.al. ka siguruar një dosje voluminoze nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme (që mban siglën sekret, por tashmë prej kohësh e de-klasifikuar), me vendimet e Komisionit të Internim-Dëbimeve, të cilat po i publikojmë të plota dhe me faksimilet përkatëse; ku janë emrat e personave dhe familjet që janë dëbuar e internuar, si dhe akuzat përkatëse për çdonjërin prej tyre.
VENDIMI NR. 49 I KOMISIONIT TË INTERNIM-DËBIMEVE
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË SEKRET
KOMISIONI I INTERNIM DËBIMEVE Grupi i II-të
Ekz. Nr. 1
Tiranë, më 4.10.1972
VENDIM Nr. 49
Komisioni i Internim-Dëbimeve, i mbledhur me datën 4.10.1972, në mbështetje të dekretit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Nr. 1906, datë 2.8.1954, pasi shqyrtoi propozimin e paraqitur nga Ministria e P. të Brendshme,
VENDOSI:
Për arsye se zhvillon veprimtari armiqësore dhe paraqesin rrezikshmëri për t’u arratisur jashtë shtetit, të internojë për 5 vjet kohë në Gradishtë të rrethit të Lushnjë:
1. Vasil Stavro Llajo, i dt. 1917, lindur në katundin Leshnicë të rrethit të Sarandës, me banim në Gradishtë të rrethit të Lushnjë, bujk, arsim fillor, shtresë e mesme, me vendim Nr. 50, datë 27.10.1967.
Më 27.X.1972, i mbaron afati i internimit.
Internimi i fillon më datë 27.X.1972 dhe i mbaron me datë 27.X.1977.
ZV/KRYETARI I KOMISIONIT KRYETARI I KOMISIONIT
KADRI HAZBIU BEQIR BALLUKU
PROKURORI I PËRGJITHSHËM KRYETARI GJYKATËS SË LARTË
DHORI PANARITI ARANIT ÇELA
VENDIMI NR. 50 I KOMISIONIT TË INTERNIM-DËBIMEVE
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË SEKRET
KOMISIONI I INTERNIM DËBIMEVE Grupi i II-të
Ekz. Nr. 1
Tiranë, më 4.10.1972
VENDIM Nr. 50
Komisioni i Internim-Dëbimeve, i mbledhur me datën 13.5.1972, në mbështetje të dekretit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Nr. 1906, datë 2.8.1954, pasi shqyrtoi propozimin e paraqitur nga Ministria e Punëve të Brendshme,
VENDOSI:
Për arsye se paraqet rrezikshëmri shoqërore dhe me që burri i saj, Dhimitër Kotefa, është dënuar për krime kundër shtetit, të dëbojë për 5 vjet kohë:
1. Angjeliqi Grigor Kotefa, e dl. 1933, lindur në katundin Çekovicë të rrethit të Sarandës, ish me banim në Tiranë, tani në sektorin e N.B.SH. Adriatik Krujë, arsim fillor, shtresë e pasur.
2. Kosta Dhimitër Kotefa, i biri i Angjeliqisë, lindur në 1951.
Janë dëbuar me vendim Nr. 11, datë 10.6.1970, deri më 5.X.1972.
T’u ndalohet banimi dhe qarkullimi në qytetet Tiranë, Durrës dhe në rrethet kufitare.
Dëbimi i fillon me datën 5.10.1972, deri më 5.10.1977.
ZV/KRYETARI I KOMISIONIT KRYETARI I KOMISIONIT
KADRI HAZBIU BEQIR BALLUKU
PROKURORI I PËRGJITHSHËM KRYETARI GJYKATËS SË LARTË
DHORI PANARITI ARANIT ÇELA
VENDIMI NR. 51 I KOMISIONIT TË INTERNIM-DËBIMEVE
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË SEKRET
KOMISIONI I INTERNIM DËBIMEVE Grupi i II-të
Tiranë, më 4.10.1972
VENDIM Nr. 51
Komisioni i Internim-Dëbimeve, i mbledhur me datën 13.5.1972, në mbështetje të dekretit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Nr. 1906, datë 2.8.1954, pasi shqyrtoi propozimet e paraqitura nga Ministria e Punëve të Brendshme,
VENDOSI:
Për arsye se nuk paraqesin rrezikshmëri shoqërore, t’u heqë masën e internim-dëbimit:
1. Antigoni Perikli Biba, e datëlindjes 1924, ish-me banim në qytetin e Tiranës, internuar me vendim Nr. 33, datë 22.9.1971, në Baldushk të rrethit të Tiranës.
2. Eqrem Zini Barçe, i datëlindjes 1938, ish me banim në qytetin e Tiranës, me vendim Nr. 24, datë 23.5.1968, brenda rrethit të Tiranës.
3. Myrteza Mailq Dervishi, i datëlindjes 1942, lindur dhe banues në Tiranë, internuar me vendim Nr. 23, datë 1.7.1969.
4. Koço Vasil Dilo, i datëlindjes 1916, ish- me banim në Tiranë, internuar në Grabjan, me vendim Nr. 55, datë 14.12.1968.
5. Violeta Vlash Dilo, e datëlindjes 1932, ish-me banim në Tiranë, internuar në Grabjan, me vendim Nr. 55, datë 14.12.1968.
6. Belule Kasaj, e datëlindjes 1941, ish-me banim në Tiranë, banuese në rrethin e Fierit, internuar që nga viti 1968, me vednim Nr. 26, datë 3.7.1971, u dëbua deri më 19.4.1976.
7. Petraq Llazi Xega, i datëlindjes 1942, ish- me banim në Tiranë, me banim në Seman, internuar që nga viti 1966, me vendim Nr. 12, datë 12.4.1972, iu zgjat për 5 vjet të tjera.
8. Lida Bajram Çami e datëlindjes 1915, ish- me banim në Tiranë, me banim në Seman, e internuar që nga viti 1966, me vendim Nr. 13, datë 12.4.1972, u dëbua për 5 vjet të tjera.
9. Memetali Lik Toptani, i datëlindjes 1920, ish-me banim në Tiranë, tani në rrethin e Lushnjes, i internuar që në vitin 1964, me vendimin Nr.37, datë 4.12.1969, i dëbuar për 5 vjet.
ZV/KRYETARI I KOMISIONIT KRYETARI I KOMISIONIT
KADRI HAZBIU BEQIR BALLUKU
PROKURORI I PËRGJITHSHËM KRYETARI GJYKATËS SË LARTË
DHORI PANARITI ARANIT ÇELA
VENDIMI NR. 52 I KOMISIONIT TË INTERNIM-DËBIMEVE
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË SEKRET
KOMISIONI I INTERNIM DËBIMEVE Ekz. Nr. 1
Grupi i II-të
Tiranë, më 4.X.1972
VENDIM Nr. 52
Komisioni i Internim-Dëbimeve, i mbledhur me datën 13.5.1972, në mbështetje të dekretit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Nr. 1906, datë 2.8.1954, pasi shqyrtoi propozimet e paraqitura nga Ministria e Punëve të Brendshme,
VENDOSI:
Për mungesë strehimi, të transferojë në rrethet e tyre, të internuarit e poshtëshënuar:
1. Halil Jaho Shabani, i dl. 1947, të transferohet nga ndërmarrja e bonifikimit të Kuçit, në hidrocentralin e Lepenicës.
2. Piro Thanas Varkavi, i dl. 1948, të transferohet nga ndërmarrja e bonifikimit të Kuçit, në hidrocentralin e Lepenicës.
3. Fatmir Qamil Gusha, i dl. 1951, të transferohet nga Gomsiqe, për më qytetin e Shkodrës.
4. Edmond Kristo Trajani, i dl. 1953, transferohet nga katundi Valias, për në katundin Baldushk të rrethit të Tiranës.
5. Hasan Ahmet Koka, i dl. 1914, ish-me banim në qytetin e Tiranës, internuar në katundin Macukull, të internohet në qytetin e Burrelit.
6. Shyqyri Fadil Sefa, të transferohet nga katundi Shesh, për në katundin Valias të rrethit të Tiranës.
7. Qamile Nexhat Sefa, të transferohet nga katundi Shesh, për në katundin Valias të rrethit të Tiranës.
8. Xhelal Xhemil Dragoti, të transferohet nga sektori i Semanit, për në sektorin e Hoxharës të rrethit të Fierit.
9. Flamur Hajri Rroshi, të transferohet nga sektori i Semanit, për në sektorin e Hoxharës të rrethit të Fierit.
10. Sanije Qani Osmani, të transferohet nga sektori i Semanit, për në sektorin e Hoxharës të rrethit të Fierit.
11. Avni Ali Gero, të transferohet nga sektori i Semanit, për në sektorin e Hoxharës të rrethit të Fierit.
12. Bashkim Hasan Hoxha, të transferohet nga sektori i Semanit, për në sektorin e Hoxharës të rrethit të Fierit.
13 LLambi Tasi Kola, të transferohet nga Libofsha, , për në sektorin e Hoxharës të rrethit të Fierit.
ZV/KRYETARI I KOMISIONIT KRYETARI I KOMISIONIT
KADRI HAZBIU BEQIR BALLUKU
PROKURORI I PËRGJITHSHËM KRYETARI GJYKATËS SË LARTË
DHORI PANARITI ARANIT ÇELA
VENDIMI NR. 53 I KOMISIONIT TË INTERNIM-DËBIMEVE
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË SEKRET
KOMISIONI I INTERNIM DËBIMEVE Ekz. Nr. 1
Grupi i II-të
Tiranë, më 4.X.1972
VENDIM Nr. 53
Komisioni i Internim-Dëbimeve, i mbledhur me datën 13.5.1972, në mbështetje të dekretit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Nr. 1906, datë 2.8.1954, pasi shqyrtoi propozimin e paraqitur nga Ministria e Punëve të Brendshme,
VENDOSI:
Për arsye se paraqet rrezikshmëri shoqërore dhe bashkëshorti i saj, Shaqir Noka, është arrestuar për krimin e tradhtisë ndaj atdheut, ta dëbojë për 5 vjet kohë:
Xhevahire Sadik Noka, e datëlindjes 1932, lindur në Rrënxë të Dibrës, me banim në Tiranë, autodidakte, sanitare në kopshtin Nr. 43.
T’i ndalohet banimi dhe qarkullimi në rrethin e Tiranës.
Dëbimi i fillon me datën 4.X.1972 dhe i mbaron me datën 4.X.1977.
ZV/KRYETARI I KOMISIONIT KRYETARI I KOMISIONIT
KADRI HAZBIU BEQIR BALLUKU
PROKURORI I PËRGJITHSHËM KRYETARI GJYKATËS SË LARTË
DHORI PANARITI ARANIT ÇELA
VENDIMI NR. 55 I KOMISIONIT TË INTERNIM-DËBIMEVE
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË SEKRET
KOMISIONI I INTERNIM DËBIMEVE Ekz. Nr. 1
Grupi i II-të
Tiranë, më 10.XI.1972
VENDIM Nr. 55
Komisioni i Internim-Dëbimeve, i mbledhur me datën 10.11.1972, në mbështetje të dekretit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Nr. 1906, datë 2.8.1954, pasi shqyrtoi propozimin e paraqitur nga Ministria e Punëve të Brendshme,
VENDOSI:
Për arsye se është me qëndrim të keq moralo-shoqëror dhe paraqet rrezikshmëri të theksuar për arratisje, të internohet për 5 vjet kohë në N.B.SH. Çorovodë të rrethit të Skraparit:
1. Agim Asim Aliko, dl. 1951, lindur dhe banues në Tiranë, mekanik, pa punë, me arsim 7 vjeçar, shtresë e varfër, beqar.
Internimi fillon me datën 10.XI.1972, dhe mbaron me datën 10.XI.1977.
ZV/KRYETARI I KOMISIONIT KRYETARI I KOMISIONIT
KADRI HAZBIU BEQIR BALLUKU
PROKURORI I PËRGJITHSHËM KRYETARI GJYKATËS SË LARTË
DHORI PANARITI ARANIT ÇELA
VENDIMI NR. 56 I KOMISIONIT TË INTERNIM-DËBIMEVE
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË SEKRET
KOMISIONI I INTERNIM DËBIMEVE Ekz. Nr. 1
Grupi i II-të
Tiranë, më 16.XI.1972
VENDIM Nr. 56
Komisioni i Internim-Dëbimeve, i mbledhur me datën 16.11.1972, në mbështetje të dekretit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Nr. 1906, datë 2.8.1954, pasi shqyrtoi propozimin e paraqitur nga Ministria e Punëve të Brendshme,
VENDOSI:
Për arsye se paraqet rrezikshmëri për arratisje jashtë shtetit, të internohet për 3 vjet kohë në katundin T’pla të rrethit të Tropojës:
1. Gjyle Avdi Leci, e dl. 1930, nga katundi Buçaj i rrethit të Tropojës, e martuar, me fëmijë, e internuar me vendim Nr. 51, datë 16.XI.1967, me banim në T’pla. Me 16.XI.1972, i mbaron afati i internimit.
Internimi i fillon me datën 16.XI.1972 dhe i mbaron me datën 16.XI.1977.
ZV/KRYETARI I KOMISIONIT KRYETARI I KOMISIONIT
KADRI HAZBIU BEQIR BALLUKU
PROKURORI I PËRGJITHSHËM KRYETARI GJYKATËS SË LARTË
DHORI PANARITI ARANIT ÇELA
VENDIMI NR. 57 I KOMISIONIT TË INTERNIM-DËBIMEVE
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË SEKRET
KOMISIONI I INTERNIM DËBIMEVE Ekz. Nr. 1
Grupi i II-të
Tiranë, më 16.XI.1972
VENDIM Nr. 57
Komisioni i Internim-Dëbimeve, i mbledhur me datën 16.11.1972, në mbështetje të dekretit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Nr. 1906, datë 2.8.1954, pasi shqyrtoi propozimin e paraqitur nga Ministria e Punëve të Brendshme,
VENDOSI:
Për mungesë strehimi dhe front pune, të transferojë brenda rrethit të Tiranës, të internuarit e poshtëshënuar:
1. Ramadan Shazedin Daullxhiu, i datëlindjes 1929, lindur në Berat, banues në Tiranë, punëtor, i martuar me 8 fëmijë.
2. Refije Ahmet Daullxhiu, e datëlindjes 1930, punëtore, bashkëshortja e Ramadanit.
Janë internuar me vendim Nr. 35, datë 15.IX.1971.
3. Luan Ramadan Daullxhiu, i datëlindjes 1950, punëtor, i internuar me vendim Nr.23. datë 20.10.1970.
Të transferohet nga katundi Derje-Shkallë, në katundin Tapizë të rrethit të Tiranës.
4. Besim Enver Xhezo, i datëlindjes 1946, punëtor, internuar me vendim Nr. 54, datë 4.X.1972, të transferohet nga katundi Shënkoll, në katundin Vrap të rrethit të Tiranë, pranë familjes së tij. Memorie.al
ZV/KRYETARI I KOMISIONIT KRYETARI I KOMISIONIT
KADRI HAZBIU BEQIR BALLUKU
PROKURORI I PËRGJITHSHËM KRYETARI GJYKATËS SË LARTË
DHORI PANARITI ARANIT ÇELA
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016