Nga Njazi Nelaj
Pjesa e parë
– Në shkollën kineze të aviacionit ushtarak –
Memorie.al / Të përzënë nga shkolla sovjetike e Aviacionit, me ëndrra të prera në mes, një pjesë e grupit të studentëve për pilotë, që kishim studiuar një vit në qytetin e Batajskut, më 8 janar të vitit 1962, pas një lundrimi “skëterrë”, me një anije mallrash, mbërritëm në qendrën e Shkollës së Tretë të Aviacionit Ushtarak të Kinës, në qytetin Çin Zhou. Ai ndodhet në “Zemër” të Mançurisë; në atë kohë kishte rreth 200.000 banorë. Pa ndonjë industri të spikatur. Një qytet me ndërtime 2-3 katëshe por me rrugë të asfaltuara. Terreni përqark qytetit ishte fushor; pranë tij janë brigjet Perëndimorë të Detit të Verdhë. Njëra nga vlerat e këtij qyteti mbahej fakti që aty ishte qendra e Shkollës së Tretë të aviacionit ushtarak të Kinës. Vajtja ime në këtë shkollë e në atë qytet ishte një rast fatlum. Në listën prej 7 studentësh të kursit tonë ku bënin pjesë: Adem Çeça, Dhori Zhezha, Mihal Pano, Bashkim Agolli, Andrea Toli dhe Sherif Hajnaj (Bracki), u përfshi, fare rastësisht dhe emri im, Niazi Nelaj.
Mua dhe shokëve të mi, të nëngrupit na u hap një dritë shprese për vazhdimin e programit të fluturimeve, aty ku e kishim ndërprerë. Njëherazi, përzgjedhja e Mançurisë, si vend dislokimi, ishte një gjetje e mençur e palës tonë dhe asaj pritëse, e diktuar nga kushtet që u krijuan pas ndërprerjes të marrëdhënieve zyrtare të vendit tonë me Bashkimin Sovjetik.
Mançuria nuk u përzgjodh rastësisht si vendi ku do të shkolloheshim në fushën e aviacionit ushtarak. Pozicioni gjeografik dhe klima e ashpër, pa reshje, e ngjashme me atë të Kaukazit të Veriut, ditët e shumta me diell dhe shikimi horizontal i mirë, lejonin fluturime gjithëvjetore. Kushtet e terrenit dhe moti, ishin të përshtatshme për stërvitjen ajrore të studentëve të huaj. Mançuria është pranë vendeve “të sigurta” si: Mongolia, Bashkimi Sovjetik, Koreja e Veriut dhe Deti i Verdhë. Ndonjë shmangie e rastit, nga pilotët e cila mund ta çonte avionin afër kufirit shtetëror me këto vende, nuk përbënte ndonjë rrezik serioz për marrëdhëniet ndërshtetërorët asaj kohe.
Ishim stërvitur e kishim jetuar në kushtet e Rusisë, në hapësirat e pamata të saj, ku dimri është i gjatë e i ashpër kurse vera e thatë dhe e shkurtër. Përafërsisht, një klimë të ngjashme gjetëm në Mançurinë Kineze. Në provincën Ljao Ning, ku gjendej qyteti ynë, vendbanimi i ri, gjetëm klimë kontinentale, me temperatura deri -25 gradë celsius, me erë të ftohtë e të fortë, pa reshje dëbore. Të familjarizuar me të ftohtin rus, u gjykua se do ti përballonim më lehtë temperaturat e ulëta, të cilat janë karakteristike për këtë rajon kinez. Kishte dhe shkaqe sociale e historike të cilët ishin në anën tonë. Parë historikisht, Mançuria, e futur si “një xhep” i sigurt, mes disa vendeve të rajonit dhe e begatë, për mjaft kohë ka qenë nën pushtimin japonez.
Për hir të së vërtetës, pushtuesit japonezë nuk kishin prurë vetëm shkatërrim e plaçkitje në ata troje, por dhe zhvillim e qytetërim. Herë të tjera, nëpër Mançuri kishin kaluar e luftuar ose ishin ngulur, popullsi ruse e të kombësive të tjera. Gjithsesi, vendasit, në mënyra të ndryshme kishin përftuar edhe nga dyndjet. Kësisoj, Mançuria, si portet e mëdhenj të atij vendi: Shanghaj, Kantoni, Hong Kongu, Port-Artur, Can Gjani, etj., ishte një nga rajonet më të zhvilluara e njerëzit kishin nivel kulturor më të ngritur, në të gjitha hapësirat kineze. Qyteti i Çin Zhout, vërtet ishte i vogël, por njerëzit ishin me fizik më të zhvilluar e me tregues zhvillimi më të lartë. Në Mançurim gjeje njerëz në çdo cep, të cilët komunikonin rusisht.
Popullsia e rajonit të Mançurisë, për rrjedhojë dhe e provincës Ljao Ning, ku ndodhej qyteti ynë, i përkasin fesë Konfuciane dhe nëse mund të themi njërës nga dinastitë më të vjetra e më të mëdha të Perandorisë Kineze, asaj të Hanëve. Në të gjithë terrenin të zinte syri mjaft pagoda; shenjë e rrënjosjes në popull të Budizmit.
Sa u takon kushteve për të fluturuar, në Mançuri ato ishin si në të gjithë Kinën por, veçoheshin disa lehtësira, të cilat ishin në të mirën tonë. Njëra syresh ishte mungesa e maleve të lartë. Vija bregdetare, me të gjitha përthyerjet, na e bënte më të lehtë orientimin vizual nga ajri. Nga Veri-Perëndimi për në Jug-Lindje, gjarpëronin disa lumenj, të cilët, edhe pse nuk ishin ujëplotë, dalloheshin qartë, si orientues karakteristikë, për pilotët që fluturonin në lartësi të mesme, si puna jonë.
Në atë terren fushor, ku kodrat duhet ti “kërkoje “me sy, lumenjtë “e vegjël”: Ta Ling Hë, Sjao Ling Hë, Hej Sui Hë, Vampa Hë, etj., ngjanin sikur gërvishtnin tokat duke marrë me vete aluvionet dhe merrnin vrull, për t’u derdhur në Detin e Verdhë. Rrjeti i dendur i aerodromeve të betonuar, në ultësirën Veri- Lindore të Kinës dhe distanca e madhe e vendit të dislokimit tonë nga “vatrat e nxehta”, si Koreja e Jugut, Tajvani, Tibeti, etj., ishin gjithashtu në të mirën tonë. Ndoshta, në përcaktimin e Mançurisë, si rajoni ynë i stërvitjes dhe jetesës ndikoi dhe fakti që rajoni ishte i begatë dhe tregjet për sigurimin e ushqimeve ishin më afër.
Për përgatitjen teorike dhe stërvitjen me aeroplan, të zotët e shtëpisë kishin përzgjedhur specialistët më të mirë, të cilët veçoheshin për nivel teoriko – praktik dhe pedagogjik të spikatur. Meqenëse ne vinim nga një vend, i cili njihej për nivele të lartë shkencor të pedagogëve dhesi instruktorë kishim pilotët me teknikë pilotimi të rrallë, organizatorët e shkollës kineze të aviacionit, u kujdesën që me ne të punonin nivelet më të lartë të specialistëve të tyre. Ata kishin dhënë prova duke stërvitur pilotët e tyre dhe u kujdesën që në nivele, të mos kishte ulje.
Dashuria për atdheun prevaloi vështirësitë
Kinezët janë të njohur në fushën e pritjes dhe të mikpritjes. Me të mbërritur në Shkollën e Aviacionit, më 8 janar të vitit 1962, vendasit na rezervuan një ceremoni mirëseardhje, fantastike. Në jetën tonë nuk kishim parë të tillë pritje. Pa u zgjatur shumë, më poshtë do të përpiqem të kujtoj mënyrën e organizimit të atij prezantimi, i cili ngjan me mitingjet të organizuara mirë nga disa parti politike, në ditët tona. Siç thonë në anët tona: “ishin shkulur, me kuç e me maç”. Vendasit, ushtarakë e civilë, ishin rreshtuar në të dyja anët e rrugës, që të çonte në shkollë.
Mjaft pritës mbanin në duar vegla muzikore kineze. Dominonin gonget karakteristike dhe disa vegla të përmasave të mëdha, të çuditshme, në të parë e në tingujt që nxirrnin. Kur fërkoheshin me njëra-tjetrën ato lëshonin një tingull metalik të “çjerrë”, që “të shponte”, në tru. Të tjerë u binin veglave të tjera, të cilat nuk i kishim parë më përpara. Nuk kishte rëndësi harmonia e tingujve dhe melodia, mjafton të bënin zhurmë. Tek ata që kishin dalë për të na pritur dominonte mosha e re (kam parasysh rreth 30 vjeç). Të gjithë qeshnin, apo na dukej neve sikur qeshnin, mbasi u dukeshin dhëmbët, më shumë se ne të tjerëve.
Ajo që më shokoi ishte uniforma që kishin veshur ata që na pritën. Kishim parë e kishim veshur uniformën e ushtarakëve sovjetikë, shqiptarë e të vendeve të tjerë “miq” dhe ishim mësuar të shikonim ushtarakë të cilët e donin shumë uniformën dhe kujdeseshin që të ishin sa më të pashëm. Ata që na pritën, ishin të veshur, siç kishin mundur dhe uniformat e tyre dukeshin si një mozaik, me ngjyra e forma të çuditshme! Aty pashë, për herë të parë uniformë “hibrid”; gjysma e ushtarakut ishte veshur me uniformë ushtarake; gjysma tjetër – me rroba civile. Do të përpiqem të jem më konkret në përshkrimin e kësaj.
Përgjithësisht, si ushtarakët dhe civilët, veshjet i kishin prej doku. Dominonte ngjyra kaki. Në radhët e pritësve, kishte meshkuj, por dhe mjaft femra. Në përgjithësi, njerëzit, pavarësisht nga seksi, ishin të veshur me pantallona e me xhaketa. Ushtarakët mbanin në kokë kapele, me strehë ose kokore; civilët – sipas dëshirës. Meqenëse ishte ftohët, të gjithë e kishin kokën të mbuluar, me diçka. Edhe neve, që vinim nga vende të nxehta e ishim nisur nga Shqipëria, në fund të nëntorit të vitit të shkuar, me veshje të lehta, në Pekin na pajisën me disa pallto të gjata, ngjyrë të errët dhe ngjanim si konviktorë.
Palltot tona ishin të gjata, deri në mesin e kërcirit (rreth 25 cm. nga toka) të ngrohta dhe prej një cope stofi cilësore. Ato na shpëtuan nga të ftohtit e atyre ditëve të acarta. Më tërhoqi vëmendjen veshja e femrave ushtarake. Asnjëra prej tyre nuk ishte pilot. Ato kishin veshur disa xhupa, kaki, me mbulesë doku, të thurur me shtresë pambuku përbrenda, si ato “peliçet” që thurnin me dorë, dikur, nënat tona. Xhupat e tyre ishin të gjatë deri tek vithet e, i mbanin të mbërthyer.
Së jashtmi nuk vihej re gjoksi i tyre dhe, në pamje të parë, një rishtar, siç ishim nenë atë vend, e kishte të vështirë të orientohej drejt, nëse kishte të bënte me një mashkull apo me një femër. Them kështu, i nisur nga fakti se femrat ushtarake i mbanin flokët të prerë shkurt, aq sa të mbulonin qafën dhe, poshtë mesit, visheshin me pantallona; si meshkujt. Po t’i vrojtoje me vëmendje (përvojën e fituam dita – ditës duke u ndodhur mes tyre), mund ta dalloje burrin nga gruaja, vetëm nga fytyra. Femrat, në përgjithësi, fytyrën e kanë të rrumbullakët të zbehtë dhe buzët nuk i lyejnë.
Pilotët ishin të veshur me uniformë fluturimi. Në kompletin e uniformës së tyre, bënte pjesë një xhup, i shkurtër, deri tek beli, me zinxhir, e me një llastikë të gjerë në fund; me jakë të madhe pellush dhe me pantallona qillota, të cilat ishin të futura në çizme ¾. Xhupi dhe pantallonat qillota ishin prej lëkure; të buta, të ngrohta dhe që i rezistonin djegies. Mbathja më befasoi. Pilotët kishin mbathur çizme lëkure ¾, të cilat u shkonin me veshjen. Disa ushtarakë kishin mbathur këpucë lëkure, me qafë, me shtresë gome të trashë. Aty pashë disa ushtarakë, të cilët kishin mbathur një lloj këpuce prej rrobe; të zezë, tip kadife nga lart dhe të bardhë, të thurur e të fortë nga poshtë. Këtë lloj mbathje e favorizonte klima e rajonit ku, reshjet ishin shumë të rralla e lagështira në mjedise mungonte.
Këpucëve të këtij lloji, të cilat ishin mjaft afër me papuçet tona, vendasit u thonin: “Puse”. Theksoj se këto lloj këpucësh ishin mjaft të lehta e të forta. Me të tilla këpucë na furnizuan, më vonë edhe neve. Kishte dhe ushtarakë e civilë që kishin ardhur të na prisnin, me lepitka (shapka). Ajo që më habiti, ishte një lloj pelerine, të cilën e mbanin disa ushtarakë. Ishin të thurura prej një lloj zhuke (barishte e fortë, e përkulshme), të lidhura sipër e të lëshuara poshtë.
Ato ngjanin me bërrucin që mbajnë për të mos u lagur barinjtë, në anët tona, por njeriu që e kishte hedhur atë sajesë, të krijonte përshtypjen e një mullari me bar. Interesant ishte fakti se një pelerinë e tillë, nuk fuste ujë dhe ishte e fortë. Këto lloj pelerinash unë i krahasova me bërrucin e barinjve tanë por, ato ishin me barishte, kurse bërruci përgatitet prej leshi nga delet, i cili duhet të jetë i zgjedhur nga leshi më i mirë i tufës së dhenve.
Veç temperaturave të ulëta, herë pas here, në qytetin ku shkuam, si në të gjithë rajonin frynte një erë e acartë, e cila të “thante” fytyrën dhe duart, po t’i kishe të ekspozuara. Për të ruajtur buzët nga plasaritja, kinezët vendosnin në fytyrë maska, të bardha, prej nape, si ato që mbajnë tek ne punonjësit sanitarë ose, ata që shërbejnë në njësitë tregtare ushqimore. Maskat ishin me lidhëse, të cilat shërbenin për t’i mbajtur të puthitura, pas fytyrës, në mënyrë që të mbronin lëkurën. Të tilla maska, më pas vendosëm dhe ne. Ato ishin të domosdoshme, veçanërisht kur ishim të detyruar të qarkullonim në mjedise jashtë godinave.
Atë ditë, pritësit tanë kishin dalë, thuajse të gjithë të pajisur me këto mjete mbrojtëse dhe ishte mjaft e vështirë të dalloje njerëzit nga njëri-tjetri. Provinca Ljao Ning, ku ne shkuam është pranë Mongolisë te Brendshme. Në Perëndim të saj, është shkretëtira e Gobit. Era që vjen nga Veri-Perëndimi, sjell me vete grimca rëre të imët, e cila i jep ajrit një ngjyrë të kuqërremtë, të dukshme nga një sy i mprehtë. Maskat shërbenin dhe për të mbrojtur organet e frymëmarrjes, nga ky pluhur i bezdisshëm e i dëmshëm.
Në rresht vura re dhe disa femra ushtarake, me flokë të gjatë të thurur gërshetë, me dy degë, të cilat u vareshin deri tek vithet. Madje, prania e flokëve të gjatë, të thurur gërshet ishte njëra nga shenjat dalluese për të kuptuar se përpara kishe një vajzë; singëll. Gratë e martuara, si rregull, i mbanin flokët të shkurtra. Pa u larguar nga mënyra e qethjes, meshkujt preferonin qethjen ‘poluboks’, sipas mënyrës të qethjes të detarëve. Flokët nuk duhet të dilnin jashtë kapeleve. Theksoj se, në raportin e pëlqyeshmërisë të femrave, bazuar në gjatësinë e flokëve, më të preferuara ishin ato me flokë të gjatë, të thurur gërshet. Tek kinezët dominonin flokët e drejtë, të ashpër, si tel e me ngjyrë të zezë. Rrallë të zinte syri thinjoshë. Nuk e kam fjalën vetëm për njerëzit që banonin në qytezën ushtarake.
Kur pamë atë mori njerëzish, në shumëllojshmërinë e saj të çuditshme, m’u krijua ndjesia se organizatorët e “spektaklit”, kishin mobilizuar kë kishin gjetur, në udhë dhe e kishin prurë aty, për të na nderuar. Sot, pas gati 60 vitesh, kur ve re si mobilizohen, kundrejt listave, me detyrim nxënësit e shkollave dhe mësuesit e tyre, apo punonjësit e administratës nën kërcënimin se mund të humbasin vendin e punës, për të marrë pjesë në mitingjet elektorale, pa dashur më shkon në mendje të heq një paralele historike, mes ndodhive të asaj kohe, në Mançurinë e largët, me zhvillimet e sotme në vendin tonë.
Mund të them se kinezëri nuk ka vetëm në Kinë. Mirëpo kinezëria as nis e as soset këtu. Në atë pritje interesante, por jo vetëm aty, më bëri përshtypje një gjë, të cilën nuk e kisha parë, as në vendin tim, as në Rusi. Të gjithë ata që na pritën qeshnin. Atyre u shkëlqenin dhëmbët e bardhë, të mëdhenj, të cilët dilnin jashtë buzëve.
Thuajse të gjithë ishin të gëzuar e të lumturuar nga vajtja jonë. Fillimisht nuk e kuptonim lidhjen mes buzëqeshjes të shtirur të një kinezi, me sytë e tij që lëviznin, sa majtas – djathtas, pa të thënë asgjë. Më vonë u mësuam dhe e kuptuam domethënien e kësaj shprehjeje tipike “kinezërie”. Tani më shkon mendja, se në atë kohë e në atë moshë nuk doja t’ja dija, se “mitingashët”, ishin të porositur të silleshin në atë mënyrë.
Ajo që më habiti edhe më tepër ishte mosprania e luleve, në atë ceremoni madhështore. Nuk më zuri syri asnjeri që të mbante lule në duar. Organizatorët ishin kujdesur, në detaje, për të na krijuar një mjedis sa më komod, të ngrohtë e miqësor por dhe iluziv. Vinim nga Shqipëria mike dhe ishim studentë për pilotë, të përzënë nga Shkolla Sovjetike e Aviacionit.
Të dyja kualitetet që kishim nuk mund të mos çmoheshin e respektoheshin. Çdo pjesëmarrës mbante në dorë një vegël muzikore, frymore apo nga ato gonget karakteristike që bënin vetëm zhurmë metalike, e cila shpejt na u bë e papërballueshme. Ndotja akustike që shkaktonin ato vegla muzikore origjinale ishte e paparë. Mosprania e luleve në atë ceremoni madhështore, ndoshta ishte çështje riti apo, binte ndesh me rregullat e jetës ushtarake. Këtë nuk e kuptova kurrë!
Ceremonia festive zgjati 10-15 minuta. Parakaluam, me hap të lirë, por me kokën lart, si “heronj”, mes dy rreshtave të vendasve, të shoqëruar nga brohoritjet entuziaste të mikpritësve. Ndoshta në atë qytet, njerëzit shikonin për herë të parë, aq pranë njerëz të ardhur nga Europa; njerëz ngjyra e lëkurës e të cilëve ishte e bardhë dhe hunda, e madhe. Po të shtojmë këtu se vinim nga një vend “revizionist”, siç konsiderohej, në atë kohë – Bashkimi Sovjetik, në një vend “marksist – Leninist” siç ishte Kina.
Brohoritjet i bënin jehonë miqësisë të pastër e të pathyeshme mes dy vendeve e dy popujve tanë; i uronin jetë të gjatë, shumë të gjatë, (10.000 vjet jetë) ose, siç artikulonin ata, në gjuhën e tyre (Van sui), kryetarit Mao Ce Dun, udhëheqësit të Kinës e të gjithë botës. Ata bërtisnin në gjuhën kineze dhe për udhëheqësin e partisë e të popullit tone – Enver Hoxha. Një grup kinezësh, në kor këndonin një këngë e cila, aso kohe ishte mjaft e pëlqyer, sidomos në mjedise ushtarake. Teksti i asaj kënge, me sa mbaj mend ishte i tillë:
“Ua shë igë bin,
Laj cë lo besin,
Ta bën Xhëpën Kuçanto,
Sja, më, sjafejgjin,
Ua shë igë bin,
Aj, ku aj jenmin…”!
Të tjerë këndonin një këngë më të moderuar, me muzikalitet e me theks atdhetar. Me sa kujtoj, pas kaq vitesh, teksti i këngës ishte i tillë:
“Shan Tjengjin, shan Tjengjin,
Ke mi çënxhë ho,
Ua, ni jao tan shën…”!
U futëm në mjediset e Shkollës së Aviacionit. Gjithë ajo tollovi njerëzish, e zhurmshme dhe si “e mbirë”, në asfalt, si me magji u fashit. Zhurma pushoi e njerëzit u shpërndanë, nëpër punët e tyre. Për ne 20 vjeçarët, që vinim nga një lundrim i gjatë e nga një udhëtim me tren, në vagonë të një klasi më të ulët, nga ato të rrugëtimit të parë; nga Jugu i vendit, nga Kantoni, në Pekin, kalvari i pritjeve e ceremonive të bezdisshme, nuk kishte të sosur.
Hierark te lartë të Shkollës së Tretë të aviacionit kinez dhe ata të garnizonit të qytetit, na prinë, në një prezantim “dinjitoz” të mjediseve ku do të mësonim; në dhomat ku do të flinim e në bllokun e ushqimit. Pamë klasat, mensën, fjetinën dhe laboratorët. Në çdo vend ku shkuam gjetëm njerëz të gëzuar, të cilët s’di përse qeshnin dhe ndeshëm në një ngrohtësi të tipit aziatik, me nuanca të theksuara kineze.
Në mjediset ku do të flinim gjetëm atë që nuk na e kapte as fantazia më e shfrenuar, të cilën nuk do ta donim kurrë. Edhe mua, fshatarit, që jam rritur në fshat, në kushte tejet të vështirë, pa as më të voglin komoditet, më bëri përshtypje ajo mënyrë jetese. Disa oficerë të lartë, të shkollës mes tyre dhe vetë komandanti i saj na bënë shoqëri e na prezantuan me kushtet e jetesës. Ishim në një sallon, i cili shërbente si paradhomë e fjetinës. Shtatë studentë shqiptarë, për pilotë dhe 5-6 oficerë të lartë kinezë. Memorie.al