Nga Uvil Zajmi
Pjesa e parë
– “Babai u pushkatua, pasi refuzoi takimin me Enverin dhe s’pranoi të bëhej kryetar i Gjykatës së Lartë” –
Memorie.al / Ka qenë vetëm 3 muajsh, i sapo lindur, nga dita kur e ndanë me të atin, të cilin nuk e pa, nuk e njohu, nuk e takoi kurrë. I mbetur jetim vetëm më të ëmën, pastaj fëmijëria, adoleshenca, rinia, djalë me një baba të pushkatuar, një persekutim që e ndoqi për shumë vite. Me pak informacion nga ajo çfarë kishte ngjarë me të atin, as edhe emrin nuk mund t’ia përmendte, që si trashëgim, kujtim, i kishte lënë mbiemrin, një orë dore, dhe diplomën. Me nënën, një grua fisnike, që e mbajti në heshtje atë dramë, që e goditi kur ishte vajzë e re, e bukur, sapo martuar, dhe me një fëmijë të sapo lindur. Një kalvar i gjatë, nga arrestimi i bashkëshortit, hetuesia, procesi gjyqësor, dënimi, më pas, jeta mes vuajtjesh, dhe rritja e fëmijës pa baba.
Kjo është historia e Artan Kokoshit, djalit të Abdyl Kokoshit, i dënuar me pushkatim më 1947-ën, me “Gjyqin e deputetëve”. Prej vitesh është larguar nga Shkodra dhe Shqipëria, për në Toronto, Kanada, ku sot jeton bashkë me gruan, dy vajzat, mbesa e nipër, me vëllain Amirin dhe familjen e tij.
Në një rrëfim jo të lehtë për ta treguar e shkruar, një plagë e madhe në jetën e tij, i rezervuar, Artani i rikthehet asaj ngjarjeje, nga hakmarrja e Enver Hoxhës për Abdyl Kokoshin, pas propozimit për ta bërë Kryetar të Gjykatës së Lartë, te provokimet, kërcënimet e Sigurimit të Shtetit ndaj nënës së tij dhe fotografia enigmatike me Enver Hoxhën, që nxiti reagimin dhe ndëshkimin e profesorit të elektros në universitet. Nga inati i Muho Asllanit, te historia familjes patriotike vlonjate, Kokoshi, me traditë e kontribut në historinë e Vlorës e, Shqipërisë gjithashtu, dhe persekutimi i jashtëzakonshëm i saj, internimet, dënimet, vuajtjet, në burgjet e diktaturës komuniste.
GJYQI I DEPUTETËVE
Një Tiranë, një Shqipëri, qytetarë, familjarë, kanë përjetuar me tension, ankth të madh atë fund shtatori 1947, që lidhet me një nga proceset gjyqësore më të bujshëm, ideuar, sajuar, dhe zhvilluar nga regjimi komunist, diktatura, personalisht Enver Hoxha, me qëllim ndëshkimin, eliminimi i një elite, i një grupi intelektualësh të diplomuar jashtë vendit, vetëm se kishin ide dhe mendonin ndryshe nga filozofie komuniste e diktatorit, dhe ndjekësve të tij.
Një proces i nisur më 1946, me arrestime, burgime, hetuesi të gjata, tortura, dhe pastaj gjyqi publik, i zhvilluar në Tiranë, në sallën e Kinema “Kosova”, nga data 4, deri më 27 shtator 1947, i ndjekur në radio në të gjithë vendin dhe nga kryeqytetasit, ndërmjet altoparlantëve. I konsideruar “grupi i parë opozitar”, zëri kritik, por i eliminuar nga diktatura, me qëllimin për të zhdukur elitën politike dhe kundërshtarët e regjimit.
Një grup intelektualësh, personalitete të arsimuar, shkolluar dhe diplomuar në Perëndim, midis tyre edhe deputetë, të legjislaturës së parë të zgjedhur në dhjetorin e vitit 1945, me ide, preference demokratike, pro-perëndimore e pro-amerikane. Një proces që bëhej në momentin kur Kuvendi Popullor, duhej të ratifikonte konventën me Jugosllavinë, duke përcaktuar drejtimin e politikës së brendshme dhe të jashtme, si ajo pro-lindore me atë të Bashkimit Sovjetik.
Gjyqi i deputetëve, ishte një proces krejtësisht i manipuluar, i komanduar nga Këshilli i Gjykatës së Lartë, me një trup gjykues ushtarak, i përbërë nga majori Niko Çeta, kryetar dhe dy ndihmësat; Nexhat Hyseni dhe Mustafa Iljazi, me gradën e kapitenit. Ishin këta që dhanë dënimet e rënda, kur nga 24-tër të akuzuarit, 16-të u dënuan me vdekje, me ekzekutime me varje në litar, pushkatime, të tjerët me burgime të përjetshme.
ARTAN KOKOSHI: “Nga HAKMARRJA E PROFESORIT TË ELEKTROS, HUMBA UNIVERSITETIN”
Z. Artan, dy fjalë rreth familjeve të prindërve tuaj?
Unë kam lindur në shkurt i 1946, isha foshnje, kur e arrestuan babanë, i cili rrjedh nga një familje e madhe e njohur dhe me traditë, nga Kokoshët e Vlorës. Ishin 6 fëmijë, 4 djem dhe dy vajza, babai ishte i madhi. Kurse familja e mamasë, është nga Sulot e Libohovës, babai Reuf Sulo, farmacist i diplomuar në Turqi, më 1900 u vendos në Shkodër, si qytet i zhvilluar, me mundësinë të ushtronte profesionin e farmacistit. Por, fatkeqësisht, vdiq shumë i ri, as 50 vjeç, duke i lënë gruan, katër fëmijët, dy vajza dhe dy djem.
Si u njohën nëna me babain, pastaj martesa, dhe arrestimi?
Gjyshja, pra nëna e mamasë, gjirokastrite, ishte motër me gruan e doktor Basri Qadhimit, mjek i laureuar në Stamboll, me reputacion të madh në Shkodër. Një nga vajzat e doktor Basrisë, Muhaseri, u martua me Sulo Klosin, inxhinier, i diplomuar në Strasburg. Ai ishte shumë shok, me babain, dhe nisur nga kjo miqësi e tyre, ai e njohu me Nezihanë, mamanë. Pastaj martesa, në Shkodër në vitin 1945. Fillimisht kanë jetuar në Tiranë, te shtëpia e Beshirve, një hyrje me qira, aty kam lindur edhe unë, jo në maternitet. Ndërkohë, pas lufte, babai hapi një kafe më Tiranë, aktivitet privat, pasi nuk i jepnin punë si avokat. Me profesion jurist, por që punonte, si kafexhi, aty e kanë arrestuar.
Babai, i diplomuar në Romë, por italianët i refuzojnë diplomën?
I diplomuar në Romë, për drejtësi, ka një kuriozitet, që si antifashist, italianët nuk ja dhanë diplomën, kur mbaroi me 1936, por më 1940, vetëm kur pushtuan Shqipërinë, ja kanë dorëzuar. Atë diploma, e kam në shtëpi, e kishte fshehur xhaxhai im, Engjëlli. Nuk e di se si ka mundur ta ruajë, pasi shtëpinë e tyre në Vlorë, ja bastisën. Është i vetmi kujtim që kam nga babai, si dhe një orë dore, që ai mundi t’ia japë fshehurazi, duke iu lutur një polici burgu, një njeri i mirë, i cili ja dorëzoi më vonë mamasë. Bashkë me disa fotografi, që kanë mundur të shpëtojnë.
Cila ishte akuza për babain, Avdylin?
Akt-akuza u dha nga zv/Prokurori i Përgjithshëm, Josif Pashko, pastaj trupin gjykues ushtarak, e caktoi Komiteti Qendror i Partisë Komuniste Shqiptare. Është një akuzë e gjatë mbi dhjetë faqe, ku lexon, gjen emra nga më të njohurit, intelektualë të shquar të kohës. Babai, u akuzua si ish-anëtar i ‘Ballit Kombëtar’ të Vlorës, për lidhjet me Mit’hat Frashërin, për të ri ngritur ‘Ballin e Ri Kombëtar’ në Shqipëri.
Një tjetër akuzë ishte, për lidhjet e tij me misionet amerikane në Shqipëri, për instalimin e një demokracie perëndimore. Si dhe krijimin e grupeve ilegale, të një Komiteti Qendror, për të organizuar rrëzimin me kryengritje, me dhunë, të Pushtetit Popullor. Të gjitha këto akuza, i konsideronin veprimtari armiqësore.
Proces i gjatë, i egër, ka jehonë, ndiqet nga e gjithë Shqipëria?
Duke qenë avokat, babai nuk pranoi të merrte tjetër mbrojtës, duke iu përgjigjur vetë pyetjeve. Ishte i qetë, dhe i sigurt, nuk kishte bërë gjë, për çfarë mund ta akuzonin. Mamaja nuk e takoi asnjëherë, pasi nuk linin dhe proceset, i ndiqte jashtë Kinema “Kosova”, ndërmjet altoparlantëve. Vetëm në ditët dhe seancat e fundit, babai u duk i shqetësuar, tregonte mamaja.
Diçka kishte ndodhur, ishte nervoz, jo i qetë, kishte ndryshuar qëndrimin. Mamaja e priste, kur i nxirrnin nga gjyqi, për t’i çuar në Burgun e Tiranës, ai nga xhami i autobusit, e shihte i dëshpëruar, dhe me lot, i bënte ndonjë gjest, sikur donte t’i thoshte; jam i pafajshëm.
Çfarë ndodhi me familjen tuaj, pra me nënën dhe juve personalisht, pasi u mbyll procesi për babanë?
Pasi u mbyll gjyqi, u morr vendimi me vdekje, mamaja vijoi për pak kohë në Tiranë, me shpresën se mund ta falnin. Deri kur i njoftuan se e kishin pushkatuar, duke i kthyer veshjen e tij, prindërve të babait, që i kishin dëbuar dhe larguar nga Vlora, duke i internuar në një fshat të Rrogozhinës, ku jetonin në një barakë dërrase.
Ata e takuan mamanë dhe i thanë se e kishin të pamundur, për nga kushtet ku ishin, që ta mbanin atë bashkë me mua. E vetme, pa asnjë përkrahje, mbështetje, pa punë në Tiranë, ajo vendosi të kthehej në Shkodër, ku kishte familjen, motrën, dy vëllezërit dhe nënën.
Më treguat edhe për provokimet që i bënin nënës tuaj?
Po, është më se e vërtetë, i shkonin mamasë natën vonë në shtëpi, punonjës të Sigurimit, e provokonin, e merrni në pyetje, e çonin në hetuesi. Ajo, e vetme me mua, reagonte. Një ndër ta ishte edhe Feçor Shehu, në atë kohë kryetar e Degës së Brendshme në Shkodër.
Pas dënimit të babait tuaj, çfarë ndodhi me familjen Kokoshi dhe të afërmit e tjerë të fisit tuaj?
Vendimi për të goditur familjen Kokoshi, tashmë ishte marrë. Ndërsa babai ishte në hetuesi, në proces gjyqësor, në të njëjtën kohë, u arrestua edhe xhaxhai im, Engjëll Kokoshi, as 24 vjeç, e dënuan me 17 vite burg. E mbajtën në burgun e Vlorës, ku kishte edhe xhaxhain e tij, Qazim Kokoshin. Po në atë periudhë, edhe djalin e Qazimit, Fatoshin, e arrestuan dhe e dënuan me 15 vite burg. Burrin e hallës, Shefki Minarollin, edhe ky me “Grupin e deputetëve”, u dënua me 20 vite burg.
Familjen e hallës e hoqën nga Tirana, e çuan në Shijak, ku kanë jetuar për shumë vite. Edhe njerëz të tjerë të afërm, ishin në kampe dhe burgje. Ata u arrestuan si të njohur apo të afërm e, familjarë të “Grupit të deputetëve”. Po kështu edhe Sulo Klosin, burrin e vajzës së tezes së mamasë, edhe ky me “Grupin e deputetëve”, e dënuan me vdekje, me varje, dhe ashtu e kanë lëmë disa ditë të varur në Rubik, që ta shihte qyteti, njerëzit ku ai kishte punuar si inxhinier. Engjëlli, xhaxhai, pati fatin se nuk e vranë.
Më treguat për një njeri, që i ka qëndruar afër mamasë në ato muaj të vështirë?
Personi që i ka qëndruar pranë nga dita e parë që arrestuan babanë, gjatë procesit gjyqësor, deri ditën që e dënuan dhe e pushkatuan, ka qenë vajza e xhaxhait të saj, Bediha Sulo, (Këlliçi), që jetonte në Tiranë. Mendoni, mamaja e vetme, 27 vjeçe, pa asnjë njeri, ajo nuk i është ndarë për asnjë çast. E shoqëronte në atë periudhë të vështirë të saj, me mua në dorë dhe me burrin në proceset gjyqësore.
Si mendoni ju, apo më saktë, në çfarë konkluzionesh keni dalë pas kaq vitesh, lidhur me arsyen e vërtetë, se përse u godit babai juaj, nga Enver Hoxha?
Në fundin e vitit 1944, pra disa ditë pasi kishte mbaruar lufta, Enver Hoxha, ndërmjet Hysni Kapos, i dërgon fjalë babait, Abdylit, (pasi kishin njohje dhe miqësi, si vlonjatë), duke i thënë që; “të vijë të më takojë në zyrë, pasi kemi menduar ta bëjmë Kryetar të Gjykatës së Lartë”. Por, babai e kundërshtoi, nuk pranoi dhe as nuk e takoi, duke u shprehur se; “nuk mundet të dënoj miqtë, shokët, njerëzit e mi”. Pra, refuzimi që i bëri ofertës së Enverit, mendoj se ishte një nga motivet që filloi hakmarrja ndaj tij dhe gjithë fisit Kokoshi. E konsideruan si fyerje dhe mospërfillje.
Si vazhdoi jeta e nënës, pas pushkatimit të burrit të saj?
Mamaja me profesion mësuese, u pushua nga puna. Ajo u martua sërish, dhe bashkëshorti i saj, Xhemal Lopçi, edhe ai mësues, nga një familje e njohur shkodrane, më ka trajtuar si djalin e tij. Ai ka qenë babai, një prind i vërtetë për mua. Ai më rriti, më edukoi, më arsimoi. E kam ndjerë shumë pranë interesimin, ngrohtësinë e tij. Nga martesa e dytë, lindi edhe një djalë, Amiri, vëllai im, me të cilin nuk ndahemi, për asnjë çast. Jemi më shumë se dy vëllezër. Ne dhe familjet, e gjithashtu fëmijët tanë. Edhe në Kanada jemi bashkë. Nga fisi i babait, nuk më kishte mbetur askush. Vetëm fëmijët e xhaxhallarëve, të hallave, por kanë vite, që janë larguar nga Vlora.
Kur ishit në universitet, pra në një tjetër fazë e jetës tuaj, por jo pa probleme?
Më 1963, jam në vitin e parë në fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, u bë një mbledhje për të zgjedhur sekretarin e rinisë. Më propozuan mua, por ndërhyri Vangjel Çerava, duke thënë, “Nuk është i përshtatshëm për këtë punë, kanë probleme në familje”, dhe me aq u mbyll. Ishte një goditje, jo e lehtë për mua.
Vijmë te profesori që ju ndëshkoi, ku si rezultat, humbët universitetin?
Ishte viti 1967 dhe unë vazhdoja vitin e katërt në Universitet, më kishte mbetur ai i fundit dhe diploma. Por, pikërisht në atë fund-sezoni, një profesor i njohur, që jepte elektro-mekanikë, një lëndë dytësore, më ngeli për vjeshtë. U përgatita, ndërkohë që edhe dikush e takoi, i foli, i tha që; studenti është jetim. Kisha filluar të përgjigjesha me asistentin e tij, kur profesori hyn në klasë, “lëre – i thotë, – se do e pyes unë”.
Më pa ushtrimin, “jo – tha – nuk është kjo zgjidhja, kështu bëhet në shkollë të mesme”. Ishte e planifikuar të më mbeste dhe ashtu veproi. Humba vitin, universitetin. Dëmi që më bëri, ishte shumë i madh, moralisht dhe ekonomikisht (pasi flija në konvikt), në opinion e, kudo. Edhe sot e kam një peng, një enigmë më ka mbetur, se kush e shtyu dhe kush e nxiti që të vepronte ashtu ndaj meje. Nuk e takova asnjëherë atë profesor, që pas ‘90-tës, ka qenë edhe deputet i Partisë Socialiste.
A ka lidhje kjo ngjarje me një nga fotografitë, që sapo më treguat?
Ka qenë viti shkollor 1966-‘67 dhe ajo është një fotografi, e bërë në sheshin para universitetit, me Enver Hoxhën. Ka qenë krejt rastësi. Ai kishte dalë për të shëtitur nga liqeni dhe në kthim në këmbë, po kalonte para korpusit qendror, ndërsa makina e shoqëronte në rrugë. Ne, disa studentë ishim aty, kur ai u afrua, “nuk kam dalë, nuk kam asnjë foto me studentët”, tha. “Nëse keni aparat, bëni edhe një me tuajin, – u shpreh, – se ky, – duke iu drejtuar Sulo Gradecit, – nuk jua jep fotot”.
Dhe si vijoi historia e saj, që pati pasoja për ju?
Pas disa ditësh, një farmacist i “Bllokut”, erdhi në fakultet, me fotografitë dhe kërkonte personat që kishin dalë aty, donte t’ia jepte secilit në dorë. Ishin me ngjyra, dhe sigurisht që ata kishin marrë informacion, cilët ishin studentët në foto. “Si mundet që ky student, djalë i një të persekutuari, të dalë në fotografi me shokun Enver”, ishin fjalët që qarkullonin për mua.
Në grup kisha dy studentë, njëri ishte djali i hallës i Enver Hoxhës dhe që rrinin shumë me profesorin e elektros, duke influencuar te ai. Kur bëmë një përvjetor, pas vitit 1990-të, si ish-studentë, më ftuan edhe mua, fillimisht nuk doja të shkoja, pastaj vajta. Ishin edhe ato aty. “Kemi bërë të pamundurën që të mos të ngelte, por ishte urdhër i prerë”- sikur donin të justifikoheshin. Ndërsa foton me Enverin, nuk e kam, e ka grisur vajza.
Pasi ju larguan nga universiteti, pa e mbaruar, si vijoi jeta juaj?
Me urdhër të Beqir Ballukut, ministër i Mbrojtjes, (ishim rreth 8 – 9 studentë të mbetur, të larguar nga universiteti, kryesisht për çështje biografie), më dërguan të kryej shërbimin e detyruar ushtarak, për dy vjet, në Burrel, në një repart kundërajrorësh. Isha korrekt dhe ndryshe nga ushtarët, gati me një universitet të mbaruar. Aty ishte një komisar vlonjat dhe në një moment, për të zgjedhur sekretarin e rinisë së repartit, të gjithë donin të isha unë, por komisari hezitonte, nuk kishte kurajën të më mbështeste, duke mbajtur një qëndrim në heshtje. Pastaj më këshilluan, që të mos pranoja, të hiqja dorë dhe kështu u mbyll.
Po mbasi mbaruat shërbimin ushtarak, ku filluat punë?
Sapo mbarova ushtrinë, nisa punë në Uzinën Mekanike në Shkodër. Kur një inxhinier, për të zbatuar një projekt, ngriti një grup pune, ku më futi mua edhe djalin e Taho Sejkos, (Hektorin) vëllai Teme Sejkos. Ishte një uzinë, një repart ku më donin, kishim krijuar miqësi. Isha shumë korrekt në punë, me të gjitha detyrat që më caktonin. Punoja me turne. Ata të partisë në ndërmarrje, e thërresin inxhinierin, i thonë për ne të dy, që të na largonte. “Jo”- i kundërshtoi ai, – këta më bëjnë punën”, dhe me këmbënguljen e tij, na lanë në atë grup pune.
Cili ka qenë trajtimi juaj, nga qytetarët, nga Shkodra?
Nëna e një shoku tim vlonjat, sa herë shkoja në familjen e tyre, kujtoj se më thoshte gjithmonë: “Je me fat, që je rritur këtu në Shkodër dhe jo në Vlorë, se aty do të kishin futur në burg” . Ndryshe, në Shkodër, kjo atmosferë nuk ndihej shumë, shkodranët të njohur si anti-komunistë, nuk ma kujtonin babain, ose të silleshin me mua, si djalë i një të dënuari politik, siç e konsideronte ai sistem. Shkodra qytet tolerant, më kanë dashur e trajtuar mirë, pavarësisht nga biografia, nuk bënin lufte klasash. Shoqëria nuk reagonte, përkundrazi shteti, zyrtarët e tij, në çdo rast, më nxirrnin biografinë.
Ka pasur ndonjë rast, kur keni pasur probleme me zyrtarë të lartë, partiakë dhe shtetërorë?
Po kam pasur, kujtoj shumë mirë, ishte viti 1988, kur më propozuan të hap një dyqan riparim shërbimi, për motorë. Pas një viti, me urdhër direkt të sekretarit te parë për Shkodrën, Muho Asllani, më kthyen në Uzinën Mekanike, në një repart të rëndë, por shokët aty nuk më lanë të bëja punë të rënda. Në vendin tim, te riparim shërbimet, futën një shok të djalit të Muhos.
Dy fjalë për familjen tuaj?
Nuk ka qenë aspak e lehtë, për mua dhe mamanë, që siç thashë, vetëm pas martesës së dytë, filloi punë si arsimtare në shkollën “Xheladin Fishta”, ku edhe doli në pension. Edhe mamanë e kanë respektuar. Mua, nuk më ka munguar ngrohtësia e njerëzve, miq, të afërm, dajave, tezes. Pastaj njohja ime me gruan, Taçin, nga një familje e mrekullueshme shkodrane, martesa dhe dy vajzat, Ledin dhe Seldën, nipër e mbesa, që ma kanë mbushur jetën. Në Toronto, kam edhe vëllain, Amirin, familjen e tij.
E keni lexuar dosjen e Avdyl Kokoshit?
Dosjen e babait, vetëm pas viteve ’90-të munda ta marr. Shoh, lexoj emra prokurorësh, gjykatësish, dëshmitarë, akuza, ndjej dëshpërim, keqardhje, por kthim mbrapa nuk ka. E mbyll e hap, e mbyll, konstatoj që babain e kanë marrë shumë herë në pyetje në hetuesi, e kanë torturuar, siç më tregonte edhe mamaja, vetëm të pohonte çfarë e detyronin.
Keni tentuar të gjeni e të keni ndonjë informacion ku mundet të ndodhen eshtrat e babait tuaj?
Lidhur me trupat e pushkatuar, ato janë zhdukur. Flitej nën zë, se janë varrosur në breg të lumit të Tiranës, apo te ish-uzina “Dinamo”, por kush mundej të interesohej në atë kohë. Edhe pas ’90-ës, pati tentativa nga Shoqata e ish-të Burgosurve Politikë, por asgjë konkrete. As edhe një lule, pak dhe, nuk kam mundur të vendos, të hedh mbi eshtrat e tij, pasi nuk ka mbetur asnjë dëshmitar, ku mundet të jenë eshtrat e tij, nëse ka mbetur ndonjë gjurmë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm