Nga Petraq Xhaçka
Pjesa e parë
PARAFIALE
Memorie.al / Qëllimi i këtij libri, është të bashkojë ndihmesën në përpjekjet që bëhen, për të paraqitur të vërtetat dhe tmerret e diktaturës komuniste në Shqipëri. Qëllimi kryesor i librit, nuk është t’i tregojë popullit tonë e kujtdo tjetër, se ne naftëtarët kemi qenë të pafajshëm, sepse kjo është bërë e njohur nga botime në shtypin tonë, nga televizionet e huaja, si dhe nga takimet direkte me Forumin Ndërkombëtar dhe atij shqiptar të të Drejtave të Njeriut. Dëshira e autorit, është që nëpërmjet kësaj historie, së bashku me tregime të tjera, të luftohet çdo shfaqje në çfarëdo forme, qoftë dhe të moderuar, që ai mund të ketë për të krijuar një shoqëri komuniste.
Mendoj se edhe nëpërmjet kësaj historie të hidhur personale, do të shfaqet fytyra mizore e pabesë dhe prepotente e enverizmit, që për një gjysëm shekulli, ja mbajti thikën me majën në gjoks popullit shqiptar, me syrin pishë, duke përgjuar lëvizjet për shpëtim nga jashtë, apo rebelim të vetë popullit, i gatshëm ta shtynte thikën drejt zemrës, në lëvizjen më të parë. Unë, dhe për fat të mirë jo vetëm unë, – dëshiroj që aty dhe kudo gjetkë, të luftohet çdo rilindje e këtij komunizmi amoral dhe kriminel, në çfarëdo forme, qoftë dhe të moderuar. Kjo sepse, ai përbën një sistem dekadent, që lind totalitarizmin, që nxit urrejtjen e njeriut për njeriun dhe përbën në thelb, një sistem skllavërie në forma moderne. Ngjarjet janë vënë në fushat ekonomike ku ajo është shfaqur më me forcë, siç ka qenë industria e naftës dhe e gazit, ku pata fatin të derdh energjitë e mia, për një jetë të tërë dhe të bëhem në ato ngjarje pjesëtar dhe dëshmitar.
Këto të vërteta, i di vetëm një grusht njerëzish edhe pse jehona e dramës së naftëtarëve, përmendej e përmendet në historinë e sundimit komunist, në pikëvështrime të ndryshme. Industria e naftës, përbënte burimin kryesor të eksportit dhe sigurimit të valutës për ekonominë e brishtë shqiptare, përveç furnizimit me lëndë djegëse, për nevojat e brendshme. Në këto kujtime, nëpërmjet ngjarjeve tragjike me specialistët naftëtarë, do të tregohet se Shqipëria, ka përfaqësuar një burg të madh për popullin. Ndërsa burgjet politike, shërbenin si mjete për të ushtruar diktaturën mbi njerëz të pafajshëm, për të futur frikën në popull, që ai mos të guxonte të bënte edhe reagimin më të vogël kundër pushtetit komunist, ose për të fabrikuar procese gjyqësore fallco, për të realizuar qëllimet e udhëheqjes së Partisë dhe të shtetit komunist. Të gjitha këto forma terrori dhe padrejtësie, kanë qenë nga më të egrat nga të gjithë vendet e ish-kampit socialist, të Europës Lindore.
Të gjitha ngjarjet që shkruhen në këtë libër kujtimesh, janë të vërteta, jo vetëm pa asnjë për zmadhim apo zbukurim të tyre, por ndofta, nuk di sa kam mundur të paraqes forcën tmerruese të ngjarjeve që ndodhnin në atë sistem dekadent të socializmit, ku nuk ekzistonte asnjë ndjenjë humane. Aty përmenden edhe emra, të cilët janë persona realë, kjo me qëllim që të pasqyrohet tërësisht e vërteta. Vetëm emrat e hetuesve nuk janë vënë realë, por fiktivë. Kjo, sepse qëllimi i librit, nuk është për të diskretituar emra të veçantë dhe se nuk ishin ata që urdhëronin bërjen e këtyre proceseve fallco. Në qoftë se nuk do të ishin këta, do të ngarkoheshin disa të tjerë, për të bërë këto procese te ndyra me njerëz të pafajshëm, mbasi ata ishin një numër i madh, që zbatonin porositë e udhëheqjes së lartë të Partisë. Dëshiroj të falënderoj publicistin, shkrimtarin dhe regjisorin e mirënjohur, Pëllumb Kulla, për nxitjen dhe kurajën që më ka dhënë në këta muaj, me gjendjen time shëndetësore të pafavorshme, që t’i futem shkrimit të këtyre kujtimeve.
E falenderoj atë sidomos për këshillat e dobishme gjate shkrimit te tyre. Një force të jashtëzakonshme më ka dhënë dhe i vetë-ndjeri i një detyrimi qytetar e shoqëror, për të plotësuar edhe amanetin e mikut tim të punës e të vuajtjeve, inxhinierit të shquar, mjeshtrit të artit te karikaturës, të ndierit Enriko Veizi, për të shkruar mbi këto ngjarje, që në vorbullat e tyre përpinë fatet tona dhe ato të familjeve tona. Le të jetë ky libër kujtimesh dhe një homazh për të gjithë specialistët, martirë naftëtar të persekutuar aq egër nga udhëheqja shtetërore enverian, me aparatin e saj të fuqishëm diktatorial.
Autori
6 shkurt 1986
Në orën njëmbëdhjetë të mëngjesit, në zyrën time, zgjati kokën oficeri i Sigurimit të Shtetit që mbulonte Institutin tonë dhe më ftoi ta pinim një kafe, në bufenë aty pranë. Ftesa m’u duk e çuditshme. Ai kishte vite pa folur e, pa pirë kafe me mua. Kisha një ndjenjë të turbullt përbuzjeje ndaj vetes, që nuk arrija dot ta shmangja këtë pirje kafeje. Kur po rrufitnim kafetë, atij i ra zilja e biperit. Më tha se po e përdorte për herë të parë dhe meqë edhe unë për herë të parë shikoja një aparat të tillë, ai më shpjegoi se si punon dhe përse përdoret biperi. Pimë kafetë dhe u ndamë. Nuk besova se ftesa për kafe ishte thjesht leksioni për biperin. Një orë më pare, kishin arrestuar zëvendësdrejtorin e Institutit të Naftës dhe Gazit, Enriko Veizin. Asnjeri nga punonjësit tanë, nuk besohej ta dinte këtë ngjarje të rëndë, por oficeri i Sigurimit, si duket desh të mësonte në e dija unë.
Në orën dy e pesëdhjetë minuta të pasdites, në zyrë kisha dy gjeologë të grupit, për një studim që bënim së bashku. Dera u hap pa trokitur dhe na u fut brenda një person me trup të shkurtër, i veshur me një kostum të fisëm, me një fytyrë kuqalashe, të shëndoshë dhe rrumbullake. U kujtova se kohët e fundit e kisha parë këtë tip disa herë në Institut, por nuk kisha pyetur se kush qe ky njeri dhe çfarë bënte këtu. Burri i shkurtër me fytyrë të kuqe, u drejtua nga unë e më tha me një ton të prerë, tepër urdhërues, shoqëruar me një lëvizje të gishtit të dorës së djathtë: “Hajde pak me mua, përjashta në korridor”! E kuptova nga vendosmëria, se pushteti i tij as nuk mund të vihej në dyshim. U ngrita e dola në korridor, i cili ndryshe nga e zakonshmja, atë ditë ishte i zbrazët, pa asnjë këmbë njeriu. Sapo u gjendëm përjashta, ai nuk e vonoi shprehjen sllogane të mësuar nga të gjithë filmat apo tregimet e atyre viteve:- “Petraq Xhaçka, në emër të popullit, je i arrestuar si armik, që ke dashur të rrëzosh pushtetin popullor dhe udhëheqjen e partisë”! Me një lëvizje të shpejtë më kapi të dy duart dhe më vuri prangat, menjëherë ndjeva një mpirje në trupin tim, një përhumbje të vërtetë. Nuk po kuptoja se si qe e mundur të arrestohesha, si qe e mundur…si mund të ndodhte kjo…?!
Me këto mendime, të cilat kalonin me një shpejtësi të madhe nëpër mendjen time, ecja i shushatur në korridorin e Institutit, i shtyrë prej krahut nga ai burrë fytyrë ngjallmë, që paskej qenë Shefi i Hetuesisë së Rrethit të Fierit, Rustem Ajazi. Mua nuk më besohej se si qe bërë e mundur, që pikërisht unë, që vite më parë pata hartuar skemën organizative, detyrat teknike -shkencore të çdo qelize të këtij institute nafte, unë që punova me aq përkushtim, për ta çuar përpara, tani të kaloja nëpër korridoret e tij me pranga në duar, si armik…?! Vdekjen e prisja, por kurrsesi këtë farsë kriminale të Ramiz Alisë, të parit të vendit dhe kreut të partisë, atij që, me paturpësi, pak vite më vonë, do të shkruante midis të tjerave, se ai e kish sjellë demokracinë në Shqipëri. Por ama ai kurrë nuk do të guxojë te shkruajë se kush i mbushi burgjet politike me armiq imagjinarë, mes të cilëve ishin me mijëra kuadro, intelektualë të devotshëm, me tituj shkencorë, me teserat e partisë kuçedër, që ai vetë drejtonte, njerëz që sot dekoroheshin, e nesër qëndronin të zbardhur në fytyrë përballë skuadrës së pushkatimit.
Arrestimi i grupit tonë, të specialistëve të naftës, ishte një goditje tjetër që i jepej inteligjencës shqiptare prej shtabit ramizist të diktaturës. Sektori i naftës ishte me i rëndësishmi në ekonominë e vendit tonë, ai ishte nga të paktët sektorë, të cilët e kishin përligjur veten dhe nuk e kishin lënë atë vend të vdiste për bukën e gojës. Dhe specialistët naftëtarë, inxhinierë e punëtorë, punonin me përkushtim, me ndërgjegje të lartë, dhe vazhdonin të jepnin një ndihmesë të çmuar, në zhvillimin e kësaj industrie tepër të vështirë. Në oborrin e Institutit, që kurrë më parë nuk e kisha parë aq të heshtur e të shkretë, prisnin dy vetura të tipit ushtarak. Mua më futën në njërën prej tyre, dhe më plasën në ndenjësen e pasme, në mes dy vetash, të caktuar të më shoqëronin ashtu të prangosur. Që andej makinat shkuan në ndërtesën e Degës së Punëve të Brendshme të Fierit, brenda së cilës nuk pata hyrë asnjëherë më parë. Në katin e poshtëm ishte burgu ku zhvillohej dhe hetimi. Ishin katër dhoma, dy në një krah dhe dy në krahun tjetër, të ndara me një korridor të shkurtër.
Mua më futën në derën e parë në të majtë, ku ishte një dhomë e rregullt rreth katër metra me katër. Aty erdhën disa ushtarakë, të cilët më zhveshën lakuriq, kontrolluan gjithçka kisha me vete në rrobat e hequra. Pas kontrollit, ata mbajtën ato që kisha patur nëpër xhepa si dhe rripin e pantallonave e lidhëset e këpucëve. Në fund hartuan një protokoll mbi sendet e mbajtura, të cilën e firmosa pa e parë. Lëvizjet e mia vazhdonin të ishin të mpira tërësisht. Unë nuk arrija të kuptoja nëse ajo që po ndodhte ishte e vërtetë apo ëndërr?! Si do që të ishte, ishte tepër e hidhur. Kur mbaruan formalitetet e regjistrimeve, dy policë m’i lidhën përsëri duart me pranga, si zakonisht, mbrapa kurrizit dhe më shoqëruan deri në fund të korridorit të birucave, tek ajo e fundit në të djathtë.
Biruca ime kishte numrin 8. Ishte një dhomë rreth dy metra gjerësi e tri metra gjatësi, dhe një lartësi prej rreth pesë metrash. Në tre të katërtat e sipërfaqes së saj, biruca kishte një shtresë dërrase, në formë dyshemeje, ndërsa pjesa tjetër ishte shtruar me çimento. Muret ishin shumë të trashë, prej guri. Ndriçim nga brenda nuk kishte, por drita vinte nëpërmjet një vrimë mbi derë. Kur më futën brenda dhe më hoqën prangat, më prunë vetëm një batanije të vjetër, nga ato të kombinatit të Tiranës, e cila jo vetëm të gërvishte, por pa e tepruar, duhej të kishte një përdorim prej pesëmbëdhjetë vjetësh. Nuk ishte halli se ishte tepër holluar nga të përdorurit, por ajo binte një erë të qelbur e të padurueshme. Me siguri, ajo nuk ishte larë kurrë ndonjëherë.
Për veshët e mi a për të vrarë kohën e tyre të shërbimit, policët po thoshin se në këtë birucë fusnin ata, krimet e të cilëve ndëshkoheshin me vdekje. Ata përmendën se këtu pat kaluar procesin hetimor dhe tiranasi Xhavit Sallaku, që pat qenë nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të kryeqytetit dhe më pas Drejtor i Përgjithshëm i Ndërtimit të Uzinës së Përpunimit të Naftës në Ballësh. Si i tillë edhe pat qenë burgosur, e pas gjyqit qe pushkatuar. Duke më lëshuar këto njoftime policët, tërthorazi, më thoshin se dhe unë do ta kisha fatin si të atij. Por unë isha mjaft i lodhur dhe fjalët e tyre ndeshnin një lloj indiference që kurrë nuk mendoja se do ta kisha në rrethana të tilla. Dy policët, të cilët më patën shoqëruar në birucën e ftohtë e plot lagështi, pasi më hoqën prangat, dhe më prunë batanijen e qelbur, u larguan duke mbyllur derën e hekurt, me atë llozin e rendë me dryn.
Tani po mundohesha të kthjellohesha pak nga ajo goditje e tmerrshme që pata marrë e gjithnjë e më shumë po bindesha, se arrestimi im ishte një realitet dhe jo një ëndërr e ligë. Vendosa të ulesha të mblidhja veten e po mendoja për fatin e keq të familjes sime. Po mendoja për time shoqe, Zhanetën, që atë ditë pat udhëtuar me tren për Tiranë, për të parë vajzën tonë të dashur, Hildën, e cila bënte atje shkollën. Pastaj nisa të përpiqem të gjej se çfarë po bënte Genci. Djali, në atë orë, me siguri, ishte në shtëpi. Po. a e dinin ata se ku ndodhesha unë?! A ishin njoftuar se unë isha arrestuar? A e kish kryer Dega e Punëve të Brendshme, atë ritin e shëmtuar, të kontrollit edhe në shtëpinë e të arrestuarit Petraq Xhaçka? Mendoja shumë më tepër, jo për të keqen që më zuri mua, por për fatin e zi të fëmijëve të mi, të cilëve me siguri tani iu mbyllin të gjitha shtigjet e hapësirat për shkollë, për punë, si dhe për të krijuar një familje të shëndoshë e një jetë të mirë, që për të gjithë prindërit është një dëshirë që nuk vihet në dyshim.
Mendoja se si familja ime tani e tutje, do të persekutohej në të gjitha format e ashpra që ushtronte diktatura në vendin tonë, siç kish ndodhur dhe me të gjitha familjet e specialistëve të mëparshëm të naftës, që ishin dënuar. Si një film i shpejtë kalonin para meje imazhet e fytyrave të dlirta e të pafajshme të gruas, vajzës dhe djalit tim. I shihja ato fytyra të vrara nga kjo e keqe që i zuri, me ata sy të mbushur plot lot dëshpërimi. E shihja tani familjen të braktisur jo vetëm nga shoqëria, por edhe nga rrethi i të afërmve. Të gjitha jo se ata nuk kishin dëshirë t’i takonin e t’i mbronin, porse kishin frikë nga persekutimi i familjeve të tyre, siç kishte ndodhur nga praktika e familjeve të tjera, të cilat ishin të detyruara të mbylleshin vetëm në guaskën e tyre, sepse çdo kontakt me familjet e të dënuarve politikë, shikohej me dyshim politik. Kur i lexon njeriu këto rreshta, ndoshta nuk arrin të përfytyrojë e të futet në atë jetën e tmerrshme që bënin këto familje, të cilat, në shumicën e rasteve, ishin vetëm viktima të pafajshme, pa kryer asnjë “krim”, që përcaktonin qoftë e vetë ligjet komuniste si agjitacioni, kalimi kufirit e të tjera.
Më kujtoheshin fluturimthi rastet kur unë isha ndodhur disa herë përballë familjeve të kolegëve naftëtarë, damkosur me nofkën e grupit armiqësor, në vitin 1975, apo të individëve të tjerë të arrestuar më vonë dhe nuk dija si të veproja. Korrektësia njerëzore, miqësia që kisha patur dhe, së fundi, pafajësia e plotë e këtyre pjesëtarëve të familjeve, e kërkonte që t’i përshëndesja, bile jo vetëm kaq, por edhe t’i pyesja për shëndetin e hallet që kishin. Por po të bëja një gjest të tillë human, do të cilësohesha i dyshimtë, se kjo shenjë do të tregonte se mua më dhimbseshin armiqtë. Kjo ishte psikologjia e futur nga pushtetarët enverian shqiptarë. Kështu që thoja me vete, pse më pruri rasti që të isha përballë tyre dhe ç’pata që nuk kalova në një rrugë tjetër. Kjo ishte një vuajtje e dyfishtë për pjesëtarin e familjes që e ndjente veten të vetmuar, “të përbuzur”, nga ish miqtë e tyre, por edhe për mua që i shikoja ashtu të vuajtur të njohurit e mi, të krijonte një ndjenjë keqardhje. Kjo ishte një tragjedi e vërtetë. Në sytë e mi nuk vinin lotët. Gjëndrat e lotëve, ashtu si dhe i gjithë trupi ishin të mpira. Duhej të qaja por nuk kisha lot. Sytë e mi ishin çuditërisht si përrenj të shterur.
Duhej t’i derdhja ata për fajin e familjes sime, që jo vetëm e prisnin vuajtjet por do të kish edhe damkën e keqe si familje e një armiku, edhe pse jeta ime kishte qenë e pastër nga fillimi e deri në fund. Kishin kaluar disa orë që po qëndroja në këmbë me këto mendime, dhe me qenë se fillova të ndjej lodhje vendosa të ulesha në dysheme. Me gjysmën e batanijes mbulova majat e këmbëve që pothuaj më ishin ngrirë nga të ftohtit edhe lagështia e madhe. Por vetëm ca minuta më pas, polici hapi dritaren e vockël dhe kur pa se unë kisha mbuluar këmbët, më urdhëroi me një ton të prerë:- “Ngrehu! Në këmbë! Nuk lejohet të mbulohesh me batanije”! Më shpjegoi se qysh nga mëngjesi, kur të ngriheshim në orën gjashtë e deri në orën dhjetë të mbrëmjes, ne nuk do të kishim të drejtë të shtriheshim, apo të mbulonim me batanije, as trupin e bile, as majat e këmbëve. U detyrova të zbatoja urdhrin e rregulloren, por polici nuk ma kish më besën dhe herë mbas here hapte dritaren e vogël, që të kontrollonte gjendjen. Po vëreja se ishte errësuar. Ora duhej të ishte rreth shtatë e mbrëmjes, kur qetësinë e korridorit e prishën ca gërvima dyersh të hekurta që sillnin njerëz dhe disa hapa të rëndë, që po i afroheshin fundit të korridorit, ku edhe ndodhej biruca ime me numër 8.
Porta e hekurt e birucës u hap dhe dy policë m’u afruan, më vunë prangat dhe më çuan në dhomën e hetuesisë. Aty, në fillim më kontrolluan për gjithçka kisha me vete dhe pastaj më dorëzuan tek hetuesit. Ishin katër veta. Përgjegjës i grupit hetimor, ishte personi që më arrestoi dhe kishte detyrën e Shefit të Hetuesisë së Fierit. Unë nuk kisha njohur më pare asnjërin nga këta hetues.- “A e di përse je arrestuar”?- më pyeti njeri prej tyre. – Nuk e di. Tërë jetën time nuk kam kryer as një akt të paligjshëm apo vepër në dëm të vendit e popullit tim, – u përgjigja. Atëherë, Rustem Ajazi, shefi i Hetuesisë së rrethit, m’u drejtua me ton të ashpër – “Ti akuzohesh për tradhti e sabotim në grup, në industrinë e naftës. Qëllimi ka qenë që të rrëzonit udhëheqjen e shëndoshë të partisë, të përmbysnit pushtetin popullore të vendosnit kapitalizmin në Shqipëri”.
Dëgjoja me vëmendje fjalët e tij e çuditesha me këto fajësime totalisht absurde, që nuk ishin gjë tjetër veç trillime të fëlliqura, pa asnjë fakt, ku të mbështeteshin.
Poshtërsia e tij bëhej më e madhe kur mendoja se ai e dinte tërësisht që unë isha i pafajshëm. Pa diskutim! Ai e kishte ditur atë vite më parë, e dinte dhe atë mbrëmje dhe në tërë mbrëmjet e shekujve që vijnë pas, se arrestimet ishin bërë vetëm nga shkaku se atë, Rustem Ajazin, e kishin urdhëruar. Do t’i takonte atij tani, që të gjente, shpikte apo sajonte ndonjë faj, që urdhrin që vinte nga maja e piramidës, ta bënte të dukej i drejtë. E kundërshtova me vendosmëri akuzën duke i thënë se nuk kish në to asgjë të vërtetë dhe se ata nuk mund të gjenin dot kurrë një bazë, qoftë edhe një fakt të vetëm, që ta vërtetonin këtë. – Urdhëroni e më tregoni një fakt, për këto që më thoni! – ia bëra i vendosur. Natyrisht ata nuk kishin asgjë, përveç deponimeve të mara gjëkundi me dhunë. Atëherë të katër hetuesit me një egërsi të madhe, filluan të më bënin presion. Unë qëndroja në këmbë në qendër të dhomës, kurse ata ishin afruar të gjithë rreth e rrotull meje. Flisnin të gjithë në të njëjtën kohë, për të më çoroditur. Më bërtisnin, ulërinin dhe më kërcënonin se po të mos pranoja akuzën, do të merrja dënimin kapital. Ndërsa po ta pranoja, ata premtonin se do të mbetesha i gjallë dhe do të kisha mundësi ta shikoja përsëri familjen.
Burrat që më akuzonin e dinin mjaft më mirë nga unë, se ai që ka fakte nuk ka nevojë të bëjë presione. Vërteton akuzën dhe pikë! Për të pandehurin pastaj, nuk mbetet rrugë tjetër veçse të pranojë e të tregojë hollësitë. Por çfarë do të pranoja e tregoja unë?! Presione të tilla vazhduan disa orë. Më bënin kërcënime për jetën, ndërsa unë vazhdoja të mohoja i patundur. Më ulën në një stol në mes të dhomës dhe më rrethuan nga të gjithë anët. Më dukej sikur të gjithë me kishin rënë përsipër, sikur që të katër mbështeteshin përmbi supat e mi. – “Shiko, – më thanë pa pritur. – Në orën që je arrestuar ti, janë arrestuar dhe me qindra e mijra të tjerë, në të gjithë Shqipërinë. Ti nuk mund ta përfytyrosh se çfarë ka ndodhur sot jashtë këtij burgu! Grushti i madh i shtetit, që deshët të bënit ju, dështoi. Partia e shpartalloi këtë komplot, pjesë e të cilit ishe edhe ti…! Midis të tjerëve janë arrestuar edhe ata anëtarë të Byrosë Politike, që bashkëpunonin me ju në këtë grusht shteti të pabesë. Prandaj ke vetëm një rrugë për jetën tënde: të pranosh akuzat”!
Ndër figurat madhore të Byrosë Politike, ata me emra përmendën Pali Miskën, Prokop Murrën…! Ndërsa Muho Asllanin, nuk e përmendnin me emër, por thoshin se “dhe atij të Durrësit”, ju hoq makina “Benz” dhe u arrestua. Pastaj vazhdonin, – “Ndërsa ti, – ma kërkonin mua drejtpërdrejt, – ti do të na flasësh për atë burrecin e shkurtër, me të cilin ke punuar bashkë në naftë, në Kuçovë. E kupton tani? Ai të kish bashkëpunëtor në këtë proçkën që po përgatiteshit të bënit”! Ata silleshin rrotull kështu, në mënyrë që emrin e tij ta thosha unë, sikur isha unë ai që e nxora atë emër. Ishte e qartë se kërkohej që unë të pohoja për Simon Stefanin, i cili para shumë vitesh, pat punuar sefte si punëtor e pastaj drejtues, në industrinë e naftës. Vitet e fundit qe bërë një nga udhëheqësit kryesor të partisë. Kur dëgjova emrat e anëtarëve të Byrosë Politike, u meka dhe fillova të besoj se do të kishte plasur ndonjë çarje e madhe në udhëheqje të partisë, do të kishte ndodhur ndonjë grusht shteti apo. Për të mbërthyer fajtorët, me sa dukej, duheshin bërë skenarë të rinj, lypseshin kurban të tjerë. Dhe ja shenjat: tri orë para meje, në Institutin tonë të Naftës, qe arrestuar Enriko Veizi, numri dy i Institutit, pastaj këta më kishin hedhur hekurat mua.
Fillova të besoj se diçka kish ndodhur vërtet në udhëheqjen e lartë të partisë, sepse nuk m’u tha veç një, por disa herë. Unë nuk mund ta merrja me mend kurrsesi, që pa ndodhur fare një gjë e tillë, këta fshehanakë, këta shërbëtorët të veckël të bodrumeve të ftohta, të kishin guximin të përgojonin e akuzonin para meje, udhëheqësit e shtetit, që tek ne prej vitesh trajtoheshin si monumente. Si guxonin këta, t’i fajësonin me gjëra kaq të rënda, si mund t’i shanin këta, sikur të ishin armiq të ndyrë! Më piku në mend ajo që flitej lart e poshtë, se kur Ramiz Alia i zuri vendin Enver Hoxhës, në Byronë Politike të Partisë, ai kishte mundur të fitonte vetëm me njëzë vota më shumë, ndaj Simon Stefanit. Ashtu siç isha në turbullirë, i lidha këto gjëra, duke ndjerë e nuhatur se një luftë klanesh lëvrinte në krye të shtetit.
Në përgjigje të këtyre lajmeve të reja sensacionale, unë u shpreha, se as më interesonte të di se çfarë pat ndodhur lart në udhëheqje. Unë dija atë gjënë thelbësore: se unë isha i pafajshëm e, se nuk kisha patur dhe nuk kisha, absolutisht, asnjë lidhje me ndonjë grup apo person, nuk kisha folur e as dëgjuar mbi komplote për rrëzimin e udhëheqjes dhe regjimit. Bile unë, as pata shprehur ndonjë pakënaqësi a vërejtje, për arsyen e vetme, se nuk kisha patur të tilla, as edhe një! E në të vërtetë, neverinë që ndjeja për politikën e mbylljes të jashtëzakonshme të vendit tonë, të atyre masave drakoniane ndaj naftëtarëve të pafajshëm, të trajtimin mizor të familjeve të tyre, të mungesës së lirisë së fjalës, mendimit të hapur, të ndalimit të dëgjimit të radiove të huaja e muzikës së kohës, për radhën e përjetshme para dyqaneve të ushqimeve e të vajgurit, për shfaqjet e mosbesimit dhe mospërkrahjes ndaj specialistëve që rropateshin ta shpinin përpara ekonominë, unë i pata ndrydhur thellë në vetvete dhe nuk i pata ndarë kurrë me njeri tjetër.
Mua nuk më pat pëlqyer kurrë politika, unë pata qenë vetëm një specialist, e aq. Unë thjesht, kam dëshiruar gjatë gjithë kohës të isha një njeri i vlefshëm për popullin dhe vendin tim.
Kundër qëndrimit të patundur për mos të pranuar fajësimet e gënjeshtërta që pat kurdisur partia, sigurimi dhe hetuesia, mbi mua nisi të përdorej dhuna fizike. Më ngritën në këmbë, më vunë në qendër të dhomës dhe që të katër nisën të më qëllonin me grushta me sa fuqi kishin. Me godisnin në fytyrë, mbi stomak, në kurriz e ku t’u vinte për voli. Më shqelmonin me këpucët e tyre të rënda, pa bërë kujdes se ku. Vendi me i preferuari shqelmave të tyre, ishin gjunjët, ku dhimbjet ishin më të mëdha. E ushtronin mbi mua torturën fizike, por nuk pushuan asnjë çast së bëri terror psikologjik, duke thënë se do të më rripnin, ashtu, siç isha gjallë, që të shtatë lëkurat që ka trupi deri sa të pranoja!
Dhe po të mos pranoja, për mua mbetej plumbi. Unë, me gjithë sjelljen antinjerëzore e kriminale të këtyre përfaqësuesve të këtij shteti policor, vazhdoja të duroja e të mos i pranoja si të bëra, ato që nuk i kisha bërë aspak. E mezi gjeja hapësirë në mes goditjeve të tyre dhe klithmave të mia, t’u përsërisja se unë isha vetëm një specialist, qoftë edhe drejtues i shërbimit gjeologjik të naftës, që i pata siguruar atdheut dhe ekonomisë, të ardhura prej miliarda dollarësh, dhe se për këtë, kisha punuar pa u kursyer, tok me kolegët e mi gjeologë, natë edhe ditë, në shi e suferinë, në pllaja e gryka. Unë qahesha se në këmbët e mia çizmet e llastikut, gjatë tërë këtyre viteve, kishin ndenjur mbathur dy herë më shumë se këpucët!
Unë çirresha pa ndërprerje se industria e naftës, nuk pat pasur asnjë të keqe nga mua! Duke parë se kisha fizik të fortë e disa herë grushteve të tyre, u pata bërë pritë aty për aty me pëllëmbët e mija, me urdhër të Rustemit, polici futi përsëri në valle hekurat. Sapo m’pranguan duart prapa, ata nisën të qëllonin fare lirshëm me grushtet e tyre mbi fytyrën dhe mbi trupin tim. Nuk më shpëtonte pa vënë re se, sidomos Rustemi, ndjente një kënaqësi të rrallë, kur grushtet e tij, zinin vend mirë dhe kur ata të kolegëve të tij, binin si breshër mbi një njeri të pambrojtur, mbi një individ të pafajshëm, mbi një burrë të moshuar.
Këta njerëz pa vlera, që prej fillimit të jetës së tyre e deri atë natë, nuk patën mundur të regjistronin asnjë meritë për as gjë vërtet të dobishme ndaj popullit e vendit, kishin lejen e plotë e nuk i ndëshkonte askush të qëllonin mbi mua, punonjësin shkencor që mbante gradën e Doktorit të Shkencave. Sikur ky shkencëtar, për një trill absurd, të kish qepur atë ditë mbi trup dekoratat që pat marrë gjatë jetës së tij të mundimshme, hetuesit e Fierit, nuk do të gjenin vend të pazbuluar për grushtet e tyre idiotë, e do të detyroheshin të godisnin përmbi urdhra, shirita, rrudha, e thinja të respektuara! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016