Nga Fatos Lubonja
Pjesa e parë
Memorie.al / Shkrimtar, publicist, gazetar dhe analist i njohur. Që në vitin 1975, kur sapo kishte përfunduar studimet e larta në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, (dega Fizikë), u arrestua dhe dënua nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, duke u akuzuar për “agjitacion e propagandë, kundër pushtetit popullor”, për shkak se gjatë kontrollit të banesës, ju gjetën disa ditarë dhe fletore me shënime, ku kishte shkrime “kundër realizmit socialist dhe me përmbajtje armiqësore”. Po kështu, në atë kohë u arrestua dhe babai i tij, Todi Lubonja, (anëtar i Komitetit Qendror të PPSh-së dhe drejtor i Radio-Televizionit Shqiptar), i cili u dënua me 25 vite heqje lirie dhe vuajti dënimin në burgun e Burrelit, deri në vitin 1988, e më pas në internim, së bashku me bashkëshorten Liri Lubonja dhe djalin tjetër, Agimin. Ndërkohë, Fatosi, gjatë vuajtjes së dënimit në burgun e Spaçit, në vitin 1979, arrestohet sërish, i akuzuar si “pjesëtar i një organizate kundërrevolucionare” ku bënin pjesë edhe Fadil Kokomani, Vangjel Lezho, Nuredin Skrapari, Beqir Alija, Vangjel Xhomo, Robert Vullkani, Dhimitër Stefa, Muho Bala, Petrit Orieti, etj., (ku Kokomani dhe Lezho, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan) dhe ridënohet përsëri, duke kaluar afro 17 vite të jetës së tij, në kampet e burgjet e atij regjimi. Fatos Lubonja, është njohur prej të gjithë bashkëvuajtësve të tij, ish-të burgosur politikë, për qëndrimin e tij dinjitoz, gjatë periudhës së vuajtjes së dënimit në kampe dhe burgje, duke mos pranuar të punonte në kampin e Spaçit, gjë e cila e detyroi regjimin e asaj kohe, ta mbyllte në burgun e Burrelit, prej nga ai u lirua në marsin e vitit ’91, me kontingjentin e fundit të të dënuarve politikë, që u liruan nga kampet e burgjet e atij regjimi. Që prej asaj kohe, Lubonja është aktivizuar në jetën publike, jo vetëm si publicist dhe shkrimtar, por edhe duke ndjekur me pasion të lartë intelektual, zhvillimet politike e sociale të tranzicionit shqiptar. Prej vitit 1994, së bashku me një grup bashkëpunëtorësh, ai ka botuar revistën kulturore “Përpjekja”, që është vlerësuar si brenda ashtu dhe jashtë Shqipërisë. Për këtë si dhe për impenjimin e tij intelektual, i janë akorduar shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Pas viteve ’90-të, Fatos Lubonja ka shkruar librat: “Ploja e madhe”; “Në vitin e shtatëmbëdhjetë” dhe “Ridënimi”, etj., ku disa prej tyre janë përkthyer edhe në gjuhë të tjera, jashtë vendit, ndërkohë që është vazhdimisht i pranishëm në shtypin e përditshëm, me ese dhe artikuj të ndryshëm, si dhe analist i politikës etj., në mediat vizive. Shkrimi që kemi përzgjedhur për botim, është shkëputur nga libri i tij, “Ridënimi”, ku bëhet fjalë për ridënimin e tij në kampin e Spaçit.
FRAGMENT NGA LIBRI “RIDËNIMI”
Fjala “pushkatim” ishte tepër e përdorur nëpër kampe burgje dhe e zbatuar disi emocionalisht, pasi historirat që tregoheshin më shumë aty, ishin ato të gjyqeve që kishin përfunduar me vdekje-pushkatim. Por, kur e dëgjova në sallën e gjyqit, më tingëlloi tjetërsoj. M’u shfaq me konktretësinë e një gjëje të hekurt e vrastare: ndjeva tmerrin e saj të më depërtonte deri në angrra e të ma shkundullonte trupin.
Kisha dëgjuar me dhjetra historira mbi qëndrimet në gjyq të atyre për të cilët prokurori kishte kërkuar vdekje-pushkatim. Në shumicën e rasteve mbizotëronte ligështimi dhe shprehja e pendimit të thellë, gjë që kishte filluar qysh me thyerjen në hetuesi. Pastaj vinin rastet e atyre që u kishin rezistuar të gjitha torturave në hetuesi, por ishin thyer, m’u pasi u ishte dhënë pretenca me vdekje.
Më të pakta ishin rastet e të thyerve në hetuesi që, pasi dëgjonin pretencën me vdekje, mohonin fajësinë. Dhe, më në fund, rastet më të rralla ishin rastet e atyre që kishin mohuar në hetuesi dhe vazhdonin të mohonin gjer në fund.
Gjithnjë më kishin intriguar këto historira sepse, qëndrimi përpara vdekjes, më dukej se ishte prova më e madhe që mund të kalojë njeriu në jetë. Por provë e kujt, e forcës shpirtërore apo e pandjeshmërisë?- pyesja shpesh veten pasi, jo rrallë ata më të hollët e më të ndjeshmit, ishin treguar edhe më të thyeshmit…!
Tani, që po jetoja realisht njërën prej këtyre provave, këto lloj mendimesh, ashtu si fjala “pushkatim” e dëgjuar nëpër burgje, nuk kishin asnjë jehonë në shpirtin tim. Çfarëdo që të thoshte Fadili apo Vangjeli unë do të mund ta gjykoja vetëm pasi gjithçka të kishte mbaruar.
* * *
Të nesërmen dera e qelisë sime u hap rreth orës tetë e gjysmë- nëntë të mëngjesit…! “Më në fund”! thashë me vete. Tashmë hekurat m’i vinin sa për formë. Kur hyra në sallën-dhomë, gjeta në fund të saj, kureshtarët e parë dhe më shumë se gjysmën e tanëve. Ishin edhe Fadili me Vangjelin. Shpejt u bëmë të gjithë.
Po prisnim në heshtje. Trupi gjykues hyri, por, për çudi, nuk kishte atë hijerëndësinë e dhënies së një vendimi. Kryetari, pa shumë ceremoni, i’u drejtua Fadilit dhe i tha:
– Fadil Kokomani!
Fadili u ngrit dhe mbeti në pritje.
– Fjalën e fundit- shtoi kryetari.
Duket se edhe Fadili nuk e priste këtë.
– I thashë dje ato që kisha për të thënë- iu përgjigj.
– Mirë, ajo ishte mbrojtja. Trupi gjykues e gjykoi çështjen dhe tani, përpara se të marrë vendimin, kërkon fjalën e fundit. Çfarë kërkon nga trupi gjykues?
– Unë nuk mbaj asnjë përgjegjësi morale, historike – ishin fjalët e fundit të Fadilit.
Kryetarit, kjo sikur i doli nga skema, megjithatë i tha Sadikut: – Shënoje!
– Xhafer Xhomo, – iu drejtua pastaj Xhafës.
– Kërkoj vetëm drejtësi – tha Xhafa prerë. M’u duk një fjalë e gjetur. – Vangjel Lezho. – Kërkoj drejtësi në masën e dënimit – tha Vangjeli, duke luajtur gjer në fund gurin e shpresës.
– Beqir Alia.
– Kam besim se trupi gjykues, do të vendosë sa më drejt.
– Fatos Lubonja.
– Kërkoj drejtësi.
– Dhimitër Stefa.
– Kërkoj drejtësi.
– Muho Bala.
– Kërkoj drejtësi.
– Petrit Orieti.
– Kërkoj drejtësi.
– Robert Vullkani.
– Drejtësi – tha dhe Roberti, me një zë më të mekur se të tjerët.
– Trupi gjykues tërhiqet për të marrë vendimin – tha kryetari dhe doli në krye të të pestëve.
Na morën dhe na çuan përsëri në qeli.
* * *
Pas ndonja dy-tre orësh, dera e qelisë u hap përsëri. Përsëri më vunë hekurat dhe përsëri bëra të njëjtën rrugë, që e kisha bërë aq shpesh ato nëntë ditë.
Teksa zbrisja shkallët për tek dera e urës tunel pashë Xhafën që po e sillnin nga poshtë. Ky takim po më ndodhte për herë të parë, sepse deri atë ditë, kur na sillnin në sallën e gjyqit, nuk na përplasnin kurrë njëri me tjetrin nëpër shkallë.
U befasova kur e pashë me sytë anash lart në një pikë të tavanit, kurse trupi i kalamendej sikur t’ia merrte era. Dukej se pa mbështetjen e policit shoqërues, nuk mund t’i ngjiste dot ato shkallë.
Kur hyra në sallën e gjyqit, pashë se ajo ishte rrëmbushur me civilë, nga ata që kishin asistuar në seancën e djeshme. Nuk kisha asnjë lloj shqetësimi se, sa do të ma linte gjykata, 20 vjetëshin e kërkuar nga prokurori. As për Fadilin nuk kisha ndonjë shpresë. I vetmi shqetësim ishte shpresa, se mos Vangjelit i kthehej me jetë.
Më në fund kryetari dhe ata që e ndiqnin nga prapa, hynë me një pamje më solemne. U ngritëm të gjithë në këmbë.
Kryetari filloi të lexonte:
VENDIM
NË EMËR TË POPULLIT
Gjykata e Lartë e përbërë prej:
Sofokli Kongo, KRYETAR – anëtar i Gjykatës së Lartë
me anëtarë: Met Rreli, Ndihmësgjyqtar – anëtar i Gjykatës së Lartë,
Luftulla Ceka, Ndihmësgjyqtar – anëtar i Gjykatës së Lartë, të asistuar prej Sekretarit, Sadik Memo, me pjesëmarrjen e prokurorit, Skënder Breca, më datë 10,12,14,15,16,17 e 18 maj 1979 mori në shqyrtim në seancë gjyqësore me dyer të mbyllura çështjen penale Nr.4 që u përket të pandehurve:
- FADIL KOKOMANI, i biri i Hysenit dhe Hatixhes, i datëlindjes 1933, lindur në Durrës, banues në Tiranë, me origjinë shoqërore qytetar i mesëm, me gjendje shoqërore nëpunës, gazetar, me arsim të lartë, i çkurorëzuar, ka një fëmijë, i përjashtuar nga Partia, me kombësi e shtetësi shqiptare, i dënuar dy herë për krime kundër shtetit, vuan dënimin në repartin e Riedukimit Nr. 303 Spaç, i arrestuar më datën 23.2.1979.
- VANGJEL LEZHO, i biri i Dhimitrit dhe Emilisë, i datëlindjes 1932, lindur në Fier, banues në Tiranë, me origjinë shoqërore qytetar i mesëm, me gjendje shoqërore nëpunës, gazetar, i martuar, ka një fëmijë, i përjashtuar nga Partia, me kombësi e shtetësi shqiptare, i dënuar dy herë për krime kundër shtetit, vuan dënimin në repartin e Riedukimit Nr.303 Spaç, i arrestuar me datën 23.2.1979.
- XHAFERR XHOMO, i biri i Hasanit dhe i Myzaferes, i datëlindjes 1932, lindur në Leskovik të Kolonjës, banues në Tiranë, me origjinë shoqërore fshatar i pasur, bej, me gjendje shoqërore nëpunës, zooveteriner, me arsim të lartë, i pamartuar, i paorganizuar, me kombësi e shtetësi shqiptare, i dënuar një herë për krime kundër shtetit, vuan dënimin në repartin e Riedukimit Nr.303 Spaç, arrestuar me datën 23.2.1979.
- FATOS LUBONJA, i biri i Todit dhe i Lirisë, i datëlindjes 1951, lindur dhe banues në Tiranë, me origjinë shoqërore nëpunës i lartë, me gjëndje shoqërore nëpunës, me arsim të lartë, i martuar, ka dy fëmijë, i paorganizuar, me kombësi e shtetësi shqiptare, i dënuar një herë për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, vuan dënimin në Repartin e Riedukimit Nr.303 Spaç, arrestuar me datën 23.2.1979.
- BEQIR ALIA, i biri i Aliut dhe i Merjemes, i datëlindjes 1927, lindur në Shkodër, banues në Fier, me origjinë shoqërore tregtar i mesëm, me gjendje shoqërore nëpunës, inxhinier gjeolog, me arsim të lartë, i martuar, me dy fëmijë, i përjashtuar nga Partia, me kombësi e shtetësi shqiptare, i dënuar një herë për krime kundër shtetit, vuan dënimin në Repartin e Riedukimit Nr.303 Spaç, arrestuar më datën 23.2.1979.
- MUHO BALA, i biri i Ademit dhe i Bedries, i datëlindjes 1932, lindur dhe banues në fshatin Golem të rrethit të Shkodrës, me origjinë shoqërore fshatar i varfër, me gjendje shoqërore punëtor, me arsim të mesëm të pambaruar, i çkurorëzuar, ka një fëmijë, i përjashtuar nga Partia, i dënuar një herë për krime kundër shtetit, vuan dënimin në repartin e Riedukimit Nr.303 Spaç, arrestuar më datën 23.2.1979.
- DHIMITËR STEFA, i biri i Nikollës dhe Vasillos, i datëlindjes 1934, lindur në fshatin Grazhdan të rrethit të Sarandës, banues në Fier, me origjinë shoqërore fshatar i varfër, me gjendje shoqërore nëpunës, inxhinier gjeolog, me arsim të lartë, i çkurorëzuar, pa fëmijë, i paorganizuar, me kombësi greke, me shtetësi shqiptare, i dënuar një herë për krime kundër shtetit, arrestuar më datën 23.2.1979, vuan dënimin në Repartin e Riedukimit Nr. 303 Spaç.
- NUREDIN SKRAPARI, i biri i Nuredinit dhe Xhevries, i datëlindjes 1943, lindur në Lushnje, banues në Qytetin Stalin, me origjinë shoqërore fshatar i pasur, i cilësuar kulak, me gjendje shoqërore nëpunës, inxhinier gjeolog, me arsim të lartë, i paorganizuar, me kombësi e shtetësi shqiptare, i dënuar një herë për krime kundër shtetit, vuan dënimin në Repartin e Riedukimit Nr.30 Spaç, arrestuar më datën 23.2.1979.
- ROBERT VULLKANI, i biri i Sotirit dhe Meropit, i datëlindjes 1934, lindur dhe banues në Tiranë, me origjinë shoqërore punëtor, me gjendje shoqërore nëpunës, gazetar, me arsim të lartë, i çkurorëzuar, ka një fëmijë, i përjashtuar nga Partia, me kombësi e shtetësi shqiptare, i dënuar një herë për krime kundër shtetit, vuan dënimin në Repartin e Riedukimit Nr. 303 Spaç, arrestuar më datën 23.2.1979.
- PETRIT ORIETI, i biri i Fuatit dhe i Darovisë, i datëlindjes 1941, lindur në fshatin Gusmar të Tepelenës, banues në Tiranë, me origjinë shoqërore fshatar i varfër, me gjendje shoqërore punëtor, me arsim dy klasë të mesme, i çkurorëzuar, nuk ka fëmijë, i paorganizuar, me kombësi e shtetësi shqiptare, i dënuar dhjetë herë për vjedhje të pasurisë socialiste, qytetare, sjellje të padenjë në shoqëri dhe një herë për agjitacion e propagandë kundër shtetit, vuan dënimin në Repartin e Riedukimit Nr. 303 Spaç, i arrestuar më datën 23.2.1979.
Në vazhdim ai filloi të numëronte akuzat dhe dënimet që kishte kërkuar prokurori për ne si dhe ato çfarë kishim kërkuar ne në fjalën e fundit. Ishin gjëra që qenë përsëritur aq shumë sa që fjalët më parakalonin pa lënë ndonjë gjurmë. Megjithatë, prisja me kureshtje se çfarë ndryshimi do të kishte analiza e gjykatës në krahasim me atë të prokurorit, sepse, sipas zakonit, ajo duhet të ishte pak më e butë. Por kryetari vazhdoi të lexonte:
… Nga provat e shqyrtuara rezultoi e vërtetuar plotësisht se të pandehurit…duke qenë armiq të vjetër të partisë dhe të shtetit, njerëz të degjeneruar politikisht…u grupuan në një organizatë kundërrevolucionare, që kishte për qëllim rrëzimin e pushtetit popullor… Organizatorët, frymëzuesit dhe drejtuesit e saj kanë qenë të pandehurit Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho.
… Të dy këta armiq të tërbuar…
Shpresa ime se Vangjeli mund të veçohej nga Fadili po venitej nga radha në radhë. Emrat e tyre ishin gjithnjë bashkë, madje asnjëherë ndaras, siç i kishte vendosur ndonjëherë prokurori, duke veçuar Fadilin si kryefrymëzues.
Kur mbaroi gjysma e leximit të vendimit nuk kisha më asnjë shpresë për Vangjelin. Teksi i vendimit ishte një kopje e akt-akuzës. Edhe Vangjeli ishte i humbur. Nuk kishte çfarë të dëgjoje më. Megjithatë, kur ai mbërriti te fjala “VENDOSI”, përsëri i thirra vëmendjes.
… Të deklarojë fajtorë të pandehurit Fadil Kokomani, Vangjel Lezho për krimin e krijimit të një organizate…të deklarojë fajtorë të pandehurit e tjerë për pjesëmarrjen në një organizatë…në bazë të dispozitave përkatëse të kodit Penal i dënon si vijon.
Fadil Kokomani…me vdekje me pushkatim…
Vangjel Lezho…me vdekje me pushkatim.
Pastaj dënimet tona që fillonin me 23 vjet për Xhafën dhe mbaronin me 16 vjet për Robertin.
Kryetari mbështeti të dy duart në tryezë dhe hodhi shikimin nga ne. U duk sikur diçka kishte mbetur pa thënë. Ndëjti ashtu një çast dhe pastaj iku në krye të trupit gjykues pa folur.
Policia filloi shpejt të na merrte një nga një për të na kthyer në qelitë tona. E nisën nga rreshti i fundit. Fadilin dhe Vangjelin, do t’i linim aty, pasi, që nga e djeshmja, ata i linin të dy për fund.
Të parin morën Petritin, që ishte në rreshtin e fundit. Duke dalë nga dera, ai ktheu kokën nga Fadili dhe Vangjeli dhe u tha:
– Fadil, Vangjel, mos u mërzisni!
Kjo e folur në atë heshtje varri dhe tmerri, tingëlloi si një sfidë.
Unë kisha edhe pak çaste për të qëndruar aty me Fadilin dhe Vangjelin.
Gjëja e parë që bëra ishte kërkimi me sy i të dyve. Vangjeli kishte mbetur si i ngrirë dhe i kontraktuar i tëri, me një fytyrë të nxirë deri në tmerr. M’i kalli sytë e zhgabërruar me një forcë dhe përqendrim të pazakontë. Kishte në ata sy dhe në krejt pamjen një habi të përzier me një frikë të patregueshme, kishte edhe zhgënjimin për shpresën që i kisha dhënë se mund të mbetej gjallë.
Pastaj e hodhi vështrimin nga Fadili. Për habinë time, Fadili kishte një fytyrë shumë të çelur, të çelur nga tensionet dhe makthet e vdekjes. U pa sy ndër sy me Vangjelin dhe i buzëqeshi. Vangjeli nuk reagoi fare ndaj saj.
Ndërkaq policia po afrohej të më merrte. Vangjeli e ktheu përsëri vështrimin nga unë. Ishim shumë afër njëri-tjetrit dhe krejt ballë-përballë. M’i kalli edhe një herë sytë në ninëz të syrit. Kësaj here ngulmimi i vështrimit të tij në sytë e mi m’u duk se donte të më transmetonte jo vetëm tmerrin dhe frikën e vdekjes, po dhe habinë dhe dhimbjen që ndjente.
M’u duk diçka më shumë. Sikur nëpërmjet atij shikimi, nxitonte të më transmetonte amanetin për vajzën dhe për gruan, amanetin se mos i harronim në ditën e lirisë, për të cilën kishim biseduar aq shumë dhe jo vetëm kaq. M’u duk sikur nëpërmjet portave të syve ai, donte të derdhte vetë jetën e tij brenda meje.
Ktheva edhe një herë kokën nga Fadili. Fytyra e tij mbetej e kthjellët, pa asnjë shenjë tmerri. Ai i buzëqeshi Vangjelit përsëri me dashuri.
Më ka mbetur enigmë ajo buzëqeshje dhe ajo kthjelltësi. M’u duk sikur ajo shprehte edhe njëfarë çlirimi nga frika se mos shkonte në varr pa shokun e tij, sikur ishte i lumtur që, së paku, nuk do ta përjetonte i vetëm tmerrin e vdekjes.
Por bashkë me egoizmin e përbindshëm njerëzor, në atë shprehje, ndjehej gjithashtu që ai e donte Vangjelin në ato çaste më tepër se kurrë, sikur e shikonte dhe dhembshuri dhe dashuri si një vëlla të vogël, paksa të trembur përpara golles së errët ku po drejtoheshin; sikur ndjente përgjegjësinë për ta ndihmuar në përfundimin e rrugës që kishin nisur së bashku dhe që tani kishte arritur në fazën e saj më të vështirë.
Dhjetë ditë pas vendimit, një të hënë në mëngjes, hapën derën dhe më thanë të merrja ç’kisha në komodinë. Më në fund po ikja prej asaj qelie që më kishte rrasbitur e tretur aq shumë. Memorie.al
Vijon numri e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016