Nga Reshat Kripa
Pjesa e katërmbëdhjetë
-“Njerëzit që kurrë nuk e kanë njohur diktaturën dhe tiraninë, e kanë të lehtë të jepen pas retorikës për lirinë, duke harruar fare realitetin e thjeshtë e të tmerrshëm, të shtypjes së njëmendtë atje ku ekziston përnjëmend”.-
Giovani Sartori: “Edhe njëherë për teorinë e demokracisë”.
Memorie.al/ Robert Krasta, e kishte bërë zakon që në çdo përvjetor të prindërve, të shkonte në varreza dhe të vendoste një tufë me lule, mbi varrin e tyre. Vështronte fotografinë e stamposur në porcelan dhe fillonte bisedën me ta. Këtë zakon, kishte kohë që e kishte bërë. Biseda sikur i qetësonte shpirtin. U tregonte për gjithçka kishte ndodhur në familje. Ndonjëherë, kur gjente vështirësi në ndonjë gjë, u kërkonte ndihmë atyre dhe i dukej sikur ata i përgjigjeshin. Ndoshta kjo, mund të ishte ndonjë hamendje e tij, megjithatë ai e besonte.
Në qytet ende nuk ishte shuar jehona që kishte shkaktuar vdekja e papritur e katër punonjësve të Degës së Punëve të Brendshme. Hamendjet ishin nga më të ndryshmet. Disa besonin në variantin e shpallur të vdekjes aksidentale, por kishte edhe disa të tjerë, që mendonin se kjo ishte një vdekje e paramenduar. Nga kush? Këtë përgjigje nuk ishte në gjendje askush ta jepte! Megjithatë, njerëzit pëshpëritnin se diçka duhej të kishte ndodhur.
Lajmi është i çuditshëm. Shumë shpejt ai shpoi muret e burgut dhe depërtoi në veshët e të burgosurve. Përshtypja që la ky lajm te ata, ishte e ndryshme me atë që kishin ata që ndodheshin jashtë këtyre mureve. Gati të gjithë të burgosurit, që kishin pësuar torturat e tmerrshme prej tyre, thanë:
– Na i mori Zoti hakun. Ai vonon por nuk harron.
Ndienin keqardhje vetëm për polic Isufin. Ai ishte sjellë mire pothuajse me të gjithë. Vdekja e tij i dëshpëroi se nuk e dinin kë do të sillnin në vend të tij. Me siguri ndonjë si polic Myfiti, që nuk kishte asnjë pikë mëshire dhe që e kishte shpirtin katran të zi.
Agroni vazhdonte në qelinë numër shtatë. Nuk e merrnin më në pyetje. Hetuesia e tij kishte mbaruar që natën e zezë, kur e kishin ballafaquar me Lumton dhe Ridën e, tani i duhej të priste derisa të mbaronte edhe ajo e pesë shokëve të tjerë dhe pastaj, t’ia kalonin trupit gjykues. Megjithatë edhe kjo pritje ishte një torturë e vërtetë. Mendonte se sa do ta dënonin. Po shokët si do ta trajtonin?
Pas tre muajsh, e lajmëruan se të nesërmen, do të dilnin në gjyq. Atë ditë erdhi berberi që i qethi dhe ruajti.
– Ku do na shpini, më dasëm? – tha Agroni me ironi.
Ata nuk u përgjigjën. Të nesërmen, para portës së Degës u ndal makina burg. Të gjashtë të pandehurit, i nxorën një nga një dhe i hipën në të. Agroni vështroi Stefanin dhe i tha:
– Stefan, unë nuk kam…!
– Tradhtar! – ia preu ai me një ton të ashpër.
Agroni heshti.
– Mos flisni më. Këtu është e ndaluar, – tha njëri nga rojet që i shoqëronte.
Por ata e kishin mbyllur tashmë bisedën. Pas pak mbërritën në godinën e gjykatës. I mbyllën në kafazin e përgatitur për të burgosurit. Në sallë ishin shumë fytyra të njohura. Midis tyre, Agroni njohu vëllanë e Stefanit dhe një kushëri të Gjergjit, me të cilët ishte njohur, kur kishin ardhur me lejen e zakonshme në Kampin e Pushimit të Punëtorëve. Dalloi edhe pjesëtarët e familjeve të të arrestuarve të tjerë. Nuk pa as Nënë Gjylon dhe as Lumton. Sa për Iridën, e kuptonte që nuk mund të ishte. Ajo ishte shumë e re dhe kjo skenë nuk ishte për të. Mungesa e tyre e shqetësoi tepër. Përse familjarët e të tjerëve ishin dhe të tijtë jo?
Në sallë ishin edhe shumë punonjës të tjerë të ndërmarrjes. Shumicën e tyre i njihte. Ndërmjet tyre ishin edhe Resuli me Ibrahimin.
– Me siguri kanë ardhur të dëshmojnë, – mendoi.
Në sallë hyri një burrë rreth të tridhjetave, me një çantë të madhe në dorë. U drejtua te tavolina e caktuar për prokurorin; hapi çantën, nxori një numër shkresash dhe u ul në karrige. Agroni e njohu. Ishte prokurori i rrethit. Kishte studiuar në Kinë. Me të kishte pirë disa herë kafe. Pas pak hyri edhe gjykatësi, i shoqëruar nga dy ndihmësit e tij, njëri saldator në Uzinën Mekanike dhe tjetri agronom në Ndërmarrjen Bujqësore. Kur hynë ata, të gjithë u ngritën më këmbë. Gjyqtarët zunë vendet e tyre dhe kryetari hapi seancën
– I pandehuri Stefan Gjoka!
Stefani u ngrit në këmbë.
– Emri?
– Stefan.
– Atësia?
– Thanas.
– Mbiemri?
– Gjoka.
– Datëlindja?
– 20 tetor 1943
– Vendlindja?
Kështu vazhdonin gjeneralitetet. Kryetari pyeste dhe Stefani përgjigjej qetë. Si mbaroi me të, ai thirri emrin e Gjergjit dhe kështu vazhdoi me të gjashtët. Të pandehurit përgjigjeshin në dukje të qetë.
Pas tij e mori fjalën prokurori. Ai lexoi për gati dy orë aktakuzën dhe përfundoi:
– Mbështetur në sa thashë më lartë dhe duke u bazuar në Kodin Penal viti 1952, i akuzoj përsa më poshtë vijon:
Vënie në shërbim të KGB-së sovjetike për përmbysjen e pushtetit popullor, parashikuar nga neni 65 i këtij Kodi.
Sabotim të ekonomisë së vendit, nëpërmjet tentativës së hedhjes në erë të turbinës së hidrocentralit, vepër mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 72.
Agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor, ushtruar në radhët e punonjësve të ndërmarrjes, parashikuar nga neni 55.
Pjesëmarrje në një organizatë kundër pushtetit popullor, parashikuar nga neni 76.
Prokurori mbylli dosjen dhe u ul në vendin e tij. Agroni po mendonte se si kishte mundësi të sajoheshin shpifje të tilla. Kujtonte kohën kur kishte pirë kafe me të. I ishte dukur burrë i mirë. Nuk ia merrte mendja që nga goja e tij të dilnin ato fjalë.
Kryetari thirri emrin e Stefanit.
– E pranoni akuzën?
– Zoti kryetar! Atë që keni vendosur bëjeni. Unë nuk pranoj të hy në debat, për shpifje të tilla.
Kryetari vazhdoi të pyeste të pandehurit e tjerë. Agroni po mendohej se si duhej përgjigjur. Para syve i dilte skena e tmerrshme. A mund të përsëritej? Në atë kohë gjithçka mund të ndodhte. Megjithatë hetuesia kishte mbaruar dhe ata tashmë ndodheshin para trupit gjykues. Ajo skenë nuk mund të përsëritej më. Në fund të fundit, të dy protagonistët e atij veprimi e kishin pësuar. Dëgjoi emrin e tij. U ngrit dhe po qëndronte si i mpirë.
– E pranoni akuzën?
– Jo, aty nuk ka asnjë të vërtetë. Jemi të pafajshëm.
E ndjeu veten të lehtësuar. Ndërhyri prokurori. Me një ton të ashpër ai filloi t’i akuzojë të pandehurit për mashtrim dhe dinakëri. Kryetari filloi nga pyetjet për secilin të pandehur. Por ndërhyrjet e prokurorit ishin të shpeshta dhe gjithmonë dhe më të ashpra. Të gjithë të pandehurit, i përgjigjeshin në mënyrë mohuese akuzave. Tashmë ishin çliruar nga ankthi i qëndrimit në qeli dhe i torturave. E dinin se rruga e vetme që mund t’i shpëtonte, ishte të mos pranonin asgjë.
Prokurori thirri dëshmitarët e akuzës. Një njeri me mend e kuptonte menjëherë se ato që thonin ata, ishin shpifje nga më të ulëtat. Madje edhe vetë karakteri i tyre, përputhej me ato që thonin. Ishin tipa që vështirë mund t’i quaje njerëz. Megjithatë, për trupin gjykues, akuzat e tyre ishin bindëse. Seanca vazhdoi tre orë. U pyetën të gjashtë të pandehurit. Kryetari e mbylli seancën, duke deklaruar se tjetra do zhvillohej të premten, pas pesë ditësh, në orën dhjetë.
Të premten seanca filloi në orën e caktuar. Ishte pretenca e prokurorit. Ai nuk la më baltë pa hedhur mbi ta. I akuzoi për spiunazh dhe terrorizëm, për agjitacion e propagandë dhe sabotim. Akuzat e tij i mbështeti në të ashtuquajturat dëshmi të bëra në gjykatë. Foli dhe foli një orë e më tepër dhe së fundi e mbylli ligjëratën me këto fjalë:
– Nisur nga të dhënat e mësipërme dhe mbështetur në nenet 65, 72, 73 dhe 76 të Kodit Penal, kërkoj dënimet e mëposhtme:
I pandehuri Stefan Gjoka, me vdekje me pushkatim dhe humbjen e të drejtave civile përgjithmonë.
I pandehuri Gjergji Pano, me 20 vjet privim lirie, punë të detyruar dhe humbjen e të drejtave civile për 13 vjet.
I pandehuri Agron Canaj, me 15 vjet privim lirie, punë të detyruar dhe humbjen e të drejtave civile për 10 vjet.
I pandehuri Ylli Nivica, me 10 vjet privim lirie, punë të detyruar dhe humbjen e të drejtave civile për 7 vjet.
I pandehuri Gazmend Shpuza, me 8 vjet privim lirie, punë të detyruar dhe humbjen e të drejtave civile për 5 vjet.
I pandehuri Përparim Seferi, me 5 vjet privim lirie, punë të detyruar dhe humbjen e të drejtave civile për 2 vjet.
Prokurori heshti. Nga sytë e familjarëve që ishin në sallë filluan të rrjedhin lot. Por nuk nxirrnin zë. I fshinin me shami dhe lot të tjerë u rrëshqisnin nëpër faqe. Sallën e kishte mbuluar një heshtje varri. Nuk u dëgjuan as duartrokitje dhe as thirrje histerike, siç ndodhte zakonisht në seanca të tilla. Dukesh sikur këto dënime, i kishin pësuar vetë spektatorët e asaj shfaqjeje.
Kryetari u kërkoi të pandehurve të thonin fjalën e fundit. Ata u ngritën njëri pas tjetrit dhe sikur ta kishin bërë me fjalë, thanë:
– Jemi të pafajshëm!
Ndërsa Agroni foli me një zë të sigurt:
-Unë jam fajtori i vërtetë. Unë denoncova shokët e mi që nuk kishin asnjë faj. Tani përpara jush i hedh poshtë ato akuza, që m’u morën nën një presion të padëgjuar ndonjëherë. Dënomëni mua se bëra dëshmi të rreme dhe lërini ata të lirë. Ata janë të pafajshëm.
Kryetari njoftoi se vendimi, do jepej pas një jave, të premten tjetër.
Në makinën burg Agroni iu drejtua shokëve:
– A mundeni të më falni?
– Tani është vonë, – u përgjigj Stefani.
Të tjerët heshtën dhe askush nuk foli më.
Pas një jave, ishin të gjithë në sallë, për të pritur vendimin. Midis tyre edhe nënë Gjyla, të cilën e kishte lajmëruar Syrjau për gjyqin.
– Biri im! – pëshpëriti ajo kur ata u futën në sallë.
Nuk qau, as ulëriti.
Trupi gjykues hyri në sallë. Të gjithë u ngritën më këmbë. Kryetari lexoi vendimin. Pasi bëri hyrjen e zakonshme, duke vënë në dukje akuzat që rëndonin mbi të pandehurit, së fundi lexoi edhe vendimin: Stefani me vdekje me pushkatim, Gjergji me pesëmbëdhjetë vjet burg, Agroni me dymbëdhjetë, Ylli me tetë, ndërsa Gazmendi dhe Përparimi me nga pesë vjet. Pasi komunikoi dënimet kryetari komunikoi:
-Të pandehurit kanë të drejtë që brenda një afati prej pesëmbëdhjetë ditësh, të ankimohen në Gjykatën e Lartë në Tiranë.
Mbylli dosjen dhe trupi gjykues u largua. Rojet filluan të nxjerrin të pandehurit nga salla. Një zë u dëgjua papritur:
– Ndaluni, dua të takoj djalin. Kam të drejtë ta takoj.
Rojet qëndruan. Asnjë nuk guxoi të ndalonte nënën. Ajo u afrua, përqafoi të birin dhe e puthi në ballë.
– Qëndro si burrë bir, burgu për burrat është.
– Si je nënë? Si janë Irida dhe Lumtua?
– A je i fortë bir?
– Përse nënë?
– Për ato që do të dëgjosh.
Agroni u drodh. Fjalët e s’ëmës e tronditën. Diçka e jashtëzakonshme kishte ndodhur.
– Tregomë! Ç’ka ndodhur?
– Ka ndodhur ajo që s’ta merr mendja.
Një zë i dridhur dhe gati i mekur doli nga goja e tij:
– Çfarë?
– Lumtua dhe Irida fluturuan bir, fluturuan në qiell te Zoti i madh!
Për pak u rrëzua për tokë. Ylli me Përparimin e mbajtën. Filloi të qajë me ngashërim.
– Mos qaj bir. Burrat nuk qajnë. Shikomë mua. Jam filli vetëm dhe jam prap e fortë. Kështu duhet të jesh edhe ti. Unë do të pres. Nuk do të vdes deri sa të dalësh ti. Ikni tani dhe iu qoftë rruga e mbarë!
U nisën. Në makinë Stefani i tha:
– Më vjen keq për çfarë të ndodhi! Të dyja ishin engjëj të vërtetë. Së shpejti edhe unë do të marrë atë rrugë. Kështu e ka bota.
Pas një muaji erdhi përgjigjja e Gjykatës së Lartë. Dënimi i kishte mbetur aq sa e kishte dënuar gjykata e rrethit. Po Stefanit? Po shokëve të tjerë? Nuk dinte asgjë.
Një natë, kishte kaluar mesi i saj, dëgjoi zhurmë hapash dhe zinxhirësh në korridor. Dëgjoi një zë:
– Je bërë gati?
– Gati jam!
Njohu zërin e Stefanit. U drodh. Kur hapat u afruan në qelinë e tij, Agroni thirri:
– Stefan falmë!
Nuk mori përgjigje. Ai nuk e kishte falur.
Pas një jave Agronin e dërguan në kampin e punës së detyruar të Spaçit. Memorie.al