Nga Shpendi Topallaj
Historia e panjohur e Enver Hoxhës që, pasi thirri për drekë Manush Myftiun me të birin Agimin, më pas iu vuri të dëgjonin në magnetofon, deponimet e Bashkim Shehut në hetuesi, nga ku Manushi kaloi një infarkt, kurse i biri, Agimi, një depresion të thellë, që i mori jetën”!
Memorie.al / Pikërisht atëherë kur të gjithë mendonim se tërbimi i Udhëheqësit të madh ishte fashitur disi pas gjithë atyre plenumeve që tmerruan edhe foshnjat në bark të nënës, dhe ai qe ngopur me gjakun e shokëve, ndodhi ajo gjëma që tronditi mbarë vendin; Kryeministri më jetëgjatë vrau veten. Ishte fundviti i 1981- it. Pyetjes me zë të ulët të tim vëllai, Spartakut, se u vra, a e vranë, Ismail Kadareja, me atë mençurinë dhe nuhatjen e tij, ju përgjigj shkurt: “E vetëvranë”. Dhe pastaj kishte shtuar se tani e tutje do të shihni se ç`do të ndodhë. Ishin miq dhe flisnin pa teklif.
Dhe nisën reprezaljet: kush ishte nga krahina e tij, kush kishte shfaqur simpati për të, kush e kishte pritur me ndonjë drekë a darkë, kë kishte ngritur në detyrë, kujt i kishte dale për zot, kur kishte gabuar në vijë, kë kishte çuar me studime jashtë shtetit, kujt i kishte uruar ditëlindjen me ndonjë kartolinë, kë lëvdonte në veprat që kishte nisur të botonte, kujt i kishte shkarë goja dhe kishte thënë në ndonjë mbledhje se; ai kishte qenë trim gjatë luftës apo, kush nga drejtuesit e Brigadës që ai kishte komanduar, ishte graduar gjeneral, tani e tutje të gjente vrimë ku të futej.
Dhe jo vetëm njerëzit e zakonshëm nuk pipëtinin, por as ata atje lart, fare pranë Udhëheqësit, që deri tani kishin shpëtuar paq, nuk merrnin guximin t`i dilnin përpara. Ata e njihnin mirë inatin e tij. Madje, më së shumti, qenë bërë bashkëpunëtorë të tij në ato krime. Ishte temë interesante kjo e Kryeministrit tradhtar, ndaj sa herë do takohej Spartaku me Ismailin, biseda do vente patjetër atje. Një ditë, ndërsa po shkonin te hotel “Arbëria” për të pirë kafenë e mbas ditës, Spartaku i tha se; emisionit me katër pjesë në Radio-Televizionin tonë, pas botimit të pamfletit “Titistët”, nga Enver Hoxha, Radio-Televizioni Jugosllav, i qe përgjigjur edhe ai me një emision të ngjashëm, po me katër pjesë, ku mes shumë të ftuarve që e kishin njohur mirë dhe nga afër këtë tonin, kryesori ishte Svetozar Vukmanoviç Tempo, i cili bëri publike letrën autentike që Enveri i kishte dërguar marshall Titos, ku i kërkonte bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë.
Dhe pasi kishte përmendur listën e gjatë të “agjentëve”, u ndal te Mehmet Shehu, si i pari në radhët e agjentëve dhe tek Enveri, si i fundit në listën e vigjilentëve! Kadareja, kishte vënë buzën në gaz dhe vetëm kishte shtuar: “Bukur”! Pastaj, pasi kishin zënë vend në një tavolinë, Ismaili e kishte hapur sërish bisedën, duke i treguar se ç`kishte dëgjuar ai nga Agimi. Ja, këtë histori do t`ua tregoj unë tani, në vijim të këtij shkrimi.
Ai që pas asaj hataje që kishte ngjarë, ishte frikësuar më shumë ishte zëvendësi i Kryeministrit, Manush Myftiu, mjaft i ditur dhe dikur ministër i Arsimit dhe Kulturës. Dhe kishte arsye të trembej: vinte nga një familje e pasur vlonjate dhe pavarësisht se e kishte shkrirë pasurinë për luftën antifashiste, dhe kishte luftuar burrërisht, përsëri shihej me një farë dyshimi, për shkak të origjinës. Kjo ishte Parti e proletarëve dhe ai e dinte sesi përfundonin ata që vinin nga radhët e borgjezisë.
Mirë kjo, por ai fare lehtë mund të akuzohej si sylesh, pasi kishte qenë aq afër Kryeministrit dhe nuk kishte zbuluar asgjë. Kjo ishte e pa falshme. Vërtetë, kur dënohej proletari Tuk Jakova, ai kishte raportuar Bedri Spahiun, te Komandanti, se paskej pasur dijeni për gabimet e Tukut dhe nuk kishte folur, pra kishte treguar shenja të qarta besnikërie, por kjo tani ishte harruar. Për bela, ai drejtonte edhe Komisionin Shtetëror të Dëbim Internimeve, dhe kushedi se ç`i pillte mendja atij të Madhit, siç ja bëri ministrit të Brendshëm (Kadri Hazbiut) që, vetë e kishte urdhëruar për gjithë krimet e bëmat e tij dhe tani ja faturonte atij.
Bashkë me ca të tjerë, ishin “shpërblyer” me nga një plumb kokës. E mbi të gjitha, me damkën e armikut dhe internimin a burgosjen e fëmijëve, të cilët thuajse të gjithë sa ishin të martuar, u ndanë e u divorcuan nga burrat a gratë e tyre. Ishte e papërballueshme të hyje në gojën e tij. Mund të bëje sa të doje autokritika, po ku donte t`ia dinte ai.
Të vinte përpara me urdhrin “dashamirës”: “Thellohu, thellohu! Hapju Partisë! Se ajo nuk do të të presë kokën”. E ja tani, vente në zyrë Zëvendëskryeministri dhe anëtari i vjetër i Byrosë Politike, por kot që shkonte. As që i bëhej të punonte. Nëpër rrethe nuk shkonte, se kush dreqin e di; kujtohej ndonjëri dhe çonte ndonjë letër që hajde e sqaroje pastaj.
Hidhte ashtu vjedhurazi atë syrin e saktë (se tjetri ishte plagosur në luftë), andej nga dritarja dhe shihte nga zyra e Komandantit mat`anë bulevardit. “Mirë na e bëre, thosh, gjersa ne gomarët e Nartës, të besuam ty”. Por vetëm kaq. Me askënd nuk fliste. As me gruan e fëmijët e tij. Dhe sidomos me Agimin. Se e dinte mirë, që ai kishte shumë rezerva dhe i llapte shumë goja.
Le që kishte miqësi dhe me atë shkrimtarin revizionist, Kadarenë. Ku e donte komunizmin ai. Pse se dimë ne? Po ç`ti bënim, gjersa t`i mbushej mendja atij të madhit. Pastaj përmendej: lëre Kadarenë ti e shih hallin tënd tani. Pisk e ke punën o i gjorë. Priste të mbaronte orari zyrtar e të shkonte në shtëpi, ku ndihej më i sigurt, por ora nuk ecte hiç.
Edhe me frymë sikur nuk mbushej mirë ato kohë. Afrohej përsëri e përsëri, te perdja dhe nuk e ndante shikimin nga ajo zyra e katit të tretë, përballë. Si s`i ra pika rrufjanit se po na merr në qafë. Tani… edhe jo se kemi qenë aq burra të mirë, por atij nuk ja kemi pasur me hile. Matufi. Nuk pyeti për kunatin që thoshte vetë se; m`i mbushte xhepat me para, e po i bije mendja për ne të tjerët.
A nuk e pranon vetë se jam nxënës i Stalinit? Çfarë nxënësi more; ky, me ato intrigat e tij do të ishte mësuesi i Stalinit. Syri i mbeste sa tek ora, sa te dritarja. Por kujtohej se andej përkarshi shihte kot, pasi Komandanti thuajse nuk vente fare në zyrë. Më shumë i sëmurë shejtani. Por s`po ngordhte. Atje, tek ajo vila i sheh ato ëndrrat me kundërshtarë.
Nuk thosh kot Ciceroni “Le të më urrejnë, por të ma kenë frikën”. Po ç`ne Ciceroni? Ta thosh Çezari, a Pompeu po. Fundja Neronit do t`i shkonte. Le që njësoj është tundimi nga pushteti. Kush e ka thënë: “O pushtet me vështrim prej Meduze”. Cvajgu më duket, kur flet për Fushenë. Përfytyronte gruan e Komandantit me flokët gjarpërinj të bijës së vdekshme të Gorgiut. Mos është ajo e pashpirta që e nxit drejt tragjedive shekspiriane?
Ledi Makbethi? Ajo që kërkonte lavdinë e Mbretëreshës dhe e shtynte të shoqin drejt krimit monstruoz. Dhe pastaj kush dhunon, do dhunohet. Se fundja a nuk shkruhej m`u në ballinë të teatrit “Globus”, ku Shekspiri qe bashkëpronar “E gjithë bota është teatër”? Po këta mbretërit marksistë, vazhdojnë të na dhunojnë pa u hyrë gjemb në këmbë. S`më takon të flas. Të tjerët më quajnë njësoj si ata. U futëm në një valle makabre, e kuptoj, por është vonë.
Tani edhe të pendohemi, s`na beson kush. Por të paktën të mos e pësojmë nga njëri – tjetri. Se kjo është më e rëndë dhe më e turpshme. Kur ja pa pritur, ra zilja e telefonit. E ngriti receptorin dhe me një zë autoritar foli: “Urdhëro! Kush flet”? U pre kur dëgjoi: “Sulua, jam shoku Manush”. I iku çerja. U përcoll dhe rregulloi zërin: “Si është Komandanti”?
Tjetri u përgjigj me një ton të papërcaktuar: “Komandanti mirë është, por i mërzitur pak nga që nuk po i vini ta shihni”. Manushi u gjallërua: “Po ju e dini… Nuk kemi dashur ta shqetësojmë se ka qenë mjaft i ngarkuar këto kohë. Prandaj dhe e kemi lënë të qetë”. “Jo, i qetë nuk është fare ai, tani që ka më shumë nevojë për praninë tuaj. Se ju, as andej nga shtëpia e Pritjes nuk jeni dukur”. “E vërtetë, por do vimë se s`bën pasditeve”.
“Jo, pasditeve ejani ju, por ai nesër u ka ftuar për drekë”. U lumturua Manushi: “Pa tjetër shoku Sulo. Me kënaqësi. Në ç`orë”? “Po ja, në orën dy”. “Faleminderit, shoku Sulo! E falënderoni nga zemra Komandantin nga ana ime”. “Mos ki fare merak. Po, se desh harrova; më ka porositur që t`u them të merrni me vete dhe Agimin, djalin tuaj. Se ti e di që, Komandanti e do shumë atë”. Po kjo ç`ne? Po, s`pati kohë ta gjente arsyen e kësaj dashurie. “Do jemi aty, para dyshit”. “U pres te dera. Oficerin e shërbimit do ta porosis që sonte. Mirupafshim dhe mos harro Agimin”! Kur, me një ndjenjë ngazëllimi të përmbajtur, ja tha këtë të birit, Agimit, ai bëri një “Psss” dhe shtrembëroi buzët. Gjumë, thuajse nuk bëri fare atë natë. Ku nuk i fluturonte mendja. Sidoqoftë, donte të besonte se Komandanti e donte ende.
Kot kishte dyshuar për të. Se ai s`ishte si të tjerët. Pak kishin mbetur nga koha e Luftës. Dhe ai s`mund t`i hidhte poshtë të gjithë, se ç`kuptim do të kishte. Në mëngjes, para se të nisej për në Kryeministri, e porositi të birin që të kthehej shpejt nga puna dhe të ishte gati aty nga ora një. Ai, si nëpër dhëmbë, vetëm tha: “Mirë, mirë” dhe u largua. Vetë ai, veshi atë kostumin gri që i shkonte shumë dhe e vishte rrallë, vetëm për festën e 1 Majit dhe pasi mori çantën, u drejtua nga makina që e priste poshtë shkallëve. Kur hyri në korridorin e asaj godinës që shkëlqente nga mermeri dhe pastërtia, të gjithë që e panë, vunë re si ishte në qejf. Ua ktheu përshëndetjen atyre që ndeshte dhe ashtu gati buzagaz u fut në zyrë.
“I rashë në qafë kot, tha me vete, me atë Shekspirin. Por fundja, a nuk e vunë në dyshim, aty nga fundi i shekullit të XIX – të edhe vetë Shekspirin? Jo i ka shkruar dramat ky, jo ai. Jo Frensis Bekoni, jo Kristofer Marlo. Madje, u diskutua se veprat e tij i kishte shkruar vetë Elizabeta, Mbretëresha. Se dhe këtij, Mbretëresha Nexhmije ja rregullon atje në Institutin ku është drejtoreshë”.
Mbasi u mor me ca probleme rutinë dhe firmosi ca shkresurina, la nja dy porosi dhe u nis para kohe për shtëpi. Agimi e priste i veshur me kostumin e porsa hekurosur dhe këpucët e porsa lyera që i shkëlqenin. U nisën në këmbë, meqenëse shtëpinë nuk e kishin larg nga vila e Komandantit. Dhjetë minuta para u paraqitën te dera kryesore dhe oficeri i shërbimit i shoqëroi për më tej, ku i priste Sulua. Ky u tregua i përzemërt me të dy dhe u priu për në katin e dytë. Hynë në sallonin e pritjes dhe u rehatuan në kolltuqet e rënda.
S`vonoi shumë dhe te dera, u shfaq Nexhmija e veshur me një kostum që i rrinte ngjitur pas trupit dhe pas saj Komandanti që dukej sikur i tërhiqte këmbët e pantallonave zvarrë. Shtrënguan duart, u përqafuan dhe pasi pyetën për shëndetin, Enveri foli i pari: “Po ku ke humbur mor Manush? Partia po kalon situata të vështira, por së bashku, gjithmonë në unitet të plotë, do të fitojmë edhe kësaj radhe. Armikut Mehmet Shehu, populli dhe Partia ia tregoi vendin. Domethënë, në historinë tonë, ai do mbetet tradhtari më i madh dhe bashkë me të do të shporren njëherë e përgjithmonë ata që i shkuan pas, duke i mbajtur ison. Se elementët puçistë veprojnë fshehurazi, por ne mbetemi përherë syhapët.” Manushi dëgjonte dhe herë pas here tundte kokën në shenjë miratimi.
I biri priste me padurim sa të mbaronte kjo skenë e cila vërtetë nuk vonoi shumë, pasi u duk një grua me përparëse të bardhë te dera dhe njoftoi me zë të ulët, se dreka është gati. Tavolina ishte shtruar bukur dhe dreka filloi duke ngritur disa dolli, ku e para qe për shokun Enver, por vetë ky ndërhyri: “Partinë ta kemi të fortë. Ajo të rrojë për të mirën e Shqipërisë shoku Manush”. Më tej Komandanti, në dukje babaxhan, iu drejtua Sulos: “Sulo! Na vër ndonjë muzikë nga ato të Xhevdet Avdallit se, na ka marrë malli. Edhe Manushit këto këngë i pëlqejnë shumë. Pastaj atë ‘Te rrapi në Mashkullorë”.
Biseda nën tingujt e muzikës dhe efektin e verës, sikur po gjallërohej, duke u hedhur degë më degë, por gjithsesi vërtitej te bujqësia, shirat që s`po binin, tufëzimi, industria, mungesa e lëndëve të para të importit, tradhtia e kinezëve, që po bëheshin si Bashkimit Sovjetik e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, fortifikimet, vizita e Shtrausit që na e kish me hile, lëvizja komuniste ndërkombëtare, partitë e reja marksiste – leniniste etj.
Disi i lodhur, Komandanti, pak i kërrusur, u ngrit duke thënë se, do lante duart, si zakon i vjetër pas buke. Pas e ndoqi dhe e shoqja që e zuri nga krahu. Si mbetën vetëm me Sulon, muzika u ndërpre dhe mbas disa sekondave dëgjohet një zë i akullt me timbër metalik: “Po japim të plotë, deponimet në hetuesi para prokurorit, të armikut, Bashkim Mehmet Shehu”.
Për një çast, babë e bir, ndjenë një gjendje ankthi dhe me bisht të syrit, panë nga njëri – tjetri, si për të thënë: “Po kjo ç`qe”? Më tej nga magnetofoni u dëgjua:
-“Kur dhe nga kush jeni përfshirë ju i pandehur, në grupin e strukturuar armiqësor”?
– “Në këtë grup, unë nuk mund të jap ndonjë datë të saktë, pasi futja ime në të ka ardhur shkallë – shkallë, ashtu si pa kuptuar”.
– “Po si ta kuptojmë ne atë shkallë – shkallë”?
– “Po ja, si ta them…! Në familjen tonë, ashtu flitej mes nesh, herë si me nënkuptime e, më vonë duke u rritur, bisedat u bënë më serioze”.
– “Kur u bënë, ashtu sikurse na thua ti, pra më serioze, cili qe roli yt në këtë organizatë? Le që më përpara, duam të dimë pjesëtarët e saj”.
– “Ju tani i dini ata. Nuk kam ç`të shtoj nga ato që përmendi nëna ime”.
– “Mirë, por ti mund të dish diçka më shumë. Fjala vjen, cilat ishin raportet tuaja me Ismail Kadarenë”?
– “Asgjë. Raporte letrare. Unë isha shkrimtar dhe e kisha për nder të shoqërohesha me një njeri të shquar si ai që ishte bërë i famshëm”!
– “Nejse, se kjo është tjetër gjë. Po a mund të na thuash se; cili ishte qëllimi përfundimtar i organizatës tuaj armiqësore dhe cili qe roli yt në të”?
– “Qëllimi doli besoj; të asgjësohej udhëheqësi, shoku Enver…”! – “Pusho, more armik. M`i thonke paturpësisht dhe shoku Enver, pale. Ju doni plumbin në gojë, po ç`t`u bësh ligjeve të diktaturës që. janë kaq njerëzore dhe demokratike”!
– “Po pse janë të tilla, jemi ne këtu zoti Prokuror.” “- Lëri ironitë ti djalë. Mos na trego ti pse jeni këtu. Ja, jeni këtu se keni kërkuar përmbysjen e pushtetit popullor. Tani përgjigju pyetjes që të bëra”.
– “Për rolin tim”?
– “Po atë, por më parë, çfarë synonit të arrinit”?
– “Atë e thatë ju vetë; vrasjen e Komandantit dhe pastaj marrjen e pushtetit nga im atë, në bashkëpunim me forcat imperialiste dhe revizioniste”.
– “Kështu de! Po ty ç`detyra të ishin ngarkuar”?
– “Unë nuk kisha shumë detyra. Vetëm të merresha me problemet e kulturës e propagandës, d.m.th. të lidhesha dhe të bisedoja me njerëz të lëkundur dhe me influencë, mundësisht për t`i tërhequr në organizatë”.
– “Këtu qëndro! Kush qenë këta elementë të lëkundur? Nga vinin ata? Nga klasat e përmbysura apo nga radhët tona”?
– “Po ja, si të them. Nga klasat e përmbysura, nuk e di… se ata vështirë të më besonin mua. Por kisha disa nga shokët e mi”.
– “Si për shembull? Se ti në hetuesi i ke pranuar”.
– “Si për shembull …, se në hetuesi do i kishit pranuar edhe ju: Agim Myftiu…”!
– “Fol qartë, se kështu janë gjërat në gjyqin e popullit. I kujt ishte ky Agimi”?
– “Agim Manush Myftiu, Spartak Kiço Ngjela dhe Vera Sadik Bekteshi”.
– “E çfarë bisedoje ti me këta”?!
– “Çfarë bisedoja?! Jo izolimi, jo mungesa e lirisë, burgjet politike. Dënimet për të futur frikën në popull. Kush e ka radhën tani. Pastaj muzika, filmat, rinia e atjeshme, kufizimet tona e kështu de”.
– “A konsideroheshin këta nga ana juaj si; pjesëtarë të këtij grupi armiqësor”?
– “Ende jo, por drejt asaj rruge po futeshin”.
– “Cilës rrugë? Asaj të asgjësimit të Partisë dhe Komandantit tonë”?!
“Nuk di ç`të them…”!
Më tej s`u dëgjua asgjë, pasi ndërhyri Sulua dhe duke shtypur një buton, e mbylli magnetofonin. Pllakosi heshtja. Manushi kapsalliste syrin e plagosur, kurse i biri u mbyt në djersë të ftohta. Askush nuk fliste. Vetëm Sulua ndihej i sigurt. Duke u kthyer nga Manushi, që e kishte humbur krejtësisht toruan, i tha: “- Çfarë po prisni akoma, shoku Manush”?
Manushi, u përmend: “Po ja, të vijë Komandanti”!
– Po “Komandanti ka një gjysmë ore që po fle”.
Manushit sikur i ra pika. Ia bëri me shenjë të birit dhe nuk pa derën nga doli. I përcolli Sulua deri në fund të shkallëve, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Nuk e kthyen kokën pas, nga frika se mos ai dhe Nexhmija, i kundronin nga ballkoni të kënaqur.
Kështu ishte kjo botë që; me të drejtë Shekspiri, e quante një teatër të madh. Por që Kadareja, pasi e kishte dëgjuar këtë histori e çonte më tej, deri tek Eskili i Eleuzinës, plot njëzetepesë shekuj më parë, gjersa kishte përsëritur fjalët që Prometeu i kishte thënë Hermesit:
“Ta them haptazi: të gjithë ju Hyjni / Të qiellit, ju urrej”! Që nga ajo ditë Agimi, pothuaj nuk dilte më nga shtëpia. U hap fjala se ai kishte kaluar një ezauriment nervor. Kaq kishte qenë roli i tij në këtë teatër, sa absurd, aq edhe makabër. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016